facebook.com/bledi.mane
imazhe shqip
1./ Hej Fevzo, si të duket atdheu pa Ardian
Klosin?
Bosh, i mpirë, i tulatur, moskokëçarës,
halabak, snob, i dhjerë… Si thua, i mungon vendit një mendjehapur ironik,
racional, cinik dhe i rafinuar si Klosi?
Aha, tani po e kuptoj që paskam degraduar unë.
Të pyes ty nëse atdheu yt ndjehet ende keq e i munduar nga vetëvrasja e një
kafkiani të depresionuar nga mëkatet e paraardhësve të tij, të lënduar nga
dhimbjet e atdheut të tij që vuan e vuan e nuk i vdes kurrë. Kam degraduar unë
sepse harroj shpejt që mes jush, mes teje dhe Klosit ka dy atdhe, ka dy
Shqipëri.
Ikja e Ardian Klosit prej kësaj Shqipërisë
matanë do të mbesë gropë e madhe e pambushur, do të jetë si një varr i hapur
masiv, i cili do të përpijë mjaft mendje e shpirtra fisnikë, të cilët do i
dorëzohen ikjes së përjetshme. Do vazhdojë të përpijë si me forcë anteu të
dobëtit dhe delikatët logjika dhe kurajoja e të cilëve do të mposhtet nga
vuajtjet e ndjenjave, nga mosguximi gjenetik, na turpërimi që i bëhet vendit të
tyre nga gjysma e republikës përballë.
Ti Fevzo nuk ke arsyen më të vogël të
dëshpërohesh dhe tulatesh nga (vetë)vrasja e Klosit. Jo, sepse kur ai ishte
drejtor i televizionit publik të zboi me ceremoni e u bë sebep që opinioni yt
të stacionohej pranë Sandrit të Klanit, jo sepse Klosi për ty ishte një
bibliotekë dhe akademi aleksandrie gjigande, së cilës nuk iu afrove as në
monizëm, as në të gjallë e as në të vdekur. Jo sepse dyshja antikonformiste
Klosi-Rama nuk të krijoi kurrë asnjë xhep sado të vogël sikur për fasadë, jo
sepse pragmatizmi dhe estetika e karakterit të Klosit nuk krahasohen me
cektësinë e inteligjencës tënde prej një shërbëtori tashmë të zbuluar
regjimesh…por ndryshimi mes jush janë dy copëzat Shqipëri, atdheu yt dhe atdheu
i tij.
Atdheut të Klosit po i mpaken qytetarët me
ikjet e gërdecasve, kostrebickave, 21 janarsve, ai atdheu po vajton humbjen,
ndërsa Shqipëria jote gumëzhin nga zhurmat e njerëzve që vijnë vërdallë pa lek
në xhepa e pa blerë asgjë nëpër TEG. Atdheu yt ka vite që nuk skuqet e as
zverdhet, por thjesht trashet e majmet artificialisht si një obez vagabond.
Atdheu yt thjesht var varëse të trasha floriri, xhiron gomat e makinave të
shtrenjta dhe trash zërin si lac lagjeje duke trembur ata që nuk e njohin.
Atdheu i Klosit ka mbetur bathorisht dhe
paskuqanisht i palegalizuar me barkun bosh, qytetarët e të cilit ende nuk kanë
marrë paratë e premtuara të votave që hodhën trefish më 8 maj. Atdheu i Klosit
u plagos dy herë brenda kësaj javë në Peqin dhe te Gjiri i Lalzit. Ende ky
atdhe nuk mjekon nga tulatja plagën që i shkaktoi plumbi i Dashnor Sulës me
pisqollën e Kuvendit, teksa vetë atdheu kishte shkuar të argëtohej në stadium.
Ndërsa i rridhte gjaku i plagës së parë, hëngri një grusht të thatë hundëve tek
rrokte të shikonte se kush hante darkë në atë vilën e krimur të Ilir Metës në
Lalëz.
Hej Fevzo!
E di si më duket atdheu i Klosit?
Porsi rrëfimi yt dhe i Ben Blushit në numrin e
parë të Rilindjes Demokratike ne janarin e 1991-shit. 21 vjet më pas dhe ende
vërtitet e njëjta varfëri, por kësaj here më injorante dhe më e rrezikshme.
Atdheut tënd Fevzo i mungon tashmë idealizmi i
brezit tuaj, i mungojnë gjyshet e tua të dashura, të cilat siç pretendon ti
vinin nga dyer të rënda aristokratësh, por ikën me brengën se nipi i tyre nuk e
filtroi dot gjakun e tij në blu ngaqë tu helmua gjate monizmit. Ato të edukuan
me fisnikërinë e të qenurit superior ngritur mbi themele të forta meritash, por
ti si për forcë zakoni e si dembel mesdhetar nuk filtrove gjakun, por flirtove
me çdo kryeministër të majtë e të djathtë duke u bërë si urë. Ti këmbeve
urtësinë, gjenezën, largpamësinë e Toptanasve dhe Bregasllarëve me prapaskenat
rurale të poshtra nordike që t’i cytën Frangajt dhe Metat.
Atdheu i Klosit është i varfër sepse andej nga
soji yt përballë nuk deklarove kurrë shifrën e saktë sa ia shite francezit
Zhuljen Roche gazetën Korrieri, nuk dihet sa fiton tashmë çdo muaj dhe sa taksa
paguan, nuk dihet sa kopje u shit libri yt për shokun Enver dhe nuk dihet nëse
je tatuar ti dhe botuesi yt.
Atdheu i Klosit ndjehet i shokuar sepse
studioja e opinionit tënd është aushvicuar në terre kërcënimesh me varje
palmash, plumba ballit, prerje fytesh. Atdheu yt ngërdheshet kur dëgjon Endirën
e KRTV tek flet për gjoba të rënda pse miku ish armiku miku yt Arjan Cani puth
alla francezçe ukrainaset e bukura ndërsa ty nuk tenton të të këshillojë askush
për të ndryshuar diskursin e debateve.
Atdheu yt Fevzo duket i bukur nga jashtë, por
krimbja e tij nga brenda do ta brejë shumë shpejt fasadën. Ti megjithëse ke
fjalën e rëndë e respektohesh preh hallit, kurrë nuk guxove ta shëroje sado
pak. Atdheu yt është mbushur me rrugë të reja të nisura e të pa përfunduara,
atdheu yt po “kristalizon” tashmë sistemin universitar jo publik më sharlatanin
në kontinent, atdheu yt ka frikë të pranojë krizën e rëndë të një ekonomie
informale që po azmatohet përfundimisht. Jepi gjithë ditën atdheut tënd të pijë
Red Bull nga të Gimçes së Ritvanit e përsëri do i dridhen këmbët nga pafuqia.
Zbukuroje atdheun tënd si manekinat e QTU-së së Samirit, por përsëri dhjami i
krimit nuk ia fsheh kokallat e një ushqyerje spontane. Çoje sa herë të duash në
Bruksel me aeroplanët Belleair të Lulit, përsëri Shqipëria jote Fevzo e
shëmtuar e plakur do të duket. Vishe me rroba të shtrenjta Burrbery si ato të
bashkëshortes tënde, por sërish ky vend do të duket oriental e i përdalë.
Hej Fevzo, nuk dua të të bej qejfin por ti
tashmë studiohesh në shkollën e gazetarisë shqiptare si “fenomeni i
vjollcëvokshërimit mediatik”. Ti le pa gjumë studentë gazetarie të Qytetit
Studenti tek mundohen të të imitojnë ty. Duan të bëhen të famshëm e të pasur
porsi ty duke mos lexuar asnjë libër e gazetë, duke rekrutuar të tjerë të
punojnë për ta, duke ngarë trafikun e influencave në hullinë tënde, duke e
dredhur çdo 8 vjet sa sheh që në horizont ndjehet era e ndryshimeve.
Hej Fevzo ti sot je më shumë se një star, je
një Rambo, je një Oprah, je një ministër pa portofol, je një megaeminent, je
një super këshilltar, je një Kastro që ke kastruar atdheun tënd jo atë të Ardian
Klosit.
Eh Fevzo djali. Ti ke gjithçka në dorë, por
unë të shoh porsi mbretin lakuriq të atdheut tënd. Ti ke kohë që nuk plakesh e
as rinohesh. Ti ke kohë që bashkë me atdheun tënd je shëmtuar. Ti nuk je më ai
djali i bukur i një atdheu të bukur sepse të kanë ngordhur parimet. Ti nuk je
pjese e lumturisë kolektive, ti vërtetë po shëmtohesh dhe shikoje me kujdes
veten. Je trashur, ke mbetur pa qafë, pa forma, pa flokë, me fytyrë e kokë që
po të vezëzohet porsi Fantomasi i Marsel Alenit. Ti po vuan shpagimin e heshtur
të qindra mijërave që të shohin e të dëgjojnë çdo natë sesi ti skuthshëm i
poshtëron ëmbël. Ti me koshiencë po shndërrohesh në dishepullin dhe imazhin e
një diktature të zbukuruar, e cila butë-butë zbret nga ekrani i televizionit
dhe injektohet ne gjakun dhe qelizat e qytetarëve të atdheut tënd. Atdheu i
Ardian Klosit është më ndryshe, nuk injektohet kollaj. Ata më mirë vrasin veten
sesa të kthehen ne ushtare të bindur të një kauze kaukaziane. Atdheu i Klosit
ka tharm evropian. Atdheu i Klosit vdes dhe ngjallet më i bukur.
2./Një tjetër Atdhe
Harrova të të kujtoj Fevzo se mes atdheut tënd
dhe të Klosit ndodhet Atdheu im. Po qëndron
pezull, pa fryme po qëndron. Thjesht rri e vështron indiferent, por dije se kur
të zgjohet do t’ia marre frymën atdheut tënd të lodhur, të drobitur, atdheut
tënd kokëpalarë. Atdheu im do t’ia shkërdhejë pasurinë dhe pushtetin atdheut
tënd të shëmtuar. Atdheu im nuk është frikacak, atdheu im do ua ktheje pasurinë
dhe lavdinë qytetarëve të tij e asnjëherë nuk do t’i detyrojë ata të vrasin
veten. E vëmë një bast po ke bythë o Fevzo?
imazhe shqip
*
* *
Ky ka 15 vjet qe ben nje emision, qe as vete nuk e di se cfare emisioni eshte. Emrin e ka opinion, por eshte mish mash pazaresh pushteti.
ReplyDeleteBukur boll besa. Po Fevzo po "lulezon"serish me Rilindjen o Blet Trafikanti i Arian Canit
ReplyDelete