Alqi Koçiko
85 kile sheqer,
gjashtë palë çizme, ca thasë miell, një pirg konservash mishi dhe zero litra
karburant. Ky nuk është bilanci i një minimarketi fshati pas ndonjë kataklizme,
por gjendja e mallrave në rezervat e shtetit për raste emergjencash dhe
fatkeqësish natyrore, që i la peshqesh pasardhëses qeveria e PD-së, sot në
opozitë. Në fakt, vetë ky bilanc është fatkeqësi më vete, veçse jo natyrore por
qeveritare. Përveç kësaj, peshqeshi pasurohet me 21 milionë dollarë borxh që
Berisha ua premtoi por nuk ua dha kurrë, familjeve dhe bizneseve të dëmtuara
nga përmbytjet e vitit 2010, duke lënë mënjanë 16 milionë USD të tjera,
dëmshpërblime të papaguara në vite.
Sot, opozita u
rikthye fuqishëm në parlament për të ngritur zërin e akuzës dhe protestës ndaj
menaxhimit të pamjaftueshëm e madje inkompetent të përmbytjeve aktuale, dhe
sipas manualit demokratik, mirë bën, sepse është detyra e saj ta vërë qeverinë
në shina. Nëse qeveria mund të kishte bërë më tepër, dhe mbase vërtet mundej,
këto ditë e mbrapa përmes levave dhe strukturave të saj duhet të mobilizohet në
maksimum. Pak rëndësi ka nëse duhet shpallur nominalisht apo jo “gjendja e
emergjencës”, – dhe kjo është një tjetër akuzë e PD-së: Pse nuk e shpallni? –
kryesorja është që emergjenca të kalojë me sa më pak dëme. Shumëkush madje do
të dëshironte që ajo seancë e djeshme parlamentare të shtyhej, dhe të gjithë
frekuentuesit e asaj salle të shkonin në zonat e dëmtuara për të dhënë sadopak
ndihmë.
Por jo. Opozita duhej
të ishte patjetër në atë sallë, jo thjesht për të akuzuar, një terren mjaft
familjar ky për njerëzit që ende kanë nerva ta ndjekin politikën, por… edhe për
të rikthyer në kujtesë shembullin e mirë të menaxhimit të krizave të tilla në
kohën e qeverisjes së PD-së. Dhe foli zonja që të paktën për këtë rast, nuk
duhej të fliste. Ish kryetarja e Kuvendit, Topalli, përmendi përmbytjet e
Shkodrës dhe kujdesin e qeverisë së kohës, që ishte aq i madh për kafshët e
bagëtitë, sa këta të sotmin nuk e kanë për njerëzit. Këtu kemi qenë dhe nuk
mbajmë mend ndonjë ministër a deputet të kohës me dele mbi shpinë për ta hedhur
në bregun matanë. Ama ajo që mbahet mend mirë, është protesta e herë
pashtershme të banorëve të dëmtuar, që kaluar vite dhe nuk morën do
dëmshpërblimin, i cili sot numëron 21.4 milionë dollarë. Sigurisht, mbahet mend
edhe batuta fatkeqe e zonjës Topalli për Shkodrën, që me rrugët e saj plot ujë
ku varkat shërbenin si taksi nga njëra hyrje pallati tek tjetra, ishte bërë si
Venecia. Kemi pastaj edhe ish kryeministrin që në këtë pikë është bërë fiks si
Shaban Qosja dhe pretendon ta kenë me të, edhe kur deputetë e ministra flasin
me njëri-tjetrin.
Prandaj sot jemi në
pikën që duhet të merakosemi seriozisht për opozitën, sepse nuk po arrin dot të
kryejë misionin e saj të ekspozimit të kursit të gabuar të mazhorancës, të
gafave e gabimeve të saj. Jo, nuk ka kohë për këtë, sepse duhet të bëjë të
sajat. Ndaj vjen në sallën e Kuvendit si një opozitë në jerm, pa memorie, sikur
ka zbritur nga Marsi, dhe u rrëfen njerëzve shembujt pozitivë të një kohe të
mirë, kur përmbytjet menaxhoheshin siç duhet dhe ndoshta, të përmbyturit
luteshin t’u ndodhte prapë, se dëmshpërblimet ishin më të mëdha nga zarari i
pësuar.
Rikthimi i
venecianëve në formën e djeshme, e më tej, në performancën e tyre gjatë këtyre
ditëve krize, është tregues i qartë, dhe tejet i trishtë, se PD nuk ka nxjerrë
asnjë mësim, për asgjë, edhe pas një goditjeje si ajo e 23 qershorit 2013. Por
nëse problemi i shumicës së njerëzve të këtij vendi ndoshta nuk është thjesht
SHQUP-i, është që ç’ke me të fakti që përballë kësaj opozite, mazhoranca mund
ta ulë stekën pa u merakosur shumë.
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!