"

August 29, 2013

Një Shkëlzen

dhe për Edi Ramën!



Nga Mero Baze


Edi Rama ka bërë një sforcim të panevojshëm për të na mbushur mendjen se do ketë në qendër të vëmendjes Kosovën. Ka emëruar një publicist nga Kosova si këshilltar të tij për rajonin. Për shumë shqiptarë që nuk e njohin, quhet Shkëlzen Maliqi. Ata që e kanë parë në Tv duke prezantuar sondazhe, mendojnë se quhet Gani Bobi. I ndjeri Gani ka vdekur në vitet 90-të dhe ka qenë një filozof dinjitoz i Kosovës dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës. Druaj se nuk do ishte kurrë mik me Shkëlzenin po të ishte gjallë. Në këtë pikë Edi Rama ja ka bërë një nder Shkëlzen Maliqit. I riktheu emrin. Shumë shqiptarë e dinin se quhej Gani Bobi! Po ashtu, dhe Gani Bobin e ka çliruar nga pesha e fajit për shkak të imazhit që i kanë dhënë me dallaveret e fushatave elektorale në Shqipëri.

Por, përtej kësaj ndjesie acaruese që ngjall kjo histori, Shkëlzen Maliqi nuk është një intelektual i madh dhe as një intelektual i pavarur, siç thotë Edi Rama në justifikimin e panevojshëm të emërimit të tij. Mbi të gjitha, Edi Rama nuk e ka të nevojshme të marrë këshilltar intelektualë të mëdhenj dhe të pavarur, se po të ishin të tillë, kam frik se nuk  do te shkonin të këshillonin Edi Ramën. Edi Rama ka nevojë për njerëz normalë, ekspertë, teknikë, apo dhe njohës të rajonit nga Shqipëria, që ka me shumicë. Biles disa dhe më socialistë se Rama. Intelektualët e mëdhenj apo të pavarur nuk është nevoja t’i kesh në staf. Ata janë pasuri e shoqërisë dhe mund të mësosh prej tyre dhe në distancë.

Shkëlzen Maliqi është një publicist i Kosovës, njeri i lexuar, që di të shkruajë, por që kurrë nuk di të bëjë histori me punën e vet. Nuk i them dot intelektual kosovar, pasi sa herë shoqëria e Kosovës ka pasur nevojë për mendimin dhe guximin intelektual, ky nuk është shfaqur askund. Ka qenë jugosllavi i fundit jo vetëm i Kosovës, por gjithë Jugosllavisë dhe u angazhuar si intelektual vetëm për shpëtimin e saj në kohën e reformatorit Ante Markoviç. Nuk i ka bërë ndonjë dëm Kosovës me jugosllavizmin e tij, por i ka bërë nder vetes duke krijuar një profil të moderuar dhe duke qenë pjesë e një shpure të sponsorizuar për të shmangur përplasjen shqiptaro- serbe në Kosovë. Ka një edukim të mirë arsimor, pasi është shkolluar në Beograd, ndërkohë që babai i tij ka qenë një nga drejtuesit e policisë serbe në Kosovë në kohën e lulëzimit të autonomisë së Kosovës. Kjo e bën shumë viskoz në të folmen në shqip dhe akoma më të sofistikuar në të shkruarën shqip.

Kontributet e tij publicistike në gazetarinë e Kosovës janë produkte momenti dhe ka shumë pak gjëra që mund t’i ngelen kohës.

Nuk është kurrsesi as i pavarur. Nuk di çi është tekur Ramës ta quajë të tillë, por vet Shkëlzeni bën shumë kujdes të jetë gjithmonë me dikë. Angazhimet e tij të pacipa duke shitur fytyrën në TV Klan për sondazhe që ja diktonte nga pas perdes Sandri me Kastriot Islamin, janë shembuj që ndajnë intelektualët dhe karakteret e pavarura nga njerëzit që shërbejnë për lekë. Në këtë pikë nuk duam avokat, se akoma nuk na ka ikur shija e keqe e asaj çfarë kemi parë më 2009 dhe 2011 në Tiranë.

Pa u zgjatur, dua të them se nuk ka arsye të debatojmë për diçka që nuk vlen. Të vetmin superioritet qe mund të ketë Shkëlzeni në raport me plot intelektualë të Kosovës apo Shqipërisë, është se njeh mirë serbishten  dhe Serbinë. Por, sot ka plot serbë mendjehapur që flasin mirë anglisht dhe nuk besoj se Rama ka nevojë për një përkthyes me Tadiçin apo Jeremiçin.
Por, nuk do t’ia vlente ta diskutonim lajmin për Shkëlzen Maliqin, sikur ai të mos zbulonte një pikë të fortë inferioriteti që Edi Rama ka në raport me Kosovën. I pavëmendshëm dhe ndonjëherë dhe rastësor, ai duhet të ulet një ditë, të mbyllë sytë, të shkundet dhe të mendojë se çfarë e lidh me Kosovën. Si një intelektual mendjehapur, artist dhe njeri që ka qejf protagonizmin, ai duhet të gjejë fillimisht “racën” e vet në Kosovë. Dhe e ka pas gjetur vite më parë, kur ai ishte idhull në Prishtinë. Rinia atje e donte për atë që bënte në Tiranë, jo për atë që mund të bëjë për Kosovën. Ai ishte popullor aty tek pjesa urbane e Kosovës, tek të rinjtë e shkolluar, tek ata që kishin nevojë të kishin një model heroi për protagonizëm dhe luftë personale. I futur më pas në llogaritë e karrierës politike për kryeministër, ai është bërë shpesh qesharak në Kosovë. Herë u afrohet atyre si mik i ngushtë i luftëtarëve, herë u shfaqet si një vlerësues i madh i jugosllavologëve, dhe herë- herë dhe si nacionalist që mendon dhe për Preshevën. Është një shtirje e panevojshme që nuk e ha njeri në Kosovë. Biles për këtë mund të humbasë dhe ata që e duan. Kosova e do Edi Ramën për atë çfarë ai mund të bëjë për Shqipërinë dhe modelin e personalitetit që mund të rrezatojë. Lidhjet e tij të shkurtra me Kosovën, pa dashur të përmend emra miqsh të tij dhe të mijtë, vetëm e dëmtojnë. Ai duhet të respektojë qeverinë legjitime të Kosovës, të mos bëhet palë në problemet e tyre të brendshme, të mos inkurajojë fenomene të shëmtuara si vjedhja e votave apo kufizimi i lirive, që mund te jenë vepra të qeverive, dhe të mos dëmtohet mbi të gjitha nga biografitë e miqve që shpall në Kosovë. Edi Rama është kryeministri i Shqipërisë dhe ai është dhe duhet të jetë miku i gjithë shqiptarëve të Kosovës. Atij i duhet një këshilltar të jetë i kujdesëshëm mos të lëndojë Kosovën me lidhjet e tij të shkurtra dhe jo një këshilltar për të cilin ky duhet të paguajë nga kredibiliteti i vet. Dhe, mbi të gjitha mendoj se nuk i duhet fare një këshilltar nga Kosova.

Unë e çmoj Shkëlzen Maliqin për aq sa vlen dhe nuk përtoj ta lexoj sa here që shkruan, siç bëj me plot emra publicistësh nga Kosova. Por, nuk ndjehem as i sigurt, as i nderuar dhe as i qetë, që kryeministri i vendit tim e shpall edhe këshilltar për rajonin, edhe intelektual të madh, edhe të pavarur. Kosova nuk ka nevojë të ketë një përfaqësues të saj në Tiranë pranë kryeminsitrit,  sic kishte në kohën e Milosheviçit në Beograd. Kosova ka në Tiranë kryeministrin e Shqipërisë. Të tjerët janë thjesht Shkëlzenër. Dhe mezi shpëtuam nga një emër i tillë!





No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!