"

September 2, 2013

Të shpartalluar!



Nga Mero Baze

Partia Demokratike ka humbur zgjedhjet e pjesshme në dy komuna, zhvilluar ditën e diel, me një rezultat të frikshëm që tejkalon shumë rezultatin e 23 qershorit. Në komunën Rrethinat në Shkodër, një zonë tradicionalisht bastion i PD, dhe në Dardhas në Korçë, rezultati ka qenë në kufijtë e 70 me 30 përqind.

Nuk do t’ia vlente të komentoje rezultatin e dy zgjedhjeve të pjesshme po të mos ishte kaq i thellë dhe kaq i ndryshëm nga 23 qershori.
Duke qenë se ky është rezultati i parë i zgjedhjeve më kryetar Lulëzim Bashën, arsyeja për të parë se ç’po ndodh me Partinë Demokratike bëhet dhe më e fortë.

Nëse ka një fjalë përmbledhëse  se ç’po ndodh me partinë më të madhe të opozitës në këto momente, mund të thuhet thjesht se është shpartalluar. Sali Berisha, i cili për të larguar vëmendjen nga humbja e tij e thellë, tentoi t’i bënte terapi partisë duke shpikur një garë fallco brenda saj dhe duke emëruar një kukull të tij në krye të saj, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka demotivuar tërësisht partinë. Tallja e tij me zgjedhjet brenda partisë, dhunimi i rregullave të lojës, përfshirja e tij për të zhdukur të drejtën e votës së fshehtë dhe qëndrimet përjashtuese të mbajtura pas kritikave për zgjedhjet, kanë bërë që tashmë vetë anëtarët e Partisë Demokratike të mos besojnë së pari tek partia e tyre. Rezultati kaq i thellë në dy komuna, të cilat kanë qenë të PD-së dhe një prej tyre dikur dhe bastion i saj, tregon qartë se Lulëzim Basha ia ka arritur ta bëjë Partinë Demokratike inekzistente dhe ka dekurajuar çdo qelizë të saj. Rezultati ngjan qartazi që është një përpjekje për mbijetesë e vetë kandidatëve për të marrë afërsisht një të katërtën e votave të kundërshtarit dhe tregon praktikisht se Partia Demokratike është në gjendje kome.

Kjo gjendje është shpjegimi më i mirë përse përpjekja e një lideri për të mbajtur me çdo çmim nën kontroll pushtetin brenda partisë, nuk funksionon dhe është vdekjeprurëse për atë parti. Sali Berisha, në përpjekje për të shmangur ikjen e tij nga politika dhe çlirimin e Partisë Demokratike nga trashëgimia e tij, sajoi një farsë banale ndryshimi, duke i bindur të gjithë që jo vetëm që nuk iku, por dhe as ka ndërmend të ikë. Kështu, jo vetëm nuk e ka marrë seriozisht askush Lulëzim Bashën, por janë realisht të nervozuar përse ky plak i rrjedhur u ngatërrohet ende nëpër këmbë me deklarata të përditshme haluçinante dhe me përpjekjen për të diktuar debatin politik brenda PD-së me një nivel ordiner politik. Duke e mbajtur atë parti nën trysninë e dhunës së pushtetit të tij të brendshëm dhe strukturave gjysmë-paramilitare në oborret e PD-së, Berisha po ia del ta viktimizojë atë parti deri në përdhunim, duke e kthyer në një trup pa jetë dhe pa vlerë.

Zgjedhjet treguan se partia ka pushuar së funksionuari dhe me këtë ritëm ajo mund të dalë nga skena politike. Fakti që trashëgimia e Sali Berishës, dhe vetë ai, duan të diktojnë me çdo kusht të ardhmen e saj, dhe përpjekja për të shpallur armiq çdokënd që kërkon minimalisht zgjedhje të lira brenda partisë së tyre, ka prodhuar dukshëm disfatizëm dhe shpartallim të strukturave të partisë.

Lulëzim Basha, i cili më shumë harxhon kohë për ndonjë leje pallati me Kunatin dhe ndonjë allishverish me tokën tek PD-ja dhe SHQUP-i, tani ka rastin të shikojë se çdo të thotë të ndeshet me gënjeshtrën që beson vetë, me faktin që e kanë caktuar kryetar të opozitës. Perceptimi real i popullit opozitar për të është ai i rezultatit të zgjedhjeve të së dielës. Nuk e besojnë as të vetët!


Nuk pres të dalë të bëjë autokritikë për humbjen dhe as të tregojë përralla për manipulime, por pres të ulet e ta mendojë seriozisht se çfarë roli të shëmtuar ka marrë përsipër në tragjikomedinë e opozitës që e pret përpara, ku figurat më të rëndësishme po dalin Mediu dhe Nard Ndoka, dhe shpresa për të ardhmen mbetet ndonjë përçarje e së majtës. Ky njeri që e quan veten tashmë lider të opozitës, ka hyrë në këtë betejë pa asnjë aset, por vetëm me faktin që di t’i buzëqeshë Berishës dhe Familjes,  në atë mënyrë sa dhe ata të binden se ky është një kulish i rrahur që s’ka për t’i kafshuar kurrë!










No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!