"

December 30, 2013

Dr. Bilal Golemi

Kjo ikonë e shkencës, ky patriot idealist

Nga Manxhar Taka


Kushdo që ka pasur mundësinë të lexojë monografinë “Dr. Bilal Golemi”, botuar në vitin 1968 nga dy personalitete të shquara të Shkencës dhe të kulturës; Dr. Vasfi Samimi dhe Dr. Hulo Hajderi si dhe librin; “Një jetë për shkencë e atdhe - Dr. Bilal Golemi”, me autor Manxhar Taka, botuar në vitin 2010, do t’i jetë dhënë rasti të njihet me një figurë të shquar të shkencës, me një mikrobiolog të klasit Europian e botëror dhe me një patriot idealist e zemër zjarrtë. 

E them me siguri se personalitete të tilla si Dr. Bilal Golemi, Shqipëria i ka pasë dhe i ka shumë të rrallë, por historiografia jonë, më së shumti u ka thurur mite dhe lavde njerzëve të jatagan e të pushkës dhe kjo jo pa të drejtë, por gjithkush mund të konstatojë se sa pak përmënden dhe sa pak flitet për njerëz të shquar të shkencës si K. Gega, Dr. R. Frashëri, Ing. Gjadri, Dr. F. Shiroka, E. Çabej, H. Sykja e deri tek nobelisti F. Murati etj. Po kaq i pa njohur dhe i pa vlerësuar është edhe Dr. Bilal Golemi, mikrobiolog i famshëm, punonjës dhe pedagog në Institutin Pasteur të Parisit, ekspert i Organizatës Botrore të Shëndetësisë, i dekoruar nga qeveritë Franceze dhe Turke, martiri që ka eksperimentuar në trupin e vet.

Bilal Golemi u lind në Golem të Kurveleshit dhe në moshën 7 vjeç largohet nga fshati bashkë me familjen dhe vendosen në Stamboll. Pasi kryen arsimin e ulët dhe të mesëm, ai regjistrohet në fakultetin e veterinarisë ushtarake Turke, meqënëse këtu mund të studjonte me shpenzimet e shtetit, pasi gjëndia ekonomike e familjes, nuk e lejonte të merrte një degë që ai kishte dëshiruar. E mbaroi këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera dhe për tre vjet shërbeu në ushtrinë Turke me gradën e kapitenit, por ai jo vetëm kishte pasur aspirata, por edhe aftësi e prirje të tjera nga ato të një kariere ushtarake dhe për këtë arësye, jep dorëheqjen nga ushtria dhe me shpenzimet e tij, e pas një konkursi, ai fitoi të drejtën për tu specializuar në fushën e mikrobiologjisë në Institutin e famshëm Pasteur të Parisit. 

Gjatë kohës së specializimit, ai ra në sy të autoriteteve shkencore të atij Instituti, si një studjues i thellë me aftësi të spikatura në fushën kërkimore shkencore dhe për këtë arësye i propozohet që të qëndrojë me punë në këtë Institut si bashkëpuntor shkencor i tij, gjë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

Në Institutin Pasteur, Dr. Bilali pati një karierë të shkëlqyer shkencore. Ai mbrojti dhe fitoi doktoraturën me një studim të rëndësishëm dhe u caktua të punonte si bashkëpuntor i profesorëve të mëdhenj Ramon e Duma. Për të ditur se me kë pati nderin por edhe meritën të punojë shkenctari i ri shqiptar duhet të themi se Prof. Ramon ishte ndër pesë mikrobiologët më të mëdhenj të asaj kohe. Ai prodhoi për herë të parë vaksinën kundër difterisë së fëmijëve, serumin kundër tetanozit dhe ka studjuar anatoksinat dizanterike dhe në këto shpikje, ai pati bashkëpuntor, shkenctarin e ri Dr. Bilal Golemi. Dr. Bilali kreu në këtë institut edhe studime të tjera të rëndësishme dhe për aftësitë e tij teorike dhe praktike ai u angazhua si mësimdhënës. Në vitin 1926 ai u ngarkua të drejtojë në teori dhe në praktikë, kursin e specializimit, ku merrnin pjesë 33 mjekë, veterinerë dhe biologë nga të gjitha anët e botës të cilët kishin ardhur për tu specializuar në fushën e mikrobiologjisë. Për punën e tij në këtë Institut Qeveria franceze e ka dekoruar atë me medaljen “Legion d’ Honneur”.

Gjat kohës që ai punonte në Institutin Pasteur, mbante lidhje me shumë studentë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë që jetonin në Francë dhe ndiqte me interes çfarë ndodhte në Shqipëri. Informacionet tregonin për gjëndjen e rëndë ekonimike, sociale e shoqërore dhe prapambetjen e theksuar të atdheut të tij dhe kjo gjë e brengoste pa masë e për këtë kishte kohë që mendonte se si mund ti shërbente vëndit të tij. 

Në kulmin e karierës së tij akademike, kur veç Institutit Pasteur të Parisit ku punonte, i qenë bërë oferta pune edhe nga Institutet mikrobiologjike të Berlinit, Stokholmit dhe Turqisë, ai lë shkëlqimin e jetës Parisiane dhe me gruan e tij franceze, në mars të vitit 1928, vjen vullnetarish për të punuar e jetuar në Shqipëri. Para se të niset për në atdheun e tij ai gjeti disa adresa intelektualësh shqiptarë, që punonin jashtë Shqipërisë dhe ju bëri atyre thirrje të kthehen e të punojnë në atdheun e tyre. Në telegramin e tij thuhet: “Atdheu ynë Shqipëria ka mbetur vëndi më i varfër dhe më i prapambetur i Europës. Ajo ka nevojë për mjekë, inxhinjerë, agronomë e çdo specialitet tjetër. Kush duhet ti dalë zot veç bijëve të saj, prandaj hajdeni të kthehemi e të punojmë atje, ajo do të na presi mirë”. Këtij telegrami ju përgjigjën menjëherë Dr. Vasfi Samimi dhe vëllai i Dr. Bilalit që ishte inxhinjer avionësh Sami Golemi.

Shqipëria e asaj kohe ishte vëndi më i prapambetur i Europës, vëndi i varfërisë dhe analfabetizmit, i pishës dhe kandilit, i plasjes, malarjes, tërbimit dhe tuberkulozit, i kasolleve por edhe i kullave me frëngji, prej nga shqiptarët vriteshin me njeri tjetrin. Dr. Bilali tashmë ishte një mikrobiolog i famshëm, por kur erdhi në Shqipëri, ai nuk mund të kuishte atë lluks që të vishte bluzën e bardhë dhe të kishte punë vetëm me librat dhe mikroskopin, por ai u angazhua që nga punët më të rëndomta e deri tek ato që kërkonin kualifikim të lartë. 

Blegtoria në atë kohë në Shqipëri ishte dega bazë e ekonomisë që jepte 2/3 e prodhimit kombëtar dhe meqënëse Dr. Bilali profesionin bazë kishte atë të Veterinerit, në Ministrinë e Ekonomisë ai ngriti për here të parë Drejtorinë e Blegtorisë me tre seksione, themeloi për here të pare shërbimin veterinar dhe hartoi ligjin për këtë shërbim. Një sëre sëmundjesh të asaj kohe shkaktonin dëme të mëdhë në blegtori dhe lëngata e vdekje në njerëz, prandaj detyrë imediate ishte ngritja e laboratorëve mikrobiologjikë dhe kështu për here të pare Dr. Bilali ngriti laboratorin bakterologjik veterinar ku vetë ai për here të pare në Shqipëri, prodhoi serume e vaksina si ajo e plasjes, lisë, kolerës së shpendëve, këmbëzezës etj. E çuditëshme është, se si në atë kohë në Shqipëri, kur nuk mbroheshin as të drejtat e njerzëve, me inisiativën e Dr. Bilalit u ngrit shoqata e mbrojtjes së kafshëve me kryetar të famshmin Mithat Frashëri, e cila ishte një përpjekje e intelektualëve të Tiranës për ta bërë Shqipërinë si dhe vëndet e tjera perëndimore.

Dr. Bilali tashmë nuk ishte një veteriner i thjeshtë por ai kishte marrë specilizimin më të lartë në fushën e mikrobiologjisë në përgjithësi dhe veç kësaj si një atdhetar idealist, ai me dhimbje shifte masat e pamjaftueshme për mbrojtjen e shëndetit të njerzëve. 

Në atë kohë në Shqipëri ekzistonte një laborator bakteriologjik për njerzit ku punonte një francez, që nuk e kishte arsimin e lartë dhe bënte vetëm ca analiza të sifilizit dhe ca vaksina kundër tërbimit. Dr. Bilali sa erdhi në Shqipëri e vizitoi këtë laborator dhe aty pa nivelin e ulët e primitv të punës që bëhëj atje. Me insistimin e tij ky laborator u transferua në Tiranë në një godinë të përbashkët me laboratorin veterinar dhe të dy këto laboratorë filluan tashti të punojnë nën drejtimin shkencor të mikrobiologut Dr. Bilal Golemi. 

Ai i kompletoi këta laboratorë me paisje të kohës dhe krijoi edhe garazhin e kafshëve të eksperimentit si kavje, lepuj, pëllumba etj. Në bashkëpunim edhe me Dr. Bajram Emirin, që edhe ai sapo ishte kthyer nga jashtë shtetit, zbuluan për here të pare në Shqipëri, sëmundjen Leishmanioza në disa fëmijë të Tiranës dhe ishte Dr. Bilal Golemi që diagnostikoi, gjithashtu për të parën here në Shqipëri, sëmundjen e Leprozës tek një punonjës i një konsullate të huaj. Në një perjudhë prej 4 vjetësh që Dr. Bilali punoi në Shqipëri u hodhën bazat shkencore të trajtimit të sektorit të blegtorisë, u hartuan ligjet përkatëse, u zhdukën ose u frenuan disa sëmundje në kafshë dhe u bënë shumë përmirësime në gjurmimin, diagnostikimin dhe luftimin e disa sëmundjeve që prekin edhe njerzit si plasia, bruceloza, tuberkulozi, tërbimi, lija etj, të cilat në atë kohë shkaktonin fatkeqsi të mëdha, kështu Dr. Bilali hodhi bazat e vërteta të mikrobiologjisë si shkencë në Shqipëri.

Pikpamjet politike të Dr. Bilalit, ishin ato të një liberali demokrat. Që kur ishte student në Turqi, por sidomos kur punonte si oficer i ushtrisë Turke, ai u përfshi me gjithë energjitë e tij në revolucionin e udhëhequr nga Qemal Ataturku dhe për këtë është dekoruar nga qeveria Turke me medaljen e Indipedencës me dekretin nr. 3252. Duke qënë se ai kishte qënë kundër sulltanatit në Turqi, ai do të ishte edhe kundër shpalljes së Zogut mbret. Ai e donte Shqipërinë siç ishin edhe vëndet e tjera të përparuara, Republikë Parlamentare dhe për këtë arësye ai u konfrontua me regjimin dhe u dënua me 101 vjet burg, por si rezultat i presionit të qarqeve shkencore europiane, ai pasi bëri tre vjet burg, së fundmi u lirua, por u urdhrua të largohet nga Shqipëria. 

Ai deshi të shërbente edhe më tej atdheut të tij dhe për këtë arësye kërkoi të punonte edhe si një veteriner i thjeshtë i ndonjë komune, por kjo kërkesë nuk ju miratua dhe ai me zëmër të thyer u largua për në Turqi.

Me të mbrritur në Turqi, Dr. Bilalin e kërkuan njëkohësisht Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Bujqësisë për institucionet e tyre, por ai pranoi të punojë në atë të shëndetësisë dhe filloi punë në Institutin e Higjenës” RS Hivzissihha” Ankara, fillimisht si Zv/ Drejtor i atij Instituti dhe më vonë si sekretar i përgjithëshëm. Gjat kohës që ai punoi në Turqi, pati një karjerë të shkëlqyer shkencore. Studimet që ai kreu atje u botuan në revistat e buletinet e institucioneve më të famshme shkencore të Europës si dhe në disa tekste të mikrobiologjive universitare. Ai filloi punën me prodhimin e serumeve hiperimune për prodhimin e vaksinës së difterisë së fëmijëve, tetanozit, tuberkulozit etj, me një cilësi edhe më të lartë se ato që si bashkëpuntor i Prof. Ramon, kishte, prodhuar në Institutin Pasteur. Sëmundja Brucelozë, që prek njerzit dhe kafshët, ishte shumë problematike në Turqi. Dr. Bilali kreu një studim nga më të thelluarit e asaj kohe, duke analizuar gjakun e 2500 njerzëve dhe kafshëve si dhe qumështin e bylmetoreve të Ankarasë dhe fermave për rreth, prej nga ku konstatoi se sëmundia ishte shumë e përhapur. Në një kongres të mikrobiologjisë në Turqi, masat e gjurmimit dhe luftimit që propozoi Dr. Bilali u kthyen në ligj, të cilat edhe sot janë po të tilla. 

Një kontribut i veçantë i tij ishte studimi i dy sëmundjeve që në Turqinë e asaj kohe shkaktonin shumë vdekje në njerz, siç ishin Tularemia dhe Ethet “Q”. Studimet e Dr. Bilalit mbi këto sëmundje ishin të një niveli të lartë shkencor të cilat u botuan në revistën mjeksore të Akademisë së shkencave franceze dhe në dhjetra organe të tjera të shtypit shkencor.

Studimet e Dr. Bilalit për sëmundjen e Tularemisë arritën deri aty sa ai të kryejë eksperimente në trupin e vet. Janë të njohura botërisht dhjetra e qindra raste të vetësakrifikimit dhe të heroizmit, deri në dramacitet të kryera nga shumë biologë, mjekë, kimistë etj, nga të gjitha anët e botës, të cilët janë përballur me vdekjen për të mirën e njerëzimit. Duke eksperimentuar në trupin e tyre, Petenkofer piu një gotë me bujon kolere, por i shpëti vdekjes, ndërsa të tjerë si anglezi A. Uajt, austriaku A. Rozenfelld, italiani xh. Lasear etj nuk arritën ti shpëtojnë vdekjes. Midis këtyre njerzëve, këtyre heronjëve të heshtur që mbarë njerëzimi duhet të përkulet me mirënjohje dhe veneracion, për sakrificat e tyre sublime, është edhe shkenctari ynë Shqiptar Dr. Bilal Golemi.

Duke punuar në laborator atij i ra në sy një pikë e kulturës mikrobike të Tularemisë. Mendoi se pas gjithë atyre provave që kishte bërë në kafshët laboratorike, eksperimenti në trupin e tij, ishte një rast i mirë që do të sqaronte shumë gjëra rreth Tularemisë dhe ai nuk u mjekua por i mbyllur në laboratorin e tij për tetë ditë, e la sëmundjen të rrjedhi, duke studjuar gjithë kuadrin klinik të saj.

Filloi skuqia dhe lotimi i syve, pastaj konjuktiviti u zhvillua më tej. Filluan të enjten gjëndrat limfatike të nënënofullës dhe më pas edhe gjëndrat e tjera, duke u bërë të dhimshme deri sa u qelbëzuan. U rrit temperatura, duke provokuar ethe të forta, të dridhura, të vjella, dhimbje të kyçeve dhe të mezit, por ai me vendosmëri dhe kurajo, megjithëse kërcënohej nga vdekja, qëndrote i pa përkulur, duke kryer lloj lloj analizash. Merrte material nga trupi i tij dhe jua injektonte kafshëve të eksperimentit dhe ato për pak ditë ngordhnin, vëzhgonte kurbën e temperaturës, formulën e gjakut, mbillte material nga trupi i tij në terene që kultivohen mikrobet dhe pasi sqaroi gjithçka, vetëm pas tetë ditësh ai fillo mjekimin e trupit të tij. I shpëtoi vdekjes por ky eksperimen la gjurmë në shëndetin e tij. Ky rast u publikua në gjith shtypin shkencor të kohës.

Në vitin 1952, kur gjëndia e tij shëndetësore nuk ishte e mirë, ai emrohet drejtor i prodhimit të vaksinës së tuberkulozit në njerëz(BCG), por edhe në këto vite ai nuk e reshti veprimtarinë e tij kërkimore shkencore dhe në këtë vit ai caktohet ekspert i Organizatës Botrore të Shëndetësisë, duke u bërë i pari shqiptar në këtë detyrë.

Astma bronkiale, prej së cilës, kishte vuajtur gjatë gjithë jetës, por sidomos eksperimenti që bëri në trupin e vet e mposhtën dhe i shkurtuan jetën dhe në moshën më të mirë, në kulmin e prodhimtarisë së tij shkencore, ai ndrroi jetë më 15 mars 1955. Varrimi i tij u bë në varrezat Stinjës Bosfor dhe në kreun e varrit të tij, plot domethënie dhe fantazi është skalitur në gur, një libër i madh dhe në bazoreljev një mikroskop.


Duke e shikuar këtë figurë prej kohës që jetojmë, kur shqiptarët, njerëz të thjeshtë qofshin, apo edhe intelektualë, çdo ditë po largohen nga Shqipëria, kurse Dr. Bilali la karjerën e shkëlqyer shkencore, la shkëlqimin e Parisit dhe u kthye ti shërbente vëndit të tij thellësisht të prapambetur, shtrohet pyetja se a ka më sot patriotë të tillë idealistë që për interesat e popullit të tyre të bëjnë sakrifica kaqë të larta ose të sakrifikojne deri jetën e tyre për të mirën e njerzimit mbarë?

imazhe shqip

*   *   *







No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!