Heu Bre; Fantastike Nikolla
Nga Andrea Stefani
Pas deklarimit të
beftë të Ministres së Arsimit se Sali Berisha ka kontribuar për demokracinë.
Çfarë fshihet pas kësaj deklarate? Një mungesë dhimbjeje për të vrarët e
“Gërdecit” apo “21 janarit”? Harresë për korrupsionin galopant të qeverive të
Berishës aq vrasës të demokracinë? Apo një tjetër kompromis “historik”?
Filozofi gjerman
Fojerbah thoshte se ndryshe mendohet në një kasolle ndryshe mendohet në një
pallat. Një thënie që ka gjetur provën e saj më të fundit edhe te Lindita
Nikolla, ministre e arsimit, që sapo ka deklaruar publikisht se Sali Berisha ka
kontribuar për demokracinë në Shqipëri(!). A do ta kishte bërë një deklarim të
tillë Nikolla jo shumë, por më pak se dy vjet më parë, kur ende gjendej në
“kasollen” e opozitës dhe jo në pallatin e pushtetit? Fakti është se nuk e ka
bërë. Madje mund të ketë thënë gjëra shumë të rënda kundër Berishës,
berishizmit dhe klanit të tij. Ama, e thotë sot, gjë që përbën një provë se
pushteti ta ndryshon mendjen dhe mjerisht, jo gjithmonë për mirë. Madje, më së
shumti, jo për mirë. Por cilat mund të jenë shkaqet e thella që e bënë
ministren Nikolla të lëshojë një “dekoratë” për autokratin duke lënë më gojë
hapur, mund të themi pa frikë se gabojmë, mbi një milion votues që sapo e
kundërvotuan për të dytën herë Berishën?
***
Mendojmë se një nga
rrënjët e kësaj deklarate skandaloze duhet kërkuar në mungesën e dedikimit për
të vërtetën dhe, për rrjedhojë, edhe për të drejtën. Sepse e vërteta e faktuar
në këto 25 vjet tranzicion traumatik është se Berisha, që nuk ka pushuar për as
edhe një sekondë së qenuri kryeaktor në politikë, jo vetëm nuk ka kontribuar as
edhe një atom për demokracinë por, përkundrazi, ka qenë një pengesë
këmbëngulëse, si një shkëmb që i ka bllokuar rrugën demokracisë shqiptare. Pa
komunistin Berisha, që u faneps nga zyrat e Ramiz Alisë në protestat
antikomuniste të studentëve, trajektorja e Shqipërisë drejt Europës do kish
qenë shumë më e shkurtër dhe shumë me më pak dhimbje. Dhe kur them Berisha, nuk
kam parasysh thjesht shtetasin Sali, por kultin e turpshëm, demode dhe
antidemokratik të “liderit të pa zëvendësueshëm” Berisha.
***
Por harrimi i të
vërtetave të mëdha, është premisë gabimesh të mëdha. Ndaj dukuria është mjaft
shqetësuese kur bëhet fjalë për një ministre. Sepse dedikimi ndaj të vërtetës
është dedikim ndaj të drejtës që nuk mund të mos jetë njëherazi edhe dedikim
ndaj së mirës dhe kundër së keqes. Nga se ajo që e ndan të mirën nga e keqja,
është e drejta. Dhe kur këto të dyja nuk janë të ndara qartë në kokën e një politikani,
ai do të vuajë nga “sindroma e pulës” duke u hallakatur sa nga e mira e sa nga
e keqja duke shkaktuar shumë dëme. Këta lloj politikanësh nuk kanë bindje
afatgjata prandaj orientohen thjesht nga orekse të çastit që ju lindin bashkë
me ardhjen në pushtet. Sepse bindja është karakteriale, një mendim i rrënjosur
në shpirtin e njeriut (Fromm). Bindja është radikale dhe ushqimi i saj është e
vërteta.
***
Të ndalemi paksa te
radikalizmi, për të cilin ka një perceptim të gabuar në opinionin shqiptar ku
thuajse e barazojnë me ekstremizmin. Jo rastësisht, avoketërit e kultit të
individit të Berishës, janë përpjekur t’i paraqesin kritikët e tij si radikalë,
si ekstremistë, ti ridikulizojnë madje si të fiksuar pa të drejtë te një person
si Berisha. Dhe qëndrime pajtuese si këto të Nikollës, janë një tjetër sfond
“konstruktiviteti” që i nxjerr kritikët e Saliut, përfshi shefin e saj Edi
Rama, si konfliktualë duke e shpërndarë fajësinë e konfliktualitetit të pafund
që gjeneron berishizmi në tërë spektrin politik dhe duke e shndërruar kështu,
në bashkëfajësi.
***
Por çdo të thotë të
përpiqesh të merresh vesh me Berishën sikundër pamë të rreket Nikolla? Do të thotë,
së pari, të mos kesh marrë vesh se Berisha ka për taktikë mosmarrëveshjen, se
është nevoja për mbijetesë që e shtyn të kundërshtojë dhe jo injoranca. Shkurt
Berisha, në rastin konkret, e kundërshtoi ligjin për arsimin jo se kishte disa
paqartësi për të, që mund t’ja qartësonte vetëm Nikolla dora vetë, por sepse
vetëm kundërshtimi i leverdis politikisht. Pra, kemi të bëjmë me një naivitet
dhe dështim të ministres në rrafshin politik sepse Berisha nuk e votoi ligjin.
Por kemi të bëjmë edhe një zgërlaqje në rrafshin etik po të mbajmë parasysh se
Berisha nuk u frenua t’i përmendte ministres edhe diplomën e Universitetit
“Kristal”. Të merresh vesh me Berishën, së dyti, do të thotë t’i bëhesh pengesë
radikalizmit, të mirës që tenton ta shkulë të keqen me rrënjë që ajo të mos
mbijë (apo rilindë) më. Sepse sikundër konstatonte me shumë mprehtësi Hana
Arendt, vetëm e mira është radikale. E keqja nuk mund të jetë radikale. E keqja
është ekstreme. Prandaj që të kesh sukses kundër të keqes nuk ka rrugë tjetër
veçse të jesh radikal pra, të synosh jo kompromisin apo trukimin e së keqes
(sikundër po bën ministrja Nikolla) por ç’rrënjosjen e saj. Dhe është vështirë
të kuptosh se si kjo ministre flet për kontributet e Berishës për demokracinë
kur vetë i sapo aprovuari ligj për arsimin, kërkon të ç’rrënjosë një të keqe
rrënuese, një epidemi korrupsioni dhe orgjie rahatllëku që ka mbjellë qeverisja
berishiste në universitetet shqiptare!
***
Kundër të keqes duhet
të jesh radikal si kundër një kanceri. Ndryshe nuk ka shpëtim nga ajo! Nëse e
keqja nuk shkulet me rrënjë ajo do të rilindë prapë edhe më e fuqishme, më
desktruktive. Nuk u ngopëm së provuari dhe vuajturi?! Ra e keqja bashkë me
piramidat në vitin e mbrapshtë ‘97 por u ringrit kundër shtetit si puç i armatosur
në shtator 1998. Ra përsëri pas kësaj por u ringrit edhe më rrezikshëm në 2005.
Gati u varros në “Gërdec”, por e toleruar, u ringrit përsëri përgjakshëm në 21
janar. Ra në 23 dhe 21 qershor, por përsëri tenton të ringrihet si protestë,
madje edhe kundër ligjit për arsimin e lartë. Ku e gjen gjithë këtë forcë e
keqja berishiste? Jo vetëm te kulti stalinist e Berishës, (i vetmi i mbetur nga
koha e rënies së murit të Berlinit) por edhe te tradhëtimi i të vërtetës dhe të
drejtës nga kundërshtarët e tij. Asnjëherë e drejta nuk ka arritur t’i
ndëshkojë krimet e qeverisjeve berishiste në këto dekada dhe prandaj, kjo e
keqe është ringritur më e fortë, si Feniksi, mbi hirin e tragjedive dhe
katastrofave që vetë ka shkaktuar. Ka marrë forcë nga krimet e vjetra dhe të
pandëshkuara për krime të reja.
***
Vetëm drejtësia i jep
fund me rrënjë, radikalisht, të keqes që po e mundon prej vitesh Shqipërinë.
Por e keqja berishiste i ka marrë masat me kohë duke e vrarë drejtësinë. Kush
vret drejtësinë është një e keqe sepse vret të mirën. Nga që drejtësia dhe e mira
shkrihen në një. Aq sa në gjuhën angleze “e drejtë” përdoret edhe si “e mirë”
(right). Dhe pikërisht në momentin kur ka shpresa se e drejta (the right) do të
mund të “rilindë” duke u ngritur, më në fund, kundër krimeve dhe koprrupsionit
spektakolar të berishizmit, ministrja Nikolla na thotë se Berisha “is right”!!!
***
Deklarata e ministres
Nikolla nuk mund të mos i ketë rrënjët edhe në mungesën e empatisë (dhimbjes si
për vete) për të gjithë ata që kanë vuajtur pasojat e krimeve dhe korrupsionit
berishist. Që nga të vrarët e vitit të mbrapshtë ’97, në Gërdec dhe së fundi në
21 janar. Të thuash se Berisha ka kontribute për demokracinë, është të shkelësh
mbi gjakun ende të freskët të të rënëve në 21 janar, në një protestë që pa
dyshim, i shërbeu ministres në fjalë që të vijë në pushtet. Dhe që është votuar
jo që të shpërndajë lavdërime për liderin politik të këtij krimi historik, por
për të rivendosur drejtësinë për krimin e 21 janarit, drejtësi që ai e ka
penguar me të gjitha mjetet që nga shantazhimet, dhunimin e ligjit e deri te
falsifikimet e fshirjet e gjurmëve. Pra, me të tjera krime.
***
Deklarata e Nikollës
për kontribute (mirë që nuk tha edhe “të shquara”) të Berishës për demokracinë,
duhet t’i ketë rrënjët edhe në leximin e gabuar të fitores së 21 qershorit.
Ndoshta Nikolla ka iluzionin se aleanca qeverisëse u rivotua përsëri me mbi 1
milion vota për reformat, vërtet të nevojshme për rilindjen e shtetit por që,
si antipopuliste (jo antipopullore si rëndom thuhet e shkruhet) dhe të shoqëruara
me jo pak dhimbje për një pjesë të popullsisë, nuk para gjejnë shumë
mbështetje. Por si shpjegohet që qeveria Rama u votua me gjithë demonizimin (si
po bëjnë edhe me ligjin për arsimin) që i bënë reformave Berisha dhe berishkat?
Dëshirë për vetësakrifikim i shumicës së shqiptarëve sipas motos së dikurshme
komuniste, e interesit të përgjithshëm mbi atë personal?! Aspak! Mahnitje, deri
në adhurim, nga performanca eklatante e ministrave si Nikolli? Apo nga kostumet
dhe vilat e saj? Nuk munda ta besojmë. Atëherë çfarë? Asgjë tjetër veç frikës
për rikthimit në pushtet të të keqes berishiste, veç instiktit popullor se
Shqipëria nuk do të mund të avancojë në rrugën e ndërtimit të shtetit
(dizavantazhi historik dhe fatal i saj në raport edhe me fqinjët) nëse nuk
mposhtet radikalisht e keqja kronike. Pra, Nikolla është votuar kundër asaj të
keqeje, mishërimin kultmbajtës të të cilës, Berishën, e shpall mendjelehtësisht
si kontributor për demokracinë! A nuk është kjo të dalësh kundër verdikit të
elektoratit? Duke lavdëruar Berishën si demokrat, ministria ka bërë atë që
politikisht është kulmi i budallallepsjes, të godasë me sëpatë degën (arsyen)
që e mban në pushtet.
***
Por ç’mund të fshihet
tjetër, hipotetikisht, pas lëvdatave të ministres së arsimit për Berishën? Në
rrafshin politik , nëse do pranoheshin, ato nuk mund të mos ishin një premisë
për riorientim politik. Sepse nëse Berisha qënka demokrat, nëse ai kontribuoka
për demokracinë, përse të mos gjesh konsensus me të. A nuk po e kërkojnë edhe
ndërkombëtarët një gjë të tillë? Madje përse edhe të mos bësh, duke zbatuar
shashkën e përçarjes së koalicionit qeveritar të sapo hedhur nga Berisha me
gojën e Fatmir Mediut, bashkëqeverisje me të?! Ku po shkojmë? Do kemi një
rilindje të shtetit apo të antishtetit? Duket se po hyjmë në një terren të
rrëshqitshëm si ai i prillit 2008 kur u ndryshua Kushtetuta. Ndaj një gjë i
duhet kujtuar Nikollës dhe të tjerëve që të pa dedikuar për të vërtetën dhe
drejtësinë, të dehur nga lartësia e pushtetit, kanë nisur t’i thurin elozhe një
të keqeje, nevoja për çrrënjosjen e së cilës, e ndjerë qoftë edhe
instinktivisht nga shumica e shqiptarëve, i solli në pushtet. Prandaj, Nikollës
dhe të tjerëve si ajo, i duhet kujtuar se Berisha, sikundër është stërprovuar
në këto 25 vjet, nuk bën kurrë marrëveshje që nuk janë në favor të gjakimit të
tij patologjik: Sundimit! Prandaj edhe i duhet rikujtuar edhe thënia brilante e
Zogajt (që vet Preçi e harron sa herë bëhet me Berishën) që: Pazaret e
prapaskenave me Berishën, janë fatale për ata që i bëjnë! Mjerisht, jo vetëm
për ata, – shtojmë ne.
********
* * *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!