"

October 12, 2014

Beteja ligjore për të shpallur njeri një …




Majmuni Tomi
(shimpaze)


 Një avokat ka kërkuar që një shimpanze i quajtur Tomi, të shqyrtohet nga gjykata e apelit në Albani, Nju Jork për t’u shpallur një individ

Shimpanzeja Tomi jeton në një mjedis të vogël me një pronar që e mban të mbyllur brenda dhe e lë të shohë televizor

Çështja gjyqësore i referohet një gjyqi të vitit 1772 në Angli, kur u kërkua habeas korpus për një skllav dhe gjykata e liroi nga pronari

Sipas studimeve, majmunët janë shumë inteligjentë, autonomë, marrin vetë vendimet, janë të vetëdijshëm dhe kanë emocione komplekse

Drejtësi & Kuriozitet

Nëse shimpanzetë janë “kushërinjtë” tanë më të afërt, me të cilët ndajmë 98 për qind të materialit gjenetik, përse të mos ndajmë edhe të drejtat që gëzojmë? Kjo është çështja e ngritur së fundmi në Amerikë që synon ta shpallë një shimpanze si individ



Tomi është 26 vjeç. Ai jeton vetëm në Nju Jorkun e sipërm. Një nga pasionet e tij është të shohë filma vizatimorë. Dhe tani është në qendër të një prej çështjeve ligjore më interesante në Amerikë.

Një padi e ngritur nga një grup i quajtur Projekti i të Drejtave të Jonjerëzorëve (NhRP) kërkon që ligji ta njohë Tomin (Tommy) si një person. Është një çështje me ndikim radikal, që sfidon shoqërinë njerëzore dhe perceptimin e saj për të drejtat.

Nga ana e tij, Tomi nuk e ka as idenë më të vogël të “luftës” që po bëhet për të. Ai jeton pas pikës së shitjeve të rimorkiove, në një park në Gloversville, Nju Jork. Zona është vendndodhja e një biznesi të quajtur “Santa’s Hitching Post”, që jep me qira drerë gjatë Krishtlindjeve.

Cilësia e vendit ku ai jeton, është një anë e problemit. Çështja ligjore me 79 faqe, e ngritur nga Projekti i të Drejtave të Jonjerëzorëve, pretendon se shimpanzeja mbahet në një kafaz të errët dhe të lagësht prej çimentoje.

“Tomi është në një kafaz të vogël në një dhomë të vogël, që është pjesë e një godine të madhe si tip magazine”, tha Steven Wise, avokati që do mbrojë shimpanzenë. Ai tha për “ABC News” se i kishte vizituar ambientet ku jetonte shimpanzeja. Ndërtesa përmbante 10 kafaze të tjera të boshatisura, shtoi ai.

Tre vite më parë, sipas NhRP-së, atje gjendeshin katër shimpanze dhe më herët akoma, jetonin gjashtë syresh. Ato përdoreshin kryesisht për argëtim. Por tani, Tomi jeton i vetëm dhe ka si shoqërues një televizor që gjendet në murin përballë.

Por Patrick Lavery, pronari i Tomit, ka këmbëngulur se shimpanzeja është rehat në atë mjedis. “Ai ndihet rehat, ka shumë sende të tijat aty”, tha Lavery për “Unionin e Albany Times”.

Lavery, i cili u shpreh se ai dhe e shoqja kanë dekada që mbajnë shimpanze, shtoi se Tomi kishte të drejtën e përdorimit të televizorit, stacioneve kabllore dhe të një magnetofoni, pa harruar të cilësojë se Tomi i pëlqen shumë filmat vizatimorë.

Në një tjetër intervistë, Lavery mohoi se kafazi është i vogël, duke këmbëngulur se ishte një ndërtesë 150 mijë dollarëshe me hapësirë dhe me një derë për të dalë në një ambient të jashtëm.

Gjatë dimrit, Tomi qëndron brenda në ndërtesë me një temperaturë ngrohjeje 21 gradë Celsius, ku muret janë pikturuar si xhungël, shtoi ai.

Ai tha gjithashtu se mjedisi i shimpanzesë, u përshtatet rregulloreve të shtetit dhe atyre federale, dhe se ishin më të mira se shtëpia e mëparshme e Tomit. “Atij i pëlqen të rrijë vetëm”.

Përtej faktit të kushteve të jetesës së Tomit, ai është tani në qendër të një çështjeje “të nxehtë” që konsiderohet një prej rasteve më të veçanta që merr në shqyrtim gjykata e nivelit të mesëm në Albani, kryeqyteti i shtetit të Nju Jorkut.

Një panel prej pesë gjykatësish të apelit, dëgjuan kërkesën e Wise për urdhër gjyqësor të habeas korpus, (një kërkesë që detyron një kujdestar të provojë se ai, apo ajo, ka të drejtën ligjore të mbajë një të burgosur). Pritet që vendimi të jepet brenda katër apo gjashtë javëve të ardhshme.

Kërkesa e NhRP-së argumenton se ligji i Nju Jorkut nuk e limiton individualitetin ligjor të qenieve njerëzore. Shteti ka akorduar më parë statusin e individualitetit për kafshët shtëpiake, të cilat janë përfituese të trusteve, thotë fushata, po ashtu ka zgjeruar edhe të drejtat e entiteteve jonjerëzore, si për shembull korporatat.

Çështja gjyqësore nuk argumenton se shimpanzetë janë njerëz, por që ata kanë tagrin e të drejtave të individualitetit. Në të përmendet kërkimi i bërë nga ekspertët e majmunëve, sipas së cilit ata janë “autonomë, të vetëdijshëm, të vendosur, shumë inteligjentë dhe kompleksë nga ana emocionale”.

Padia i referohet një çështjeje në Angli, që daton në vitin 1772, e cila kishte të bënte me një skllav amerikan të quajtur James Somerset, i cili ia mbathi nga pronari në Londër. Pasi u kërkua habeas korpus, gjykata urdhëroi që Somerset ishte një person dhe jo një ‘gjë’, ndaj ai u lirua.

Në këtë rast, Wise kërkon që gjykata ta transferojë Tomin në Aleancën Private të Strehimit në Amerikën Veriore, një ndërtesë e madhe në Florida, ku ndodhen 45 majmunë, shumë prej të cilëve janë kafshë që kanë shërbyer për kërkime shkencore.

Në dhjetor, një gjykatë apeli në Rochester, Nju Jork, do të dëgjojë çështjen e avokatit Wise për një shimpanze të quajtur Kiko./Shqip



*   *   *






   

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!