November 10, 2013

1997, Ata që u arratisën me firmën e Berishës



476 pasaporta në dy javë! 


Një javë më parë DITA soli disa dokumenta zyrtare të fillimit të 1997-s ku gjendeshin emrat e personave që ishin pajisur në shkelje flagrante të ligjeve pa plotësuar asnjë kriter - me pasaporta diplomatike. Mes tyre, edhe mbesa asokohe vetëm 29 ditëshe e Berishës. 

Sot  “DITA” sjell një listë të re personash, të cilët kanë marrë pasaporta diplomatike dhe shërbimi nga mesi i korrikut në fund të tij dhe me to kanë ikur jashtë vendit. 
Shumë prej tyre u rikthyen vetëm në 2005. 

Plot 476 urdhëra për vetëm 2 javë. Këto pasaporta janë lëshuar nga data 7 korrik, deri në 23 korrik 1997. Shkresat e firmosura nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Kolec Topalli, si dhe nga Shefi i Protokollit të Presidencës, Maxhun Peka, fillojnë të gjitha me frazën 
“Me porosi të Presidentit të pajisen me pasaportë…”

Thuajse të gjithë emrat që përmenden në këto lista kanë ikur nëpërmjet Rinasit dhe stacioni i parë ku qëndronin ishte kryeqyteti austriak, Viena. Për të gjithë ata që e mbajnë mend korrikun e atij viti, kujtojnë se ai ka qenë një muaj shumë i nxehtë. Këta njerëz pajiseshin me pasaporta brenda ditës, për të mos thënë për një orë a dy, merrnin në dorë pasaportën dhe ia mbathin drejt Rinasit. Dhe incidenti ndodhi me Vienën. Në aeroportin ndërkombëtar të Vienës, ndodhi ajo që pritej. Aty u dha alarmi për atë që po ndodhte…

… Nga shpejtësia në shumicën dërrmuese njerëzit që pajiseshin me pasaporta shërbimi nuk kishin kravata për fotografitë që viheshin në pasaportë. Ata bënin fotografi të çastit, ashtu të djersitur, me këmisha të zbërthyera dhe madje dhe me kanotiere. Kështu hipnim në avion dhe kështu zbrisnim në Vienë, për t’ia mbathur diku tjetër. Kjo shkaktoi një tronditje të vërtetë tek autoritetet e aeroportit të Vienës. Alarmi shkoi deri në qeverinë austriake, e cila ngriu menjëherë hyrjen pa vizë të shtetasve shqiptarë me pasaporta diplomatike dhe shërbimi sipas një marrëveshje të arritur pak vite më parë. 

Kjo ngrirje do të vazhdonte për 10 vjet me radhë nga pala austriake, pra deri në vitin 2007.

Disa nga 476 emrat ne dokumentet e botuara sot ne DITA:

Me pasaportë diplomatike:

Keltis Kruja, mik i Shkelzen Berishes, asokohe minoren bashkë me gjithë anëtarët e tjerë të familjes së tij

Me pasaporta shërbimi:

Sali Lusha

Sokol Olldashi

Dashamir Shehi

Sadik Çela

Isemadin Haxhiaj

Ismet Haxhiaj

Besnik Mulosmani

Ali Mulosmani

Përparim Mulsomani

Fatos Hoxha

Rasim Lumneshi

Bedri Blloshmi

Desada Metaj

Zyhdi Dajti

Avni Neza

Marjan Gryka

Desada Metaj

Selim Hoxha

Sokol Bizhga, etj

*   *   *



Qeveria bllokon licencën e Samir Manes

Më 1 Nëntor të këtij viti qeveria shqiptare ka bllokuar licencën e kompanisë “Albchrome shpk”. Në dukje vendimi i ngjan një aksioni rutinë administrativ, por ky vendim i qeverisë në të vërtetë, përbën një ndërhyrje tepër të rëndësishme në tregun e kriminalizuar të minierave të kromit. Kompania në fjalë është në pronësi të biznesmenit Samir Mane dhe përfaqëson koncesionarin më të madh i shfrytëzimit të minierave në vendin tonë. Një shkresë e firmosur nga ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri më 1 Nëntor, ka sjellë “pezullimin e pjesshëm” të kontratës koncesionare që e gëzon Samir Mane dhe pezullimi përfshin zonën me të rëndësishme dhe njëherësh më problematike të koncesionit, zonën “D”. Janë galeritë dhe minierat e kësaj zone që koncesionari i ka dhënë me nënkontraktim në disa raste që kanë sjellë dhe përplasjet e famshme që në shumë raste kanë sjellë pasoja dhe në jetë njerëzish.

Samir Mane dhe Sali Berisha



Arsyet e një bllokimi

Ka dy shtysa të rëndësishme që kanë sjellë këtë masë të qeverisë ndaj koncesionit. E para është situata tejet abuzive financiare e shkaktuar nga detyrimet e papaguara të koncesionarit. Samir Mane e bleu koncesionin në fjalë tek –shpronari në fillim të këtij viti. Por përveç mineraleve të çmuara Mane bleu dhe detyrimin për të kryer investime dhe për të stabilizuar situatën dhe infrastrukturën në këto galeri. Një kontroll i nisur nga ministria në muajin Tetor 2013, zbuloi se galeritë kishin probleme serioze dhe mangësi të mëdha. Nga ana tjetër bilancet e kompanisë së Manes flasin për mangësi serioze në kryerjen e investimeve që koncesionari është zotuar ti përmbushë në kontratën ekskluzive me shtetin shqiptar. Arsyeja e dytë lidhet me orientimin politik të qeverisë: Situata në Bulqizë duhet të ndryshojë. Aktualisht Bulqiza përfaqëson një zonë tepër delikate ku përplasen dhe ushtrojnë ndikimin e tyre disa grupe interesi që janë sidomos të lidhura me qeverinë Berisha, ekuilibri i forcave mes këtyre grupeve të interesit ka qenë gjithnjë i vështirë për tu mbajtur pasi kompanitë kanë operuar si “xhandarë të kromit” dhe kanë respektuar shumë pak ose aspak standardet minimale gjatë ushtrimit të aktivitetit. Me pezullimin e licencës ndaj Samir Manes në zonën “D”, paraprakisht qeveria fiton kohë, për të hetuar me qetësi situatën dhe për të vendosur më pas se si do e zgjidhë. Por ndërsa qeveria ka bërë pezullimin, rezulton se biznesmeni Mane nuk ka ndejtur duarkryq. Arsyet lidhen pikërisht me këtë vendim që boton ekskluzivisht sot “DITA”.


Tentakulat e biznesmenit

Ndonëse vendimi për pezullimin e kontratës koncesionare të Manes në zonën “D” të Bulqizës është një vendim me rëndësi të dorës së parë në biznesin milioner të kromit në Shqipëri, qeveria nuk ka bërë publike këtë aksion të sajin. Një burim i mirinformuar i tha dje gazetës “DITA” se zyrtarë shtetërorë “nën ndikimin e Samir Manes”, janë përpjekur të shmangin bujën mbi këtë veprim dhe ti japin Manes avantazhin për t’i vënë kapak këtij problemi.  “Nëse një aksion i tillë i qeverisë për pezullim dhe bllokim aktiviteti kalon në heshtje dhe nuk bëhet publik, atëherë biznesmeni i bllokuar e ka më të lehtë që nën rrogoz të luajë të gjitha fijet e tij të influencës dhe të kthejë mbrapsht këtë vendim. Mos publikimi i kësaj mase mund t’i ketë krijuar të tilla avantazhe Manes ndërkohë”, – tha dje një zyrtar shtetëror i mirinformuar për çështjen.



Si u bë Mane pronar 
dhe 
problemet e zonës “D” në Bulqizë

Në cilësinë e drejtuesit të “Balfin Group” Samir Mane  ka blerë aksionet në Shqipëri të kompanisë “Albanian Chrome”(ACR) ndërsa transaksioni në fjalë është konfirmuar nga një njoftim zyrtar nga Autoriteti i Konkurencës. Sipas këtij njoftimi më datën 17 Janar 2013, në bazë të “Marrëveshjes për blerjen dhe shitjen e Abanian Chrome Sh.p.k”, të nënshkruar ndërmjet palëve “Balfin Sh.p.k” në cilësinë e blerësit dhe “DCM DECOmetal GmbH” -“DCM Beteilinungs GmbH” në cilësinë e shitësve me objekt përftimin e kontrollit të shoqërisë Albanian Chrome Sh.p.k nga shoqëria Balfin Sh.p.k nëpërmjet transferimit të 100% të kuotave. “Albanian Chrome”  është kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në 2011, sipas të dhënave nga tatimet, me një rënie të lehtë me bazë vjetore, pasi shënoi nëj vit të vështirë me aksidente dhe grevat e punonjësve, që çuan në mbylljen e minierës për disa muaj.


Një mogul në xhungël

Gjashtë muaj përpara se qeveria e Berishës të humbte zgjedhjet, Samir Mane, me mbështetjen e veçantë të Berishës u bë zyrtarisht “moguli i minierave të kromit”.  Nuk ishte pak. Këto miniera kromi që Mane mori me koncesion në fakt janë miniera leku. Por që kanë dhe “bishtin” nga pas. Sektori minerar është një ndër më fitimprurësit në Shqipëri, por të operosh dhe të mbijetosh në këtë sektor nuk është një fjalë goje. Situata në Bulqizë dhe rrotull saj, atje ku shtrihen galeritë më të majme, është kthyer në një xhungël dhe për degradimin e kësaj situate ka disa faktorë që kanë pasur një rol kyç në të gjithë këtë histori.

Faktori i parë është ai shtetëror. Ky faktor ka “dhënë kontribut” për të krijuar xhunglën e kromit kryesisht në dy drejtime: 
1. Duke dhënë licenca dhe të drejta për shfrytëzim të galerive në kompani që nuk janë të specializuara në sektor por që kanë lidhje me zyrtarët shtetërorë. 
2. Duke futur në mënyrë arbitrare në lojë biznesmenë të lidhur me qeveritarë ose zyrtarë shtetërorë në galeri të ndryshme duke shkaktuar konflikte serioze me shumë pronarë tokash në Bulqizë, të cilët kanë pronësi mbi trojet ku shtrihen galeritë. 

Këto dy faktorë kanë qenë tejet të rëndësishëm, pasi pronarët nga Bulqiza mobilizoheshin për të gjetur të drejtën e tyre dhe për të përfituar pjesën e tyre nga shfrytëzimi i kompanive private, ndërsa nga ana tjetër, kompanitë e favorizuara pajtonin “të fortë” për të ndalur ndërhyrjet nga pronarët e tokave. Rastet e përplasjeve janë të shumta dhe shtysat nga më të ndryshme, por në thelb gjithnjë ka qenë konflikti mes bizneseve të favorizuara dhe pronarëve të tokave në Bulqizë. Faktori i dytë që ka ndikuar në krijimin e xhunglës ka qenë koncesionari i shumëpërfolur që tashmë është në pronësi të Samir Manes.



Konfliktet

Kompania e Manes ka në shfrytëzim minierat dhe galeritë kryesore, por në bazë të kontratës koncesionare, në atë që quhet “seksionin D” i galerive,  shteti i ka njohur të drejtën dhe operatorëve më të vegjël që të shfrytëzojnë burime të caktuara brenda këtij seksioni. Këtu kanë lindur dhe konfliktet mes koncesionarit dhe operatorëve në këtë seksion. 
Konfliktet kanë qenë të larmishme, madje shpesh janë shënuar dhe incidente të rënda me pasojë vdekjen e shumë qytetarëve ose minatorëve në galeritë e “seksionit D” për shkak se kompanitë e licencuara për të punuar aty nuk përmbushnin kriteret teknike dhe shpesh galeritë zinin poshtë dhe vrisnin mineral-kërkuesit. 
Nga ana tjetër një pjesë e kompanive të vogla që vepronin në “seksionin D” shpesh janë mbështetur nga struktura të policisë për të kontrabanduar sasinë e mineralit të nxjerrë dhe për të shumëfishuar fitimet për shkak të shmangies dhe deklarimit të rremë të sasive pranë autoriteteve doganore. Një vit e gjysmë amë parë një ish-drejtues i lartë i policisë, i quajtur Shemsi Prençi, akuzoi publikisht dhe me fakte implikimin e biznesmenëve të njohur dhe zyrtarëve të lartë të policisë në këtë rrjet kontrabande që sillte miliona euro fitime, por ishte Prençi ai që u penalizma duke u shkarkuar nga të gjitha funksionet dhe duke u izoluar.

Loja ishte shumë më e madhe se trimëria  e Prençit. Interesat shkonin deri në rangjet më të larta  qeveritare. Brenda kësaj pakete të ngatërruar interesash do të duhej të operonte dhe koncesionari i Samir Manes, por që prej vitit 2001, ky koncesionar nuk ishte në rregull me hesapet dhe detyrimet e veta ndaj shtetit, pasi nuk realizonte dot investimet që kishte marrë përsipër në kontratë. Ndaj në këmbim shteti mbyllte njërin sy për borxhet dhe koncesionari ja shpërblente shtetarëve në të njëjtën mënyrë kur vinte puna për të pranuar miqtë e qeveritarëve të punonin në “seksionin D” të këtyre minierave.

Për pasojë historia e interesave, të drejtave, borxheve, bizneseve, koncesionarit, qeveritarëve, shefave të policisë, pronarëve dhe kontrabandës së kromit, u shndërrua në një xhungël që pjell në mënyrë të përsëritur vetëm konflikte. Nëse s’do ishte Samir Mane, do ishte dikush tjetër, por e sigurt është se cilido që do të operojë me koncesionin në këto kushte dhe në këtë xhungël, përveç milionave duhet të presë dhe “dhimbjet e kokës”. 
Bulqiza  është  shndërruar në një vend surreal, të ngjashëm me filmat me kaubojsa , një xhungël e vështirë,  aq më tepër  e vështirë për biznesmenë që janë mësuar ti zgjidhin punët me telefon nga Tirona.



Policia bllokon kamionët me krom 
në Bulqizë

Policia në Bulqizë bllokon kamionët e kromit. Prej tre ditësh dhjetëra kamionë të ngarkuara me krom nga minierat Bulqizës janë ndaluar nga patrullat policore të cilat detyrojnë bizneset që kromi i nxjerrë nga galeritë e veriut të peshohet jo më në Durrës siç ka ndodhur deri tani, por në Qafë Buall.

Madje një tjetër pretendim i Policisë është që në faturën e shoqërimit të jetë dhe çmimi i kromit, çmim që përcaktohet nga cilësia e kromit. Por të dyja këto pretendime të policisë cilësohen të pavenda nga ana e biznesmenëve.








November 4, 2013

Proces gjyqësor ndaj Sali Berishës


Mero Baze thotë se “Sali Berisha ka një siguri të tepruar për mosdënimin e tij”. Në editorialet e tij të ditëve të fundit në Tema Online, Baze, përmend arrestimin e Berishës, por lexuesit që komentojnë poshtë shkrimeve, tregohen skeptikë lidhur me këtë mundësi.

Shkruan Baze ndër të tjera: “…Duke menduar se ka kryer krimi në emër të pushtetit, ai kujton se është i paprekshëm dhe kërkon që drejtësia të gjejë kriminelë të tjerë për të ilustruar situatën kriminale në vend. Mendoj se nuk ka nevojë. Duke filluar nga Sali Berisha, është më e lehtë të shkosh tek dera e çdo krimineli. Mjafton dera e shtëpisë së tij për të arrestuar shumicën e autorëve të krimeve në këtë vend. E gënjen mendja kur mendon se e ka të blinduar me pushtet dhe imunitet politik si opozitar. Do të rrijë aq gjatë dhe aq pa kthim në këtë status, sa do kërkojnë ta arrestojnë dhe të vetët”.

Lidhur me arsyet pse Berisha dhe opozita e re është bërë kaq agresive ende pa u mbushur 100 ditë nga qeverisja e majtë, duke akuzuar këtë të fundit për një krizë ekonomike që e ka shkaktuar vetë, Baze thotë:

“Berisha i druhet asaj që ai vetë ka në kokë në raste të tilla. Ai e di si kalohen kriza të tilla depresive për shoqërinë. E ka aplikuar vetë dy- tre herë këtë praktikë. Kur në vitin 1991, shqiptarët ishin nën tmerrin e batutës “ka dhe gjashtë ditë bukë”, ai arrestoi Nexhmijen dhe njerëzit e harruan. Në vitin 1993, kur njerëzit ishin thellësisht të zhgënjyer nga reformat e tij dhe po refuzonin pushtetin e tij, për të cilin dhanë 70 përqind të votave, ai arrestoi Fatos Nanon dhe njerëzit u morën me të. Në vitin 1995, kur e pa që sërish nuk po ia dilte të qetësonte situatën me qeverisjen, arrestoi gjithë ish- Byronë Politike dhe njerëzit u morën me të. Ajo që ai ka frikë realisht tani është se mos Edi Rama po mendon ekzaktësisht atë që ai ka bërë sa herë vendi ka qenë në një depresion të tillë ekonomik dhe financiar. Ai thjesht po mendon çdo kish bërë vetë po të ishte në vend të Edi Ramës në këto momente. Dhe s’e ka keq që e mendon!”

Po a mendon Baze se një proces gjyqësor ndaj Berishës është i mundur? Këtë pyetje DITA ia bëri mbrëmë gazetarit të njohur dhe ai përgjigjet: “Nuk besoj se arrestohet gjatë kohës që është në pushtet Rama-Meta, por nuk kam asnjë arsye që të humb shpresat se do dalë dikush në këtë vend ta ndëshkojë”


Një Byro Kombëtare Hetimi?

Xhevdet Shehu

Ideja e ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit ka qarkulluar prej disa muajsh. Nga ajo që dihet deri më tani ka qenë një propozim i këshilltarit të Ramës, ish-kryeministrit britanik Toni Bler, për të precizuar tërë skemën e reformimit të strukturave të hetimit në një qendër koordinuese, diçka e ngjashme me FBI-në amerikane, por e përshtatur për realitetin shqiptar të një vendi të vogël.

Pse një Byro Hetimesh? A po ngrihet për të goditur zyrtarët e lartë të ish-administratës së djeshme dhe administratës së sotme? A do dublojë Prokurorinë dhe Gjykatën? A ka lindur për shkak të dështimit të organeve shqiptare të drejtësisë për krime të tilla të rënda penale si çështja Gërdeci, vrasjet e 21 janarit, apo krimin ekonomik në nivele të larta? Këto pyetje ua kemi drejtuar, ministrit aktual të Drejtësisë, Nasip Naço, ish-kryeprokurorit Arben Rakipi dhe ish-shefit të Shërbimit Informativ, Fatos Klosi.


Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço: “Dënime zyrtarësh deri edhe tek sekuestrimi i pasurive apo aseteve”

Intervistoi: Artur Qoraj

Ngritja e Byrosë së Hetimit ka shkaktuar debat, me zëra kundër dhe pro në politikë dhe në fushën e jurisprudencës. Debati përfshin faktin se kjo Byro mund të dublojë prokurorinë apo gjykatën dhe se ka dyshime që mund të bëhen goditje selektive të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, deputetëve apo ministrave dhe ish-ministrave. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, shpjegon në një intervistë për gazetën “Dita” këndvështrimin e tij mbi këtë Byro.


Zoti Naço, si lindi ideja e ngritjes së Byrosë së Hetimit dhe cili është qëllimi i një strukture të tillë?

Së pari, ishte dhe një prej objektivave të programit të qeverisjes, e cila nga ide tashmë po zbatohet. Qëllimi i saj është funksionimi sa më mirë i veprimtarisë në goditjen e krimit të organizuar, trafiqeve, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Në të gjitha nivelet.


Kjo strukturë do hetojë zyrtarët e lartë të shtetit?

Kjo strukturë do jetë si një nukël që do hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, por gjithashtu do drejtojë dhe kontrollojë zyrtarët e mesëm dhe të ulët. Por kjo do të sjellë padyshim edhe ndryshimin e ligjit.


Dhe si do funksionojë kjo strukturë, cila do jetë përbërja e saj?

Këto janë çështje teknike në vijimësi që po diskutohen dhe do të zbatohen. Mendohet të ngrihet një grup i mirëfilltë oficerësh. Por këto janë çështje teknike, për të cilat nuk mund të flitet tani. Dua të them se krimi i organizuar, trafiqet apo korrupsioni, që janë edhe krime të rënda, duhet të goditen me efikasitet. Kjo nuk cenon institucionet e tjera si Gjykata e Lartë apo Prokuroria, për rastin e deputetëve apo zyrtarëve të lartë.


Pra nuk dublohet prokuroria apo gjykata?

Byroja e Hetimit mund të ketë edhe një emër tjetër. Nuk ka të bëjë as me prokurorinë dhe as me gjykatën, për më tepër që t’i dublojë. E theksova më sipër se kishte nevojë për reformim përsa i përket strategjisë së goditjes së krimeve të rënda, krimit të organizuar, korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të ulët, të mesëm dhe të lartë, që ky korrupsion të goditet në zemër dhe të kalojë një fazë më tej.


Çfarë do të thotë një fazë më tej?

Deri edhe tek sekuestrimi i pasurive apo aseteve. Kësaj i shërben edhe projektligji, apo paketa e re për ndryshimet në sistemin e drejtësisë. Ndryshimi i kompetencës, pra hetimi i rasteve të korrupsionit që do të bëhet nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, do të japë efektet e duhura. Pra i japim këtij institucioni mundësinë që të reagojë dhe të luftojë realisht korrupsionin.


Ky institucion ngre akuza?

Është prokuroria që i ngre akuzat, kurse ky nukël që do krijohet, ka për detyrë të gjejë prova, fakte dhe të kopsisë dosjet sa më mirë dhe me rezultate. Edhe vendimet për këto dosje do i japë gjykata, pra nuk ka dublim të institucioneve të drejtësisë.


A mendoni se do ngrihet steka e arrestimeve deri te zyrtarët e lartë?

E thashë që qëllimi për të cilin po ngrihet Byroja e Hetimit është goditja në zemër e korrupsionit, e krimit të organizuar, trafiqeve dhe pastrimit të parave. Dhe kur themi lufta ndaj korrupsionit, nuk bëhet fjalë vetëm për zyrtarët e mesëm, por edhe të lartë. Gjithnjë bazuar në fakte dhe prova.

Rezultatet ndaj krimit dhe korrupsionit i kërkon publiku shqiptar, i kërkojnë edhe ndërkombëtarët. Por të gjitha këto do bëhen hap pas hapi. Momentalisht nuk mund të flasim nëse do ketë apo jo efikasitet. Ende nuk ka nisur puna.


Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi: “Tre elementë që mund ta bëjnë të suksesshme këtë strukturë”

Zoti Rakipi, si e komentoni lajmin për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimeve?

Ende nuk kemi njohje të thelluar për këtë projekt. Kam lexuar në shtyp se do të ngrihet një strukturë e tillë, por nuk kam lexuar ndonjë projekt se si do të ngrihet, si do të funksionojë etj. Gjithësesi mendoj se krijimi i një Byroje Hetimesh është korrekt dhe i mirëpritur. Në parim mendoj se është një akt i drejtë për të rritur efikasitetin e organeve të drejtësisë në luftën kundër krimit.


Ministri Drejtësisë thotë se kjo Byro do të ngrihet për të hetuar zyrtarët e lartë të administratës shtetërore. Pra, mund të mendohet se do të kemi edhe arrestime të bujshme për krime dhe vepra të rënda, hetimi i të cilave ka dështuar deri më sot?


Kjo mbetet për t’u parë. Ajo që mund të them me bindje tani është se ky hap do të ndihmojë organet prokurorisë dhe të gjyqësorit.


Si ish-prokuror i përgjithshëm, çfarë duhet sipas jush, për të qenë e suksesshme një strukturë e tillë?

Për të qenë e suksesshme një strukturë e tillë, duhet harmonizimi dhe kombinimi i drejtë i tre elementeve: saktësia e strukturave; përzgjedhja e njerëzve që do të punojnë aty; bashkëpunim i frytshëm dhe i vullnetshëm me organet e prokurorisë dhe të gjyqësorit. Po të harmonizohen si duhet këta tre elementë unë besoj se kjo strukturë e re do të jetë e suksesshme dhe do të ketë autoritetin e nevojshëm për të bërë punë të mira.


Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi: “Byroja e Hetimit të bashkëpunojë me SHISH-in dhe policinë antikrim”

Zoti Klosi, tani së fundmi po diskutohet ngritja e një Byroje Kombëtare të Hetimit, ngjashëm me FBI-në amerikane. Mendoni se ky akt  do të jetë efikas në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Mendoj se do të jetë një hap efikas. Akoma sot, ka një farë kakofonie në mjediset e institucioneve, që merren me trajtimin e dukurive të korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Barra për të përgatitur materialet e akuzës i ka mbetur kryesisht Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore.

Do të ishte një sistem më efikas nëse në këtë detyrë të rëndësishme, të ingranohej më shumë dhe Policia kriminale dhe  Shërbimi Informativ Shtetëror. Sidomos për këtë të fundit, implikimi më konkret, nëpërmjet ligjit, në punën në favor të akuzës, do të ishte shumë më efikas se sa delegimi i kësaj detyre, nga ana e Kryeministrit, siç mund të bëhet sot. Kjo do ta vinte këtë Shërbim në pozita përgjegjshmërie më të madhe, në luftën kundër dukurive të mësipërme.


Krijimi i kësaj Byroje Hetimesh, mos do të thotë se do të ngrihet steka e arrestimeve, pra do të kemi një shkallë më të lartë ndëshkueshmërie, madje dhe në rangjet e larta të politikës?

Nuk mendoj se ka të bëjë me ngritjen e stekës, ligji nuk mund të parashikojë “steka”, kurrëkush nuk mund ta ndalojë as sot Prokurorinë, ta ngrejë stekën deri ku duhet. Problemi i riorganizimit më duket se është më shumë teknik se politik. Besoj se bëhet fjalë për një bashkëpunim të organizuar me ligj, midis të gjithë institucioneve investigativë, shpresojmë në të mirë të një profesionalizmi të shtuar të punës për zbulimin dhe dënimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Planifikimi i organizuar i prioriteteve të punës të secilit prej institucioneve investigativë dhe organizimi i bashkëpunimit institucional midis tyre, është ndjerë si nevojë qysh shumë vite më parë, por fatkeqësisht nuk është bërë dot e mundur. Mbase ka ardhur koha që të kapërcehet dhe kjo prapambetje.


Artur Qoraj - Xhevdet Shehu










Ambasada Britanike:



Akuzat e PD ndaj “Crown Agents”, 
të rreme dhe të pandershme

Ambasada Britanike në Tiranë reagon për debatin rreth kompanisë private “Crown Agent”. Në të parin deklarim zyrtar pas “zhurmës” në media, Ambasada britanike deklaron se akuzat për korrupsion ndaj kësaj kompanie janë të rreme dhe praktika të pandershme biznesi.
“Crown Agent” vepron në përputhje me legjislacionin strikt të Mbretërisë së Bashkuar, mbi praktikat e biznesit dhe me ligjet e vendeve në të cilat është duke punuar. Mirëmbajtja e parimeve më të larta dhe standardeve etike është e rëndësishme për kompaninë dhe për qeverinë britanike. Projekti i propozuar nga Crown Agents është një temë legjitime për mediat dhe debatin politik. Pa dyshim ka argumente pro dhe kundër një propozimi të tillë. Megjithatë dhe në media kanë bërë akuza të rreme për korrupsion dhe praktika të pandershme biznesi kundër Crown Agents, madje edhe duke kërkuar të lidhin aktivitetet e kompanisë me ish-anëtarë të shquar të qeverisë britanike. Ata që merren me shqyrtimin dhe diskutimin e projekt propozimit duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pohime janë të keqinformuar dhe krejtësisht pa baza” thuhet në deklaratë.


Sipas Ambasadës britanike, kontraktimi i kësaj kompanie ka ardhur si kërkesë e qeverisë, pas probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore, që e kanë shoqëruar Shqipërinë. Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar, thekson Ambasada, ndërsa shton se është e rëndësishme të merret në konsideratë se Crown Agents është një kompani shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në Shqipëri për disa kohë ka patur probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore. Ka një nevojë të menjëhershme dhe serioze për të rritur të ardhurat nga doganat dhe taksat, në mënyrë që qeveria e Shqipërisë mund të sigurojë shërbimet dhe projektet që janë të kërkuara nga qytetarët e vendit.
Ka gjithashtu një kërkesë për ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve në fushën e doganave dhe për masa për të ulur nivelin e korrupsionit.
Kompania britanike Crown Agents i ka propozuar qeverisë së Shqipërisë një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor, duke përfshirë elementet e rekrutimit, trajnimit dhe menaxhimit të karrierës.
Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar, duke marrë parasysh nevojat e Shqipërisë, përmbajtjen e projektit, dhe koston. Kontrata e plotë ka qenë dorëzuar në Kuvend në mënyrë që të informohen për përmbajtjen e saj. Megjithatë, është e rëndësishme të merret në konsideratë se Crown Agents është një kompani shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ishte pjesë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar derisa u privatizua në vitin 1997, dhe Qeveria britanike ka ende një vend në Fondacionin “Crown Agent” shprehet Ambasada britanike .

Në përfundim Ambasada britanike nënvizon se aktivitetet e “Crown Agents” janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe procedurat e Bashkimit Evropian, dhe mbështetës të procesit të anëtarësimit evropian të Shqipërisë, duke përfshirë “acquis” si edhe ”guidën doganore” të BE-së.

“Ajo ka qenë e përfshirë në më shumë se njëqind vende të botës, dhe ka punuar gjerësisht në projekte për qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. “Crown Agent” ka menaxhuar projekte specifike në fushën e doganave me sukses, në Bullgari, Maqedoni, Bosnjë– Hercegovinë dhe Kosovë. Ata që punojnë në projektet e Crown Agents për qeverisjen e mirë dhe të ardhurat, janë gati të gjithë zyrtarë në shërbim apo në pension nga shërbimet britanike doganore, ose të shërbimeve doganore të shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Aktivitetet e Crown Agents janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe procedurat e Bashkimit Evropian,dhe mbështetës të procesit të anëtarësimit evropian të Shqipërisë, duke përfshirë “acquis” (të gjitha parimet, legjislacionin, rregulloret, udhëzimet politike, praktikat dhe detyrimet e rëna dakort nga gjithë shtetet anëtare të BE-së), si edhe ”guidën doganore” të BE -së “.

LEXO:

October 29, 2013

Gabim Njerëzor?!




Së fundmi, ashtu si Sali Berisha,  edhe kryetari i ri i PD Lulzim Basha, i etiketoi ngjarjet tragjike të Gërdecit, 21 Janarit etj, si “Gabime Njerëzore”, që mund të ndodhin gjatë një mandati qeverisës.

Në fakt, sipas kësaj llogjike (e marrim të mirëqenë) më saktë do të ishte “Gabime Çnjerëzore”.

Gabim Njerëzor quhet në rastin e fotos së mëposhtme, ku Zoti i Madh ka gabuar në vendosjen e gjinisë:



*   *   *








October 28, 2013

SHIK-u, Gazidede dhe ...



Gazidede dhe 1140 spiunë e kriminelë të SHIK 1992-1997, kontrollonin trafiqet dhe aferat korruptive të familjes “Berisha”

Nuk ka nevojë për koment fakti, që ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi dhe instaloi në zyrat e larta të pushtetit të tij të viteve 2005-2013, gjithë krerët e kupolës së shërbimit famëkeq të SHIK-ut të viteve 1992-1997. Të larguar jashtë vendit prej krimeve të tyre, të bëra gjatë pushtetit presidencial të piramidave “Berisha-Sude”, krerët e SHIK dhe “jeniçerët” e tyre në mbarë vendin u njoftuan e u rekrutuan përsëri prej Sali Berishës në pushtetin e tij të dytë. Të pajisur me nga një copë “letër pafajësie” të dhënë prej gjyqtarëve të “plepave” të Berishës me urdhër të Berishës dhe me “sigurinë e paprekshmërisë” prej ligjit nën mbrojtjen e pushtetit të “duarve të pastra”, ata u graduan në kupolën e pushtetit të Berishës. Nuk ishte rastësi, që në vitin 2005 Sali Berisha i ktheu eksponentët më të “zinj” ish-drejtues të SHIK në krye të pushtetit. Me ta, ai mbajti me dhunë, krime e trafiqe të pushtetit sadist të viteve 1992-1997. I kishin shërbyer deri në mënyrë gjakësore ndaj kundërshtarëve politikë, ndaj mediave opozitare, ndaj kujtdo që nuk hidhtë “vallen” e pushtetit të Saliut në kohën e piramidave. Të parët që Sali Berisha solli në Shqipëri nga ekzili, ishin: Bashkim Gazidede, Agim Shehu, Flamur Gjymishka, Arben Sefgjini, Gjergj Lezhja, Arben Ibro dhe mbi 100 shikas të tjerë në pushtetin qendror dhe afro 1000 shikas në pushtetin lokal nëpër prefektura, të cilët kishin shërbyer në dispozicion të krimeve të pushtetit vandal të sadistit Sali Berisha, i cili në vitet 1992-1997 kishte uzurpuar dhe përdorte për qëllimet e sundimit të tij, gjithë pushtetet. Në shpërblim të shërbimeve të kryera, Sali Berisha i riktheu eksponentët e SHIK-ut famëkeq, përsëri në pushtet. Me këto monstra krimi, Sali Berisha ndërtoi pushtetin e tij dhe kupolën e administratës publike në vitet 2005-2013, duke i shpërndarë ata në krejt strukturën e pushtetit e të PD. Nuk mbeti zyrë qeveritare, shërbimesh publike dhe drejtori qendrore e lokale, që nuk pati si drejtues e mbikqyrës krerë shikas të viteve 1992-1997, të besuar të kryeshikasit Sali Berisha. Në çdo institucion, zyrat u mbushën me emrat e mirënjohur të listë-borderosë së SHIK-ut të viteve 1992-1997. Afro 40% e tyre u graduan në poste kyçe në administratën e lartë shtetërore, madje deri në zyrat e arsimit, të shëndetësisë, prefekturave, qarqeve, bujqësisë, burgjeve, bashkive e komunave që ende i komandon PD-ja në çdo rreth. Për më tepër, shikasit e kohës së piramidave u graduan dhe “desantuar” deri në zyrat e Ministrisë Jashtme në selitë diplomatike me detyra të larta, në zyrat të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes, në zyrat e NATO, të Arsimit, të Bujqësisë, të Integrimit, të Kuvendit, të SHISH, të presidencës, të KLD, të licencave, të noterisë e avokatisë. Madje ata janë vendosur deri edhe në përfaqësitë speciale të shërbimeve shqiptare në botë të BE, OKB, KiE, OSBE, madje edhe në Vatikan e Pentagon.


Zyrat e qeverisë “Berisha”, 
me të besuar të SHIK të Berishës

Në krejt administratën publike e atë politike të PD, janë rikthyer 840 ish-shikas. Në çdo institucion, nëpunësit e dinë mirë që ata janë vendosur aty me urdhër të Sali Berishës, si shërbëtorë të tij në çdo lëvizje që bën Berisha për të përdorur, mbrojtur apo uzurpuar pushtetet. Bashkë me ta, Sali Berisha ka rikthyer si “forcë aktive” të gatshme për çdo situatë shërbimi edhe ish-kryepolicë e “kalecë” të policisë sekrete të ish-pushtetit të viteve 1992-1997. Këta janë emra të njohur të asaj policie, që së bashku me SHIK-un e Gazidedes, dihet se çfarë zullumesh e krimesh makabre kanë bërë ndaj shqiptarëve, intelektualeve, biznesmenëve, artistëve, gazetarëve e opozitës. Të rikthyerit me porosi e urdhër të Berishës dhe të graduar po prej tij në zyrat dhe postet qeveritare, janë të shumtë. Psh, janë 24 inspektorë në hipotekë në qendër, 13 në Tiranë dhe 72 në rrethet e vendit. Janë 113 ish-shikas, drejtorë shkollash. Janë 92 ish-shikas drejtorë drejtorie në qendër e prefektura. Në ushtri janë graduar 204 ish-shikas. Në diplomaci janë emëruar 203 ish-shikas me poste të larta, deri në konsuj e shefa auditimi, apo drejtorë të nivelit të lartë.


Gazidede, 
krye-banditi i SHIK 
që kryente dhe zhdukte krimet e Berishës

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Sali Berishës. Ideuesi dhe zbatuesi i gjithë dhunës fizike e psikologjike, që piketonte dhe urdhëronte Sali Berisha kundër medias, opozitës, biznesit, administratës e kujtdo që urdhëronte Berisha në ato vite pushteti absolut. Në vitin 1997, arratiset nga Shqipëria dhe kthehet në vitin 2005, kur gradohet shef i hipotekave. Prononcohet në media për ngjarjet e vitit 1997, i cilëson ato si skemë e shërbimeve sekrete serbe e greke. Befas sëmuret rëndë. Me urdhër të Sali Berishës dhe shpenzimet e qeverisë “Berisha”, çohet urgjent për kurim në Itali. Ndahet nga jeta në një spital provincial napolitan në Itali, nga e njëjta sëmundje që u ndanë dhe Zhulali, Arbnori e Spahia. Nderohet me homazhe prej Sali Berishës dhe PD, vlerësohet si një nga zyrtarët më të shquar të vendit. Aktiviteti i tij kriminal në shërbim të pushtetit “Berisha” përfshin gjithë shoqërinë shqiptare, që nga zyrat e pushtetit, të politikës e deri tek jetët familjare të shqiptarëve. Ai sulmoi, përçau, dhunoi fizikisht e burgosi ish-të përndjekurit politikë, të cilët kërkonin drejtësi e të drejta sociale prej pushtetit mashtrues “Berisha”. Ai sulmoi dhe shkatërroi mediat e pavarura e ato opozitare, duke rrahur, gjymtuar, kërcënuar e burgosur gazetarë dhe djegur gazeta, shtypshkronja e redaksi gazetash. Ai dhunoi mësuesit, duke u kërkuar atyre të mbyllnin gojën e të mos dilnin në protesta sociale-ekonomike. Ai plaçkiti, dhunoi e zhduku biznesmenë. Ai sulmoi dhe shkatërroi sindikatat. Ai organizoi dhe komandoi e shfrytëzoi për interesa e pushtetit “Berisha” firmat piramidale. Në vitin 1997, kur shqiptarët iu vërsulën pushtetit kriminal të Sali Berishës për shkak të grabitjes që ky dhe banda e tij u bëri me piramidat financiare, Sali Berisha e gradoi famëkeqin “simbol të urrejtjes” popullore Bashkim Gazidede, gjeneral të ushtrisë, të policisë e të pushtetit të degraduar. Në vijim të shërbimeve kriminale ndaj sundimit të Sali Berishës, bashkim Gazidede iu vërsul popullit me 1300 shikas, me 20 mijë ushtarë, me 10 mijë policë dhe me 600 skënderbegas e më afro 4000 rekrutë të moshës 17-60 vjeç, të cilët i mobilizoi me pagesë, si kontigjent ete besuar të sadistit Sali Berisha, i cili prej 6 muajsh u struk e u ngujua beda presidencës, nga frika se mos populli siç e ka deklaruar vetë ai, e “shkonte në hell” për krimet që kishte bërë në 5 vite pushtet.


Ilir Kumbaro

Eksponent kriminal. I akuzuar, i gjykuar dhe i dënuar me prova si rrëmbyes, masakrues dhe zhdukës i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Një nga figurat më të zeza të SHIK të Bashkim Gazidedes. Njihet si përbindësh kundër medias, kundër biznesit, kundër opozitës, kundër inteligjencës, kundër kujtdo që skedohej prej pushtetit kriminal Berisha, si kundërshtar i pushtetit të viteve 1992-1997. Nuk ndalej përballë asnjë krimi. Zbatonte çdo urdhër të kryeshikasit kriminel e sadist Bashkim Gazidede. Në vitin 1997 arratiset prej frikës së krimeve që kishte bërë. Ndërron identitet dhe jeton me trajtim social në Londër. Zbulohet prej shërbimeve sekrete angleze dhe vihet përballë akuzës e gjykimit si rrëmbyes, masakrues dhe zhdukës i Remzi Hoxhës. Nuk u kthye në Shqipëri edhe pse kishte 20 oferta prej padronit të SHIK, Sali Berisha, për të ardhur në pushtetin e PD në vitin 2005.


SHIK 1992-1997, 
kontroll mbi trafiqet dhe krimet 
e pushtet-familjes “Berisha”

Programi i SHIK i viteve 1992-1997, i drejtuar prej vandalit të pamëshirshëm Bashkim Gazidede në vitet 1992-1997, kishte vetëm 1 objektiv: Dhunë, reprezalje, pranga, burgosje, gjymtim fizik, rrëmbim, përdhunim e zhdukje fizike të kujtdo që shprehej kundër pushtetit të Sali Berishës, ose që denonconte publikisht krimet e atij pushteti piramidal. Nuk mbeti medie, biznes, intelektual, gazetar e qytetar shqiptar, madje edhe kosovarë e të huaj, që nuk u bën viktimë e SHIK, i cili vepronte si një “bandë” rruge e maskuar pas mantelit të shërbimit shtetëror. Në vitin 1997, pasi Sali Berisha e përdori banalisht e barbarisht SHIK, horrat e këtij shërbimi, që nga kreu Bashkim Gazidede, pas futën në luftë civile oficerët e këtij shërbimi, ia mbathën jashtë vendit. Prej 8 vitesh, ata jetuan në “ekzil krimesh” dhe pas rikthimit të PD në pushtet, me një listë preferenciale si mirënjohje për shërbimet e kryera në vitet 1992-1997, Sali Berisha i riktheu ata në pushtetin e viteve 2005-2013, duke i graduar si shefa në SHIK, si shefa në drejtësi, në diplomaci, në ekonomi, në financa, në polici, në ushtri madje edhe si drejtues në burgje, hipoteka,. arsim e shëndetësi. Këta nuk ishin kontingjente nëpunësish që u futën në administratë me konkurim për meritokraci, por ishin kontingjente krimi të SHIK-ut të Bashkim Gazidedes. Ata u mobilizuan sërish prej Sali Berishës, me në krye gjeneralin famëkeq Bashkim Gazidede, emër dhe veprimtari e cila nuk do të dalë kurrë nga kujtesa e shqiptarëve as për 1 milion vjet. Po ku kanë shërbyer shkasit e Gazidedes në vitet 2005-2013? “Kolonelët e zinj” të SHIK të viteve 1992-1997, nuk u aktivuan as rastësisht, as për “mëshirë” prej Sali Berishës në pushtetin e viteve 2005-2013. Ne bëmë një investigim emrash në strukturat e administratës publike të pushtetit “Berisha” dhe konstatuam, se ish-shikasit e viteve 1992-1997 gjenden kudo ku ka përfaqësim pushteti i Berishës. Ata janë shpërndarë sipas një “harte” të mirë-organizuar në çdo qelizë dhe kupolë të institucioneve. Ata kontrollojnë ekonominë, policinë, ushtrinë, SHISH dhe pasuritë kombëtare, postet politike e ato ligjvënëse. Sipas bisedave me punonjës të institucioneve të shtetit e të pushtetit, mësuam se ata nuk janë vendosur aty as rastësisht, dhe as thjeshtë si rrogëtar, apo titullarë formalë, por si “syri” dhe “veshi” i kryeministrit Sali Berisha.


Në polici 610 shikas,
156 drejtorë e shefa shërbimesh

Po të shikosh listë organikën e policisë së shtetit, konstaton se brenda saj janë punësuar 610 ish-shikas të viteve 1992-1997,. Ata kanë nisur punë që ditën e parë të marrjes së pushtetit prej Sali Berishës në vitin 2005 dhe vazhdojnë ende të jenë në ato zyra, madje fuqiplotë edhe pse pushteti “Berisha” ka rënë që në 23 qershor 2013. Janë ish-shikas që kanë bërë krime të rënda, që kanë bërë represion mbi intelektualët, mbi qytetarët, mbi mediat, mbi bizneset. Këta punojnë në sektorët kryesorë të Policisë së Shtetit, jo si policë të thjeshtë, as inspektorë të rëndomtë, por si shefa e drejtorë shërbimesh në qarkullimin rrugor, në zyrat e antitrafikut, në zyrat e krimit ekonomik, në zyrat e krimit njerëzor. Ata faktikisht nuk janë rrogëtarë, por janë kontrollues e menaxhues të trafiqeve e krimeve që organizon kupola e policisë e shtetit. Nga 610 shikasit, 156 janë drejtues të lartë, e të mesëm të shërbimeve të policisë së shtetit. Ata janë syri dhe veshi i Sali Berishës. përgjojnë, bëjnë presione, kontrollojnë e organizojnë çdo veprim kriminal.

Në ushtri 140 shikas,
57 drejtues të lartë në kupolën e Ministrisë

Në ushtri janë futur me urdhër të Sali Berishës 140 shikas të Gazidedes, të kthyer në vitin 2005 prej ekzilit, pasi ikën në vitin 1997 prej krimeve të kryera. Ata janë vendosur e graduar në detyra të larta, madje edhe me grada kolonelë e gjeneral. Epiqendra e tyre e shërbimit ndaj Sali Berishës është në kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ të Ushtrisë. Ata kontrollojnë dhe përgjojnë gjithçka në ushtri për llogari të Sali Berishës. Menaxhojnë trafiqet e armëve e krimet ekonomike brenda ushtrisë, ndërkohë që kërcënojnë zërat që tentojnë të denoncojnë këto krime.


Në Hipotekë 110 shikas,
30 janë drejtues

Në hipotekën e Shqipërisë në gjithë linjën e saj janë futur me urdhër të Sali Berishës 110 shikas të Gazidedes, 36 prej të cilëve janë drejtues të lartë në kupolën e hipotekës qendrore, të Tiranës e të rretheve. Detyra e tyre është të kontrollojnë dhe menaxhojnë grabitjen e pronave të shqiptarëve, përgjimin e administratës së hipotekës dhe përpunimin e dokumentacionit të pronave të shqiptarëve, në interes të kupolës së pushtet-familjes “Berisha”. Një nga drejtorët e hipotekës ka qenë vet Bashkim Gazidede, i graduar në këtë detyrë prej Sali Berishës.


Në diplomaci,
200 shikas,
54 janë diplomatë e drejtorë shërbimesh

Edhe diplomacia shqiptare është mbushur me ish-shikas të bashkim Gazidedes. Brenda diplomacisë shqiptare në Tiranë e jashtë në selitë diplomatike dhe përfaqësuesit e shërbimeve të tjera janë punësuar 200 shikas, 54 prej të cilëve janë shefa diplomacie shërbimesh dhe madje ambasadorë. Detyra e tyre është të kryejnë shërbime në favor të pushtetit Berisha, të survejojnë dhe përpunojnë informacione agjenturore.

Detyrat ligjore të SHISH

Me Ligjin nr. 9322, datë 25.11.2004 është miratuar Strategjia e Sigurisë Kombëtare në Republikën e Shqipërisë (SSK). Kjo Strategji përfaqëson tërësinë e instrumenteve shtetërore që sigurojnë mbrojtjen e qytetarëve, të shoqërisë dhe të Shtetit Shqiptar nga kërcënimet dhe rreziqet, e jashtme dhe të brendshme. Tipar themelor i SSK-së është respektimi i shtetit ligjor dhe kthimi i Shqipërisë nga një vend që ka konsumuar siguri në një vend që kontribuon në siguri. SHISH-i ka rol të drejtpërdrejtë në misionet themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë këto:

1.   Ushtrimi i sovranitetit të Republikës së Shqipërisë

2.   Mbrojtja e pavarësisë dhe integritetit territorial

3.   Mbrojtja e jetës dhe e pasurisë

4.   Zhvillimi i pandërprerë demokratik dhe prosperiteti ekonomik

5.   Mbrojtja e dinjitetit dhe vlerave kombëtare

6.   Paqen e sigurinë në vend

7.   Bashkëpunimin rajonal

8.   Konsolidimin e shoqërisë demokratike dhe të drejtave të njeriut

9.   Konsolidimin e institucioneve dhe instrumenteve të sigurisë

10. Integrimin në strukturat evropiane

11.  Mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore

12.  Luftën kundër terrorizmit

13.  Luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

14. SHISH-i vlerësohet si kontribues në sigurinë për qytetarët, shoqërinë dhe shtetin, brenda vendit, si dhe në Rajon e më gjerë

15.  Misioni dhe detyrat e SHISH

16. Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) është një organ informativ i Republikës së Shqipërisë. Misioni i tij parësor është Siguria Kombëtare. SHISH vepron në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Shqipërisë.

17.   SHISH siguron informacionin e domosdoshëm nga Zbulimi dhe Kundërzbulimi për problemet që lidhen me Sigurinë Kombëtare. Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti, janë parimet bazë të punës.


SHISH mbledh informacion

1.    Për kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare

2.    Për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe rendit kushtetues

3.    Për terrorizmin

4.    Për prodhimin dhe trafikun e narkotikëve

5.    Për prodhimin e armëve të dëmtimit në masë

6.    Për krimet kundër mjedisit


Drejtuesit e SHISH, në vite

•    Data 01.08.1991, deri 29.06.1992 Irakli Koçollari

•    Data 29.06.1992 deri 09.04.1997 Bashkim Gazidede

•    Data 09.04.1997 deri 29.05.1997 Astrit Kodra (me komandim)

•    Data 29.05.1997 deri 21.08.1997 Arben Karkini

•    Data 21.08.1997 deri 07.08. 2002 Fatos Klosi

•    Data 07.08. 2002 deri 18.11.2002 Petrit Myftari (me komandim)

•    Data 18.11.2002 deri 27.01.2005 Kujtim Hysenaj

•    Data 27.01.2005 deri 09.08.2012 Bahri Shaqiri

•    Data 09.08.2012 e në vazhdim Visho Ajazi Lika 


Nga: Përparim Halili



*   *   *