December 30, 2013

Dr. Bilal Golemi

Kjo ikonë e shkencës, ky patriot idealist

Nga Manxhar Taka


Kushdo që ka pasur mundësinë të lexojë monografinë “Dr. Bilal Golemi”, botuar në vitin 1968 nga dy personalitete të shquara të Shkencës dhe të kulturës; Dr. Vasfi Samimi dhe Dr. Hulo Hajderi si dhe librin; “Një jetë për shkencë e atdhe - Dr. Bilal Golemi”, me autor Manxhar Taka, botuar në vitin 2010, do t’i jetë dhënë rasti të njihet me një figurë të shquar të shkencës, me një mikrobiolog të klasit Europian e botëror dhe me një patriot idealist e zemër zjarrtë. 

E them me siguri se personalitete të tilla si Dr. Bilal Golemi, Shqipëria i ka pasë dhe i ka shumë të rrallë, por historiografia jonë, më së shumti u ka thurur mite dhe lavde njerzëve të jatagan e të pushkës dhe kjo jo pa të drejtë, por gjithkush mund të konstatojë se sa pak përmënden dhe sa pak flitet për njerëz të shquar të shkencës si K. Gega, Dr. R. Frashëri, Ing. Gjadri, Dr. F. Shiroka, E. Çabej, H. Sykja e deri tek nobelisti F. Murati etj. Po kaq i pa njohur dhe i pa vlerësuar është edhe Dr. Bilal Golemi, mikrobiolog i famshëm, punonjës dhe pedagog në Institutin Pasteur të Parisit, ekspert i Organizatës Botrore të Shëndetësisë, i dekoruar nga qeveritë Franceze dhe Turke, martiri që ka eksperimentuar në trupin e vet.

Bilal Golemi u lind në Golem të Kurveleshit dhe në moshën 7 vjeç largohet nga fshati bashkë me familjen dhe vendosen në Stamboll. Pasi kryen arsimin e ulët dhe të mesëm, ai regjistrohet në fakultetin e veterinarisë ushtarake Turke, meqënëse këtu mund të studjonte me shpenzimet e shtetit, pasi gjëndia ekonomike e familjes, nuk e lejonte të merrte një degë që ai kishte dëshiruar. E mbaroi këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera dhe për tre vjet shërbeu në ushtrinë Turke me gradën e kapitenit, por ai jo vetëm kishte pasur aspirata, por edhe aftësi e prirje të tjera nga ato të një kariere ushtarake dhe për këtë arësye, jep dorëheqjen nga ushtria dhe me shpenzimet e tij, e pas një konkursi, ai fitoi të drejtën për tu specializuar në fushën e mikrobiologjisë në Institutin e famshëm Pasteur të Parisit. 

Gjatë kohës së specializimit, ai ra në sy të autoriteteve shkencore të atij Instituti, si një studjues i thellë me aftësi të spikatura në fushën kërkimore shkencore dhe për këtë arësye i propozohet që të qëndrojë me punë në këtë Institut si bashkëpuntor shkencor i tij, gjë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

Në Institutin Pasteur, Dr. Bilali pati një karierë të shkëlqyer shkencore. Ai mbrojti dhe fitoi doktoraturën me një studim të rëndësishëm dhe u caktua të punonte si bashkëpuntor i profesorëve të mëdhenj Ramon e Duma. Për të ditur se me kë pati nderin por edhe meritën të punojë shkenctari i ri shqiptar duhet të themi se Prof. Ramon ishte ndër pesë mikrobiologët më të mëdhenj të asaj kohe. Ai prodhoi për herë të parë vaksinën kundër difterisë së fëmijëve, serumin kundër tetanozit dhe ka studjuar anatoksinat dizanterike dhe në këto shpikje, ai pati bashkëpuntor, shkenctarin e ri Dr. Bilal Golemi. Dr. Bilali kreu në këtë institut edhe studime të tjera të rëndësishme dhe për aftësitë e tij teorike dhe praktike ai u angazhua si mësimdhënës. Në vitin 1926 ai u ngarkua të drejtojë në teori dhe në praktikë, kursin e specializimit, ku merrnin pjesë 33 mjekë, veterinerë dhe biologë nga të gjitha anët e botës të cilët kishin ardhur për tu specializuar në fushën e mikrobiologjisë. Për punën e tij në këtë Institut Qeveria franceze e ka dekoruar atë me medaljen “Legion d’ Honneur”.

Gjat kohës që ai punonte në Institutin Pasteur, mbante lidhje me shumë studentë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë që jetonin në Francë dhe ndiqte me interes çfarë ndodhte në Shqipëri. Informacionet tregonin për gjëndjen e rëndë ekonimike, sociale e shoqërore dhe prapambetjen e theksuar të atdheut të tij dhe kjo gjë e brengoste pa masë e për këtë kishte kohë që mendonte se si mund ti shërbente vëndit të tij. 

Në kulmin e karierës së tij akademike, kur veç Institutit Pasteur të Parisit ku punonte, i qenë bërë oferta pune edhe nga Institutet mikrobiologjike të Berlinit, Stokholmit dhe Turqisë, ai lë shkëlqimin e jetës Parisiane dhe me gruan e tij franceze, në mars të vitit 1928, vjen vullnetarish për të punuar e jetuar në Shqipëri. Para se të niset për në atdheun e tij ai gjeti disa adresa intelektualësh shqiptarë, që punonin jashtë Shqipërisë dhe ju bëri atyre thirrje të kthehen e të punojnë në atdheun e tyre. Në telegramin e tij thuhet: “Atdheu ynë Shqipëria ka mbetur vëndi më i varfër dhe më i prapambetur i Europës. Ajo ka nevojë për mjekë, inxhinjerë, agronomë e çdo specialitet tjetër. Kush duhet ti dalë zot veç bijëve të saj, prandaj hajdeni të kthehemi e të punojmë atje, ajo do të na presi mirë”. Këtij telegrami ju përgjigjën menjëherë Dr. Vasfi Samimi dhe vëllai i Dr. Bilalit që ishte inxhinjer avionësh Sami Golemi.

Shqipëria e asaj kohe ishte vëndi më i prapambetur i Europës, vëndi i varfërisë dhe analfabetizmit, i pishës dhe kandilit, i plasjes, malarjes, tërbimit dhe tuberkulozit, i kasolleve por edhe i kullave me frëngji, prej nga shqiptarët vriteshin me njeri tjetrin. Dr. Bilali tashmë ishte një mikrobiolog i famshëm, por kur erdhi në Shqipëri, ai nuk mund të kuishte atë lluks që të vishte bluzën e bardhë dhe të kishte punë vetëm me librat dhe mikroskopin, por ai u angazhua që nga punët më të rëndomta e deri tek ato që kërkonin kualifikim të lartë. 

Blegtoria në atë kohë në Shqipëri ishte dega bazë e ekonomisë që jepte 2/3 e prodhimit kombëtar dhe meqënëse Dr. Bilali profesionin bazë kishte atë të Veterinerit, në Ministrinë e Ekonomisë ai ngriti për here të parë Drejtorinë e Blegtorisë me tre seksione, themeloi për here të pare shërbimin veterinar dhe hartoi ligjin për këtë shërbim. Një sëre sëmundjesh të asaj kohe shkaktonin dëme të mëdhë në blegtori dhe lëngata e vdekje në njerëz, prandaj detyrë imediate ishte ngritja e laboratorëve mikrobiologjikë dhe kështu për here të pare Dr. Bilali ngriti laboratorin bakterologjik veterinar ku vetë ai për here të pare në Shqipëri, prodhoi serume e vaksina si ajo e plasjes, lisë, kolerës së shpendëve, këmbëzezës etj. E çuditëshme është, se si në atë kohë në Shqipëri, kur nuk mbroheshin as të drejtat e njerzëve, me inisiativën e Dr. Bilalit u ngrit shoqata e mbrojtjes së kafshëve me kryetar të famshmin Mithat Frashëri, e cila ishte një përpjekje e intelektualëve të Tiranës për ta bërë Shqipërinë si dhe vëndet e tjera perëndimore.

Dr. Bilali tashmë nuk ishte një veteriner i thjeshtë por ai kishte marrë specilizimin më të lartë në fushën e mikrobiologjisë në përgjithësi dhe veç kësaj si një atdhetar idealist, ai me dhimbje shifte masat e pamjaftueshme për mbrojtjen e shëndetit të njerzëve. 

Në atë kohë në Shqipëri ekzistonte një laborator bakteriologjik për njerzit ku punonte një francez, që nuk e kishte arsimin e lartë dhe bënte vetëm ca analiza të sifilizit dhe ca vaksina kundër tërbimit. Dr. Bilali sa erdhi në Shqipëri e vizitoi këtë laborator dhe aty pa nivelin e ulët e primitv të punës që bëhëj atje. Me insistimin e tij ky laborator u transferua në Tiranë në një godinë të përbashkët me laboratorin veterinar dhe të dy këto laboratorë filluan tashti të punojnë nën drejtimin shkencor të mikrobiologut Dr. Bilal Golemi. 

Ai i kompletoi këta laboratorë me paisje të kohës dhe krijoi edhe garazhin e kafshëve të eksperimentit si kavje, lepuj, pëllumba etj. Në bashkëpunim edhe me Dr. Bajram Emirin, që edhe ai sapo ishte kthyer nga jashtë shtetit, zbuluan për here të pare në Shqipëri, sëmundjen Leishmanioza në disa fëmijë të Tiranës dhe ishte Dr. Bilal Golemi që diagnostikoi, gjithashtu për të parën here në Shqipëri, sëmundjen e Leprozës tek një punonjës i një konsullate të huaj. Në një perjudhë prej 4 vjetësh që Dr. Bilali punoi në Shqipëri u hodhën bazat shkencore të trajtimit të sektorit të blegtorisë, u hartuan ligjet përkatëse, u zhdukën ose u frenuan disa sëmundje në kafshë dhe u bënë shumë përmirësime në gjurmimin, diagnostikimin dhe luftimin e disa sëmundjeve që prekin edhe njerzit si plasia, bruceloza, tuberkulozi, tërbimi, lija etj, të cilat në atë kohë shkaktonin fatkeqsi të mëdha, kështu Dr. Bilali hodhi bazat e vërteta të mikrobiologjisë si shkencë në Shqipëri.

Pikpamjet politike të Dr. Bilalit, ishin ato të një liberali demokrat. Që kur ishte student në Turqi, por sidomos kur punonte si oficer i ushtrisë Turke, ai u përfshi me gjithë energjitë e tij në revolucionin e udhëhequr nga Qemal Ataturku dhe për këtë është dekoruar nga qeveria Turke me medaljen e Indipedencës me dekretin nr. 3252. Duke qënë se ai kishte qënë kundër sulltanatit në Turqi, ai do të ishte edhe kundër shpalljes së Zogut mbret. Ai e donte Shqipërinë siç ishin edhe vëndet e tjera të përparuara, Republikë Parlamentare dhe për këtë arësye ai u konfrontua me regjimin dhe u dënua me 101 vjet burg, por si rezultat i presionit të qarqeve shkencore europiane, ai pasi bëri tre vjet burg, së fundmi u lirua, por u urdhrua të largohet nga Shqipëria. 

Ai deshi të shërbente edhe më tej atdheut të tij dhe për këtë arësye kërkoi të punonte edhe si një veteriner i thjeshtë i ndonjë komune, por kjo kërkesë nuk ju miratua dhe ai me zëmër të thyer u largua për në Turqi.

Me të mbrritur në Turqi, Dr. Bilalin e kërkuan njëkohësisht Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Bujqësisë për institucionet e tyre, por ai pranoi të punojë në atë të shëndetësisë dhe filloi punë në Institutin e Higjenës” RS Hivzissihha” Ankara, fillimisht si Zv/ Drejtor i atij Instituti dhe më vonë si sekretar i përgjithëshëm. Gjat kohës që ai punoi në Turqi, pati një karjerë të shkëlqyer shkencore. Studimet që ai kreu atje u botuan në revistat e buletinet e institucioneve më të famshme shkencore të Europës si dhe në disa tekste të mikrobiologjive universitare. Ai filloi punën me prodhimin e serumeve hiperimune për prodhimin e vaksinës së difterisë së fëmijëve, tetanozit, tuberkulozit etj, me një cilësi edhe më të lartë se ato që si bashkëpuntor i Prof. Ramon, kishte, prodhuar në Institutin Pasteur. Sëmundja Brucelozë, që prek njerzit dhe kafshët, ishte shumë problematike në Turqi. Dr. Bilali kreu një studim nga më të thelluarit e asaj kohe, duke analizuar gjakun e 2500 njerzëve dhe kafshëve si dhe qumështin e bylmetoreve të Ankarasë dhe fermave për rreth, prej nga ku konstatoi se sëmundia ishte shumë e përhapur. Në një kongres të mikrobiologjisë në Turqi, masat e gjurmimit dhe luftimit që propozoi Dr. Bilali u kthyen në ligj, të cilat edhe sot janë po të tilla. 

Një kontribut i veçantë i tij ishte studimi i dy sëmundjeve që në Turqinë e asaj kohe shkaktonin shumë vdekje në njerz, siç ishin Tularemia dhe Ethet “Q”. Studimet e Dr. Bilalit mbi këto sëmundje ishin të një niveli të lartë shkencor të cilat u botuan në revistën mjeksore të Akademisë së shkencave franceze dhe në dhjetra organe të tjera të shtypit shkencor.

Studimet e Dr. Bilalit për sëmundjen e Tularemisë arritën deri aty sa ai të kryejë eksperimente në trupin e vet. Janë të njohura botërisht dhjetra e qindra raste të vetësakrifikimit dhe të heroizmit, deri në dramacitet të kryera nga shumë biologë, mjekë, kimistë etj, nga të gjitha anët e botës, të cilët janë përballur me vdekjen për të mirën e njerëzimit. Duke eksperimentuar në trupin e tyre, Petenkofer piu një gotë me bujon kolere, por i shpëti vdekjes, ndërsa të tjerë si anglezi A. Uajt, austriaku A. Rozenfelld, italiani xh. Lasear etj nuk arritën ti shpëtojnë vdekjes. Midis këtyre njerzëve, këtyre heronjëve të heshtur që mbarë njerëzimi duhet të përkulet me mirënjohje dhe veneracion, për sakrificat e tyre sublime, është edhe shkenctari ynë Shqiptar Dr. Bilal Golemi.

Duke punuar në laborator atij i ra në sy një pikë e kulturës mikrobike të Tularemisë. Mendoi se pas gjithë atyre provave që kishte bërë në kafshët laboratorike, eksperimenti në trupin e tij, ishte një rast i mirë që do të sqaronte shumë gjëra rreth Tularemisë dhe ai nuk u mjekua por i mbyllur në laboratorin e tij për tetë ditë, e la sëmundjen të rrjedhi, duke studjuar gjithë kuadrin klinik të saj.

Filloi skuqia dhe lotimi i syve, pastaj konjuktiviti u zhvillua më tej. Filluan të enjten gjëndrat limfatike të nënënofullës dhe më pas edhe gjëndrat e tjera, duke u bërë të dhimshme deri sa u qelbëzuan. U rrit temperatura, duke provokuar ethe të forta, të dridhura, të vjella, dhimbje të kyçeve dhe të mezit, por ai me vendosmëri dhe kurajo, megjithëse kërcënohej nga vdekja, qëndrote i pa përkulur, duke kryer lloj lloj analizash. Merrte material nga trupi i tij dhe jua injektonte kafshëve të eksperimentit dhe ato për pak ditë ngordhnin, vëzhgonte kurbën e temperaturës, formulën e gjakut, mbillte material nga trupi i tij në terene që kultivohen mikrobet dhe pasi sqaroi gjithçka, vetëm pas tetë ditësh ai fillo mjekimin e trupit të tij. I shpëtoi vdekjes por ky eksperimen la gjurmë në shëndetin e tij. Ky rast u publikua në gjith shtypin shkencor të kohës.

Në vitin 1952, kur gjëndia e tij shëndetësore nuk ishte e mirë, ai emrohet drejtor i prodhimit të vaksinës së tuberkulozit në njerëz(BCG), por edhe në këto vite ai nuk e reshti veprimtarinë e tij kërkimore shkencore dhe në këtë vit ai caktohet ekspert i Organizatës Botrore të Shëndetësisë, duke u bërë i pari shqiptar në këtë detyrë.

Astma bronkiale, prej së cilës, kishte vuajtur gjatë gjithë jetës, por sidomos eksperimenti që bëri në trupin e vet e mposhtën dhe i shkurtuan jetën dhe në moshën më të mirë, në kulmin e prodhimtarisë së tij shkencore, ai ndrroi jetë më 15 mars 1955. Varrimi i tij u bë në varrezat Stinjës Bosfor dhe në kreun e varrit të tij, plot domethënie dhe fantazi është skalitur në gur, një libër i madh dhe në bazoreljev një mikroskop.


Duke e shikuar këtë figurë prej kohës që jetojmë, kur shqiptarët, njerëz të thjeshtë qofshin, apo edhe intelektualë, çdo ditë po largohen nga Shqipëria, kurse Dr. Bilali la karjerën e shkëlqyer shkencore, la shkëlqimin e Parisit dhe u kthye ti shërbente vëndit të tij thellësisht të prapambetur, shtrohet pyetja se a ka më sot patriotë të tillë idealistë që për interesat e popullit të tyre të bëjnë sakrifica kaqë të larta ose të sakrifikojne deri jetën e tyre për të mirën e njerzimit mbarë?

imazhe shqip

*   *   *







December 29, 2013

Abu Amar, terroristi shqiptar

nga Lapraka e Tiranës


Një tjetër shqiptar është vrarë duke luftuar në Siri.

Deri më tani raportohet se shqiptari e kishte emrin e luftës Abu Amar dhe është vrarë dy ditë më parë në Alepo, qytetin më të madh të Sirisë.

Forcat qeveritare kanë ndërmarrë ditët e fundit një sulm masiv në këtë qytet, duke shkaktuar qindra viktima.

Abu Amar luftonte për organizatën Al Nusra, që është një degë e Al Kaedës.

Abu Amar ishte një shqiptar nga Lapraka e Tiranës.

Gazeta TemA  & http://www.islamicinvitationturkey.com


*   *   *

December 27, 2013

Presidenti i Shqiperise Bujar Nishani

imazheshqip

O Edo,
Po ktë Nishanlliun, kur do e kapësh për veshi
se na e la Shqipërinë Salistan?!


*   *   *

Kunati argëtohet 
me intervistën e Jarit tek Fevzo


Më në fund Kunati gjeti diçka gazmore për fundvitin. Jari e kishte njoftuar se do të jepte një intervistë tek Fevzo dhe mezi po priste ta shikonte. Kunati u ul gjithë qejf para TV.

Filloi intervista.

Fevzo: Desha të diçka për shkollimin tuaj. Ju keni qenë një Begs, pastaj një oficer. Tani dua një përgjigje të sinqertë, të pëlqente kjo degë apo jo?

Jari: Më pëlqente shumë.

Fevzo: Është e vërtetë që ju e keni pasur ëndërr që fëmijë të bëheni oficer?

Jari: Ju kuptova qartë. Po, është e vërtetë.

Fevzo: Diçka për shkollën tuaj, çfarë mësonit aty?

Jari: E kuptova qartë, është sekret ushtarak.

Fevzo: Sidoqoftë diçka mund të thoni, kanë kaluar 25 vjet, dhe kur unë kam takuar shefin e CIA-s, më ka thënë se pas 25 vitesh mund të dalin sekretet.

Jari: Kuptova qartë. (Fillon të numërojë me një dorë pesë herë rresht dhe buzëqesh). Po, paskan kaluar 25 vjet. Atëherë po e zbuloj sekretin tim. Kam mbaruar për oficer.

Fevzo: Jeni i sigurt?

Jari: Si urdhëron.

Fevzo: Dhe një detaj desha të di lidhur me revoltat e Shkurtit 1991. Je i përfolur se ke mbrojtur bustin e Enver Hoxhës. Është e vërtetë?

Jari: Ju kuptova qartë. Nuk është e vërtetë. Ne kishim bindje që Enver Hoxha nuk kishte nevojë për mbrojtjen tonë.

Fevzo: Cilat ishin pasionet tuaja në atë kohë?

Jari: Besoj ju kuptova. Kisha pasion disiplinën.

Fevzo: A u ka mbijetuar ky pasion?

Jari: Patjetër, jam shumë i disiplinuar.

Fevzo: Si u lidhët me Zonjën e Parë, në çfarë rrethanash?

Jari: Po ja u takuam, pastaj pimë kafe, unë llogarita kur merrja lejen e zakonshme, pastaj shkëmbyem nishanet dhe u martuam.

Fevzo: Jeni i sigurt?

Jari: Patjetër. Mund ta pyesni Zonjën.

Fevzo: Po tani si shkon jeta juaj?

Jari: Kuptova qartë. Shkon shumë mirë. Kemi marrë një shtëpi të madhe, qeveria harxhoi rreth gjysmë milioni euro për ta rikonstruktuar. Është bërë shumë e bukur. Unë hyj drejt nga oborri në kat të parë pa shkallë. Kam sajuar një ashensor të vogël për kat të dytë dhe e kam dhomën ngjitur sa del nga dera. Kemi mbjellë dhe ca pemë. Disa pemë të tjera ishin. Dhe ngjyrat i ka shumë të mira. Blemë dhe mobilie të reja. Në përgjithësi është shumë e mirë. Kuzhina është e madhe dhe kemi shumë pjata. Na kanë ardhur disa njerëz për urime, kanë sjellë dhe ata.

Fevzo: Qartë, qartë! A keni marrë ndonjë servis të pjatave të Pallatit të Brigadave me stemën e Mbretit Zog? Thonë që ia keni kërkuar Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.

Jari: Nuk e di, kemi shumë pjata, por ju e  dini që unë jam simpatizant i presidentit Berisha, jo i Mbretit Zog. Sidoqoftë do ta verifikoj.

Fevzo: Faleminderit zoti President dhe ta gëzoni shtëpinë.

Jari: Mund të vini për vizitë kur të doni. Ka vende plot.

http://www.gazetatema.net/web/2013/12/27/kunati-argetohet-me-intervisten-e-jarit-tek-fevzo/

imazhe shqip


*   *   *



December 26, 2013

KM Edi Rama:

Top Story - Pjesa e Dytë - 

Opozita drejtohet 
nga një plak i rrjedhur, 
i janë këputur frenat e gojës

Viti 2013 është viti që solli në krye të vendit një qeveri të re, pas tetë vitesh qeverisje të së djathtës.

Kabineti Rama është mandatuar me një program ambicioz dhe premtimin që do të transformojë jetën e shqiptarëve.

Qeveria e re mbushi 100 ditët e para të saj në detyrë në 22 Dhjetor dhe për të bërë një bilanc të këtyre ditëve, të të gjithë vitit, por edhe atë që na pret në të ardhmen e afërt, në serinë e fundit të “Top-Story” për 2013-n mbërriti kryeministri i vendit, zoti Edi Rama.

imazhe shqip

Sokol Balla: Zoti Rama opozita ka paraqitur 30 amendamente mbi buxhetin, bazuar, sic thotë ajo, në premtimet tuaja elektorale. Një lëvizje, që padyshim ka edhe cinizmin brenda, por që tenton të vërë në provë nëse ju keni premtuar në fushatë, apo seriozisht që do të bëni ato që keni premtuar. Do të merrni parasysh ndonjë prej këtyre amendamenteve?

Edi Rama: Ne nuk marrim parasysh asnjë amendament provokativ, aq më tepër të një opozite që ka mbetur peng e një plaku që i ka sosur kandili i arsyes. Shqiptarët e bënë të tyren dhe e larguan opozitën e sotme nga qeveria dhe e cuan shqiptarët në pension gjyshin që s’kishte më se cfarë t’u jepte shqiptarëve, përvec përrallave dhe s’kishte më asgjë më të mirë përvec borxheve ku i zhyti shqiptarët. Edhe ne nga ana jonë e bëmë tonën, edhe PD nga ana e saj duhet të bëjë të veten. Nuk është fat i mirë, por ndodh kur plaku i shtëpisë rrjedh, por ama familja e përgjegjshme e mban në shtëpi, kujdeset për të brenda shtëpisë, i krijon kushte, nuk ka asgjë jonatyrale, por ama nuk e lë të dalë cdo mëngjes të tërbojë të gjithë lagjen. Kështu që ata duhet ta bëjnë të tyren dhe amendamentet që burojnë nga shkuarja pas marrëzisë së plakut të shtëpisë së tyre, ne s’kemi ca të pranojmë. Ne do t’i mbajmë zotimet tona në 4 vjet dhe të kërkosh një qeverie që në 100 ditë të mbajë të gjitha zotimet, do të thotë të pretendosh se zgjedhjet do të bëhen cdo 100 ditë.

Sokol Balla: Meqë iu referuat ish-kryetarit të familjes së PD-së…

Edi Rama: Ai nuk është ish-kryetari, ai është kryetari i familjes dhe…

Sokol Balla: Ai është kryetari i familjes sepse unë e shikoj për një person që nuk e di, si ai ushtari japonez në ishujt në Luftën e Dytë Botërore, që nuk e di se zgjedhjet kanë mbaruar dhe është ndërruar pushteti, kur shikon në parlament mendon që Sali Berisha është ende Kryeministër i Shqipërisë. A mendoni që trajtimi i privilegjuar që ju po i bëni ish-kryeministrit, ju dhe zoti Meta, është deri diku i tepruar, i panevojshëm?

Edi Rama: Përfytyrojeni veten në kafen e lagjes tuaj, janë të gjithë aty duke pirë kafe, vjen plaku në fjalë, fillon bërtet, ulet, cohet, ulet, kap banakun. Juve edhe po të ishit nuk do thonit nxirreni jashtë.

Sokol Balla: Po as pronari i lokalit nuk duhej t’i jepte raki.

Edi Rama: Pronari i lokalit do merrte në telefon ata të shtëpisë dhe do t’u thoshte mos e lini të dalë jashtë këtë se na tërboi, na la pa punë. Kështu është pozita jonë me thënë të drejtën dhe i takon vërtet PD që të sillet si familje e përgjegjshme, ta lënë në krye të vendit tek SHQUP-i, t’i japin një batanije, lidhjen në internet ja garantojmë falas ne. Të rrijë në Facebook, por mos dalë dhe të marrë për orë të tëra debatin e parlamentit me broçkulla, dhe aq më tepër pastaj i kanë ikur të gjitha frenat e gojës dhe çfarë nuk thotë.

Sokol Balla:  T’i kthehemi të tashmes, le ta lëmë të shkuarën…

Edi Rama: Është e tashmja kjo për fat të keq. Është e tashmja e një partie që vazhdon jeton me të shkuarën. Por dakort jam që ne t’i kthehemi të tashmes dhe ta lëmë të shkuarën, dakort jam.

Sokol Balla: Në dy foto, në njërën foto tuajën elektorale, tjetra është fotoja juaj në 100 ditë Kryeministër. Sigurisht, ka një spekulim, por në këtë kontrast të fotografive, t’i përgjigjeshit pyetjes, a keni identifikuar ndonjë premtim të programit elektoral që nuk e mbani dot?

Edi Rama: Jo, nuk kam identifikuar asnjë premtim që nuk e mbajmë dot.


Intervista KM Edi Rama në Top Story - Pjesa e Tretë - Vazhdon në Linkun:  
http://imazheshqip.blogspot.com/2013/12/edi-rama.html


imazhe shqip

*   *   *

Edi Rama:

Top Story - Pjesa e Tretë - 

S’kam gjëra personale me askënd, 
por gjëra shteti


imazhe shqip


Sokol Balla: Zoti Rama, kur erdhët në qeveri e vendimi i parë që firmosët ishte anullimi i mbetjeve urbane, një vendim populist dhe një premtim i fushatës. Dy muaj më pas, ishit në prag të pranimit të ofertës për marrjen e armëve kimike. Kjo është një diferencë e populizmit kur je në fushatë dhe e populizmit kur je kryeministër?

Edi Rama: Absolutisht jo. Ka një ndryshim të madh midis marrjes së mbeturinave për të bërë biznes një grusht personash dhe pushtetarësh e mafiozësh e pranimit të pjesëmarrjes në një operacion humanitar me përmasa botërore, që e vendos Shqipërinë në rolin e një qytetari global.

Sokol Balla: Një mbështetës i juaj, shkruante në ato ditë se Rama erdhi në pushtet me “Twitter” e se rrezikoi të ikte me “Facebook”, ndërsa aleati juaj në fushatë, Spartak Ngjela, beson se çfarë ndodhi është mjaft që ju të largoheni ose se gjithsesi do t’iu largojnë njerëzit. A mendoni se me menaxhimin publik të kësaj çështje diçka nuk funksionoi mirë?

Edi Rama: Unë mendoj se me këtë çështje i kam thënë të gjitha dhe se shqiptarët janë të qartë për të gjitha.

Sokol Balla: Një tjetër moment i rëndësishëm ishte mosmarrja e statusit për vitin e katërt rresht. Sa përgjegjësi ka qeveria e shkuar për mosmarrjen, kur një ndër pak gjërat që e keni falenderuar ishte kontributi që ajo ka dhënë për çështjen e integrimit?

Edi Rama: E kam thënë edhe më parë dhe do e them edhe kur ta marrim, pa droje se marrja e statusit nuk do të jetë një arritje eksluzivisht e jona e aq më pak një motiv për të bërë, siç ka ndodhur shpesh, ndonjë koncert dhjetë herë më të shtrenjtë se i Robin Uilliamsit apo Madonës, e për të futur me këtë rast ndonjë një milionë në xhepa e për të kthyer marrjen e statusit në luftë me armikun e brendshëm, opozitën. Ndërkohë, e vërteta është se në mosmarrjen e statusit ka pasur dy faktorë. Faktori A, ngurrimi se pavarësisht se qeveria e re po bënte një punë që kancelarja Merkel, me gojën e saj e quajti befasuese, nga Shqipëria jemi mësuar që tjetër thuhet dhe tjetër bëhet, ndaj duam ende pak kohë. Faktori B, që përmbysi një punë të ngritur me shumë mund dhe e bëri të pamundur në finish të merrnim një rezultat që me shumë gjasa do të ishte pozitiv, forcat ekstremiste në disa vende. Filloi në Holandë dhe ajo që ndodhi në Holandë ishte i paprecedent, pasi për herë të parë një parlament kombëtar zhvilloi një debat dhe mori përsipër të vërë një veto, e t’i kërkojë ministrit të Jashtëm të mos guxojë të shkojë përtej kësaj vetoje, duke fyer Shqipërinë me lloj-lloj vlerësimesh apo me çështjen e besimit tonë, që për mua është absolutisht e papranueshme.

Sokol Balla: Mendoni se ky lloj paragjykimi do të zgjasë dhe ky lloj stigmatizimi që mund të kthehet në një sindromë Turqie do të zgjasë ndaj nesh?

Edi Rama: Nuk jemi këtu për të profetizuar të ardhmen se çfarë do të ndodhë në një vend apo një tjetër. Fakti është që këto forca po rriten në sondazhe dhe ndikojnë qeveritë e tyre kur vjen çështja e zgjerimit, jo sepse qeveritë e këtyre vendeve lavdi Zotit mendojnë si këto forca, por sepse në mars ka zgjedhje këtu, në prill atje, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, udhëtimi europian nuk është një udhëtim për diku, por një udhëtim brenda vetes. Në fund të fundit ne e duam Shqipërinë europiane këtu, spitali, rruga, policia, etj, duam të jenë si në Europë e këtë s’na e kushtëzon ai që është skeptik, pasi këtë e kemi në dorë vetë. Mua më pëlqen shumë ajo fjala e famshme e Jean Monet, kur tha që s’jam optimist, por i vendosur pasi BE është destinacioni ynë, ndaj vendosmëria ëhstë kryesorja në këtë process, herët apo vonë Shqipëria do të bëhet anëtare e BE, nuk do të bëhet nesër, do të duhen disa vjet dhe statusi është diçka që Shqipëria e meriton. Vendimi i marrë ndryshon nga herët e tjera pasi teksi i shkruar është jashtëzakonisht pozitiv dhe se këtë herë është përdorur precedent i Serbisë, për ta konsideruar në rastin më të parë, ndaj vendimi do të jetë më shumë automatik sesa politik… Megjithatë, nuk mund të themi më shumë pasi zgjedhjet e Parlamentit Europian mund të sjellin një konfigurim të ndryshëm në parlament, por sa më shumë Shqipëri europiane të kemi këtu, aq më shumë janë të hapura dyert e BE-së për ne.

Sokol Balla: Ju thatë se ishte shqetësues që brenda qarqeve pati etiketime për besimin me shumicë myslimane të vendit tonë.

Edi Rama: Nuk e kanë thënë brenda qarqeve, e kanë thënë hapur këtë.Të gjithë ne kemi pasur mundësinë të dëgjojmë drejtëpërdrejtë se jemi shumë të befasuar nga puna e qeverisë së re, por mbase do të na duhet edhe pak kohë për të parë që kjo është një punë e qëndrueshme dhe këto arritje do të konsolidohen në vijim pasi nga Shqipëria, për fat të keq jemi mësuar të zhgënjehemi. Këtë kanë thënë disa nga qeveritë. Institucionet kanë folur qartë dhe nuk kanë gjë me ne, por këto forca që s’kanë gjë me Shqipërinë vetë, por me Bashkimin Europian në vetvete pasi duan të nxjerrin vendin e tyre nga BE, nga euro, s’duan të huaj e emigrantë, gjë që s’ka të bëjë me vlerat e BE-së në vetvete…

Sokol Balla: Do t’iu pyes pak edhe për stigmën e vendit mysliman.

Edi Rama: Nuk ka lidhje fare kjo. Unë mendoj se Turqia është partner strategjik natyral i Shqipërisë së bashku me Greqinë e Italinë, si tre forca me ndikim shumë të madh në rajonin tonë e në BE e NATO, si tre forca ku e ardhmja e Shqipërisë është e lidhur ekonomisht e tre forca që do të ishte marrëzi nga ana jonë t’i përjashtonim nga partneriteti jonë strategjik.

Sokol Balla: Ne kemi edhe një marrëdhënie me Konferencën Islamike, a mendoni se qeveria do të ketë një qëndrim të ri për këtë?

Edi Rama: Unë mendoj se kush guxon të tregojë me gisht shqiptarët si myslimanë, duhet të marrë përgjigje nga kryeministri i vendit dhe të gjithë qytetarët e vendit, ne jemi myslimanë e të krishterë, jemi bashkë, jemi të gjithë myslimanë e të gjithë të krishterë njëkohësisht kur duhet e s’do të na ndajnë ca ekstremistë që janë edhe kundër BE. Unë refuzoj që Shqipëria të abuzohet për arsyen e fesë dhe për këtë jam krenar, e për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë, që ne jemi një model i harmonisë mes besimeve, një model i bashkëjetesës dhe për këtë model duhet të na kenë zili e të na marrin për shembull, e duhet të na e shohin si vlerë të shtuar e jo të na tregojnë me gisht, e kush, ato personazhe që janë turpi i BE-së.

Sokol Balla: Zoti Rama, Europa do prova. Kemi dhënë disa, por jo mjaftueshëm. Një prej çështjeve ama është drejtësia, aty ku Europa nuk fal, ajo kërkon të shohë aksion dhe ndëshkime për zyrtarë të një niveli sa më të alrtë. Pak muaj përpara zgjedhjeve, kryeministri Berisha tha unë nuk bëj koka turku. Cila do të ishte alternative juaj?

Edi Rama: Në këtë pikë unë jam dakord me Berishën, por atëherë mbase nuk ishte krejtësisht si sot që nuk di çflet. Kokat e turkut nuk kanë të bëjnë me filozofinë e Shqipërisë Europiane që duhet të ndërtojmë, shembuj të drejtësisë së vërtetë ama janë ato që duhet të japim, duhet të tregojmë një Shqipëri sa më demokratike dhe jo një Shqipëri autokratike, ku për hir të një lufte me korrupsionin të harrojmë se lufta me të është një luftë për modernizim të sistemit, për ta bërë të pamundur për këdo që t’i shkojë mendja t’i thotë qytetarit nëm lekët dhe pastaj të bëj shërbimin. Kjo bëhet e pamundur nga një anë duke bërë që drejtësia të bëjë drejtësi, e jo farsa e turpe siç ka bërë në vijëmësi dhe e dyta të bëjmë shtet. Pse nuk merr bakshish polici në Gjermani? Mendoni se një gjerman është më i ndershëm nga natyra? Merr një gjerman, jepi 300 mijë lekë rrogë dhe lërë në shi dhe do shihni që pas tre ditësh do të marrë edhe ai edhe më shumë lekë. Merr këdo polic shqiptar, çoje në Gjermani dhe s’do i shkojë mendja të kërkojë lekë. Pra, është sistemi. Pse shqiptarët kur dalin nga kufiri respektojnë semaforin, vënë rripin, nuk ecin të dehur, respektojnë policin dhe pse nuk ndodh këtu kur vijnë? Sepse na duhet një sistem që ata që punojnë në shtet të ndiejnjë një dinjitet dhe krenari që punojnë në shtet dhe që qytetari të ndiejë këtë dinjitet dhe krenari. Habitej një mik i imi që përse eskorta ime qëndronte në semafor? Por, nëse autokolona nuk do të bënte këtë, çfarë mesazhi do të jepte? Që ky është i fortë dhe nuk respekton semaforin? Kjo është një çështje që bie kaskadë pastaj dhe dalin edhe të fortë të tjerë…

Sokol Balla: Megjithatë, e vërteta është që në këto muaj janë hapur disa çështje ndaj disa zyrtarëve të lartë të qeverisë, midis tyre Shpëtim Gjika, kryebashkiaku i Vlorës, ai i Kamzës, Xhelal Mziu që është nën pranga apo ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Megjithatë, përsëri në këto çështje ekziston një besim që ka diçka personale me këta persona. Imami thotë që ju e keni personale me të.

Edi Rama: E çfarë mund të kem unë personale me Imamin? Çfarë?

Sokol Balla: Prandaj po ju pyes…

Edi Rama: Ai thotë që më sulmojnë politikisht, por kush e merr seriozisht një politikan që u bë i famshëm kur hipi majë tankut se do gjuante me tank Sali Berishën dhe pastaj zbriti në gjunjë përballë tij. Si ta marrësh seriozisht? Edhe Sudja kështu thonte, e kanë politikisht.

Sokol Balla: Shumë debat ka hapur çështja e prishjes së ndërtimit pa leje në Vlorë, i pallatit të vjehrrit të kundërshtarit tuaj politik. Kjo u interpretua si një sulm personal. Shqipëria është e mbytur në ndërtime pa leje… Si i përgjigjeni kësaj akuze?

Edi Rama: Është komplet keqinterpretim. Nuk po them dashakeqës, pasi nuk ke arsye personale, por aty është bërë një pastrim pa dallim nga fillimi deri në fund, për t’i kthyer Vlorës detin e gjirin e saj e jo vetëm Vlorës, por gjithë Shqipërisë në fakt. Aty do të ndërtojmë një projekt që do të jetë kartvizita e bregdetit të Shqipërisë europiane dhe nuk mundet dot që në atë aksion të mbylleshin sytë përpara një pallati të ndërtuar mbi det, ishte e pamundur.

Sokol Balla: Shpëtim Gjika ju doli kundër kur tha se pallati ishte me leje?

Edi Rama: Është e vërtetë që është dhënë një leje në kundërshtim me çdo ligj e sens të zhvillimit të një qyteti dhe mbrojtjes së një deti e kjo ishte arsyeja pse ne nxorrëm një fond, për ata që në mirëbesim falë asaj palo leje kanë marrë e kanë paguar atë shtëpi.

Sokol Balla: Meqë më përmendët dëmshpërblimin, më ndihmoni t’i shpjegoj djalit tim se përse ky pallat duhet t’i shkaktojë xhepave tanë një dëm financiar prej 5 mln dollarësh? Pse duhet të paguaj unë për shkeljen ligjore që ka bërë Bashkia e Vlorës apo atyre njerëzve që kanë vepruar në këtë mënyrë?

Edi Rama: Mos e mundo djalin me shpjegime, por thuaj që kur të ndërtojë xhaxhi Edi projektin e tij atje do e shohim dhe do të shpjegojë pse u desh paguar ky haraç, i një padrejtësie të bërë më përpara, por jo për ata që ndërtuan atje, por për ata që në mirëbesim shkuan dhe ranë pre, sepse në fund të fundit në mirëbesim janë edhe kompanitë që ishin me qeveritë e mëparshme, por s’mund t’i themi që ikni sepse kontratat i ka bërë një i papërgjegjshëm. Qeveria ka thënë hidhni asfalt e gurë sepse këto lekë i kemi ne, ata i kanë hedhur këto dhe ne s’mund të themi që merreni me vete asfaltin ose shko tek SHQUP-i kërkoja lekët atij plakut. Ne marrim përgjegjësi si Qeveria e Republikës së Shqipërisë. E gjithë kjo është një spekulim, unë sinqerisht kam dëgjuar shumë për pallate, i ka ky ose ai, kushedi sa thonë që kam unë pallate dhe unë asnjëherë s’kam besuar që ai pallat kishte ndonjë lidhje me zëdhënësin e PD, por ja që doli e vërtetë se e tha plaku. Tani çfarë do të thotë, meqë kishte lidhje me zëdhënësin e liderit të PD, nuk mund të na bënte ne të jepnin urdhër jo atje se aty është politike?

Sokol Balla: Nga ana tjetër ka pallate monstruoze edhe në Durrës apo në qendër të Tiranës, etj.

Edi Rama: E para punës, ky s’do të jetë pallati i fundit që prishet dhe ky nuk u prish sepse kështu na lindi ne ideja, por si pasojë e një plani rindërtimi në gjirin më të bukur urban të këtij vendi, ndaj sigurisht që do të ketë edhe të tjera më mbrapa patjetër.

Sokol Balla: Zoti Rama, Gjykata Kushtetuese ju hodhi poshtë aktin normativ për administarrtën, çdo të bëni ju tani?

Edi Rama: Ne jemi absolutisht të bindur që gjykata nuk ka marrë vendimin e drejtë, por është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ne e respektojmë këtë vendim. Për aq sa ka pasur në kompetencë gjykata që për ne nuk është i drejtë, por në fund të ditës, çdo vendim gjykate është gjykate dhe ndryshe nga ata që ishin deri dje, ne as do ngrihemi e të themi një mijë e një të zeza për gjykatësit e as do i themi persidentit “ti je një horr bulevardi”.

Sokol Balla: Megjithatë, vota në këtë çështje ishte totalisht partizane, 5 me 4. Kanë votuar të gjithë anëtarët e propozuar nga ish mazhoranca…

Edi Rama: Ideja për një reformë tërësore në drejtësi nuk buron nga dëshira për hakmarrje apo për të marrë nën kontrol drejtësinë. Është një ide sepse çdokush që të pyesësh në këtë sallë nëse duhet reformuar drejtësia, të gjithë do të thonim aman, është e para që duhet reformuar…por për këtë duhet të përfshihemi të gjithë, shoqëria civile, parlamenti të gjithë e ne do të bëjmë atë që mund të bëjmë si qeveri, por pa valëvitur këtë flamur për t’i rënë në gjoks kujtdo na del para…

Sokol Balla: Zoti Rama, çfarë po ndodh mes mazhorancës e presidentit. Zëra ekstremisë si Ngjela thonë duhet shkarkuar Nishani.

Edi Rama: Unë e kam konsideruar veten fatkeq kur një kryeministër shante presidentin rrugaç dhe jam distancuar nga ajo sjellje atëhere jo sepse presidenti ishte ndonjë shoku im, por sepse ishte Presidenti i Republikës e nga unë s’do të dëgjoni asnjë shkelje, jo etike, por as shkelje të marrëdhënieve normale me këtë institucion. Pa dyshim, unë kam gjykimet e mia dhe presidenti të tijat, pavarësisht palumturisë që mund të ketë në raportet personale, raportet instuticionale do të jenë gjithmonë të shkëlqyera nga ana e qeverisë.

Sokol Balla: Flitet që shtëpia juaj politike e Partisë Socialiste vlon në këto ditë, nga pakënaqësi deputetësh, etj. Na thoni diçka.

Edi Rama: Në shtëpinë tonë ka vluar gjithmonë. Në shtëpinë tonë ka njerëz të gjallë me kokën mbi supe dhe që kanë mendimin e tyre. Lajm do të ishte sikur aty mos të vlonte asgjë, sikur të gjithë të ishin kokëulur dhe askush mund të kundërshtonte për asgjë, duke i larë këmbët një plaku të rrjedhur.

Sokol Balla: Zoti Rama, tani si kryeministër ku do e kaloni Vitin e Ri?

Edi Rama: Në Tiranë… Dmth në Shqipëri, në Tiranë ose Vlorë, ose Tiranë dhe në Vlorë bashkë (qesh).

Sokol Balla: Në fund, çfarë do t’i uroni shqiptarëve për vitin 2014?

Edi Rama: Do t’i uroja sinqerisht shqiptarëve çdo të mirë, por në radhë të parë do t’i uroja sa më shumë shëndet pasi është diçka që nuk e mendon kur nuk e ke, por është mirë që të mendosh se është vërtet fat kur e ke dhe nga ana tjetër sa më shumë harmoni dhe sa më shumë ëndrra dhe shpresa, pasi viti 2014 është viti kur do t’i japim mundësi ëndrrave dhe shpresave të mos duken më të pamundura dhe aq më pak të kota në atdheun tonë të përbashkët.

Sokol Balla: Zoti kryeministër, faleminderit që ishit në “Top-Story” dhe në emër të të gjithë teleshikuesve do të doja t’iu uroja edhe unë juve për këto festa…

Edi Rama:  Faleminderit dhe Gëzuar…


Intervista KM Edi Rama në Top Story - Pjesa e parë Vijon në Linkun:


imazhe shqip



*   *   *

Taulant Balla:

Luli e ka merak Esmeraldën, 
i dha dhe shtëpi

Nga Taulant Balla

Zoti deputet, nëse do të bënim një analizë tërësisht historike të këtyre 23 viteve, ajo që bie në sy është se sa herë që largohet nga pushteti Sali Efendiu, lë pas vetëm rrënim. Qytetarëve shqiptarë, sot, në ditën e 101 të punës së Qeverisë së Re, ju themi se është arritur të ndërtohet buxheti i kthesës dhe rimëkëmbjes ekonomike. Në vitin 1997 Shqipëria trashëgoi ekonominë e Sudes dhe të Vehbiut. Në 2013-n Shqipëria arriti në ekonominë e Xhozefinës dhe të Sali Efendiut. Bëni mirë që uleni të dy bashkë se na kujtoni Suden dhe Vehbiun, sepse situata ekonomike është njësoj e rëndë.

imazhe shqip

Si për ironi të fatit ata që deri dje shkatërruan financat e vendit edhe atëherë edhe tani, sulmojnë FMN. Akuzohet FMN si dëshmitarë i rremë, po nga këta që thonin atëherë “lëreni FMN se ne kemi Suden, mos shkoni pas FMN po vraponi pas Vehbiut”. Po FMN sulmohet sot nga Sali Efendiu sepse marrëveshja me FMN shkatërroi përfundimisht ëndrrën e sëmurë të Saliut për falimentimin e ekonomisë shqiptare. Sali Efendiu e di fare mirë se në çfarë gjendje ishte ekonomia deri në mes të shtatorit. E di fare mirë se ky buxhet dhe marrëveshja me FMN janë ilaçet e vetme të ekonomisë shqiptare sot. Por ai e ka mendjen tek ëndrra e tij e sëmurë e falimentimit të ekonomisë.

Vetëm një i sëmurë, që shpreson në ëndrra të tilla të sëmura, mund tu thoshte njerëzve të tij nën zë, se po linte pas një ekonomi të rrënuar. Vetëm një i sëmurë, me ëndrra të tilla të sëmura, mund të shpresonte rikthimin e shpejt në pushtet nga shpërthimi i minave të ekonomisë që kishte krijuar vetë.

E zhyte ekonominë në borxhe, e çove biznesin drejt falimentimit dhe tani ankohesh ti se qenka rritur borxhi, për shkak të borxheve që ti le. Si ka mundësi që merr guximin dhe akuzon Qeverinë e Re për rritje borxhi, kur borxhi i këtij vendi e ka emrin Sali. Qeveria e shkuar do të mbahet mend si qeveria e faturave të papaguara. Kryeministri i Qeverisë së shkuar e ka emrin Sali Borxhi. Si mund të ankoheni ju për borxhin që vetë e rritët.

Sot është momenti t’u flasim hapur qytetarëve shqiptarë. Për tre çështje na është acaruar shumë kryetari “de facto” i PD, sepse ai “de jure” as që merr vesh nga këto gjëra.

E para, për taksimin progresiv, sepse nuk duroni dot që ata që paguhen më pak të paguajnë më pak taksa dhe ata që paguhen më shumë të paguajnë më shumë taksa. Nuk e duroni dot ju këtë.

Është acaruar edhe për iniciativën e Qeverisë në kuadër të paketës anti-mafia për konfiskimin e pasurive të vëna përmes korrupsionit. Madje tek kjo e dyta as nuk pranoni të diskutoni. Nxeheni, lini sallat e mbledhjeve të komisioneve, sepse e keni merakun tek ato pasuri që keni vendosur tek këto 8 vite në pushtet.

Mirë tek paketa anti-korrupsion ju kuptojmë se keni shqetësim për pasuritë, po me taksimin e ndershëm progresiv çfarë keni?

Prandaj ne ju flasim hapur qytetarëve dhe ju themi se përmes kësaj pakete fiskale ne garantojmë që për këdo që paguhet me një pagë 350 mijë lekë të vjetra në muaj, përmes kësaj pakete fiskale ti japim edhe pagën e 13-të. Kjo paketë fiskale pikërisht këtë bën, ata që paguhen me rrogat më të vogla në administratën e shtetit përmes kësaj pakete fiskale, për herë të parë pas këtyre viteve, marrin edhe rrogën e 13-të. Por Partia Demokratike nuk është e shqetësuar sot as për infermierët, mësuesit, punonjësit e policisë që bëjnë pjesë në këtë fashë pagash. Këta kanë merak tjetër. Meraku i këtyre janë të ardhurat e asaj profesoreshës që paguhet 12 milionë lekë në muaj. 144 milionë lekë në vit merr profesoresha e familjes dhe që sigurisht tani me taksën e re progresive nuk do të paguajë më 10%, por do të paguajë 15%. Ku gjysmat e atyre që i merr para për firmën, që kur i pati lëshu baba firmat për universitete, sigurisht do i paguajë gjysmat në shtet.

Keni dhe një hall tjetër sot, këtë nuk jua zgjidhim dot. Hallin e pijeve energjike. Aty ju ka ngelur mendja. Do paguajë dhe Red Bull akcizë, ku e keni Ridvanin?! Nuk shtyhet më kështu, ato që janë cilësuar si pjesë përbërëse e mallrave të akcizës në 8 vite të qeverisjes suaj, nuk u kujtuat njëherë që të taksohet dhe aty të vendoset akcizë. Në mënyrë që të rriten të ardhurat dhe këto të ardhura të përdoren për qendra shëndetësore, spitale. Madje sot sollën dhe një propozim, realisht i turpshëm për PD.

Pas 23 vjetësh, deputetët e PD, kërkojnë që limiti i taksimit 10% të shkojë tek paga e deputetit. Po turp nuk keni, që ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të vendosim pagën tonë si pagë reference për 10%? Jo mo jo, ne të taksohemi më shumë se ç’jemi taksuar deri më sot.

Buxheti ynë ul taksat për 97% të shqiptarëve.

Falë këtij taksimi të ndershëm, të gjithë punonjësit në publik apo privat, do të kursejnë më shumë para në fund të muajit. Si rezultat i uljes së taksave për 97% të nëpunësve, mesatarisht çdo shqiptar që paguhet deri në 130 mijë lekë në muaj, do të kursejë afërsisht 30 mijë lekë të reja në vit. Taksimi i ndershëm parashikon 0 taksa për çdo shqiptar me rrogë deri në 30 mijë lekë në vit, ose thënë ndryshe 0 taksa për 56% të të punësuarve.

Taksimi i ndershëm parashikon ulje taksash për çdo shqiptar me rrogë deri në 130 mijë lekë në vit. Nuk e bëjmë siç thoni ju 155 mijë lekë sepse nuk duam ne deputetët të përfitojmë nga kjo taksë, ose thënë ndryshe për 41% të të punësuarve, të cilët do të paguajnë 13% taksa të shumës mbi 30 mijë lekë. Ata që kanë rrogën mbi 130 mijë lekë në muaj, do të kontribuojnë përmes taksave në mënyrë progresive, ose më saktësisht 13 mijë lekë + 23% të shumës mbi 130 mijë lekë.

Këta që sot ankohen se paketa e re fiskale dëmton biznesin, janë ata që deri në shtator të këtij viti e kishin robëruar biznesin me taksën më të rëndë. Ka pasur taksa dhe taksa, por taksë korrupsioni do mbaheni mend vetëm ju në historinë e gjithë këtyre viteve.

Taksën e korrupsionit këta e kishin me emra të tjerë. Në të shumtën e rasteve ajo që njihet me emër quhet TVSH. Këta kishin taksa me emra të koduar.

Njëra taksë e kishte emrin SAL. Tjetra e kishte emrin ZEN, tjetra GIT, VAN, XHOZ, MUL, BEN. Apo e harruat? E harruat atë 3% që Gita i vuri atij biznesmenit? Apo harruat për taksat e Xhozit? 750 mijë milje fluturime me avion nëpër gjithë botën. Po çfarë takse ishte kjo? Taksë që i faturohej qytetarëve shqiptarë, që kryetarja e kuvendit të mos linte vend në botë pa vizituar, në diplomacinë parlamentare që nuk ja pamë hairin asnjëherë.

Po këto taksat e tjera? Taksa Mul? Nuk ishte TVSH kjo, ishte taksë tjetër. Që kur çdo makinë në kryeqytet parkohej gabim, paguhej taksa Mul 50 mijë lekë.

E pra ne po e shpëtojmë biznesin nga taksimi më i rëndë, ai i korrupsionit. Po e shpëtojmë biznesin nga taksat e Mulit, të Gitës, të Zenit, të Xhozit, të Vanit dhe të tjerët me radhë.

Edhe pse buxheti i ri aplikon taksën progresive duke ndikuar tek biznesi i madh, premtim që e kishim bërë gjatë fushatës zgjedhore dhe po e mbajmë, garantimi i shlyerjes së borxheve ndaj biznesit të madh prej 350 milionë dollarësh injekton para në ekonomi duke i dhënë avantazhe të dukshme biznesit të madh. Shteti i merr biznesit të madh vetëm 60 milionë dollarë prej taksave. Ndërkohë në vitin e parë të qeverisjes sonë, sepse qeverisja jonë fillon me buxhet në 1 janar 2014, ne japim 350 milionë dollarë duke shlyer borxhet që kishit lënë ju.

Shlyerja e borxhit të qeverisë ndaj sipërmarrjes private, rihap kantieret e punës, shton investimet dhe rikthen njerëzit në punë. Faturat e borxheve që qeveria do të shlyejë në vitin 2014 ndaj sipërmarrjes private, për punë apo shërbime të kryera gjatë qeverisjes suaj, por të papaguara, do të jetë 350 milionë dollarë.

Ne do të shtojmë 100 milionë dollarë investime në projekte të qeverisjes vendore, si edhe 665 milionë dollarë investime të tjera. Buxheti 2014 është tashmë buxheti më i madh, por edhe buxheti që injekton në ekonomi plot 1,1 miliardë dollarë.

Buxheti 2014 për mirëqenien sociale dhe rininë pëson edhe ky një rritje prej 23,5%, ose 13 miliardë lekë më shumë.

Jeni të shqetësuar, ju shoh, kjo sepse faktet janë kokëforta. Harruat që nuk paguanit as pensionet e invaliditetit, as ndihmë ekonomike, por nga ana tjetër para pafund për klanin e qeverisë suaj. Paratë e ndihmës ekonomike, paratë për pensionin e invaliditetit u përdoren gjatë fushatës, por edhe para saj, për makijazhin televiziv në ekranin e qeverisë.

274 fatura dreka darkash pa paguar në Ministrinë e Jashtme, nga koha e Lul Bashës deri tek Aldo Bumçi. Ndërkohë që Saliu nuk ka paguar as drekën e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Borxhi për të cilin bërtet Sali Berisha është borxhi i faturave të papaguara.

Buxheti i ri mundëson jo vetëm stabilizim e situatës, por edhe përmbushjen e prioriteteve për të mbuluar nevojat e 168,574 personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve të punës. Falë buxhetit të vitit 2014, 108,580 familje do të mbështeten përmes skemës ndihmës ekonomike.

Buxheti 2014 është buxheti i kthesës ekonomike dhe financiare të vendit.

Familjeve të pastreha ne iu themi sot se do t’i rrisim 22% fondet e strehimit. Por ndërkohë jemi duke shqyrtuar edhe këtë kapitull të zi të historisë tuaj në pushtet dhe një kapitull që sigurisht do filloj të zbardhet në janar, me para të dhëna gjoja për të pastrehët, por që ofiqarë të qeverisë na kanë ndërtuar vila në bregdet me paratë e të pastrehëve.

Nuk dua të zgjatem më shumë për këtë, sepse është ende në shqyrtim. Është pak, por e sigurt që shqiptarët do të shohin shumë shpejt, ata që janë të pastrehë, ata që janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e pronarëve që me të drejtë duhet të gëzojnë më në fund shtëpinë e tyre, janë lënë rrugëve si të pastrehë, e shumë të tjera që vazhdojnë në hetim.

Hidhini një sy listës së trajtimit të të pastrehëve në Bashkinë e Lulzim Bashës. Luli dha kredi për të pastrehë për zëdhënësen e vet Esmeraldën, ç’ti bëjmë e ka merak atë. Dha kredi edhe për Agim Llupon njeriu që shkrehu armën e Saliut më 21 Janar 2011. Nuk e di pse ju shqetëson një kredi për zëdhënësen! Qoftë e pastrehë zëdhënësja, por ka dhe të pastrehë të tjerë që meritojnë përpara zëdhënëses ta marrin një kredi për strehim këtu në Tiranë, e  para se t’ia japësh një kredi zëdhënëses dhe Agim Llupos duhet t’ia japësh atyre.

Investimet e mëdha ne do ti bëjmë në bujqësi gjithashtu, në agropërpunim si dhe në pikat e grumbullimit që garantojnë blerjen e prodhimit bujqësor. Buxheti 2014 parashikon 1,9 miliardë lekë më shumë në bujqësi, krahasuar me vitin tuaj zgjedhor 2013. Ky buxhet garanton 700 milionë lekë më shumë në subvencione për fermerin, si edhe 505 milionë lekë më shumë investime në sistemet e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

Zonja dhe Zotërinj deputetë,

Të nderuar qytetarë shqiptarë,

Sot, 101 ditë pas marrjes së frenave të qeverisjes në dorë,

Qeveria e Re i ka dhënë fund rënies drejt greminës ekonomike e financiare dhe ka arritur të çmontojë minat me sahat që do të plasnin njëra pas tjetrës duke hedhur në erë të ardhmen, njësoj si në vitet e mbrapshtme të  Sudes e të Vebiut.

Faleminderit.


*Fjala në emër të grupit parlamentar socialist, e nënkryetarit Taulant Balla, për paketën e re fiskale të vitit 2014.


imazhe shqip


*   *   *