Nga ROBIN WRIGHT & DOYLE McMANUS
Guri i fundit
komunist i dominosë në Europën Lindore, Shqipëria staliniste mund të jetë duke
u lëkundur. Rënia e regjimit të Nicolae Ceausescut në Rumani, bashkë me
problemet e rëndë ekonomikë në Shqipëri, nxitën muajin që kaloi të parën
demonstratë serioze antiqeveritare që nga koha e revolucionit komunist në vitin
1944, sipas analistëve amerikanë.
Protestat e udhëhequr
nga studentët në qytetin verior të Shkodrës, qyteti i dytë më i madh i
Shqipërisë dhe një qendër e madhe industriale dhe transporti, duket se është
shuar “menjëherë dhe me dhunë”, sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit,
ndonëse kjo ngjarje kaloi pothuajse pa u vënë re në Perëndim.
Por rrymat e
nëndheshme të rezistencës ndaj regjimit më të prapambetur, më të izoluar dhe më
totalitar të Europës e shtynë një analist amerikan të parashikojë se “Shqipëria
do të shembet si një shtet komunist, stalinist – nëse nuk ndodh prej një
kryengritjeje, atëherë do të ndodhë prej nevojës ekonomike”.
Kryengritja në
Shqipëri do të plotësonte pastrimin e të gjithë kontinentit nga regjimet
komunistë. Një vend me male të thepisur që shtrihet përgjatë Adriatikut,
Shqipëria është sunduar që prej vitit 1944 nga një qeveri komuniste kaq e pa
kompromis, saqë udhëheqësi i saj u prish me Moskën në vitet 1960, duke
kritikuar udhëheqësin sovjetik, Nikita Hrushov se ishte shumë i butë. Edhe sot
e kësaj dite ata e shohin diktatorin sovjetik, Josif Stalin si modelin e tyre.
Por tani, presidenti
Ramiz Alia duket se është në pozicion mbrojtës. Alia, relativisht një centrist
në një Byro Politike të fragmentuar, mendohet se është i pasigurtë nëse duhet
të përdorë forcën apo të lirojë shtrëngimin mbi popullsinë. Analisti amerikan
thotë: “Ne jemi duke parë një model lëshimesh ekonomikë dhe paralajmërimesh
ndaj popullsisë, që ajo që ka ndodhur gjetkë, nuk ka për të ndodhur në
Shqipëri.
Është e qartë se
regjimi është shumë nervoz”. Për shembull, Alia, në fjalimin e tij të Vitit të
Ri drejtuar kombit, aludoi për trysninë që ka ardhur duke u rritur, prej ritmit
dramatik të ndryshimit në Europën Lindore: “Ngjarjet që kanë ndodhur kohët e
fundit në Europën Lindore kanë frymëzuar disa forca të njohura antishqiptare që
të rifillojnë fushatën e sulmeve kundër vendit tonë. Por, si thotë populli ynë,
sado të përpiqen, ata nuk kanë çfarë na bëjnë”.
Që nga vera e vitit
që kaloi, ka patur lajme të pakonfirmuar për demonstrata në qytete dhe fshatra
të tjerë të Shqipërisë, duke përfshirë qendrën e nxjerrjes së naftës në Fier
dhe qytetin jugor të Korës. Ekonomia e Shqipërisë ka vuajtur përgjatë pjesës më
të madhe të viteve ’80, duke sjellë privime gjithnjë e më të mëdha në atë që
ishte tashmë shteti më i varfër i Europës. Pas tre vitesh thatësirë, vendit iu
desh të importojë ushqim në vitin 1988.
Zyrtarë shqiptarë
kanë raportuar publikisht se 1989 solli një rimëkëmbje, por një zyrtar amerikan
thotë: “Asnjë prej shifrave të tyre nuk ka qenë ndonjëherë e besueshme”.
“Vështirësitë ekonomike dhe nevoja po e shtyjnë Shqipërinë drejt shekullit 20
dhe po e detyrojnë të ketë të bëjë me botën e jashtme”, deklaroi një tjetër
zyrtar i SHBA. Ashtu si me shumicën e lëvizjeve të reja opozitare në Europën
Lindore, veprimtaria antiqeveritare duket e përqëndruar mes studentëve.
Ata janë një segment
i rëndësishëm i popullsisë së Shqipërisë, sepse me një prej normave më të larta
të lindjeve në Europë, pothuajse dy të tretat e popullsisë 3.2 milionëshe janë nën
moshën 30 vjeç. Ironikisht, regjimi komunist mund të ketë ndihmuar opozitën.
Statistikat e qeverisë shqiptare tregojnë se vetëm 15% e popullsisë ka qenë e
arsimuar në vitin 1944.
Në një prej atyre pak
arritjeve pozitive, regjimi e ka rritur këtë shifër në 75%, sipas analistëve
amerikanë. “Ky brez i të rinjve shqiptarë janë të mirëarsimuar. Është e
habitshme të shohësh se janë të shumtë ata që flasin gjuhë të huaja, sidomos
gjermanisht dhe anglisht”, thotë specialisti i Departamentit të Shtetit.
“Po kështu, ata nuk
janë aq të izoluar sa mendonim ne dikur”, shton ai. Një tjetër ekspert amerikan
bie dakord: “Politikisht, Shqipëria është një ishull në krahasim me pjesën
tjetër të Europës. Por gjeografikisht ajo është aty dhe impakti nuk ka si të
mos ndihet. Shqiptarët nuk janë të izoluar nga lajmet. Ata shohin televizionet
jugosllavë, grekë dhe italianë, plus dëgjojnë Zërin e Amerikës. Ata shohin edhe
serialin “Dallas” në italisht. Po kështu, shtypi shqiptar ka dhënë lajme shumë
të saktë të ngjarjeve në Rumani. Ata e dinë çfarë po ndodh”, thotë ai.
“Shqiptarët duan të
lexojnë, të udhëtojnë, të ndjekin modën”, thotë zyrtari. Në një sondazh të
miratuar zyrtarisht në vjeshtë të vitit që kaloi, studentët shfaqën një interes
të paprecedentë për muzikën rrok perëndimore. Shtypi shqiptar ka shkruajtur
gjerësisht kohët e fundit për “huliganizëm”, që specialistët perëndimorë e
interpretojnë kryesisht si një denoncim të aktivizimit të ri studentor.
“Ky do të jetë një
revolucion i të rinjve”, parashikon një analist. Një tjetër burim potencial
opozicioni vjen nga popullsia fshatare, që zë 70% të popullsisë dhe është e
ndarë mes klaneve e fiseve legjendarë të Shqipërisë.
Los Angeles Times,
1990
* * *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!