"

September 1, 2014

Nexhmije Hoxha




flet për luftën dhe thotë për gratë e sotme:
 Si gjyshe e ngeshme i shoh me kënaqësi në TV sa janë zhvilluar

 imazhe shqip

“Unë kisha shumë frikë nga një, quhej Seit Mati, ishte shok i ngushtë i Man Kukaleshit të famshëm, sepse shtëpia e tij ishte shumë afër shtëpisë sime” – thotë Nexhmije Hoxha në një intervistë të gjatë me gazetarin Roland Qafoku, ku ka folur kryesisht për Luftën Nacional Çlirimtare. E veja e diktatorit Hoxha, sot 94 vjeç, thotë ndër të tjera se “sheh sot me një kënaqësi të veçantë zhvillimet e reja lidhur me vajzat shqiptare, me gratë shqiptare”. Ajo e përcakton veten si gjyshe e ngeshme. Më poshtë, një pjesë e intervistës me Roland Qafokun në TV Channel One:



Roland Qafoku: Zonja Hoxha, në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë një nga aksionet ka qënë edhe rivlerësimi i figurave. Një ndër to ishte dhe Ahmet Zogu, i cili për 15 vjet nuk ishte vetëm një nga figurat më të rëndësishme si ministër, kryeministër, president dhe mbret. Eshtrat e tij u morën nga Parisi dhe janë vendosur në Kodrat e Liqenit Artificial. Ndërkohë që një shtatore është përuruar në afërsi të stacionit të trenit. Ka pasur reagime dhe kritika për këtë vendim. Ju si protagosnite e luftës, por edhe si personazh që keni shprehur mendimin tuaj për Ahmet Zogun, cili është vendimi juaj për këtë vendim të qeverisë?


Nexhmije Hoxha: Braktisja e tij që e kam përjetuar është tradhëti, mbi tradhëti. Nuk i falej një mbreti që të lërë vendin në atë gjëndje, që të sabotojë ushtrinë e tij, pasi ushtria ishte e papërgatitur, e vodhi thesarin. Është tradhëti që se lë topi. Për sa i përket eshtrave të tij, që u sollën në Shqipëri, kjo është fare normale mendoj, që eshtrat e çdo shqiptari që mbetet jashtë, të prehet në tokën anëtare. Por kjo mund të behet nga familja. Janë absurde dhe të pavend, organizimi skandaloz me homazhet në Pallatin e Brigadave, nuk e meriton. Ai ishte mbret, por tradhëtoi. Ai pallatit të brigadave nuk i dha asnjë kacidhe, nuk fjeti asnjë natë. Për mendimin tim, ishte skandaloze mënyra si u bë dhe monumenti që ju vendos në Tiranë. Aq meriton. Pse u bënë të dyja? Sepse shqetësimi i Sali Berishës ishte të evitonte, një figurë, siç qe ajo e Enver Hoxhës, që kishte meritat e gjysmës së këtij 100 vjetori. Këtë s’e bënte dhe donte medoemos që pas Ismail Qemalit, të cilin edhe atë e poshtëroi.

Roland Qafoku: Pse u poshtërua?

Nexhmije Hoxha: Nuk e respektoi. Ti e di atë historinë që nxorri monumentin, ai monument ishte për muze e jo për park. Edhe ceremonitë i dubloi, vetëm që të mos ngrihej Vlora, të cilin ai deshte ta mbyste fare në 1997. Unë kam këtë pikëpamje.

Roland Qafoku: Zonjë, e dini që tetë kryeministra të Shqipërisë e kanë varrin jashtë. Përse ju gjatë 50 viteve që keni drejtuar nuk e bëtë këtë që thatë. Se është normale që eshtrat e Ahmet Zogut të vinin ?

Nexhmije Hoxha: Jo, pse ta bënim ne? Ne kemi mbajtur qëndrim me anë të luftës. Unë jam dakord me këtë qeveri që dha të drejtën, që eshtrat e Ali Këlcyrës të vijnë, që i bëri familja dhe bashkëfshatarët e tij.

 imazhe shqip

Roland Qafoku: Të Ali Këlcyrës e ka bërë familja, ndërsa të Eqrem Bej Vlorës e ka bërë qeveria. Ishit dakord me këtë?

Nexhmije Hoxha: Nuk e di. Nuk e di rolin e madh të Eqrem Bej Vlorës.

Roland Qafoku: Zonja Hoxha, ka një fakt. Si gazetar më ka rënë në sy që në Kodrat e Liqenit Artificial, në kujtim të ushtarëve anglez të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, janë mbi 150 ushtarë të vrarë në Shqipëri. Por memoriali që është bërë te Kodrat e Liqenit, është ngritur me pjesën e mermerit të varrit të Enver Hoxhës, i cili u zhvarros në vitin 1992. Ju e dinit këtë fakt?

Nexhmije Hoxha: E di. Mendimi im është që çështja e mermerit, ku vajti dhe ku u përdor copat e mermerit, nuk më intereson fare. Kurse për mua, mbetet akti barbar antishqiptar, antikombëtar vetë të zhvarrosjes. Kurse përdorimi i këtyre copave, mbeturinave, për ushtarët aleatë tonë, më duket një vendim trashanik, jo i menduar. Sidoqoftë nuk është e drejtë, të nderohen në atë mënyrë aleatët tonë që dhanë jetën në malet e Shqipërisë. Ato fare mirë, mund të gdhendin shkembinjtë e maleve tona, ku ata dhanë jetën dhe do të ishin më të nderuar. Vlerësimi i tyre për Enver Hoxhën, ka qënë pozitiv gjatë luftës. Në vitet 90’ 91’, isha larguar nga rezidenca dhe isha në vilën 6. Aty më erdhën dy gazetarë anglezë të gazetës “Sunday Times”. Njëri nga ata më tha se kam ardhur se dua të përmbush një amanet të babait tim, i cili ka qënë pjesë e misioneve angleze këtu, kapiten. Më nxorri fotografinë. Ai më ka thënë që më ka njohur mua në male gjatë luftës dhe se unë i kisha dhënë një furçe të dhëmbëve. Ai i kishte thënë të birit që të shkosh edhe një herë te ajo edhe ta falenderosh nga ana ime, e ti dërgosh një furçe. Ai në mënyrë simbolike më kishte dërguar një furçë. Unë nuk kam shërbyer në spitale. Dhe nuk desha ta zhgënjej, domethënë e kalova.



Roland Qafoku: Çfarë i dha lufta, gruas shqiptare sepse kam parasysh nga historia që është një ngajrje tjetër, Kongresi i Gruas në Berat, ku edhe ju keni qenë një ndër protagonistet më të rëndësishme?

Nexhmije Hoxha: Duhet thënë që dolën 7 mijë partizane dhe dhanë 600 dëshmorë në luftë, sidomos si partizane, deri në varje të këtyre aktivistëve. Morën pozicioni të ndryshme, në çetë. Janë shpallën edhe si heroine. Janë si pionere këto forca të Lufëts Nacional Çlirimtare, iu dha lufta diçka. Ato ja dhanë emancipimit të ardhshëm të gruas. I quaj partizanet si pionere. Dhe bëj një krahasim, si të quaja si motrat e atyre që bënin mitingje në Francë, Gjermani, mblodhën kongresin në Kopenhagen, që shpalli edhe 8 marsin me Klara Seting, të famshmen komuniste, mike të Leninit. Prandaj i quaj si homologe të tyre, sepse në një kohë të re luftonin për të drejtat e gruas. Më vonë, gruaja fitoi edhe të drejtën për të votuar, që nuk e kishin fituar në vendet e përparuara të botës. Unë i përgjërohem Luftës për atë që bëri me mua, që më dha mundësi të bëhem ajo që u bëra. Në 36’, nga një shoqe klase u lidha me një grup grash që merreshin me letërsinë edhe emanipimin e gruas, që shkruanin për gazetën “Bota e re”. Unë isha një admiruese e “Botës së re” të vjershave dhe tregimeve të Migjenit. Me anë të kësaj shoqeje, unë u lidha me motrën e saj që shkruante me pseudonimin Kolombia. Më pas me këtë grup ku bënte pjesë Olga Pëllumbi, që u njoh pastaj gjatë Luftës,e u zgjodh si presidente e gruas dhe Mila Gjokorreci që ishte një emigrante që kishte ardhur nga Odesa, që u bë nënë e dëshmorit të një djalë të ri Viktor Gjokoreci, 16 vjeçar që unë e njihja së bashku më vëllain e vogël të Kristo Frashërit, Gjet Frashëri. Ato u pushkatuan. Janë ato katër dëshmorët. Këtu është shkruar edhe për ato që kanë mbetur si kolektiv për katër dëshmorët, por duhet folur për të gjithë për Viktorin, për Gjergjin për Skënder Kosturin . Ose ka raste të tjera, që nuk i përmendin me emra. Pesë Heronjt e Vigut, kush janë këta? Për shembull,një nga këto, Ndoc Mazi ishte pjesëtar në atë mbledhjen themeluese të rinisë në 41’, bënte gara me shakat e tij shkodrançe me Qemalin. Për mua ka rëndësi që të flitet një për një, për ata, e jo vetëm “Pesë Heronjtë e Vigut”. Në vitin 1941 filloi me themelimin e Rinisë, ku u zgjodha, të Qarkut të Tiranës. Ajo që më nderon, është pjesëmarrja ne konferencën e Pezës, ku isha e vetmja grua.

Roland Qafoku: Pas 90’ keni marrë pjesë në këto përkujtime ?

Nexhmije Hoxha: Nuk më kanë ftuar. I vetmi rast që më Komiteti Veteran i Laprakës, erdhën ma morën sepse i kishin kritikuar. Nuk jam ftuar ndonjëherë.

Roland Qafoku: Zonja Hoxha, a keni bërë ndonjë gabim ju personalisht gjatë luftës?

Nexhmije Hoxha: Nuk kam ndonjë gabim. Nuk jam kritikuar për ndonjë gjë të madhe.

Roland Qafoku: Por Enveri ju ka kritikuar. Ka qenë shumë kritikues?

Nexhmije Hoxha: Po, e kam thënë edhe në libër. Ishte i rreptë, shumë i rreptë me mua.

Roland Qafoku: Po Partia Komuniste ka bërë gabime gjatë Luftës?

Nexhmije Hoxha: Ka bërë.

Roland Qafoku: A të bënin favorë këta drejtuesit që ishin edhe shokë të Enverit, por edhe vartës së tij në strukturën organizative të Partisë? Sepse ju ishit e fejuara e Enver Hoxhës?

Nexhmije Hoxha: Unë isha korrekte dhe kam luftuar. Nuk rrija fare në një shtëpi e të ngulesha aty. Më njihnin mirë me shtypin, mbledhjet. Jam njohur me shumë e shumë familje, madje edhe të niveleve të larta.

Në Tiranë, zakonisht bëheshin “Copri Fuoko”, ndalim qarkullimi, që nga ora gjashtë e darkës e deri në gjashtë të mëngjesit. Nesë kishe ndonjë problem, duhet të shkoje në atë komandën e tyre edhe të të shoqëronin, psh të veje tek ndonjë grua që lindje në spital.

Dy herë ka ndodhur gjatë ilegalitetit tim në dy vjet, kam përjetuar dy herë Ndalim-qarkullimikomplet të qytetit, siç bëhet për regjistrimet, që nga mëngjesi çdo familje do të rrijë brenda dhe kontrollohej si me fshesë çdo shtëpi. Kontrolli i parë më ka gjetur të shtëpia e motres së Enverit, Faria. Enveri nuk ishte ato ditë, kishte ikur në Vlorë. Mua më duhej të mbrohesha nga ato spiunët që më njihnin. Unë kisha shumë frikë nga një, quhej Seit Mati, ishte shok i ngushtë i Man Kukaleshit të famshëm, sepse shtëpia e tij ishte shumë afër shtëpisë sime.

Roland Qafoku: Man Kukaleshi ishte komandant i xhandamërisë?

Nexhmije Hoxha: Jo, ishte spiun. Ai ka kontrolluar shtatë herë në shtëpinë time. Unë pashë që ishte Seit Mati, por nuk më njihte se menjëherë u bëra si shërbëtore, me shami, përparëse dhe bëja si budallaqe, laja cimenton, shkallët e bërtisja mos shkel këtu, mos shkel aty. Por po të ishte Enveri aty, do të bëhej një masakër e tmerrshme. Sepse nuk kishe nga të ikje në shtëpinë e motrës së Enverit. Rasti i dytë ishtë në shpinë e një ruseje dhe Malo Frashërit, këto antifashit aktiv, aty prap u vesha si punëtore dhe mora fëmijën e pickoja të qante fëmija derisa ata thanë ik në fund të oborrit, qërohu nga këtej. Ka qënë një shtëpi prapa kryeministrisë së tanishme. Kështu që shpëtova

Pas çlirimit këtë vajzën e rritur e takova në një mbledhje të vajzave universitare. Më tha jam vajza e ruses, unë u gëzova. I thashë më fal se të kam pickuar. Ishtë një vajzë student universitare.

Traktin e parë, në 41’ do të jepej Natën e vitit të ri. Unë me një shoqe tjetër, Gjystina, shkuam. Provo ta fusnim nën derë, kishin shkruar të tjerët, kishte trakte të tjera. Provo në një rrugicë tjerër. Edhe ctë bëjmë. Provuam në një rrugë tjetër, ajo një krah, unë një krah. Kur futi traktin nën një derë, u hap dera menjëherë dhe ajo iku me vrap. Unë mbeta qorr sokak. Kishte siklet se çkishte ndodhur me shoqen që iku, sepse ajo kishte ilegale në shtëpi. Ishte ajo shtëpia ku kishim ne arkivin. Në atë shtëpi u kap arkivi në 41’ dhe gjetën material të anëtarëve të parë, ku isha edhe unë. Në bazë të saj, më dënuan 13 vjet burg në mungesë, pastaj e plotësoi Sali Berisha, kur më dënoi me 11 vjet burg. Më atë vendim edhe prinderit e mi, u internuan. Pastaj kishte dokumenta të armikut qëmë kërkonin deri në Strugë, sepse atrëherë ishte hapur kufiri. Pastaj me 4 shkurt, masakra, ishte shumë e rëndë.

Roland Qafoku: Kush e bëri?

Nexhmije Hoxha: E bëri pikërisht nën atë hijen e gjermanëve, gjith kaloshët e baraktarët e veriut.

Roland Qafoku: Xhelal Saravecka thotë në librin e tij që nuk kam marrë pjesë aty, sepse emërimin e ka marrë dy ditë më vonë?

Nexhmije Hoxha: Jo, por ishte Xhaferr Deva.Në këtë natë ato kontrolluan shtëpinë time,poshtë në një bodrum që kishte organizuar nëna ime që nuk kishte hyrje nga jashtë ishte vëllai im, dhe një korrier i Elbasanit që u vra më vonë, Kadri Myzyri. Aty rrëmbyen radion. Ndërsa djalin e xhaxhait tim, që ishte si vëllai im e vunë me shpatulla mbas murit, dhe do ta pushkatonin siç pushkatuan 74 veta. Por, ai ishte tip i zgjuar dhe i tha po dal se unë jam mysliman, së pari duhet te bi ne sheradet dhe filloi ritin. Mercenari hapi sytë dhe i tha shefit që ma lë mua këtë, ta çoj te të arrestuarit. Gjimnazet e asaj kohe u mbushën me të arrestuar, përveç atyre që pushkatuan.

Roland Qafoku: Keni vrarë ndonjë?

Nexhmije Hoxha: Jo, ballë për ballë me armikun, jo. Kisha një automatik anglez, shumë të lehtë. Kisha edhe një revole angleze.

Roland Qafoku: Ke qëlluar për qef por jo në Luftë?

Nexhmije Hoxha: Në Pezë, për herë të parë që bënin qitje me Abaz Kupin. Unë me qetësi qëllova në gur, kurse Abaz Kupi jo. Pastaj bëri histori Haxhi Lleshi. Që këtej unë shkova në Shqipërinë e Mesme. I jam shumë mirënjohëse luftës, sepse jeta partizane më bëri të njoh më shumë se gjysmën e territorit të Shqipërisë.

Mund të them unë si gjyshe e ngeshme, ulur në kolltuk përpara ekranit të televizorit shoh me një kënaqësi të veçantë zhvillimet e reja lidhur me vajzat shqiptare, me gratë shqiptare veçanarisht në disa fusha që duket zhvillimi dhe i kënaqem këtij zhvillimi. Sidomos në fushën e arsimit, në fushën e ekonomisë, në fushën e artit, sidomos në fushën e medias, në ekrane e televizor si gazetare. Jashtëzakonisht ka ndryshime të theksuara edhe shumë të kënaqshme.


*   *   *









No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!