Nga
Bedri Islami
Ka një ngutje të jashtëzakonshme të Berishës,
të medias të lidhur me të, si dhe të një grupimi pranë tij, për të bërë një
përngjasim mes figurës së tij dhe zonjës Timoshenko, të sapo liruar nga burgu;
ka një sajesë të habitshme e njëkohsisht të paturpshme për të bërë një lidhje
mes tyre, qoftë edhe mbështetur në trillime sharlatane; e po ashtu, e menduar
seriozisht, por e qepur keq, krijimi i një dëshmie se jo vetëm Berisha e
mbështet zonjën e cituar, por edhe njerëzit e saj mbështetin Berishën, sidomos
angazhimin e tij për daljen e saj nga burgu, sikur që prej selisë së Shtëpisë
së ushtarakëve, Berisha t’i ketë dhënë urdhër parlamentit ukrahinas. E gjithë
kjo, e bërë rrëmujshëm, në harkun e pak ditëve, si për të dashur të përmbysë gjithçka,
nga e djeshmja dhe ajo që mund të vijë, në mos qoftë sarkastike, është e
neveritshme.
Përse Berisha po nxiton të shkëputet nga
presidenti i rrëzuar dhe në ikje, Janukoviçi dhe njëkohsisht po përshpejton të
dëshmohet si një i afërt i Timoshenkos? Cila lojë fshihet pas deklarateve të
tij të njënjëshme, ngritjes së grupit të tij parlamentar për një minutë heshtje
në nderimin e të vrarëve në demonstratat e një populli të rebeluar në Ukrahinë;
çfarë e bën atë të nxitojë furishëm nëpër një rrugë të trazuar përmes së cilës,
në dy anët e polit, shihen ende gjurmët e të vrarëve? Dhe në fund të fundit,
cilit i ngjan më shumë ky njeri, i cili, edhe pse i zhytur në mjegullën e
mashtrimit të kaherëshëm, përsëri sjell në dritë sajesa të tjera, pa u lodhur
nga e gjithë ajo që ka sajuar dhe që është i detyruar të bartë me vete? Cila
është sozia e tij politike në Ukrahinë: njeriu që po fshihet apo zonja që ende
po shëron një nga plagët e saj…?
Berisha ka dy periudha përmes të cilave ai
mund të krahasohet me atë që ndodhi në Ukrahinë: ai ka vitin e prapshtë 1997
dhe vitin e vrasjeve 2011. Mes këtyre dy vitprovave, qëndron ai, i cili, edhe
kur u provua si president, edhe kur u provua si kryeministër, doli se ishte
kallp dhe nuk bëri asgjë nga ajo që ishte pritur…
Ngjasimet e vitit 1997 dhe janukoviçizmi i një
njeriu buzë greminës…
Më shumë se sa me Timoshenkon, ngjasimi i
Berishës i vitit 1997 (por edhe i tashëm) është me presidentin ukrahinas në
ikje, Janukoviç. Në vitin e prapshtë, Berisha në ankthin e asaj që mbolli
vetëdijshëm, sapo njerëzit dolën në rrugë, gjënë e parë që bëri, largoi
familjen e tij, e dërgoi ku mundi, deri në Suedi, dhe kjo është krejt e njëjtë
me zhdukjen e familjes së ukrahinasit. Edhe atëherë, në vitin 1997, ai dha
urdhër të armatoseshin me listë militantët e tij, sidomos nga zonat veriore;
njëjtë sikur urdhëroi i ikuri ukrahinas; edhe atëherë ai u përpoq të ndante në
hasmëri Shqipërinë, në veriun pro tij, demokratikas por jo demokratë, dhe në
jugun kundër tij, rebel, socialist, bandit, njëjtë sikur adashi i tij politik
ukrahinas, ku vendi nga tendencat separatiste rrezikon të ndahet më dysh; edhe
atëherë, të keqen që pllakosi vendin ai nuk e gjeti tek vetja dhe regjimi i tij
autokratik, që opozitën e përgjakte në mesin e sheshit kryesor të Tiranës, por
përtej vetes, tek agjenturat e huaja deri në Amerikë; njëjtë si ndodhi me
sozinë e tij politike në Kiev; edhe atëherë në vitin 1997, ai dha urdhër të
përdoreshin të gjitha mjetet luftarake, deri tek avionët dhe lëndët kimike,
(desh u bë Sali kimiku), për të ruajtur pushtetin e tij presidencial, ku sapo
ishte rizgjedhur përmes hijeve të tankeve nëpër rrugë; njëjti si ai,
Janukoviçi, urdhëroi për të vrarë e bastisur kudo; edhe atëherë, Berisha,
shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe Shqipërinë e vendosi nën kontrollin e
Sigurimit të Shtetit, SHIK, dhe të një manjaku fondamentalist, lejoi masat e
posaçme, dërgoi trupat e militantëve në jug, shtoi kontrollet, bastijset,
arrestimet, njëlloj si ndodhi këto ditë në Kiev dhe në qytetet e tjera ukrahinase
nga dëshira e një diktatori për të ushtruar pushtetin e tij bandit.
Dhe ajo që ndodhi më pas në Shqipëri, si
rrjedhë e kësaj çmendurie presidenciale, që ishte njëkosisht edhe krim politik
e njerëzor, numëron mijra të vrarë, prag lufte civile, anarki e zhvatje, dhe e
gjithë kjo të kujton presidentin ukrahinas. Dhe për ta bërë gjithçka më të
besueshme, shefat e opozitës ishin po ashtu, në të dy vendet, të burgosur, nën
të njëjtën akuzë dhe thuajse me të njëjtin dënim.
Nëse ka një njeri, të cilin e ka ndjekur
verbërisht Janukoviçi, ndoshta pa e njohur, ky është Berisha, çmenduritë
presidenciale të njërit janë krejt të njëjta me të tjetrit, sa të duket sikur
kanë rrjedhur nga i njëjti burim politik. Dhe, medet, për të shkuar më tej, që
të dy, asaj kohe njëri e më pas tjetri, kishin frymëzim sllav: Janukoviç nga shteti i madh shovinist rus, ky
i yni nga shteti serb, me të cilin kishte bërë tregti edhe pse ndodhej nën
embargo, kishte dërguar armë, ani se kush vritej…kishte pritur solemnisht doren
e djathtë të një njeriu që shumë shpejt do të konsiderohej krimineli i
Ballkanit. Rastësi… pak e besueshme të jetë kjo, përngjasimi është i
jashtëzakonshëm, deri në detajet më të imta, por që kanë lënë pas vetes të
vrarët që nuk ngrihen më.
Por ka një ndryshim të madh: 17 vite më parë,
nga toleranca e cunguar mendërisht e një stafi socialistësh, që nguteshin të
merrnin pushtetin e jo të bënin shtetin, Berishës nuk i hyri gjëmb në këmbë, jo
si kolegut të tij ukrahinas, që nuk i zënë këmbët dhe. Vendimi më racional dhe
më historik i asaj kohe do të ishte (në mungesë të një përballimi juridik
gjyqësor të domosdoshëm), të paktën, për gjithë atë katrahurë që la pas vetes
në pesë vite pushtet absolut, humbja e së drejtës për të qenë njeri i
politikës. Vendi do të kishte marrë frymë lirisht, jo vetëm në vitin 1997, por
edhe tani. “Falja” e tij si do të mburreshin më pas disa liderë socialistë,
është ende precedenti më i rrezikshëm, që dëshmon se kushdo, që është ndërkohë
lider shtetëror, mund të bëjë gjithçka në dëm të këtij vendi, ai mund të nxisë
urrejtjen,të grabisë, të udhërojë
vrasjet masive, të armatosë militantët, të shpallë gjendje të
jashtëzakonshme, të vendosë shtetin nën diktatin e sigurimit të tij, të
shkatërrojë financat, të vendosë kontrollin policor, të vendoset rendi nën
kontrollin e bandave, dhe përsëri, si më parë, të jetë lider i një force
politike. Kjo e bën shtetin lehtësisht të rrezikuar, dhe pikërisht se
socialistët nuk iu drejtuan popullit përmes një referendumi për të ardhmen
politike të Berishës, që do të kishte një votë plebishitare kundër vazhdimit të
jetës së tij politike, ndodhën edhe ngjarjet pasuese, sepse, si dihet tashmë,
ndëshkueshmëria dhe personalitetet shtetërore janë kundërshtim i njëra-tjetrës.
Kush mund ta mendonte në vitin 1997 se njeriu
i gjëmës kombëtare do të jetë i fshehuri i Gërdecit, urdhëruesi i 21 janarit,
masakruesi edhe një herë i ekonomisë së vendit…dhe të gjitha këto, në kohën e
sotme, të sjellin në mend vetëm një njeri, çuditërisht i riformatuar si një
vazhdim i Berishës, Janukoviçi, ukrahinasi në arrati, pasi parlamenti i
atjeshëm, ndoshta duke zënë mend nga porositë e Perëndimit, nuk bëri “falje”
berishiane.
Përngjasimi i vrasjeve
Ngjashmëria në mes dy ish presidentëve dhe
oligarkëve vjen e bëhet edhe më e ngushtë nëse ditët e fundit në Ukrahinë i
krahasojmë me ngjarjet e 21 janarit. Përmasat janë të ndryshme, por misteri
është i hapur. Berisha vrau vetëm 4 vetë, sepse ajo ishte dita e parë e
protestës, e cila më pas, duke pasur drojën e njeriut që të bën gjëmën, erdhi
duke u asfiksuar. Në ditët e para të protestave Janukoviçi nuk vrau askënd.
Berisha e filloi me vrasje dhe njëkohsisht me paralajmërimin se është grusht
shteti- njëlloj si adashi i tij politik në Kiev – dhe paralajmëroi se mund të vriten 3
vetë, mund të vriten 30 por edhe treqind. Ky ishte deliri i pasmë i njeriut
haluçionant, dhe nuk arriti të vrasë përtej katër burrave, sepse në shesh nuk
kishte të tjerë. Për të dëshmuar se mizoria e tij ishte ftohtësisht e
llogaritur, ai nuk vrau në kohën e pikut të përleshjeve, si u tha se ndodhi
shpesh herë në Ukrahinë, por vrau qetësisht, dhe haptas, pa asnjë lloj droje,
kërcënoi liderin e opozitës, se, jo vetëm do e vriste, por do i mbante edhe
fjalimin më të bukur të varrimit në histori. Kërcënoi se do të vriste edhe të
tjerë, të panumurt, dhe ndoshta në vetdijen e tij ka ngelur brenga se nuk mund
të vriste edhe më tej. Kjo është e përbashkta e dytë mes tyre, por, si thonë
gjermanët, çdo krahasim është i mangët, dhe nëse do të mbeteshim deri këtu,
gjithçka do të ishte mangësi.
Berisha ka një ngjashmëri tëjashtëzakonshme me
ish-presidentin ukrahinas J. në gjithçka që kanë ndërtuar në vitet e
qeverisjes; që nga luksi i jetesës së tyre, ku vila
e J. mund të duket pak përballë pasurisë berishiane, me vila , stërvila, toka, fonde të ditura e të
paditura. Luksi i fëmijve berishianë është njëri ndër turpet e vendit ku
jetojmë dhe pjesë e të cilit jemi, pasi është vënë vetëm mbi të qenurit e
babait të tyre kryeministër, i cili, “duke zënë mend” nga braktisja e vitit
1997, tani u kujdes që fëmijët e tij, si Mirkoja i Milloshit, të ishin njerëzit
e pasur të këtij vendi, por që, po ashtu si ky Mirkoja, edhe birboja të mos i
gëzojë gjatë.
Ngjashmëria e tyre, mes Berishës dhe J. shkon
deri në ndërtimin e strukturave juridike të vendit, ku gjithçka është e zhytur
në llum, dhe ku të ndershmit ende nuk dihet se ku janë, vetëm nëse fshihen pas
mustaqeve të dikujt tjetër. Pasuria e gjyqësorëve tashmë është kaluar në
përrallë, dhe këtë Berisha nuk e ndërtoi për hir të pushtetit, por për mbajtjen
e pushtetit dhe atë që mund të ndodhë pas tij. Të dy, J. dhe Berisha, ndërtuan
një strukturë kontrolli të jashtëzakonshme mbi shtetin, e shndërruan për disa
kohë partinë në shtet, dhe, të gjitha këto, kanë krijuar precedentët e
rrezikshëm të kapjes së shtetit nga mafia politike, e dhëmbëzimit të saj përmbi
të drejtën, e sashenkizimit të ligjeve dhe të së drejtës, e në fund të fundit
në anomalinë e stërmadhe të drejtësisë.
Berisha synon të përngjajë në Timoshenkon pasi
shumë vetë, në modelin e tij, synojnë të jenë ata që nuk janë më dhe që ndoshta
kurrë nuk kanë qenë. Në të vërtetë Timoshenko nuk është ëngjëll, por duke e
krahasuar me këtë që kemi ne, këtë farë berishenkoje, duket si e tillë.
Droja e madhe e tij është vetmia, ajo po i
vjen. Ai kërkon të largohet nga hija që e ndjek pas e ish presidentit J. si tek
Makbethi, pasi, tmerrshëm, vuri re braktisjen që i bënë atij njerëzit e
partisë, që i kishte mëkuar, i kishte urdhëruar, që ishin pasuruar përmes tij.
Berisha e ndjen ftohtësinë reth e rrotull vetes, edhe nga trupa ministrore ose
partiake rreth tij, e ndjen heshtjen, përdallimin, dhe kjo e bën të ikë me turr
nga statura e mjerë e J. dhe të kërkojë , edhe një herë të ketë një staturë
tjetër, që të mos braktiset. Ai e di, se pas vetmisë së tij, turrshëm do të
vijë edhe ndëshkimi i familjes së tij, jo se është familja e tij, por sepse u
bënë pjesë e këtij mjerimi, korrupsioni dhe zhvatje.
Gjykimi, braktisja, vetmia, ndëshkimi familjar
dhe politik, të gjitha sëbashku dhe secila veç e veç, janë ata që e bëjnë
Berishën të kërkojë të ikë nga vëllai i tij siamez politik, ish presidenti J.
dhe të dëshirojë me ngulm të jetë në afërsinë e figurës së Timoshenkos, më
shpresën se, edhe në mos ardhtë përsëri në pushtet, të paktën të mos vijë dita
kur qielli të jetë i ndarë në 16 copë.
E provuam këtë njeri si president, e provuam
si kryeministër, asgjë nuk ia vlejti. Ishte kohë e humbur dhe një ëndërr e
bjerrur./Dita
imazhe shqip
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/12/mos-e-beso-po-deshe.html
*
* *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!