"

March 22, 2018

Dosja Gërdeci:Drejtësia duhet të bëjë drejtësi - Marin Mema


Për të dhjetin vit me radhë familjarët e viktimave të shpërthimit në Gërdec, u drejtuan tek pllakata e vendosur pranë kraterit të dikurshëm.

Ajo është shenja e fundit që përkujton atë që ka ndodhur në këtë fshat në 15 mars të vitit 2008.


Gjithçka tjetër ka ndryshuar, me një kujdes të jashtëzakonshëm, për të mbuluar, fshehur, e humbur çdo gjurmë të asaj mesdite të zezë që mori 26 jetë njerëzish të pafajshëm. Gërdeci duket një tjetër fshat, me trotuarë, më rrugë të shtruara, me shtëpi të reja, e njerëz të shkujdesur…

Në forma e mënyra të ndryshme, politika është përpjekur të ndajë komunitetin e këtushëm, dikund duke përdorur presionin, dikund dëmshpërblimet, duke ofruar punësim e investime të ndryshme, duke shfrytëzuar varfërinë e pamundësinë e tyre, me të vetmin objektiv, imponimin e heshtjes. E gjithë kjo skemë nuk ka pasur në bazë dhembshurinë, apo ndjenjën e pergjegjësisë për këtë masakër, por mbylljen sa më të shpejtë të historisë së Gërdecit.

I mbytur mes interesash të mëdha, përfitimesh marramendëse, korrupsioni e përfshirje deri në nivelet më të larta, kapitulli i Gërdecit, jo pa qëllim është bërë gjithmonë e më i errët. 10 vite më pas asnjë zyrtar nuk është më pas hekurave. Disa me zhurmë, e disa në heshtje u shpallën të pafajshëm, u larguan apo lanë qelitë.

Asnjë zyrtar vërtetë i lartë nuk u dënua, të gjithë i shpëtuan në mënyrat e tyre drejtësisë shqiptare. Pa llogaritur që shefat e vërtetë nuk u hetuan kurrë.

Në përfundim konkluzioni është i njëjtë, 26  njerëz të pafajshëm prehen sot nëndhe, ndërsa për ta nuk mban më pergjegjësi penale askush. Pra Gërdeci gjithnjë e më shumë po kthehet në një rrëfim të harruar.

Aq absurde është bërë gjithçka, sa duket sikur familjarët e viktimave janë ata që kërkojnë diçka të padrejtë. Në fakt edhe mes tyre janë përpjekur të krijojnë ndasi dhe kjo gjë për shumë arsye ka ndodhur.

Janë rrënqethëse përleshjet në gjykatë të Zamira Durdës nënës së Erisonit të vogël që vdiq në moshën 7 vjeçare teksa luante në fshat me biçikletën e tij.

Ajo kërkon drejtësi, vetëm drejtësi për birin e saj dhe asgjë tjetër. Kjo drejtësi i është mohuar, i është rrëmbyer, përkundrazi njerëzit që i vranë djalin enden të lirë, krekosen në ekrane e fryhen krenarë.

Nëse flasim për reformën në drejtësi, për pastrim, për luftë ndaj korrupsionit, për hapje dosjesh, për hetime të reja, për ligj të barabartë për të gjithë atëherë gjithçka duhet të fillojë nga këtu.

Dosja Gërdeci duhet rihapur, e rigjykuar ashtu siç i takon, duke vënë para përgjegjësisë këdo që është lyer e përlyer, që ka fshehur, manipuluar, vrarë, masakruar, korruptuar, ndryshuar e mbyllur këtë ngjarje të tmerrshme.

Të gjithë përgjegjësit duhet të ulen në bankën e të akuzuarve, për t’u përgjigjur jo për një aksident teknologjik siç e përcaktuan, por për vrasje, vrasjen e 26 njerëzve në 15 mars 2008.


Kjo duhet të jetë sfida e parë, sfida e të vërtetës, për të treguar se kjo reformë nuk është si gjithë të tjerat e nuk druhet ballë pushtetit të askujt.

Fundja pikërisht këtë presin të gjithë shqiptarët, që drejtësia më në fund të bëjë drejtësi.


*   *   *




No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!