Lulëzim Basha është sot njeriu që ka dy karrige të vjedhura,
atë të Bashkisë dhe atë të partisë.
Një sinjal i egër
për ata që ëndërrojnë PD-në
Nga Mero Baze
Lulëzim Basha do të fitonte edhe pa futur duart në zgjedhjet brenda partisë. Sali Berisha u la të kuptojë të gjithëve se ai është trashëgimtari i tij dhe kaq mjafton në një parti ku zgjedhjet bëhen nën udhëheqjen e humbësit.
Lulëzim Basha do të fitonte pos të tjerash se siç ndodh rëndom sa herë atë duhet ta votojë dikush, Sali Berisha ndryshon rregullat e lojës. Dhe këtë radhe meqë ai nuk fitonte dot sipas statutit të PD-së, Berisha ia ndryshoi rregullat e lojës me një vendim kryesie, duke bërë farsën e votimit të çdo anëtari.
Lulëzim Basha do të fitonte dhe sikur të votonin gjithë anëtarët. Ata në shumicë besojnë Sali Berishën dhe nuk duan t’ia prishin atij vullnetin për të lënë një kollovar në vend të tij për një periudhë të shkurtër.
Lulëzim Basha do të fitonte dhe nëse fleta e votimit nuk do të bëhej me numër rendor për t’u identifikuar çdo votë. Në shumicë njerëzit e asaj partie ishin bindur t’ia jepnin votën kollovarit që kish zgjedhur Berisha.
Por Lulëzim Basha nuk zhgënjeu askënd në mungesën e thellë të respektit që ka për veten, për zgjedhjet e lira, për garën e ndershme me rregulla dhe për fatin e tij politik. Në një garë ku nuk ish nevoja të vetë-investohej për ta shkatërruar në qelizë, ai u angazhua të shkatërrojë trupën zgjedhore, të mos bëjë transparente listat, të heqë mbështetësit e kundërshtarët dhe të shtojë të panjohur, dhe më në fund të bëjë dhe farsën më të shëmtuar që nuk ndodh as në Korenë e Veriut, të identifikojë çdo votë për kë është.
Në zgjedhjet e para të komunizmit në vitin 1946, komunistët, për të identifikuar ata që votonin për opozitën, i bënë kutitë e votimit metalike dhe në vend të fletës së votimit u jepnin njerëzve një zar që duhet ta lëshonin ose në kutinë e opozitës, ose në atë të frontit duke e futur dorën formalisht në të dyja. Aty ku binte zari, dëgjohej zhurmë dhe merrej vesh për kë votoje. Lulëzim Basha e bëri dhe më keq. Ai është i vetmi njeri në botë që pranon të zgjidhet me deklarata votuesish me shkrim dhe jo me votë të fshehtë. Kjo i ngjan pak a shumë zgjedhjes së një kryetari me duartrokitje ose mosaprovim në një sallë të hapur. Një turp që mund ta pranojë vetëm një njeri pa dinjitet, pa shtyllë kurrizore, pa aftësinë për t’u zgjedhur nga shqiptarët, pa guximin për të dalë në garë, pa minimumin e besimit tek vetvetja.
Siç e thashë dhe më lart, zgjedhja e Lulëzim Bashës nuk ishte në diskutim, jo vetëm se ishte i përzgjedhur i Berishës, por dhe se ai ia përgatiti terrenin të bëhej një farsë zgjedhore dhe një garë formale. Por kjo që ndodhi nuk vë në diskutim faktin a duhet të udhëheqë Lulëzim Basha Partinë Demokratike, por të ardhmen e lidershipit në atë parti. Nuk do kalojë shumë kohë dhe ky njeri do të duhet të udhëheqë atë parti realisht. Sado t’ia lërë këtë punë në dorë Berishës, Argitës apo Shkëlzenit, një ditë ai do të duhet të marrë përgjegjësi për humbjet që do të pësojë ajo parti. Një ditë atij do t’i kërkohet të ikë nga ajo parti, nga pjesa tjetër e partisë dhe pas kësaj ata duhet t’i drejtohen realisht zgjedhjeve në parti.
Trashëgimia e krijuar më 22 korrik në atë parti, me lista fallco, me njerëz të përjashtuar, me votim të hapur në formë deklarate dashurie, dhe me një tutor politik sipër kokës, si Sali Berisha, do ta bëjnë të pamundur të krijohet një traditë zgjedhjesh në parti. 22 vite pas formimit të saj, Partia Demokratike provoi për herë të parë të prishë virgjërinë duke menduar se u poq si parti dhe mund të bëjë vetë zgjedhjet, por përfundoi në një përdhunim nga babai i saj, nga një instinkt incestor që duket se nuk ka për t’iu hequr sa të jetë gjallë. Ajo u përdhunua sot publikisht, para syve të gjithë shqiptarëve, për t’i hequr gjithkujt shpresën se ajo parti mund të merret me garë, apo me ide që nuk janë pjesë e vullnetit të Sali Berishës.
Nuk ndjej keqardhje për ata që pranojnë këtë vetëvrasje, por po i paralajmëroj ata që heshtin ngaqë janë ende në një zyrë qeverie me Sali Berishën, apo vetë Olldashin që pranoi të bëhej pjesë fallco e kësaj gare, duke i dhënë legjitimitet një farse kriminale. Do ta qajnë gjatë iluzionin që deshën t’i krijojnë vetes dhe të tjerëve se po demokratizonin një bunker ku është përdhunuar për 22 vite demokracia. Ajo që ndodhi më 22 korrik tregon se aty nuk ka qenë qëllimi të zgjidhet Lulëzim Basha, pasi ajo ishte e qartë, por të paralajmërohej gjithkush që ëndërron për të ardhmen e asaj partie, të presë shpresat që berishët kanë ndërmend t’ua lëshojnë. Gjesti i 22 korrikut ishte një sinjal që askush të mos guxojë të shpresojë për të ardhmen, as ata që e quajnë “gjimnastikë” masakrën e votës, as ata që e quajnë garë reale, farsën, dhe as ata, që duke shpresuar se Luli një ditë do të tradhtojë Familjen, do rikthejë zgjedhjet në atë parti. Ajo parti është si një qenie e balsamosur në bunkerin e berishëve. Po u hapën dyert dhe hyri oksigjeni, ajo thjesht shperbehet.
Lulëzim Basha është sot njeriu që ka dy karrige të vjedhura, atë të Bashkisë dhe atë të partisë. Është e vetmja mënyrë që ai të ketë një post. Ai nuk votohet, vetëm emërohet. Dëmi që bëri sot, ishte se edhe pse ishte emëruar në atë post, ai prishi shanset që ajo parti të fillonte të mësohej të votonte dhe të zgjidhte. Ngeli prapë një parti që berishët e kanë zgjedhur ta përdhunojnë. Si çdo gjë të tyre!
Eh me Lul mashtrusi ti vune brekt ne kokè
ReplyDeleteA ke iq gjo apo ta thate argita? Bjeri hundes tani
ReplyDelete