October 13, 2014

Pse duhet të ikë Visho Ajazi



imazhe shqip

Nga Bedri Islami

Kushdo që e ka ndjekur të gjithë atë që ka ndodhur me karrierën e zotit Visho Ajazi, shefit fuqiplotë të Shërbimit Informativ, nuk ka pse çuditet për asnjë moment me skandalin më të ri që ka ndodhur: Atë të përgjimeve. Kjo gjëja më e zakonshme që është pritur prej tij, dhe kësaj here, njëra nga gjërat më të dukshme, të cilën ai, ose nuk arriti ta fshehë, do të thotë ta fshijë, ose e ka lënë qëllimisht të shpaloset, por jo në të gjithë përmasat e saj për një fakt të thjeshtë: Tani të gjithë e dinë se dosjet e tyre nuk gjenden më tek ministria e Brendshme apo tek sigurimi i ri i shtetit, por më shumë se kudo tjetër, ata gjenden në zyrën e Berishës, i cili është në të vërtetë edhe urdhëruesi i përgjimeve, specifikimeve dhe përzgjedhjes së tyre, e më pas arkivimit.

Ky fakt, i shpallur tashmë publikisht, por i ditur nga të gjithë, pasi edhe vetë kreu sekret i Sigurimit të Shtetit, Berisha, e ka bërë të njohur. Disa herë ai ka folur për dosjet që mban pas vetes, disa herë ai ka shpallur gjysmë të vërteta, nisur nga ajo që i kanë dërguar dhe që ka arkivuar, dhe, më shumë se gjithçka tjetër, ai ka bërë presion tek të tijtë për t’i mbajtur për kapistalli. Dhe ia ka arritur. Sa herë që dikush ka pozuar kundërshtimin, ai është gjetur para tri alternativave: braktisjes së atdheut, aksidentit dhe linçimit politik.

Përgjimi i fundit i shpallur, sepse përgjimet vazhdojnë nga struktura brenda SHISH, por edhe jashtë saj, që ishin më parë pjesë e këtyre strukturave, solli dy risi, që mund të jenë edhe të veçantat e saj. Së pari, përzgjedhja e politikanëve të përgjuar është dukshëm e qartë se kë quan Berisha dhe kë ka trajtuar Visho Ajazi si armiq të pushtetit të Berishës. Lista është e dyfishtë: brenda vetes, e më shumë jashtë vetes. Duke qenë se përgjimet e zbardhura kanë datim para zgjedhjeve të 23 qershorit, në rrjetën e një shërbimi personal kryeministror, kanë rënë edhe aleatët e tij; që nga Meta, si njeriu më i afërt deri në fillimet e vitit 2013, e deri tek ministrat e tij që ishin të gatshëm të rebeloheshin. Hapja e kësaj katrahure në të njëjtën kohë është një shenjë se i gjithë koalicioni i ngritur para 23 qershorit ishte bërë mbi përgjimin, dyshimin, “dosjimin”, dhe mbi të gjitha mbi mundësinë për të hequr qafe njëri tjetrin. Fakti se Visho Ajazi ka dhënë urdhër të përgjohen krerët e opozitës së djeshme nuk e bën më interesante këtë tablo, por e bën më të mjerueshme; pasi njeriu që bubullinte nëpër sheshe për votën plebishitare, më shumë se gjithçka i trembej humbjes , të cilën e priste dhe e dinte se do të vinte. Kjo ka bërë që më pas, me shpejtësi të marramendëse, Berisha dhe të tijtë, të bëjnë rrokada të fuqishme në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të dërgojnë pranë Nishanit njerëzit më besnikë, si kontrollues apo dedektivë privatë berishianë, ta rrethojnë atë me njerëz nga dora e fortë, të cilët kishin mbi vete edhe faje të tjera të mëdha, si ishte prishja e serverit kryeministror në natën e 21 janarit 2011. Po ashtu, Visho Ajazi u rrethua shpejt e shpejt me njerëzit e vitit famëkeq 1997, vit në të cilin, pikërisht kjo strukturë shpalli njërin nga kumtet më famëkëqinj të 25 viteve të fundit; rrethimin e shtetit përmes bandave të armatosura. Berisha e bëri të gjithë këtë me një dorë të sigurtë, pasi ai, ashtu si ka në dorë dosjet e sotme, ka edhe të djeshmet, dhe e di fare mirë se cili nga të komanduarit e vitit 1997 është i përfshirë në botën e krimit, edhe pas kësaj date, kush ka mëkate për të larë dhe gjynahe për të paguar. Kjo kategori është pikërisht ajo që Berisha mban më afër se gjithçka tjetër, pasi, përmes tyre, ai ka dhënë kurdoherë goditjen e fuqishme.

Kjo sajesë nomenklature dhe njerëzore, kjo mbarsje e krimit me politikën, është edhe shkaku i parë përse Visho Ajazi duhet larguar që andej ku e kanë vënë; por jo vetëm kaq… që këtu duhet të fillojë llogaridhënia e tij, qoftë edhe penale, pasi, duke kriminalizuar një strukturë kaq të rëndësishme, ai në fakt e ka bërë kriminalizimin pjesë të shtetit të tij.

Së dyti, veçoria e këtyre përgjimeve janë rrjetëzimi i një shtrese njerëzish të pasur, të cilët, edhe mund të kenë fajet e tyre në botën e financës, por që kanë shërbyer si karrem i ardhshëm për të mbuluar të vërtetën e përgjimit.

Këto njerëz nuk janë përgjuar se ishin miq të Olldashit, Metës, Ramës, Patozit, Ballës etj etj, sepse në vitin 2012 e deri në qershor të vitit 2013 askush prej tyre nuk e merrte guximin të shpallte miqësinë me opozitën. Nëse do të ndodhte kjo, pasuria e tyre financiare do të përmbysej shumë shpejt, dosjet për to, ose do të dilnin në sipërfaqe ose do të bëheshin që nga fillimi. Visho Ajazi i ka përgjuar ata dhe të tjerë si ata, regjistrime që tashmë janë fshirë, jo se nuk e ka ditur se atyre u rreh zemra për pushtetin, jo se nuk e ka ditur se ishin pikërisht ata, që në të shumtën e rasteve ishin donatorët më të fuqishëm të zonjës Berisha, jo se nuk e dinte se ata ishin miq të Zen Berishës dhe klientë të Argitës, por sepse ishte gjithnjë rreziku se ndonjëri prej tyre, ose të gjithë bashkë, pas 23 qershorit do të braktisnin lidhjet e vjetra me familjen kryeministrore. Kjo familje kishte investuar tek ato, ndoshta pas perdeve të perandorive financiare fshihen pikërisht bosët e kësaj zallamahie kryeministrore, dhe këtë, më mirë se gjithë të tjerët, e dinte Visho Ajazi. Dhe e dinte në detaje të imta, sepse në përgjithësi e dinin të gjithë.

Vendosja e shërbimit të fshehtë shqiptar, që sipas kushtetutës ka të tjera detyra e veçori, në shërbim të një familje, që është e mbarsur me dallavere e ngjarje makabre, dhe që përmes këtij shërbimi kërkon të mbajë edhe në të ardhmen fijet e një loje të përgjakur mafioze, është shkak i mjaftueshëm përse Visho Ajazi duhet të ikë, e jo vetëm kaq, por edhe duhet të përgjigjet.

Në Shqipëri, deri me 23 qershor e pak javë më pas, dy shërbime informative, i shtetit dhe i ushtrisë, kanë qenë edhe përgjuesit më të zellshëm; në fakt ata kanë përgjuar edhe njëri tjetrin, pasi bosit qeveritar nuk i mjaftonte besimi vetëm tek njëri shërbim. Janë përgjuar diplomatë të huaj, gazetarë, biznesmenë, njerëz të politikës, të mediave, por kurrë në këtë shkallë dhe me kaq seriozitet infiltrimet e kobshme të ekstremizmit islamik, sidomos lëvizjes xhihadiste e vehabiste. Miliona euro janë shpenzuar për të ngritur një sistem të tërë vëzhgimi, më saktë, spiunimi, në të gjithë piramidën e atyre që Berisha i quante dhe i quan armiq apo tek të cilët dyshonte si devijatorë; miliona janë harxhuar për të zbardhur bisedimet e regjistruara, që nga diplomatë të lartë e deri tek politikanë të rastësishëm apo që mendohej se mund të rithirreshin. Ndërkohë lëvizja vahabiste në Shqipëri merrte hov të pandalshëm, nëpër xhami jashtë strukturës së Komunitetit Mysliman Shqiptar, bëheshin thirrje të hapura për xhihad, luftë të shenjtë, niseshin djem të marrakosur drejt një lufte që nuk ishte e askujt tek ne; pastaj familje të tëra; vendoseshin lidhje të rregullta mes radikalëve islamë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, bëhej ndërrimi i emrave nga Lavdërim në Abu… dreqi e i biri, dhe Shërbimi Informativ Kombëtar dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë paratë e mëdha i harxhonin tek përgjimet e një liste që kishte ardhur nga familja kryeministrore.

Devijimi nga qëllimi kryesor përse është ngritur ky shërbim informativ dhe kalimi i tij nëpër një hallkë krejt të rrezikshme për shtetin, është po ashtu një arsye bindëse përse duhet të ikë Visho Ajazi. Për shumë muaj me radhë, ky shërbim dhe ky njeri, e quanin të huaj për to njeriun e parë të qeverisjes, të cilin deri pak më parë e kishin përgjuar si srmik të qeverisjes berishiane; për shumë muaj me rradhë ky shërbim dhe ky njeri njihnin vetëm dy zota: njërin në presidencë, dhe ky ishte njeriu që do i mbrojë nga ajo që ka ndodhur; dhe tjetri, disa dhjetra metra më tej, në një zyrë luksoze, ende i plotfuqishëm tek ato. Qeverisja e shtetit shqiptar për problemet më madhore të sigurisë së vendit dhe për rrezikun më të ndjeshëm të saj dhe të imazhit politik të Shqipërisë, lëvizjes ekstreme vahabiste, kishte më pak informacion se sa një qytetar i informuar mjaftueshëm; pasi terri informativ i shërbimit informativ ishte ngritur pikërisht për këtë qëllim. Bashkë me synimin për të krijuar për të rrëzuarin nga pushteti, Berisha, imazhin e një njeriu që kishte qenë dorë e fortë e luftës ndaj lëvizjes radikale islame. Në të vërtetë, e gjithë historia politike e këtij të fundit lidhet pikërisht me shtigjet që hapi fillimisht për lëvizjen radikale islame e duke e bërë vendin strehë të tyre, e më pas, duke ngritur një trase bashkëpunimi.

Mënjanimi i qeverisjes shqiptare nga informimi i saktë, në kohën e duhur dhe shpallja e qeverisë si “non grata” për shërbimin informativ, është po ashtu një shkak tjetër përse duhet të hiqet sa më parë Visho Ajazi.

Visho Ajazi, në një kohë tepër të vështirë për vendin, pas ngjarjeve të vitit 1997, u largua, thuajse u arratis, më shumë nga pesha e asaj që kishte ndodhur dhe që rëndonte edhe mbi të, se sa nga pamundësia për të jetuar normalisht, në një vend që shërbimi i tij e kishte bërë anormal.

Ky precedent do të thotë se ai mund ta ketë bërë rrugë largimin kur gjendja është e rëndë, dhe se, mendimi i tij, nuk ka qenë për shtetin, por për vete. Përsëritja e këtij precedenti tani është krejt i lehtë, pasi Visho Ajazi, si njeri që ka banuar në Kanada për shumë vite, është thuajse njeri i njohur; por kjo e bën edhe më të domosdoshme largimin e tij. Dhe, nëse ai ka ende nënshtetësinë kanadeze, kjo e bën edhe më urgjente largimin e tij, ashtu si do e kishte bërë që në fillim mosqenien e tij në drejtimin e këtij shërbimi.


Nëse parlamenti do të vazhdojë të luajë cic-micin politik, ta hetojmë apo mos ta hetojmë, ta heqim apo mos ta heqim, atëherë Visho Ajazi bën mirë që i përgjon dhe, po ashtu, bën mirë që tallet haptazi me to përmes sejmenëve medialë të Berishës. Emisioni i fundit në TV Klan e dëshmoi këtë.



*   *   *





October 12, 2014

Beteja ligjore për të shpallur njeri një …




Majmuni Tomi
(shimpaze)


 Një avokat ka kërkuar që një shimpanze i quajtur Tomi, të shqyrtohet nga gjykata e apelit në Albani, Nju Jork për t’u shpallur një individ

Shimpanzeja Tomi jeton në një mjedis të vogël me një pronar që e mban të mbyllur brenda dhe e lë të shohë televizor

Çështja gjyqësore i referohet një gjyqi të vitit 1772 në Angli, kur u kërkua habeas korpus për një skllav dhe gjykata e liroi nga pronari

Sipas studimeve, majmunët janë shumë inteligjentë, autonomë, marrin vetë vendimet, janë të vetëdijshëm dhe kanë emocione komplekse

Drejtësi & Kuriozitet

Nëse shimpanzetë janë “kushërinjtë” tanë më të afërt, me të cilët ndajmë 98 për qind të materialit gjenetik, përse të mos ndajmë edhe të drejtat që gëzojmë? Kjo është çështja e ngritur së fundmi në Amerikë që synon ta shpallë një shimpanze si individ



Tomi është 26 vjeç. Ai jeton vetëm në Nju Jorkun e sipërm. Një nga pasionet e tij është të shohë filma vizatimorë. Dhe tani është në qendër të një prej çështjeve ligjore më interesante në Amerikë.

Një padi e ngritur nga një grup i quajtur Projekti i të Drejtave të Jonjerëzorëve (NhRP) kërkon që ligji ta njohë Tomin (Tommy) si një person. Është një çështje me ndikim radikal, që sfidon shoqërinë njerëzore dhe perceptimin e saj për të drejtat.

Nga ana e tij, Tomi nuk e ka as idenë më të vogël të “luftës” që po bëhet për të. Ai jeton pas pikës së shitjeve të rimorkiove, në një park në Gloversville, Nju Jork. Zona është vendndodhja e një biznesi të quajtur “Santa’s Hitching Post”, që jep me qira drerë gjatë Krishtlindjeve.

Cilësia e vendit ku ai jeton, është një anë e problemit. Çështja ligjore me 79 faqe, e ngritur nga Projekti i të Drejtave të Jonjerëzorëve, pretendon se shimpanzeja mbahet në një kafaz të errët dhe të lagësht prej çimentoje.

“Tomi është në një kafaz të vogël në një dhomë të vogël, që është pjesë e një godine të madhe si tip magazine”, tha Steven Wise, avokati që do mbrojë shimpanzenë. Ai tha për “ABC News” se i kishte vizituar ambientet ku jetonte shimpanzeja. Ndërtesa përmbante 10 kafaze të tjera të boshatisura, shtoi ai.

Tre vite më parë, sipas NhRP-së, atje gjendeshin katër shimpanze dhe më herët akoma, jetonin gjashtë syresh. Ato përdoreshin kryesisht për argëtim. Por tani, Tomi jeton i vetëm dhe ka si shoqërues një televizor që gjendet në murin përballë.

Por Patrick Lavery, pronari i Tomit, ka këmbëngulur se shimpanzeja është rehat në atë mjedis. “Ai ndihet rehat, ka shumë sende të tijat aty”, tha Lavery për “Unionin e Albany Times”.

Lavery, i cili u shpreh se ai dhe e shoqja kanë dekada që mbajnë shimpanze, shtoi se Tomi kishte të drejtën e përdorimit të televizorit, stacioneve kabllore dhe të një magnetofoni, pa harruar të cilësojë se Tomi i pëlqen shumë filmat vizatimorë.

Në një tjetër intervistë, Lavery mohoi se kafazi është i vogël, duke këmbëngulur se ishte një ndërtesë 150 mijë dollarëshe me hapësirë dhe me një derë për të dalë në një ambient të jashtëm.

Gjatë dimrit, Tomi qëndron brenda në ndërtesë me një temperaturë ngrohjeje 21 gradë Celsius, ku muret janë pikturuar si xhungël, shtoi ai.

Ai tha gjithashtu se mjedisi i shimpanzesë, u përshtatet rregulloreve të shtetit dhe atyre federale, dhe se ishin më të mira se shtëpia e mëparshme e Tomit. “Atij i pëlqen të rrijë vetëm”.

Përtej faktit të kushteve të jetesës së Tomit, ai është tani në qendër të një çështjeje “të nxehtë” që konsiderohet një prej rasteve më të veçanta që merr në shqyrtim gjykata e nivelit të mesëm në Albani, kryeqyteti i shtetit të Nju Jorkut.

Një panel prej pesë gjykatësish të apelit, dëgjuan kërkesën e Wise për urdhër gjyqësor të habeas korpus, (një kërkesë që detyron një kujdestar të provojë se ai, apo ajo, ka të drejtën ligjore të mbajë një të burgosur). Pritet që vendimi të jepet brenda katër apo gjashtë javëve të ardhshme.

Kërkesa e NhRP-së argumenton se ligji i Nju Jorkut nuk e limiton individualitetin ligjor të qenieve njerëzore. Shteti ka akorduar më parë statusin e individualitetit për kafshët shtëpiake, të cilat janë përfituese të trusteve, thotë fushata, po ashtu ka zgjeruar edhe të drejtat e entiteteve jonjerëzore, si për shembull korporatat.

Çështja gjyqësore nuk argumenton se shimpanzetë janë njerëz, por që ata kanë tagrin e të drejtave të individualitetit. Në të përmendet kërkimi i bërë nga ekspertët e majmunëve, sipas së cilit ata janë “autonomë, të vetëdijshëm, të vendosur, shumë inteligjentë dhe kompleksë nga ana emocionale”.

Padia i referohet një çështjeje në Angli, që daton në vitin 1772, e cila kishte të bënte me një skllav amerikan të quajtur James Somerset, i cili ia mbathi nga pronari në Londër. Pasi u kërkua habeas korpus, gjykata urdhëroi që Somerset ishte një person dhe jo një ‘gjë’, ndaj ai u lirua.

Në këtë rast, Wise kërkon që gjykata ta transferojë Tomin në Aleancën Private të Strehimit në Amerikën Veriore, një ndërtesë e madhe në Florida, ku ndodhen 45 majmunë, shumë prej të cilëve janë kafshë që kanë shërbyer për kërkime shkencore.

Në dhjetor, një gjykatë apeli në Rochester, Nju Jork, do të dëgjojë çështjen e avokatit Wise për një shimpanze të quajtur Kiko./Shqip



*   *   *






   

Fjalë të mençura: 20 mësime jete nga poeti i njohur Khalil Gibran







Khalil Gibran



Profil letrar – I cilësuar si poeti i tretë më i lexuar në botë, pas Shekspirit dhe Laozit, Khalil Gibran është ende edhe sot një margaritar i çmuar i zemrave të pastra poetike që flasin fjalë frymëzuese për dashurinë, jetën dhe mirësjelljen


Khalil Gibran është një poet, shkrimtar dhe artist libanez. I lindur në qytetin Bsharri në Veri të Libanit të ditëve të sotme, atëherë pjesë e Perandorisë Otomane, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku studioi art dhe filloi karrierën letrare. Në botën arabe, ai njihej si një rebel politik dhe i shkrimeve. Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike. Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave.


Libri “Profeti” i dha famën në botën anglishtfolëse. Ai është poeti i tretë më i shitur në botë pas Shekspirit dhe Laozit.



Mësime jete

1. Ji mirënjohës për kohët e vështira, ato të kanë treguar sesa i fortë mund të jesh. “Nga dhembja kanë dalë shpirtrat më të fortë, karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët.”

2. Sjellja e mirë është virtyt i të fortit. “Sjellja e mirë dhe të qenët njerëzor, nuk janë shenjë e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri.”

3. Nuk ekziston e vërteta absolute. “Mos thuaj kam gjetur të vërtetën, por thuaj kam zbuluar një të vërtetë”, thotë Khalil Gibran. “Nuk e di të vërtetën absolute. Por jam i përulur përpara injorancës sime dhe aty qëndron nderi dhe vlerësimi im.”

4. Vetëm njerëzit e vegjël përpiqen të poshtërojnë dhe të ulin të tjerët. Kush nënvlerëson është vlerëpak.

5. E keqja që të bëjnë të tjerët, harrohet më lehtë se e keqja që u bën të tjerëve. Nëse dikush të lëndon, ti mund ta harrosh plagën, por kur ti lëndon dikë, do ta mbash mend gjithmonë.

6. Mund t’i harrosh njerëzit që të bënë të qeshësh, por nuk do t’i harrosh kurrë ata me të cilët qave, ata që të qëndruan pranë në orët më të vështira. “Zemrat që bashkohen në dhembje dhe brengë, nuk do të ndahen nga gëzimi dhe lumturia. Lidhjet që krijohen në trishtim, janë më të forta se ato të kënaqësisë dhe gëzimit. Dashuria që është larë nga lotët, mbetet gjithnjë e pastër dhe besnike.”

7. Gjërat e thjeshta në jetë janë ato më të jashtëzakonshmet. “Në ëmbëlsinë e miqësisë, gjendet e qeshura dhe ndarja e kënaqësisë.”

8. Dashuria është jetë. Dhe jeta është dashuri. “Kur dashuron, nuk duhet të thuash ‘Zoti është në zemrën time’, por ‘Unë jam në zemrën e Zotit’.”

9. Bëje punën me dashuri. “Puna është pamja që merr dashuria. Nëse nuk mund të punosh me dashuri, por vetëm me neveri, lëre punën dhe ulu në portën e një tempulli dhe merr mësime nga ata që punojnë me gëzim. Nëse e pjek bukën me shpërfillje, ti po pjek bukë të hidhur, që ushqen vetëm gjysmën e urisë së njeriut. “Ata më çmendin, sepse nuk i shes ditët e mia për para; dhe unë i çmend ata, sepse mendojnë se ditët e mia kanë një çmim.”

10. Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai. Beso tek ëndrrat, aty gjendet porta e fshehur e përjetësisë.

11. Dashuria e vërtetë nuk mund të zotërohet. Për dashurinë, mjafton dashuria. Dhe mos mendo se mund të ndryshosh drejtimin e dashurisë, nëse dashuria të sheh si të vlefshëm, ajo e ndryshon drejtimin për te ti. Dashuria s’ka dëshirë tjetër veç të vetëpërmbushet.

12. Përballu me sjelljen e keqe në mënyrë të këndshme. “Testimi i vërtetë i sjelljeve të mira, është të jetë në gjendje të përballet sa më mirë me sjelljet e këqija.”

13. Dashuria bashkon gjithçka në harmoni perfekte. Një shprehje thotë: “Nëse një njeri e njeh veten, ai njeh të gjithë njerëzimin”, ndërsa Khalil Gibran thotë: “Nëse dikush e do njerëzimin, atëherë ai di diçka për veten”.

14. Gjithnjë shiko anën e ndritur të jetës. “Optimisti sheh trëndafilin, jo gjembat; pesimisti ua ngul sytë gjembave, harron trëndafilin.”
15. Ne nuk i shohim gjërat siç janë. Ne i shohim gjërat siç jemi ne. “Pamja e gjërave ndryshon sipas emocioneve; ne shohim gjëra të bukura dhe të magjishme te to, kur në fakt magjia dhe e bukura janë brenda nesh.”

16. Dashuria e vërtetë është produkt i tërheqjes shpirtërore. Është e gabuar të mendosh se dashuria vjen nga shoqëria e gjatë. Dashuria është produkt i tërheqjes shpirtërore dhe nëse kjo tërheqje nuk krijohet në çast, nuk do të krijohet edhe nëse kalojnë vite apo breza.

17. Lër hapësirë në marrëdhënien tënde. Kur je me dikë, lër hapësirë që të fryjë erë e re mes jush. Duajeni njëri-tjetrin, por mos e kufizoni dashurinë: lejoni që ndërmjet brigjeve të zemrave tuaja, të jetë një det i gjallëruar.

18. Nëse lutesh kur bie shi, sigurohu të lutesh edhe në ditë me diell. “Ti lutesh kur ke nevojë dhe je në tension, por do të ishte mirë të luteshe edhe në gëzimin më të madh dhe në ditët më të lumtura.”

19. Kur jepesh vetë, ai është çasti kur jepesh plotësisht. “Kur jep nga pasuria, ke dhënë pak. Kur jep nga vetja, atëherë ke dhënë vërtet.”

20. Bukuria e vërtetë vjen nga brenda. “Bukuria nuk është te fytyra; bukuria është një dritë në zemër.” /Shqip


*   *   *










Padronët e Botës



Apple, Amazon, Facebook, 
Google dhe  Microsoft



Google dhe “sivëllezërit” kanë në dorë botën. Kanë një fuqi prej 2 mijë miliardë dollarë, qindra-miliona klientë, dinë gjithçka për ne dhe mund të ndikojnë në zgjedhjet që bëjmë. Pesë gjigantët amerikanë të Internetit – Amazon, Facebook, Microsoft, Apple dhe Google – janë padronët e vërtetë të botës. Dhe disa kanë nisur të shqetësohen

Dinë gjithçka për ty. Cfarë të pëlqen, atë që shkruan dhe mendon, madje edhe ndjesitë e tua. Cfarë blen, ku shkon çdo ditë dhe në çfarë ore. Kur u bindesh zakoneve të tua dhe të gjithë herët që zgjedh kapriçion për t’i shkelur. Jënë kudo. Në shtëpi, në xhep, në makinë. Apple, Amazon, Facebook, Google dhe Microsoft janë sovranët e vërtetë transnacionalë. Fuqi të mëdha globale të epokës së Internetit (të gjitha amerikane) që, tamam si ato të vërtetat, janë gjithmonë në luftë mes tyre. Objekti i konkurrencës jemi ne. Apo 2.8 miliardë personat që, ashtu si ne, çdo ditë lundrojnë në internet dhe kanë një kartë krediti. Secili konkurent dëshiron të bëhet padron i botës, të ketë sa më shumë ndjekës digjitalë dhe të eleminojë konkurencën. Janë sovranë sa diskretë e të heshtur, aq edhe të fuqishëm. Për të fituar besnikërinë e klientëve, ofrohen që të bëhen furnizues globalë të gjithçkaje, produkte, shërbime dhe zgjidhje që përmirësojnë dhe thjeshtësojnë jetën tonë. Me një të klikuar të mausit. Në këmbim, duan të dinë gjithçka rreth nesh.
Në vitet e parë të jetës, i janë përkushtuar misionit të tyre fillestar: Google u përqëndrua tek motorri i kërkimit. Apple tek produktet inovativë, të shtrenjtë dhe të projektuar me shije të hollë. Amazon krijoi dyqanin më të madh të librave online. Microsofti e vendosi sistemin e vet të operimit në çdo tryezë pune. Facebook u rrit si albumi i kujtimeve i kujtdo që lidhej në internet. Ide digjitale ose jo, të cilat kanë sjellë miliarda dollarë fitime. Shpesh herë me praktika fiskale të diskutueshme, që tani po përfundojnë në shënjestër të autoriteteve. Eshtë ky rasti i Apple, ndaj të cilës BE ka ngritur një kauzë që vendos në bangën e të akuzuarit edhe qeverinë irlandeze, falë të cilës Apple ka paguar një normë më pak se 2% për një total prej 137 miliardë dollarësh fitime, për të cilët tani Brukseli do të kërkojë faturën. Të fuqizuara prej këtyre kapitaleve të jashtzakonshëm, “pesë të mrekullueshmit” u shndërruan në “ngrënës të gjithçkaje”. Totalitarizëm i ri, siç thotë themeluesi i Wikileaks, Julian Assange? Një deklaratë e fortë, por është e vërtetë që janë duke ribërë modelin ekonomik botëror. Mund të nxjerrin në pension, shumë shpejt, institucione që deri dje konsideroheshin të përjetshëm. Ja disa shembuj.
Apple, me funksionet “Pay” (Pagesë) dhe të njohjes biometrike që sapo janë integruar në iPhone 6, po shndërrohet në qarkun bankar më të madh të botës. Mund të paguhet gjithçka me celular dhe mund t’u themi një herë e mirë lamtumirë kartëmonedhave dhe portofolëve. Për çdo transaksion, sipas New York Times, do të marrë një përqindje (15 qindraka për çdo 100 dollarë).
Google dëshiron të komandojë qiejt me robotët fluturues pa pilot (ashtu si edhe Amazon) për të dërguar çdo gjë, kudo që të jetë. Po ndërton një rrjet të vetin të satelitëve, për të bërë të mundur dërgimin e Internetit në çdo qoshe të globit. Gjithçka në dëm të kompanive telefonike. Jo vetëm kaq: dëshiron të bëhet botuesi i vetëm i të gjithë informacioneve duke ofruar lajme (me kosto zero) në të gjithë vendet e botës, duke mbledhur ata që prodhohen prej gazetave dhe profesionistëve të lajmeve, që për t’i prodhuar paguajnë pagat e mijëra gazetarëve. Po kështu, ka shfrytëzuar superfuqinë e vet në sektorin e kërkimit për të diskriminuar konkurrencën në rezultate. Një sjellje që e ka sjellë nën lenten zmadhuese të Antitrustit të BE-së: aktualisht investigohet për abuzim të pozicionit dominues dhe rrezikon sanksione të rëndë.
Amazon ofron pothuajse gjithçka, që nga frutat tek sallatat, deri tek veprat e artit dhe lejon të bëhen blerje edhe me një tweet. Lufton fort me bërryla për të qenë i vetmi supermarket i botës; tregton muzikë dhe filma, tabletë dhe smartphone, në një konkurrencë totale dhe të hapur me Apple.
Facebook ka gjetur një rrugë të shtruar për të konvertuar shijet dhe preferencat tona, në mall për t’ua shitur reklamuesve, është futur në celularë dhe synon që të shkundë marrëdhëniet mes njerëzve, duke i bërë edhe më virtuale, falë një maske që nuk vishet por që simulon realitetin.
Microsofti ka kuptuar se koha e kompjuterëve është në perëndim, është futur në sektorin e celularëve dhe tabletëve duke blerë Nokian, ndërkohë që me linjën Surface është duke transformuar kompjuterët në një evolucion të ri të specieve, hibridë gjysmë tabletë dhe gjysmë laptopë. Risqet që miliona njerëz të përfundojnë në duart e këtyre të pestëve janë të dukshëm.

PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al


*   *   *