"

March 9, 2014

Portret i paautorizuar për sekserin e qeverisë shqiptare

<img src="zamir mane.jpeg" alt="zamir mane, blendi fevziu,aleksander frangaj, lulzim basha,etj" />
imazhe shqip

TemA – 18 Qershor, 2012

Është një makinë Bentley që parkohet çdo natë tek Ministria e Financave. Rojet e gardhit rrethues të Kryeministrisë nuk e ndalin pasi e njohin. Prej saj zbret një biznesmen i bëshëm, i cili hap pa trokitur dyert e qeverisë shqiptare. I përshëndet buzagaz rojet, nuk u lë bakshish, por u lë të kuptojë se do flasë mirë për ta tek shefat. Nuk e ndalin as në kat të parë dhe as në paradhomën e Ministrit të Financave. As tek kryeministri. Çohen të gjithë në këmbë dhe e respektojnë me frikë që ngjan si nderim.

Ridvan Bode, ministri aktual i Financave është një mik i vjetër i tij i së paku 15 viteve më parë, kur ai ishte një biznesmen i panjohur dhe një ushtar i bindur i kohëve të fundit. Janë të dy korçarë dhe të njohur familjarisht. Biznesmeni në fjalë ka nisur studimet për inxhinier minierash dy vjet para rrëzimit të komunizmit dhe i ka braktisur ato pas rënies së komunizmit. Është nga të paktët që ka dalë jashtë kufijve të Shqipërisë andej nga ishte më vështirë për të hyrë se sa për të dalë, përmes Jugosllavisë që po shembej. Prej Beogradit ka ikur në Austri dhe ka filluar jetën e emigrantit. Më pas ka përdorur punësimin e tij me kompani lindore, kryesisht ruse, për të nisur një tregti të vogël të pajisjeve elektroshtëpiake. Tentoi të shtrihej dhe në Shqipëri, por pa shumë sukses në një treg që diktohej nga ekskluziviteti i një biznesmeni të fuqishëm siç ishte Agron Duka. As Ridvan Bode, atëherë ministër në ikje, nuk e ndihmonte dot.

Ardhja e socialistëve në vitin 1997 e riorientoi të gjente atje aleatë të rinj. Në vitet e para e pati të vështirë. Manovrimet e tij me doganat, udhëtimet bosh ose vetëm me letra të kamionëve të tij nga Vjena në Lubjanë dhe nga Dubai në Tiranë, u bënë të famshëm për doganierët shqiptarë. Në një test për të provuar pafuqinë e tij politike, një shef komisariati në Librazhd e arrestoi bashkë me kamionin dhe e mbajti nja 24 orë të lidhur në komisariat. Por pak nga pak lidhjet me socialistët u forcuan. Në tregun e madh të elektroshtëpiakeve po bënte vend dhe një degë e tij. Qëndrimi në Vjenë e bënte të favorshëm njohjen me shumë zyrtarë shqiptarë që kishin Vjenën qytet transit për udhëtime, dhe Fatos Nanon që e kishte qendër zbavitje për fundjava në kazinonë e saj. Lidhjet u forcuan aq shumë sa në vitin 2004 kur u bë publik një skandal lidhur me disa kompani me emra të vdekurish që faturonin TVSH për disa biznesmenë, përfshi dhe grupin e elektroshtëpiakeve shqiptare, hetimi u varros.

Ndërkohë që Fatos Nano po vihej para sulmeve të ashpra për papërgjegjësi në qeverisje dhe bredhje në buzuqe kur në vend ndodhnin fatkeqësi, ai bëri përpjekjen e fundit për të mbajtur të pajtuar TV Klanin me qeverinë e Fatos Nanos. Pazari u prish thuajse aksidentalisht nga gazetarë që nuk dinin gjë për pazarin e pronarëve të tyre.

Me afrimin e ndryshimit të pushtetit, në vitin 2005 ai nuhati i pari të ardhmen e lobimit në biznes. U bë ndër klientët e parë të Argita Berishës disa muaj para se babai i saj të vinte në pushtet dhe kjo nuk ishte pak. Shpërblimi i parë ishte vizita e Berishës dhe gruas së tij në një promovim biznesi të tij në autostradë.

Me fitoren e Berishës, ai financoi krizën e parë mes aksionarëve të TV Klanit. U gjend në krah njërit prej aksionarëve që tani ishte bërë me Berishën, kundër dy të tjerëve që tashmë konsideroheshin nanoistë. I dha pare dhe shpresë dhe ua hoqi nga duart TV dy biznesmenëve të tjerë, Marsel Skëndos dhe Zhyljen Roshit. Me pronarin e TV Klanit para dhe ai nga pas, ky biznesmen filloi një revansh jo vetëm ndaj konkurrentëve të vet, por në thelb një revansh ndaj kapjes së shtetit. Filluan të falimentojnë supermarketet e para që ishin në treg për shkak të gjobave të Ridvan Bodes, që i shërbente klientit të tij të ri. Vajza e Ministrit të Financave ndërkohë po shkollohej në Vjenë e sponsorizuar prej këtij biznesmeni dhe ndere të tjera të vogla e të mëdha shfaqeshin gjithandej. Edhe pse hiqej si njeri korrekt që punonte me letra, ndërtoi mu në krah të Liceut Artistik të Tiranës një pallat me 5 kate pa leje, dhe është ende i paditur nga pronarët e tokës. Nga 8 kate pa leje që mori për pallatin së bashku me Frangajn, e ndërtoi atë në 13 kate. Dhe vazhdonte fliste për korrektësi dhe ndershmëri. Pak më vonë, me lobimin e tij pranë qeverisë dhe pronarit të TV Klanit, morën thuajse gjithë aneksin e stadiumit Qemal Stafa duke i kthyer destinacionin nga zonë argëtimi në zonë banimi dhe po ndryshojnë vazhdimisht planet e ndërtimit duke përfunduar në 25 kate.

U lidh me atë që quhet bosi i nëntokës serbe, miliarderin serb Mishkoviç, ish zëvendësi i Sllobodan Millosheviçit, me lidhje të forta dhe me Ilir Metën. I shiti me një çmim që kurrë s’u bë publik rrjetin e tij të supermarketeve, i cili më pas ua shiti një kompanie belge, që sërish rezulton e lidhur me kompaninë greke, me të cilin ai rihapi biznesin e supermarketeve të reja në Tiranë. Kjo e bën të pasigurt faktin nëse biznesi u shit apo u përdor për të qarkulluar letra dhe para. Sidoqoftë serbëve ua ktheu mikpritjen e vitit 1991 kur ishte emigrant në Beograd dhe i futi në biznes në Tiranë kur ishte zot i këtij vendi.

Në dalje të Tiranës vrapoi të blinte një pronë me probleme të Mirit të Xhikes, ndërkohë që prokuroria italiane e kërkonte atë pronë për sekuestrim. Duke u bërë garant i shtetit shqiptar, ia doli ta blinte dhe të zhvillonte aty një biznes të ri. Hapi fjalë që do sjell Carrefour në Shqipëri, ndërkohë që Carfourr u largua zyrtarisht nga Ballkani dhe paraqet si të tillë, një ortakëri me ish partnerin grek të Carrefour-it në Ballkan. Rruga Tiranë- Elbasan u devijua për shkak të biznesit të tij, duke shkaktuar dhe dëme mjedisore, ndërkohë që një tjetër rrugë po niset nga Tirana drejt biznesit të tij duke shkatërruar 7 hektarë park kombëtar. Administratori i Carrefour-it u gjend i vrarë dy javë pas fillimit të punës, por ndoshta këtu nuk ka lidhje. Rastësia bën të vetën ashtu si në rastin e gjyqtarit Konomi, i cili u hodh në erë pas fitoi pronën e tij me gjyq në Gjirin e Lalzit, dhe siç provohet është në konflikt me pronën Toptanëve që ky biznesmen e ka parablerë duke rrëshqitur disa hektarë më poshtë në hartë drejt detit. Përdor lart e poshtë emrin e Edi Ramës, Sali Berishës, Fatos Nanos dhe gjithkujt që ka një gjë në dorë në këtë vend, por nuk harron kurrë të përfitojë dhjetëfish prej tyre. Ka marrë gjithë bregdetin e Himarës në përdorim për plazh dhe ka privatizuar pa fund toka në bregdet përmes qeverisë. Ai ka futur hundët në krimin e ACR në zonën D, në koncesionin e Kalimashit që pritet të jepet, në pullat fiskale që Bode ia ka dhuruar atij për të taksuar biznesin e shtrenjtë shqiptar të akcizave dhe gjithandej ku nevojitet partneritet me shtetit dhe biznesit.

U bë iniciator i licencës së katërt të operatorit celular, duke futur fiktivisht në garë Postën e Kosovës për gjoja eksperiencë dhe më pas bleu gjithë aksionet e tyre.

Ridvan Bode, ushtari i bindur i tij, i ka dhënë leje për dy kompani që do të mbledhin borxhet e CEZ, ndërkohë që realisht ato shërbejnë vetëm si sekserë për t’i mbajtur CEZ ca lek nga lekët që qeveria ka për t’i dhënë prej borxhlinjve të saj.

Ka marrë përmes lobimit politik dhe sekserllëqeve me pronarë me probleme tokat në gjithë bregdetin shqiptar dhe periferi të Tiranës dhe ka miratuar dhe lejet turistike për to. Në zonën e Farkës po ndërton një zonë rezidenciale super të shtrenjtë, të cilën e përdor për të joshur ministra duke u treguar makete, si Lulëzim Basha banorëve të Paskuqanit. Me maketet e treguara dhe vilat e premtuara, vazhdon revanshin për të marrë gjithçka në këtë vend. Është pak a shumë një fshat ku premtohen shtëpi për ministra dhe opozitarë që dalin kundër Edi Ramës. I përngjet Fshatit Ndërkombëtar në Prishtinë me pronar ish Dino Hasanaj, i cili u gjend i vet%vrarë në zyrë një javë më parë, për shkak të detyrës si Drejtor i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës. Ajo ishte një detyrë zyrtare e tij. Ky biznesmen e ka jozyrtare dhe të njëjtën detyrë, pasi dikton çdo gjë shteti shet në këtë vend.

Suksesi i tij u fundit është gara për lotarinë kombëtare, të cilën e ka diktuar nga fillimi në fund tek ushtari i tij Ridvan Bode, duke futur qeverinë në konflikt dhe me biznese presitigjioze ndërkombëtare në këtë fushë.

Është njeriu që ka blerë gjithçka në këtë vend, ka kapur shtetin, median, dhe politikën. Dhe tmerri është se kjo nuk quhet mafie, por sukses. Biznesmeni nuk ka emër. Dikur quhej Zamiri i Bitijes, siç njihen të fortët që identifikohen me mamatë, më vonë Zamiri i Vjenës, me pas Zamiri i Sandrit, tani Zamiri i Ridvanit.






*   *   *













2 comments:

  1. a eshte bere ndonje tentative per te kontrolluar pasurine e ketyre dylberave te berishes?

    ReplyDelete
  2. Njeri me bythq.. se tjetri. Plehrat po pijne kafe bashke.

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!