Më 1 Nëntor të këtij viti qeveria shqiptare ka bllokuar licencën e kompanisë “Albchrome shpk”. Në dukje vendimi i ngjan një aksioni rutinë administrativ, por ky vendim i qeverisë në të vërtetë, përbën një ndërhyrje tepër të rëndësishme në tregun e kriminalizuar të minierave të kromit. Kompania në fjalë është në pronësi të biznesmenit Samir Mane dhe përfaqëson koncesionarin më të madh i shfrytëzimit të minierave në vendin tonë. Një shkresë e firmosur nga ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri më 1 Nëntor, ka sjellë “pezullimin e pjesshëm” të kontratës koncesionare që e gëzon Samir Mane dhe pezullimi përfshin zonën me të rëndësishme dhe njëherësh më problematike të koncesionit, zonën “D”. Janë galeritë dhe minierat e kësaj zone që koncesionari i ka dhënë me nënkontraktim në disa raste që kanë sjellë dhe përplasjet e famshme që në shumë raste kanë sjellë pasoja dhe në jetë njerëzish.
Samir Mane dhe Sali Berisha
Arsyet e një bllokimi
Ka dy shtysa të rëndësishme që kanë sjellë këtë masë të qeverisë ndaj koncesionit. E para është situata tejet abuzive financiare e shkaktuar nga detyrimet e papaguara të koncesionarit. Samir Mane e bleu koncesionin në fjalë tek –shpronari në fillim të këtij viti. Por përveç mineraleve të çmuara Mane bleu dhe detyrimin për të kryer investime dhe për të stabilizuar situatën dhe infrastrukturën në këto galeri. Një kontroll i nisur nga ministria në muajin Tetor 2013, zbuloi se galeritë kishin probleme serioze dhe mangësi të mëdha. Nga ana tjetër bilancet e kompanisë së Manes flasin për mangësi serioze në kryerjen e investimeve që koncesionari është zotuar ti përmbushë në kontratën ekskluzive me shtetin shqiptar. Arsyeja e dytë lidhet me orientimin politik të qeverisë: Situata në Bulqizë duhet të ndryshojë. Aktualisht Bulqiza përfaqëson një zonë tepër delikate ku përplasen dhe ushtrojnë ndikimin e tyre disa grupe interesi që janë sidomos të lidhura me qeverinë Berisha, ekuilibri i forcave mes këtyre grupeve të interesit ka qenë gjithnjë i vështirë për tu mbajtur pasi kompanitë kanë operuar si “xhandarë të kromit” dhe kanë respektuar shumë pak ose aspak standardet minimale gjatë ushtrimit të aktivitetit. Me pezullimin e licencës ndaj Samir Manes në zonën “D”, paraprakisht qeveria fiton kohë, për të hetuar me qetësi situatën dhe për të vendosur më pas se si do e zgjidhë. Por ndërsa qeveria ka bërë pezullimin, rezulton se biznesmeni Mane nuk ka ndejtur duarkryq. Arsyet lidhen pikërisht me këtë vendim që boton ekskluzivisht sot “DITA”.
Tentakulat e biznesmenit
Ndonëse vendimi për pezullimin e kontratës koncesionare të Manes në zonën “D” të Bulqizës është një vendim me rëndësi të dorës së parë në biznesin milioner të kromit në Shqipëri, qeveria nuk ka bërë publike këtë aksion të sajin. Një burim i mirinformuar i tha dje gazetës “DITA” se zyrtarë shtetërorë “nën ndikimin e Samir Manes”, janë përpjekur të shmangin bujën mbi këtë veprim dhe ti japin Manes avantazhin për t’i vënë kapak këtij problemi. “Nëse një aksion i tillë i qeverisë për pezullim dhe bllokim aktiviteti kalon në heshtje dhe nuk bëhet publik, atëherë biznesmeni i bllokuar e ka më të lehtë që nën rrogoz të luajë të gjitha fijet e tij të influencës dhe të kthejë mbrapsht këtë vendim. Mos publikimi i kësaj mase mund t’i ketë krijuar të tilla avantazhe Manes ndërkohë”, – tha dje një zyrtar shtetëror i mirinformuar për çështjen.
Si u bë Mane pronar
dhe
problemet e zonës “D” në Bulqizë
Në cilësinë e drejtuesit të “Balfin Group” Samir Mane ka blerë aksionet në Shqipëri të kompanisë “Albanian Chrome”(ACR) ndërsa transaksioni në fjalë është konfirmuar nga një njoftim zyrtar nga Autoriteti i Konkurencës. Sipas këtij njoftimi më datën 17 Janar 2013, në bazë të “Marrëveshjes për blerjen dhe shitjen e Abanian Chrome Sh.p.k”, të nënshkruar ndërmjet palëve “Balfin Sh.p.k” në cilësinë e blerësit dhe “DCM DECOmetal GmbH” -“DCM Beteilinungs GmbH” në cilësinë e shitësve me objekt përftimin e kontrollit të shoqërisë Albanian Chrome Sh.p.k nga shoqëria Balfin Sh.p.k nëpërmjet transferimit të 100% të kuotave. “Albanian Chrome” është kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në 2011, sipas të dhënave nga tatimet, me një rënie të lehtë me bazë vjetore, pasi shënoi nëj vit të vështirë me aksidente dhe grevat e punonjësve, që çuan në mbylljen e minierës për disa muaj.
Një mogul në xhungël
Gjashtë muaj përpara se qeveria e Berishës të humbte zgjedhjet, Samir Mane, me mbështetjen e veçantë të Berishës u bë zyrtarisht “moguli i minierave të kromit”. Nuk ishte pak. Këto miniera kromi që Mane mori me koncesion në fakt janë miniera leku. Por që kanë dhe “bishtin” nga pas. Sektori minerar është një ndër më fitimprurësit në Shqipëri, por të operosh dhe të mbijetosh në këtë sektor nuk është një fjalë goje. Situata në Bulqizë dhe rrotull saj, atje ku shtrihen galeritë më të majme, është kthyer në një xhungël dhe për degradimin e kësaj situate ka disa faktorë që kanë pasur një rol kyç në të gjithë këtë histori.
Faktori i parë është ai shtetëror. Ky faktor ka “dhënë kontribut” për të krijuar xhunglën e kromit kryesisht në dy drejtime:
1. Duke dhënë licenca dhe të drejta për shfrytëzim të galerive në kompani që nuk janë të specializuara në sektor por që kanë lidhje me zyrtarët shtetërorë.
2. Duke futur në mënyrë arbitrare në lojë biznesmenë të lidhur me qeveritarë ose zyrtarë shtetërorë në galeri të ndryshme duke shkaktuar konflikte serioze me shumë pronarë tokash në Bulqizë, të cilët kanë pronësi mbi trojet ku shtrihen galeritë.
Këto dy faktorë kanë qenë tejet të rëndësishëm, pasi pronarët nga Bulqiza mobilizoheshin për të gjetur të drejtën e tyre dhe për të përfituar pjesën e tyre nga shfrytëzimi i kompanive private, ndërsa nga ana tjetër, kompanitë e favorizuara pajtonin “të fortë” për të ndalur ndërhyrjet nga pronarët e tokave. Rastet e përplasjeve janë të shumta dhe shtysat nga më të ndryshme, por në thelb gjithnjë ka qenë konflikti mes bizneseve të favorizuara dhe pronarëve të tokave në Bulqizë. Faktori i dytë që ka ndikuar në krijimin e xhunglës ka qenë koncesionari i shumëpërfolur që tashmë është në pronësi të Samir Manes.
Konfliktet
Kompania e Manes ka në shfrytëzim minierat dhe galeritë kryesore, por në bazë të kontratës koncesionare, në atë që quhet “seksionin D” i galerive, shteti i ka njohur të drejtën dhe operatorëve më të vegjël që të shfrytëzojnë burime të caktuara brenda këtij seksioni. Këtu kanë lindur dhe konfliktet mes koncesionarit dhe operatorëve në këtë seksion.
Konfliktet kanë qenë të larmishme, madje shpesh janë shënuar dhe incidente të rënda me pasojë vdekjen e shumë qytetarëve ose minatorëve në galeritë e “seksionit D” për shkak se kompanitë e licencuara për të punuar aty nuk përmbushnin kriteret teknike dhe shpesh galeritë zinin poshtë dhe vrisnin mineral-kërkuesit.
Nga ana tjetër një pjesë e kompanive të vogla që vepronin në “seksionin D” shpesh janë mbështetur nga struktura të policisë për të kontrabanduar sasinë e mineralit të nxjerrë dhe për të shumëfishuar fitimet për shkak të shmangies dhe deklarimit të rremë të sasive pranë autoriteteve doganore. Një vit e gjysmë amë parë një ish-drejtues i lartë i policisë, i quajtur Shemsi Prençi, akuzoi publikisht dhe me fakte implikimin e biznesmenëve të njohur dhe zyrtarëve të lartë të policisë në këtë rrjet kontrabande që sillte miliona euro fitime, por ishte Prençi ai që u penalizma duke u shkarkuar nga të gjitha funksionet dhe duke u izoluar.
Loja ishte shumë më e madhe se trimëria e Prençit. Interesat shkonin deri në rangjet më të larta qeveritare. Brenda kësaj pakete të ngatërruar interesash do të duhej të operonte dhe koncesionari i Samir Manes, por që prej vitit 2001, ky koncesionar nuk ishte në rregull me hesapet dhe detyrimet e veta ndaj shtetit, pasi nuk realizonte dot investimet që kishte marrë përsipër në kontratë. Ndaj në këmbim shteti mbyllte njërin sy për borxhet dhe koncesionari ja shpërblente shtetarëve në të njëjtën mënyrë kur vinte puna për të pranuar miqtë e qeveritarëve të punonin në “seksionin D” të këtyre minierave.
Për pasojë historia e interesave, të drejtave, borxheve, bizneseve, koncesionarit, qeveritarëve, shefave të policisë, pronarëve dhe kontrabandës së kromit, u shndërrua në një xhungël që pjell në mënyrë të përsëritur vetëm konflikte. Nëse s’do ishte Samir Mane, do ishte dikush tjetër, por e sigurt është se cilido që do të operojë me koncesionin në këto kushte dhe në këtë xhungël, përveç milionave duhet të presë dhe “dhimbjet e kokës”.
Bulqiza është shndërruar në një vend surreal, të ngjashëm me filmat me kaubojsa , një xhungël e vështirë, aq më tepër e vështirë për biznesmenë që janë mësuar ti zgjidhin punët me telefon nga Tirona.
Policia bllokon kamionët me krom
në Bulqizë
Policia në Bulqizë bllokon kamionët e kromit. Prej tre ditësh dhjetëra kamionë të ngarkuara me krom nga minierat Bulqizës janë ndaluar nga patrullat policore të cilat detyrojnë bizneset që kromi i nxjerrë nga galeritë e veriut të peshohet jo më në Durrës siç ka ndodhur deri tani, por në Qafë Buall.
Madje një tjetër pretendim i Policisë është që në faturën e shoqërimit të jetë dhe çmimi i kromit, çmim që përcaktohet nga cilësia e kromit. Por të dyja këto pretendime të policisë cilësohen të pavenda nga ana e biznesmenëve.
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!