"

August 26, 2013

Podesta Group


PODESTA GROUP
ME KËPUCË TË KUQE

*   *   *


SKANDALI “Podesta”,
 një avokati amerikane për një regjim që vret

Shqiptarët paguajnë miliona për një kompani që sipas ligjeve në SHBA duhet të kujdeset për imazhin e vendit tonë. Por lobistët e Berishës kujdesen për të mbrojtur shkeljet flagrante të demokracisë.


Nga Enton Palushi

Kur u prezantohet gazetarëve të huaj, John Anderson i Podesta Group kujdeset që të theksojë se nuk është zëdhënës i qeverisë shqiptare, por kujdeset për atë që shkruajnë mediat ndërkombëtare për të.

Por ky lobist i qeverisë shqiptare është më shumë se një zëdhënës i Sali Berishës. Me milionat e marra nga qeveria shqiptare për të rregulluar imazhin e saj, ai mbron hapur shkeljet flagrante të demokracisë në Shqipëri.

E-mailet që po botojmë më poshtë janë një dëshmi ulëritëse e shpërdorimit të parave tona, kundër interesave tona.

John Anderson, ish- gazetar i të famshmes Washington Post, tani punon si konsulent për median.
Dhe e nis direkt me zgjedhjet e 8 majit 2011, ku shqiptarët panë qartë dhe me transparencë se si dhunohej vullneti i tyre.
E-mailin e parë për gazetarët e nis dy ditë përpara zgjedhjeve, përmes asistentit të tij.

Qëllimi është që t’i tregohet mbarë botës se qeveria shqiptare po përgatit zgjedhje të shkëlqyeshme.

Që në fillim ai thekson se kodi zgjedhor është shumë i mirë, por gjithçka varet nga implementimi dhe angazhimi i opozitës.
Më pas ai citon zgjedhjet e vitit 2009 si të suksesshme dhe shton se që prej atëherë janë bërë përmirësime të ndjeshme.

Kulmi arrin kur Anderson u bën me dije mediave të huaja se qeveria e Berishës ka vetëm një qëllim, që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe po punon fort në këtë drejtim.

E më pas, kur zgjedhjet nisin të shfaqin probleme, sidomos në Tiranë, Anderson u nis një e-mail të dytë gazetarëve, më 15 maj.
Ironia arrin kulmin kur ai u thotë atyre se këto zgjedhje janë nga më transparentet që ka bërë ndonjëherë. Ai thotë se të gjithë votat po numërohen përballë kamerave dhe dhjetëra numëruesve, si rrallë në ndonjë vend në planet.

Anderson nuk përmbahet, madje u thotë gazetarëve se këto vonesa në nxjerrjen e rezultatit po vijnë për ironi për shkak të teknologjisë dhe transparencës.

Dy herë rresht ai u kërkon gazetarëve që të mos nxitohen për rezultatin në Tiranë, pasi është vetëm KQZ që e nxjerr atë.
Të mos harrojmë se ishte pikërisht KQZ ajo që mbajti peng rezultatin derisa u gatua manipulimi.

Anderson tallet njësoj si Berisha kur thotë se këto zgjedhje janë njësoj si në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pati një garë të ngushtë për zgjedhjen e presidentit në vitin 2000.
Në mbyllje ai citon deklaratën e ambasadës amerikane se këto zgjedhje kanë qenë një fitore e demokracisë.

Por ndërsa Anderson thotë se ai nuk është zëdhënës i qeverisë, në rastin e 21 janarit luan rolin e Erla Mëhillit, pasi u shpërndan gazetarëve të huaj një deklaratë të vetë zëdhënëses së Berishës.
Deklarata e Mëhillit është në anglisht dhe është teksti që është lexuar më 23 janar 20011.

Është një nga deklaratat më të rënda me sulme ndaj ish-kryeprokurores Ina Rama, e cila kishte kërkuar që të arrestoheshin drejtuesit e Gardës, por Berisha nuk e pranoi një gjë të tillë.


E-maili i parë- 6 maj 2011

Letra e parë shpërndahet nga Tim Kopper, që është asistenti i John Anderson të Podesta Group.

Në letër, Anderson kërkon falje që nuk e ka nisur vetë e-mailin.

“Unë jam John Anderson, ish- gazetar i “Washington Post”, tani konsulent i medias pranë Podesta Group në Uashington. Së fundmi kompania ime është punësuar nga Shqipëria për ta ndihmuar në marrëdhëniet me publikun. Po ju shkruaj sot për shkak të zgjedhjeve të së dielës,” thuhet në nisje të e-mailit.

“Nuk jam zëdhënës i qeverisë dhe nuk flas kurrë me regjistrim. Komunikimet e mia nuk duhet të citohen. Unë jam një lehtësues që të bëj të mundur që ju merrni informacionin e nevojshëm nga qeveria dhe që të kuptoni se cilat janë qëndrimet e qeverisë, në mënyrë që të raportohen në mënyrë të ndershme dhe të kujdesshme”, shkruan Anderson.

Më pas ai shkruan disa gjëra që duhet të dinë gazetarët për zgjedhjet e së dielës.

Më poshtë janë disa mendime të Podesta Group:

“-Implementimi i suksesshëm i kodit zgjedhor varet nga angazhimi dhe pjesëmarrja e të gjitha partive politike, përfshi opozitën.
-Pavarësisht sfidave të mbetura, Shqipëria ka bërë progres domethënës. Përpjekjet e qeverisë njihen nga komuniteti ndërkombëtar, nga BE dhe nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile.
-Ligji i ri zgjedhor prezanton ka sjellë disa ndryshime si regjistrimi elektronik i votuesve dhe procedura e identifikimit, në mënyrë që të eliminohen manipulimet.

-OSBE/ODIHR i vlerësoi zgjedhjet e vitit 2009 duke thënë se kanë bërë progres të dukshëm sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor, etj.

-OSBE theksoi se KQZ i ka përgatitur dhe administruar zgjedhjet në mënyrë profesionale dhe ka ndërmarrë disa hapa për të rritur transparencën e procesit.

-Pas zgjedhjeve, në mënyrë që të adresohen shqetësimet e opozitës dhe për të zgjidhur të tjera sfida, qeveria në bashkëpunim me opozitën kanë rënë dakord që të ngrenë një komision parlamentar për të hetuar mosmarrëveshjet për zgjedhjet e vitit 2009.
-Qeveria po punon fort për të garantuar zgjedhjet më të lira, më të ndershme dhe më transparente të dielën. Ky është i vetmi interes gjatë fushatës së sivjetshme.

-Sa u përket zgjedhjeve të majit 2011, OSBE/ODIHR ka vënë re përmirësohet e nevojshme.

1.KQZ ka bërë progres për miratimin e rregullave për përgatitjen e zgjedhjeve, përfshi printimin e fletëve të votimit dhe përcaktimin e procedurave të numërimit.

2.Shumica e Komisioneve Zonale Zgjedhore duket se punojnë në mënyrë eficente dhe në mënyrë kolegjiale, pa probleme madhore.

3.Mediat e monitoruara ofrojnë mbulim intensiv të fushatës zgjedhore.

4.Disa zyrtarë të qeverisë, veçanërisht kryeministri dhe presidenti, kanë bërë apele për një fushatë paqësore dhe në përputhje me ligjin.”


E-maili i dytë, 15 maj 2011

E-maili i dytë shpërndahet nga vetë John Anderson dhe vjen pas votimeve.

“Përshëndetje të gjithëve dhe më falni për ndërprerjen. Siç e dini, unë ndihmojë qeverinë shqiptare që të jetë e pranishme në median ndërkombëtare. Ky e-mail është një sfond, por shumica e informacionit mund të gjendet publikisht.

Ju bëj thirrje të gjithëve që të tregoni kujdes në raportimin e rezultateve finale në Shqipëri. Të gjithë duan ta quajnë një garë dhe të gjithë duan ta bëjnë të parët- por KQZ është autoriteti dhe ata nuk e kanë deklaruar AKOMA fituesin. Ka qenë një proces i gjatë dhe i ngadaltë. Por ka qenë i jashtëzakonshëm. Shpresoj që të keni pasur një shans të dielën të shihnit votat duke u numëruar në TV5, që është transmetuar live në të gjithë botën. Ishte e jashtëzakonshme dhe një demonstrim transparent i demokracisë. Si reporter, kam mbuluar zgjedhjet që nga SHBA, në Teheran, nga Franca në Bagdad, dhe nuk mbaj mend që të kem parë diçka të tillë, ku votat shihen qartë dhe numëruesit i ndajnë ato një nga një duke u monitoruar nga dhjetëra njerëz, gazetarë, ambasadorë dhe të tjerë.

Mos u përfshini nga emocionet që të jepni një gjykim- tabulimi është akoma në rrugë e sipër. Ambasadori i OSBE ka thënë se ka fituar demokracia. Do ishte e rrugës që ta lëmë procesin që të ecë vetë,” shkruan Anderson.

Më pas ai shkruan për zgjedhjet në Tiranë: “Është ironike, por standardi i lartë i transparencës dhe ndershmërisë po kontribuon në shtyrjen e daljes së rezultatit final. KQZ NUK ka deklaruar një fitues tani. Kjo nuk është diçka unike në Shqipëri, është më shumë diçka që vjen si shkak i garës së ngushtë. Rikujtoni zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në SHBA, ku rezultatet ishin në dyshim për ditë të tëra për shkak të numërimit të kontestuar dhe votave të ngushta në Florida. Dhe procesi në Tiranë po vëzhgohet nga afër nga vëzhgues të huaj, që po bëjnë thirrje për durim. Sipas një deklarate të ambasadës amerikane, “kjo ka qenë një fitore e demokracisë shqiptare dhe popullit shqiptar. Të dy palët pretendojnë fitoren, kështu që është veçanërisht e rëndësishme të pritet rezultati që të certifikohet në përputhje me kodin zgjedhor”.


E-maili i tretë- 23 janar 2012

Ndërkohë në e-mailin e tretë, John Anderson nuk lodhet, por u shpërndan në anglisht mediave deklaratën e bërë nga zëdhënësja e Berishës, Erla Mëhilli, për të kundërshtuar urdhrat për arrestimin e gardistëve të përfshirë në vrasjet e 21 janarit.

“Kryeministri, duke garantuar qytetarët në vendosmërinë e qeverisë për respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe zbatimin e ligjit, informon shqiptarët se Prokuroria e Përgjithshme, gjatë këtij viti, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë ndaj atyre që organizuan, sponsorizuan dhe realizuan sulmin ndaj Këshillit të Ministrave, por në prokurori janë prishur, zhdukur dhe shitur prova dhe dëshmi të shumta të këtij hetimi.

Prokurorja e Përgjithshme, siç dihet tashmë ka bashkërenduar që në fillim këtë proces me kreun e PS-së, duke e informuar atë me hollësitë më të mëdha për shkaqet e dështimit të aktit antikushtetues.

Gjatë një viti e deri sot, nuk ka asnjë të penalizuar nga organizatorët dhe sponsorizuesit e aktit antikushtetues të 21 Janarit 2011, as dhe për ata që montuan dhe shpërndanë videon që tregonte Kryeministrin të implikuar në çështje që nuk kishin asnjë lidhje me të. Po kështu, janë të lirë të gjithë ata që në dhjetëra raste, pohuan me shkrim se kishin ardhur të paguar për të rrëzuar qeverinë, ata që me hunj, gurë, shishe molotov, sulmuan dhe plagosën qindra policë dhe gardistë, ata që morën veturën dhe thyen me të derën e oborrit të Këshillit të Ministrave, me qëllim që të pushtohej ndërtesa e Këshillit të Ministrave.

Kryeministri konsideron se me qëndrimin e saj ndaj organizatorëve, sponsorizuesve dhe ekzekutorëve të sulmit të dhunshëm prej pesë orësh ndaj Këshillit të Ministrave, Prokurorja e Përgjithshme dëshmon se ajo vetë, për mandatin e saj të dytë, ishte element thelbësor i skenarit të 21 janarit 2011,” thuhet në deklaratën e Mëhillit.


Aktivisti shqiptaro- amerikan, Geri Kokalari, i shkruan drejtuesve të Podesta Group

Zotërinj,

Në vëmendjen time ka ardhur fakti se Podesta Group është regjistruar sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj si përfaqësuese e Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, unë nënkuptoj se përgjegjësia juaj është që të avancojnë interesat e Republikës së Shqipërisë për të bërë që të përfitojnë njerëzit në Shqipërisë, dhe në aplikimin tuaj nuk thuhet gjëkundi se ju duhet të punoni për të avancuar axhendën personale të kryeministrit Sali Berisha.

Megjithatë, raportimet e fundit në media në Shqipëri sugjerojnë se firma juaj mund të jetë duke punuar për të avancuar interesat e kryeministrit Sali Berisha dhe Partisë Demokratike sa i përket zgjedhjeve parlamentare të parashikuara për më 23 qershor 2013. Nëse këto raporte qëndrojnë, do të thotë se firma juaj do jetë duke shkelur ligjet e SHBA. Po ashtu do ishte edhe dhunim i ligjeve shqiptare nëse fondet e qeverisë shqiptare përdoren për të çuar përpara ambiciet e Berishës. Shpresoj që këto akuza nuk janë të bazuara në fakte.

I kujtoj Podesta Group se ju përfaqësoni interesat e popullit shqiptar, jo të Sali Berishës. Nëse vërtetohet se ndonjë nga veprimet tuaja dhunon rregullat e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, organizata ADA do të sigurojë që ndaj jush të ketë sanksione.

Sa i përket një çështje tjetër, Pattong Boggs së fundmi këshilloi qeverinë shqiptare për privatizimin e dështuar të Albtelekomit. Si pjesë e procesit u deklarua se American Chartered Bank në Çikago ka lëshuar një garanci prej mbi 100 milion dollarë në favor të Vetro Silk Road, një kompani e kontrolluar nga një bashkëpunëtor i afërt i Berishës. Duhet të informoheni se kam qenë përgjegjës për ekspozimin e faktit se një garanci e tillë bankare nuk ekzistonte.


Bregu dërgon një e-mail alla- Podesta për ndryshimin e KQZ (por ngatërron kodin me KQZ-në)

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u ka shkruar një letër zyrave diplomatike të Shqipërisë në vendet e huaja, për çështjen e ndryshimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Bregu, që u shkruan diplomatëve si koordinatore e fushatës së Partisë Demokratike, me një anglishte të çalë, që në fillim ngatërron Kodin Zgjedhor me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Kodi Zgjedhor është projektuar për të siguruar balancën politike, duke siguruar se mazhoranca qeverisëse dhe opozita të kenë një zë, por është dhe ka qenë gjithmonë një institucion bipartizan. Nuk është një sistem apolitik dhe nuk është projektuar kurrë për të qenë i tillë,” shkruan Bregu që në fillim pas sqaruar se bëhet fjalë për KQZ-në.

“Balanca politike është rekomanduar fillimisht nga OSBE/ODIHR dhe është themeli i marrëveshjes së vitit 2003. Kjo balancë shtrihet në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor,” vijon më tej Bregu.

Ministrja e Integrimit shkruan se për më tepër ka deklarata kontradiktore mes përfaqësuesve të opozitës së re.

Ajo thotë se në dhjetor të vitit 2012, deputetja e PS, Ermonela Felaj deklaroi se anëtari i KQZ, Ilirjan Muho, është zgjatimi i Ilir Metës në KQZ. “A nuk ishte anëtari i Ilir Metës në KQZ ai që votoi kundër heqjes së mandatit në qarkun e Beratit,” citon Bregu Felajn.

Ministrja e Integrimit shton se vetë Muho ka pranuar se është kandidaturë politike, pasi ai është shprehur se është pjesë e koalicionit të opozitës, duke shkatërruar termin apolitik.

“Balanca duhet të rikthehet, në mënyrë që qytetarët të sigurohen për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku të dëgjohet zëri i tyre,” mbyll letrën Bregu.


*   *   *



Berisha: Heqjen e vizave me SHBA-në 
do e mundësojë Podesta

Kryeministri Berisha, duke folur mbrëmjen e djeshme në “Top Story”, është shprehur i bindur për heqjen e vizave me SHBA-në. Këtë gjë, sipas tij, do e bëjë të mundur kompania lobuese Podesta.

“Kam thënë do heqim vizat me BE, i hoqëm sepse i kisha llogaritur. Edhe këtë e kam llogaritur. Me këtë punë po merret Podesta. Të garantoj se po merret dhe na jep këshilla se cilat janë hapat që duhet të merren për liberalizimin e vizave. Kongresi amerikan është shumë i rëndësishëm për këtë proces. Podesta po lobon në favor të një kombi mik që janë shqiptarët. Podesta po merret me promovimin e potencialeve të Shqipërisë. Është një lobist nga më të fuqishmit”, ka thënë Berisha, edhe pse ambasada amerikane në Tiranë e ka qartësuar që Shqipëria është shumë larg kritereve për heqjen e vizave me SHBA-të.

Ndërkohë, duke u ndalur tek ftohja e marrëdhënieve me Arvizunë, Berisha ka thënë se ai interesohet vetëm për marrëdhëniet zyrtare: “Se pari unë jam kryeministër, unë kam qenë kryetar i opozitës. Marrëdhëniet personale janë krejtësisht dytësore, ose tretësore. Unë jam njeriu i marrëdhënieve zyrtare dhe po të garantoj se në çdo kohë marrëdhëniet e mija zyrtare me qeverinë amerikane kanë qenë të mira. Unë nuk e ndërtoj punën mbi marrëdhëniet personale. Unë jam njeriu i marrëdhënieve zyrtare. Personalja është personale. Unë jam njeri i lirë në personale. Unë i respektoj njerëzit dhe nuk do gjesh njeri që të vijë të thotë se ai nuk më respekton”, tha Berisha.


*   *   *



Berisha i jep me urgjencës Podestës 400 mijë dollarë pas kritikave të ambasadorit Arvizu

Nga Muhamed Veliu, Top Channel

“Nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar; sepse synimi këtu, objektivi janë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E gjitha ka të bëjë me procesin, nuk ka të bëjë me rezultatin.”

Kjo ishte deklarata e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, ditën kur Kuvendi shkarkoi Ilirian Muhon si anëtar të KQZ-së.
Pesë ditë më vonë, qeveria miratoi me urgjencë një vendim për prekjen e fondit rezervë në shumen prej 40 milionë lekësh të reja ose 400 mijë dollarë.

Vendimi është propozuar prej Ministrisë së Integrimit dhe jo asaj të Financave, dhe emergjenca për të cilën qeveria do të përdorte këto fonde ishte lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel ka mundur të sigurojë përmes burimeve të tij në ministrinë e Financave këtë vendim të Këshillit të Ministrave të datës 19 prill 2013, në të cilin thuhet se: “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, neneve 5 dhe 45 të ligjit për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor si dhe nenit 13 të ligjit për Buxhetin, me propozim të Ministrisë së Integrimit, Qeveria vendosi akordimin e 40 milionë lekëve Kryeministrisë”.

Paratë, sipas VKM-së së miratuar, do të përdoren për shërbime në fushën e kërkimeve ligjore dhe lobizmit për forcimin e marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, çka do të thotë që paratë kanë qenë të gatshme për t’u përdorur një muaj më parë.

Aktualisht Qeveria shqiptare ka marrëdhënie ligjore lobimi me dy kompani amerikane, Podesta Grup dhe Patton Boggs, të cilat kanë qenë shpeshherë në qendër të polemikave pasi lobimi më së shumti është zhvilluar në Departamentin e Shtetit për zbutjen e qëndrimeve kritike të tij ndaj qeverisë shqiptare lidhur me situatën e brendshme politike në vend dhe gjendjen e demokracisë.

Dhe këto para do të përfundojnë sërish për këto dy kompani, të cilat janë të përfshira aktualisht në fushatën zgjedhore të kryeministrit Berisha dhe partisë së tij.

E kur marrëdhëniet e kryeministrit me Shtetet e Bashkuara kanë pësuar një ftohje të dukshme pas veprimeve të njëpasnjëshme të tij që kulmuan me shkarkimin e një anëtari të KQZ-së dhe refuzimit të apelit për të gjetur një zgjidhje kompromisi të krizës së krijuar në këtë komision.

Ndoshta mund te jetë rastësi, që pothuajse në të njëjtën ditë me miratimin e vendimit të qeverise, kompania Podesta, përmes një e-maili informues, dërguar mediave ndërkombëtare, merrte në mbrojtje qeverinë shqiptare dhe kishte hequr komentet kritike pikërisht për çështjen e KQZ-së të Drejtorit për Euroazinë në Departamentin e Shtetit, Xhonatan Mur. Pas publikimit në media të këtij e-mail, Podesta u tërhoq dhe deklaroi se ishte një gabim, të cilin e kishte korrigjuar më pas.

Por Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi se kishte më shumë se dyshime që gabimi të kishte qenë i qëllimshëm, duke thënë se ekzistojnë mjaft raste të tjera që dëshmojnë se Podesta po ndërhyn në politikën e brendshme, dhe përmes parave të taksapaguesve shqiptarë, po lobon politikisht për njërën palë, e cila në këtë rast është ajo e qeverisë.


*   *   *



“Ambasadorja” e Podestës, 
me urgjencë në Tiranë për zgjedhjet


Nga Muhamed Veliu, TCH

‘Podesta Grup’, e cila lobon në Uashington për llogari të qeverisë shqiptare, e paguar deri më tani mbi 1 milion euro nga paratë e taksapaguesve shqiptare, ka sjellë si përfaqësuese të saj një ish-zyrtare të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Top Channel ka zbuluar se Bay Fang, e cila ka punuar që prej vitit 2011 deri në maj të 2013-ës si zëvendës/asistente në byronë e Europës dhe Euroazinë, ka mbërritur në Tiranë 1 javë më parë.

Lajmit të punësimit të saj prej ‘Podesta Grup’ i ka kushtuar një shkrim të veçantë revista amerikane “Foreign Policy” me titull “Podesta Grup rrëmben zëvendës/asistentet e Departamentit të Shtetit”.

Nga artikulli mësohet se Fang e ka lënë Departamentin Amerikan në fund të muajt maj dhe ka nisur punën më datën 3 qershor për ‘Podesta Grup’.

Dhe menjëherë disa ditë më pas ajo dërgohet me urgjencë në Shqipëri, në një kohë kur kishte nisur fushata elektorale dhe marrëdhëniet mes kryeministrit Berisha dhe kryediplomatit amerikan, Arvizu, kanë hyrë në një klimë të acartë.

Ardhja e saj në Tiranë ngre një sërë pikëpyetjesh për Bay Fang dhe vetë Departamentin Amerikan të Shtetit si ish-punëdhënës i Fang.
Detyra që ka marrë Fang nga punëdhënësi i ri, Toni Podesta, është një konflikt interesi dhe në kundërshtim me ligjet amerikane për nëpunësit shtetërorë që lënë detyrat shtetërore.

Ky ligj njihet si “one-year cooling-off period” (një periudhë prej një viti ftohje).

Le t’i referohemi ligjit që thotë: “Një vit ndalesë përfaqësimi, ndihme apo këshillim të qeverive apo partive politike të huaja në praktikat ndërkombëtare me qëllim influencimin e një vendimi të marrë nga agjencitë e Departamentit Amerikan. Por nuk ka ndalesë në këshillimin e një korporate ndërkombëtare për qëllime komerciale”.
Ky kufizim, i ashtuquajturi “një periudhë prej një viti ftohje”, përgjithësisht kufizon kontaktet me agjencinë, duke përfshirë kontaktet që lidhen me legjislacionin e politikave, vendimet e personelit ose ndonjë çështje tjetër zyrtare.

Kjo është e specifikuar në ligjin 18 U.S.C. 207(d), ku është sanksionuar qartësisht se i ashtuquajturi “Një periudhë prej një viti ftohje”, përfshin ish- Sekretarët Amerikanë të Shtetit dhe të gjithë ish- punonjësit e nivelit të lartë, ku padyshim kjo kategori përfshin edhe Bay Fang, e cila ka punuar në një seksion që ka pasur nën mbikëqyrje edhe Shqipërinë në Departamentin e Shtetit, ndërsa tani punon në Shqipëri për një krah politik të angazhuar në një betejë zgjedhore.

Pikërisht për këtë konflikt të pastër interesi të Bay Fang, Top Channel i kërkoi një prononcim disa ditë më parë zyrës së shtypit në Departamentin Amerikan, përfshi Filip Riker, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Jonathan More, drejtor për Europën Qendrore dhe Jugore dhe ambasadorit Arvizu.

Deri tani Departamenti i Shtetit nuk i është përgjigjur interesimit të Top Channel, ndërsa në mënyrë jozyrtare është thënë se kjo çështje po diskutohet.

Gjithashtu edhe vetë protagonistja e këtij lajmi, Bay Fang, ende s’i ka dhënë përgjigje kërkesës së Top Channel për një intervistë në lidhje me këtë çështje.

Zonja Fang është parë në hotelet luksoze të Tiranës, ku ka vendosur kontakte me përfaqësues të misioneve të huaja të vëzhgimit si edhe me korrespondentët e shtypit ndërkombëtar, në kuadër të detyrës si përfaqësuese e Podestës.

Kush është Bay Fang?

Pas një karriere 11-vjecare në gazetari si korrespondente e çështjeve diplomatike e gazetës ‘Chicago Tribune’ gjatë luftërave në Afganistan dhe Irak, ajo punësohet në vitin 2009 nga DASH si këshilltare komunikimi në Afganistanin jugor.

Më pas ajo kthehet në Uashington ku punon për byronë e Euro-Azisë, e cila mbulon edhe Shqipërinë.

Ndërsa që prej 3 qershorit ajo mban rolin e strategjistes në ‘Podesta Grup’.


*   *   *


Shërbimet e fundit të “Podesta” 
zbulohet kontrata 360 mijë $

Qeveria “Berisha” ka përdorur arkën e shtetit për të paguar kompaninë “Podesta”, në këmbim të asistencës së ofruar për fushatën elektorale të 23 qershorit. Në këtë drejtim janë përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë, pasi kjo kompani e ka kryer këtë shërbim në mënyrë intensive, pikërisht në muajin e fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit. Gazeta “Shqip” ka zbuluar shpenzimet e kryera nga kontrata e qeverisë në ikje, e cila është firmosur në një vit zgjedhor. Vlera e pagesës në arkën e “Podesta”-s është 360 mijë dollarë amerikanë për një periudhë 6-mujore. Ashtu si dhe në të gjitha kontratat e tjera të zbuluara nga gazeta “Shqip”, ajo mes “Podesta”-s dhe qeverisë “Berisha” ka si qëllim kryesor forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe qeverisë shqiptare, pa pasur në konsideratë një kauzë, apo një finalizim të ndonjë projekti, si p.sh. konkretizimin e marrëveshjes mes dy qeverive, apo përfitimin e ndonjë fondi të posaçëm nga qeveria e SHBA-së.


*   *   *





3 comments:

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!