July 14, 2014

Germany World Cup Champion Over Argentina (photo & video)




Mario Gëce vjen nga stoli dhe shënon gol, duke thyer murin e pakalueshëm argjentinas për 112 minuta lojë. Gjermania fiton Botërorin e katërt në historinë e vet, ndërkohë që milionat e tifozëve e saj anekënd botës, kanë shpërthyer. Bashkë me to edhe kancelarja Merkel, e pranishme në stadium.



“Countdown” i fillimit të finaleve të Kupës së Botës shkoi kësisoji drejt fundit të tij. Beteja vendimtare u zhvillua në agonizëm të plotë në “Maracana”, në Rio de Zhaneiro, ku festa filluar me ceremoninë përkatëse tri orë përpara se kryesori Nikola Rizoli t’i frynte bilbilit për fillimin e pëplasjes titanike, Argjentinë-Gjermani, e mbyllur me fitoren minimale të kësaj të fundit. Kombi i Lionel Mesit, krejt në hije në këtë ballafaqim, dështoi të fitonte titullin e tretë (dy i ka fituar më 1978 dhe 1986), ndërsa “pancerat” gjermanë ngritën në duar titullin e katërt botëror, pas atyre të arkivuar më 1954, 1974 dhe 1990

GJERMANI-ARGJENTINE  1:0

Golat: Gotze 112′
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, J.Boateng, B.Höwedes, M.Hummels, B.Schweinsteiger, M.Özil, C.Kramer (A.Schürrle 30′), T.Kroos, M.Klose, T.Müller. Trajner: J.Loev
ARGJENTINA: S.Romero, M.Demichelis, P.Zabaleta, E.Garay, M.Rojo, J.Mascherano, L.Biglia, E.Pérez (F.Gago 86′), L.Messi, G.Higuaín (R.Palasio 78′), E.Lavezzi (S.Aguero 46′). Trajner: A.Sabella
Gjyqtare: N.Rizzoli, R.Faverani, A.Stefani
Kartonë të verdhë: Shvajnshtaiger 29′, Höwedes 34′ / Maskerano 64′, Aguero 65′

Pjesa e parë:


Me një lëvizje surprizë në momentin e fundit, që ka ndryshuar edhe formacionin e publikuar zyrtar, e ka nisur ndeshjen Gjermania. Nuk luan prej fillimit Khedira, por Kramer. Pjesa tjetër e skuadrës së “pancerave” është e njëjta me atë që triumfoi në gjysmëfinale ndaj Brazilit. Po ashtu, pa asnjë ndryshim paraqitet edhe Argjentina, teksa Di Maria i dëmtuar qëndron në stol. Loja është e zjarrtë që në fillim. Gjermanët përpiqen të vendosin diktatin që në start, teksa e nisin me një goditje dënimi në pozicion të favorshëm në minutën e 2-të. Ekzekutim i dobët. Kundërpërgjigjen me një kundërsulm të shpejtë “albiceleste”, që finalizohet jo saktë nga Higuain. Topi kalon pak jashtë portës së Nojerit. Skuadra e Lëvit është e vendosur thuajse në gjysmëfushën e kundërshtarit, ku vija e saj mbrojtëse është dukshëm e spostuar përpara. 
Eshtë e qartë: përmes presionit gati asfiksues, gjermanët duan ta zhbllokojnë sa më shpejt rezultatin e ndeshjes dh eta fusin kundërshtarin në ngërc psikologjik. Argjentina është e detyruar dhe orientuar të mbrohet, por pa harruar të kundërsulmojë. Kështu bën Mesi në minutën e 9-të, kur merr krahun e djathtë të sulmit të të tijve dhe futet në zonën gjermane, pason paksa pas te pika e penalltisë, por shokët e skuadrës nuk e mbështesin. Mbetet në sulm skuadra e Sabejës, që pak e nga pak mendon të dalë nga llogorja në prapavijë, më forca të shumta. Me pak pasime të sakta, argjentinasit dalin mjaft rrezikshëm para portës së Nojerit. 


Shvajnshtaiger nuk i ndahet kurrkund Mesit, duke qenë një roje personale e yllit të Barcelonës, përvec mbrojtjes zonale që ushtrojnë gjermanët ndaj tij. Numri 10 i Argjentinës duket shumë i tendosur, ndryshe nga sfidat pararendëse në këtë Botëror, kur ka lëvizur pak. Eshtë ndeshja e jetës për të, ndaj i shkarkon të gjitha bateritë, ashtu si shokët e tjerë të skuadrës. Interesant është edhe dueli Tomas Myler-Rojo. 
I pabesueshëm momenti i Higuainit në minutën e 21-të, kur merr një asist nga mbrojtja gjermane, që bën gafë në këtë moment. Sulmuesi i Napolit është i vetëm me Nojerin, por e dërgon topin në mënyrë të pabesueshme dhe amatoreske, jashtë kudratit. Rast i artë për Argjentinën, foshnjarak mënyra e veprimit dhe finalizimit të Higuain. Në minutën e 27-të Lahm fut një top pas krahëve të mbrojtjes argjentinase për të Myler, por ky i fundit zihet në pozicion jashtë loje. Kundërpërgjigjet Argjentina, por Lavezi pengohet në mënyrë të parregullt. Kartoni i parë i verdhë i ndeshjes shkon për Shvajnin, në minutën e 29-të. Një minutë më pas Higuain shënon në portën e Nojerit, por anësori anulon gjithcka për pozicion jashtë loje. Përmes kundërsulmit, amerikano-jugorët janë tepër të rrezikshëm, e bëjnë të vuajë mbrojtjen gjermane. Kramer dëmtohet dhe zëvendësohet në minutën e 30-të me Shyrlen. Höwedes merr kartonin e dytë të verdhë në minutën e 34-t, pas një ndërhyrjeje të egër ndaj kundërshtarit. Duket disi e tensionuar Gjermania pas minutës së 30-të, kur u detyrua të bëjë një zëvendësim të detyruar. Kanë parë rreziqe tepër të mëdha në portën e tyre, por edhe mbrojtja e “pancerave” luan shumë hapur. Ajo cahet nga Laveci dhe Higuain disa herë, por lojtarët argjentinas gabojnë në momentin final, për të realizuar. Shyrle teston gadishmërinë e portierit Romero me një goditje ballore, edhe pse më parë është zënë në pozicion jashtë loje. Tjetër mundësi e artë e Argjentinës në minutën e 40-të, por fati nuk është me ta. Shpërdorojnë në mënyrë të pabesueshme të besuarit e Sabejës, që kanë marrë lojën në dorë tashmë dhe përmes driblimesh individuale arrijnë ta corientojnë e nervozojnë kundërshtarin. Pjesa e parë mbyllet me një shtyllë të Hëvedes, por anësori ka sinjalizuar pozicion jashtë loje më parë. Betejë e vërtetë, sulme e kundërsulme, raste të pastra për shënim, por gol nuk ka në 45 minutat e para.


Pjesa e dytë:

Nis me një zëvendësim tek Argjentina. Aguero hidhet në lojë në vend të Lavecit. Mendon më shumë për sulmin tashmë Sabeja, teksa dihet se pa shënuar gol s’mund të fitohet një finale. Lëv vijon me ata që mbyllën pjesën e parë. E nis sërish me rast të humbur skuadra “albiceleste”. Leo Mesi nuk është në gjendje të realizojë në minutën e dytë të kësaj pjese, teksa gjendet në pozicion ballor me Nojer. Ylli i Barcelonës vijon zhgënjimin, duke qenë në hije si gjithë këtë Botëror. Mbrojtja gjermane vijon të shfaqë pasiguri të dukshme, por fatmirësisht për ta në këtë situatë janë edhe sulmuesit kundërshtarë. 

Neuer & Higuain

Nojer korrigjon gabimet e prapavijës së të tijve me daljet e guximshme, sikurse bën në minutën e 57-të ndaj Higuainit, që e përplas përtokë, në një mënyrë shumë të rrezikshme. Argjentinasit kontestojnë arbitrin italian, i cili nuk jep asgjë, por vazhdon lojën. Klose kryen goditjen e parë në portën e Romeros për pjesën e dytë në minutën e 60-të, por pa ndonjë rrezik për portën kundërshtare. Iniciativën e kanë sërish “pancerat”, por nuk kanë atë befasinë dhe grintën e ndeshjeve të kaluara. 

P.S. Shiko videon
Duket njëfarë lodhje fizike te skuadra e Lëvit, edhe tension e ngarkesë e madhe psikologjike, por meritë ka po ashtu kundërshtari, mjaft mirë i vendosur në fushë taktikisht. Shyrles i del një rast ideal pas karombolit të topit mes mbrojtësve argjentinas, por lojtari gjerman nuk finalizon dot. I shpejtë në ndërhyrje portieri Romero. Sabeja bën zëvendësimin e dytë në minutën e 78-të. Ndërrim kokë për kokë në sulm, Higuain-Palasio. Argjentina tenton të shfrytëzojë shpejtësinë e sulmuesit të Interit në minutat e mbetura për ta fituar ndeshjen me “fotofinish”. Rrit ritmin edhe Gjermania, që me Toni Kros i afrohet golit nëntë minuta para mbarimit të kohës së rregullt. “Albicelestët” kryejnë edh zëvendsimin e tretë në kohën e rregullt, pak minuta nga fundi. Gago zë vendin e Perez. Edhe Klose lë ndeshjen pa mbaruar koha e rregullt, teksa Lëv beson te talenti Gëce në kohën shtesë. Kjo, pasi koha e rregullt nuk nxjerr dot në dritë golin e shumëdëshiruar.


Koha shtesë:

Nis me një mundësi shumë të mirë të gjermanëve, që silurojnë portën argjentinase, por Romero grushton mrekullisht. “Flakë për flakë” përgjigjet Aguero, që në pozicion disi të prirët me portën e Nojerit godet tokazi, por pa kolaudimin e duhur. Skuadrat mendojnë më shumë të mos pësojnë tashmë, ndërsa gjermanët vijojnë ta mbajnë të gozhduar kundërshtarin në gjysmëfushën e vet. Skuadra e Sabejës ndjek të njëjtin “itinerar” si në gjysmëfinale me Holandën, duke shpresuar se mrekullia do të jetë për ta, qoftë edhe përmes penalltive. Megjithatë, titullin e botës e ka në dorë Palasio në minutën e 97-të. Sulmuesi i Interit del i vetëm me Nojerin, e ngre topin sipër kokës së “gardianit” gjerman, por jashtë. Fatale si mundësi e shpërdoruar, ashtu si ajo e Higuainit në fillim të finales. Dhe kur nuk shënon, do ta pësosh. Mario Gëce, i hedhur në lojë si zëvendësues, shënon në minutën e 113-të dhe gjunjëzon më në fund Argjentinën. Titulli i katërt kampion i Botës është pronë e “pancerave”, ndërsa albicelestët ikin tepër të zhgënjyer, duke shpërdoruar raste fatale në një finale drithëruese, si kjo e “Maracana”.

Goal & Highlight germany vs Argentina 2014
- video amatore -



Intervista dhe Libri i Artë i FIFA

Johachim Low:

E merituam, tani u bëmë të pavdekshëm


Projekti i nisur në 2006-n e mori fryt in e tij me kurorëzimin kampion bote 8 vite më pas. Si mund të ndihet Joakim Lëv, përveçse krenar për përmbushjen e një ëndrre 24-vjeçare, aq vite sa gjigantët nuk preknin arin e Kupës së Botës.
Finale dramatike, ndoshta nuk e kishit parashikuar kaq të mundimshme?
Jo aspak. Ne e kishim parashikuar të tillë. E kishim të qartë që nga fillimi se Argjentina do të na i mobilizonte lojtarët në maksimum dhe na dërgoi përtej limiteve tona. Por dhamë gjithçka për të përjetuar këtë emocion.

E kujt është merita për fitoren e Gjermanisë?

Kjo skuadër ka nisur të ndërtohet 10 vite më parë me Jurgen Klinsmanin. Ne vazhduam punën për të arritur deri në këtë ditë. Dhamë gjithçka dhe askush nuk e ka merituar këtë kupë më shumë se ne. Kemi bërë kaq shumë progres dhe kemi mësuar nga gabimet tona. I mësuam leksionet dhe tani morëm atë që meritonim të merrnim.

Por ishte fitorja e trajnerit, golin e fitores e shënoi një lojtar që hyri nga stoli?

Nëse doni ta thoni këtë OK, edhe unë kam meritën time. Kisha ndjesinë se Gëce do vendoste finalen. Ai është një lojtar vendimtar në momente të veçanta.

Sa i rëndësishëm është fitimi i këtij trofeu në “Marakana”, në shtëpinë e Brazilit?

Një europiane nuk kishte fituar kurrë në këtë kontinent. Kjo që bëmë ne, na bën të pavdekshëm. Është skuadra e parë nga kontinenti ynë që triumfon në tokën latine. U shpallëm kampionë bote në tokën e Brazilit, në tokën e futbollit.
Është folur shumë për revolucionin e stilit të ri të lojës së kësaj kombëtareje dhe shumë e vunë në dyshim nëse kjo ishte rruga e duhur për të sjellë suksesin…

Po, dhe është e vërtetë. Por ne nuk i humbëm asnjëherë në këtë rrugëtim virtytet e Gjermanisë. Pa karakterin e fortë të kësaj skuadre, nuk do kishim fituar kurrë.
Është e kotë të bëjmë edhe pyetjen e së ardhmes, por në fund duhet bërë edhe ajo: a do të jetë vazhdojë Lëv të jetë trajneri i Gjermanisë?

Unë kam një kontratë. Kjo skuadër ka një të ardhme. Humels, Rojs dhe Gëce janë të rinj dhe kanë një të ardhme të ndritur përpara.

Mario Gotze (Gëce):



M’u deshën disa sekonda për të kuptuar çfarë bëra

U transferua te Bajerni i Mynihut me shumë bujë, por ndërkohë nuk kaloi një sezon të parë të lehtë. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, edhe Botërori i tij nisi në malore, sepse pas ndeshjeve të para si titullar e pa veten në errësirën e pankinës. Gjithsesi, talenti i tij shkëlqeu atëherë kur duhej, në ndeshjen më të vështirë të Gjermanisë, në ndeshjen më të rëndësishme të kësaj përfaqësueseje prej gati një çerekshekulli dhe Mario Gëce nuk lë pa kujtuar asnjë detaj. “Ky ka qenë një sezon i vështirë, i mbushur me dyshime dhe me jo pak kritika, por unë gjithmonë kam punuar, kam luftuar dhe jam i lumtur që sot jam pjesë e kësaj kombëtareje që e meritoi Kupën e Botës”.
Gëce, çfarë ndien kur shënon një gol kaq të rëndësishëm?
Të them të drejtën, as tani nuk di t’ua shpjegoj. Në fushë realizova dhe m’u deshën disa sekonda për të kuptuar se çfarë kisha arritur të bëja. Nuk di të them se çfarë emocioni të kalon në trup, nuk ka një shpjegim për këtë…

Është e vërtetë që Klose ju tha në vesh se do ta vendosje ti sfidën?
Po, Miro nuk është vetëm një kampion në fushë, por edhe një kampion në parashikimin e situatave me sa duket (qesh). Fjalët e tij ishin ato që më përshkonin mendjen teksa bëja hapat e para, por realisht që as vetë nuk e besoja se në fund kjo ëndërr, ai gol i rëndësishëm, do ndryshonte gjithë atë situatë jo të lehtë.

Me këtë gol iu përgjigjët fort dikujt që nuk besoi shumë te ty në këtë fillim sezoni?

Ky ka qenë një vit me ulje-ngritje, por unë kam qenë gjithmonë i gatshëm, asnjëherë nuk është dorëzuar. E kuptoj që duke parë investimin e madh që mund të jetë bërë tek unë, dikush pret magjira, por unë jam një individ, nuk mund të bëj gjithçka vetë. Gjithsesi, mendoj se me këtë gol besoj se e kam shpërblyer besimin e të gjithëve, ndonëse forca e madhe e kësaj skuadre është ky grup kampionësh, mbi të cilin ne të rinjtë mund të rritemi të sigurt dhe pa frikë. Jemi kampionë bote, por unë nuk e besoj ende që e vendosa unë këtë takim.

Miroslav Klose: 

I thashë Gëces, ti do të na japësh kupën!


“Një herë i dyti në 2002-in dhe dy herë i treti 2006 dhe 2010. U realizua një ëndërr”. Këto janë fjalët e tashmë zyrtarisht një legjende te Gjermania, Miroslav Klose. Golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorit (me 16 gola) theu disa rekorde të tjera mbrëmë, njëri prej të cilëve i Pelesë: 4396 ditë kishin kaluar nga finalja e fundit e Kloses 2002 dhe kësaj të 2014-ës, 21 ditë më gjatë se rekordi që e mbante Peleja 1958 & 1970. “Në momentin e zëvendësimit i thashë Gëces. Ti do të na e japësh këtë kupë! E ardhmja? Do të fle disa ditë gjumë për t’u qetësuar dhe pastaj do të vendos”, përfundoi 36-vjeçari. Sulmuesi parakaloi Maldinin me 23 prezenca në Botëror dhe tani është vetëm 1 ndeshje larg rekordit të Mateusit.

Argentina's Messi is challenged by Germany's Boateng and Lahm during their 2014 World Cup final at the Maracana stadium in Rio de Janeiro.


Philip Lahm: 

Na provokuan, triumfi për ekipin që sakrifikoi.


Filip Lahm është përfaqësuesi i denjë i një gjenerate të artë të kësaj Gjermanie. Ai, së bashku me Shvajnin dhe Klosen, mbajtën peshën kryesore jo vetëm në aspektin atletik dhe futbollistik, por edhe në atë psikologjik. Në një Gjermani që hera-herës ishte e ngurtë dhe e pasigurt, kapiteni dhuronte gjithnjë frymëmarrje dhe qetësi. “Ishte një fitore e merituar. Tentuan të na provokonin, por ne nuk ramë pre e tentativave të tyre që në disa raste i kaluan limitet sportive”, u shpreh Lahm pas ndeshjes, vetëm pak çaste para se të ngrinte Kupën e Botës.

Lahm, kujt ia dedikoni këtë triumf historik?

Ua dedikoj të gjithë atyre që luftuan me mish e me shpirt për të arritur këtu. Ua dedikoj të gjithë gjermanëve.
A mendoni se Gjermania vuajti më shumë sesa duhej në këtë ndeshje?

Nuk mund të fitojmë çdo ndeshje 5-0 që në 30 minutat e para… bëmë gjithçka mundëm përballë një kundërshtari shumë agresiv dhe që mbrohej heraherës me 9 ose 10 lojtarë.
Si do ta përkufizonit këtë arritje?

E mrekullueshme, e pabesueshme. Prej muajsh mendoja për këtë trofe dhe tani që e kemi fituar, më duket e pabesueshme.
Pse vuajti kaq shumë Gjermania?

Sepse ishte një finale e Kupës së Botës dhe dihet që në të tilla ndeshje nuk mund të fitosh asnjëherë me lehtësi. Ne e donim trofeun po aq sa edhe Argjentina, edhe pse në disa gjëra ne ndryshojmë plotësisht sa i përket sjelljes në fushë.

E keni fjalën për provokimet e kundërshtarëve në fushë?
Po, pa dyshim që po. Bënë gjithçka mundën që të na nervozonin, por ne nuk e humbëm kurrë kontrollin. E prisnim një gjë të tillë, ndaj edhe u treguam të duruar dhe në fund triumfuam.


Manuel Neuer : 

Ja si grushtova… Higuainin


Pa dorashkat e arta të Manuel Nojerit, Gjermania nuk do arrinte këtë rezultat historik. Portieri gjerman ka qenë shumëfunksional në fushë kur në këto 7 finale ka sakrifikuar dhe rrezikuar jashtëzakonisht. Me reflekset dhe eksperiencën e tij, gardiani bavarez ka bërë që të mbajë portën të blinduar dhe mos lejuar të prekin rrjetat Mesi & Co. Falë zgjuarsisë dhe performancës së jashtëzakonshme është vlerësuar edhe portieri më i mirë i turneut duke shkurorëzuar Iker Kasijasin. Pas triumfit ndaj Argjentinës në finalen e 8-të, Manuel Nojer ka falënderuar sakrificën e shokëve të tij dhe ia ka dedikuar trofeun lojtarëve që munguan në këtë Botëror fantastik.

Nojer, urime për çmimin! Si ndiheni?

Nuk di si ta përshkruaj! Më dridhet zëri dhe trupi nga emocionet e këtij triumfi. Jam krenar për këtë çmim. Jam përpjekur të ndihmoj skuadrën, më e rëndësishmja është kupa. Realizuam një ëndërr.

Gjermania ia doli. Sa e vështirë ishte për ju?

Është e pabesueshme! Bashkimi bëri fuqinë në këtë Botëror. Secili donte ta fitonte këtë kupë. Kemi besuar te ky fund i gëzuar dhe tani vështirësitë harrohen. Vështirësia më e madhe ishin këto 120 minuta.

Kujt ia dedikoni këtë triumf?

Ne kemi qenë altruistë dhe egoistë për këtë kupë, por nuk duhet të harrojmë ata që nuk mundën të ndodheshin këtu me ne, si binjakët Bender dhe Marko Rojs. Kjo kupë është edhe për ta. Të gjithë gjermanët ndihen sot kampionë, sepse janë ata që na kanë besuar dhe mbështetur në çdo sekondë në Brazil.

A mund të na tregoni si u ndiet pas grushtimit të topit sipër Higuainit dhe rastit të Palasios?

U përpoqa të qetësoja sa më shumë lojtarët. Kujdesi ishte në maksimum dhe e pashë që ata ndiheshin edhe më të sigurt kur unë u jepja kurajë. Atë kërcim ndaj Higuainit më duhej ta bëja, në të kundërt nuk e di ç’do ndodhte. Skena të tilla më takojnë mua t’i zgjidh. Ndërsa Palasios ia zura rrezen. Nuk mund të ndëshkohesha në atë situatë aq të shpejtë.


Bastian Shvajnshtaiger

"Gladiatori” i Gjermanisë, Bastian Shvajnshtaiger, ia dedikon Uli Hënesit triumfin e djeshëm. Ish-presidenti i Bajernit të Mynihut është duke vuajtur dënimin me burg për shkak të evazionit fiskal, por Shvajni mendon se pa atë njeri Gjermania nuk do të kishte mundur të triumfonte, duke lënë të kuptohet se baza e kombëtares mbetet Bajerni dhe se kjo skuadër është një “krijesë” e Uli Hënesit.





Shvajni, kujt ia dedikoni këtë triumf?

Ia dedikoj Uli Hënesit dhe të gjithë Mynihut.

Pse Uli Hënesit?

Sepse pa atë njeri, unë dhe ndoshta edhe Gjermania nuk do të ishte këtu ku është sot. Falenderoj gjithashtu edhe familjen time.

Çfarë nënkuptoni me këtë?

Uli Hënes ka bërë shumë për mua, për futbollin gjerman. Ia dedikoj atij! Ia dedikoj edhe shokëve që qendruan në stol, sepse diferenca erdhi edhe prej tyre.

A e kishit menduar kaq të vështirë finalen?

Jo, ndoshta… Nuk e di. Nuk di ta them tamam, por di t’ju them me siguri se unë s’do të dorëzohesha edhe sikur kjo ndeshje të riluhej nga e para. Ishte ndeshja jonë, unë e ndieja këtë.

Si e keni plagën?
Mjekët thanë që nuk është edhe aq keq. Mund të mbijetoj… (qesh).

A është kjo arritja më e madhe për ju?

Pa diskutim që po. Po! Të gjithë e kanë ëndërr të shpallen kampionë të botës.


Mats Humels: 

Kupa s’fitohet vetëm, por si grup


Qendërmbrojtësi Mats Humels ua bën të qartë edhe një herë kolegëve se kampion bote nuk shpallesh dot i vetëm, por si skuadër. “Nisëm një aventurë në një botë tjetër ku mundëm të sfidonim dhe fitonim çdo duel. Patëm probleme me dëmtimet dhe sërish trajneri bëri lëvizjet e duhura. Dikush shpallet kampion vetëm kur luan i bashkuar si skuadër dhe jo duke qenë egoist. Neve ia bëmë të qartë botës gjatë gjithë kohës dhe në fund u vendos drejtësia. E kam mësuar që një finale fitohet edhe me pak fat. Ishte një lojë mjaft e hapur dhe fati qe me ne”, deklaroi Mats Humels, i cili shënoi dy gola në këtë Botëror.


Per Mertesaker: 

Gëcen do ta kenë zili të gjithë

Mbrojtësi i kombëtares gjermane, Per Mertesaker, është shfaqur tepër i lumtur pas suksesit të djeshëm në finale kundër Argjentinës. Në një prononcim për mediat, lojtari i Arsenalit u shpreh: “Është nata më e bukur e jetës sime. Nuk do t’i harroj kurrë këto emocione. Besoj se morëm një sukses të merituar, për gjithçka kemi treguar gjatë të gjithë Botërorit dhe për ndeshjen e sotme (djeshme). Gëce? E kam zili, pasi shënoi një gol që do ta kishin zili të gjithë. Është e pabesueshme të futesh në një finale dhe të vendosësh takimin. Tani dua të shikoj këtë trofe. Jemi krenarë që i kemi dhuruar një gëzim të madh të gjithë popullit gjerman!”.

Shkodran Mustafi, shqiptari i parë kampion bote



Në festën e Gjermanisë ka gëzim edhe për një shqiptar. Shkodran Mustafi bëhet shqiptari i parë që ka fituar një kampionat botëror. Qendërmbrojtësi nuk luajti në duelin me Argjentinën në finale, pasi ishte i lënduar, por medalja e artë i takon edhe atij. Në të kaluarën, medalje të bronztë kishte fituar Ardian Kozniku me Kroacinë, edhe pse nuk kishte luajtur asnjë minutë. Futbollisti i Sampdorias është kërkuar me insistim edhe nga tekniku i Shqipërisë, Xhani De Biazi, por preferoi të vishte fanellën e “pancerave”. Lojtari ka luajtur tri takime në Kupën e Botës, përfshirë edhe atë kundër Algjerisë, ku pësoi dëmtimin që e la jashtë deri në finale. Historia e mbrojtësit me kombësi shqiptare është deri diku interesante, sepse thirrja e tij në Botëror erdhi si pasojë e dëmtimit të yllit të kombëtares gjermane, Marko Rois, dhe grumbullimi i shqiptarit nga Lëv u pa si një lëvizje pak e zgjuar, por që më pas rezultoi krejt e kundërta.

Kramer pësoi goditje cerebrale


Një ndërhyrje e dhunshme e Lavecit, por e pavullnetshme në pjesën e parë ndaj Kristof Kramerit, i dha goditjen e dytë Joakim Lëvit pas tërheqjes muskulore që pësoi Sami Khedira në nxehmje. Trajneri nuk kishte më një mesfushor shkatërrues në fushë dhe Shvajni ndjeu mungesën e tyre, duke u bërë pre e goditjeve të ashpra të argjentinasve. Kristof Kramer pësoi një goditje cerebrale dhe nuk mundi ta vazhdonte dot më lojën, duke ia lënë vendin Shyrrles. “Ishte një goditje e rëndë, por jam mirë. Nuk e mbaj mend se çfarë ndodhi. Për disa sekonda harrova gjithçka”, – tha me humor mesfushori i talentuar i Borusia Mynshegladbahut.


Franz Bekenbauer: 

Diferencën e bëri dita e pushimit e gjermanëve



Franc Bekenbauer e kishte parashikuar fitoren e Gjermanisë me rezultatin 2-0, por është gjithsesi i kënaqur me triumfin e “pancerave”. “Ishte një ndeshje që doli jashtë parashikimeve, sepse Argjentina rezistoi më shumë se sa duhet. Por nuk ishte ky problemi, pasi ndodhi ajo që unë i druhesha më shumë se çdo gjë tjetër: tensioni i tepruar. Kjo na bëri të rrezikonim shumë dhe mendoj se Argjentina mund të na kishte shënuar, nëse edhe lojtarët e saj nuk do të ishin po aq të tensionuar sa tanët”, deklaroi “Kajzeri” pas ndeshjes. Më tej ai tha se diferencën në një ndeshje si ajo e djeshmja e bëri edhe freskia fizike. “Isha i bindur se kur të shkonim në kohën shtesë Gjermania do të luante akoma më mirë. Arsyeja? Ishin shumë më të freskët se Argjentina. Kishin pasur më shumë se një ditë pushimi avancë, çka nuk është pak për ndeshje të niveleve të tilla. Gjithsesi jam i impresionuar nga rezistenca fizike e argjentinasve dhe disiplina taktike. Duhet t’ua njohim meritat, sepse edhe ata luajtën ndeshjen e jetës”, u shpreh Bekenbauer pas finales.


Alehandro Sabeja: 

Sa shumë gabuam!


Trajneri Alehandro Sabeja do të kishte dashur që të jepte një tjetër konferencë për shtyp, një më të lumtur sesa ajo e djeshmja. 59-vjeçari nuk kërkon që ta humbë qetësinë që e karakterizon, nuk kërkon të shtojë edhe më shumë dhimbjen, pasi ai e di mirë se, nëse Higuain, Mesi dhe Palasio do të kishin dërguar në portë të paktën një prej atyre tre rasteve flagrante për gol, atëherë festa mund të kishte pasur ngjyra të tjera: “Jam pafundësisht i dëshpëruar, për faktin se nuk mundën ta fitonim këtë sfidë, por në të njëjtën kohë dua të ndihem krenar për këta futbollistë. Kundër një superfuqie futbolli si Gjermania bëmë një ndeshje gati perfekte, madhështore, nëse analizojmë sesi e zotëruam atë për 120 minuta. Por fatkeqësisht, përballë këtyre skuadrave duhet të shënosh, nuk mjafton vetëm t’i trembësh me tre, mbase katër raste të pastra për gol që mund të na vlenin një kupë bote. Gjithsesi, i tillë është futbolli dhe s’besoj se këtë impenjim tonin populli dhe tifozët tanë do të na e mohojnë. Kemi bërë një udhëtim fantastik, duke luftuar vetëm kundër të gjithëve që nga dita e parë, por në këtë finale të madhe na mungoi ajo pak saktësi që mund të kishte bërë diferencën, – nënvizon i dëshpëruar Alehandro Sabeja. – Gjatë gjithë kohës jemi vetëm kritikuar, madje më shumë nga ato figura që kanë edhe kombësinë tonë, por në fund e meritojmë të gjithë një duartrokitje të madhe. S’e kemi nisur me hapin e duhur këtë Botëror, sepse të gjitha skuadrat ndaj nesh mendonin vetëm të mbroheshin, por ekipi vetëm rritej dhe përmirësohej ndeshje pas ndeshjeje, ndonëse më vjen të ulërij që në këtë finale na mungoi ai gramë fati më shumë për të fituar dhe më vjen shumë keq. E ardhmja ime? Nuk mendoj se ky është momenti për të folur për kontrata apo për gjëra të tilla. Dua të qëndroj me lojtarët e mi, t’u flas dhe t’i përgëzoj ata, sepse e meritojnë!”.


Havier Maskerano: 

Ky trishtim do na përndjekë gjithë jetën


Havier Maskerano ka qenë një nga luftëtarët e Argjentinës që dha gjithçka në fushë, ndonëse nuk mundi që të ngrinte trofeun dhe të lumturonte kombin e tij. Mesfushori shprehet se është e dhimbshme që në fund të shikosh kundërshtarët të shpallen më të mirët në botë, hidhërim që do ta shoqërojë atë gjatë gjithë jetës. “Për fat të keq kjo dhimbje do të na përndjekë sa të jemi gjallë, sepse kishim një mundësi të artë për të fituar Kupën e Botës. Është shumë e vështirë për t’u shpjeguar kjo humbje, duke qenë se e pësuam atë gol në fund. Ne dhamë gjithçka që të fitonim. Kishim shanset më të mira deri sa mundësitë fizike na e lejonim këtë gjë”, u shpreh futbollisti “albiçelest”. Maskerano trishtohet edhe për tifozët e jashtëzakonshëm, të cilët e kishin ëndërr këtë trofe. “Po vuajmë shumë, sepse mund të ishim ne ata që do ta ngrinim Kupën e Botës, por në fushë dhamë gjithçka nga vetja jonë. Ndihemi të gjithë shumë të zbrazur, treguam në fushë atë që mund të bënim dhe na ka trishtuar të gjithëve kjo humbje. Sidomos për të gjithë ata argjentinas që ndodheshin këtu në Brazil, si dhe për popullin në atdhe”, vazhdoi mesfushori.

Mesazhi - Pavarësisht humbjes së rëndë, Maskerano ka një mesazh për miqtë dhe të gjithë argjentinasit. “Ky është futbolli! Ne duhet që ta ngremë kokën lart dhe ta durojmë këtë dhimbje”. Në fund, futbollisti i Barcelonës vuri në dukje se ky takim u mbyll nga shokët e ekipit me ndjesinë se ata bënë më të mirën ndaj Gjermanisë. “Kjo është ajo që ne dhamë në fushë, ishte gjithçka që mund të bënim. Kundërshtarët tanë patën një mundësi që e shfrytëzuan dhe na ndëshkuan. Ata ishin të vendosur mirë dhe luajtën me kujdes në mbrojtje. Megjithatë, unë jam krenar që bëj pjesë në një ekip të tillë dhe për gjithçka kemi dhënë në këtë Botëror”, përfundoi lojtari 30-vjeçar, i cili në këtë kompeticion ishte një nga liderët e “albiçelesteve”.


Lionel Mesi: 

Doja të ngrija vetëm kupën


Lionel Mesi u shfaq i dërmuar nga humbja e pësuar në finale ndaj Gjermanisë. Kapiteni i Argjentinës s’e fshehu trishtimin për këtë zhgënjim të madh, pasi kombëtarja e tij i kishte të gjitha shanset që të shpallej më e mira në botë. “Më vjen shumë keq që nuk arritëm t’i kthenim në gola rastet që kemi pasur gjatë lojës. Ishim më të fortë. Meritonim më shumë në përfundim të përballjes dhe kjo më sjell më shumë mërzi. Ekipi luajti mirë ndaj gjermanëve, por nuk arritëm ta përfundonim me sukses misionin. Në përfundim përjetuam një mashtrim të madh të gjithë”, u shpreh “Pleshti”. Mesi ka vlerësuar shpirtin luftarak të shokëve të ekipit në fushë, ndërkohë që ka dhënë edhe një falënderim për të gjithë tifozët, të cilët i kanë dhënë një ndihmë të madhe kombëtares me mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme. Ndërkohë, ai nuk e fsheh vuajtjen për mosrealizimin e ëndrrës. “Doja vetëm që të ngrija Kupën e Botës. Sa keq!”.

Lukas Bilja 

Mesfushori i përfaqësueses së Argjentinës, Lukas Bilja, nuk arrin të gjejë dot ngushëllim pas humbjes në finale kundër Gjermanisë. Mesfushori, i cili militon në radhët e klubit të Lacios, është shfaqur tepër i zhgënjyer në përfundim të finales së “Marakana”-së, teksa i është kërkuar të analizojë takimin: “Nuk arrijmë dot të gjejmë ngushëllim për humbjen. Jemi shumë të zhgënjyer, më duket sikur gjithçka e mirë që kemi bërë deri në këtë pikë është krejtësisht e pavlefshme”. Më pas Biglja ka vijuar të thotë: “Mendoj se e meritonim më shumë ne se Gjermania këtë kupë, kjo për arsye të asaj që treguam në fushë, por për fat të keq nuk arritëm dot t’i konkretizonim me sukses rastet e shumta për gol. Në futboll, çdo gabim i vogël, të kushton shumë dhe ne vuajtëm fatin e keq”.
“Pleshti” vjell sërish në fushë

Mund të jetë tensioni, ose ndoshta stresi i finales. Leo Mesi vjell sërish në fushë. Ylli argjentinas, në një ndeshje mes gabimesh dhe numrash klasi, pati edhe një herë tjetër një problem me stomakun. Telekamerat e filmuan kapitenin argjentinas duke vjellë dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh gjatë një ndeshjeje. Problemet nisën këtë pranverë. Me kombëtaren, hera e parë ndodhi gjatë miqësores midis Rumanisë e Argjentinës dhe para se të udhëtonte për në Brazil, në testin kundër Sllovenisë. Por edhe me klubin e tij, Barcelonën, ndodhi që ai të ndihej keq (para takimit ndaj Atletiko Bilbaos). Megjithatë, Mesi nuk është kampioni i vetëm që përpara një ndeshjeje me rëndësi ndihet keq. Edhe Omar Sivori, në kohën e tij, kishte shqetësime me të vjellat.


Hernan Krespo dhe Lamela 
falënderojnë kombëtaren


Ish-futbollisti i Kombëtares argjentinase, Hernan Krespo, ka vlerësuar lojën e bërë nga ekipi në finale. “I falënderoj këta djem. E kanë përfaqësuar kombin me shumë krenari. Në këtë takim më shumë se kurrë. Luftuan fort fushë ndaj një kundërshtari tepër të rrezikshëm dhe të disiplinuar. Arritën që të mbanin në kontroll një ndeshje me të vërtetë të vështirë, për t’u ndëshkuar vetëm në momentet e fundit”, u shpreh ish-sulmuesi i “albiçelesteve”. Edhe argjentinasi tjetër, Erik Lamela që luan në Premier Ligë te Totenhemi, ka falënderuar përfaqësuesen për paraqitjen që bëri në “Marakana”. “Një paraqitje, e cila merr shumë vlerësim. Këta djem dhanë gjithçka në fushë dhe bënë një ndeshje për të cilën duhet të jemi krenarë. Paraqitja e tyre duhet të vlerësohet. I falënderoj për emocionet që na kanë dhuruar në këtë Botëror”, u shpreh futbollisti 22-vjeçar. Ndërkohë, blerja e re e Sitit, Uilli Kabajero nuk i kursen vlerësimet për ekipin. “Nuk mund të ndihem veçse krenar për këta 23 lojtarë që dhanë jetën në fushë. Sot, më shumë se kurrë, vlerësoj faktin që jam argjentinas”, tha portieri.


Pas 84 vitesh, Gjermania triumfon në tokën amerikane

Gjermania ka shkruar historinë në Kupën e Botës, duke qenë e vetmja kombëtare që triumfon në një botëror të organizuar në kontinentin amerikan. Pas 84 vitesh thyhet tersi në stadiumin epik të “Marakana”- së, ku Gjermania fiton 1-0 falë golit të Gëces. Në vitin 1930 në Uruguai, kur Gjermania nuk mori pjesë, triumfuan organizatorët. Në Botërorin 1950 në Brazil kishim një “seleçao” spektakolar, por ishte Uruguai që bëri ligjin në metropolin brazilian. Në 1962-in në Kili, Brazili bëri diferencën, duke mos lënë asnjë europian të dominonte në kontinentin e tyre. Pas triumfit në “Suedi 1958″, Brazili bëri dopietë në Kili, duke treguar se në Amerikën e Jugut fitonin të zotët e shtëpisë. Përveç Amerikës së Jugut, amerikano- jugorët kanë triumfuar edhe në Meksikë. Në Botërorin 1970, të organizuar në Meksikë, ka triumfuar jo një europian, por ka qenë sërish amerikano-jugor, Brazili. Historia vazhdon të flasë për kombëtaret amerikane, kur forca fizike, mentaliteti dhe regjimet karikonin në maksimum lojtarët, madje duke thyer rregullat e dopingut. Në Botërorin 1978 ishte Argjentina organizatore dhe, në fakt, qenë po ata që triumfuan duke e fituar me dhunë finalen. Në “Meksikë 1986″ Argjentina e Maradonës fitoi kupën e dytë në finalen ndaj Gjermanisë. Në “SHBA 1994″ janë sërish latinët, por këtë herë Brazili. Në “Korenë e Jugut-Japoni 2002″ europianët dështojnë sërish në finale, duke mos triumfuar dot jashtë kontinentit. Në 2010-n ishte Spanja kombëtarja e parë që fitoi kupën jashtë Europës, në Afrikën e Jugut, dhe Gjermania që triumfon në “Brazil 2014″.


Rodrigez, Mesi dhe Nojer, ja yjet e këtij Botërori


Përpara ceremonisë së dorëzimit të Kupës së Botës, FIFA nëpërmjet “sponsorit” të saj, një tjetër gjiganti gjerman si “Adidas”-i ka dorëzuar dy trofetë individualë për portierin dhe lojtarin më të mirë të këtij edicioni. Mbrojtësi më i mirë i shtyllave nuk mund të ishte askush tjetër sivjet përveç Manuel Nojerit, një ikonë e rolit të tij që ka treguar një siguri fantastike edhe jashtë kuadratit të portës dhe atij të zonës së rreptësisë. Më shumë sesa kaq, Manuel Nojer nuk mund të priste nga një natë finale, sepse teksa “Doreza e Artë” është një vlerësim individual, ai ka shkruar emrin e tij mbi trofeun e Kupës së Botës, diçka që historia nuk do ta harrojë kurrë. Por, ndërkohë, edhe Lionel Mesi nuk del pa një trofe nga finalja e djeshme. Ai është vlerësuar si lojtari më i mirë i këtij Botërori, ndërsa sot do mësojë edhe ata që e kanë pasur në renditjen finale të sponsorit “Adidas”. Gjithsesi, as ky “Top i Artë” nuk i solli buzëqeshjen “pleshtit”. Ndërkohë, pas lotëve të shumtë të shpenzuar ndaj Brazilit, ku mbase u eliminuan edhe pa e merituar, Kolumbia dhe fantazisti i saj 22-vjeçar, Xhejms Rodrigez, mund të krenohen me trofeun e skuadrës “fair-play” dhe golashënuesit më të mirë, pasi me 6 realizimet e tij ai la pas në renditje rivalë të frikshëm, si gjermanin Tomas Myler dhe holandezin Robin van Persi, të ndalur në kuotën e 5 golave. Ndërsa përsa i përket talentit më të mirë, i përzgjedhuri ishte francezi Pol Pogba.

Kupa e Botës kushton 115 mijë euro

Ka një lartësi prej 36.8 centimetrash, peshon 6 kilogramë e 175 gramë dhe ka një diametër në bazë prej 13 centimetrash. Edhe pse këto shifra nuk bëjnë shumë bujë, pikërisht për këta numra u ndeshën për një muaj me radhë Argjentina dhe Gjermania. Trofeu i Kupës së Botës mund të duket modest kundrejt pagave që lojtarët përfitojnë, por për kuriozitetin e të gjithëve zbulojmë disa detaje mbi të. Përveç përmasave të përmendura më lart, vlera e tij reale është 114 mijë e 654 euro. Ky trofe, i skulpturuar 43 vite më parë, konkretisht në vitin 1971 nga italiani Silvio Gaxaniga, zëvendësoi trofeun e mëparshëm, “Zhyl Rime”, dhe ishin pikërisht gjermanët ata që e mbajtën në duar për të parën herë, pas suksesit në 1974-n. E pagëzuar thjesht si “FIFA World Cup”, 75 për qind e trofeut është flori i pastër 18 karatësh (saktësisht 3 kilogramë e 675 gramë), ndërsa pjesa tjetër e tij përmban metale të tjera dhe disa gurë gjysmë të çmuar me ngjyrë të gjelbër që e dekorojnë nga jashtë. Natyrisht që asnjë prej kombëtareve nuk e prek këtë trofe apo e përvetëson pas çdo fitoreje, por atyre u dorëzohet një kopje e larë në flori të pastër. “FIFA World Cup” do të jetë në qarkullim deri në vitin 2038, pasi deri në këtë vit ka hapësirë në të që të shkruhen emrat e fituesve.


LIBRI I ARTË

Brazil 2014
Fituesi: Gjermania
Afrikë J. 2010
Fituesi: Spanja
Gjermani 2006
Fituesi: Itali
Kore-Japoni 2002
Fituesi: Brazil
Francë 1998
Fituesi: Francë
SHBA 1994
Fituesi: Brazil
Itali 1990
Fituesi: Gjermani
Meksikë 1986
Fituesi: Argjentinë
Spanjë 1982
Fituesi: Itali
Argjentinë 1978
Fituesi: Argjentinë
Gjermani 1974
Fituesi: Gjermani P.
Meksikë 1970
Fituesi: Brazili
Angli 1966
Fituesi: Angli
Kili 1962
Fituesi: Brazili
Suedi 1958
Fituesi: Brazili
Zvicër 1954
Fituesi: Gjermani P.
Brazil 1950
Fituesi: Uruguai
Francë 1938
Fituesi: Itali
Itali 1934
Fituesi: Itali
Uruguai 1930

Fituesi: Uruguai

*   *   *   






Miroslav Klose All 16 Goals in World Cup




Miroslav Klose shënoi golin e 16-të në një kampionat botëror, duke kaluar edhe rekordin e Ronaldos, me 15 të tillë.


Gjermani tashmë është i vetmi në historinë e këtij sporti që ka shënuar kaq shumë gola në kampionate botërori. Por ky nuk është rekordi i tij i vetëm: ai është edhe i vetmi lojtar që ka shënuar 4 herë në fazat me eliminim direkt. Ronaldo kishte shënuar vetëm tri herë. “Ishte e vështirë. Ishte shumë e vështirë, por unë asnjëherë nuk kisha hequr dorë nga ëndrra për ta kaluar këtë rekord. Gjithsesi, e rëndësishme është që ne ia dolëm mbanë në një ndeshje dhe dhuruam spektakël”, ka thënë Klose pas fitores monstruoze kundër Brazilit.

Miro, pse nuk bëtë kapriolën pas golit? Ky ishte goli juaj rekord…

Për një moment mendova ta bëja kapriolën, por u kujtova se në nxehmje kisha pak dhimbje te këmba e majtë dhe më pas u frenova sepse mund të dëmtohesha.

Ç’do të thotë të jesh rekordmeni i ri i golave në Botëror?

Një rekord i vështirë për t’u arritur. Shumë i vështirë, por ky nuk ka qenë objektivi im primar. Ëndrra ime është Kupa e Botës.

Cili është çelësi i suksesit të kësaj Gjermanie?

Harmonia në grup. Harmonia që kemi edhe jashtë ndeshjeve. Bashkëpunojmë shumë dhe ka një frymë shumë pozitive.
Vetëm kaq?

Kemi një mesfushë të mirë, pa diskutim, por edhe një mbrojtje solide dhe shumë më eksperte se disa vite më parë. Kjo skuadër është si “bishë”.

Cili është lojtari kyç sipas jush në mesfushë?

Varet nga ndeshja dhe mënyra se si i kemi llogaritur gjërat. Në një ndeshje si kjo kundër Brazilit, mendoj se lojtari që bëri diferencën ishte Toni Kros. I bëri pothuajse të gjitha…

A e keni frikë Mylerin se mos u thyen rekordin?

Si të mos e kesh frikë: ka shënuar 10 gola dhe është vetëm 24 vjeç…

Për çfarë po mendon tani?

Për Kupën e Botës dhe për fëmijët e mi…
Cili është gabimi që ka korrigjuar Gjermania nga një edicion më parë?

Goditjet standarde. Nuk pësojmë më gola dhe shënojmë shumë kur i gjuajmë ne. Shikoni pak golin e Mylerit që zhbllokoi edhe ndeshjen… erdhi nga një goditje standarde…
Nëse shënon një gol në finalen e Kupës dhe e fiton atë, çfarë do të bësh?

Ndoshta bëj kapriolën…


 Miroslav Klose  All 16 Goals in World Cup 
Të 16 golat e Klose në Kupat e Botës (video)




*   *   * 

Brasil vs Germany World Cup 2014 (photo & video)




Një ndeshje historike dhe këtë herë nuk po abuzojmë me termin. Rezultati 7-1 me të cilin Gjermania siguron finalen e Botërorit 2014 do të ketë një vend në historinë e shenjtë të topit. Kurrë më përpara një gjysmëfinale nuk kishte përfunduar me një diferencë prej gjashtë golash, ndërsa këtë disfatë historike e pësoi pikërisht Brazili, vendi organizator, skuadra rekordmene që nuk humbiste një takim në shtëpi që prej vitit të largët 1975. Humbja e djeshme për “seleçao”-n ishte diçka e pabesueshme, një ndeshje që për nga turpërimi dhe hidhërimi ka lënë pas edhe “Maracanazon” e famshëm të 1950-s. E vetmja gjë normale e takimit të djeshëm ishin fytyrat e gjermanëve. Myler, Klose, Kros, Khedira dhe Shyrle festonin njësoj sikur kishin ndëshkuar një skuadër të miturish, sepse me ftohtësinë e tyre ata treguan edhe një herë se ndiheshin të fortë, por tani duken edhe të pathyeshëm. Rezultati i djeshëm nuk mund të ketë një shpjegim të vetëm. 



Gjermania është një skuadër fantastike, më e forta e parë në këtë Botëror: këmbë të zgjuara, organizim dhe gjendje fizike ekzemplare. Nga ana tjetër, mungesa e dy yjeve të vetëm, Nejmar dhe Tiago Silva, nxorën në pah të gjitha defektet e një përfaqësueseje të fryrë vetëm me fjalë, që shihej si favorite. Mbrojtje e turpshme në shumicën e kohës, një mesfushë pa busull dhe një sulm që pa Nejmarin as që di të tentojë kuadratin, jo më kot Fred mbytet nga vërshëllimat sa herë që prek topin. Dhe çfarë është më e keqja, pas tre golave të parë, ajo zhduket nga fusha e lojës.




BRAZIL-GJERMANI   1:7

Golat: Oskar 89′ / Myler 11′, Klose 23′, Kros 25′, 26′, Khedira 30′, Shyrle 69′, 78′

BRAZIL: Júlio César, Maicon, David Luiz, Marcelo, Dante, Luiz Gustavo, Fernandinho (Paulinho 46′), Oscar, Bernard, Fred (Willian 70′), Hulk (Ramires 46′). Trajner: Luiz Felipe Scolari

GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, J.Boateng, B.Höwedes, M.Hummels (P.Mertesaker 46′), B.Schweinsteiger, M.Özil, S.Khedira (Draxler 76′), T.Kroos, M.Klose (A.Schürrle 59′), T.Müller. Trajner: J.Löw
Gjyqtare: M.Rodríguez, M.Torrentera, M.Quintero

Kartonë të verdhë: Dante 68′

Brazili Tronditja e parë - “Seleçao”, e shtyrë nga tifozët, luan vetëm pak sekonda, sepse i gjithë zjarri brazilian shuhet në një goditje të Marselos, ndërsa Gjermania vetëm në dukje e surprizuar nga ky epsh i rivalëve për të sulmuar, kafshon në befasi vendasit. Kros nga këndi gjen Mylerin e harruar në zonë nga David Luiz, me sulmuesin bavarez që nuk e ka të vështirë që të tundë rrjetën. Kanë kaluar vetëm 11 minuta nga vërshëllima e sfidës, por askush nuk e pret që pas saj të nisë një uragan i vërtetë. Uragan gjerman – Reagimi i të zotëve të shtëpisë është modest, sepse mjaftuan këto pak minuta lojë për të kuptuar inferioritetin taktik dhe individual që ekziston mes djemve të Skolarit dhe atyre të Lëvit. Gjithsesi, as tifozi më i zjarrtë gjerman nuk mund ta parashikonte atë se çfarë ndodh mes minutave 23 dhe 29. Gjermania shënon katër herë dhe në mënyra pak a shumë të ngjashme. Aksione korale, të bukura për t’u parë dhe për t’u finalizuar, një lojë me top në tokë që nxjerr jashtë sistemi mbrojtjen braziliane. Goli me të cilin Klose thyen rekordin e Ronaldos është i denjë për një reklamë televizive. Kros tregohet gjenial me lëvizjet e tij, Myler e mbështet siç duhet, ndërsa Klose konfirmohet “ujku” i zonës duke e shtyrë në rrjetë përgjigjen e parë me duar të Hulio Sezarit. 2-0, por nuk kalon asnjë xhiro e akrepave të orës dhe shifrat zgjerohen në 3-0. Lahm fluturon në korsinë e djathtë, ndërsa Kros shkarkon të majtën e tij, e cila shton lotët dhe ulërimat në tribunat që e rrethojnë. Por gjermanët janë të pamëshirshëm kur bëhet fjalë për futbollin, ndaj lotët nuk do frenojnë Khedirën që të finalizojë aksionin e radhës të nisur nga Kros. “Pokeri” është i ofruar, por mesfushori i ndjekur me ngulm nga Reali feston dopietën personale, pas një pasimi tjetër perfekt, që këtë herë mbante firmën e Ozilit. 5-0 dhe drama sapo ka nisur, me brazilianët që vuajnë një gjendje shoku.


Nojer bën bllokadë - Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime për Brazilin, Ramirez dhe Paulinjo për Hulkun e Fernandinjon, me të cilët “seleçao” kërkon të vërë të paktën një pjesë të nderit në vend. Gjithsesi, ndërsa edhe Lëvi u bën një nder të zotëve të shtëpisë, duke hequr Humelsin për Mertezakerin, është Nojer ai që nuk ka ndër mend t’u japë një fije kënaqësi rivalëve, duke kryer dy mrekulli ndaj Ramirezit dhe Paulinjos. Gjithsesi, pjesa e dytë e Gjermanisë do të fillonte kur Andre Shyrle zëvendësoi Miroslav Klosen, me mesfushorin e Çelsit që u shndërrua në makthin e radhës për Skolarin. 


Shyrle zbret në fushë me dëshirën e atij që kërkon të thyejë botën, më konkretisht me dëshirën e atij që ka një hesap të hapur me brazilianët, pasi shënon menjëherë një dopietë. Fillimisht ai shfrytëzon një pasim të Mylerit, ndërsa e mbyll goleadën gjermane me një të majtë të pakapshme, që depozitohet në rrjetë pasi prek traversën. Brazili po përjeton një dramë personale dhe i vetmi që sheh të ardhme duket Oskari, ai që në minutën e 90- të ka forcën që të driblojë Boatengun dhe të shënojë golin e nderit për kombëtaren dhe popullin e tij, që lotët e fshirë i shndërroi në forcë për të vërshëllyer ata që nga dje quheshin idhujt e tyre…

NOTAT

BRAZILI:

SEZAR 3,5 – U bombardua keqazi në 30 minutat e para. As në vitin e rënies kur luajti me QPR-në në Angli nuk e kishte parë veten kaq keq. Ai nuk mund të bënte shumë, por gjithsesi grushtoi keq në golin e Kloses, doli shumë ngadalë te goli i dytë dhe vetëm një pritje spektakolare në pjesën e dytë ndaj Mylerit nuk mund t’ia lajë mëkatet.

MAIKON 4 – Të paktën në pjesën e parë provon të bëjë disa galopime nga ato të tijat, por më pas paguan disa gjëma që bëjnë shokët e tij në prapavijë çorientohet krejtësisht. Nuk ka më as diagonale dhe as galopime. I ulet një gjysmë vote sepse simuloi shëmtuar për një penallti.

DANTE 2 – Duhej të zëvendësonte Tiago Silvën. Por ishte më mirë nëse Brazili luante me 10 lojtarë.

LUIZ 2 – Kapiten, lider i padiskutueshëm, këndon himnin me fanellën e Nejmarit. Duket i karikuar. Por më pas humb Mylerin te goli i parë, pastaj mesfushorët e Gjermanisë nisin t’i bëjnë pingpong derisa shfryhet për afro 20 minuta. I mbivlerësuar? E thjeshtë ta thuash tani, por një gjë është e sigurt, kur luan me mbrojtës seriozë si Tiago Silva dhe Terri në krah, ai ia del mirë. Kur është vetëm, nuk e mban dot presionin.

MARSELO 4 – Kushedi se sa do e tallë shoku i tij i skuadrës te Reali, Khedira. Myleri dhe Lahmi vrapojnë me një shpejtësi marramendëse për të, ndaj edhe ai zhduket në krahun e majtë. GUSTAVO 4,5 – Të paktën vrapon, impenjohet dhe lufton. Cilësia më pas është tjetër gjë…

FERNANDINJO 4 – U përfol se pas ndeshjes u fut në dhomat e zhveshjes për të qetësuar stomakun, sepse i përzihej nga goleada e pjesës së parë… Vrapon, u përpoq të bënte diçka, por që nuk kishte lidhje me një gjysmëfinale Botërori. (Nga 46′ PAULINJO 5 – Provon disa herë dhe vë në provë Nojerin, por më pas dorëzohet edhe ai).

BERNARD 3 – Lëvizja surprizë e Skolarit. Aq surprizë ishte sa edhe ai u befasua që po luante në një gjysmëfinale Botërori. Do ishte naive ta krahasonim me Nejmarin.

OSKAR 4,5 – Një gjuajtje që Nojer e grushtoi si i ka hije një portieri të madh. Shënoi një gol të pavlerë në fund të ndeshjes.

HULK 3 – Do të kujtohet në këtë Botëror, sepse Reza Ghoochannejhad (Iran), Karlo Kostli (Honduras), Ja-Cheol Koo (Korea) shënuan më shumë se ai. Shënuan të paktën një gol… Lahmi tallet më të disa herë. I papërshtatshëm për një ekip si Brazili. Hulk ka emrin, por nuk është i tillë. (Nga 46′ RAMIRES 5,5 – Në pjesën e dytë luan me shumë krenari, por vetëm kaq).

FRED 2 – E mbani mend Mario Zhardelin kur zbriti në Ankona mbipeshë? Ja, kështu ishte edhe Fred, por akoma më i ngathët. Publiku e sulmon vazhdimisht, ndërsa ai neutralizohet si qengj nga Boateng dhe Humels. Nuk kishte Brazili një lojtar më të mirë se ai në sulm? Më mirë Paulinjo i Veronës… 100 herë më mirë.

Trajneri SKOLARI 3 – “Do të fitojmë edhe për Nejmarin”. Pësoi 7 gola dhe nuk kuptoi asgjë. Të gjitha zgjedhjet ishin gabim. Tiago Silva dhe Nejmari kishin maskuar një Brazil që nuk ua gëzoi asnjëherë zemrat njerëzve. Pësoi humbjen më të thellë në histori, ndaj edhe dorëheqja është një detyrim.


GJERMANIA

NOJER 8 – Mbetet një fenomen. I gjuajnë në portë dy herë dhe ai tregon veten. Pëson një gol në fund, por nuk ka faj. Një mur i vërtetë: portieri më i mirë në botë.

LAHM 7,5 – Një asist, shumë vrapime dhe perfekt në mbrojtje. Duket si një robot në fushën e futbollit. Si mbrojtës krahu është një ndër tre më të mirët në botë.

HUMELS 7 – I sigurt, i bukur për t’u parë, i çmueshëm. Në 10 minutat e para mbyll në mënyrë të shkëlqyer dy raste të Brazilit. Pastaj, duke parë edhe rezultatin Lëvi vendosi ta linte pushim në prag të finales. (Nga 46′ MERTEZAKER 6,5 – Hyn duke shëtitur. Në fakt, Brazili nuk ishte më në fushë. I ndershëm).

BOATENG 7,5 – I zoti edhe ai. I përqendruar dhe i sigurt. Lëvi i ka dhënë gjithnjë besim dhe ai, nga hallka më e dobët e zinxhirit të mbrojtjes, është shndërruar në një element kyç.

HËVEDEZ 7 – Luan me ballin lart në të majtë, edhe pse nuk është një mbrojtës krahu. Edhe për të një mbrëmje e qetë. I duhet pak pushim për finalen.

KHEDIRA 9 – Impresionues. Vërtet ka ndonjë që dyshon se një lojtar që këput ligamentet para Botërorit nuk mund të kthehet në formë? Prandeli ndoshta do të jetë penduar që me këtë logjikë la jashtë Pepito Rosin. Ai shënon dhe jep asist. Ndjek çdo aksion dhe sillet si një mesfushor i madh në një ndeshje të madhe.

SHVAINSHTAIGER 8 – I përhershmi dhe i jashtëzakonshmi Shvajni. E “qan” mjeshtërisht rolin e tij dhe skuadra nuk zhbalancohet kurrë.

KROS 9 – Dopietë me klas, regji e kthjellët dhe i zoti në fazën finale të aksioneve. Mesfushori modern që i duhet çdo skuadre. Do ta lërë Bajerni të ikë? Vështirë…

MYLER 8,5 – Arriti në kuotën e 10 golave në Botëror, 5 prej të cilëve vetëm në këtë edicion. Shënon dhe bën një punë të mrekullueshme në çdo repart. I jashtëzakonshëm, edhe pse me stilin e tij acarues. Por ai është gjerman, në thelb dhe jo në pamje. Dhe i shkon për shtat kështu…

KLOSE 7,5 – Vdekjeprurës. Një rast i vërtetë dhe një gol. Këmbëngulja për të shënuar pas dy gjuajtjeve tregoi edhe njëherë urinë e “ujkut” të frikshëm që nuk ndalet asnjëherë para portës. Rekord golash, duke kaluar Ronaldon në Brazil. Magji gjermane. (Nga 58′ SHYRRLE 8 – Golat e tij në pjesën e dytë janë një mrekulli më vete. Gjithnjë gati, gjithnjë i përqendruar. Një gjerman i vërtetë).

OZIL 6,5 – Më pak brilanti në këtë mbrëmje. Luan i relaksuar dhe tërhiqet gjithnjë nga dallga që shkaktojnë shokët e skuadrës. Gjithsesi, nuk mund të kritikohet shumë, sepse është edhe ai pjesë e fitores, ndonëse humbi rastin për t’i çuar shifrat në 8-0.

Trajneri LËV 9 – Kryevepër! Komplimente! Rezultat historik dhe i pabesueshëm: 7-1 Brazilit në shtëpinë e tij. Turpërimi më i madh i futbollit brazilian në historinë e tij. Gjermania nuk ndalet dhe kërkon konfirmime. Ka krijuar pas disa vitesh një skuadër perfekte dhe tani kërkon Kupën e Botës. Me të drejtë…

Lëv: I mbytëm në presing, goli i parë i tronditi

Trajneri i Gjermanisë Joakim Lëv ka festu ar me të madhe triumfin e tij duke shkruar historinë në Kupën e Botës. Teksa shkatërroi 7-1 Brazilin, ai shpreh emocionet dhe recetat fituese të tij.


Urime Joakim Lëv! 

E prisnit këtë rezultat?

Isha i bindur për fitore, por jo kaq të thellë. E rëndësishme ishte që arritëm të thyenim emocionet dhe euforinë e jashtëzakonshme të brazilianëve me forcën e karakterit, qetësinë dhe fuqinë e futbollit tonë. Brazili u trondit pas golit të parë. Goditja e këndit ishte perfekte dhe e patëm shumë të thjeshtë për të dalë në lojën tonë. Luajtëm shumë mirë. E dinim që nëse do kundërsulmonim shpejt dhe u bënim presion të shpejtë, do shkatërrohej mbrojtja.

Organizatorët turpërohen. E mirëkuptoni dhimbjen e brazilianëve?

Këtë gjendje e kemi përjetuar vetë në 2006-n. Arrij ta kuptoj presionin e organizatorëve. Më vjen shumë keq edhe për Skolarin.

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë 5 gola në pjesën e parë. Si e shpjegoni këtë hegjemoni?

U shënuan 5 gola në 18 minuta dhe Brazili nuk po dinte ç’të bënte më. Ne kemi zhvilluar një superndeshje me ofensivë të zgjuar dhe një defensivë të hekurt. Të gjithë lojtarët e kryen perfekt detyrën e tyre dhe nga nesër nis misioni përfundimtar për ne. Kjo fitore historike duhet shijuar, por jo tepruar. Misioni ynë ende s’ka përfunduar.

Keni ndonjë preferencë, Holandën apo Argjentinën?
Pak rëndësi ka për mua dhe Gjermaninë time. Po i lë të më surprizojnë. Normalisht, gëzimi dhe euforia është tejet e lartë për finale.

Për çudi, nuk u ndikuat aspak nga klima…

Temperaturat luajnë rol patjetër. Kemi zhvilluar disa ndeshje në kushte mjaft të vështira klimatike, aq sa për pak na merrej fryma. Lojtarët kanë shkuar gjithnjë në limitet e rezistencës.
Klose theu rekordin e Ronaldos. Gjermania në finalen e 8-të të Botërorit. Shumë rekorde për 90 minuta…

Klosen e përgëzova. Isha i bindur që do e thyente rekordin. Ai është një “vrasës” dhe punëtor i jashtëzakonshëm. Bëri diferencën duke nxjerrë jashtë loje 3 mbrojtës. Për statistikat më informon presidenti Nirsbah. Jam krenar për këto rezultate dhe këto rekorde. Të gjithë lojtarët bënë diferencën. Dua t’i komplimentoj të gjithë.

E gjithë bota ju përulet. A do jetë i tillë ky fund?

Këta lojtarë kanë bërë të pamundurën. Kanë pasur kundër gjithçka të mundshme. Kanë sakrifikuar gjithçka dhe uroj shumë për një fund të lumtur. Duhet të kemi kujdes dhe deri të dielën të kemi bërë gati edhe planin e triumfit.

Skolari i deshperuarSkolari: Lutemi të na falni, fajtori jam unë
Të shpjegosh të pashpjegueshmen. Luiz Felipe Skolari nuk arrin të sqarojë një humbje të tillë, gjithsesi merr përgjegjësitë për disfatën. Trajneri i Brazilit mendon se skuadra nuk arriti të kontrollojë si duhet lojën pas pësimit të golit të parë dhe pikërisht në këtë moment, Gjermania shfrytëzoi të gjithë potencialin e saj.

Cili është përgjegjësi për këtë humbje?

Unë jam. Faji është i gjithë imi. Mund të vendosni ta shpërndani përgjegjësinë, por personi që vendosi mbi gjithçka jam vetë unë. Zgjodha formacionin, rreshtimin taktik, çdo gjë.
Si e shpjegoni këtë humbje?

Mund të them se pas pësimit të golit të parë, skuadra e humbi disi përqendrimin. Gjermania është një ekip i shkëlqyer, me përgatitje të lartë fizike dhe taktike dhe ditën se si të përfitojnë në ato pak minuta. U mjaftuan që të shkojnë në avantazh 4-0. Ishte katastrofike për ne. Edhe Gjermania e ka të vështirë ta shpjegojë se si arriti ta bëjë një gjë të tillë, pasi për pak minuta u vulos edhe fati i takimit.

Keni ndonjë mesazh për tifozët brazilianë?

Po. I lutem të gjithëve që të na falin, pasi nuk i çuam dot në finalen e Kupës së Botës dhe njëkohësisht dua t’i falënderoj për mbështetjen e zjarrtë që na kanë dhënë. Jemi munduar të japim gjithmonë maksimumin në fushën e lojës, por ndonjëherë kjo nuk mjafton. Tentuam ta çojmë deri në fund misionin, por fatkeqësisht nuk ndodhi. Gjithsesi, do luftojmë për të fituar vendin e tretë. Kemi ende diçka për të cilën luftojmë.

Mund të jetë kjo humbje një goditje e rëndë për futbollin brazilian?

Ne duhet ta lëmë pas krahëve dhe të mësojmë prej kësaj disfate. Është e domosdoshme që të mos i humbasim shpresat dhe besimin në forcën tonë. Të rinjtë, tifozët, futbollistët dhe drejtuesit e këtij sporti duhet të mendojnë se si ta rrisin cilësinë. Kurrsesi nuk duhet ta marrin si goditje të rëndë. Do ishte në dëmin tonë një gjë e tillë. Ne jemi një vend që gjithmonë kemi dhuruar futboll cilësor dhe do vazhdojmë të dhurojmë…

E mendoni largimin?

Jo. Po mendoj për ndeshjen e ditës së shtunë. Ky grup lojtarësh është investim për të ardhmen. Prej 23 futbollistëve, 15 prej tyre do jenë në Kupën e Botës 2018.

David Luiz mes lotëve: Pati faj mbrojtja, të ringrihemi

Do të hyjë në histori si kapiteni i skuadrës që u turpërua në shtëpi, kur u mundën me rezultatin e thellë 7-1. U mundua të evitonte një disfatë të tillë, por i vetëm e pati të pamundur. David Luiz u kërkon falje të gjithë tifozëve për atë paraqitje, për atë rezultat dhe që i dha fund ëndrrës së tyre për të ngritur trofeun. Por, ai kërkon që të mos dorëzohen dhe të gjejnë forcë e guxim për t’u ringritur. “Unë doja që t’i dhuroja lumturi popullit tim, i cili vuan nga shumë gjëra të tjera. Fatkeqësisht nuk ia dolëm mbanë. U kërkoj falje të gjithë brazilianëve. Doja vetëm t’i shikoja njerëzit duke buzëqeshur. Të gjithë e dinë se sa i rëndësishëm është futbolli në Brazil. Ne po fitonim dhe i gjithë populli ndihej mirë. U përpoqëm të jepnim maksimumin tonë në fushën e lojës, por pësuam katër gola për gjashtë minuta. Është një ditë trishtuese, por edhe një leksion i madh i jetës”, u shpreh David Luiz, i cili nuk i mban dot lotët para kamerave. Sa i përket arsyes së disfatës, ai pranon që mbrojtja pati gabimet e saj. “Vuajtëm disi në mbrojtje dhe gjermanët e kuptuan këtë gjë. Na sulmuan pikërisht aty dhe përfituan. Tani është shumë e vështirë ta shpjegosh. Është një ëndërr që nuk do të realizohet për ne. Kam mësuar në jetë që të sillem me maturi dhe nuk dua që të shkatërrohet gjithçka pas kësaj që ndodhi. Nuk duhet të dorëzohemi, por të gjejmë forcën dhe të ringrihemi”, përfundoi deklaratën e David Luiz.

Tremb Humelsi: Kam shumë dhimbje në gju

E vetmja notë negative e një mbrëmjeje përrallore janë dhimbjet e gjigantit të mbrojtjes gjermane, Mats Humels. 25-vjeçari u duk se u zëvendësua nga trajneri Joakim Lëv thjesht nga luksi i rezultatit, por me sa duket, zgjedhja ka qenë e detyruar, sepse futbollisti i Borusias së Dortmundit ka ndier shumë dhembje. “Po, zëvendësimi im ishte i detyruar, – deklaron ai për Eurosport. – Kam pasur shumë dhimbje në gju, në tendina saktësisht, prej disa ditësh, por dje nuk ia dilja dot më që të luaja. Nuk dua që ta ekzagjeroj problemin tim, por gjithsesi, nesër (sot), do të mësojmë diçka më shumë, pasi të kryej analizat. Nuk dua të ndalem, nuk dua të dorëzohem në ndeshjen që të gjithë ne kemi pritur. Do bëj të pamundurën që gjuri të funksionojë”. Me pak fjalë, alarmi për mbrojtësin Mats Humels është rikthyer, ai dëmtim që e la jashtë në ndeshjen kundër Algjerisë në 1/8-at duket se nuk është rikuperuar ende plotësisht, prandaj në pritje të finales së të dielës, pak frikë mbi mbrojtësin goleador (dy gola të shënuar në këtë Botëror) ekziston. “Nuk jam mendjemadh dhe të them që nuk mund të stërvitem deri të shtunën e ardhshme dhe të dielën do të jem në fushë me çdo kusht, sepse fillimisht duhet dëgjuar edhe mendimi i mjekëve, gjithashtu ai i trajnerit. Por unë do të përdor të gjitha armët që të mos mungoj në finale”, deklaroi pas ndeshjes ai.


MEDIAT

“Bild”: Faleminderit! Ju adhurojmë! 7-1!
“Sport1″: Finale! Gjermania shkruan historinë!
“Bundesliga.de”: 7-1! Ndeshja e shekullit!
“Welt”: Mrekullia e Belo Horizontes tani një legjendë!
“Blick.ch”: Brazili bie në humnerë kundër “tankeve”
“L’Equipe”: Shkatërrim!
“Lancenet”: Katastrofa më e madhe në histori!
“O Globo”: Ofenduese! Lojtarët brazilianë kërkojnë falje për zhgënjimin.
“A Folha”: Masakër! Dështim historik në “Mineiraço”
“El Mundo”: Marakanazo në infinit!
“Marca.com”: Turp!
“Krone.at”: Gjermania, “tenis” kundër Brazilit
“New York Times”: Gjermania dërrmon Brazilin 7-1
“Daily Mail”: Tifozët brazilianë shokohen nga heronjtë e tyre pas humbjes dramatike 1-7. Organizatorët shpërthejnë në lot, Gjermania në finale!
“Daily Start”: Fundi i Botës! Ëndrrat e brazilianëve marrin fund nga gjermanët!

“Gazzetta”: 1-7! Shkatërrim historik, Gjermania në finalen e 8-të!


Brasil vs Germany 1-7 World Cup 2014
Goals & highlights - video

*   *   *






June 25, 2014

June 12, 2014

Udhëtimi i parë në tokën e lirë




Nga Mero Baze

Një ditar i mbajtur gjatë javës së parë të lirisë së Kosovës. Si gazetar i radios “Evropa e Lirë”, kam qenë javën e parë të çlirimit të Kosovës bashkë me gazetarë të tjerë ndërkombëtarë dhe shqiptarë. Në disa vazhdime do të sjell detaje nga këto udhëtime, 15 vjet më pas.


Një snajperist maroken që kishte qenë bashkë me Dardanin në luftë porositi birra të mëdha dhe ne nisëm të flasim për atë që kishte ndodhur në Kosharë. Marokeni më tregoi sesi ishin vrarë disa kolegë të tij snajperistë prej Francës dhe Anglisë dhe si kishte mundur të shpëtonte ai.

Pastaj, me qetësi tha se ishte duke parë mundësinë të ikte në Kashmir, në zonën mes Indisë dhe Pakistanit, ku një luftë e re sapo kishte filluar. Biseda ime me të dhe përqafimi i Dardanit me babain e tij pas vitesh të tëra ishin dy botë të ndryshme, dy emocione të ndryshme dhe mbi të gjitha dy histori të jetuara ndryshe. Unë e jetoja luftën e Kosovës si gazetar shqiptar, ai si mercenar maroken, kurse Dardani dhe Nehati si pjesë të historisë së tyre që po ndryshonte si një ëndërr.

Të nesërmen u gjendëm në Qafë-Thanë, ku problemet e para na i solli po Dardani. Ai kishte një “Travel Document” të qeverisë kanadeze, i cili e ndalonte të futej në territore të ish-Jugosllavisë. Menduh Thaçi e zgjidhi problemin me telefon nga Tetova dhe një makinë e komunës së Tetovës na shoqëroi deri në Tetovë. Ndenjëm aty atë natë dhe u nisëm për në Kosovë të nesërmen. Hashim Thaçi ishte ndërkohë në Maqedoni bashkë me qeverinë që kishte shpallur gjatë luftës.

Kisha kuriozitet për Bllatën, vendin ku për pak u bë një genocid masiv ndaj mijëra të ikurve. Për katër ditë ata u mbajtën të bllokuar dhe shkuan në kufijtë e ekzistencës fizike. Kolegu im ,Mehmet Kraja, që kish shkuar të priste vajzat e tij të mbetura në Prishtinë, më kishte përshkruar skenat e tmerrit atje. Fati ia kishte shpëtuar vajzat, Garenti- nën, atë kohë gazetare te “Koha Ditore” dhe Arzanën, që sapo kishte mbaruar shkollën e mesme.

Një karvan i gjatë rreth tri kilometra paralajmëronte hyrjen në pikën kufitare të Bllatës. Mbeturinat e kampit ishin ende atje. Grum- buj plastmasesh, disa varre të freskëta dhe rreth 500 metra më tutje, pranë fabrikës së çimentos në tokën e Kosovës, një shesh i madh me autovetura të plaçkitura që udhëtarët i kishin lënë aty, kur kishin lësh- uar Kosovën.

Te sheshi i autoveturave ishte një flamur shqiptar dhe një komando e UÇK patrullonte vendin. Ilir Palloshi, një i ri nga Teto- va, tregonte sesi kishte duruar mbi kurriz shkopinj gome nga policia maqedonase, ndërkohë që përpiqej të nxirrte nga bllokimi refugjatët. Kishte parë me sy skena poshtëruese, kur policët rrëmbenin ndihmat dhe i hanin, apo i shpërdoronin në sytë e njerëzve të uritur.

Dy të parët prisnin të kalonin me nga një dokument blu, një kartë refugjatësh lëshuar nga kampet e Maqedonisë. Ata që po kthe- heshin, ishin kryesisht nga Ferizaj dhe Prishtina.

Në Bllatë nuk kishte më policë me armë, por disa nëpunës që silleshin mirë. “Tani këta kanë një leksion të mirë, – tha shoferi që na shoqëronte prej Tetovës. – Ajo që NATO bëri në Kosovë nuk ka shpëtuar vetëm Kosovën, por dhe këta.” Policia maqedonase kishte mbetur në kujtesën e shqiptarëve “si më e egër se “shkijet”, kur kishte bërë mizorinë e kampit të Bllatës, një kamp shumë herë më i tmerrshëm se kampet naziste të përqendrimit. Njeriu aty ishte një qenie pa identitet dhe pa personalitet. Rreth 32 vetë vdiqën dhe u varrosën te këmbët e refugjatëve, kurse të tjerë vdiqën në spitale. Ishte një barbari që tashmë kishte kaluar.

Refugjatët kishin zënë radhën te trau i fundit i Maqedonisë, ndërsa përballë tyre, për herë të parë valëvitej një flamur shqiptar dhe patrullonin ushtarë amerikanë. Disa prej tyre mbanin në duar buqeta me lule, që iua dhuronin njerëzve që kalonin kufirin.

Si gazetarë e kaluam kufirin fare lehtësisht. Ushtarët amerikanë na përshëndetën dhe na treguan drejtimin e duhur. Më tutje, disa djem të veshur me uniformë të UÇK na përshëndetën dhe na uruan mirëseardhjen. Ndjeheshin më shumë qytetarë krenarë, sesa ushtarë.

Disa prej tyre na treguan se serbët i kishin vjedhur të gjitha makinat e shqiptarëve të mbetur atje dhe kishin lënë vetëm karrocer- itë. “Kanë marrë motorat dhe pjesët që vlejnë”, – tha Afrimi, një djalë që thoshte se i përkiste brigadës “Agim Bajrami” të UÇK.

Flamuri shqiptar i ngritur në një shtizë të lartë hekuri afër fabrikës së çimentos ishte bërë mollë sherri një natë më parë, pasi autoritetet maqedonase kishin pyetur se donin të dinin me kë kufizoheshin “me Jugosllavinë apo Shqipërinë”. Ishte një pyetje që ushtarët e NATO-s i vinte në pozitë të vështirë. Një prej tyre tha se ndjehej keq nga ky lloj konflikti i ftohtë. “Unë iu përgjigja shkurt, – tha ai, – ju keni fqinjë shqiptarët”.

***


Një grup taksistësh nga ana tjetër e kufirit ndërkohë kishte filluar biznesin e tij të ri, transportin e “sigurt” drejt Prishtinës. Për 100 marka ata çonin njerëzit që nuk kishin vetura në Prishtinë. Shumica e ve- turave të Kosovës nuk ekzistonte më dhe kjo ishte një dramë e re për shqiptarët. Ata nuk kishin me se të lëviznin, ndërkohë që edhe linjat urbane nuk ekzistonin më. Kosova ishte në ato kohë vendi me më pak vetura në botë, gati sa Shqipëria në vitin 1990. Taksia kushtonte shtrenjtë, ndërsa makinat e NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare ishin i vetmi mjet i sigurt për lëvizje.

Rruga nga Bllata në Prishtinë ishte e qetë dhe as që të krijohej ideja se kish qenë një rrugë, ku për tre muaj ishte mbartur tensioni i depërtimit me dhunë të shqiptarëve.

“Prej kafe “Evropa”, kafja ku serbët pranuan kapitullimin para NATO-s në Bllatë e deri në grykën e Kaçanikut ka qenë kolona e tankeve, kur hynë ditën e parë”, – tha shoferi. Rruga ka qenë shumë e minuar. Ai na tregoi një tunel në fillim të grykës së Kaçanikut, ku kishin ndaluar gjatë xhenierët për të kontrolluar vendin. “Faktikisht, ky tunel ka qenë aq i minum, saqë specialistët kanë depërtuar të parët, por me punë shumë të madhe dhanë lejen për të kaluar. S’guxonte kurrkush të jepte lejen. Prej orës 5 në mëngjes, deri në 18 në mbrëmje kanë rrugëtuar tanket, tuj u ndal, tuj u ndal”.

Vendet e rrezikshme që kishin ende mina, ishin rrethuar me shirita të verdhë. Një ekip tjetër çminues do të vinte pas pararojës për të hequr minat. Në mes të grykës së Kaçanikut, një shtëpi e braktisur, por dukej ende e papërfunduar, kishte një flamur shqiptar sipër saj. Ishte një bazë e re e UÇK ose më mirë të themi një patrullë tashmë e paarmatosur e saj, që kontrollonte hyrjet në Kosovë në vendin më të ngushtë për të kaluar. “Më sipër saj ka qenë një kafe, por dhe ajo është shkatërruar. Këtu kanë qenë plot banda paramilitare”, – më tregonte Nehati, i cili nuk kishte lëvizur asnjë ditë nga shtëpia e tij në Prishtinë, për tre muaj.

- Ku kanë qenë postoblloqet? – e pyeta shoferin.

- S’di ç’të them, – më thotë ai. – Me kerr s’ka guxuar kush të lëvizë. Ka qenë rrugë e keqe, vetëm banda ka pasur në këto rrugë.

Lumi Lepenicë, një përrua i vogël, por i thellë që shkonte për- fund grykës, kishte qenë kufiri i zonës që kishte kontrolluar UÇK, kryesisht majat e maleve përballë. Ndërsa kalonim te vendi i quajtur “Guri i Shpumë”, një gurore nga ku merrte lëndën e parë një punishte gëlqereje në Kaçanik, shoferi na tregoi një vend, ku ishte bërë një betejë e ashpër me serbët, kur më pas ata kishin boshatisur e djegur qytetin e vogël të Kaçanikut.

Kaçaniku ngjante i shkretë dhe pa këmbë njeriu. Përfund periferisë, aty ku qyteti mbaronte, shiheshin tre ushtarë të UÇK që diçka kontrollonin. Dy kuaj pak më tutje shëtisnin të lirë mbi një livadh të pakositur prej kohësh dhe që dukej se askush nuk do ta kosiste atë verë.

Kaçaniku kishte qenë ndër qytetet e para që “patën pastruar” serbët. Në dalje të qytetit, një patrullë e ushtarëve të NATO-s vëzhgonte me rreptësi të gjitha makinat që kalonin. Ishte një pamje që të vriste me boshësinë e saj.

Tutje postobllokut të NATO-s dukeshin gjurmët e një postoblloku të shkatërruar të policisë serbe. Disa dhjetëra thasë me rërë qenë spostuar buzë rrugës, ndërsa një veturë e djegur ishte në anën tjetër të saj.

Pas postobllokut vazhdonte e njëjta pamje. Majtas, përtej lumit, vargmali i Sharrit ishte duke u mbyllur dhe rruga deri në Prishtinë pas kësaj ishte një rrafshinë.

Një kafe e famshme shqiptarësh buzë rrugës, ndërsa i afroheshim komunës së Ferizajt, ishte shkatërruar plotësisht. Dukej se kafja ishte minuar, pasi gjithë rrënojat ishin mbledhur në qendër të saj. Ndërsa bisedonim për shkatërrimet dhe bombardimet, vume re lehtë se shumica e shtëpive i kishin të ruajtura kulmet e tyre dhe konstruktin. Shkatërrimi më i madh ishte te dyert, dritaret dhe plaçkitjet. Dukej se ato ishin megjithatë një bazë e mirë për pritjen e valës së parë të refugjatëve. Shumica e tyre kishin një kulm, ku mund të fusnin kokën. Rreziku qëndronte vetëm te minat surprizë. Taksisti tregoi një rast që kishte ndodhur një javë më parë, kur një i ri i paditur kishte marrë një minë surprizë dhe e kishte çuar vetë në shtëpi, pa e ditur çfarë ishte. Kur e kishte prekur, sipas tij, kishte vrarë veten, babain dhe një mik shtëpie.

***

Fusha e Kërlicës, siç quhej rrafshina, në të cilën po ecnim në rrethinat e Ferizajt, ofronte pamje të tjera të ngjashme me ato që lamë pas. Buzë rrugës zakonisht kishte kafene apo restorante shqiptarësh të shkatërruara, një qen i ngrodhur buzë rrugës, fusha të pambjella dhe bar i pakos- itur.

Disa kilometra para Ferizajt, një postobllok tjetër i fortë i NATO- s. Një vajzë e vogël kishte filluar t`i shpërndante nga një tufë me lule secilit ushtar, të cilët, me gjithë vëmendjen e madhe ndaj makinave që kalonin, i pranonin me gëzim lulet, duke i kushtuar vëmendje dhe vogëlushes.

Përshëndetëm patrullën dhe, pasi i treguam kartat e shtyp- it, ata na bënë shenjë të ecnim. U përpoqëm të fotografonim vajzën që iu jepte lule dhe njëri prej tyre ishte i gatshëm të pozonte.

Për herë të parë pamë një livadh të korrur. Shoferi na tregoi se banorët e një fshati aty afër nuk ishin larguar gjatë bombardimeve, megjithëse NATO e kishte bombarduar atë fshat. Shtëpitë e bombarduara dukeshin qartë nga rruga. Gati të gjitha shtëpitë e asaj lagjeje kishin mbetur pa tjegulla në kulm, nga presioni i ajrit, ndërsa atje ku kishte rënë predha, ishte shkatërruar gjithçka.

Në fillim të një livadhi dukej një baltë e freskët e gërmuar dhe taksisti na tregoi se ishin varre të freskëta të fillimit të qershorit, kryesisht viktima të bombardimeve atje.

Ndërsa ishim duke biseduar për bombardimet e NATO-s, një karvan i gjatë me makina na u shfaq përpara, ecnin me shpejtësi të vogël, për shkak të ngarkesës, por dhe rregullave të kolonës. Fillimin e kolonës nuk ishim në gjendje ta dallonim. Ishin banorët serbë të disa fshatrave serbe, që po largoheshin. Filluam t`i parakalonim dhe u ndeshëm me fytyra gjithë makth e pasiguri. Makinat e tyre, shumica makina të vjedhura nga shqiptarët, ishin të mbushura me batanije, ush- qime dhe sende shtëpiake. Ndërsa ne i parakalonim, ata e kuptuan se ishim shqiptarë dhe egërsuan vështrimet. Kolona zgjaste gati 4 kilo- metra. Në krye të tyre ishin tri makina të forcave greke, që merrnin pjesë në NATO. Ishin të vetmit ushtarë që serbët tashmë iu besonin.

Diku, në një fshat para Lipjanit, një fotoreporter francez na ngriti dorën gjithë panik dhe ne ndaluam veturën. Shumë afër vendit ku ndaluam ishte një fshat serb, Tankosiç. Na u lut ta merrnim deri në Prishtinë, ishte i trembur nga serbët. “Ata janë të dëshpëruar, – tha, – se kanë humbur. Unë iu afrova si mik. Iu thashë se jam francez dhe jemi miq, por ata më fyen”. Fotoreporteri tha se vinte aty nga Kamboxhia, ku kishte parë të njëjtat skena. Vazhdoi sërish temën me serbët e zemëruar dhe nuk e kuptonte, përse kishin refuzuar ndihmën e tij. Ai tha se ishte marrë me invalidët në Kamboxhia dhe kishte shumë pika të krahasueshme. “Ata po iknin, – tha, – se ishin terrorizuar. Unë kam ndenjur dy ditë në një fshat, këtu afër, me disa shqiptarë dhe situata ishte shumë e keqe. Shqiptarët njohin shumë prej këtyre që kanë bërë krime. Nuk di sa do të përmbahen, por di që nuk do t’iua harrojnë. E di se do të ketë një tension të madh.”

Nehati përpiqej t’i mbushte mendjen se, nëse nuk kishin bërë krime, ata nuk kishin pse të iknin. Ai tregoi për një fqinjën e vet në pallat. Ajo për çdo ditë ishte treguar e vëmendshme që të shmangte kontrollin e shtëpisë së saj nga paramili- tarët. “Ishte një serbe e mirë, – tha ai, – por ajo iku. I thashë se unë do t’ia ktheja të mirën, por ajo iku. Ndoshta do të kthehet më vonë, kur të qetësohet situata.”

***

Ndërkohë, fshati Prelez ishte bombarduar nga NATO. Kryesisht ishin bombarduar shtëpitë që kishin mbajtur tanke të fshehura. Fshati ishte i banuar nga serbët. Karvani i serbëve ishte sërish në rrugë. “Thonë se po djegin shtëpitë e veta, – tha Nehati, – për të mos iua lënë shqip- tarëve.”

Një tjetër fshat serb, Babushan, ishte boshatisur dhe njerëzit prisnin te rruga t’i bashkangjiteshin karvanit.

Parakaluam një makinë, e cila kishte mbështjellë plaçkat me një rrobë ushtarake. Dukej se kishte pasur një lidhje të fortë me ushtrinë. Ishte një ikje që nuk vinte nga dhuna, por nga frika e së shkuarës së një populli, nga biografia që ai vetë kishte ndërtuar në raport me një popull tjetër. Ngjante si një reflektim vetëvrasës për atë që kishte ndodhur në këtë vend. Ishin të vetmet karvane që nuk i shoqëronte askush dhe nuk i shtynte askush me bajonetë. Përkundrazi, shoqëroheshin nga NATO dhe mbroheshin prej saj.

Një parullë e madhe “NATO, mirë se vjen në Ferizaj!” ishte shkruar te një urë që kryqëzohej me rrugën.

Ishim te fshati i taksistit, fshati Lukar. Por, ndërsa ia kujtuam këtë, ai na tha se atje banonte edhe një gazetar i RTVSH nga Koso- va, Sherif Konjufca. Na tregoi kafenenë e tij të paprekur dhe më tej shtëpitë e tij. Dy mullinjtë e vetëm të miellit në atë zonë ishin djegur, pasi serbët kishin dashur të mos prodhohej miell jashtë kontrollit të tyre. Më tutje, një fshat ku ishte bërë një masakër, thuhej se pesëdhjetë vetë ishin vrarë pas kodrës në Sllovi, në muajin maj. Vazhdonin sër- ish katunde të serbëve. Dobratini, një prej tyre, ngjante po i zbrazur,

ndërsa disa traktorë ishin grumbulluar në rrugë. Dhe ata po iknin. Para Lipjanit, një nga kafenetë më të mira të udhës ishte shkatër- ruar përsëri. Prej andej dukej aeroporti i Sllatinës dhe vendi ku kishte qenë antena e TV Prishtinës, bombardar nga NATO.

Dy muaj ishte bombarduar Sllatina, por, kur kishte ikur para disa ditësh ushtria serbe, 11 aeroplanë kishin arritur të shpëtonin dhe kishin dalë nga aeroporti. Prishtina ishte pas kodrës, ndërsa u shfaq Hajvalia, periferia e parë e Prishtinës, ku kishin qenë të grumbulluara njësitet speciale të policisë. Ishte bombarduar dhjetëra herë dhe ishte ndoshta një nga periferitë më

të dëmtuara nga NATO.

Ndërkohë, te pompa e fundit e benzinës, ku kthehej rruga për

në Fushë-Kosovë, sërish serbë të grumbulluar. Pompa e benzinës ishte marrë nën kontroll nga UÇK, por kishte pak karburant, sa për makinat që i shërbenin UÇK në Prishtinë. Kriza e karburantit kishte nisur të ndjehej gjithandej, pasi ishte java kur ende nuk ishte filluar të mendo- hej për rrjetin e ri të tregtisë jashtë serbëve dhe Serbisë.

Po kështu dukej se do të ndodhte dhe me ushqimet dhe mjetet e tjera të nevojshme për mbijetesë. Të kthyerit e parë në Prishtinë ishin pak, por ata rriteshin me orë, ndërsa rrjeti tregtar shkatërrohej me minuta. Serbët linin gjithçka dhe ikin, duke mos dashur t’i pengonte askush, po kështu ndodhte dhe kur ndonjë serb kërkonte ndihma hu- manitare. Të gjithë kishin dëshirë të heshtnin para tyre dhe ata ndje- heshin fajtorë për atë që kishin bërë. Dhe ata iknin.

***

Arritëm në Prishtinë. Gjithë rruga më kishte kaluar si në ëndërr dhe isha përpjekur të përpija gjithçka. Ishte hera ime e parë në Kosovë, por dhe më e fortë ishte ideja se po futesha në një vend të sapodalë nga një luftë e fituar. Dardani, “heroi” ynë, ishte shastisur. Ai po kthehej pas 7 vjetësh në shtëpi. Kishte 7 vjet pa parë nënën dhe gjyshen e vet. Në vitin 1992, kur kishte mbushur 18 vjet, ai ishte thirrur për ushtar nga serbët, por nuk kishte pranuar të shkonte. Kishte dalë nga Kosova dhe ishte vendosur në Londër. Më pas, në Kanada. Kur sapo kishin fil- luar bombardimet e NATO-s dhe kur lajmet nga Prishtina po bëheshin përditë e më të zeza, ai e kishte lënë qytetin e qetë të Vankuverit në Kanada dhe kishte ardhur në Shqipëri. Me një furgon kishte udhëtuar nga Durrësi në Kukës dhe pastaj ishte inkuadruar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Kosharë. Ai po kthehej atë ditë në shtëpinë e tij.

Gjyshja e tij, rreth të 90-ave, ishte dobësia e tij e madhe. Gjatë bombardimeve ajo kishte qenë në rrezik të vdiste, por, siç thoshte e bija e saj, kishte mbajtur shpirtin gjallë “sa të kthehej Dardani”. Ishte një skenë e zakonshme me gaz e lotë në një familje ku rikthehej qetësia e humbur.

Nehat Islami ishte nga të paktët intelektualë dhe gazetarë shqiptarë që nuk kishte lëvizur nga Prishtina gjatë bombardimeve. Së bashku me Zenun Çelën dhe Ibrahim Kadriun ata kishin ndërruar disa herë banesë, por kishin qëndruar në Prishtinë. Ishte një rikthim i plotë i qetësisë. Rikthim i djalit në shtëpi, ikja e serbëve nga Prishtina, gjallërimi i rrugëve, të gjitha këto kishin qenë të papërfytyrueshme dy ditë më parë.

Sapo u çlodh pak, Dardani kishte dëshirë të dilte dhe të shëtiste nëpër Prishtinë. Qyteti ngjante në ringjallje e sipër. Në rrugë kishte njerëz disi më të qetë, ndërsa në sheshin kryesor të qytetit forcat e NATO-s kishin vendosur tanke dhe autoblinda.

Në lagjen Velani, lagj- ja më luksoze e Prishtinës, shtëpia e Ibrahim Kadriut ishte shkatërruar plotësisht nga brenda. Aty kishin qëndruar njësitë policore. Dy thika të tyre ishin harruar në katin e parë, ndërsa biblioteka dhe pikturat e djalit të tij nuk ekzistonin më. Në mure ishte vizatuar shenja e famshme serbe e katër “S”, që përkthehej “Vetëm bashkimi i shpëton serbët”.

Më keq akoma ishte shtëpia e një mjeku fqinj me të. Hymë bren- da në shtëpi përmes derës së shqyer të garazhit, me pak frikë së mos ndonjë minë surprizë mund të shpërthente. Edhe aty ishte shkatërruar gjithçka. Ishte një rrëmujë që të ngjallte trishtim.

Një barbari primitive lexohej në çdo sjellje të çoroditur të paramilitarëve që kishin qëndruar aty. Saksitë e luleve ishin përmbysur të gjitha, me shpresë se aty ishin fshehur pará. Muret ishin zhgaravitur me parulla çetnikësh, ndërsa kolltuqet ishin prerë me thika. Në rrugicën para shtëpisë një fqinjë tregonte se kishte gjetur disa gjymtyrë njeriu dhe një organ seksual mashkulli. Në atë shtëpi dukej se ishin torturuar dhe masakruar njerëz. Në të njëjtën kohë njoftohej se një qendër tjetër torturash ishte zbuluar në një konvikt të shkollës së mesme, në qendër të Prishtinës. Velania ngjante e qetë, por ende e frikësuar.

Ndërsa ne ecnim rrugicave të saj të pjerrëta, shihnim ndonjë grilë dritareje që hapej gjithë ndrojtje.

Shtëpia e Ibrahim Rugovës ishte po aty. Te dera ajo ishte ende e ruajtur dhe dukej se nuk kishte prekur dikush diçka, por rrotull saj kishte shkatërrime. Asnjë fqinj i tij nuk ishte kthyer dhe për të nuk kishe kë të pyesje më në atë lagje. I thashë një shqiptari që kalonte aty, nëse mund të hyja te shtëpia e Ru- govës. Ai më pa paksa i trembur dhe iku pa folur, duke tundur kokën në shenjë habie. Dukej se ishte një dilemë te njerëzit për gjithçka që lidhej me emrin e tij.

UÇK ishte afër, një lagje më lart, në një breg shumë dominues. Flamuri shqiptar i ngritur te ndërtesa dhe disa ka- limtarë të rastit na treguan menjëherë rrugën për atje.

Para ndërtesës së shtabit takuam Lirak Çelën, zëdhënësin e UÇK së zonës së Llapit, një djalë i ri, i qetë dhe i kulturuar. Tregoi se shtabi ishte në një mbledhje dhe se aty dita-ditës po mblidheshin gjithë komandantët e zonave. Ai i tregoi Dardanit se edhe një nga komandantët e tij ishte paraqitur. Liraku dukej se do të vazhdonte angazhimet dhe ca kohë me UÇK. Dardani kishte ndërmend t’i kthehej jetës civile dhe të ndërtonte një radio-show në Prishtinë.

Ndërsa zbrisnim nga shtabi i UÇK, në oborr u duk Idajet Hyseni, i emëruar ministër i Drejtësisë në qeverinë e përkohshme të Kosovës. Na përshëndeti nga larg dhe u kthye. Duke zbritur rrugën për Prishti- në, në rrugë kishte pak kalimtarë. Në lagjen “Dardania” ndërkohë na u desh të ndalonim. Një makinë me targa të Nishit humbi ekuilibrin në rrugë dhe pas xhamit të thyer pamë një shofer që u palos mbi timon.

Dikush tha se dëgjoi një krismë të thatë, por në fakt gjithçka u mor vesh, vetëm pasi njerëzit u afruan te makina e ndaluar. Një shq- iptar kishte rënë përmbys, i përgjakur mbi timon. Askush nuk e njihte. Forcat britanike mbërritën aty për dy minuta, pasi një patrullë e tyre kishte qenë fare afër. Një prej ushtarëve filloi të llogariste këndin e goditjes dhe konstatoi se ishte qëlluar me snajper nga pallati përballë.

Trupi i tij u çua menjëherë në spital. Ishte një ngjarje nga ato që nuk tregonin se lufta nuk kishte mbaruar dhe Prishtina nuk ishte çliruar. Vrasjet tinzare vazhdonin dhe dukej se në shumicën e rasteve nuk ishin qërim hesapesh, por dufe mizorë të serbëve që iknin.



*   *   *