"

December 26, 2013

Taulant Balla:

Luli e ka merak Esmeraldën, 
i dha dhe shtëpi

Nga Taulant Balla

Zoti deputet, nëse do të bënim një analizë tërësisht historike të këtyre 23 viteve, ajo që bie në sy është se sa herë që largohet nga pushteti Sali Efendiu, lë pas vetëm rrënim. Qytetarëve shqiptarë, sot, në ditën e 101 të punës së Qeverisë së Re, ju themi se është arritur të ndërtohet buxheti i kthesës dhe rimëkëmbjes ekonomike. Në vitin 1997 Shqipëria trashëgoi ekonominë e Sudes dhe të Vehbiut. Në 2013-n Shqipëria arriti në ekonominë e Xhozefinës dhe të Sali Efendiut. Bëni mirë që uleni të dy bashkë se na kujtoni Suden dhe Vehbiun, sepse situata ekonomike është njësoj e rëndë.

imazhe shqip

Si për ironi të fatit ata që deri dje shkatërruan financat e vendit edhe atëherë edhe tani, sulmojnë FMN. Akuzohet FMN si dëshmitarë i rremë, po nga këta që thonin atëherë “lëreni FMN se ne kemi Suden, mos shkoni pas FMN po vraponi pas Vehbiut”. Po FMN sulmohet sot nga Sali Efendiu sepse marrëveshja me FMN shkatërroi përfundimisht ëndrrën e sëmurë të Saliut për falimentimin e ekonomisë shqiptare. Sali Efendiu e di fare mirë se në çfarë gjendje ishte ekonomia deri në mes të shtatorit. E di fare mirë se ky buxhet dhe marrëveshja me FMN janë ilaçet e vetme të ekonomisë shqiptare sot. Por ai e ka mendjen tek ëndrra e tij e sëmurë e falimentimit të ekonomisë.

Vetëm një i sëmurë, që shpreson në ëndrra të tilla të sëmura, mund tu thoshte njerëzve të tij nën zë, se po linte pas një ekonomi të rrënuar. Vetëm një i sëmurë, me ëndrra të tilla të sëmura, mund të shpresonte rikthimin e shpejt në pushtet nga shpërthimi i minave të ekonomisë që kishte krijuar vetë.

E zhyte ekonominë në borxhe, e çove biznesin drejt falimentimit dhe tani ankohesh ti se qenka rritur borxhi, për shkak të borxheve që ti le. Si ka mundësi që merr guximin dhe akuzon Qeverinë e Re për rritje borxhi, kur borxhi i këtij vendi e ka emrin Sali. Qeveria e shkuar do të mbahet mend si qeveria e faturave të papaguara. Kryeministri i Qeverisë së shkuar e ka emrin Sali Borxhi. Si mund të ankoheni ju për borxhin që vetë e rritët.

Sot është momenti t’u flasim hapur qytetarëve shqiptarë. Për tre çështje na është acaruar shumë kryetari “de facto” i PD, sepse ai “de jure” as që merr vesh nga këto gjëra.

E para, për taksimin progresiv, sepse nuk duroni dot që ata që paguhen më pak të paguajnë më pak taksa dhe ata që paguhen më shumë të paguajnë më shumë taksa. Nuk e duroni dot ju këtë.

Është acaruar edhe për iniciativën e Qeverisë në kuadër të paketës anti-mafia për konfiskimin e pasurive të vëna përmes korrupsionit. Madje tek kjo e dyta as nuk pranoni të diskutoni. Nxeheni, lini sallat e mbledhjeve të komisioneve, sepse e keni merakun tek ato pasuri që keni vendosur tek këto 8 vite në pushtet.

Mirë tek paketa anti-korrupsion ju kuptojmë se keni shqetësim për pasuritë, po me taksimin e ndershëm progresiv çfarë keni?

Prandaj ne ju flasim hapur qytetarëve dhe ju themi se përmes kësaj pakete fiskale ne garantojmë që për këdo që paguhet me një pagë 350 mijë lekë të vjetra në muaj, përmes kësaj pakete fiskale ti japim edhe pagën e 13-të. Kjo paketë fiskale pikërisht këtë bën, ata që paguhen me rrogat më të vogla në administratën e shtetit përmes kësaj pakete fiskale, për herë të parë pas këtyre viteve, marrin edhe rrogën e 13-të. Por Partia Demokratike nuk është e shqetësuar sot as për infermierët, mësuesit, punonjësit e policisë që bëjnë pjesë në këtë fashë pagash. Këta kanë merak tjetër. Meraku i këtyre janë të ardhurat e asaj profesoreshës që paguhet 12 milionë lekë në muaj. 144 milionë lekë në vit merr profesoresha e familjes dhe që sigurisht tani me taksën e re progresive nuk do të paguajë më 10%, por do të paguajë 15%. Ku gjysmat e atyre që i merr para për firmën, që kur i pati lëshu baba firmat për universitete, sigurisht do i paguajë gjysmat në shtet.

Keni dhe një hall tjetër sot, këtë nuk jua zgjidhim dot. Hallin e pijeve energjike. Aty ju ka ngelur mendja. Do paguajë dhe Red Bull akcizë, ku e keni Ridvanin?! Nuk shtyhet më kështu, ato që janë cilësuar si pjesë përbërëse e mallrave të akcizës në 8 vite të qeverisjes suaj, nuk u kujtuat njëherë që të taksohet dhe aty të vendoset akcizë. Në mënyrë që të rriten të ardhurat dhe këto të ardhura të përdoren për qendra shëndetësore, spitale. Madje sot sollën dhe një propozim, realisht i turpshëm për PD.

Pas 23 vjetësh, deputetët e PD, kërkojnë që limiti i taksimit 10% të shkojë tek paga e deputetit. Po turp nuk keni, që ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të vendosim pagën tonë si pagë reference për 10%? Jo mo jo, ne të taksohemi më shumë se ç’jemi taksuar deri më sot.

Buxheti ynë ul taksat për 97% të shqiptarëve.

Falë këtij taksimi të ndershëm, të gjithë punonjësit në publik apo privat, do të kursejnë më shumë para në fund të muajit. Si rezultat i uljes së taksave për 97% të nëpunësve, mesatarisht çdo shqiptar që paguhet deri në 130 mijë lekë në muaj, do të kursejë afërsisht 30 mijë lekë të reja në vit. Taksimi i ndershëm parashikon 0 taksa për çdo shqiptar me rrogë deri në 30 mijë lekë në vit, ose thënë ndryshe 0 taksa për 56% të të punësuarve.

Taksimi i ndershëm parashikon ulje taksash për çdo shqiptar me rrogë deri në 130 mijë lekë në vit. Nuk e bëjmë siç thoni ju 155 mijë lekë sepse nuk duam ne deputetët të përfitojmë nga kjo taksë, ose thënë ndryshe për 41% të të punësuarve, të cilët do të paguajnë 13% taksa të shumës mbi 30 mijë lekë. Ata që kanë rrogën mbi 130 mijë lekë në muaj, do të kontribuojnë përmes taksave në mënyrë progresive, ose më saktësisht 13 mijë lekë + 23% të shumës mbi 130 mijë lekë.

Këta që sot ankohen se paketa e re fiskale dëmton biznesin, janë ata që deri në shtator të këtij viti e kishin robëruar biznesin me taksën më të rëndë. Ka pasur taksa dhe taksa, por taksë korrupsioni do mbaheni mend vetëm ju në historinë e gjithë këtyre viteve.

Taksën e korrupsionit këta e kishin me emra të tjerë. Në të shumtën e rasteve ajo që njihet me emër quhet TVSH. Këta kishin taksa me emra të koduar.

Njëra taksë e kishte emrin SAL. Tjetra e kishte emrin ZEN, tjetra GIT, VAN, XHOZ, MUL, BEN. Apo e harruat? E harruat atë 3% që Gita i vuri atij biznesmenit? Apo harruat për taksat e Xhozit? 750 mijë milje fluturime me avion nëpër gjithë botën. Po çfarë takse ishte kjo? Taksë që i faturohej qytetarëve shqiptarë, që kryetarja e kuvendit të mos linte vend në botë pa vizituar, në diplomacinë parlamentare që nuk ja pamë hairin asnjëherë.

Po këto taksat e tjera? Taksa Mul? Nuk ishte TVSH kjo, ishte taksë tjetër. Që kur çdo makinë në kryeqytet parkohej gabim, paguhej taksa Mul 50 mijë lekë.

E pra ne po e shpëtojmë biznesin nga taksimi më i rëndë, ai i korrupsionit. Po e shpëtojmë biznesin nga taksat e Mulit, të Gitës, të Zenit, të Xhozit, të Vanit dhe të tjerët me radhë.

Edhe pse buxheti i ri aplikon taksën progresive duke ndikuar tek biznesi i madh, premtim që e kishim bërë gjatë fushatës zgjedhore dhe po e mbajmë, garantimi i shlyerjes së borxheve ndaj biznesit të madh prej 350 milionë dollarësh injekton para në ekonomi duke i dhënë avantazhe të dukshme biznesit të madh. Shteti i merr biznesit të madh vetëm 60 milionë dollarë prej taksave. Ndërkohë në vitin e parë të qeverisjes sonë, sepse qeverisja jonë fillon me buxhet në 1 janar 2014, ne japim 350 milionë dollarë duke shlyer borxhet që kishit lënë ju.

Shlyerja e borxhit të qeverisë ndaj sipërmarrjes private, rihap kantieret e punës, shton investimet dhe rikthen njerëzit në punë. Faturat e borxheve që qeveria do të shlyejë në vitin 2014 ndaj sipërmarrjes private, për punë apo shërbime të kryera gjatë qeverisjes suaj, por të papaguara, do të jetë 350 milionë dollarë.

Ne do të shtojmë 100 milionë dollarë investime në projekte të qeverisjes vendore, si edhe 665 milionë dollarë investime të tjera. Buxheti 2014 është tashmë buxheti më i madh, por edhe buxheti që injekton në ekonomi plot 1,1 miliardë dollarë.

Buxheti 2014 për mirëqenien sociale dhe rininë pëson edhe ky një rritje prej 23,5%, ose 13 miliardë lekë më shumë.

Jeni të shqetësuar, ju shoh, kjo sepse faktet janë kokëforta. Harruat që nuk paguanit as pensionet e invaliditetit, as ndihmë ekonomike, por nga ana tjetër para pafund për klanin e qeverisë suaj. Paratë e ndihmës ekonomike, paratë për pensionin e invaliditetit u përdoren gjatë fushatës, por edhe para saj, për makijazhin televiziv në ekranin e qeverisë.

274 fatura dreka darkash pa paguar në Ministrinë e Jashtme, nga koha e Lul Bashës deri tek Aldo Bumçi. Ndërkohë që Saliu nuk ka paguar as drekën e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Borxhi për të cilin bërtet Sali Berisha është borxhi i faturave të papaguara.

Buxheti i ri mundëson jo vetëm stabilizim e situatës, por edhe përmbushjen e prioriteteve për të mbuluar nevojat e 168,574 personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve të punës. Falë buxhetit të vitit 2014, 108,580 familje do të mbështeten përmes skemës ndihmës ekonomike.

Buxheti 2014 është buxheti i kthesës ekonomike dhe financiare të vendit.

Familjeve të pastreha ne iu themi sot se do t’i rrisim 22% fondet e strehimit. Por ndërkohë jemi duke shqyrtuar edhe këtë kapitull të zi të historisë tuaj në pushtet dhe një kapitull që sigurisht do filloj të zbardhet në janar, me para të dhëna gjoja për të pastrehët, por që ofiqarë të qeverisë na kanë ndërtuar vila në bregdet me paratë e të pastrehëve.

Nuk dua të zgjatem më shumë për këtë, sepse është ende në shqyrtim. Është pak, por e sigurt që shqiptarët do të shohin shumë shpejt, ata që janë të pastrehë, ata që janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e pronarëve që me të drejtë duhet të gëzojnë më në fund shtëpinë e tyre, janë lënë rrugëve si të pastrehë, e shumë të tjera që vazhdojnë në hetim.

Hidhini një sy listës së trajtimit të të pastrehëve në Bashkinë e Lulzim Bashës. Luli dha kredi për të pastrehë për zëdhënësen e vet Esmeraldën, ç’ti bëjmë e ka merak atë. Dha kredi edhe për Agim Llupon njeriu që shkrehu armën e Saliut më 21 Janar 2011. Nuk e di pse ju shqetëson një kredi për zëdhënësen! Qoftë e pastrehë zëdhënësja, por ka dhe të pastrehë të tjerë që meritojnë përpara zëdhënëses ta marrin një kredi për strehim këtu në Tiranë, e  para se t’ia japësh një kredi zëdhënëses dhe Agim Llupos duhet t’ia japësh atyre.

Investimet e mëdha ne do ti bëjmë në bujqësi gjithashtu, në agropërpunim si dhe në pikat e grumbullimit që garantojnë blerjen e prodhimit bujqësor. Buxheti 2014 parashikon 1,9 miliardë lekë më shumë në bujqësi, krahasuar me vitin tuaj zgjedhor 2013. Ky buxhet garanton 700 milionë lekë më shumë në subvencione për fermerin, si edhe 505 milionë lekë më shumë investime në sistemet e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

Zonja dhe Zotërinj deputetë,

Të nderuar qytetarë shqiptarë,

Sot, 101 ditë pas marrjes së frenave të qeverisjes në dorë,

Qeveria e Re i ka dhënë fund rënies drejt greminës ekonomike e financiare dhe ka arritur të çmontojë minat me sahat që do të plasnin njëra pas tjetrës duke hedhur në erë të ardhmen, njësoj si në vitet e mbrapshtme të  Sudes e të Vebiut.

Faleminderit.


*Fjala në emër të grupit parlamentar socialist, e nënkryetarit Taulant Balla, për paketën e re fiskale të vitit 2014.


imazhe shqip


*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!