Nga Bledi Mane/Gazeta Tema - 14 korrik 2013
imazhe shqip
1./ Dje, të mërkurën e parë të 2013-s,
kundroja i vëmendshëm herë internetin e herë ekranin e televizorit. Pas
mesdite, lajmet që vinin nga Stambolli dhe Kajro kishin brenda veç informimit
edhe një lloj sadisfaksioni. Ta ndjekësh kaq lajme të forta ndërkombëtare nga
Shqipëria të bëjnë të mendohesh gjatë e të psherëtish:
- "Ky vendi i ynë do të prodhojë ndonjë
herë veç scoop-eve të rënda edhe pak tharm qytetërimi?”
Betejat këmbëngulëse të protestuesve në Turqi
nisën si fillim në mbrojtje të hapësirës së gjelbër Gazi e më pas u politizuan
si për t’i treguar Erdoganit se kafshimi i lirisë së qytetarëve dhe zgjatja e
pushtetit të lodh, të konsumon dhe arroganca rrezikshmërisht; t’i sekularizon
ambiciet e shfrenuara. Pavarësisht se paralel me protestuesit, kryeministri
turk nxori në shesh miliona përkrahësit e tij duke të kujtuar post 21 janarin
shqiptar, ende frika se qeverisjes së tij iu plasarit uniformiteti mbetet
tashmë e tutje permanente. Komplotet konspirative të mendjes erdoganase ashtu
si çadrat tona pistoletë dhe thikat me helm, mbetën thjesht barsoleta orientale
të sfumuara nga mospranimi i bumerangut. Një vend si Turqia, ku ekonomia dhe
stabiliteti financiar po i reziston recesionit global e ka tashmë të
establishuar një klasë të mesme stabël dhe elitat e saj të vjetra e të reja
organikisht përcjellin veç respektit edhe detyrimet ndaj institucioneve të
pavarura kushtetuese sepse shtojnë kësisoj më shumë respekt dhe rehati ndaj
vetes.
Vendimi i Gjykatës Administrative turke pa
ekuivok iu dha të drejtë protestuesve dhe parku i famshëm dhe e vetmja hapësirë
e gjelbër në zemër të Stambollit aziatik do të mbetet e paprekur duke rrëfyer
në heshtje këmbënguljen e qytetarëve që e duan vendin, lirinë dhe natyrën.
Me një sistem drejtësie autoritativ e aspak
servil dhe lapanjoz, Turqia “e kushërinjve” tanë ka ditur të ndajë shapin nga
sheqeri dhe pavarësisht se shtrihet në krevatin e dy kontinenteve, kokën me
mendjen brenda e mbështet në jastëkun e anës evropiane.
2./ Kajroja e Misirit ia bëri fora përsëdyti.
Pranverën arabe të 2011-s e përforcoi me beharin për marshallah të këtij viti.
Largoi një Mubarak diktator të konsumuar dhe të zgjedhur jo me votë dhe po me
votë i besoi një Mursi-je që kujtoi se nën petkun e besimit zyrtar të vendit do
të myslimanizonte edhe autoritetin republikës. 12 muaj kohë ia lanë në
dispozicion dhe teksa panë që ekonomia po ngordhte si mumje e balsamosur, teksa
panë që kërkonte të berishonte çdo skutë të regjimit dolën protestuan plot
dinjitet dhe me shkelm bythëve e rasën te qoshja.
Ashtu si gjykata turke, e cila u ngrit pa
frikë e pa droje mbi autoritetin e sforcuar qeverisës, ushtria egjiptiane
tregoi edhe një herë se kur kandari i pushtetit anohet artificialisht duhet
goditur me shpullën e interesave publike kapadaillëku artificial.
Të mendosh se në këtë shekull të ri
monstruozitete liderësh ende vazhdojnë me diktatet demode duke justifikuar
regjimet e tyre me emfasizëm biblash, kuranësh apo integrimesh të deformuara
evropiane, të vjen të protestosh e të rrezikosh dyfish.
Dhe ja ku jemi duke pyetur veten:
-Po në këtë
vendin tonë a dini të kemi ndonjë ushtri autoritative mbi palët dhe të zgjidhë
situatat e vështira provizorisht?
Imagjinon dot dikush kur prokuroria urdhëronte
arrestimin e krerëve të Gardës më 22 janar 2011 ndërsa bëhej palë me vrasësit
policia strukej e frikur në kryeministri.
Imagjinoni sikur Arben Imami me urdhër
arrestet në dorë të shkonte e të çonte zvarrë ne qeli patriotët snajpera të
doktorit?
Imagjinoni sikur autoriteti i shtetit të
komandohej nga ushtria jonë deri në zgjidhje situatash apo zgjedhje të
parakohshme?
Eh mor daje, çfarë llafos dhe unë.
Ushtria jonë e NATO-s shet me para në dorë
misionin e një kapiteni që shkon të luftojë në Kabul .
Ushtria jonë gërdecon e vret për të fituar me
vdekjen, tenderos si mos më keq brekët, fasulet dhe orizin e ushtarëve. Punëson
militantët mbi bazë dialektologjie dhe pushon e shkatërron gjeneralët e saj pse
janë më të aftë e më të lexuar se Jar Nishani që e zuri barku duke ngrënë një
sufllaqe në Tel Aviv. Dhe ec e prit ndonjë grusht shteti nga Shtabi ynë i
Përgjithshëm që e le punën qysh në 12 të drekës dhe i ke gjithë ditën duke pirë
makiato te Taiwan-i.
Lodhu kot o Bledi Mane duke u bërë moral vetes
dhe lexuesve. Lodhu kot, por të paktën fati vonon, por nuk harron të shfaqet.
Ne nuk kemi sistem të pavarur dhe efiçent drejtësie, ne nuk kemi ushtri
autoritative dhe profesioniste si e egjiptianëve. Ne ashtu dembela në dukje
tolerojmë dhe më pas shpërthejmë. Më 1997-n ishte gjenerali Arben Imami që ngriti
pushkë ndaj Mubarak Berishës ndërsa më 2013 u qërua me grushtin e fortë të
votës Mubarak Berisha bashkë me Mursi Imam bajalldinë.
*fb.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
imazhe shqip
* * *
SUPERSHKRIM NGA BLEDI, SI GJITHMON THERES DHE PIKANT
ReplyDelete