30
shtator 1949:
Ahmet Zogu, incest me motrën Sanije
imazhe shqip
Ahmet Zogu me motrat Sanija (incesti) e dyta nga e djathta |
Një
numër i madh dokumentesh dhe raporte “tepër sekrete” të CIA-s amerikane të
viteve 1940-1960 tashmë janë de-klasifikuar. Mes këtij lëmi dokumentesh gjenden
dhe raporte tepër interesante në lidhje me informacionet që siguronte në vitin
1949 Agjencia Amerikane e Inteligjencës për mbretin shqiptar të rrëzuar nga
froni, Ahmet Zogu. Asokohe Zogu qëndronte më tepër në Egjipt,Aleksandri, nën mbrojtjen e mikut dhe mbështetësit të tij
Mbretit Faruk të Egjiptit.
Por
një avokat amerikan në Nju Jork, i quajtur Edgar M. Church mundi që të hynte në
kontakt me familjen dhe oborrin e Zogut duke u bërë dhe përfaqësues juridik i
interesave të Zogut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Avokati Church ,
e krijoi këtë lidhje falë gruas së tij Konteshës Margaret. Margareta ishte
kushërira e gruas së Zogut, Geraldinës. Për shkak të kësaj lidhje krushqie,
avokati u pajtua nga familja mbretërore për të mbuluar disa çështje të kësaj
familje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por paralelisht ai mbante në
kontakt shërbimin sekret amerikan për të gjitha zhvillimet dhe informacionet
domethënëse që ai mësonte në lidhje me Ahmet Zogun dhe oborrin e tij. Janë një
numër i madh raportesh dhe informatash që avokati Church i ka kaluar CIA-s duke
detajuar të dhëna mbi atë që ndodhte në oborrin e Zogut, tashmë në ekzil.
Raporti
i parë, që po e botojmë sot, është hartuar nga avokati Church në mesin e
Shtatorit 1949, është administruar zyrtarisht në rangjet më të larta të CIA-s
në 30 Shtator 1949 dhe është de-klasifikuar në vitin 2006. Ky raport i hartuar
nga avokati amerikan bën një përmbledhje tërësore të situatës financiare të
Ahmet Zogut në SHBA, të implikimit të Zogut me nxjerrjen dhe përvetësimin e
floririt të shtetit që asokohe ishte në vlerën e 3 milionë dollarëve si dhe për
disa aspekte tronditëse në jetën private të Zogut. Krushku amerikan i Ahmet
Zogut, njëkohësisht dhe agjent i CIA-s pranë tij, raporton ndër të tjera se
mbreti shqiptar kishte një marrëdhënie incesti me njërën nga motrat e veta duke
e identifikuar të motrën si Zenida, që korrespondon me Senijen.
Madje
avokati amerikan i raportonte CIA-s se bashkëshortja e mbretit, Geraldina
kishte dijeni të plotë mbi këtë fakt. Më pas avokati amerikan lë të nënkuptohet
se vetë Geraldina ‘argëtohej” me një bashkëpunëtor të Zogut, të identifikuar si
Alexander De Villa (a.k.a Skënderi). Në
raportin e tij, avokati Church detajon dhe rrethin e ngushtë të
bashkëpunëtorëve të Zogut dhe përshkruan edhe karakteristikat e tyre, ndërsa në
fund të këtij raporti ai nënvizon se Zogu do e ketë shumë të vështirë të arrijë
ambiciet e veta politike nëse nuk del
nga influenca femërore. Më poshtë teksti i plotë i përkthyer në shqip dhe i
marrë nga dokumenti autentik i CIA-s amerikane:
Klasifikimi
SEKRET/ Vetëm për zyrtarë të Shteteve të Bashkuara
AGJENCIA
QENDRORE E INTELIGJENCËS (CIA)
Raporti
Nr. 00-B-8501-49
CD
Nr. G-162
Çështja
2860
Data
e Regjistrimit: 30 Shtator 1949
Nr
i faqeve: 3
Shteti:
Shqipëria
Subjekti:
Mbi Statusin Personal dhe Financiar të Ish-Mbretit Zog
Vendi
ku u sigurua:( ….)
Data
kur u thith nga burimi: Në mesin e Shtatorit 1949
VLERËSIMI
MBI INFORMACIONIN:
Gjykimi
mbi zyrën nga ka ardhur: Nuk mund të gjykohet
Opinioni
i burimit mbi përmbajtjen: Me shumë gjasa informacion i vërtetë
BURIMI:
Një avokat i suksesshëm, i moshës 38 vjeç, i angazhuar me një zyrë ligjore
shumë të njohur në SHBA. Nëpërmjet lidhjeve familjare, ai ndodhet shumë pranë
mbretit Zog dhe vepron si përfaqësuesi i tij ligjor në Shtetet e Bashkuara.
Asetet
e ish-Mbretit Zog përfshijnë:
a) 108 mijë dollarë në “National City Bank’
Ne$ York ”
b) Afërsisht 5 mijë dollarë në “Garantee
Trust Company”
c) Një ndërtesë dhe truall në Aleksandri,
Egjipt, e vlerësuar 40 mijë Lira
Egjiptiane
d) Bizhuteri të kurorës shqiptare që kapin
një vlerë rreth 100 mijë dollarë, ndoshta dhe më tepër.
e) Rreth 450 mijë dollarë, të mbetura nga
rezervat e arit të cilat Zogu i mori nga Shqipëria dhe i çoi në Egjipt dhe që
në total vlerësohen si 3 milionë dollarë.
2.
Zogu ka një farë detyrimi moral për t’iu gjendur gjyshes së gruas së tij, duke
i dhënë çdo muaj një shumë prej 115 dollarësh. Ai nuk ka detyrime të ngjashme
në Shtetet e Bashkuara me sa kam unë dijeni. Në shtete të tjera, ai ka
përgjegjësinë dhe kujdestarinë për gruan e tij, katër motrat e tij dhe kunatin
e tij, John Apony, i cili është i shtruar në një sanatorium për tuberkulozin në
Siçili. Përveç këtyre detyrimeve, unë
nuk mendoj që Zogu mund të ketë të tjera detyrime. Miku i tij i ngushtë, Mbreti
Faruk, nuk do ta lejonte asnjëherë që ai të hynte në borxhe në Egjipt.
3.
Zogu nuk ka burim të ardhurash në SHBA përveçse interesit që përfiton nga
llogaria e tij bankare. Nuk mendoj se ai merr ndonjë të ardhur nga shqiptarët
në Shqipëri apo në SHBA.
4. Të vetmet pagesa që ai i kryen rregullisht
janë për gjyshen e gruas së tij. Këto pagesa ai i kryen çdo dy muaj ose çdo tre
muaj.
5. Zogu nuk ka kryer asnjë tërheqje apo
depozitim domethënës të ardhurash në llogarinë e tij bankare që prej Prillit të
vitit 1949.
6.
Në kuadër të grupimit të tij politik, çështjet financiare i janë lënë në dorë
Kryeministrit të tij dhe Truprojës Sotir Martini. Martini rrallë herë largohet
prej tij dhe mbikëqyr të gjitha bizneset e Oborrit. Punët e pista të Zogut i
janë besuar kontit Alexander De Villa. Zogu përpiqet shumë me vetëmenaxhimin,
ndërsa të gjitha përkthimet ia bën
bashkëshortja e tij Geraldina.
7.
Në kompaninë ligjore ku punoj, jam i vetmi që mbuloj bizneset e Zogut. Shumica
e komunikimeve të mia me Zogun bëhet nëpërmjet letërkëmbimit me Geraldinën, asnjëherë me Zogun
drejtpërdrejt. Çështjet urgjente komunikohen direkt me telegraf. Korrierët nuk
përdoren asnjëherë ndonëse unë kam ngritur një sistem i cili mund të përdoret
në raste urgjente.
8.
Të vetmet kontakte aktive të Zogut në Shtetet e Bashkuara mbahen me gjyshen e bashkëshortes së tij, gruan time,
me mua vetë si dhe me shtetasin John Blackburn i cili është bashkëshorti i Virginias , motrës së
Geraldinës. Në një letër të fundit që Geraldina i ka dërguar gjyshes së saj,
ajo i shkruan se Zogu është përqendruar fort në një grup shqiptarësh, ose disa grupe
shqiptare, të cilët ndodhen aktualisht në SHBA. Një pjesë e kësaj letre
thoshte:
“Bashkëshorti
im i dashur është tepër i shqetësuar për çdo detyrë shoqërore. Gjërat, siç edhe
mund ta kesh kuptuar, nuk është se po na shkëlqejnë, për më tepër atë e bluan fakti se fuqitë nuk
kanë për ta dëgjuar atë, apo nuk kanë për ta përdorur fare atë; dhe se kanë formuar
një farë Komiteti Shqiptar, i cili nuk ka lidhje fare me realitetin në
Shqipëri, e që përbëhet nga ca marioneta që përplasen ndërmjet vetit. Gjithsesi
ata po shkojnë në Uashington dhe të paktën Shqipëria do mund të përfaqësohet,
pavarësisht nivelit të ulët të përfaqësimit. Kjo lëvizje mund të shkaktojë dhe
shkëndijën për të plasur lufta apo trazira atje në tre javët e fundit, por nuk
ka për të ndodhur nëse rusët tregohen më të fuqishëm se krahu tjetër.
Financiarisht dhe ne nuk është se kemi përfituar ndonjë gjë”.
Në
kontekstin e kësaj letre, unë besoj se Zogu mund të shtyhet për tu bërë më
miqësor dhe i lidhur me grupin që përmend Geraldina në këtë letër.
9.Përfaqësuesit
ligjorë të Zogut jashtë vendit, unë nuk i njoh. Unë e kam kuptuar se ai ka një
avokat në Aleksandri i cili më pas shikon në mënyrë të hollësishme të gjitha
dokumentet që unë përgatis për Zogun.
Por unë nuk e di si quhet ky avokat.
10. As firma ime ligjore dhe as unë personalisht
nuk kam kontakte në Shqipëri, por unë besoj se Zogu ka kontakte në vijimësi me
nëntokën dhe rrjetin shqiptar. George Gog, i cili drejton policinë e pallatit
të Zogut, mundet që të hyjë e të dalë nga Shqipëria. Anëtarët e rrjetit të tij shpesh lëvizin nga
Shqipëria në Egjipt.
11. Nuk ka pikë dyshimi se regjimi aktual në
Shqipëri, ka pretendime kundër Zogut, pasi e bëjnë përgjegjës se ka marrë nga
Shqipëria 3 milionë dollarë flori’. Zogu nga ana e tij thotë se i ka shpenzuar
këto para për mbajtjen e Oborrit të tij në ekzil dhe se i ka shpenzuar me
korrektesën më të madhe. Vetëm 450 mijë dollarë flori’ i kanë mbetur tani.
Askush nuk e ka të qartë atë që ka ndodhur vërtetë, si në kuptimin ligjor apo
dhe të tjera aspekte.
12. Geraldina, gruaja e Zogut, është tërësisht e
përkushtuar ndaj tij, pavarësisht veprimeve të tij të pamatura.
13. Kontesha Margaret Sherr-Thoss është një nga
kushërirat e Geraldinës dhe vajza e nënës birësuese të Geraldinës. I ati i
Margaretës ka qenë Shefi i Inteligjencës Ushtarake Gjermane gjatë Luftës së
Parë Botërore dhe tani jeton në Klagenfurt ,
Austri.
Mamaja
e Margaretës, ishte amerikane dhe u detyrua të bëjë vetëvrasje nga Gestapo,
gjatë Luftës së Dytë Botërore. Margareta
është vajzë e lezetshme, por ajo s’mund të japë ndonjë ndihmë me aq gjëra sa
di. Vëllezërit e saj, që të dy qytetarë amerikanë, janë shumë të pamatur.
14. Gjyshja e Geraldinës, Madame De Strahl
d’Ekna, e moshës 82 vjeç, jeton në Shtetet e Bashkuara. Ajo nuk ka ndonjë
ndikim mbi Zogun, por përpiqet vazhdimisht që të bindë atë dhe Geraldinën që të
vijnë në SHBA. Ajo ka një imagjinatë të spikatur dhe sapo ka shkruar një libër
mbi Zogun të cilin kërkon ta tregtojë si skenar për realizimin e filmave.
15. Motra e Zogut, Zenida (Senija), është një
grua idiote e cila ka një ndikim të tmerrshëm mbi të vëllanë. Zogu dhe Zenida
kanë një lidhje incesti aktualisht, lidhje për të cilën Geraldina nga ana e saj
ka dijeni.
16.
Konti Alexander De Villa, i njohur me nofkën “Skënderi”, është operatori i Zogut për punët e pista. Ai
ka namin se është sjellë në Oborrin Mbretëror për të argëtuar Geraldinën,
ndërsa Zogu nga ana e tij plekset me Zenidën. De Villa është gjysmë francez dhe
gjysmë shqiptar, babai i tij ka qenë ambasador në Francë. Ai është një njeri
shumë malinj dhe i pandershëm në kulm. Në vitet e kaluara ai ka trafikuar drogë
në Francë , të cilën e fuste në valixhet diplomatike. Ai është një mik i ngushtë i Farukut dhe po
përpiqet që të organizojë me të nxjerrjen jashtë Egjiptit të 450 mijë dollarëve flori’ të mbetur aty.
17.
George Gog është Shefi i Rojave të Pallatit të Zogut, përgjegjësi për sigurinë.
Ai është gjë e sigurt (siç e quajnë shqiptarët), i pashëm, tipik ushtarak dhe
relativisht i ndershëm. Ai shkon e vjen
nga Shqipëria dhe mban kontaktet me rrjetin atje.
18.
Kemal Bej Mesari, është kujdestari i Oborrit. Ai mban një palë syze-teke, pëlqen
veshjet sportive dhe vepron si spiun i Zogut. Kur e vizitova për herë të parë
Zogun, Mesari më pa dhe më dëgjoi mua në hollin e hotelit për 2 orë përpara se
të prezantohej vetë dhe të më shoqëronte për në pallat.
19.
Planet e Zogut në të ardhmen përfshijnë marrjen e një shtëpie në Francë në
verën e vitit 1950 dhe rikthimin në Aleksandri në dimër. Fiksimi i tij është të
kthehet në Shqipëri dhe të dëbojë sovietikët. Ai kërkon mbështetje materiale ushtarake dhe këshilla nga SHBA, por mendon se mund të sigurojë edhe
mbështetjen e arabëve të fuqishëm për të ngritur ushtrinë e tij. (Ai është
shumë i afërt me Farukun dhe Ibn Saud). Zogu i ka përzemër çështjet ushtarake
dhe do ishte shumë komod të diskutonte për to me një oficer ushtrie të rangut
kolonel ose dhe më lartë. Nëse Zogu do të jetë efiçent, ai me patjetër duhet të
shkëputet nga ndikimi femëror dhe të mendojë më tepër si të kryesojë ndonjë
projekt ushtarak që do çlironte Shqipërinë.
Ai më ka thënë se do të donte të luftonte për Shqipërinë, atje ku populli i tij
po e kërkon. Më tej ai më tha se do përballej me një plebishit dhe se do të
ikte jashtë Shqipërisë nëse do dilte i mundur.
(vijon
nesër)
Ahmet Zogu me motrat |
SHËNIM
/ Çfarë po botojmë dhe pse e botojmë
Habjon
Hasani
Një
numër relativisht i madh dokumentesh dhe raportesh sekrete të CIA-s amerikane
janë de-klasifikuar dhe një pjesë e mirë e tyre pasqyrojnë aktivitetin zbulues
të këtij shërbimi në Oborrin-Ekzil Mbretëror të Mbretit Zog nga viti 1949 e në
vazhdim. Përmbajtja e informatave që u shkonte krerëve të shërbimit inteligjent
amerikan mbi Mbretin Zog, familjen e tij dhe qerthullin e bashkëpunëtorëve të
ngushtë në disa raste shfaqet tronditëse. Nuk e kemi pasur aspak të thjeshtë
vendimin për botimin e këtyre materialeve. Dilema qëndronte në faktin se në
raportet sekrete te CIA-s ka detaje dhe elementë të rëndësishëm mbi situatën
financiare dhe politike të Zogut, por pjesë të raportit ishin dhe informacione
të ndjeshme që lidheshin me aspekte intime të jetës së tij. Nëse do botonim një
raport të cunguar dhe të censuruar atëherë më mirë të mos e botonim fare.
Fundja një dokument sekret, i de-klasifikuar tashmë, e ka vlerën në tërësinë e
informacionit të tij. Por duke disponuar këto raporte sekrete të shërbimit
inteligjent amerikan dhe duke vlerësuar materialin në tërësinë e tij vendosëm
ta publikojmë dhe këtë vendim e kemi marrë mbi disa arsye të cilat ja kemi
borxh lexuesit për t’ia sqaruar.
Së
pari, nuk ka asnjë dyshim mbi autenticitetin e këtyre raporteve. Pra, nuk ka
kurrfarë dyshimi, se këto materiale janë ofruar nga shërbimi inteligjent më i
fuqishëm i planetit, CIA, si materiale të de-klasifikuara që dikur, sipas
CIA-s, përbënin informacione të një rëndësie të veçantë.
Së
dyti, në njëfarë kuptimi, edhe nëse DITA nuk do i botonte këto raporte, ato do
ishin dhe do mbeteshin publike, pasi mund të gjenden tashmë në bibliotekën
elektronike të CIA-s, nga cilido qytetar i planetit që ka një kompjuter
funksional dhe internet.
Së
treti, pjesa e raporteve ku jepet informacion mbi jetën intime të Ahmet Zogut,
e cila është dhe pjesa që na shkaktoi dilemën, merr një tjetër përmasë kur
është objekt i shërbimeve inteligjente. E thënë ndryshe, nëse për njerëzit e
thjeshtë informacionet mbi jetën intime janë thjesht çështje kurioziteti apo
“skandalesh”, nuk ndodh kështu për shërbimet inteligjente dhe kuadrot e tyre.
Ata i shohin shumë më ftohtë këto lloj informacionesh. Për shërbimet sekrete,
është pjesë e procedurës së punës që për cilindo subjekt që ata duan ta vendosin
nën kontroll, të dinë çdo detaj, çdo intimitet, çdo dobësi, pasi në këtë mënyrë
evidentohen më mirë edhe pikat e dobëta të subjektit dhe duke ia ditur këto
dobësi kontrolli ndaj tij mund të shtohet dhe intensifikohet më tej.
Së
katërti, këto informacione CIA i ka marrë në rrugë operative, pasi kishte
agjent të sajin një avokat amerikan të quajtur Edgar M.Church. Ky i fundit
përveç lidhjes së krushqisë me Zogun, përfaqësonte interesat e Zogut në SHBA.
Ndonëse vetë CIA nuk ofron publikisht nga ana e saj një analizë informacioni
mbi besueshmërinë e këtij agjenti, është fakt se për vite me radhë i është
referuar atij dhe se informacionet e dërguara prej tij mbi Mbretin Zog i kanë
shkuar drejtuesve më të lartë të kësaj agjencie.
Së
fundi, me të dhënat e ofruara deri më tani e vetmja gjë që dimë të sigurt,
është fakti se CIA ka vendosur të ekspozojë në formë të de-klasifikuar, disa
dokumente dikur sekrete, që lidhen me aktivitetin e mbretit Zog në vitin 1949.
Në filozofinë e shërbimeve inteligjente asnjëherë nuk mund të kesh siguri
maksimale, shpesh ajo çka serviret nuk është ashtu siç duket. Por megjithatë,
raporte sekrete të shërbimit inteligjent më të fuqishëm të botës mbi Mbretin
Zog, nuk janë diçka që mund t’i neglizhosh dhe të bësh sikur nuk ekzistojnë
ndërsa janë të ofruara faqebotës, publikisht.
Faksimile
e raportit sekret të CIA-s
http://gazetadita.al/raporti-shokues-i-cia-s-30-shtator-1949-zogu-incest-me-motren/
imazhe shqip
* * *
Pyetje: E cfare mund te pjelle nje incest i tille?
ReplyDeletePergjigje: Princ Leka Zogu dhe Princ Leka!
Keta duhet te lajne gjynahet e Ahmutit me shoke.
ReplyDelete