"

January 8, 2014

Kush fshihet pas maskave?

Grupi hetimor për ngjarjet e fundit ka dyshime se grabitja e djeshme në qytetin e Durrësit, sulmi i bujshëm në qendrën tregtare TEG në Tiranë dhe akti terrorist i ndodhur më 31 dhjetor në Milot, ku u hodh në erë shtylla e tensionit të lartë, nuk janë pa lidhje. Një nga pistat e hetimit sugjeron se në të paktën dy prej ngjarjeve janë implikuar persona të larguar nga puna muajt e fundit si forca speciale të policisë e të ushtrisë, dhe që organizohen nga specialistë të mirëfilltë që njohin armët, eksplozivët dhe teknikat e grabitjeve. Por pa dashur kanë lënë edhe disa gjurmë të rëndësishme.

<img src="the mask.jpeg" alt="The mask of sali berisha" />

imazhe shqip


Policë dhe ushtarakë

Grabitja e djeshme la të kuptohej se autorët kishin një mbështetje logjistike të sofistikuar, e cila rezulton të jetë marrë fshehurazi nga magazinat e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes jo shumë kohë më parë. Dëshmitarët treguan se 4 autorët, ishin të veshur me rroba ushtarake komandosh, të pajisur me jelek antiplumb, fenelina në makinë, shkopinj gome dhe armë pistoleta dhe automatikë. Edhe në lëvizje, dukej si një grup kryekëput special, që njihte mirë mënyrat e forcave elitë. Tre kambistët kanë treguar se janë neutralizuar në pak sekonda, madje edhe fuoristrada që përdorën mësohet se mbante shenja të policisë, si fenelinë dhe tabelë. Kalimtarët kanë kujtuar fillimisht për një operacion policie.

<img src="land rover, grabitja.jpeg" alt="Land Rover, makina me te cilen u krye grabitja ne Durres" />

Makina me të cilën u krye grabitja

Por më pas u kuptua se ishte një krim grabitjeje. Katër grabitësit e djeshëm, pas krimit në Durrës, janë parë të largoheshin me shpejtësi në drejtim të Ishmit dhe më pas në Bubq të Krujës. Zona malore e këtij rrethi është e njohur për pyllin e saj dhe shtigjet nga mund të kalosh. Janë përdorur forca të shumta dhe helikopterë të RENEA-s, por pa ndonjë sukses. Grabitësit e veshur si forca speciale janë futur në pyll dhe aty kanë humbur gjurmët. Grupi ka hyrë në të njëjtën vatër të nxehtë ku dyshohet se vepron celula e dyshuar për tritolin e 31 dhjetorit. Dyshimet për persona të shkarkuar kohët e fundit nga segmente të rendit dhe mbrojtjes, përfshirë gardën, të implikuar në hedhjen në erë të shtyllës në 31 dhjetor kanë lindur prej disa ditësh. Por në ngjarjen e djeshme në Durrës janë forcuar dyshimet se autorët janë profesionistë dhe me të kaluar në polici dhe ushtri.


Çfarë ndodhi dje

Persona të armatosur, të veshur me uniforma forcash speciale të ushtrisë dhe policisë, me pajisje dhe jelekë antiplumb, grabitën tre kambistë dhe lanë të plagosur dy prej tyre, duke u marrë çantën me të paktën 10 milionë lekë rreth orës 08:15 të mëngjesit të djeshëm, në qendër të Durrësit, në sheshin “Pranvera”. Autorët e paidentifikuar, që ishin 4 persona, zbritën nga një mjet fuoristradë “Land Rover” me targa angleze, dhe sinjale policie në vendin ku qëndrojnë kambistët. Kambistët Edmond Sollaku dhe Arben Çuni, janë dërguar në spital, ku i pari kishte plagë të lehta, kurse Çuni mbahet ende në spital pasi kishte dëmtime më serioze, por pa rrezik jete. Kurse i treti, Hajdar Lala, nuk mori plagë. Sipas mjekëve të spitalit, Arben Çuni i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi goditja në kokë i kishte prekur skalpin. Sipas dëshmitarëve, autorët kishin armë dhe shkopinj bejzbolli dhe vepruan shumë shpejt. Tre prej tyre neutralizuan kambistët dhe i katërti grabiti çantën e madhe me 10 milionë lekë. Në pak çaste goditën dy kambistët në trup dhe kokë me qyta armësh dhe shkopinj bejzbolli dhe më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të Ishmit. Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët hyrëse e dalëse të qytetit të Durrësit, si dhe në Krujë e Fushë-Krujë. Mësohet se operacioni policor është shtrirë në komunat Bubq e Ishëm, ndërsa automjeti i grabitësve është parë për herë të fundit në afërsi të Sukthit. Ndërkohë policia zhvilloi në malësinë e Krujës edhe kërkime me helikopterin e RENEA-s. Kambistët kolegë me të dëmtuarit, apeluan dje për mbrojtje nga shteti./ Artur Qoraj/Dita  


imazhe shqip


*   *   *










1 comment:

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!