Do ta imitoj Berishën sa kohë të rrijë në politikë
Flet Agron Llakaj,
aktori dhe moderatori i “Al Pazar”
Llakaj: Do ta imitoj Berishën sa kohë të rrijë në politikë.
“Isha kundër kandidimit të Ramës si kryebashkiak në vitin 2011, i thashë: Lufto për Champions, jo për UEFA”
E kanë nisur të parët ciklin e humorit “Al Pazar”, për ta mbyllur të fundit. Plot 22 javë shfaqje pa ndërprerje në televizionin “Vizion Plus”, që janë moderuar nga aktori i njohur, Agron Llakaj.
Ishin shfaqje të parashikuara për 1 orë e 45 minuta, por që gjithnjë i kalonin 2 orë transmetim për shkak të bilancit pozitiv te publiku. Pas ciklit njëvjeçar të “Al Pazar”, Agron Llakaj duket i kënaqur me impaktin e show-t, por jo edhe aq kur bëhet fjalë për financat. Merakun e ka te trupa e aktorëve që bashkëpunon duke i vlerësuar profesionalisht, ndërsa për veten e kalon bisedën me të qeshura.
Gazetari - Një vit me “Al Pazar”, si do ta cilësonit këtë show humoristik?
A. Llakaj - Çdokush që realizon një produksion, nuk e bën dot vetë analizën, por përgjigjja merret duke parë reagimin te njerëzit.
Gazetari - Çfarë reagimi keni parë ju te njerëzit?
A. Llakaj - Na kanë dashur më shumë nga shfaqja në shfaqje. Ishte një fluturim fillestar i bukur, që u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithçka erdhi në proces rritjeje, duke mësuar nga java në javë, në sinkron me suksesin. E them jo pa krenari që numri i teleshikuesve që ndjekin “Al Pazar” është i konsiderueshëm. Është bërë një show satirik tepër familjar, por që kuptohet, nuk është kjo sfida jonë. Jemi të kënaqur me startin, por po përgatitemi për të vijuar edhe më fuqishëm e më me cilësi.
Gazetari - Çfarë do t’ju duhej më shumë për të rritur cilësinë?
A.Llakaj - Ky format është i ndërtuar mes gazetarisë satirike dhe show-t humoristik, kryesisht merret me problemet sociale-ekonomike-politike. Kështu, do të duhej shtimi i gazetarëve, rritja e cilësisë së aparaturave, pika e grafikës, pika e montazhit etj. Normalisht, edhe të shtohej trupa e humorit me aktorë të tjerë.
Gazetari - Do të jenë të njëjtët aktorë sezonin e ardhshëm?
A.Llakaj - Aktorët kryesorë bazë patjetër që do jenë të njëjtët, ndërsa për të tjerët do të shihet nga mundësia financiare dhe koha në dispozicion. Do të doja të kisha dhjetë aktorë dhe dhjetë gazetarë.
Gazetari - Sa kohë keni pasur në dispozicion për “Al Pazar” në ekranin e “Vizion plus”?
A.Llakaj - Diku te një orë e një çerek, por ne asnjëherë nuk kemi qenë më pak se dy orë në ekran.
Gazetari - Kujt ia keni “vjedhur” këtë 45 minutësh shtesë?
A.Llakaj - Programacionit, patjetër. Kemi vjedhur vetëm kohën dhe jo lekët (qesh). Ka qenë sakrificë e fillimit për të gjithë trupën e humorit “Al Pazar”, pasi në fakt meritojnë të trajtohen shumë më mirë financiarisht, edhe pse nuk kanë qenë mundësitë fillestare. Dhe ai 45 minutëshi shtesë që kemi luajtur nuk është paguar, por kjo është mirëkuptuar nga trupa e humorit, duke qenë se ishim në fillimet tona.
Gazetari - Kujt i përket “Al Pazar”, Agron Llakajt, televizionit ku shfaqet, aktorëve apo kujt tjetër?
A.Llakaj - “Al Pazar” nuk është vetëm i Agron Llakajt, por të gjithë e kemi “Al Pazar”-in. Çdo javë, për ne ishte si java e fundit e sezonit. Kemi dhënë gjithnjë maksimumin. Edhe në historinë e medias vizive shqiptare, ne jemi të parët që kemi shfaqur 22 javë pa ndërprerje. Kemi filluar në shkurt dhe mbaruam në qershor. Të tjerët nisën pas nesh dhe përfunduan para nesh.
Gazetari - Cili ka qenë “investimi” më i madh moral nëpërmjet humorit, drejt publikut?
A.Llakaj - Ne investuam te njerëzit, për të kuptuar që politika nuk mund të jetë plan i parë i një familjeje. Ndërgjegjja e çdo qytetari, çdo kryefamiljari duhet të jetë xhepi i tij. Sa para fut ai në shtëpi, a kanë mundësi që fëmijët të ushqehen, të vishen, të shkollohen. Kjo është partia e tij. Familja është politika e tij. Duhet të vijë filozofia që partia të jetë si një ekip futbolli, që je tifoz me atë, të pëlqen, por nëse nuk është pjesë e interesit tënd, nuk ke pse e sheh me dashamirësi. Duhet të shikosh efektin që jep ajo në përgjithësi për shoqërinë, pra ngritjen e nivelit ekonomik, kulturor. Më ka mbetur thikë në zemër, kur një gazetarja jonë intervistoi dikë dhe ai i tha: Jemi vetë i katërt të papunë dhe rroftë PD-ja. Thelbi këtu është “mallkim”, që të kemi një nivel të tillë qytetarie. Po marr një shembull: Në Zvicër vendos qeveria për një investim x, por nëse komuniteti nuk të jep viston – nuk ndërton dot. Ndërsa këtu në Shqipëri është papërgjegjshmëri totale. Ngrihesh në mëngjes dhe dikush të ka zënë pamjen me pallat, dikush tjetër të sjell oxhakun e fast food-it apo restorantit te dritarja jote etj. Njerëz, më shumë se kurrë ndërgjegjësohuni!
Gazetari - Kuptoheni lehtë që e ndiqni shumë politikën. E ndiqni ngaqë ju duhet për gjetje personazhesh humori apo sepse e keni pasion?
A.Llakaj - Nuk jam thjesht Agroni artist, por jam edhe Agroni qytetar. Nuk dua që njerëzit t’i bëj për të qeshur thjesht duke u servirur materiale humoristike, të natyrës duke tundur njëherë pantallonat… Humori politik unë e di mirë çfarë thele është dhe e kam lëvruar në mënyrën më të suksesshme; në kuptimin e plotë dhe të vërtetë të fjalës, që nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromise. Dua që publiku, përveç humorit, të marrë edhe një lloj morali.
Gazetari - Në mars keni deklaruar se do të kishte rotacion politik. Shprehët thjesht një dëshirë tuajën, ishte për humor apo e kishit parashikim?
A.Llakaj - Unë e ndieja se do të kishte rotacion politik.
Gazetari - Si e ndjetë?
A.Llakaj - Sepse, pas 8 vitesh qeverisjeje, Partia Demokratike duhet të lëvizte nga pushteti. Duhet të bëhej e ndërgjegjshme për këtë.
Gazetari - Një parti duhet të lëvizë nga pushteti, edhe nëse qeveris mirë?
A.Llakaj - Le të jetë një qeveri e mirë, por lind nevoja për njerëz ndryshe. Nëse PD-ja do të dilte me njerëz të rinj në fushatë, të ofronin alternativë tjetër etj., atëherë dakord. Por nuk mund të vazhdohej me të njëjtat xhaketa. Mua më pëlqen shumë morali amerikan i pushteteve, që një president në Amerikë nuk ushtron më shumë se dy mandate. Edhe politika shqiptare, sa më shpesh të ndryshojë, aq më e mirë do të bëhet. Kemi 25 vjet që shohim të njëjtat fytyra, ngado që rrotullohemi. Mjaft më!
Gazetari - Të njëjtat fytyra në politikë janë edhe tek e majta, apo jo?
A.Llakaj - Absolutisht që nuk kam kundërshtim, e njëjta gjë vlen edhe për të majtën. Në rastin që po flasim, Edi Rama nuk ka qenë ndonjëherë në qeveri. Është i ri në pushtet.
Gazetari - Por ka qenë në krye të Bashkisë…
A.Llakaj - Po. Por unë jam një nga ata persona që kam qenë kundër kandidimit të Edi Ramës si kandidat për kryetar Bashkie i Tiranës në vitin 2011. Kam qenë kategorikisht kundër dhe i kam thënë diçka krejt sportive: Lufto për Champions – për Kryeministrinë, mos luaj për UEFA – Bashkinë.
Gazetari - Meqë ju doli parashikimi për rotacionin e 23 qershorit, po për garën brenda PD-së kë patë si kryetar: Bashën apo Olldashin?
A.Llakaj - Gjithçka ishte një farsë dhe Basha u përcaktua qëkur Berisha nisi ta merrte për fushatë parlamentare nëpër rrethe. Ç’donte ai si kryetar Bashkie i Tiranës të bënte fushatë në rrethe të tjera? E mori për të treguar se Basha është lideri i së ardhmes. Mua m’u duk një lojë e gjithë gara Basha-Olldashi. Që në momentin që Berisha dha dorëheqjen nga PD-ja, misioni i tij ishte i mbaruar dhe jo të riorganizonte ai garën.
Gazetari - Apo të rrinte Berisha vetë si kryetar partie, pavarësisht humbjes së zgjedhjeve?
A.Llakaj - Kam mendimin se Berisha nuk do të largohet kollaj nga PD-ja. Ai do të rrijë aty me mënyrën e vet. Sepse ka një gjë: Nëse ke një dhimbje në trup dhe shkon te mjeku, puna e parë që thotë mjeku është që të bësh analizat dhe nuk të përcakton menjëherë diagnozën. Pasi merr fletën, thotë: Në bazë të analizave, ti ke këtë sëmundje. Ndërsa Berisha nuk bëri analizat, por vuri menjëherë diagnozën. Ndryshimet duhet të ishin thelbësore dhe jo aparenciale.
Gazetari - Keni ndonjë emër tjetër nga PD-ja që ju e shihni të denjë për kryetar të PD-së?
A.Llakaj - Nuk kam ndonjë emër nga PD-ja, me gjithë respektin që mund të kem për ndonjë, askush nuk mund t’i vijë rrotull Sali Berishës. Sali Berisha ndërtoi një pushtet me emrin e vet dhe e ka thënë bukur Dash Shehi: Është Berisha i pari, janë 50 vende bosh, pastaj vijnë të tjerët. Duhet kuptuar: Në pemën që ka rritur Berisha në PD, nuk ka lënë kokrra të tjera të bien që të mund të bëhen “Sali Berishë”.
Gazetari - E keni imituar ndër vite Sali Berishën. Si do ta cilësonit marrëdhënien me këtë figurë: Miq apo armiq?
A.Llakaj - Asnjëherë nuk u bëmë miq me Berishën, por kurrë nuk u bëmë armiq.
Gazetari - Ju ka kërcënuar ndonjëherë për imitimin?
A.Llakaj - Personalisht Berisha nuk më ka kërcënuar ndonjëherë, ndërsa ka pasur fansa të tij që më kanë kërcënuar. Por vite më parë, diku para 20 vitesh. Me kalimin e kohës, edhe njerëzit e kanë kuptuar që me këdo që është në qeveri, Agroni do të mbajë qëndrim opozitar. Për shembull, unë kam miqësi me Ramën dhe ai duhet ta dijë se, sapo të jetë në krye të qeverisë, do të ketë përballë një Agron-opozitar, një artist-opozitar. Unë nuk mund të bëhem pjesë e qeverisjes, sepse unë e kam emrin “popull”.
Gazetari - A do ta imitoni sërish Berishën tani që ka dhënë dorëheqjen?
A.Llakaj - Që në momentin që ai do konsumojë politikë, do të jetë pjesë e personazheve të mi.
Gazetari - Sa karaktere specifike keni imituar deri më sot?
A.Llakaj - Kam karaktere specifike rreth 37 personazhe të njohur nga politika, arti etj. D.m.th. janë figura që mbahen mend.
Gazetari - Cili prej tyre ju ka dhënë më shumë popullaritet?
A.Llakaj - Personazhi që më ka dhënë më shumë popullaritet, patjetër që ka qenë Sali Berisha. Kjo edhe për shkak të tipit dhe karakterit që ai ka. Është një njeri që për 22 vjet, me forcën dhe karakterin e tij ka sunduar politikën shqiptare. Ka pasur kryesisht beteja që i ka fituar, me mënyrën e vet. Nuk ka rëndësi se si e qysh ka ndodhur. Për mua ka qenë politikani më i tonifikuar në këto dy dekadat e fundit.
Gazetari - Po për Ilir Metën, çfarë do të thonit?
A.Llakaj - Për mua tregon se është një politikan shumë sportiv, shumë trim e cilësoj këtë dhe nuk tërhiqet. Në gjithë këto vite në politikë, vetëm 4 vite ka qenë në opozitë, vetëm në 2005-2009. Pastaj ka ditur që të rikuperohet fuqishëm. Duhet thënë edhe kjo: Rezultati pas zgjedhjeve të 23 qershorit vërtet ka qenë fryt i punës së LSI-së, por përfitoi deputetë edhe nga koalicioni me PS-në. Bëri lëvizje të bukur me bashkimin me PS-në. Meta është politikan që asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar. Tip i thjeshtë, i komunikueshëm dhe bën diferencë.
Gazetari - Për të bërë diferencë në politikë, ky ishte edhe qëllimi i Kreshnik Spahiut…
A.Llakaj - Që të jem i sinqertë nuk është se kam ndonjë simpati për karakterin dhe personazhin e Spahiut. E kam cilësuar që në fillim një tollumbace që do të plaste në mënyrën më të shëmtuar, ashtu siç plasi. Ai ndërtoi një shtëpi pa themele. Spahiu u nisi me atë patriotizmin dhe nacionalizmin e madh, duke i vënë partisë një emër të bukur “Aleanca Kuq e Zi”, por që shpërtheu si flluskë sapuni. U zhgënjeva që kur e pashë Spahiun në atë lëvizje nacionaliste.
* * *
O GONE, DO KTHEHESH PRAPE TE PORTOKALLIA MO?
ReplyDelete