August 20, 2013

11 zonat e tregut të seksit në Tiranë

Sezoni veror zbulon shifrat alarmante

- Prostitucioni dhe ligjet e tij. Më të paguara në këtë treg prostitutat e luksit, nga 500-2000 euro nata. Biznesmenët e huaj dhe VIP-at, klientët e preferuar të punëtoreve të seksit. 

- Prostitutat e klasit, shoqërueset e denja për biznesmenët, ose VIP-at



Janë 11 zona në kryeqytet 

ku punëtoret e seksit zhvillojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm duke ofruar shërbime seksuale në këmbim të lekëve. Është pikërisht sezoni turistik, i cili si çdo vit “zhvesh” tregun e prostitucionit si dhe të drogës. Muaji gusht, i njohur për korrjen e kanabis sativa, zbulon shifrat alarmante të rasteve të prostitucionit. Kryeqyteti i “dritave të kuqe”, ofron punëtoret e seksit, të cilat mund t’i gjesh vetëm nëpër cepa rrugësh të errët, hotele luksoze ose banesa private. Të ndara në kategori të ndryshme, për punëtoret e seksit, tre muajt e sezonit veror janë periudha më e ngarkuar e punës. Në dallim nga shumë kryeqytete evropiane, në Tiranë është e ndaluar me ligj ekzistenca e shtëpive publike ose e rrugës së njohur si “dritat e kuqe”. Çdo gjë ndodh nën hijen e natës ose nëpër dhoma hotelesh. Ndërsa nëse flasim për pagesën e një punëtoreje seksi, shifra variojnë nga 200 lekë të vjetra deri edhe 200 mijë lekë të reja. Tregu i prostitucionit ofron larmishmëri femrash, duke filluar nga ciganet/romet e deri tek vajza të mirëarsimuara të shkolluara, të cilët këtë punë e vlerësojnë si një mundësi për të pasur më shumë të ardhura në kuletë. Ndërsa pothuajse në çdo lokal nate luksoz është mjaft e thjeshtë që të “porosisësh” një femër, për të kaluar disa orë të këndshme në shoqërinë e saj. Janë vetë pronarët e pub-ve, të cilët ofrojnë këtë lloj argëtimi. Një formë tjetër e re prostitucioni, që po njeh një përhapje të shpejt, është kontaktimi i vajzës me numër celulari. Femra, të cilët rrijë në linjë duke pritur që dikush t’i kërkojë në celulari, numri i së cilës përhapet nga miqtë ose të njohurit e tyre. Kjo është një formë më e thjesht për të pasur marrëdhënie seksuale me një femër, e cila preferon ta kthejë veten në një punëtore seksi pa tutor. Ndërsa me çmime më të leverdishme, thyen tabunë e prostitucionit të rrugës.


Harta e prostitucionit

Janë në total 11 zona në kryeqytet, të cilat mund të cilësohen si “dritat e kuqe”. Ndonëse jo në formatin real të “dritave të kuqe”, ajo janë rrugë të Tiranës, të cilat ofrojnë punëtoret e seksit, që punojnë nën fshehtësi dhe nën frikën e zbulimit nga forcat e policisë. Sipas bluve, pikat “e nxehta” fillojnë me të famshmen “Gropa e Hajdin Sejdisë”, për të vazhduar më pas me hotelet që ndodhen përgjatë Bulevardit Zogu i Parë dhe që përfundojnë tek Stacioni i Trenit. “Harta vazhdon të shtrihet pranë kryqëzimeve të “Zogut të Zi” dhe “21 Dhjetorit”, ku punonjëset e seksit shfrytëzojnë faktin se në këto akse kalojnë me qindra makina dhe qëndrojnë aty gjatë orëve të natës në kërkim të klientëve”, thonë burime të policisë. Por harta shtrihet më tej, deri në Liqenin Artificial, ku disa hotele në atë zonë shërbejnë si “shtëpi publike”, ku kundrejt pagesave që variojnë nga 1000 lekë e deri në disa qindra-mijëra lekë, ofrohet shërbimi i punëtoreve të seksit. Edhe hotelet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës janë shndërruar në vendstrehimin e punëtoreve të seksit. Periferia e Tiranës duket se ka dhe numrim më të madh të hoteleve, moteleve pse shtëpive të cilat ofrojnë punëtoret e seksit. Një tjetër zonë mjaft e frekuentuar është dhe Vaqari, ku një sërë motelesh në atë zonë prej kohësh, kundrejt pagesës, të ofrojnë dhe shoqërinë në dhomë, në rast se dikush nuk shkon i shoqëruar. E njëjta situatë është dhe në zonën tjetër periferike të Tiranës, atë të Saukut.


Ofrojnë trupin në lokalet dhe hotelet luksoze

Një kategori mjaft e përfolur në këto ditë të nxehta vere janë prostitutat e klasit. Të cilësuar me këtë mbiemër, për shkak se ato përdoren nga biznesmenët, ose VIP-at. Njëkohësisht pagesa për këtë kategori të punëtoreve të seksit është më e lartë, duke mbuluar edhe shpenzimet personale të prostitutës. Kjo e fundit mund të jetë një shoqëruese e “denjë” për biznesmenin nëpër udhëtime, duke ofruar përveç paraqitjes edhe raport seksual. Por nuk është dhe aq e thjesht për të gjetur këtë kategori femrash, të cilët mund të thuash se janë të rekrutuara nëpër lokalet ose hotelet më luksoze të kryeqytetit. Nga burime të policisë thuhet se për këtë kategori pagesa mund të variojë nga 500 euro deri në 2000 euro, pa përcaktuar vleftën e orëve të qëndrimit ose shërbimet përkatëse të ofruara. Burime nga blutë bëjnë me dije se në pjesën më të madhe të rasteve janë shtetas të huaj, klientët kryesore të prostitutave të klasit, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve rezultojnë femra të mirëarsimuara. Të huajt preferohen më tepër, pasi edhe pagesa është më e majme për këtë kategori. Prostitutat e luksit nuk janë njësoj si të gjitha punëtoret e tjera. Hijeshia, eleganca, klasi dhe bukuria e tyre nuk mund të ekspozohen nëpër rrugica të ndotura. Këto vajza, çmimi i të cilave është disa herë më i lartë se i kolegeve të tyre, vizitojnë hotelet luksoze të kryeqytetit, ku klientët e tyre VIP arrijnë të paguajnë shifra që shkojnë deri në 500 euro, vetëm për të qëndruar një natë me to.


U premtonin martesë, 
por i kthenin në skllave seksi

Mashtronin femra duke u premtuar martesë, të cilat i shndërronin në punëtore seksi. Operacioni i policisë “Binehouse” çoi në pranga tre persona me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Bëhet fjalë për shtatë femra, të cilat u trafikuan në Zvicër dhe Gjermani për një “jetë më të mirë”. Shyqyri Stafuka, 23 vjeç, vëllai i tij Bledar Stafuka, 22 vjeç, si dhe Emiljano Tarja, 23vjeç, të tre këta persona banues në Tiranë. Sipas burimeve të policisë personat e mësipërm akuzohen se gjatë vitit të kaluar kanë rekrutuar në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit 7 femra, duke iu premtuar atyre martesë e punë në Zvicër e Gjermani. “Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda caktoi ndaj këtyre shtetasve masën e sigurisë arrest me burg, nën akuzën e kryerjes së veprave penale trafikim i femrave, kryer në bashkëpunim, për shtetasit Shyqyri dhe Bledar Stafuka, si dhe trafikim i të miturve kryer në bashkëpunim, për shtetasin Emiljano Tarja”, thuhet në dosjen e prokurorisë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve. Hetimi ndaj tyre nisi disa muaj më parë, kur dy femra denoncuan në Shqipëri se këta tre persona i kishin mashtruar duke i dërguar në Zvicër, ku gjoja pretendohej se iu kishin gjetur punë dhe se do të jetonin me to. Mashtrimin e njëjtë e kanë pësuar edhe pesë femra të tjera, disa nga të cilat, sipas burimeve të policisë kanë depozituar kallëzimet e tyre në Zvicër dhe në Gjermani ndaj të akuzuarve. Policia dhe Prokuroria gjermane dhe ajo e Zvicrës pas marrjes së denoncimeve nga të dëmtuarat nisën hetimet duke transferuar në vendin tonë edhe dokumentacionin përkatës, duke realizuar hetimin paraprak në të tria vendet deri në arrestimin e tyre. Ndërsa mësohet se ka qenë pikërisht shtetasi Bledar Stafuka, i cili joshte femrat, të cilët më pas do të përfundonin në tregun e prostitucionit. Bledar Stafuka i premtonte vajzave martesë dhe një jetesë përrallore në Zvicër, por në fund secila nga shtatë vajzat e ka gjetur veten në mes të rrugës, në një skllave seksi. Një operacion shumë i përfolur i uniformave blu ishte “Zogjtë e natës”. Janë shtatë persona, të cilët ranë në prangat e bluve për trafikun dhe shfrytëzimin e prostitucionit. Gjenin femra të mitura, të cilat nën presionin e dhunës i detyronin që të kryenin seks me biznesmenë të huaj.


Nga Anxhela Tato






















Sara Panariti



Gruaja që i dha jetë bibliotekës së “Vatrës”. 
Dorëshkrimet e Konicës dhe kujtimet për Nolin

                                                                                                                                        
Ajo quhej Sara. Në janarin e vitit 1952, ajo do të kalonte orë të tëra duke sistemuar bibliotekën e madhe të të shoqit, në zyrën e federatës panshqiptare “Vatra”. Sara, një grua që i kishte dashur gjithnjë librat, nuk e mendonte se sëmundja e të shoqit, Qerim Panariti (ai ishte shtruar në spital), do ta fuste atë drejt një bote që do ta joshte përmes letrash. Në morinë e librave që po sistemonte në bibliotekën e madhe të “Vatrës”, ajo u ndal në dorëshkrimet e Faik Konicës, të cilat ishin ashtu siç ai i kishte lënë në studion e tij para vdekjes. Një mori letrash, të cilat Sara kërkonte t’u gjente fundin, duke rendur mes fjalëve për të zbuluar të gjithë historinë. “Në janar të vitit 1952 unë isha i shtruar në spital për një operacion të lehtë. Në këtë kohë më zëvendësonte në zyrë gruaja ime, Sara, e cila në kohën e lirë filloi të ndante veç e veç dhe t’i klasifikonte shkrimet e ndryshme të Konicës, të shkruara në shumë gjuhë. Gjatë kësaj pune ajo zbuloi këtë dorëshkrim, e lexoi dhe kaq shumë e bëri për vete stili dhe përmbajtja e materialit sa erdhi drejt e në spital, tërë entuziazëm, të më mbushte mendjen ta jepja për botim”, do të kujtonte më vonë Qerim Panariti. Dorëshkrimi që Sara zbuloi, do të ishte dhe libri që do të shënjonte prozën e parë moderne shqiptare, “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”.

Kur Panariti do të lexonte dorëshkrimin që Sara ia solli me një frymë në spital, do të kuptonte se ai nuk ishte një shënim i thjeshtë, por një libër të cilin Konica e kishte shkruar me shumë kujdes. “Më vonë e lexova edhe unë vetë dorëshkrimin, më pëlqeu dhe menjëherë vendosa të mos e lija të shkonte dëm kjo punë me vlerë, pa marrë parasysh sa duhej bërë për përgatitjen e tij. Pasi e lexova dorëshkrimin, e kuptova se nuk ishte material i mjaftueshëm për ta justifikuar botimin e tij si një histori të Shqipërisë. Prandaj i hyra punës dhe me ndihmën e sime shoqeje, i zgjerova kapitujt e plotë në një seri prej dhjetë esesh, që dolën të shkruara me një stil të këndshëm e vetjak. Meqë nuk donim të largoheshim nga stili i përpiktë dhe i këndshëm i Konicës, ne gjendeshim në një rrugë pa krye, kur duheshin plotësuar disa zbrazëti aty-këtu. Në shumicën e rasteve ia gjetëm fillin kësaj pune, duke e plotësuar materialin me pjesë nga shënimet dhe fjalimet e autorit ose duke ndjekur me kujdes pikat e referimit. Në shumë vende dilte e nevojshme të shtoheshin pjesë të reja, të cilat tregohen në shënimet në fund të faqeve. Më në fund unë kam përfshirë në shtojcë edhe një nga pamfletet e Konicës, sepse përmban material të vlefshëm për historinë e Shqipërisë”, kujton Panariti. Sara do të merrte përsipër daktilografimin e shënimeve të Konicës, të cilat nuk ishin të lehta, duke i ngjitur pjesë shënimesh, duke kontrolluar referimet, dhe mbi të gjitha, duke u treguar si një nga kritikët më të rreptë. E dashuruar pas librave, Sara do të bëhet një nga kontribuueset më të denja të ruajtjes së arkivit të pasur të “Vatrës”, me të cilën do të punonte deri pak kohë më parë kur u nda nga jeta.

Në memorien e Sarës nuk ishin vetëm librat që gjeti në atë bibliotekë, por dhe personazhe të ndryshme të rëndësishme të historisë shqiptare, që i takoi në ato zyra, apo përkrah të shoqit, Qerimit. Një ndër këto personazhe ishte edhe Fan Noli. “Nuk e njihja peshkop Nolin derisa u martova. Nuk e kisha takuar kurrë më parë. Burri im ishte mik shumë i mirë i tij dhe ata kishin lidhje të ngushta. Zyra e ‘Vatrës’ ndodhej në Huntington Avenue në Boston dhe apartamenti i peshkopit ishte pranë saj në Blagden Street, kështu që ai e vizitonte shpesh Fan Nolin. Apartamenti i tij ishte shumë i hallakatur dhe i mobiluar thjesht, shumë pak mobilie, por shumë libra”, do të rrëfente ajo kohë më parë në një bisedë me studiuesin e Nolit, Nasho Jorgaqi. Sara tregonte se Noli i vizitonte dy herë në vit. “Ai e kishte të vështirë të ngjiste shkallët, sepse çalonte pak dhe e kishte akoma më të vështirë të zbriste. Fakti që ai dhe burri im ishin aq miq, ishte shumë e çuditshme, sepse burri im ishte mysliman, megjithatë, ai ishte shumë i afërt dhe i devotshëm ndaj peshkopit. Ai e çmonte aq shumë peshkopin sa, edhe pse ishte mysliman, shkonte shpesh në kishë”, tregonte ajo. Noli do të vlerësonte temperamentin dhe pasionin e gruas për t’u përfshirë në biseda. “Gruaja jote ka karakter të këndshëm”, do t’i thoshte Noli gjatë një takimi me humor Qerimit. “Peshkop Noli kishte sens të shkëlqyer humori. Duke e ngacmuar burrin tim, i thoshte: Pse nuk bëhesh prift? Do të ishe prift i mirë dhe gruaja jote ka karakter të këndshëm, kështu që do të bëhej priftëreshë e mirë”, tregonte ajo. Kjo grua ndihej me fat që kishte mundur të ishte aq pranë njerëzve që kishin kontribuuar aq shumë për çështjen shqiptare. Që në takimet e para me Qerimin, burrin e saj të ardhshëm, ajo e kishte ndier pasionin e madh të këtij njeriu për atdheun e tij. Kthimet e tij të vona në shtëpi, pas punës në gazetën “Dielli”, do të kuptoheshin lehtë nga gruaja, e cila e dinte se sa shumë vlenin rreshtat e shkruara në shqip në atë gazetë në SHBA. “Im shoq dhe Noli kishin shumë gjëra të përbashkëta. Qëllimi i tyre mbizotërues ishte përkushtimi ndaj çështjes shqiptare, nacionalizmit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Që të dy ishin të interesuar për shtimin e koleksionit të literaturës shqiptare, sepse kur erdhën shqiptarët në fillim në Amerikë, nuk kishte asgjë. Peshkop Noli përktheu shumë libra, mes të tjerash Shekspirin dhe ‘Rubairat’ e Omar Khajamit. Ai shkroi ‘Historinë e Skënderbeut’ në shqip dhe në anglisht dhe përktheu shumë poezi origjinale; shkroi edhe shumë pjesë liturgjike. Përmes përpjekjeve të burrit tim dhe të shoqërisë ‘Vatra’ u organizua një banket dhe të ardhurat iu dhanë peshkopit, që t’i përdorte për botimin e librit ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’. Libri për Skënderbeun u botua nga ‘Vatra’, kur burri im ishte botues i ‘Diellit’”, do të tregonte ajo për Jorgaqin. Duke iu referuar bisedave me të shoqin, ajo thotë se Noli shkoi në Harvard, sepse vendosi të krijonte një bazë të mirë në anglisht, me qëllim që të kryente atë punë që donte të bënte. “Fan Noli mund t’ia dilte në të dyja botët. Shumë herë anëtarë të klerit të huaj ose gazeta të huaja mund të funksionojnë vetëm në gjuhën e tyre, por peshkop Noli dhe burri im mund t’ia dilnin po aq mirë në botën amerikane, sa edhe në botën shqiptare.

Noli zbulohet si talent i aktrimit dhe notar.

Fan Noli kishte aftësi dramatike dhe ndoshta mund të ishte bërë aktor shumë i mirë. Grupi teatral ku kishte marrë pjesë u shpërnda, pasi mbeti në mes të katër rrugëve në Egjipt, pa para. Ai duhet të ketë pasur aftësi dramatike, ndryshe nuk do të mund të mbante të mbërthyer për një kohë aq të gjatë ata që e dëgjonin. Ishte shumë tërheqës, kur fliste ai, ti e dëgjoje”, kujton Sara. Disa herë ajo ndiqte shërbesat e kishës vetëm për të dëgjuar zërin e tij, sepse duke mos qenë shqiptare, nuk e kuptonte gjuhën.
“Kur flisnin me njëri-tjetrin, im shoq, Qerimi dhe Noli, bisedat e tyre kalonin nga filozofia te letërsia, nga arti te historia, por subjekti për të cilin flisnin më shumë ishte Shqipëria dhe problemet e saj. Fan Noli ishte i orientuar politikisht dhe i interesuar për nacionalizmin shqiptar dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Por nuk flisnin ndonjëherë për sportin, edhe pse burri më thoshte se peshkop Noli kishte qenë notar i shkëlqyer dhe shumë i fuqishëm. Megjithatë, ai nuk kishte shumë kohë për gjëra si këto, sepse vazhdimisht lexonte, studionte dhe krijonte diçka. Kjo ishte e mrekullueshme! Noli kënaqej me piknikët e shqiptarëve të diasporës.

Peshkopi kënaqej kur shkonte në piknikët e shqiptarëve, ku do të ulej e të rrinte me anëtarët e rëndësishëm të kishës. Ai ishte vegjetarian dhe pëlqente frutat, kështu që në këta piknikë do të gjendej gjithmonë një shportë me fruta për të”, kujtonte Sara. Një tjetër pasion i Nolit sipas saj ishte muzika. Atij i ishte bërë zakon që çdo të premte të shkonte në një koncert simfonik. Sara, kjo grua, dhe pse nuk ishte shqiptare, gjatë gjithë jetës së saj u ndie si e tillë… Duart e saj ndihen në çdo libër a dorëshkrim që kaloi në zyrat e “Vatrës”.

August 16, 2013

Presidenti

i Shqipërisë 
Bujar Nishani (Mehmeti)



Bujar Nishani i ka bërë fresk kryeministrit Sali Berisha për më shumë se një vit. Tashmë edhe dyshuesit më të mëdhenj janë bindur se “presidenti” aktual i Shqipërisë është vetëm një lodër në duart e kryeministrit në sikterisje e sipër. 
Po me Nishan Mehmetin, çdo të ndodhë?
A do të vazhdojë ai të vegjetojë e ti bëjë fresk Berishës, tashmë vetëm deputet i Partisë Demokratike?
Apo Kuvendi i Ri i Shtatorit duhet të kërkojë Shkarkimin Urgjent të Bujarit të Berishës (se me popullin e vet është cingun)? 
(Voto te Pyetësori)
Hall i madh na ka zënë, po le të qeshim pak me Urimin e tij për Vitin e Ri:


“Të dashur bashkëkombas,
Ju përshëndes kudo ku ndodheni, brenda ose jashtë, afër ose larg Shqipërisë, pranë ose jo vatrave familjare dhe të dashurve.
Festa e ndërrimit të viteve ka një veçanti. Më tepër se çdo festë tjetër, për vetë karakterin e saj, si një tundim të cilit nuk i qëndron dot, kjo festë të fut në mendime për kohën, për rrjedhën e kohës, për të kaluarën, të tashmen, të ardhmen, si ishim, si jemi, si do të jemi.
Viti që kaloi ishte një vit plot ngjarje. Të vogla dhe të mëdha. Të mira dhe të këqia, të ëmbla dhe të hidhura. Me dështime, ngecje, mbarësi, dëshpërim, shpresë.
Në këtë ditë feste do të desha t’ju uroj të gjithëve një nga një, por kjo nuk është e mundur. Atëherë lejomëni të dashur, të respektuar e të nderuar bashkatdhetarë e bashkëkombas, të përshëndes dhe uroj së pari të sëmurët, sidomos të sëmurët e moshuar, të pandihmët, të pastrehët, të vetmuarit, të cilëve u uroj me gjithë shpirt përkujdesje njerëzore, shoqërore dhe shëndetësore!
Uroj gjithashtu me gjithë zemër për një sistemim sa më të shpejtë, ata që aftësi kanë, shkollë, dëshirë dhe vullnet kanë, por ende nuk kanë një punë!
Uroj ata dhe ato që gjatë vitit që kaloi punë patën dhe punuan, u lodhën, por patën edhe shumë vështirësi, të cilat nuk i zgjidhën dot, si dhe ata që u goditën nga fatkeqësitë e çdo lloji dhe u dëmtuan materialisht nga rrethana të pafavorshme që nuk vareshin prej tyre!
Përshëndes dhe uroj së largëti emigrantët, studentët, të cilët nuk mundën të ndodhen pranë të afërmve!
Uroj posaçërisht paqeruajtësit shqiptarë, kudo ku ndodhen! U uroj atyre kryerje me rigorozitet të detyrës dhe kthim të shpejtë!
Uroj parlamentarët, qeveritarët, partitë politike, nëpunësit, veçanërisht ata që merren me drejtësinë, sindikatat, personelin shëndetësor, njerëzit me uniformë!
Një urim nga ana ime për të gjithë nxënësit, studentët, akademikët, shkencëtarët, intelektualët në përgjithësi, të cilëve u uroj më tepër pjesëmarrje!
Uroj veçanërisht artistët dhe i lus të mos thonë më: “ne krijuesit…” se krijues nuk ka shumë, Krijues ka vetëm Një!
Uroj prindërit! Uroj fëmijët dhe të rinjtë, bashkëkombasit e mi të dashur e të shtrenjtë!
Kemi bërë goxha rrugë.
Ishim një burg i madh i rrethuar me tela, brenda të cilit hanim me racione dhe duhej të lëviznim me pasaportë me vete.
Tani kemi rrugë, autostrada, makina, banka, supermarket. Punojmë, udhëtojmë, ndërtojmë, fitojmë, shpenzojmë, konsumojmë.
Kemi dy shtete në Ballkan.
Kemi rritur ndikimin në rajon dhe më gjerë.
Kemi përballur dhe po përballojmë kriza, prej të cilave nuk mund të mos prekemi, pasi jetojmë në marrëdhënie me botën.
Se për pak harrova, disa urime të tjera për vitin që po troket.

Uroj autostradat, të jenë plot me kamionë,
Qiellin, plot me avionë,
Detin, të jetë plot me anije,
Rrugët, plot me makina,
Rrugicat, plot me përqafime pranë pragjeve dhe portave,
Hambarët, të jenë plot drithë,
Zemrat, plot me rrahje,
Shpirtrat, plot me dashuri.
Për secilin prej jush, për të dashurit tuaj, për familjet tuaja, për të gjithë ju: Shëndet, punë, mirëqenie, kthjelltësi, paqe dhe fat. Gëzuar!” 
Presidenti i Shqipërisë 
Bujar Nishani (Mehmeti)



August 15, 2013

Geri Kokalari - Intervista

Prapa Taçit 
është familja Berisha

With US 
You Just Cry


A ishte paracaktuar Taçi për të fituar tenderat e ARMO-s dhe Albpetrol, ndërsa Patton Boggs u soll aty sa për vitrinë? Geri Kokalari mendon që po. Në këtë intervistë sot në DITA ai risjell në vëmendje disa detaje nga dy privatizimet e sipërcituara: Taçi u fut në marrëveshjen e privatizimit fillestar të ARMO-s në 11 orët e fundit të procesit. Skema u tentua identike me Albpetrolin, kur – pasi të gjitha ofertat ishin bërë – Taçi zbriti aty nga askundi. “Ka dy arsye pse mendoj që Berisha qëndron prapa këtyre skemave – thotë Kokalari dhe më pas shpjegon atë që ai i quan rastësi të çuditshme me sjelljen e Patton Boggs-it, Vetro-s dhe vizitat e Berishës pikërisht në Azerbajxhan. Në qoftë se Rama dhe qeveritarët e rinj duan për të krijuar një bazë për investime të ligjshme në Shqipëri, ata duhet të fillojnë duke sulmuar në mënyrë agresive të gjitha krimet e qeverisë Berisha, si ARMO, Albpetrol, AEY, Gërdec, dhe 21 janari – thotë Kokalari. 

- Zoti Kokalari, së fundmi është njoftuar shitja e kompanisë ARMO të Rezart Taçit një kompanie Azerbajxhanase. Si do ta komentoni këtë shitje, ndërkohë që kryeministri Berisha, i cili humbi 23 qershor, është ende në detyrë?

- Nuk duhet ndonjë mençuri e madhe për të kuptuar pse Taçi nxitoi ta shesë ARMO-n, ndërsa Berisha është ende në pushtet, sepse ata të dy bëjnë përpjekje të dëshpëruara për të mbrojtur interesat e tyre. Sa për kujtesë, unë jam ndër ata që besojnë se familja Berisha kishte një pozicion të fshehtë pronësie në ARMO dhe se Taçi kishte edhe aksionet pritëse për Berishën në Albpetrol, në qoftë se marrëveshja do të bëhej ndonjëherë realitet.

- Çfarë duhet të dijë më shumë opinioni publik shqiptar në lidhje me veprimtarinë e Taçit?

- Nga disa këndvështrime, duket qartazi se privatizimi i ARMO-s ishte i paligjshëm. Së pari, ARMO u mendua të jetë një privatizim strategjik i një aseti shtetëror, ndërsa nuk ka asnjë qeveri legjitime në botë që do të kishte lejuar të ndodhte një transferim në minutën e fundit siç ishte rasti i futjes së Taçit në marrëveshjen e ARMO-s në 11 orë. Kjo ka shkelur kushtet e tenderit në nivele të ndryshme, për të mos përmendur faktin se Taçi nuk ishte financiarisht një ofertues i kualifikuar, siç tashmë është e njohur dhe sikurse Patton Boggs e ka zbuluar që në fillim. Për më tepër, me aq sa di unë, Taçi nuk u bë i gjallë deri në kushtet e marrëveshjes, si dhe për kushtet, përfshirë kërkesën që ai të investojë disa qindra milionë dollarë pas përfundimit të blerjes dhe për shpenzime kapitale për modernizimin e objekteve. Ne tani e dimë se ai kurrë nuk i kishte fondet e duhura, kështu që kjo ishte një tjetër aspekt i mashtrimit. Në vend të kësaj, që nga dita e parë ai filloi mjeljen e kompanisë si një lopë e majme dhe e shtriu biznesin në mënyrë të vazhdueshme në terren. Për këto shkelje dhe të tjera, unë besoj ARMO iu transferua ilegalisht Taçit. Dhe kjo është arsyeja pse privatizimi i ARMO-s duhet të shfuqizohet dhe Taçi duhet të zhvishet nga çdo gjë prej pasurive të mbetura, ndërsa blerësit e rinj të supozuar duhet të paralajmërohen se janë duke ecur në një fushë të minuar shumë të rrezikshme. Dhe, edhe pse marrëveshja e Albpetrolit është anuluar – dhe unë jam krenar të them se kam pasur një rol në vënien në dukje të këtij mashtrimi – shqiptarët ende kanë nevojë të dinë se pse dhe se si të dy tenderat për ARMO-n dhe Albpetrol-in iu dhanë si shpërblim Taçit, ndërsa ka një ngjashmëri misterioze midis tyre. Në të dyja këto marrëveshje, pasi të gjitha ofertat ishin bërë, Taçi zbriti aty nga askund, ndërsa Patton Boggs bënte sehir dhe e bekoi shitjen duke deklaruar se në atë proces pati transparencë të plotë. Por kjo më lë mua shumë dyshime, dhe unë ende pyes me habi se si ndodhi kjo? Pse ARMO dhe financat e Taçit u përkeqësuan dhe, ndërsa Taçi ishte ngatërruar në një marrëveshje të dyshimtë ligjore me qeverinë e Azerbajxhanit, si mund rastiste që Patton Boggs ishte aq e bindur se Taçi ishte një ofertues i kualifikuar për Albpetrol? Dhe kjo nuk do të thotë asgjë për faktin se kontrolli i Taçit nga ‘Rruga e Mëndafshtë’ e Vetro-s u njoftua pasi ata u shpërblyen me tenderin. Siç e kam thënë edhe më parë, unë mund të mendoj se janë dy arsye pse Berisha mendoi të qëndronte prapa këtyre skemave. E para, ai mendon se Shqipëria është një vend i mbushur me budallenj, dhe së dyti, si një diktator i vërtetë, ai pati guximin të mendojë se mund të bëjë çfarëdo që dëshiron. Bazuar në mandatin që i është dhënë Ramës, ai është i detyruar t’i provojë popullit të Shqipërisë që Berisha ka qenë krejtësisht gabim në të dyja këto çështje.

- Ditët e fundit nga punonjësit e ARMO-s, Taçi është akuzuar edhe për ndotje të mjedisit me kimikate të dëmshme për shëndetin e njerëzve. Si duhet trajtuar kjo akuzë? 

- Nëse është e vërtetë historia se ARMO ka ndotur dhe mjedisin, ndërsa ka qenë nën kontrollin e Taçit, atëherë Taçi dhe çdo pronar i ri mund të ketë një problem të madh. Unë nuk jam dhe aq në dijeni me ligjet përkatëse në Shqipëri, por në shumë vende ka ligje shumë strikte për ndotjen e mjedisit. Nëse kjo do të kishte ndodhur në SHBA, si Taçi dhe pronari i ri mund të ishin potencialisht përgjegjës për koston e plotë të pastrimit mjedisor. Unë mendoj se ky model duhet të përshtatet për ARMO-n. Pra, mesazhi për çdo pronar të ri duhet të jetë: blerës ruhuni! Për shkak të këtyre detyrimeve mjedisore, një kontratë për shitjen e një aseti si ARMO, zakonisht duhet të ketë shumë dispozita specifike dhe dëmshpërblimesh që lidhen me përgjegjësinë mjedisore. Nëse kontrata që Taçi ka negociuar për shitjen e ARMO-s nuk i përfshin këto terma, atëherë ose blerësi është një idiot, ose ka diçka shumë të dyshimtë në lidhje me natyrën e blerësit që ende ka për t’u zbuluar. Dhe qëkurse Fatmir Mediu ishte Ministër i Mjedisit, unë mendoj se shqiptarët duhet të dinë se pse ai nuk ka bërë asgjë për të parandaluar këtë ndotje mjedisore. Por ndoshta ne duhet së pari të zbulojmë se cili ishte roli i tij në vdekjen tragjike të 26 njerëzve në Gërdec.

- A është Taçi modeli se si nuk duhet investuar në këtë vend?

- Modeli Taçi është modeli që Shqipëria duhet të vazhdojë të përdorë, në qoftë se shqiptarët janë të kënaqur duke u parë nga bota si një vend i prapambetur, i korruptuar, i sunduar nga gangsterët, ku koncepti i sundimit të ligjit nuk ka kuptim. Por në qoftë se ata duan të krijojnë një bazë për investime të ligjshme në Shqipëri, ata duhet të fillojnë duke sulmuar në mënyrë agresive të gjitha krimet e qeverisë Berisha, si ARMO, Albpetrol, AEY, Gërdec, dhe 21 janari. Ka nga ata që thonë se kjo nuk është e mundur të bëhet, sepse Shqipëria po përballet me probleme të mëdha ekonomike, ndërsa mund të ketë disa njerëz në qeverinë e re që të mos kenë dëshirë që këto krime të hetohen. Unë e kuptoj se Shqipëria ka probleme serioze, jo pak prej të cilave janë ekonomike, por çështjet e ARMO-s, Albpetrolit dhe marrëveshje të tjera të korruptuara do të kenë pasoja të rëndësishme për të demonstruar se qeveria e re do të zbatojë sundimin e ligjit, dhe në proces, do t’u japë investitorëve të huaj besimin se Shqipëria mund të ofrojë transparencë, stabilitet dhe një sistem gjyqësor funksional që janë përbërësit thelbësorë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe legjitime. Dhe pa këtë lloj të investimeve Shqipëria do të mbetet ajo që ka qenë nën Berishën: një republikë bananesh pa banane.

- Kryeministri në detyrë, Sali Berisha vazhdon të marrë vendime si qeveri fuqiplote, pra vazhdon të bëjë privatizime të pasurive publike, ndërkohe që i kane mbetur vetëm tri javë deri sa të marrë detyrën qeveria e dalë nga 23 qershori. A është normale kjo?

- Po, ajo është aq normale, për aq sa mund të presim nga një person me të meta mendore si Berisha.

- A meriton të hetohen nga qeveria e re këto afera korruptive të Taçit dhe Berishës, ashtu si ato të Gërdecit dhe 21 janarit?

- Unë i kam shkruar Edi Ramës menjëherë pas zgjedhjeve ku i kam bërë disa sugjerime për qeverinë e tij të re, duke përfshirë se ai duhet të fillojë hetimet në ARMO dhe Albpetrol, si dhe për Gërdecin dhe 21 janarin. Tani është koha për të që të veprojë, sepse shqiptarët kanë folur me zë të lartë dhe ata i kanë dhënë Ramës një mandat për t’i trajtuar fort këto probleme. Këto probleme nuk mund të anashkalohen apo të fshihen nën qilim, sikurse kam dëgjuar disa që po i bëjnë thirrje atij për të mos vepruar. Edhe pse ekonomia mund të jetë një prioritet, kjo nuk do të thotë që çështjet e tjera të mos trajtohen. Edi Rama e di se të qenit Kryeministër nuk është një punë e lehtë dhe ai duhet të rritet duke u përballur me sfidat dhe të trajtojë probleme të shumta. Siç kam bërë edhe në të kaluarën, unë do të jem i lumtur t’i ofroj shërbimet e mia vullnetarisht për të siguruar informacion në lidhje me ARMO-n, Albpetrol-in dhe AEY-n, të cilat mund të ndihmojnë në hetimet.

- Në ç’aspekte mund të ofrohet ky informacion dhe ky shërbim?

- Sepse fjala vjen Patton Boggs është marrë me  marrëveshjet si me ARMO-n dhe Albpetrolin, dhe unë besoj se roli vendimtar në këto marrëveshje duhet gjithashtu të hetohet. Unë do të doja të di nëse marrëdhëniet e Patton Boggs me qeverinë e Azerbajxhanit janë faktor në këtë ekuacion. Unë e thashë që në fillim se nuk mendoj që Patton Boggs ka pasur ekspertizë për të trajtuar privatizimet, por unë nuk mendoj se Berisha kujdesej për këtë, sepse ai kishte ide të tjera. Sipas meje, unë besoj se Taçi për të fituar tenderat e ARMO-s dhe Albpetrol ishte paracaktuar nga Berisha, ndërsa Patton Boggs u soll aty sa për vitrinë. Kam deklaruar më herët se unë nuk besoj që Patton Boggs duhet të kishte qenë në atë rol, sepse unë nuk mendoj se ata kishin ekspertizën. Mbi të gjitha, Patton Boggs ka deklaruar se garancia prej 85 milion euro ishte e vlefshme, por me vetëm disa thirrje telefonike unë kam krijuar bindjen se garancia e menduar ishte një mashtrim. Sikurse është thënë, unë nuk mendoj se Ekspertiza në privatizimin e aseteve të industrisë së energjisë ishte ndër kriteret kryesore për përzgjedhjen e Patton Boggs. Kështu pra, si pjesë e hetimit të ARMO-s dhe Albpetrol, unë mendoj se duhet të hetohet gjithashtu edhe roli i Patton Boggs.

Në fund të një periudhe, pas pesë dekadave të komunizmit nën Enver Hoxhën, e pasuar nga dy dekada të neo-komunizmit nën Enver Berishën, shqiptarët kanë shumë arsye për të thënë MJAFT! Është koha për të ndaluar dënglat dhe të bëhet ajo që duhet bërë, në mënyrë që Shqipëria të mund të bëhet një vendi i respektuar siç dhe e meriton të jetë.

- Faleminderit, Zoti Kokalari!














August 14, 2013

Kukulla



e bacës Sali,
Lulëzim Gjelbërimi


Shënime nga ditari i Doktorit: 
Debate me Lulin dhe Mulin

Sot e humba paraditen me Lulin. Më kishte bërë SMS qysh herët dhe donte të fliste në telefon. Ja hapa telefonin dhe e pyeta çfarë e shqetësonte.
-Dua të bëj dhe unë një deklaratë për shtyp, tha. Kam mbi një javë që jam bërë kryetar.
-Ke shumë të drejtë, i thashë, shkruaj: Qeveria e re e Piktorit është një grumbull hajdutësh, trafikantësh, vrasësish, dhe kamikazësh të Edi Ramës, të betuar për të shkatërruar Shqipërinë…
Luli më ndërpreu pak.

-Sikur ta bëjmë pak më ndryshe, tha, se duket që e ke shkruar ti.
-Patjetër, i thashë, shkruej: Ata që do hyjnë në zyrat e ministrave janë njerëzit më të urryer jo vetëm nga gjithë shqiptarët, por dhe vetë socialistët. Ai ka lënë jashtë qeverisë ajkën e socialistëve shqiptarë dhe ka futur në qeveri njerëz të bizneseve të tij. A e dini ju se kjo është qeveri e baxhanakut të Edi Ramës, kunatit Ilir…
-Doktor, shiko, këtë baxhanakun dhe kunatin t’i shmangim se ty të ka vdekur baxhanaku, m’u po më vdes të gjallë Kunati. E kam pak bezdi, s’e lexoj dot…
-Ashtu, mirë, shkruj, i thashë. Kjo qeveri, e cila ka dalë nga mafia e drogës dhe prostitucionit, ka thyer çdo rekord në botë pasi është një qeveri e diktuar nga Ramiz Alia, i cili ka lënë amanet që Saimir Tahiri kur të rritet, të bëhet Ministër i Brendëshëm, që Erion Veliaj kur të rritet, të bëhet Ministër i Mirëqenies, që djali i Hamit Beqes të bëhet Ministër Shëndetësie, se shpresonte që duke i pasur komshi, do t’i jepte ilaçet falas. Por ai vdiq pa ia arritur kësaj dite, por Edi Rama ia ruajti amanetet.
-Doktor, sikur ta shmangim këtë Ramiz Alinë, më tha Luli, se nuk e besojnë njerëzit…
-Dakord, shkruaj, i thashë: Kjo është qeveri e drogës, prostitucionit dhe krimit, është më e korruptuara e globit…
E pashë që Luli nuk ishte entuziast.
-Çfarë ke, e pyeta.
-I mbajta shënim, tha, do bëj një deklaratë, t’i mbledh të gjitha në një. Është pak e rëndë.
-Do mësohesh, i thashë. Më kujtohet Laura në fillim nuk pranonte, më vjen zor thoshte, pastaj vinte çdo ditë kërkonte vetë që të dilte. Dhe ty do të dalë turpi.
-E di që do më dalë tha, por është pak e vështirë në fillim.
U ndava me Lulin pasi Flamuri më kishte kërkuar takim.

Pas gjithë kësaj vale krimi, thashë se mund të kishte diçka interesante.

Por ishte diçka krej tjetër.
-Kam një shqetësim, tha. Kemi bërë gjithë ato porosi për përgjime para zgjedhjeve dhe tani nuk kemi ku t’i çojmë. M’i kanë sjellë mua tek zyra. Unë po përpiqem t’i zbardh disa gjëra me interes.
-Çfarë ka ndonjë gjë, i thashë.
-Po ja kemi zbardhur bisedat e disa ministrave. Njëri me inicialin e parë G. i thotë ministrit me inicial R. që do dalë dhe ai të flasë, por pas shtatorit. Ka sharë dhe Gitën, ka thënë Shqipëria shpëtoi nga ne, po dhe ne shpëtuam nga Argita. Na ishte bërë si pension mujor, duhet të paraqiteshim çdo muaj.
-E prisja nga ai në fakt. Është një skile i pabesë. Tjetër, tjetër çfarë ka, i thashë.
-Ky Astrit Patozi një javë nuk ka folur me asnjë njeri. Jemi të shqetësuar mos ka gjetur ndonjë mënyrë tjetër komunikimi.
-Jo, jo, mos ki merak, i thashë. Këta të Shqipërisë së Mesme flasin me heshtje.
-Ky Sokol Olldashi, tha, i ka thënë njërit në telefon se na gjeti belaja. E kishim mirë Doktorin vetëm kryetar partie, tani do ta kemi dhe kryetar grupi në parlament.
-E marr me mend që është i frikësuar ai djalë. Në fakt duhet të reflektojë, ose të ikë.
-Ky Genc Pollo të ka sharë ty, tha. I ka thënë njërit, mirë gomari që na ngordhi, po s’na lënë rehat as mizat. Dhe lekët e tenderit të fundit që do bëj në jetë, duan t’ia japin prapë Familjes. Unë o e bëj për vete, o s’e bëj fare.
-S’ka faj ai zotëri se ja tolerova llogarinë në Qipro, por do ta shikoj po lëvizi bishtin.
-Ky Ridvan Bode i ka thënë një këshilltari të tij, prit deri në shtator sa të shpëtojmë nga ky plehra dhe mos ça kokë pastaj.
Kjo në fakt m’u duk e rëndë, po Ridvani mund ta ketë thënë dhe për të qetësuar këshilltarin.
-Po Jozefina çfarë ka thënë, i thashë.
-Ajo Doktor të mban vetëm ty në gojë. Njerëzit i flasin për Bashën keq, ajo thotë rrnoft Sali Berisha, të tjerë i shajnë Olldashin, ajo thotë rrnoft Sali Berisha. Dhe kur e thërrasin të shtëpisë në telefon dhe përmendin partinë, ajo i ndërpret duke thënë rrnoft Sali Berisha. Nuk e di si ta shpjegoj.
-Qartë, qartë, i thashë. Është trembur mos e fus në ndonjë grup armiqësor. Megjithatë duhet hetuar përse kaq e zellshme tani. Diçka i fsheh partisë dhe ajo.
-Po e përgjojmë dhe një muaj Doktor, pastaj do ta stakojmë përgjimin, se na i merr Saimir Tahiri vesh gjithë gjërat.
-Ke të drejtë, i thashë. Saimiri i krimit, i drogës, i trafiqeve dhe prostitucionit. E shikoni kujt ia besuan shqiptarët këtë vend? Duhet ta çlirojmë patjetër. Përpara!








August 10, 2013

A e gjeni dot ...

ku mbaron Gjermania 
dhe ku fillon 
Shqipëria ?























Nga gomarllëqet e kryeministrit Berisha: 
-  "Shqipëria dhe Gjermania janë vendet me ekonominë më të fortë në Europë!
-  Jemi vendi i katërt në botë për MIRËQENIE. Nuk jam euforik!!"



Fotot janë realizuar nga “ImazheShqip”,në Qershor 2013, në Tiranë - Frankfurt - Mynih. Botohen për herë të parë.
Shikoni me kujdes guroret!



August 7, 2013

Ndal

Plehrave



Berisha miraton importin e 2600 ton plehrave nga Greqia dhe Italia, por në mbledhje flet për universitetet



Në mbledhjen e radhës të qeverisë në largim është miratuar vendimi për importimin e 2600 ton mbeturinave nga Greqia dhe nga Italia.

Kështu, në vendimin e parë thuhet se shoqëria “Plastika- Albania” autorizohet për importin e 600 ton të mbetjeve të polietilenit nga Greqia.

Kurse në vendimin e dytë thuhet se autorizohet shoqëria VALE Recycling për të importuar 2 mijë ton mbetje të gizës, bakrit, aluminit, zinkut e plumbit, për qëllime riciklimi. Mbetjet do importohen të gjitha nga Italia.

Por ndërsa miratoi këto vendime të rrezikshme për shëndetin e shqiptarëve, Berisha në mbledhjen e qeverisë foli për një ligj të TVSH-së, taksës themelore në vend. Berisha tha se po e miraton këtë vendim, ndërsa e di se qeveria e re mund ta rrëzojë.

Po ashtu, Berisha tha se do të kundërshtojë me çdo mjet ligjor e demokratik platformën e qeverisë së re për të kufizuar pranimet në universitet.

“Ne do të bëjmë gjithçka që të rinjtë shqiptarë të kenë të drejtë të ulen në bankat e universiteteve. Natyrisht çdo qeveri ka të drejtë të marrë vendimet që do dhe të përballet me pasojat e tyre. Ka probleme shumë serioze në përballjen e dy alternativave, por alternativa e “Dyerve të Hapura” është alternativa për të cilën Shqipëri ka bërë një arritje historike, të qytetarëve shqiptarë, arritje, e cila bëri të mundur që fëmijët e tyre të ulen në bankat e universiteteve sipas dëshirës së tyre në përputhje me performancën,” tha Berisha./ep













August 6, 2013

Dhiar,

Mos i fut hundët e tua të qelbura 
te Flamurtari



Shënime nga ditari i Doktorit: 
Nderim për Lefterinë dhe Flamurtarin

Miq të mi, sot është një ditë e zezë për shqiptarët. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nën dhunën e bandave të mafies, drogës dhe prostitucionit, u detyrua të shpallë një rezultat fallco të zgjedhjeve, për të cilin janë dëshmitarë miliona shqiptarë. Më telefonoi qysh herët në mëngjes Lefteria dhe qante në telefon. Nuk më bën dora, thoshte, ta firmos, më ndihmo të lutem si t’ia bëj. Si mund ta firmos unë që PD ka 185 mijë vota më pak se PS. Ky është skandal, këto nuk janë zgjedhje, këto janë krim ndaj demokracisë.
E qetësova Lefterinë dhe e përgëzova që ka qëndrue si burrneshë ndaj presioneve të bandave të mafies, drogës dhe prostitucionit. I thashë ke qëndrue si heroinë, si Shkurte Pal Vata, si Cuca e Maleve, si gjithë gratë heroina të Malësisë…
-Ne nuk kemi humbur, i thashë. Tani jemi më të fortë. Tani do bëjmë 18 orë opozitë në ditë, dhe do fitojmë.
-Shumë vështirë Doktor, më thoshte duke qarë me dënese, shumë vështirë. Kushedi kush do vijë në vendin tim, vështirë se fitojmë më.
E sigurova që do fitojmë.

-Nuk vdes pa fitue dhe njëherë, i thashë. I dhashë leje ta firmoste rezultatin. Nuk kemi ç’t’i bëjmë, i thashë. Beteja me mafien është betejë afatgjatë. Fola dhe me fëmijët dhe gruan dhe ata më thanë firmose.
Pjesa tjetër e ditës kaloi pa ndonjë ngjarje. Luli kërkoi disa herë të më takonte, po kisha një lloj bezdie. Më tha Zeni se i kishte thënë Qukapit, që babi i Zenit tani nuk duhet të bëjë shumë deklarata politike se po më nxjerr bojën. I kish thënë të bëjë deklarata për muzikën, artin, sportin, gjëra rozë… Me thanë të drejtën s’më erdhi mirë, por s’kisha ça me ba. E gëlltita se e di që është i papjekur për këto punë dhe ndikohet shumë nga të huajt. Ka filluar rri dhe me Genc Pollon shumë dhe kjo është shenjë se do ndikohet dhe më shumë prej tyre.
Lajmi që donte të me jepte ishte se e kishte uruar Orbani i Hungarisë dhe i kish rekomanduar të spastronte partinë nga agjentët dhe kundërshtarët, që mund të jenë spiunë të BE dhe SHBA. E kisha bezdi ta dëgjoja. Sidoqoftë më ngeli gozhdë në tru ajo që kish thënë se unë tani duhet të merrem me deklarata për sport, muzikë, dhe jetë rozë.
U detyrova të ulem të shkruaj një reagim për sportin. Është fjala për Flamurtarin. Dëgjova që duan të shesin ekipin tek dyshja Rama- Kokëdhima. Pyeta Visarin si ministër sportesh çfarë problemi ka Flamurtari.
-Të them të drejtën Doktor, më tha, ne flamurin e kemi në një shtizë këtu tek ministria, nuk e mban ndonjë flamurtar në dorë. Po qe se është rregull, vëmë një flamurtar.
Visari i shkretë si unë nuk merr vesh nga sporti. I thashë që e kisha fjalën për Flamurtarin e Vlorës.
-Aha, e kuptova, më tha. Me sa di unë, atë Flamurtarin e ka bë Kristaq Rama si skulptor dhe kam lexuar diku që e ka lavdëruar dhe Enver Hoxha. Po deshe, e prishim.
Prapë s’u kuptua dot. M’u desh t’ia them gjatë dhe qartë se bëhet fjalë për ekipin e futbollit të Vlorës, që po e rrënon dyshja Rama- Kokëdhima. U mendua pak dhe më tha:

-Po deshe, flas unë me Koçon se e njoh.
Ja mbylla telefonin se ishte e bezdisshme. Mirë që më kanë vënë të shkruaj deklarata për sport, por as nuk bashkëpunojnë me mua për këtë.
E mora Kollozin dhe e pyeta se ç’po ndodhte me Flamurtarin.
-Koço do të bëjë pallate tek stadiumi, më tha.

Kollozi është i vetmi njeri që më kupton në Vlorë dhe e di se çfarë dua të them. E përgëzova. Jam shumë i çuditur si nuk e votojnë kurrë në Vlorë këtë njeri, por një nga arsyet me siguri është mbiemri. Vlonjatët janë shumë xhelozë.
E postova komentin në Facebook dhe vërshuan komentet. Ishin të papara. Më i forti prej tyre ishte një vlonjat që shkruante: O Sali, ti e provove Flamurtarin më 23 qershor. Të la me 3 deputetë, duke luajtur me ekip rezervë. Nuk ka rëndësi ça thoshte për mue, por rëndësi ka që Edi Rama e Koço Kokëdhima quhen ekip rezervë për Vlorën. Vlora nuk i pranon si lojtarë të ekipit të parë. Ndaj ata e urrejnë Flamurtarin dhe tani: Përpara drejt stadiumit!

http://www.gazetatema.net/web/2013/08/06/shenime-nga-ditari-i-doktorit-nderim-per-lefterine-dhe-flamurtarin/