Gruaja që i dha jetë bibliotekës së “Vatrës”.
Dorëshkrimet e Konicës dhe kujtimet për Nolin
Ajo quhej Sara. Në
janarin e vitit 1952, ajo do të kalonte orë të tëra duke sistemuar bibliotekën
e madhe të të shoqit, në zyrën e federatës panshqiptare “Vatra”. Sara, një grua
që i kishte dashur gjithnjë librat, nuk e mendonte se sëmundja e të shoqit,
Qerim Panariti (ai ishte shtruar në spital), do ta fuste atë drejt një bote që
do ta joshte përmes letrash. Në morinë e librave që po sistemonte në bibliotekën
e madhe të “Vatrës”, ajo u ndal në dorëshkrimet e Faik Konicës, të cilat ishin
ashtu siç ai i kishte lënë në studion e tij para vdekjes. Një mori letrash, të
cilat Sara kërkonte t’u gjente fundin, duke rendur mes fjalëve për të zbuluar
të gjithë historinë. “Në janar të vitit 1952 unë isha i shtruar në spital për
një operacion të lehtë. Në këtë kohë më zëvendësonte në zyrë gruaja ime, Sara,
e cila në kohën e lirë filloi të ndante veç e veç dhe t’i klasifikonte shkrimet
e ndryshme të Konicës, të shkruara në shumë gjuhë. Gjatë kësaj pune ajo zbuloi
këtë dorëshkrim, e lexoi dhe kaq shumë e bëri për vete stili dhe përmbajtja e
materialit sa erdhi drejt e në spital, tërë entuziazëm, të më mbushte mendjen
ta jepja për botim”, do të kujtonte më vonë Qerim Panariti. Dorëshkrimi që Sara
zbuloi, do të ishte dhe libri që do të shënjonte prozën e parë moderne
shqiptare, “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”.
Kur Panariti do të lexonte dorëshkrimin që Sara ia solli me një frymë në spital, do të kuptonte se ai nuk ishte një shënim i thjeshtë, por një libër të cilin Konica e kishte shkruar me shumë kujdes. “Më vonë e lexova edhe unë vetë dorëshkrimin, më pëlqeu dhe menjëherë vendosa të mos e lija të shkonte dëm kjo punë me vlerë, pa marrë parasysh sa duhej bërë për përgatitjen e tij. Pasi e lexova dorëshkrimin, e kuptova se nuk ishte material i mjaftueshëm për ta justifikuar botimin e tij si një histori të Shqipërisë. Prandaj i hyra punës dhe me ndihmën e sime shoqeje, i zgjerova kapitujt e plotë në një seri prej dhjetë esesh, që dolën të shkruara me një stil të këndshëm e vetjak. Meqë nuk donim të largoheshim nga stili i përpiktë dhe i këndshëm i Konicës, ne gjendeshim në një rrugë pa krye, kur duheshin plotësuar disa zbrazëti aty-këtu. Në shumicën e rasteve ia gjetëm fillin kësaj pune, duke e plotësuar materialin me pjesë nga shënimet dhe fjalimet e autorit ose duke ndjekur me kujdes pikat e referimit. Në shumë vende dilte e nevojshme të shtoheshin pjesë të reja, të cilat tregohen në shënimet në fund të faqeve. Më në fund unë kam përfshirë në shtojcë edhe një nga pamfletet e Konicës, sepse përmban material të vlefshëm për historinë e Shqipërisë”, kujton Panariti. Sara do të merrte përsipër daktilografimin e shënimeve të Konicës, të cilat nuk ishin të lehta, duke i ngjitur pjesë shënimesh, duke kontrolluar referimet, dhe mbi të gjitha, duke u treguar si një nga kritikët më të rreptë. E dashuruar pas librave, Sara do të bëhet një nga kontribuueset më të denja të ruajtjes së arkivit të pasur të “Vatrës”, me të cilën do të punonte deri pak kohë më parë kur u nda nga jeta.
Në memorien e Sarës nuk ishin vetëm librat që gjeti në atë bibliotekë, por dhe personazhe të ndryshme të rëndësishme të historisë shqiptare, që i takoi në ato zyra, apo përkrah të shoqit, Qerimit. Një ndër këto personazhe ishte edhe Fan Noli. “Nuk e njihja peshkop Nolin derisa u martova. Nuk e kisha takuar kurrë më parë. Burri im ishte mik shumë i mirë i tij dhe ata kishin lidhje të ngushta. Zyra e ‘Vatrës’ ndodhej në Huntington Avenue në Boston dhe apartamenti i peshkopit ishte pranë saj në Blagden Street, kështu që ai e vizitonte shpesh Fan Nolin. Apartamenti i tij ishte shumë i hallakatur dhe i mobiluar thjesht, shumë pak mobilie, por shumë libra”, do të rrëfente ajo kohë më parë në një bisedë me studiuesin e Nolit, Nasho Jorgaqi. Sara tregonte se Noli i vizitonte dy herë në vit. “Ai e kishte të vështirë të ngjiste shkallët, sepse çalonte pak dhe e kishte akoma më të vështirë të zbriste. Fakti që ai dhe burri im ishin aq miq, ishte shumë e çuditshme, sepse burri im ishte mysliman, megjithatë, ai ishte shumë i afërt dhe i devotshëm ndaj peshkopit. Ai e çmonte aq shumë peshkopin sa, edhe pse ishte mysliman, shkonte shpesh në kishë”, tregonte ajo. Noli do të vlerësonte temperamentin dhe pasionin e gruas për t’u përfshirë në biseda. “Gruaja jote ka karakter të këndshëm”, do t’i thoshte Noli gjatë një takimi me humor Qerimit. “Peshkop Noli kishte sens të shkëlqyer humori. Duke e ngacmuar burrin tim, i thoshte: Pse nuk bëhesh prift? Do të ishe prift i mirë dhe gruaja jote ka karakter të këndshëm, kështu që do të bëhej priftëreshë e mirë”, tregonte ajo. Kjo grua ndihej me fat që kishte mundur të ishte aq pranë njerëzve që kishin kontribuuar aq shumë për çështjen shqiptare. Që në takimet e para me Qerimin, burrin e saj të ardhshëm, ajo e kishte ndier pasionin e madh të këtij njeriu për atdheun e tij. Kthimet e tij të vona në shtëpi, pas punës në gazetën “Dielli”, do të kuptoheshin lehtë nga gruaja, e cila e dinte se sa shumë vlenin rreshtat e shkruara në shqip në atë gazetë në SHBA. “Im shoq dhe Noli kishin shumë gjëra të përbashkëta. Qëllimi i tyre mbizotërues ishte përkushtimi ndaj çështjes shqiptare, nacionalizmit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Që të dy ishin të interesuar për shtimin e koleksionit të literaturës shqiptare, sepse kur erdhën shqiptarët në fillim në Amerikë, nuk kishte asgjë. Peshkop Noli përktheu shumë libra, mes të tjerash Shekspirin dhe ‘Rubairat’ e Omar Khajamit. Ai shkroi ‘Historinë e Skënderbeut’ në shqip dhe në anglisht dhe përktheu shumë poezi origjinale; shkroi edhe shumë pjesë liturgjike. Përmes përpjekjeve të burrit tim dhe të shoqërisë ‘Vatra’ u organizua një banket dhe të ardhurat iu dhanë peshkopit, që t’i përdorte për botimin e librit ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’. Libri për Skënderbeun u botua nga ‘Vatra’, kur burri im ishte botues i ‘Diellit’”, do të tregonte ajo për Jorgaqin. Duke iu referuar bisedave me të shoqin, ajo thotë se Noli shkoi në Harvard, sepse vendosi të krijonte një bazë të mirë në anglisht, me qëllim që të kryente atë punë që donte të bënte. “Fan Noli mund t’ia dilte në të dyja botët. Shumë herë anëtarë të klerit të huaj ose gazeta të huaja mund të funksionojnë vetëm në gjuhën e tyre, por peshkop Noli dhe burri im mund t’ia dilnin po aq mirë në botën amerikane, sa edhe në botën shqiptare.
Noli zbulohet si talent i aktrimit dhe notar.
Fan Noli kishte aftësi dramatike dhe ndoshta mund të ishte bërë aktor shumë i mirë. Grupi teatral ku kishte marrë pjesë u shpërnda, pasi mbeti në mes të katër rrugëve në Egjipt, pa para. Ai duhet të ketë pasur aftësi dramatike, ndryshe nuk do të mund të mbante të mbërthyer për një kohë aq të gjatë ata që e dëgjonin. Ishte shumë tërheqës, kur fliste ai, ti e dëgjoje”, kujton Sara. Disa herë ajo ndiqte shërbesat e kishës vetëm për të dëgjuar zërin e tij, sepse duke mos qenë shqiptare, nuk e kuptonte gjuhën.
“Kur flisnin me njëri-tjetrin, im shoq, Qerimi dhe Noli, bisedat e tyre kalonin nga filozofia te letërsia, nga arti te historia, por subjekti për të cilin flisnin më shumë ishte Shqipëria dhe problemet e saj. Fan Noli ishte i orientuar politikisht dhe i interesuar për nacionalizmin shqiptar dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Por nuk flisnin ndonjëherë për sportin, edhe pse burri më thoshte se peshkop Noli kishte qenë notar i shkëlqyer dhe shumë i fuqishëm. Megjithatë, ai nuk kishte shumë kohë për gjëra si këto, sepse vazhdimisht lexonte, studionte dhe krijonte diçka. Kjo ishte e mrekullueshme! Noli kënaqej me piknikët e shqiptarëve të diasporës.
Peshkopi kënaqej kur shkonte në piknikët e shqiptarëve, ku do të ulej e të rrinte me anëtarët e rëndësishëm të kishës. Ai ishte vegjetarian dhe pëlqente frutat, kështu që në këta piknikë do të gjendej gjithmonë një shportë me fruta për të”, kujtonte Sara. Një tjetër pasion i Nolit sipas saj ishte muzika. Atij i ishte bërë zakon që çdo të premte të shkonte në një koncert simfonik. Sara, kjo grua, dhe pse nuk ishte shqiptare, gjatë gjithë jetës së saj u ndie si e tillë… Duart e saj ndihen në çdo libër a dorëshkrim që kaloi në zyrat e “Vatrës”.
Konica mbetet nje nga Figurat me te Ndritura te Shqiptarise!
ReplyDelete