"

August 20, 2013

11 zonat e tregut të seksit në Tiranë

Sezoni veror zbulon shifrat alarmante

- Prostitucioni dhe ligjet e tij. Më të paguara në këtë treg prostitutat e luksit, nga 500-2000 euro nata. Biznesmenët e huaj dhe VIP-at, klientët e preferuar të punëtoreve të seksit. 

- Prostitutat e klasit, shoqërueset e denja për biznesmenët, ose VIP-at



Janë 11 zona në kryeqytet 

ku punëtoret e seksit zhvillojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm duke ofruar shërbime seksuale në këmbim të lekëve. Është pikërisht sezoni turistik, i cili si çdo vit “zhvesh” tregun e prostitucionit si dhe të drogës. Muaji gusht, i njohur për korrjen e kanabis sativa, zbulon shifrat alarmante të rasteve të prostitucionit. Kryeqyteti i “dritave të kuqe”, ofron punëtoret e seksit, të cilat mund t’i gjesh vetëm nëpër cepa rrugësh të errët, hotele luksoze ose banesa private. Të ndara në kategori të ndryshme, për punëtoret e seksit, tre muajt e sezonit veror janë periudha më e ngarkuar e punës. Në dallim nga shumë kryeqytete evropiane, në Tiranë është e ndaluar me ligj ekzistenca e shtëpive publike ose e rrugës së njohur si “dritat e kuqe”. Çdo gjë ndodh nën hijen e natës ose nëpër dhoma hotelesh. Ndërsa nëse flasim për pagesën e një punëtoreje seksi, shifra variojnë nga 200 lekë të vjetra deri edhe 200 mijë lekë të reja. Tregu i prostitucionit ofron larmishmëri femrash, duke filluar nga ciganet/romet e deri tek vajza të mirëarsimuara të shkolluara, të cilët këtë punë e vlerësojnë si një mundësi për të pasur më shumë të ardhura në kuletë. Ndërsa pothuajse në çdo lokal nate luksoz është mjaft e thjeshtë që të “porosisësh” një femër, për të kaluar disa orë të këndshme në shoqërinë e saj. Janë vetë pronarët e pub-ve, të cilët ofrojnë këtë lloj argëtimi. Një formë tjetër e re prostitucioni, që po njeh një përhapje të shpejt, është kontaktimi i vajzës me numër celulari. Femra, të cilët rrijë në linjë duke pritur që dikush t’i kërkojë në celulari, numri i së cilës përhapet nga miqtë ose të njohurit e tyre. Kjo është një formë më e thjesht për të pasur marrëdhënie seksuale me një femër, e cila preferon ta kthejë veten në një punëtore seksi pa tutor. Ndërsa me çmime më të leverdishme, thyen tabunë e prostitucionit të rrugës.


Harta e prostitucionit

Janë në total 11 zona në kryeqytet, të cilat mund të cilësohen si “dritat e kuqe”. Ndonëse jo në formatin real të “dritave të kuqe”, ajo janë rrugë të Tiranës, të cilat ofrojnë punëtoret e seksit, që punojnë nën fshehtësi dhe nën frikën e zbulimit nga forcat e policisë. Sipas bluve, pikat “e nxehta” fillojnë me të famshmen “Gropa e Hajdin Sejdisë”, për të vazhduar më pas me hotelet që ndodhen përgjatë Bulevardit Zogu i Parë dhe që përfundojnë tek Stacioni i Trenit. “Harta vazhdon të shtrihet pranë kryqëzimeve të “Zogut të Zi” dhe “21 Dhjetorit”, ku punonjëset e seksit shfrytëzojnë faktin se në këto akse kalojnë me qindra makina dhe qëndrojnë aty gjatë orëve të natës në kërkim të klientëve”, thonë burime të policisë. Por harta shtrihet më tej, deri në Liqenin Artificial, ku disa hotele në atë zonë shërbejnë si “shtëpi publike”, ku kundrejt pagesave që variojnë nga 1000 lekë e deri në disa qindra-mijëra lekë, ofrohet shërbimi i punëtoreve të seksit. Edhe hotelet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës janë shndërruar në vendstrehimin e punëtoreve të seksit. Periferia e Tiranës duket se ka dhe numrim më të madh të hoteleve, moteleve pse shtëpive të cilat ofrojnë punëtoret e seksit. Një tjetër zonë mjaft e frekuentuar është dhe Vaqari, ku një sërë motelesh në atë zonë prej kohësh, kundrejt pagesës, të ofrojnë dhe shoqërinë në dhomë, në rast se dikush nuk shkon i shoqëruar. E njëjta situatë është dhe në zonën tjetër periferike të Tiranës, atë të Saukut.


Ofrojnë trupin në lokalet dhe hotelet luksoze

Një kategori mjaft e përfolur në këto ditë të nxehta vere janë prostitutat e klasit. Të cilësuar me këtë mbiemër, për shkak se ato përdoren nga biznesmenët, ose VIP-at. Njëkohësisht pagesa për këtë kategori të punëtoreve të seksit është më e lartë, duke mbuluar edhe shpenzimet personale të prostitutës. Kjo e fundit mund të jetë një shoqëruese e “denjë” për biznesmenin nëpër udhëtime, duke ofruar përveç paraqitjes edhe raport seksual. Por nuk është dhe aq e thjesht për të gjetur këtë kategori femrash, të cilët mund të thuash se janë të rekrutuara nëpër lokalet ose hotelet më luksoze të kryeqytetit. Nga burime të policisë thuhet se për këtë kategori pagesa mund të variojë nga 500 euro deri në 2000 euro, pa përcaktuar vleftën e orëve të qëndrimit ose shërbimet përkatëse të ofruara. Burime nga blutë bëjnë me dije se në pjesën më të madhe të rasteve janë shtetas të huaj, klientët kryesore të prostitutave të klasit, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve rezultojnë femra të mirëarsimuara. Të huajt preferohen më tepër, pasi edhe pagesa është më e majme për këtë kategori. Prostitutat e luksit nuk janë njësoj si të gjitha punëtoret e tjera. Hijeshia, eleganca, klasi dhe bukuria e tyre nuk mund të ekspozohen nëpër rrugica të ndotura. Këto vajza, çmimi i të cilave është disa herë më i lartë se i kolegeve të tyre, vizitojnë hotelet luksoze të kryeqytetit, ku klientët e tyre VIP arrijnë të paguajnë shifra që shkojnë deri në 500 euro, vetëm për të qëndruar një natë me to.


U premtonin martesë, 
por i kthenin në skllave seksi

Mashtronin femra duke u premtuar martesë, të cilat i shndërronin në punëtore seksi. Operacioni i policisë “Binehouse” çoi në pranga tre persona me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Bëhet fjalë për shtatë femra, të cilat u trafikuan në Zvicër dhe Gjermani për një “jetë më të mirë”. Shyqyri Stafuka, 23 vjeç, vëllai i tij Bledar Stafuka, 22 vjeç, si dhe Emiljano Tarja, 23vjeç, të tre këta persona banues në Tiranë. Sipas burimeve të policisë personat e mësipërm akuzohen se gjatë vitit të kaluar kanë rekrutuar në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit 7 femra, duke iu premtuar atyre martesë e punë në Zvicër e Gjermani. “Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda caktoi ndaj këtyre shtetasve masën e sigurisë arrest me burg, nën akuzën e kryerjes së veprave penale trafikim i femrave, kryer në bashkëpunim, për shtetasit Shyqyri dhe Bledar Stafuka, si dhe trafikim i të miturve kryer në bashkëpunim, për shtetasin Emiljano Tarja”, thuhet në dosjen e prokurorisë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve. Hetimi ndaj tyre nisi disa muaj më parë, kur dy femra denoncuan në Shqipëri se këta tre persona i kishin mashtruar duke i dërguar në Zvicër, ku gjoja pretendohej se iu kishin gjetur punë dhe se do të jetonin me to. Mashtrimin e njëjtë e kanë pësuar edhe pesë femra të tjera, disa nga të cilat, sipas burimeve të policisë kanë depozituar kallëzimet e tyre në Zvicër dhe në Gjermani ndaj të akuzuarve. Policia dhe Prokuroria gjermane dhe ajo e Zvicrës pas marrjes së denoncimeve nga të dëmtuarat nisën hetimet duke transferuar në vendin tonë edhe dokumentacionin përkatës, duke realizuar hetimin paraprak në të tria vendet deri në arrestimin e tyre. Ndërsa mësohet se ka qenë pikërisht shtetasi Bledar Stafuka, i cili joshte femrat, të cilët më pas do të përfundonin në tregun e prostitucionit. Bledar Stafuka i premtonte vajzave martesë dhe një jetesë përrallore në Zvicër, por në fund secila nga shtatë vajzat e ka gjetur veten në mes të rrugës, në një skllave seksi. Një operacion shumë i përfolur i uniformave blu ishte “Zogjtë e natës”. Janë shtatë persona, të cilët ranë në prangat e bluve për trafikun dhe shfrytëzimin e prostitucionit. Gjenin femra të mitura, të cilat nën presionin e dhunës i detyronin që të kryenin seks me biznesmenë të huaj.


Nga Anxhela Tato






















No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!