Top Story - Pjesa e Tretë -
S’kam gjëra personale me askënd,
por gjëra shteti
imazhe shqip
Sokol Balla: Zoti Rama, kur erdhët në qeveri e
vendimi i parë që firmosët ishte anullimi i mbetjeve urbane, një vendim
populist dhe një premtim i fushatës. Dy muaj më pas, ishit në prag të pranimit
të ofertës për marrjen e armëve kimike. Kjo është një diferencë e populizmit
kur je në fushatë dhe e populizmit kur je kryeministër?
Edi Rama: Absolutisht jo. Ka një ndryshim të
madh midis marrjes së mbeturinave për të bërë biznes një grusht personash dhe
pushtetarësh e mafiozësh e pranimit të pjesëmarrjes në një operacion humanitar
me përmasa botërore, që e vendos Shqipërinë në rolin e një qytetari global.
Sokol Balla: Një mbështetës i juaj, shkruante
në ato ditë se Rama erdhi në pushtet me “Twitter” e se rrezikoi të ikte me
“Facebook”, ndërsa aleati juaj në fushatë, Spartak Ngjela, beson se çfarë
ndodhi është mjaft që ju të largoheni ose se gjithsesi do t’iu largojnë
njerëzit. A mendoni se me menaxhimin publik të kësaj çështje diçka nuk
funksionoi mirë?
Edi Rama: Unë mendoj se me këtë çështje i kam
thënë të gjitha dhe se shqiptarët janë të qartë për të gjitha.
Sokol Balla: Një tjetër moment i rëndësishëm
ishte mosmarrja e statusit për vitin e katërt rresht. Sa përgjegjësi ka qeveria
e shkuar për mosmarrjen, kur një ndër pak gjërat që e keni falenderuar ishte
kontributi që ajo ka dhënë për çështjen e integrimit?
Edi Rama: E kam thënë edhe më parë dhe do e
them edhe kur ta marrim, pa droje se marrja e statusit nuk do të jetë një
arritje eksluzivisht e jona e aq më pak një motiv për të bërë, siç ka ndodhur
shpesh, ndonjë koncert dhjetë herë më të shtrenjtë se i Robin Uilliamsit apo
Madonës, e për të futur me këtë rast ndonjë një milionë në xhepa e për të
kthyer marrjen e statusit në luftë me armikun e brendshëm, opozitën. Ndërkohë,
e vërteta është se në mosmarrjen e statusit ka pasur dy faktorë. Faktori A, ngurrimi
se pavarësisht se qeveria e re po bënte një punë që kancelarja Merkel, me gojën
e saj e quajti befasuese, nga Shqipëria jemi mësuar që tjetër thuhet dhe tjetër
bëhet, ndaj duam ende pak kohë. Faktori B, që përmbysi një punë të ngritur me
shumë mund dhe e bëri të pamundur në finish të merrnim një rezultat që me shumë
gjasa do të ishte pozitiv, forcat ekstremiste në disa vende. Filloi në Holandë
dhe ajo që ndodhi në Holandë ishte i paprecedent, pasi për herë të parë një
parlament kombëtar zhvilloi një debat dhe mori përsipër të vërë një veto, e t’i
kërkojë ministrit të Jashtëm të mos guxojë të shkojë përtej kësaj vetoje, duke
fyer Shqipërinë me lloj-lloj vlerësimesh apo me çështjen e besimit tonë, që për
mua është absolutisht e papranueshme.
Sokol Balla: Mendoni se ky lloj paragjykimi do
të zgjasë dhe ky lloj stigmatizimi që mund të kthehet në një sindromë Turqie do
të zgjasë ndaj nesh?
Edi Rama: Nuk jemi këtu për të profetizuar të
ardhmen se çfarë do të ndodhë në një vend apo një tjetër. Fakti është që këto
forca po rriten në sondazhe dhe ndikojnë qeveritë e tyre kur vjen çështja e
zgjerimit, jo sepse qeveritë e këtyre vendeve lavdi Zotit mendojnë si këto
forca, por sepse në mars ka zgjedhje këtu, në prill atje, e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, udhëtimi europian nuk është një udhëtim për diku, por një
udhëtim brenda vetes. Në fund të fundit ne e duam Shqipërinë europiane këtu,
spitali, rruga, policia, etj, duam të jenë si në Europë e këtë s’na e kushtëzon
ai që është skeptik, pasi këtë e kemi në dorë vetë. Mua më pëlqen shumë ajo
fjala e famshme e Jean Monet, kur tha që s’jam optimist, por i vendosur pasi BE
është destinacioni ynë, ndaj vendosmëria ëhstë kryesorja në këtë process, herët
apo vonë Shqipëria do të bëhet anëtare e BE, nuk do të bëhet nesër, do të duhen
disa vjet dhe statusi është diçka që Shqipëria e meriton. Vendimi i marrë
ndryshon nga herët e tjera pasi teksi i shkruar është jashtëzakonisht pozitiv
dhe se këtë herë është përdorur precedent i Serbisë, për ta konsideruar në
rastin më të parë, ndaj vendimi do të jetë më shumë automatik sesa politik…
Megjithatë, nuk mund të themi më shumë pasi zgjedhjet e Parlamentit Europian
mund të sjellin një konfigurim të ndryshëm në parlament, por sa më shumë
Shqipëri europiane të kemi këtu, aq më shumë janë të hapura dyert e BE-së për
ne.
Sokol Balla: Ju thatë se ishte shqetësues që
brenda qarqeve pati etiketime për besimin me shumicë myslimane të vendit tonë.
Edi Rama: Nuk e kanë thënë brenda qarqeve, e
kanë thënë hapur këtë.Të gjithë ne kemi pasur mundësinë të dëgjojmë
drejtëpërdrejtë se jemi shumë të befasuar nga puna e qeverisë së re, por mbase
do të na duhet edhe pak kohë për të parë që kjo është një punë e qëndrueshme
dhe këto arritje do të konsolidohen në vijim pasi nga Shqipëria, për fat të keq
jemi mësuar të zhgënjehemi. Këtë kanë thënë disa nga qeveritë. Institucionet
kanë folur qartë dhe nuk kanë gjë me ne, por këto forca që s’kanë gjë me
Shqipërinë vetë, por me Bashkimin Europian në vetvete pasi duan të nxjerrin
vendin e tyre nga BE, nga euro, s’duan të huaj e emigrantë, gjë që s’ka të bëjë
me vlerat e BE-së në vetvete…
Sokol Balla: Do t’iu pyes pak edhe për stigmën
e vendit mysliman.
Edi Rama: Nuk ka lidhje fare kjo. Unë mendoj
se Turqia është partner strategjik natyral i Shqipërisë së bashku me Greqinë e
Italinë, si tre forca me ndikim shumë të madh në rajonin tonë e në BE e NATO,
si tre forca ku e ardhmja e Shqipërisë është e lidhur ekonomisht e tre forca që
do të ishte marrëzi nga ana jonë t’i përjashtonim nga partneriteti jonë strategjik.
Sokol Balla: Ne kemi edhe një marrëdhënie me
Konferencën Islamike, a mendoni se qeveria do të ketë një qëndrim të ri për
këtë?
Edi Rama: Unë mendoj se kush guxon të tregojë
me gisht shqiptarët si myslimanë, duhet të marrë përgjigje nga kryeministri i
vendit dhe të gjithë qytetarët e vendit, ne jemi myslimanë e të krishterë, jemi
bashkë, jemi të gjithë myslimanë e të gjithë të krishterë njëkohësisht kur
duhet e s’do të na ndajnë ca ekstremistë që janë edhe kundër BE. Unë refuzoj që
Shqipëria të abuzohet për arsyen e fesë dhe për këtë jam krenar, e për këtë
duhet të jemi të gjithë krenarë, që ne jemi një model i harmonisë mes besimeve,
një model i bashkëjetesës dhe për këtë model duhet të na kenë zili e të na
marrin për shembull, e duhet të na e shohin si vlerë të shtuar e jo të na
tregojnë me gisht, e kush, ato personazhe që janë turpi i BE-së.
Sokol Balla: Zoti Rama, Europa do prova. Kemi
dhënë disa, por jo mjaftueshëm. Një prej çështjeve ama është drejtësia, aty ku
Europa nuk fal, ajo kërkon të shohë aksion dhe ndëshkime për zyrtarë të një
niveli sa më të alrtë. Pak muaj përpara zgjedhjeve, kryeministri Berisha tha
unë nuk bëj koka turku .
Cila do të ishte alternative juaj?
Edi Rama: Në këtë pikë unë jam dakord me
Berishën, por atëherë mbase nuk ishte krejtësisht si sot që nuk di çflet. Kokat
e turkut nuk kanë të bëjnë me filozofinë e Shqipërisë Europiane që duhet të
ndërtojmë, shembuj të drejtësisë së vërtetë ama janë ato që duhet të japim,
duhet të tregojmë një Shqipëri sa më demokratike dhe jo një Shqipëri
autokratike, ku për hir të një lufte me korrupsionin të harrojmë se lufta me të
është një luftë për modernizim të sistemit, për ta bërë të pamundur për këdo që
t’i shkojë mendja t’i thotë qytetarit nëm lekët dhe pastaj të bëj shërbimin.
Kjo bëhet e pamundur nga një anë duke bërë që drejtësia të bëjë drejtësi, e jo
farsa e turpe siç ka bërë në vijëmësi dhe e dyta të bëjmë shtet. Pse nuk merr
bakshish polici në Gjermani? Mendoni se një gjerman është më i ndershëm nga
natyra? Merr një gjerman, jepi 300 mijë lekë rrogë dhe lërë në shi dhe do
shihni që pas tre ditësh do të marrë edhe ai edhe më shumë lekë. Merr këdo
polic shqiptar, çoje në Gjermani dhe s’do i shkojë mendja të kërkojë lekë. Pra,
është sistemi. Pse shqiptarët kur dalin nga kufiri respektojnë semaforin, vënë
rripin, nuk ecin të dehur, respektojnë policin dhe pse nuk ndodh këtu kur
vijnë? Sepse na duhet një sistem që ata që punojnë në shtet të ndiejnjë një
dinjitet dhe krenari që punojnë në shtet dhe që qytetari të ndiejë këtë
dinjitet dhe krenari. Habitej një mik i imi që përse eskorta ime qëndronte në
semafor? Por, nëse autokolona nuk do të bënte këtë, çfarë mesazhi do të jepte?
Që ky është i fortë dhe nuk respekton semaforin? Kjo është një çështje që bie
kaskadë pastaj dhe dalin edhe të fortë të tjerë…
Sokol Balla: Megjithatë, e vërteta është që në
këto muaj janë hapur disa çështje ndaj disa zyrtarëve të lartë të qeverisë,
midis tyre Shpëtim Gjika, kryebashkiaku i Vlorës, ai i Kamzës, Xhelal Mziu që
është nën pranga apo ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Megjithatë, përsëri
në këto çështje ekziston një besim që ka diçka personale me këta persona. Imami
thotë që ju e keni personale me të.
Edi Rama: E çfarë mund të kem unë personale me
Imamin? Çfarë?
Sokol Balla: Prandaj po ju pyes…
Edi Rama: Ai thotë që më sulmojnë politikisht,
por kush e merr seriozisht një politikan që u bë i famshëm kur hipi majë tankut
se do gjuante me tank Sali Berishën dhe pastaj zbriti në gjunjë përballë tij.
Si ta marrësh seriozisht? Edhe Sudja kështu thonte, e kanë politikisht.
Sokol Balla: Shumë debat ka hapur çështja e
prishjes së ndërtimit pa leje në Vlorë, i pallatit të vjehrrit të kundërshtarit
tuaj politik. Kjo u interpretua si një sulm personal. Shqipëria është e mbytur
në ndërtime pa leje… Si i përgjigjeni kësaj akuze?
Edi Rama: Është komplet keqinterpretim. Nuk po
them dashakeqës, pasi nuk ke arsye personale, por aty është bërë një pastrim pa
dallim nga fillimi deri në fund, për t’i kthyer Vlorës detin e gjirin e saj e
jo vetëm Vlorës, por gjithë Shqipërisë në fakt. Aty do të ndërtojmë një projekt
që do të jetë kartvizita e bregdetit të Shqipërisë europiane dhe nuk mundet dot
që në atë aksion të mbylleshin sytë përpara një pallati të ndërtuar mbi det,
ishte e pamundur.
Sokol Balla: Shpëtim Gjika ju doli kundër kur
tha se pallati ishte me leje?
Edi Rama: Është e vërtetë që është dhënë një
leje në kundërshtim me çdo ligj e sens të zhvillimit të një qyteti dhe
mbrojtjes së një deti e kjo ishte arsyeja pse ne nxorrëm një fond, për ata që
në mirëbesim falë asaj palo leje kanë marrë e kanë paguar atë shtëpi.
Sokol Balla: Meqë më përmendët dëmshpërblimin,
më ndihmoni t’i shpjegoj djalit tim se përse ky pallat duhet t’i shkaktojë
xhepave tanë një dëm financiar prej 5 mln dollarësh? Pse duhet të paguaj unë
për shkeljen ligjore që ka bërë Bashkia e Vlorës apo atyre njerëzve që kanë
vepruar në këtë mënyrë?
Edi Rama: Mos e mundo djalin me shpjegime, por
thuaj që kur të ndërtojë xhaxhi Edi projektin e tij atje do e shohim dhe do të
shpjegojë pse u desh paguar ky haraç, i një padrejtësie të bërë më përpara, por
jo për ata që ndërtuan atje, por për ata që në mirëbesim shkuan dhe ranë pre,
sepse në fund të fundit në mirëbesim janë edhe kompanitë që ishin me qeveritë e
mëparshme, por s’mund t’i themi që ikni sepse kontratat i ka bërë një i
papërgjegjshëm. Qeveria ka thënë hidhni asfalt e gurë sepse këto lekë i kemi
ne, ata i kanë hedhur këto dhe ne s’mund të themi që merreni me vete asfaltin
ose shko tek SHQUP-i kërkoja lekët atij plakut. Ne marrim përgjegjësi si
Qeveria e Republikës së Shqipërisë. E gjithë kjo është një spekulim, unë
sinqerisht kam dëgjuar shumë për pallate, i ka ky ose ai, kushedi sa thonë që
kam unë pallate dhe unë asnjëherë s’kam besuar që ai pallat kishte ndonjë
lidhje me zëdhënësin e PD, por ja që doli e vërtetë se e tha plaku. Tani çfarë
do të thotë, meqë kishte lidhje me zëdhënësin e liderit të PD, nuk mund të na
bënte ne të jepnin urdhër jo atje se aty është politike?
Sokol Balla: Nga ana tjetër ka pallate
monstruoze edhe në Durrës apo në qendër të Tiranës, etj.
Edi Rama: E para punës, ky s’do të jetë
pallati i fundit që prishet dhe ky nuk u prish sepse kështu na lindi ne ideja,
por si pasojë e një plani rindërtimi në gjirin më të bukur urban të këtij
vendi, ndaj sigurisht që do të ketë edhe të tjera më mbrapa patjetër.
Sokol Balla: Zoti Rama, Gjykata Kushtetuese ju
hodhi poshtë aktin normativ për administarrtën, çdo të bëni ju tani?
Edi Rama: Ne jemi absolutisht të bindur që
gjykata nuk ka marrë vendimin e drejtë, por është vendimi i Gjykatës
Kushtetuese dhe ne e respektojmë këtë vendim. Për aq sa ka pasur në kompetencë
gjykata që për ne nuk është i drejtë, por në fund të ditës, çdo vendim gjykate
është gjykate dhe ndryshe nga ata që ishin deri dje, ne as do ngrihemi e të
themi një mijë e një të zeza për gjykatësit e as do i themi persidentit “ti je
një horr bulevardi”.
Sokol Balla: Megjithatë, vota në këtë çështje
ishte totalisht partizane, 5 me 4. Kanë votuar të gjithë anëtarët e propozuar
nga ish mazhoranca…
Edi Rama: Ideja për një reformë tërësore në
drejtësi nuk buron nga dëshira për hakmarrje apo për të marrë nën kontrol
drejtësinë. Është një ide sepse çdokush që të pyesësh në këtë sallë nëse duhet
reformuar drejtësia, të gjithë do të thonim aman, është e para që duhet
reformuar…por për këtë duhet të përfshihemi të gjithë, shoqëria civile,
parlamenti të gjithë e ne do të bëjmë atë që mund të bëjmë si qeveri, por pa
valëvitur këtë flamur për t’i rënë në gjoks kujtdo na del para…
Sokol Balla: Zoti Rama, çfarë po ndodh mes
mazhorancës e presidentit. Zëra ekstremisë si Ngjela thonë duhet shkarkuar
Nishani.
Edi Rama: Unë e kam konsideruar veten fatkeq
kur një kryeministër shante presidentin rrugaç dhe jam distancuar nga ajo
sjellje atëhere jo sepse presidenti ishte ndonjë shoku im, por sepse ishte
Presidenti i Republikës e nga unë s’do të dëgjoni asnjë shkelje, jo etike, por
as shkelje të marrëdhënieve normale me këtë institucion. Pa dyshim, unë kam
gjykimet e mia dhe presidenti të tijat, pavarësisht palumturisë që mund të ketë
në raportet personale, raportet instuticionale do të jenë gjithmonë të
shkëlqyera nga ana e qeverisë.
Sokol Balla: Flitet që shtëpia juaj politike e
Partisë Socialiste vlon në këto ditë, nga pakënaqësi deputetësh, etj. Na thoni
diçka.
Edi Rama: Në shtëpinë tonë ka vluar gjithmonë.
Në shtëpinë tonë ka njerëz të gjallë me kokën mbi supe dhe që kanë mendimin e
tyre. Lajm do të ishte sikur aty mos të vlonte asgjë, sikur të gjithë të ishin
kokëulur dhe askush mund të kundërshtonte për asgjë, duke i larë këmbët një
plaku të rrjedhur.
Sokol Balla: Zoti Rama, tani si kryeministër
ku do e kaloni Vitin e Ri?
Edi Rama: Në Tiranë… Dmth në Shqipëri, në
Tiranë ose Vlorë, ose Tiranë dhe në Vlorë bashkë (qesh).
Sokol Balla: Në fund, çfarë do t’i uroni
shqiptarëve për vitin 2014?
Edi Rama: Do t’i uroja sinqerisht shqiptarëve
çdo të mirë, por në radhë të parë do t’i uroja sa më shumë shëndet pasi është
diçka që nuk e mendon kur nuk e ke, por është mirë që të mendosh se është
vërtet fat kur e ke dhe nga ana tjetër sa më shumë harmoni dhe sa më shumë
ëndrra dhe shpresa, pasi viti 2014 është viti kur do t’i japim mundësi ëndrrave
dhe shpresave të mos duken më të pamundura dhe aq më pak të kota në atdheun
tonë të përbashkët.
Sokol Balla: Zoti kryeministër, faleminderit
që ishit në “Top-Story” dhe në emër të të gjithë teleshikuesve do të doja t’iu
uroja edhe unë juve për këto festa…
Edi Rama: Faleminderit dhe Gëzuar…
Intervista KM Edi Rama në Top Story - Pjesa e parë Vijon në Linkun:
Intervista KM Edi Rama në Top Story - Pjesa e parë Vijon në Linkun:
imazhe shqip
*
* *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!