"

October 13, 2014

Pse duhet të ikë Visho Ajazi



imazhe shqip

Nga Bedri Islami

Kushdo që e ka ndjekur të gjithë atë që ka ndodhur me karrierën e zotit Visho Ajazi, shefit fuqiplotë të Shërbimit Informativ, nuk ka pse çuditet për asnjë moment me skandalin më të ri që ka ndodhur: Atë të përgjimeve. Kjo gjëja më e zakonshme që është pritur prej tij, dhe kësaj here, njëra nga gjërat më të dukshme, të cilën ai, ose nuk arriti ta fshehë, do të thotë ta fshijë, ose e ka lënë qëllimisht të shpaloset, por jo në të gjithë përmasat e saj për një fakt të thjeshtë: Tani të gjithë e dinë se dosjet e tyre nuk gjenden më tek ministria e Brendshme apo tek sigurimi i ri i shtetit, por më shumë se kudo tjetër, ata gjenden në zyrën e Berishës, i cili është në të vërtetë edhe urdhëruesi i përgjimeve, specifikimeve dhe përzgjedhjes së tyre, e më pas arkivimit.

Ky fakt, i shpallur tashmë publikisht, por i ditur nga të gjithë, pasi edhe vetë kreu sekret i Sigurimit të Shtetit, Berisha, e ka bërë të njohur. Disa herë ai ka folur për dosjet që mban pas vetes, disa herë ai ka shpallur gjysmë të vërteta, nisur nga ajo që i kanë dërguar dhe që ka arkivuar, dhe, më shumë se gjithçka tjetër, ai ka bërë presion tek të tijtë për t’i mbajtur për kapistalli. Dhe ia ka arritur. Sa herë që dikush ka pozuar kundërshtimin, ai është gjetur para tri alternativave: braktisjes së atdheut, aksidentit dhe linçimit politik.

Përgjimi i fundit i shpallur, sepse përgjimet vazhdojnë nga struktura brenda SHISH, por edhe jashtë saj, që ishin më parë pjesë e këtyre strukturave, solli dy risi, që mund të jenë edhe të veçantat e saj. Së pari, përzgjedhja e politikanëve të përgjuar është dukshëm e qartë se kë quan Berisha dhe kë ka trajtuar Visho Ajazi si armiq të pushtetit të Berishës. Lista është e dyfishtë: brenda vetes, e më shumë jashtë vetes. Duke qenë se përgjimet e zbardhura kanë datim para zgjedhjeve të 23 qershorit, në rrjetën e një shërbimi personal kryeministror, kanë rënë edhe aleatët e tij; që nga Meta, si njeriu më i afërt deri në fillimet e vitit 2013, e deri tek ministrat e tij që ishin të gatshëm të rebeloheshin. Hapja e kësaj katrahure në të njëjtën kohë është një shenjë se i gjithë koalicioni i ngritur para 23 qershorit ishte bërë mbi përgjimin, dyshimin, “dosjimin”, dhe mbi të gjitha mbi mundësinë për të hequr qafe njëri tjetrin. Fakti se Visho Ajazi ka dhënë urdhër të përgjohen krerët e opozitës së djeshme nuk e bën më interesante këtë tablo, por e bën më të mjerueshme; pasi njeriu që bubullinte nëpër sheshe për votën plebishitare, më shumë se gjithçka i trembej humbjes , të cilën e priste dhe e dinte se do të vinte. Kjo ka bërë që më pas, me shpejtësi të marramendëse, Berisha dhe të tijtë, të bëjnë rrokada të fuqishme në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të dërgojnë pranë Nishanit njerëzit më besnikë, si kontrollues apo dedektivë privatë berishianë, ta rrethojnë atë me njerëz nga dora e fortë, të cilët kishin mbi vete edhe faje të tjera të mëdha, si ishte prishja e serverit kryeministror në natën e 21 janarit 2011. Po ashtu, Visho Ajazi u rrethua shpejt e shpejt me njerëzit e vitit famëkeq 1997, vit në të cilin, pikërisht kjo strukturë shpalli njërin nga kumtet më famëkëqinj të 25 viteve të fundit; rrethimin e shtetit përmes bandave të armatosura. Berisha e bëri të gjithë këtë me një dorë të sigurtë, pasi ai, ashtu si ka në dorë dosjet e sotme, ka edhe të djeshmet, dhe e di fare mirë se cili nga të komanduarit e vitit 1997 është i përfshirë në botën e krimit, edhe pas kësaj date, kush ka mëkate për të larë dhe gjynahe për të paguar. Kjo kategori është pikërisht ajo që Berisha mban më afër se gjithçka tjetër, pasi, përmes tyre, ai ka dhënë kurdoherë goditjen e fuqishme.

Kjo sajesë nomenklature dhe njerëzore, kjo mbarsje e krimit me politikën, është edhe shkaku i parë përse Visho Ajazi duhet larguar që andej ku e kanë vënë; por jo vetëm kaq… që këtu duhet të fillojë llogaridhënia e tij, qoftë edhe penale, pasi, duke kriminalizuar një strukturë kaq të rëndësishme, ai në fakt e ka bërë kriminalizimin pjesë të shtetit të tij.

Së dyti, veçoria e këtyre përgjimeve janë rrjetëzimi i një shtrese njerëzish të pasur, të cilët, edhe mund të kenë fajet e tyre në botën e financës, por që kanë shërbyer si karrem i ardhshëm për të mbuluar të vërtetën e përgjimit.

Këto njerëz nuk janë përgjuar se ishin miq të Olldashit, Metës, Ramës, Patozit, Ballës etj etj, sepse në vitin 2012 e deri në qershor të vitit 2013 askush prej tyre nuk e merrte guximin të shpallte miqësinë me opozitën. Nëse do të ndodhte kjo, pasuria e tyre financiare do të përmbysej shumë shpejt, dosjet për to, ose do të dilnin në sipërfaqe ose do të bëheshin që nga fillimi. Visho Ajazi i ka përgjuar ata dhe të tjerë si ata, regjistrime që tashmë janë fshirë, jo se nuk e ka ditur se atyre u rreh zemra për pushtetin, jo se nuk e ka ditur se ishin pikërisht ata, që në të shumtën e rasteve ishin donatorët më të fuqishëm të zonjës Berisha, jo se nuk e dinte se ata ishin miq të Zen Berishës dhe klientë të Argitës, por sepse ishte gjithnjë rreziku se ndonjëri prej tyre, ose të gjithë bashkë, pas 23 qershorit do të braktisnin lidhjet e vjetra me familjen kryeministrore. Kjo familje kishte investuar tek ato, ndoshta pas perdeve të perandorive financiare fshihen pikërisht bosët e kësaj zallamahie kryeministrore, dhe këtë, më mirë se gjithë të tjerët, e dinte Visho Ajazi. Dhe e dinte në detaje të imta, sepse në përgjithësi e dinin të gjithë.

Vendosja e shërbimit të fshehtë shqiptar, që sipas kushtetutës ka të tjera detyra e veçori, në shërbim të një familje, që është e mbarsur me dallavere e ngjarje makabre, dhe që përmes këtij shërbimi kërkon të mbajë edhe në të ardhmen fijet e një loje të përgjakur mafioze, është shkak i mjaftueshëm përse Visho Ajazi duhet të ikë, e jo vetëm kaq, por edhe duhet të përgjigjet.

Në Shqipëri, deri me 23 qershor e pak javë më pas, dy shërbime informative, i shtetit dhe i ushtrisë, kanë qenë edhe përgjuesit më të zellshëm; në fakt ata kanë përgjuar edhe njëri tjetrin, pasi bosit qeveritar nuk i mjaftonte besimi vetëm tek njëri shërbim. Janë përgjuar diplomatë të huaj, gazetarë, biznesmenë, njerëz të politikës, të mediave, por kurrë në këtë shkallë dhe me kaq seriozitet infiltrimet e kobshme të ekstremizmit islamik, sidomos lëvizjes xhihadiste e vehabiste. Miliona euro janë shpenzuar për të ngritur një sistem të tërë vëzhgimi, më saktë, spiunimi, në të gjithë piramidën e atyre që Berisha i quante dhe i quan armiq apo tek të cilët dyshonte si devijatorë; miliona janë harxhuar për të zbardhur bisedimet e regjistruara, që nga diplomatë të lartë e deri tek politikanë të rastësishëm apo që mendohej se mund të rithirreshin. Ndërkohë lëvizja vahabiste në Shqipëri merrte hov të pandalshëm, nëpër xhami jashtë strukturës së Komunitetit Mysliman Shqiptar, bëheshin thirrje të hapura për xhihad, luftë të shenjtë, niseshin djem të marrakosur drejt një lufte që nuk ishte e askujt tek ne; pastaj familje të tëra; vendoseshin lidhje të rregullta mes radikalëve islamë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, bëhej ndërrimi i emrave nga Lavdërim në Abu… dreqi e i biri, dhe Shërbimi Informativ Kombëtar dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë paratë e mëdha i harxhonin tek përgjimet e një liste që kishte ardhur nga familja kryeministrore.

Devijimi nga qëllimi kryesor përse është ngritur ky shërbim informativ dhe kalimi i tij nëpër një hallkë krejt të rrezikshme për shtetin, është po ashtu një arsye bindëse përse duhet të ikë Visho Ajazi. Për shumë muaj me radhë, ky shërbim dhe ky njeri, e quanin të huaj për to njeriun e parë të qeverisjes, të cilin deri pak më parë e kishin përgjuar si srmik të qeverisjes berishiane; për shumë muaj me rradhë ky shërbim dhe ky njeri njihnin vetëm dy zota: njërin në presidencë, dhe ky ishte njeriu që do i mbrojë nga ajo që ka ndodhur; dhe tjetri, disa dhjetra metra më tej, në një zyrë luksoze, ende i plotfuqishëm tek ato. Qeverisja e shtetit shqiptar për problemet më madhore të sigurisë së vendit dhe për rrezikun më të ndjeshëm të saj dhe të imazhit politik të Shqipërisë, lëvizjes ekstreme vahabiste, kishte më pak informacion se sa një qytetar i informuar mjaftueshëm; pasi terri informativ i shërbimit informativ ishte ngritur pikërisht për këtë qëllim. Bashkë me synimin për të krijuar për të rrëzuarin nga pushteti, Berisha, imazhin e një njeriu që kishte qenë dorë e fortë e luftës ndaj lëvizjes radikale islame. Në të vërtetë, e gjithë historia politike e këtij të fundit lidhet pikërisht me shtigjet që hapi fillimisht për lëvizjen radikale islame e duke e bërë vendin strehë të tyre, e më pas, duke ngritur një trase bashkëpunimi.

Mënjanimi i qeverisjes shqiptare nga informimi i saktë, në kohën e duhur dhe shpallja e qeverisë si “non grata” për shërbimin informativ, është po ashtu një shkak tjetër përse duhet të hiqet sa më parë Visho Ajazi.

Visho Ajazi, në një kohë tepër të vështirë për vendin, pas ngjarjeve të vitit 1997, u largua, thuajse u arratis, më shumë nga pesha e asaj që kishte ndodhur dhe që rëndonte edhe mbi të, se sa nga pamundësia për të jetuar normalisht, në një vend që shërbimi i tij e kishte bërë anormal.

Ky precedent do të thotë se ai mund ta ketë bërë rrugë largimin kur gjendja është e rëndë, dhe se, mendimi i tij, nuk ka qenë për shtetin, por për vete. Përsëritja e këtij precedenti tani është krejt i lehtë, pasi Visho Ajazi, si njeri që ka banuar në Kanada për shumë vite, është thuajse njeri i njohur; por kjo e bën edhe më të domosdoshme largimin e tij. Dhe, nëse ai ka ende nënshtetësinë kanadeze, kjo e bën edhe më urgjente largimin e tij, ashtu si do e kishte bërë që në fillim mosqenien e tij në drejtimin e këtij shërbimi.


Nëse parlamenti do të vazhdojë të luajë cic-micin politik, ta hetojmë apo mos ta hetojmë, ta heqim apo mos ta heqim, atëherë Visho Ajazi bën mirë që i përgjon dhe, po ashtu, bën mirë që tallet haptazi me to përmes sejmenëve medialë të Berishës. Emisioni i fundit në TV Klan e dëshmoi këtë.



*   *   *





No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!