imazhe shqip
Nga Mero Baze
Një plak i rënduar nga mosha në qytet kishte një problem
shumë të madh. Duke ecur rrugëve, urinonte në mënyrë të pavullnetshme. Kishte
qenë njeri i nderuar dhe ky degradim e vuri në siklet të madh.
Shkoi tek mjeku.
-Doktor, kam një hall të madh, i tha dhe ia shpjegoi se si
turpërohej rrugëve duke urinuar jashtë vullnetit të tij.
-Mos u mërzit, i tha doktori. Do të jap disa ilaçe si
fillim, pastaj do të shikojmë efektin.
E lanë të takoheshin pas një muaji.
Kur shkoi sërish tek mjeku, plaku dukej më i qetë.
-Hë, si dukesh, i tha doktori?
-Urina vazhdon si më parë në mënyrë të pavullnetshme, i tha
plaku, por çudi e madhe është se nuk më vjen më turp!
-Po, i tha doktori. Tamam këtë desha të të verifikoj. Si
fillim të dhashë ca ilaçe të të hiqja turpin, se atë hall që ke nuk ta zgjidhim
dot.
Kjo histori ilustron më së miri atë çfarë po ngjet me Sali
Berishën sot. Është e qartë që ai nuk mund të shërohet më, por së paku një vit
pas humbjes, i ka ikur turpi dhe mund të flasë dhe të quajë krime, ato që vetë
i ka bërë si të tilla.
Lexova atë çfarë ka shkruar për emisionin “Fiks Fare” në një
status të tij në Facebook, ku proteston për shkurtimin nga programacioni i një
TV tjetër, i një emisioni që i ngjasonte në format emisionit “Fiks Fare”.
Duke qenë një emision 12- vjeçar, “Fiks Fare” natyrisht që
ka ngjallur dëshira për t’u imituar dhe disa ish- punonjës të tij e kanë
tentuar këtë tek dy televizione të reja shqiptare. Duke qenë se i kam pasur
kolegë, më gëzon çdo sukses i tyre dhe më trishton po aq dështimi i mundshëm i
tyre. Por deri këtu.
“Fiks Fare” nuk besoj se është në garë me askënd në
projektin e tij. Nuk është në garë as me emisionet që klonojnë “Fiks Fare” dhe
as me kolegët apo punonjësit që tentojnë të bëjnë projekte të ngjashme. Ata
janë në një raport korrekt dhe në rritje me shikuesit e tyre, duke e kthyer atë
produksion televiziv nga emision, në një institucion.
Miliona shqiptarë, kur u shkon shpirti në majë të hundës,
kur ndeshen me korrupsionin, kur ndeshen me dhunën fizike apo seksuale, kur
ndeshen me kryeministrin apo familjarë të tij me çantë në dorë, e para shprehje
që u vjen në gojë nuk është as gjykata, as prokuroria, as qeveria, por “Fiks
Fare”. Kjo duhet t’i bëjë ata krenarë, por dhe përgjegjës për rolin e tyre,
përtej gazetarisë inevstgative, në misionin e tyre publik.
Sali Berisha ka plot arsye t’i urrejë. Besoj dhe ata ia
njohin këtë të drejtë dhe e mëshirojnë për këtë. Ai është udhëheqësi që ka
zaptuar si një tokë të botës, elektoratin antikomunist të Shqipërisë dhe “Fiks
Fare” ka publikuar fotografitë e tij si varkar i fëmijëve të Enver Hoxhës dhe
njeri konfident i oxhakëve të tyre. Kujdes! Nuk bëhet fjalë thjesht për foto të
Sali Berishës me Enver Hoxhën si komunist. Ato janë normale për një ish-
sekretar partie. Bëhet fjalë për një konfidencë më të madhe, për ftesa private
në shtëpitë dimërore dhe verore të Enver Hoxhës. Bëhet fjalë për një kone të
skutave të familjes së diktatorit.
Sali Berisha ka pasur plot përballje dhe aleanca me “Fiks
Fare”. Ka pasur momente kur i ka ngritur në qiell për betejat kundër
korrupsionit të Fatos Nanos, ka shkuar në redaksi dhe ka marrë rrotën e Fiksit
dhe i ka shpallur aleatë të tij deri në vitin 2005. Më pas ka pasur plot
përplasje me ta. I ka ngrirë e i ka shkrirë, kur kanë botuar skandalin e
Ngjelës me Berishën, apo Ylli Pangos, por kurrë nuk ka qenë agresiv deri në
fund. “Fiks Fare” i ka kujtuar hipokrizinë e tij me Azem Hajdarin, fyerjet që i
ka bërë, largimin e intelektualëve nga PD, përfshirjen e djalit në Gërdec,
histori korrupsioni të familjes, por prapë i ka toleruar.
… Vetëm pasi i kanë botuar këto fotografi, ai nuk na i ka
falur kurrë dhe është kthyer në një agjitator kundër “Fiks Fare”. I ka
dhembur shumë, siç mund të të dhembë dalja në dritë e një skute të errët të
shpirtit, të cilën ia ka fshehur shqiptarëve dhe Partisë Demokratike, të cilën
e manipulon si antikomunist derisa e katandisi në këtë ditë halli që është.
Dhe kur e mendon ftohtë, ka të drejtë. Ai çfarë nuk u kishte
bërë nomenklaturës komuniste shqiptare pas vitit 1990 dhe ata nuk e kishin
shitur. I kishte futur në burgje, ca me të drejtë e ca pa të drejtë, i kishte
përndjekur, i kishte poshtëruar dhe ata si racë inferiore, nuk e kishin shitur.
Nuk ia kishin nxjerrë fotografitë konfidenciale me Familjen e Diktatorit. Dhe
kur “Fiks Fare” i publikoi, ai kishte të drejtë të tërbohej, se ne nuk na e
kishte borxh këtë gjëmë.
Por për t’u kthyer tek fabula e fillimit të këtij shkrimi,
na duhet të pranojmë tani se Sali Berisha është njeri i lirë nga turpi. Ai nuk
mban mend më ç’ka bërë dhe mendon se çdo qeveri ka detyrë të bëjë pisllëqet dhe
krimet që ai ka bërë ndaj shtypit. Ai mendon se meqë pushteti është ndryshuar,
qeveria duhet t’i dërgojë 6 milionë euro gjobë Klanit se ka qenë me Berishën,
apo ta nxjerrë atë nga Kinostudioja, siç nxori ata të Top Channel nga Piramida.
Ai mendon se gazetat kritike duhen rrethuar me policë, si gazeta TemA, dhe
duhen zbuar gazetarët të mos shkelin më sa të jetë ai në pushtet. Ai mendon se
emisionet kritike duhen mbyllur, siç mbylli ai “Faktor Plus”, meqë i përmendte
çdo natë aferat e tij korruptive dhe të familjes së tij. Ai mendon se pronarët
e mediave që nuk janë në një gjatësi vale me kryeministrin, duhet deomos të
persekutohen, të linçohen dhe të gjunjozohen pastaj duke i kërkuar ndjesë në
pritjet e tij.
Ka pasur një sukses të pjesshëm në këtë pikë. Ka pasur dhe
kolegë të “Fiks Fare” që janë dorëzuar, ka pasur dhe gazetarë dhe pronarë
mediash që kanë ulur shpinën përballë dhunës së tij. Kishte të tjerë, që për
ndonjë kontratë tenderi, po ashtu bënin nja një vit opozitën e opozitës dhe
fitonin të drejtën të ftoheshin prej Berishës në pritjet e Vitit të Ri. Ne i
kemi respektuar dhe ata kolegë që janë thyer dhe gjunjëzuar, pasi nuk kemi të
drejtë t’u kërkojmë njerëzve të bëjnë sakrifica ekstreme për t’i rezistuar Sali
Berishës. Është njerëzore t’i hapësh rrugë dhunës së një të marri, kur nuk ke
çfarë bën. Por mjafton që kjo të mos quhet vlerë.
Tani Sali Berishës i ka dalë turpi dhe mendon se gjithë
perversitetet e tij dhe gjithë ç’ka vjellur kundër shtypit të lirë për 20 vjet,
që nga viti 1994 deri më 2014, duke përfshirë këtu dhe titullin më të lartë,
atë të “Armikut të Lirisë së Shtypit” në botë, që e ka marrë nga Komiteti për
Mbrojtjen e Gazetarëve në vitin 1997, mund t’i bëjnë dhe kundërshtarët e tij
tashmë në pushtet. Kjo është diçka e sinqertë, që buron nga formimi i tij
stalinist dhe nga perversiteti i fshehur në skutat e ndërgjegjes së tij.
Korrigjimi i këtyre defekteve lidhet fatkeqësisht me ndjenjën e turpit. Nëse ke
krijuar imunitet ndaj saj, pra nëse je si ai plaku që treguam në fillim të
shkrimit, që ta ka ikur turpi, pastaj nuk ka më asnjë rëndësi. Ç’të vjen nga
poshtë, e nxjerr nga goja!
* * *
PO CA THU MOR BURR?! KY NJILLOJ E KA SI NGA POSHT EDHE NGA NALT.
ReplyDeleteMe majasell duhet tja kishit bo surratin :-)
ReplyDeleteObo boooooooooooo, prape me kete ju? Ka nje vit qe ka ikur nga froni. Merruni me Edushken tani
ReplyDeleteTURP TE KENI, KY ESHTE ISH PRESIDENTI DHE ISH KRYEMINISTRI I VENDIT TUAJ. HARRAM
ReplyDeleteHapi syte o .AR ME ZILE
ReplyDelete