"

December 21, 2013

Paditet e gjithë familja Taçi

Ja DOSJA e plotë 
me abuzime prej dhjetëra miliona euro


Një dosje tronditëse, gjashtë akuza për Rezart Taçin, por edhe për nënën, babanë dhe motrën e tij. Mosshlyerje detyrimesh, abuzim me TVSH-në, mashtrime prej miliona eurosh, pastrim parash, falsifikim dhe fshehje të ardhurash.

<img src="rezart taci.jpeg" alt="Rezart Taci, Liri Berisha, taci oil, " />

imazhe shqip

Zor se do të vijë në duart e drejtësisë shqiptare një dosje kaq e rëndë dhe me kaq abuzime nga një familje.
Bëhet fjalë për familjen Taçi. Policia ka kopsitur shkeljet e një mashtruesi që arriti të kapte shtetin duke përdorur familjen e Sali Berishës.

Gjashtë akuza nga më të rëndat jo vetëm për Rezart Taçin, por edhe për nënën, babanë dhe motrën e tij.

Lajmi u bë publik nga Top Channel dhe tashmë është zyrtar.


DOSJA

Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë administruar informacione, të dhëna e fakte mbi disa transaksione bankare, kontrata shitje pasurie, kontrata shitje të subjekteve tregtare, raporte kontrolli nga organet tatimore etj, sipas të cilave rezulton se Rezart Taçi, në cilësinë e administratorit, ortakut dhe pronarit të disa subjekteve tregtare, dhe disa persona të tjerë të lidhur me të në marrëdhënie tregtare e familjare, kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë veprime të kundërligjshme që përbëjnë elementë të veprave penale të ndryshme si: “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore” “Falsifikimi i dokumenteve”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 180, 181, 181/a, 186, 144/a dhe 287 të Kodit Penal dhe konkretisht:

1. Nga verifikimet e kryera me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka rezultuar se:

-Shoqëria “TAÇI OIL International Trading&amp;Supply”, sh.a, me adresë rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Sky Tower, Tiranë me Nipt K31902009J, me administrator shtetasin Rezart Taçi, ka kryer nëntëmbëdhjetë eksporte për vitet 2012 e 2013 sipas deklaratave doganore të degës së doganës Durrës me vendnisje Porto Romano Durrës, me destinacion shoqërinë malazeze “IK REAL D.O.O Podgorica”, me një sasi totale gazoili 565.820 litra dhe vlerë prej 485.633 USD, por nuk ka bërë pranë organeve tatimore deklarimin e këtyre shitjeve, duke fshehur të ardhurat.

2. Në përgjigje të shkresës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nr.1689, datë 25.11.2013, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me shkrese nr.141/1 datë 4.12.2013, ndër të tjera ka vënë në dispozicion:

-Kopjen e “Njoftim vlerësimi për detyrimet” të Drejtorisë së Kontrollit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj, drejtuar shoqërisë “A.R.M.O.” sha me Nipt J 82916498 D me administrator të përgjithshëm Rezart Taçi, sipas të cilit në bazë të raportit të kontrollit datë 28.3.2013, kjo shoqëri në total duhet të paguajë detyrime tatimore, interesat dhe gjobat për shumën 1.494.692.782 lekë. Nga të cilat, për periudhën 2009-2011 për tatim fitimin, për periudhën prill 2009- tetor 2011 për TVSH-në dhe deri në mars 2013 për sigurimet shoqërore, detyrime të papaguara dhe gjoba për shumën gjithsej 996.745.000 lekë, si dhe detyrime gjithsej për ulje humbje për shumën 497.947.000 lekë.

Shoqëria A.R.M.O. sh.a. me NIPT J 8291 6498 D është krijuar në vitin 1999, me kapital fillestar 5.126.461.000 lekë. Nga data 27.11.2008, administrator i kësaj shoqërie është bërë shtetasi Rezart Taçi dhe në këshillin mbikëqyrës janë shtuar anëtarët Mustafa Taçi, Anika Taçi etj. Ky ndryshim ka ndodhur pasi shoqëria “ANICA MERCURIA REFINERY” ka blerë 85% të aksioneve të shoqërisë “A.R.M.O.”

Shoqëria “ANICA MERCURIA” me Nipt J 81902013 T është krijuar me datë 2.7.2008, pra rreth katër muaj para blerjes së 85% të aksioneve të kompanisë “A.R.M.O.

Sipas ekstraktit historik të regjistrit tregtar në këtë shoqëri, herë pas here janë bërë ndryshime në këshillin mbikëqyrës dhe konkretisht: me datë 19.11.2008 është shtuar si anëtar Gramoz Taçi; me datë 14.11.2010 është shtuar si anëtar Vasil Dede dhe larguar Anika Taçi, me datë 15.11.2010 është shtuar si anëtar Anika Taçi (motra e Rezart Taçit), ndërsa me datë 01.7.2013 janë riemëruar si anëtar të këshillit mbikëqyrës Mustafa Taçi (babai i Rezart Taçi-t), Drita Aliçka (nëna e Razart Taçi-t) dhe Z.Joseph Melton Desormeaux.

- Kopjen e “Njoftim vlerësimi për detyrimet” nr.prot 45566/10 dt 29.6.2012, të Drejtorisë së Kontrollit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj, drejtuar shoqërisë “Taçi Oil International &amp; Supply Company” sha me Nipt K 31902009 J me administrator të përgjithshëm Rezart Taçi, me adresë Rr. D. 4 Shkurtit P. Sky Tower Tiranë, sipas të cilit në bazë të raportit të kontrollit, kjo shoqëri në total duhet të paguajë detyrime tatimore, interesat dhe gjobat për shumën 1.375.824 lekë, me arsyetimin për moslëshim fatura dhe gjoba. Ndërsa janë zbuluar shkelje në agregatin sigurime shoqërore për periudhën nëntor 2009- janar 2012 për shumën 1.815.000 lekë. Ndërsa për periudhën shkurt 2012- prill 2013 për agregatin TVSH dhe sigurime shoqërore dhe për periudhën 2010-2012 për agregatin tatim fitimi, kontrolli tatimor është në proces.

- Kopjen “Njoftim vlerësimi për detyrimet” nr.prot 7547/7 dt 16.8.2013 drejtuar “Kuid” shpk me Nipt K 63005203 O me administrator Rezart Taçi, me adresë Rruga Durrës-Nikël-Rinas, zyra në pikën e karburantit “Taçi Oil International &amp; Supply Company, pranë aeroportit Nënë Tereza, sipas të cilit kjo shoqëri për periudhën 2010-2011 duhet të paguajë menjëherë shumën 42.216.783 lekë si detyrime të papaguara dhe gjoba për TVSH dhe tatim fitimi.

-Praktika shkresore nr.prot 7547/4 dt 31.7.2013, e Drejtorisë së Kontrollit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj, drejtuar shoqërisë “Kuid” shpk me Nipt K 63005203 O me administrator Rezart Taçi, me adresë Rr. D. 4 Shkurtit P. Sky Tower Tiranë, sipas të cilit në bazë të raportit të kontrollit, kjo shoqëri ka detyrime për agregatin tatim fitimi për periudhën 2009-2011, për agregatin TVSH për periudhën maj 2010- nëntor 2012 dhe agregatin sigurime shoqërore maj 2010– nëntor 2012 me zbulim gjithsej 30.660.000 lekë dhe ulje humbje 107.883.000 lekë  ose në total detyrimet tatimore të kësaj shoqërie janë 138.543.000 lekë.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me shkresën nr.141/1 datë 4.12.2013 është konfirmuar se për subjektet e lartpërmendura do të ushtrohet kontroll dhe rikontroll tatimor dhe në përfundim të procedurave do të njoftohemi për rezultatet.

3. Me kontratë noteriale nr.8186 rep, dhe nr.2560 kol, datë 05.07.2013, redaktuar nga noter Julian Zhegu, shtetasi Rezart Taçi i ka shitur shtetasit Fuad Haxhiymeri, 4.46% të aksioneve  të zotëruara prej tij në bankën Credins sha, kundrejt vlerës 4.655.000 euro. Shuma prej 155.000 euro është likuiduar nga pala blerëse me datë 8.7.2013 nëpërmjet transfertës bankare pranë bankës Credins, ndërsa shumën prej 4.5 milion euro shtetasi Fuat Haxhiymeri e ka transferuar në favor të shtetasit Rezart Taçi me datë 24.09.2012.

4. Me datë 24.9.2013 shtetasi Arjanit Kolgega, administrator dhe ortak i vetëm i shoqërisë “Niti Petroleum Company”sha, me NIPT L11530005M në cilësinë e blerësit ka transferuar për llogari të shoqërisë “Societe Generale de Surveillace” shumën 1 milion USD në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimi (CMA 2387/12 AB-Trafigura) lidhur me datë 24.4.2012 midis tre palëve:

- Societe Generale de Surveillace (SGS) me seli në Gjenevë Zvicër.

-Trafigura Beher BV, e themeluar në Holandë si degë e shoqërisë së huaj me seli në Zvicër(e quajtur depozituesi) dhe
- Niti Petroleum Company”sha, i quajtur blerësi.

Sipas kësaj aktmarrëveshje, depozituesi (Trafigura) është pronari i produktit naftë e rafinuar për sasinë 19 milionë tonë me vlerë 30 milion USD, e cila është parashikuar të depozitohet në depozitat që ndodhen në terminalin “Taçi Oil” në Porto Romano”. Në zbatim të kësaj marrëveshje është lëshuar faturë  datë 24.9.2013 nga SGS në favor të “Niti Petroleum Company” sha. Në këtë faturë në pjesën përshkruese të mallit është shënuar: Deklaratë për humbjen e produktit të CMA për sasinë 27311.514 MT dhe vlerë totale 28 403 974.56 USD.

Shoqëria “Niti Petroleum Company”sha është krijuar me datë 29.03.2011 me kapital fillestar 2.000.000 lekë, me objekt veprimtarie “Import, eksport, tregtim me shumice dhe pakicë të naftës dhe nënprodukteve të saj, shpërndarja dhe marketingu i produkteve nëpërmjet tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe të gazit etj”, me administrator të vetëm shtetasin Arjanit Kolgega, me adrese të ushtrimit të aktivitetit lagje nr.1 Laç përballë hotel Diplomat. Me 16.1.2012 është ndryshuar adresa e shoqërisë dhe është bërë rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Sky Tower, 5/2, Tiranë; ndërsa me datë 18.9.2013 ka ndryshuar adresa duke përcaktuar si adresë të ushtrimit të aktivitetit adresën e parë (lagje nr.1 Laç përballë hotel Diplomat). Nga verifikimet policore rezulton se në këtë adresë nuk ushtrohet asnjë lloj aktiviteti tregtar. Pra, adresa e depozituar nga shtetasi Arjanit Kolgega në QKR si adresë e ushtrimit të aktivitetit të kësaj shoqërie është fiktive.

Me datë 23.12.2011 dhe 27.12.2011 në llogari të kësaj shoqërie janë xhiruar shumat: 40.987.000 lekë; 9.231.221 lekë dhe 12.976.95 lekë nga shoqëria “A.R.M.O.” sha për likuidim faturash shuma të cilat janë tërhequr brenda të njëjtës ditë nga Arjanit Kolgega.

Me datë 28.10.2011 shoqëria “Niti Petrolium Company” sha e përfaqësuar nga Arjan Kolgega ka lidhur kontratë për blerjen e 20% të aksioneve të shoqërisë “I.S.C” Petroleum” sha nga Irgen Selfo (pala shitëse) me çmimin e blerjes 5.175.000 euro, ndërkohë që vlera kontabël e 20% të aksioneve sipas kontratës së ekstraktit në QKR është 400.000 lekë. Nga verifikimi në QKR në ekstraktin historik të shoqërisë “I.S.C” Petroleum” sha nuk rezulton i pasqyruar asnjë ndryshim që vërteton ekzekutimin e kësaj kontrate dhe aksioner i vetëm i kësaj shoqërie që nga krijimi është shtetasi Irgen Selfo.

Me datë 28.7.2011 ka transferuar në favor të shoqërisë “A.R.M.O.” sh.a. vlerën 4.5 milion USD me përshkrim “kalim fondi”.

Me datë 12.7.2011 ka lidhur kontratë overdraft-i në vlerën 400.000.000 lekë.

Me datë 4.11.2011 ka transferuar në favor të “A.R.M.O.” shumën 2.183.900 USD.

Me datë 19.62.13 është lidhur kontratë midis shoqërisë “A.R.M.O.” dhe shoqërisë Niti Petrolium Company me objekt njohje detyrimi ndaj kësaj shoqërie nga shoqëria “A.R.M.O.” për shumën 1.960.549.549 lekë.

Përveç transaksioneve me shoqërinë “A.R.M.O.”, shtetasi Arjanit Kolgega ka bërë edhe disa depozitime në kesh në llogari të subjektit të tij, ndër të cilat veçojmë:

-Me datë 26.11.2012 ka depozituar shumën 77.260.000 lekë.
-Në datat 6.8.2012, 17.1.2013 dhe 20.3.2013 ka depozituar më secilin rast shumat nga 50.000 euro.

Po ashtu gjatë viteve 2012- 2013, shtetasi Arjan Kolgega nga llogaria e shoqërisë së tij ka kryer disa transferta bankare, depozitime dhe tërheqje me çek nga dhe për në llogari të  subjekteve:

-“Kuid” shpk me Nipt K 63005203 O, ku ortak dhe përfaqësues ligjor nga muaj korrik 2007 deri më 18 tetor 2013 ishte Rezart Taçi.

-“Taçi Oil International Trading&amp; Supply Company” me NIPT K 31902009J me ortak të vetëm Rezart Taçi.

-“Kuarta” sha me NIPT L 21721005U krijuar me datë 21.5.2012, ku ortak ishte Rezart Taçi dhe më pas më 17.7.203 ortak i vetëm u bë Irgen Selfo.

-Me datë 15.8.2013 ka depozituar në llogari të shoqërisë “I.S.C.Petroleum Company” sha shumën 500.000 euro. “Shoqëria “I.S.C.  Petroleum Company” është krijuar me 25/01/2011 me aksioner të vetëm Irgen Selfo.

5. Shoqëria “Heaney Asset Corporation”, e përfaqësuar nga shtetasi Abe Halati, lindur në Iran dhe banues në Azerbajxhan, ka blerë nga shtetasi Rezart Taçi kundrejt shumës 50 milion euro shoqëritë:

-Anika Enterprisses” SA me adresë në Gjenevë në shumën 35.000.000 euro.

-“Taçi Oil” me NIPT K31902009J për shumën 500.000 euro.

-“Europetrol” sha me NIPT K 11808502 I për shumën 14.000.000 euro.

-“Kuid” shpk me NIPT K 63005203 O për shumën 500.000 euro.

Shoqëria “Heaney Asset Corporation është krijuar sipas legjislacionit të Ishujve të Virgjër Britanik (British Virgin Islands. Aksioner i vetëm në këtë kompani është Jean-Claude Dauvergne.

Me datë 6.8.2013 është kryer transferta e parë prej 35 milion euro në favor të Rezart Taçi në llogarinë e tij personale. Në datat 6 dhe 7.8.2013 shtetasi Rezart Taçi ka transferuar në emër të afërmve të tij, shtetasve Anika Taçi, Drita Aliçka dhe Mustafa Taçi respektivisht në bankat RBZ dhe Tirana në total shumën 12 milion euro. Nga këto rezulton se me datë 13.8.2013 janë kryer veprimet si vijon:

-Nga banka RZB, Anika Taçi ka tërhequr shumën prej 1.850.000 euro, Drita Aliçka ka tërhequr shumën 2.054.000 euro dhe Mustafa Taçi ka tërhequr shumën prej 1.850.000 euro. Në secilën tërheqje arsyetimi ka qenë i njëjtë “për shpenzime dhe investime në imobilarë”.

-Në llogari të shtetasit Mustafa Taçi, nga BKT, ka mbërritur në bankën RZB shuma 925.000 euro dhe nga llogaria e tij personale nga banka ISP është transferuar shuma 2.925.000 euro, nga këto fonde janë tërhequr nga ai 3 milion euro.

-Në llogari të shtetases Drita Aliçka është transferuar nga llogaria e saj personale në bankën ISP shuma 2.549.290 euro, nga e cila është tërhequr shuma 2.400.000 euro.

-Në llogari të shtetases Anika Taçi është transferuar nga banka ISP shuma 2.924.290 euro, nga e cila është tërhequr vlera 1 milion euro.

Nga këto të dhëna rezulton se familjarët e shtetasit Rezart Taçi kanë përfituar në bankën RZB dhe Tirana Bank për një periudhë dy ditore shumën 12 milion euro, nga të cilat janë tërhequr me para në dorë shuma 5.754.000 euro. Ndërsa në BKT është tërhequr në total shuma 6 400 000 euro nga transfertat e përfituara nga llogaritë personale të familjarëve të Rezart Taçi-t nga banka RZB.

Me datë 16.7.2013 shtetasja Anika Taçi ka lidhur deklaratë noteriale për njohjen dhe shlyerjen e detyrimit monetar nga shoqëria “A.R.M.O.” sha në shumën 20 milion euro.

Totali i detyrimeve të njohura nëpërmjet deklaratave noteriale  në favor të Rezart dhe Anika Taçi është 10.359.000 lekë dhe 80 milionë euro.

Nga të dhënat dhe faktet e trajtuara më sipër veçojmë:

-Mosdeklarimi i shitjeve pranë organeve tatimore i 565.820 litrave gazoil me vlerë 485 633 USD eksportuar nga kompania“TAÇI OIL International Trading&amp;Supply”, sha me administrator Rezart Taçi, për shoqërinë malazeze “IK REAL D.O.O Podgorica”.

-Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave nga shoqëria A.R.M.O.” sha me administrator të përgjithshëm shtetasin Razart Taçi, për shumën 1.494.692.782 lekë (rreth 8.2 milion euro) dhe transferimi i 80% të aksioneve nga aksionari “Anika Enterprises SA (i cili zotëronte 85 % të aksioneve të “A.R.M.O-s.”) tek aksionari i ri Heaney Asset Corporation.

-Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave për shumën 1.375.824 nga subjekti Taçi Oil International&amp; Supply Company”  me administrator të përgjithshëm Rezart Taçi, dhe transferimi i 100% të aksioneve tek aksionari i ri Heaney Asset Corporation.

-Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave për shumën 138.543.000 lekë nga subjekti Kuid shpk me Nipt K 63005203 O me administrator Rezart Taçi dhe transferimi i 100 % të aksioneve  tek aksionari i ri Heaney Asset Corporation.

-Mosveprimi i organeve tatimore për kontrollin e plotë të gjitha subjekteve në administrim të shtetasit Rezart Taçi dhe personave të lidhur me të, si dhe mos marrja e masave ligjore për të penguar transferimin e aksioneve të këtyre shoqërive debitore tek aksionerë të tjerë.

-Krijimi i disa kompanive nga i njëjti person, Rezart Taçi, me të njëjtin objekt aktiviteti tregtar (si A.R.M.O. sha; “Kuid” shpk; “Taçi Oil International Trading&amp; Supply Company” sha; “Kuarta” sha etj.) dhe kryerja e transaksioneve financiare e  bankare ndërmjet tyre mund të jenë bërë me qëllim mashtrimin me TVSH-në dhe fshehjen e të ardhurave.

-Kryerja e transaksioneve derdhje-tërheqje në vlerë të larta me para në dore dhe tërheqja e menjëhershme e tyre nga bankat nga familjarët e shtetasit Rezart Taçi.

-Faktin se nuk ekzistojnë transaksione bankare dhe kontrata noteriale që të justifikojnë qëllimin e përdorimit të këtyre fondeve, për periudhën pas tërheqjes së tyre.

-Transferta prej 4.5 milionë euro në favor të shoqërisë “A.R.M.O.” me arsyetimin kalim fondi.

-Transferta në vlera të larta nga shoqëria “A.R.M.O.” sha për likuidim detyrimesh dhe tërheqje e këtyre shumave menjëherë brenda ditës.

-Kontrata për blerje e 20% të aksioneve të shoqërisë në vlerë tepër të lartë. Megjithëse e paekzekutuar ende.

-Lidhja e një deklarate noteriale midis Anika Taçi dhe shoqërisë “A.R.M.O.” për shumën 20 milion euro për njohje dhe shlyerje detyrimi.

-Prania e të njëjtëve persona në cilësinë e anëtarit të këshillit mbikëqyrës apo të aksionerit në disa kompani në pronësi të Rezart Taçit.

-Shitja e menjëhershme e katër kompanive nga shtetasi Rezart Taçi.

-Fakti që selia e kompanisë “Niti Petroleum Company” me administrator Arjan Kolgega është në të njëjtën adresë me adresën e subjektit.

-Nga fakti që shoqëria “Societe Generale de Surveillance” me seli në Gjenevë Zvicër me datë 24.9.2013 ka lëshuar faturë në favor të “Niti Petroleum Company” sha, ku në pjesën përshkruese të mallit është shënuar “Deklaratë për humbjen e produktit të CMA për sasinë 27311.514 MT dhe vlerë totale 28 403 974.56 USD”, krijohen dyshime se ndodhemi para një mashtrimi të shoqërisë “Niti Petroleum Company”.

Nga këto të dhëna dhe fakte krijohen dyshime të bazuara se shtetasit:

1.Rezart Mustafa Taçi, i datëlindjes 7.6.1971

2.Anika Mustafa Taçi, e datëlindjes 25.6.1975

3.Mustafa Nevrus Taçi, i datëlindjes 18.4.1934

4.Drita Riza Aliçka e datëlindjes 7.5.1945

5.Arjanit Bexhet Kolgega, i datëlindjes 8.1.1975

6. Irgen Arian Selfo, i datëlindjes 13.7.1986

Së bashku edhe me punonjës të tatimeve(që duhen identifikuar gjatë procesit hetimor) dhe me persona tjerë, shtetas shqiptar apo të huaj që mund të identifikohen gjatë hetimit, kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë veprime të kundërligjshme që përbëjnë elementë të veprave penale: “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 180, 181, 181/a, 186, 144/a dhe 287 të Kodit Penal.

Së bashku me këtë informacion dërgohet edhe dokumentacioni përkatës me qëllim regjistrimin e procedimit penal për veprat penale të mësipërme. /TemA


imazhe shqip


*   *   *



No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!