December 22, 2013

Reklamuesit e mëdhenj shkatërrojnë lirinë e medias në Shqipëri

Besar Likmeta BIRN

Në 8 korrik 2010, bashkëshortja e ish-kryeministrit të Britanisë Tony Blair, Cherie Booth, u ul në Tiranë me një avion privat për të prerë një shirit për një stacion të ri televiziv, me ftesë të oligarkut shqiptar të naftës Rezart Taçi.

Taçi pati blerë Alsat TV gjashtë muaj më herët, por tashmë qe në telashe pas akuzave për korrupsion dhe padive në lidhje me akuzën se kishte rrahur një gazetar në një lokal.

Cherie Booth dhe mbështetja e saj ofronin një mundësi të mirë për multi-milionerin për të pastruar imazhin e vet.

<img src="kla, alsat, abc news.jpeg" alt="Klan, ABC news, Alsat, mediat e varura" />
imazhe shqip

Taçi e përshkroi vizitën e saj si të “paçmueshme” dhe madje e cilësoi Booth si “kumbarin” e televizionit.

Një gjykatëse e profilit të lartë dhe avokate e të drejtave të njeriut, Booth mori pjesë në ceremoni duke theksuar rëndësinë e medias së lirë dhe të pavarur në një shoqëri demokratike.

Gjithsesi tri vjet më vonë, Alsat TV, i cili është riemëruar Albania Screen, është i falimentuar dhe pasuria e oligarkut të naftës është pakësuar.

Disa nga gazetarët që Booth takoi atë ditë tashmë po luftojnë me Taçin në gjykatë, pasi u pushuan nga puna. Për shumë muaj ata nuk kanë marrë rrogat ndërsa kompania nuk ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore të tyre.

Rasti i Alsat nuk është i pazakontë në Shqipëri, ku dhjetëra media janë nën pronësinë e oligarkëve apo deputetëve që i përdorin ato në funksion të bizneseve dhe karrierave të tyre politike.

Gazetarët që punojnë për ta e gjejnë veten shpesh mes një shkëmbi dhe  një humnere, mes interesave politike dhe presioneve financiare – në një treg që është tepër i varfër dhe i mbingarkuar me media për të mbajtur kaq shumë gazeta e televizione.

Shumica e medias shqiptare është në varësi të reklamave të korporatave të mëdha si burimi kryesor i të ardhurave dhe emaile të brendshme tregojnë se ato me lehtësi mund ta shtrembërojnë politikën redaksionale.

Edhe reklamat e qeverisë janë gjithashtu një burim i rëndësishëm i të ardhurave.

Të dhëna të mbledhura nga Balkan Insight tregojnë se pjesa dërrmuese e reklamave qeveritare nuk ka shkuar te stacionet televizive me shikueshmëri më të lartë, por te ato që mbështesin politikat e tyre.

Shumë punë dhe pak rrogë:

Shqipëria u rendit në vend të 102 nga 173 vende te indeksi i Lirisë së Medias për vitin 2013 nga organizata Reporterë pa Kufij.

Kjo shënon një rënie të ndjeshme që nga viti 2003, kur Shqipëria qe në vend të 34rt dhe vendi me renditjen  më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Vendi me vetëm 2.8 milionë banorë ka 25 gazeta, më shumë se 100 televizione, 36 revista mujore dhe 69 publikime tremujore.

Sipas Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, 90 për qind e medias private ka shënuar vonesa në pagesat e rrogave, nga dy deri në gjashtë muaj.

Përveç vonesave në rroga, një tendencë tjetër shqetësuese është dështimi i shumë kompanive mediatike në pagesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për stafet e veta.

Dokumente të marra nga Balkan Insight nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se Alsad nuk pagoi kontributet e disa gazetarëve që nga fillimi i vitit 2013. Unioni vlerëson se 60 për qind e medias në vend nuk paguan rregullisht kontributet për punonjësit e vet.

Aktualisht, 67 çështje gjyqësore janë hapur nga gazetarët dhe punojësit e medias që pretendojnë “pushim të padrejtë nga puna,” para Gjykatës së Tiranës, ku përfshihen 12 media; shumica janë çështje të ish-punonjësve të Alsat.

“Kjo është situata më e keqe që ne kemi parë në një dekadë dhe gjërat duket se do të përkeqësohen edhe më shumë para se të fillojnë të përmirësohen,” thotë Aleksander Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve.

Axel Kronholm, një gazetar finlandez që kreu studime të thelluara mbi lirinë e medias në Shqipëri, thotë se gazetarët shqiptarë punojnë në një treg me shumë pak siguri pune, gjë që nxit kulturën e auto-cenzurës.

“Është një mjedis mediatik shumë i vështirë, ku gazetarët nuk kanë siguri në punë, kodi i punës nuk zbatohet… madje edhe njerëzit me kontrata pune nuk janë të sigurtë nëse këto kontrata do të respektohen në rast se hyjnë në sherr me menaxhimin,” shpjegoi Kronholm.

Ai vërejti se megjithëse pak gazetarë kanë rënë pre e sulmeve fizike përgjatë viteve të fundit, sërish ky është një rrezik që duhet të merret parasysh.

“Nëse je i pasigurtë për punën dhe për sigurinë personale, ka rrezik që auto-cenzura të shtohet,” tha ai.

Situata është edhe më e vështirë për gazetarët investigativë, shpjegon Artan Hoxha, një gazetar kronike dhe autor i emisionit “Xhungël” në Neës 24.

Hoxha thotë se disa pronarë mediash po përdorin raportimin investigativ si armë për të sulmuar rivalët politikë apo të biznesit, pa ndonjë shqetësim për interesin publik.

“Nëse pranon kushtet e tyre, të ofrojnë para, mjete e njerëz – me kushtin që ata të përcaktojnë se çfarë heton ti,” tha Hoxha.

Sipas tij, interesat e pronarëve të medias rrallë përputhen me ato të publikut.

“Në shumicën e rasteve, pronarët e medias largohen nga raportimi investigativ për shkak se nuk gjejnë dot gazetarë me eksperiencë që të pranojnë kushtet e tyre,” shtoi ai.


Akuza për korrupsion:

Tregu i polarizuar i medias në Shqipëri i ka ndarë televizionet përgjatë linjave politike dhe ato që janë më pranë qeverisë shpesh shpërblehen nga buxhetet reklamuese të qeverisë.

Të dhënat e mbledhura nga Balkan Insight nga dega e thesarit të Ministrisë së Financave, tregojnë se ata shpenzuan së paku 110 milionë lekë, (780 mijë euro) mes qershorit 2012 dhe fundit të vitit 2013.

Ministria e Mbrojtjes qe reklamuesi më i madh me 82.2 milionë lekë (584 mijë euro).

Pothuajse i gjithë buxheti publik i reklamave shkoi te stacionet televizive dhe agjencive nën pronësinë apo të lidhura me Aleksandër Frangaj. Frangaj është pronar i Media 6, kompania prind e TV Klan, një nga televizionet më të mëdha në Shqipëri dhe është i lidhur ngushtë me stacionin televiziv të lajmeve 24 orëshe ABC Neës.

Një ish-armik i Berishës, Frangaj krijoi marrëdhënie shumë të ngushta me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike.

Katër fushata të mëdha reklamash të kryera nga Ministria e Mbrojtjes me vlerë 584 mijë euro shkuan te dy agjenci reklamash të lidhura me Frangajn.

Të dhënat e thesarit tregojnë se më 6 dhe 14 qershor, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, Ministria e Mbrojtjes i dha dy kontrata kompanisë Zoom Events, me vlerë 40 milionë lekë, (284 mijë euro).

Regjistri i bizneseve tregon se drejtori i Zoom Events, e cila qe themeluar më 30 janar 2013, është Eptan lohja. Lohja është menaxheri i marketingut për TV Klan dhe gjithashtu është në bordin drejtues të televizioneve Klan dhe ABC.

E njëjta ministri i dha dy kontrata të tjera me vlerë 42.7 milionë lekë (300 mijë euro), kompanisë Promo Sh.p.k, një kompani reklamash nën pronësinë e Eduart Frangaj, vëllai i Aleksandër Frangaj.

Të dhënat e thesarit tregojnë gjithashtu se ministria i shpërndau reklamat përmes kontratave direkte dhe jo përmes tenderëve të hapur, gjë që është normë në blerjen e mallrave apo shërbimeve.

Më 9 dhjetor, në një konferencë dramatike për shtyp, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli njoftoi se ajo e ka kallëzuar paraardhësin e saj Arben Imami në prokurori.

Kodheli tha se një kontroll i brendshëm ka zbuluar parregullsi të mëdha në tenderët e kryer nën drejtimin e Imamit dhe se ajo po ngrinte akuza për abuzim me pushtetin, thyerjen e rregullave të tenderimit dhe korrupsion.

“Nxis prokurorin e përgjithshëm të hetojë këto procedura që kanë sjellë abuzime të mëdha me paratë e shtetit,” tha ajo.

Imami qe Ministër i Mbrojtjes nga viti 2009 deri më 2013 në qeverinë e qendrës së djathtë të Berishës. Ai akuzohet se ka kryer shumë tenderë të jashtëligjshëm për reklama televizive për Ministrinë e Brendshme dhe nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me deri në shtatë vjet burg.

Imami i cilësoi akuzat e ngritura ndaj tij si të motivuara politikisht.

Ky është një “akt hakmarrjeje personale,” tha ai.

Kryeministri socialist Edi Rama ka “kaluar një vijë të kuqe etike dhe politike por kërcënimet e tij nuk kërcënojnë askënd, aq më pak mua,” tha Imami në një konferencë për shtyp.

Ministri e institucione të tjera shtetërore kanë qenë gjithashtu bujare me Promo Sh.p.k dhe ndaj kompanive të tjera të lidhura me Frangajn.

Promo Sh.p.k mori dy kontrata të tjera, njëra nga Qendra Kombëtare e Barnave dhe një tjetër nga Ministria e Brendshme, respektivisht 3.9 milionë lekë (27.700 euro) dhe 9.97 milionë lekë (71 mijë euro).

Media 6 mori dy kontrata nga Ministria e Bujqësisë plus një kontratë nga Ministria e Drejtësisë përgjatë dy viteve të fundit me vlerë të përbashkët 3.6 milionë lekë (26 mijë euro).

Tri kontrata më të vogla iu dhanë ABC Neës nga dy bashki të drejtuara nga Partia Demokratike dhe nga Ministria e Bujqësisë me vlerë totale 2.7 milionë lekë (19,800 euro).

Një kompani tjetër reklamash nën pronësinë e Aleksandër Frangajt, Media 66, mori një kontratë prej 1.4 milionë lekësh (10 mijë euro) nga Ministria e Drejtësisë.

Të pesë kompanitë e lidhura me Frangajn morën në total 103 milionë lekë (730 mijë euro) në reklama nga institucionet shtetërore përgjatë dy viteve.

Sa për krahasim, Top Channel, televizioni më i madh privat i Shqipërisë, mori shifrën modeste prej 1.3 milionë lekësh (9940 euro) përgjatë të njëjtës periudhë.

Të dhënat e thesarit mbi reklamat nuk përfshijnë para të shpenzuara nga kompanitë nën pronësi shtetërore, gjë që do të thotë se paratë publike të kanalizuara drejt rrjetit të kompanive të lidhur me Frangajn janë edhe më shumë se sa shumat e përmendura.

Sipas një raporti monitorimi nga Enti Rregullator i Energjisë, shpërndarësi i energjisë elektrike CEZ Shpërndarje shpenzoi 6.4 milionë lekë (45 mijë euro) në reklama televizive në vetëm një muaj në maj 2013.

Pjesa e luanit i shkoi ABC News, pasuar nga News 24, Ora News dhe UTV.


Korporatat e mëdha:

Sipas raportit vjetor të Freedom House të publikuar më 3 tetor, media shqiptare zakonisht bazohet te mbështetja financiare nga pronarët dhe nga shumë pak reklamues të mëdhenj ndërsa kultura e auto-cenzurës është krijuar për t’iu përshtatur interesave të bamirësve dhe është e gjithëpërhapur.

Nuk ka të dhëna publike mbi përmasat e tregut të reklamave në Shqipëri. Gjjithsesi, një raport i brendshëm i marrë nga Balkan Insight, përgatitur nga një agjenci reklamash, e vendos vlerën e reklamave televizive për 11 muajt e parë të 2011 në 4.2 miliardë lekë (29.8 milionë euro).

Reklama si propagandë:

Ndërsa pjesa e reklamave shtetërore në tregun e reklamave në Shqipëri është vetëm një pjesë e vogël e një tregu të dominuar nga kompanitë e mëdha të telekomunikacionit, janë këto reklama të shtetit ato që kanë shkaktuar debatet më të zjarrta. Kjo ndodhi sepse shumë prej reklamave u transmetuan në prag të zgjedhjeve dhe përmbajtja e tyre shpesh asgjë më shumë se sa reklamë për qeverinë e kohës.

Dokumente të marra nga Balkan Insight nga Ministria e Integrimit, përmes një kërkese të bazuar te liria për informim, tregon se për shembull, më 2009, ministria i dha një kontratë agjencisë së reklamave MC sh.p.k, për të promovuar “Ditën e Rinisë”, me vlerë 16.1 milionë lekë.

Shpenzimet për reklama qenë pjesë e një fondi më të madh prej 88.7 milionë lekësh (630 mijë euros), të cilat, përveç reklamave, u përdorën për të paguar aktivitetet kulturore dhe matetjalet për manifestimin.

Gjithsesi, manifestimi doli se qe një fasadë për një miting të Partisë Demokratike, kompletuar me një fjalim nga kryeministri Sali Berisha dhe një turmë mbështetësish që valëvisnin flamurin e partisë.

Përgjatë të njëjtit vit, MC sh.p.k, e cila në mënyrë ironike është akronim për Ministria e Komunikimit, prodhoi katër reklama të gjashme të sponsorizuara nga shteti.

Të dhëna nga Idramedia, një kompani kërkimi mediatike në Tiranë, tregojnë se nga janari deri në qershor 2012 pesë reklamuesit e mëdhenj – të gjitha kompani telekomunikimi – shpenzuan 18.75 milionë euro në reklama. Reklamuesi me buxhetin më të madh qe operatori celular Vodafone, e cila shpenzoi 6.3 milionë euro, pasuar nga AMC, Eagle Mobile, Albtelekom dhe Plus Communications.

Më 2011, sektori i telekomunikacionit zinte 69 për qind të reklamave në tregun e televizioneve, pasuar nga kafeja, që zinte 14 për qind.

Duke patur parasysh përmasat e kompanive të telekomunikimit si burim të ardhurash për televizionet dhe gazetat, nuk ka pothuajse fare raportim kritik në media mbi operatorët celularë.

Kur Autoriteti i Konkurrencës gjobiti dy operatorët më të mëdhenj celularë, Vodafone dhe AMC, për sjellje jokonkurruese më 2007, shumë pak media e raportuan lajmin.

Pak gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Në shtator, kur Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim të ri kundër Vodafone, e cila akuzohet për abuzim me pozicionin dominues në treg, lajmi sërish gjeti shumë pak hapësirë në media.

Në vend të kësaj, Autoriteti i Konkurrencës e gjeti veten përballë kritikave të mediave tabloide kundër hetimit.

Gjergj Erebara, gazetar i të përditshmes Shqip, thotë se pak kompani të mëdha, të cilat shërbejnë si linja e mbijetesës për televizionet dhe gazetat, dominojnë tërësisht tregun e reklamave.

“Disa nga këto kompani po bëjnë reklama thjeshtë për t’i mbyllur gojën medias… duke përdorur buxhetin e tyre të reklamave si mekanizëm presioni mbi mediat,” tha Erebara.

Sipas tij, presioni korporativ nëpër redaksi është kaq i fortë sa gazetarët pothuajse kurrë nuk merren me lajme kritike mbi biznesin e madh.

Shumë emaile të brendshme të marra nga Balkan Insight mbështesin pretendimin se kompanitë e mëdha imponojnë politikat editoriale nëpër redaksi.

Një email i dërguar më 17 maj 2012 nga një kompani marrëdhëniesh me publikun që përfaqësonte CEZ Shpërndarje, kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, i kërkoi një gazetari të mos raportojë nga një seancë parlamentare.

CEZ Shpërndarje, e cila qe nën pronësinë e grupit gjigand çek CEZ në atë kohë, humbi licencën e operimit në janar 2013 dhe është nën administrim të përkohshëm nga Enti Rregullator i Energjisë.

“Si një kompani përgjegjëse për ruajtjen e imazhit të CEZ Shpërndarje, duke marrë parasysh se ne kemi një kontratë shërbimi me gazetën tuaj në këtë drejtim dhe pa censuruar pavarësinë tuaj, ne kërkojmë që ju të mbroni imazhin e kompanisë në këtë debat,” shkruhet në email.

NJë menaxher marketingu nga kompania e fluturimeve ajrore Belle Air qe më pak diplomatik në një email të dërguar në një gazetë më 14 gusht 2013.

Një kompani ajrore shqiptare e themeluar më 2005, Belle Air shpalli falimentin më 18 nëntor dhe tashmë është nën hetim për mashtrim.

Pas një raportimi kritik në gazetë, kompania dërgoi një material për marrëdhënie publike, duke këmbëngulur që ai të publikohet si një lajm – dhe mbi të drejtën e kompanisë së marrëdhënieve publike për të përcaktuar përmbajtjen.

“Komunikata duhet të publikohet në formën e artikullit dhe jo të reklamës, si herën e fundit,” shkruhet në email. “Para se të çohet në shtypshkronjë duhet të më dërgosh mua draftin.”

Në një deklaratë për Balkan Insight, Barbora Pulpanova, një zëdhënëse për CEZ Group, tha se “nuk ka ndodhur deri tani që dikush të jetë ankuar mbi ndonjë bashkëpunim me agjencinë që ne punësuam.”

Erebara thotë se media nuk ankohet mbi këtë ndikim të pakëndshëm sepse shpesh media është e korruptuar.

“Disa media e përdorin fuqinë e tyre për të shantazhuar kompanitë për reklama,” tha ai. “Është një marrëdhënie negative e ndërsjelltë.”

Ky artikull është prodhuar me ndihmën financiare të projektit South East European Media Observatory, mbështetur nga Bashkimi Europian. Përmbajtja e këtij artikulli është nën përgjegjësinë personale të Besar Likmetës dhe nuk mundet në asnjë mënyrë të interpretohet sikur reflekton këndvështrimin e Bashkimit Europian.

imazhe shqip



*   *   *




Sikur ta guxonin në Gjermani…





Intervistë - Mero Baze

Baze shkruan në editorialin e tij në TemA se para 23 qershorit biznesmenët ndaj të cileve shteti ka borxhe, nuk guxonin as ta permendnin kete fakt per te mbrojtur veten e tyre.

<img src="Torta e Pushtetit Berishian.jpeg" alt="Ridvan Bode, Lulzim Basha, Genc Ruli, Torta e Pushtetit berishian" />
imazhe shqip


“Rreth një vit më parë, së bashku me Filip Çakulin, kishim në dorë listën e borxheve të bizneseve të mëdha shqiptare, të cilët qeveria nuk i likuidonte. Në shumicë ishin mbështetës të Partisë Demokratike, ose ish- biznesmenë të majtë që i serviloseshin pushtetit. Ajo që ndodhi ishte e pabesueshme. Sa herë i kontaktonim për të dhënë intervista rreth shifrave zyrtare që ne kishim siguruar, jo vetëm që kishin panik të dilnim në mbrojtje të tyre, por disa arritën në ekstrem duke na futur dhe miq që të mos i mbronim dhe mos t’i përmendim qeverisë borxhin që u kishte – shkruan ai ndër të tjera.

Sot megjithese Shqiperia po rihyn ne borxh per t’u kthyer borxhet edhe atyre, ankohen per taksat e reja, dhe marrin pjesë edhe në tryeza të opozitës së sotme, dje persekutore e tyre.  DITA e pyeti zotin Baze:

DITA: Si e shpjegoni ju kete, pse ndodh dhe me çfarë ka të bëjë kjo sjellje? Nga u vjen frika apo mungesa e frikes të kamurve të Shqipërisë që në fakt për shkak të kamjes duhej të ishin nga personat që duhet të ndiheshin më të sigurt e më të pavarur prej politikës?

BAZE: Shkrimi im donte te ndriçonte çlirimin e njerëzve përfshirë dhe biznesmenët, të cilët janë të lirë tani të jenë dhe kundër qeverisë. Nuk kam dashur të analizojë arsyet pse ata janë peng tek Berisha por faktin që janë bërë njerëz të lirë. Ktheni pak kujtesën mbrasht në kohë një vit më parë. Një grua fermere shkoi në një takim me Edi Ramën diku në Divjakë dhe doli vetë Sali Berisha e akuzoi si mashtruese si njeri me borxhe dhe që ka detyrime ndaj shtetit. Ata që ishin në tryezë me Bashën dhe Berishën janë të gjithë borxhlinj, por tani janë të lirë të sillen si të dëshirojnë.

DITA: Z.Baze, ju shkruani që Basha, Ruli dhe Bode kanë vila nga 700 mijë euro. Ku e mbështesni këtë akuzë?

BAZE: Unë nuk kam bërë akuzë, kam konstatuar. Mund të shkoni në vilat e tyre në Farkë dhe bregdet ta verifikoni. Po të kishin ministrat gjermanë vila të tilla me rrogën e tyre do ishte djegur Gjermania


imazhe shqip


*   *   *

December 21, 2013

Paditet e gjithë familja Taçi

Ja DOSJA e plotë 
me abuzime prej dhjetëra miliona euro


Një dosje tronditëse, gjashtë akuza për Rezart Taçin, por edhe për nënën, babanë dhe motrën e tij. Mosshlyerje detyrimesh, abuzim me TVSH-në, mashtrime prej miliona eurosh, pastrim parash, falsifikim dhe fshehje të ardhurash.

<img src="rezart taci.jpeg" alt="Rezart Taci, Liri Berisha, taci oil, " />

imazhe shqip

Zor se do të vijë në duart e drejtësisë shqiptare një dosje kaq e rëndë dhe me kaq abuzime nga një familje.
Bëhet fjalë për familjen Taçi. Policia ka kopsitur shkeljet e një mashtruesi që arriti të kapte shtetin duke përdorur familjen e Sali Berishës.

Gjashtë akuza nga më të rëndat jo vetëm për Rezart Taçin, por edhe për nënën, babanë dhe motrën e tij.

Lajmi u bë publik nga Top Channel dhe tashmë është zyrtar.


DOSJA

Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë administruar informacione, të dhëna e fakte mbi disa transaksione bankare, kontrata shitje pasurie, kontrata shitje të subjekteve tregtare, raporte kontrolli nga organet tatimore etj, sipas të cilave rezulton se Rezart Taçi, në cilësinë e administratorit, ortakut dhe pronarit të disa subjekteve tregtare, dhe disa persona të tjerë të lidhur me të në marrëdhënie tregtare e familjare, kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë veprime të kundërligjshme që përbëjnë elementë të veprave penale të ndryshme si: “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore” “Falsifikimi i dokumenteve”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 180, 181, 181/a, 186, 144/a dhe 287 të Kodit Penal dhe konkretisht:

1. Nga verifikimet e kryera me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka rezultuar se:

-Shoqëria “TAÇI OIL International Trading&amp;Supply”, sh.a, me adresë rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Sky Tower, Tiranë me Nipt K31902009J, me administrator shtetasin Rezart Taçi, ka kryer nëntëmbëdhjetë eksporte për vitet 2012 e 2013 sipas deklaratave doganore të degës së doganës Durrës me vendnisje Porto Romano Durrës, me destinacion shoqërinë malazeze “IK REAL D.O.O Podgorica”, me një sasi totale gazoili 565.820 litra dhe vlerë prej 485.633 USD, por nuk ka bërë pranë organeve tatimore deklarimin e këtyre shitjeve, duke fshehur të ardhurat.

2. Në përgjigje të shkresës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nr.1689, datë 25.11.2013, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me shkrese nr.141/1 datë 4.12.2013, ndër të tjera ka vënë në dispozicion:

-Kopjen e “Njoftim vlerësimi për detyrimet” të Drejtorisë së Kontrollit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj, drejtuar shoqërisë “A.R.M.O.” sha me Nipt J 82916498 D me administrator të përgjithshëm Rezart Taçi, sipas të cilit në bazë të raportit të kontrollit datë 28.3.2013, kjo shoqëri në total duhet të paguajë detyrime tatimore, interesat dhe gjobat për shumën 1.494.692.782 lekë. Nga të cilat, për periudhën 2009-2011 për tatim fitimin, për periudhën prill 2009- tetor 2011 për TVSH-në dhe deri në mars 2013 për sigurimet shoqërore, detyrime të papaguara dhe gjoba për shumën gjithsej 996.745.000 lekë, si dhe detyrime gjithsej për ulje humbje për shumën 497.947.000 lekë.

Shoqëria A.R.M.O. sh.a. me NIPT J 8291 6498 D është krijuar në vitin 1999, me kapital fillestar 5.126.461.000 lekë. Nga data 27.11.2008, administrator i kësaj shoqërie është bërë shtetasi Rezart Taçi dhe në këshillin mbikëqyrës janë shtuar anëtarët Mustafa Taçi, Anika Taçi etj. Ky ndryshim ka ndodhur pasi shoqëria “ANICA MERCURIA REFINERY” ka blerë 85% të aksioneve të shoqërisë “A.R.M.O.”

Shoqëria “ANICA MERCURIA” me Nipt J 81902013 T është krijuar me datë 2.7.2008, pra rreth katër muaj para blerjes së 85% të aksioneve të kompanisë “A.R.M.O.

Sipas ekstraktit historik të regjistrit tregtar në këtë shoqëri, herë pas here janë bërë ndryshime në këshillin mbikëqyrës dhe konkretisht: me datë 19.11.2008 është shtuar si anëtar Gramoz Taçi; me datë 14.11.2010 është shtuar si anëtar Vasil Dede dhe larguar Anika Taçi, me datë 15.11.2010 është shtuar si anëtar Anika Taçi (motra e Rezart Taçit), ndërsa me datë 01.7.2013 janë riemëruar si anëtar të këshillit mbikëqyrës Mustafa Taçi (babai i Rezart Taçi-t), Drita Aliçka (nëna e Razart Taçi-t) dhe Z.Joseph Melton Desormeaux.

- Kopjen e “Njoftim vlerësimi për detyrimet” nr.prot 45566/10 dt 29.6.2012, të Drejtorisë së Kontrollit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj, drejtuar shoqërisë “Taçi Oil International &amp; Supply Company” sha me Nipt K 31902009 J me administrator të përgjithshëm Rezart Taçi, me adresë Rr. D. 4 Shkurtit P. Sky Tower Tiranë, sipas të cilit në bazë të raportit të kontrollit, kjo shoqëri në total duhet të paguajë detyrime tatimore, interesat dhe gjobat për shumën 1.375.824 lekë, me arsyetimin për moslëshim fatura dhe gjoba. Ndërsa janë zbuluar shkelje në agregatin sigurime shoqërore për periudhën nëntor 2009- janar 2012 për shumën 1.815.000 lekë. Ndërsa për periudhën shkurt 2012- prill 2013 për agregatin TVSH dhe sigurime shoqërore dhe për periudhën 2010-2012 për agregatin tatim fitimi, kontrolli tatimor është në proces.

- Kopjen “Njoftim vlerësimi për detyrimet” nr.prot 7547/7 dt 16.8.2013 drejtuar “Kuid” shpk me Nipt K 63005203 O me administrator Rezart Taçi, me adresë Rruga Durrës-Nikël-Rinas, zyra në pikën e karburantit “Taçi Oil International &amp; Supply Company, pranë aeroportit Nënë Tereza, sipas të cilit kjo shoqëri për periudhën 2010-2011 duhet të paguajë menjëherë shumën 42.216.783 lekë si detyrime të papaguara dhe gjoba për TVSH dhe tatim fitimi.

-Praktika shkresore nr.prot 7547/4 dt 31.7.2013, e Drejtorisë së Kontrollit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj, drejtuar shoqërisë “Kuid” shpk me Nipt K 63005203 O me administrator Rezart Taçi, me adresë Rr. D. 4 Shkurtit P. Sky Tower Tiranë, sipas të cilit në bazë të raportit të kontrollit, kjo shoqëri ka detyrime për agregatin tatim fitimi për periudhën 2009-2011, për agregatin TVSH për periudhën maj 2010- nëntor 2012 dhe agregatin sigurime shoqërore maj 2010– nëntor 2012 me zbulim gjithsej 30.660.000 lekë dhe ulje humbje 107.883.000 lekë  ose në total detyrimet tatimore të kësaj shoqërie janë 138.543.000 lekë.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me shkresën nr.141/1 datë 4.12.2013 është konfirmuar se për subjektet e lartpërmendura do të ushtrohet kontroll dhe rikontroll tatimor dhe në përfundim të procedurave do të njoftohemi për rezultatet.

3. Me kontratë noteriale nr.8186 rep, dhe nr.2560 kol, datë 05.07.2013, redaktuar nga noter Julian Zhegu, shtetasi Rezart Taçi i ka shitur shtetasit Fuad Haxhiymeri, 4.46% të aksioneve  të zotëruara prej tij në bankën Credins sha, kundrejt vlerës 4.655.000 euro. Shuma prej 155.000 euro është likuiduar nga pala blerëse me datë 8.7.2013 nëpërmjet transfertës bankare pranë bankës Credins, ndërsa shumën prej 4.5 milion euro shtetasi Fuat Haxhiymeri e ka transferuar në favor të shtetasit Rezart Taçi me datë 24.09.2012.

4. Me datë 24.9.2013 shtetasi Arjanit Kolgega, administrator dhe ortak i vetëm i shoqërisë “Niti Petroleum Company”sha, me NIPT L11530005M në cilësinë e blerësit ka transferuar për llogari të shoqërisë “Societe Generale de Surveillace” shumën 1 milion USD në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimi (CMA 2387/12 AB-Trafigura) lidhur me datë 24.4.2012 midis tre palëve:

- Societe Generale de Surveillace (SGS) me seli në Gjenevë Zvicër.

-Trafigura Beher BV, e themeluar në Holandë si degë e shoqërisë së huaj me seli në Zvicër(e quajtur depozituesi) dhe
- Niti Petroleum Company”sha, i quajtur blerësi.

Sipas kësaj aktmarrëveshje, depozituesi (Trafigura) është pronari i produktit naftë e rafinuar për sasinë 19 milionë tonë me vlerë 30 milion USD, e cila është parashikuar të depozitohet në depozitat që ndodhen në terminalin “Taçi Oil” në Porto Romano”. Në zbatim të kësaj marrëveshje është lëshuar faturë  datë 24.9.2013 nga SGS në favor të “Niti Petroleum Company” sha. Në këtë faturë në pjesën përshkruese të mallit është shënuar: Deklaratë për humbjen e produktit të CMA për sasinë 27311.514 MT dhe vlerë totale 28 403 974.56 USD.

Shoqëria “Niti Petroleum Company”sha është krijuar me datë 29.03.2011 me kapital fillestar 2.000.000 lekë, me objekt veprimtarie “Import, eksport, tregtim me shumice dhe pakicë të naftës dhe nënprodukteve të saj, shpërndarja dhe marketingu i produkteve nëpërmjet tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe të gazit etj”, me administrator të vetëm shtetasin Arjanit Kolgega, me adrese të ushtrimit të aktivitetit lagje nr.1 Laç përballë hotel Diplomat. Me 16.1.2012 është ndryshuar adresa e shoqërisë dhe është bërë rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Sky Tower, 5/2, Tiranë; ndërsa me datë 18.9.2013 ka ndryshuar adresa duke përcaktuar si adresë të ushtrimit të aktivitetit adresën e parë (lagje nr.1 Laç përballë hotel Diplomat). Nga verifikimet policore rezulton se në këtë adresë nuk ushtrohet asnjë lloj aktiviteti tregtar. Pra, adresa e depozituar nga shtetasi Arjanit Kolgega në QKR si adresë e ushtrimit të aktivitetit të kësaj shoqërie është fiktive.

Me datë 23.12.2011 dhe 27.12.2011 në llogari të kësaj shoqërie janë xhiruar shumat: 40.987.000 lekë; 9.231.221 lekë dhe 12.976.95 lekë nga shoqëria “A.R.M.O.” sha për likuidim faturash shuma të cilat janë tërhequr brenda të njëjtës ditë nga Arjanit Kolgega.

Me datë 28.10.2011 shoqëria “Niti Petrolium Company” sha e përfaqësuar nga Arjan Kolgega ka lidhur kontratë për blerjen e 20% të aksioneve të shoqërisë “I.S.C” Petroleum” sha nga Irgen Selfo (pala shitëse) me çmimin e blerjes 5.175.000 euro, ndërkohë që vlera kontabël e 20% të aksioneve sipas kontratës së ekstraktit në QKR është 400.000 lekë. Nga verifikimi në QKR në ekstraktin historik të shoqërisë “I.S.C” Petroleum” sha nuk rezulton i pasqyruar asnjë ndryshim që vërteton ekzekutimin e kësaj kontrate dhe aksioner i vetëm i kësaj shoqërie që nga krijimi është shtetasi Irgen Selfo.

Me datë 28.7.2011 ka transferuar në favor të shoqërisë “A.R.M.O.” sh.a. vlerën 4.5 milion USD me përshkrim “kalim fondi”.

Me datë 12.7.2011 ka lidhur kontratë overdraft-i në vlerën 400.000.000 lekë.

Me datë 4.11.2011 ka transferuar në favor të “A.R.M.O.” shumën 2.183.900 USD.

Me datë 19.62.13 është lidhur kontratë midis shoqërisë “A.R.M.O.” dhe shoqërisë Niti Petrolium Company me objekt njohje detyrimi ndaj kësaj shoqërie nga shoqëria “A.R.M.O.” për shumën 1.960.549.549 lekë.

Përveç transaksioneve me shoqërinë “A.R.M.O.”, shtetasi Arjanit Kolgega ka bërë edhe disa depozitime në kesh në llogari të subjektit të tij, ndër të cilat veçojmë:

-Me datë 26.11.2012 ka depozituar shumën 77.260.000 lekë.
-Në datat 6.8.2012, 17.1.2013 dhe 20.3.2013 ka depozituar më secilin rast shumat nga 50.000 euro.

Po ashtu gjatë viteve 2012- 2013, shtetasi Arjan Kolgega nga llogaria e shoqërisë së tij ka kryer disa transferta bankare, depozitime dhe tërheqje me çek nga dhe për në llogari të  subjekteve:

-“Kuid” shpk me Nipt K 63005203 O, ku ortak dhe përfaqësues ligjor nga muaj korrik 2007 deri më 18 tetor 2013 ishte Rezart Taçi.

-“Taçi Oil International Trading&amp; Supply Company” me NIPT K 31902009J me ortak të vetëm Rezart Taçi.

-“Kuarta” sha me NIPT L 21721005U krijuar me datë 21.5.2012, ku ortak ishte Rezart Taçi dhe më pas më 17.7.203 ortak i vetëm u bë Irgen Selfo.

-Me datë 15.8.2013 ka depozituar në llogari të shoqërisë “I.S.C.Petroleum Company” sha shumën 500.000 euro. “Shoqëria “I.S.C.  Petroleum Company” është krijuar me 25/01/2011 me aksioner të vetëm Irgen Selfo.

5. Shoqëria “Heaney Asset Corporation”, e përfaqësuar nga shtetasi Abe Halati, lindur në Iran dhe banues në Azerbajxhan, ka blerë nga shtetasi Rezart Taçi kundrejt shumës 50 milion euro shoqëritë:

-Anika Enterprisses” SA me adresë në Gjenevë në shumën 35.000.000 euro.

-“Taçi Oil” me NIPT K31902009J për shumën 500.000 euro.

-“Europetrol” sha me NIPT K 11808502 I për shumën 14.000.000 euro.

-“Kuid” shpk me NIPT K 63005203 O për shumën 500.000 euro.

Shoqëria “Heaney Asset Corporation është krijuar sipas legjislacionit të Ishujve të Virgjër Britanik (British Virgin Islands. Aksioner i vetëm në këtë kompani është Jean-Claude Dauvergne.

Me datë 6.8.2013 është kryer transferta e parë prej 35 milion euro në favor të Rezart Taçi në llogarinë e tij personale. Në datat 6 dhe 7.8.2013 shtetasi Rezart Taçi ka transferuar në emër të afërmve të tij, shtetasve Anika Taçi, Drita Aliçka dhe Mustafa Taçi respektivisht në bankat RBZ dhe Tirana në total shumën 12 milion euro. Nga këto rezulton se me datë 13.8.2013 janë kryer veprimet si vijon:

-Nga banka RZB, Anika Taçi ka tërhequr shumën prej 1.850.000 euro, Drita Aliçka ka tërhequr shumën 2.054.000 euro dhe Mustafa Taçi ka tërhequr shumën prej 1.850.000 euro. Në secilën tërheqje arsyetimi ka qenë i njëjtë “për shpenzime dhe investime në imobilarë”.

-Në llogari të shtetasit Mustafa Taçi, nga BKT, ka mbërritur në bankën RZB shuma 925.000 euro dhe nga llogaria e tij personale nga banka ISP është transferuar shuma 2.925.000 euro, nga këto fonde janë tërhequr nga ai 3 milion euro.

-Në llogari të shtetases Drita Aliçka është transferuar nga llogaria e saj personale në bankën ISP shuma 2.549.290 euro, nga e cila është tërhequr shuma 2.400.000 euro.

-Në llogari të shtetases Anika Taçi është transferuar nga banka ISP shuma 2.924.290 euro, nga e cila është tërhequr vlera 1 milion euro.

Nga këto të dhëna rezulton se familjarët e shtetasit Rezart Taçi kanë përfituar në bankën RZB dhe Tirana Bank për një periudhë dy ditore shumën 12 milion euro, nga të cilat janë tërhequr me para në dorë shuma 5.754.000 euro. Ndërsa në BKT është tërhequr në total shuma 6 400 000 euro nga transfertat e përfituara nga llogaritë personale të familjarëve të Rezart Taçi-t nga banka RZB.

Me datë 16.7.2013 shtetasja Anika Taçi ka lidhur deklaratë noteriale për njohjen dhe shlyerjen e detyrimit monetar nga shoqëria “A.R.M.O.” sha në shumën 20 milion euro.

Totali i detyrimeve të njohura nëpërmjet deklaratave noteriale  në favor të Rezart dhe Anika Taçi është 10.359.000 lekë dhe 80 milionë euro.

Nga të dhënat dhe faktet e trajtuara më sipër veçojmë:

-Mosdeklarimi i shitjeve pranë organeve tatimore i 565.820 litrave gazoil me vlerë 485 633 USD eksportuar nga kompania“TAÇI OIL International Trading&amp;Supply”, sha me administrator Rezart Taçi, për shoqërinë malazeze “IK REAL D.O.O Podgorica”.

-Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave nga shoqëria A.R.M.O.” sha me administrator të përgjithshëm shtetasin Razart Taçi, për shumën 1.494.692.782 lekë (rreth 8.2 milion euro) dhe transferimi i 80% të aksioneve nga aksionari “Anika Enterprises SA (i cili zotëronte 85 % të aksioneve të “A.R.M.O-s.”) tek aksionari i ri Heaney Asset Corporation.

-Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave për shumën 1.375.824 nga subjekti Taçi Oil International&amp; Supply Company”  me administrator të përgjithshëm Rezart Taçi, dhe transferimi i 100% të aksioneve tek aksionari i ri Heaney Asset Corporation.

-Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave për shumën 138.543.000 lekë nga subjekti Kuid shpk me Nipt K 63005203 O me administrator Rezart Taçi dhe transferimi i 100 % të aksioneve  tek aksionari i ri Heaney Asset Corporation.

-Mosveprimi i organeve tatimore për kontrollin e plotë të gjitha subjekteve në administrim të shtetasit Rezart Taçi dhe personave të lidhur me të, si dhe mos marrja e masave ligjore për të penguar transferimin e aksioneve të këtyre shoqërive debitore tek aksionerë të tjerë.

-Krijimi i disa kompanive nga i njëjti person, Rezart Taçi, me të njëjtin objekt aktiviteti tregtar (si A.R.M.O. sha; “Kuid” shpk; “Taçi Oil International Trading&amp; Supply Company” sha; “Kuarta” sha etj.) dhe kryerja e transaksioneve financiare e  bankare ndërmjet tyre mund të jenë bërë me qëllim mashtrimin me TVSH-në dhe fshehjen e të ardhurave.

-Kryerja e transaksioneve derdhje-tërheqje në vlerë të larta me para në dore dhe tërheqja e menjëhershme e tyre nga bankat nga familjarët e shtetasit Rezart Taçi.

-Faktin se nuk ekzistojnë transaksione bankare dhe kontrata noteriale që të justifikojnë qëllimin e përdorimit të këtyre fondeve, për periudhën pas tërheqjes së tyre.

-Transferta prej 4.5 milionë euro në favor të shoqërisë “A.R.M.O.” me arsyetimin kalim fondi.

-Transferta në vlera të larta nga shoqëria “A.R.M.O.” sha për likuidim detyrimesh dhe tërheqje e këtyre shumave menjëherë brenda ditës.

-Kontrata për blerje e 20% të aksioneve të shoqërisë në vlerë tepër të lartë. Megjithëse e paekzekutuar ende.

-Lidhja e një deklarate noteriale midis Anika Taçi dhe shoqërisë “A.R.M.O.” për shumën 20 milion euro për njohje dhe shlyerje detyrimi.

-Prania e të njëjtëve persona në cilësinë e anëtarit të këshillit mbikëqyrës apo të aksionerit në disa kompani në pronësi të Rezart Taçit.

-Shitja e menjëhershme e katër kompanive nga shtetasi Rezart Taçi.

-Fakti që selia e kompanisë “Niti Petroleum Company” me administrator Arjan Kolgega është në të njëjtën adresë me adresën e subjektit.

-Nga fakti që shoqëria “Societe Generale de Surveillance” me seli në Gjenevë Zvicër me datë 24.9.2013 ka lëshuar faturë në favor të “Niti Petroleum Company” sha, ku në pjesën përshkruese të mallit është shënuar “Deklaratë për humbjen e produktit të CMA për sasinë 27311.514 MT dhe vlerë totale 28 403 974.56 USD”, krijohen dyshime se ndodhemi para një mashtrimi të shoqërisë “Niti Petroleum Company”.

Nga këto të dhëna dhe fakte krijohen dyshime të bazuara se shtetasit:

1.Rezart Mustafa Taçi, i datëlindjes 7.6.1971

2.Anika Mustafa Taçi, e datëlindjes 25.6.1975

3.Mustafa Nevrus Taçi, i datëlindjes 18.4.1934

4.Drita Riza Aliçka e datëlindjes 7.5.1945

5.Arjanit Bexhet Kolgega, i datëlindjes 8.1.1975

6. Irgen Arian Selfo, i datëlindjes 13.7.1986

Së bashku edhe me punonjës të tatimeve(që duhen identifikuar gjatë procesit hetimor) dhe me persona tjerë, shtetas shqiptar apo të huaj që mund të identifikohen gjatë hetimit, kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë veprime të kundërligjshme që përbëjnë elementë të veprave penale: “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 180, 181, 181/a, 186, 144/a dhe 287 të Kodit Penal.

Së bashku me këtë informacion dërgohet edhe dokumentacioni përkatës me qëllim regjistrimin e procedimit penal për veprat penale të mësipërme. /TemA


imazhe shqip


*   *   *



December 17, 2013

Grusht shteti nga Arben Imami?




Nga Bledi Mane/Gazeta Tema - 14 korrik 2013


<img src="Bledi Mane - Arben Imami.jpeg" alt="Bledi Mane;Grusht shteti nga Arben Imami?" />
imazhe shqip 

1./ Dje, të mërkurën e parë të 2013-s, kundroja i vëmendshëm herë internetin e herë ekranin e televizorit. Pas mesdite, lajmet që vinin nga Stambolli dhe Kajro kishin brenda veç informimit edhe një lloj sadisfaksioni. Ta ndjekësh kaq lajme të forta ndërkombëtare nga Shqipëria të bëjnë të mendohesh gjatë e të psherëtish:

- "Ky vendi i ynë do të prodhojë ndonjë herë veç scoop-eve të rënda edhe pak tharm qytetërimi?”

Betejat këmbëngulëse të protestuesve në Turqi nisën si fillim në mbrojtje të hapësirës së gjelbër Gazi e më pas u politizuan si për t’i treguar Erdoganit se kafshimi i lirisë së qytetarëve dhe zgjatja e pushtetit të lodh, të konsumon dhe arroganca rrezikshmërisht; t’i sekularizon ambiciet e shfrenuara. Pavarësisht se paralel me protestuesit, kryeministri turk nxori në shesh miliona përkrahësit e tij duke të kujtuar post 21 janarin shqiptar, ende frika se qeverisjes së tij iu plasarit uniformiteti mbetet tashmë e tutje permanente. Komplotet konspirative të mendjes erdoganase ashtu si çadrat tona pistoletë dhe thikat me helm, mbetën thjesht barsoleta orientale të sfumuara nga mospranimi i bumerangut. Një vend si Turqia, ku ekonomia dhe stabiliteti financiar po i reziston recesionit global e ka tashmë të establishuar një klasë të mesme stabël dhe elitat e saj të vjetra e të reja organikisht përcjellin veç respektit edhe detyrimet ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese sepse shtojnë kësisoj më shumë respekt dhe rehati ndaj vetes.

Vendimi i Gjykatës Administrative turke pa ekuivok iu dha të drejtë protestuesve dhe parku i famshëm dhe e vetmja hapësirë e gjelbër në zemër të Stambollit aziatik do të mbetet e paprekur duke rrëfyer në heshtje këmbënguljen e qytetarëve që e duan vendin, lirinë dhe natyrën.

Me një sistem drejtësie autoritativ e aspak servil dhe lapanjoz, Turqia “e kushërinjve” tanë ka ditur të ndajë shapin nga sheqeri dhe pavarësisht se shtrihet në krevatin e dy kontinenteve, kokën me mendjen brenda e mbështet në jastëkun e anës evropiane.

Po në këtë vendin tonë a dini ndonjë vendim gjykate që në kulm krizash ose debatesh të kundërshtojë qeverinë e tu hapë rrugë prospekteve me bazë qytetarie dhe civilizim. Përveç vendimit të famshëm të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të kufirit tonë  detar asnjë vendim tjetër nuk ka cenuar arrogancën ose gomarllëqet meskine të kujtdo qeverisjeje. Ose mund të kemi vendime qesharake si ai i Zogut të Zi kur gjykatat tona të shpartalluara shprehen vonë, shumë vonë pasi të jetë bërë gjëma ose pasi të ketë ikur për lesh qeveria.

2./ Kajroja e Misirit ia bëri fora përsëdyti. Pranverën arabe të 2011-s e përforcoi me beharin për marshallah të këtij viti. Largoi një Mubarak diktator të konsumuar dhe të zgjedhur jo me votë dhe po me votë i besoi një Mursi-je që kujtoi se nën petkun e besimit zyrtar të vendit do të myslimanizonte edhe autoritetin republikës. 12 muaj kohë ia lanë në dispozicion dhe teksa panë që ekonomia po ngordhte si mumje e balsamosur, teksa panë që kërkonte të berishonte çdo skutë të regjimit dolën protestuan plot dinjitet dhe me shkelm bythëve e rasën te qoshja.

Ashtu si gjykata turke, e cila u ngrit pa frikë e pa droje mbi autoritetin e sforcuar qeverisës, ushtria egjiptiane tregoi edhe një herë se kur kandari i pushtetit anohet artificialisht duhet goditur me shpullën e interesave publike kapadaillëku artificial.

Të mendosh se në këtë shekull të ri monstruozitete liderësh ende vazhdojnë me diktatet demode duke justifikuar regjimet e tyre me emfasizëm biblash, kuranësh apo integrimesh të deformuara evropiane, të vjen të protestosh e të rrezikosh dyfish.

Dhe ja ku jemi duke pyetur veten:

-Po në këtë vendin tonë a dini të kemi ndonjë ushtri autoritative mbi palët dhe të zgjidhë situatat e vështira provizorisht?

Imagjinon dot dikush kur prokuroria urdhëronte arrestimin e krerëve të Gardës më 22 janar 2011 ndërsa bëhej palë me vrasësit policia strukej e frikur në kryeministri.

Imagjinoni sikur Arben Imami me urdhër arrestet në dorë të shkonte e të çonte zvarrë ne qeli patriotët snajpera të doktorit?
Imagjinoni sikur autoriteti i shtetit të komandohej nga ushtria jonë deri në zgjidhje situatash apo zgjedhje të parakohshme?

Eh mor daje, çfarë llafos dhe unë.

Ushtria jonë e NATO-s shet me para në dorë misionin e një kapiteni që shkon të luftojë në Kabul
  
Ushtria jonë gërdecon e vret për të fituar me vdekjen, tenderos si mos më keq brekët, fasulet dhe orizin e ushtarëve. Punëson militantët mbi bazë dialektologjie dhe pushon e shkatërron gjeneralët e saj pse janë më të aftë e më të lexuar se Jar Nishani që e zuri barku duke ngrënë një sufllaqe në Tel Aviv. Dhe ec e prit ndonjë grusht shteti nga Shtabi ynë i Përgjithshëm që e le punën qysh në 12 të drekës dhe i ke gjithë ditën duke pirë makiato te Taiwan-i.

Lodhu kot o Bledi Mane duke u bërë moral vetes dhe lexuesve. Lodhu kot, por të paktën fati vonon, por nuk harron të shfaqet. Ne nuk kemi sistem të pavarur dhe efiçent drejtësie, ne nuk kemi ushtri autoritative dhe profesioniste si e egjiptianëve. Ne ashtu dembela në dukje tolerojmë dhe më pas shpërthejmë. Më 1997-n ishte gjenerali Arben Imami që ngriti pushkë ndaj Mubarak Berishës ndërsa më 2013 u qërua me grushtin e fortë të votës Mubarak Berisha bashkë me Mursi Imam bajalldinë.

*fb.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE

imazhe shqip



*   *   *





December 16, 2013

Disidenti i Djathit




Shenasi Rama - Facebook – 16 Dhjetor 2013

Sapo mora vesh se Disidenti i Djathit, dhëndri i Familjes, ka dhënë një intervistë të zgjeruar në të cilën përshkruan me “thellësi parimore” dhe me një informacion të bollshëm, fillimet e tranzicionit dhe rolin e Vjehrrit të tij. Ajo që të bën përshtypje është sjellja e tij sipas parimit nastradinian, “qëndra e botës është ku e ka lidhur gomarin Vjehrri im.” Është një shenjë e mirë kur dhëndri e respekton vjehrrin kaq shumë sa thotë çka i thonë që të thotë dhe e bën vjehrrin, që ka qënë një vegël e cmuar e sistemit të kaluar, dhe një kriminel ordiner, hero të larë nga gjynahet.

<img src="jamarber malltezi, argita.jpeg" alt="Disidenti i Djathit, Jamarber malltezi" />

imazhe shqip
Mirëpo, çekani edhe kur bëhet me ar, sërish shërben vetëm për të ngulur gozhda, d.m.th. edhe kur të bën dhëndër Berisha, nuk të lë pa të përdorur si do vetë. Nga ana e ime, nuk shoh ndonjë arsye që të merrem me këtë njeri që unë nuk e di as ku ka qënë, a ka qënë pjesë e masës apo nëse ka qënë gjallë, dhe që duket se nuk ia ka idenë se si kanë rrjedhur punët… E si ta dijë? Nga sa lexohet këtu, shihet se ky nuk e ka ditur as cila ka qënë puna, as kush ka qënë i përzjerë në atë punë. Pra, kush e bëri punën e kujt i mbeti në dorë! Këtij i mbeti në dorë, më duket. Kështu që, duke mos u marrë me këtë burrin e vajzës së Saliut, d.m.th. mirëpres çdo reagim direkt të vetë Sali Berishës. Nuk kam kohë të humbas duke rendur mbas pleshtave të tillë që janë të rëndësishëm sepse janë dhëndurë të dikujt.

Mirëpo, duhet të merremi me Saliun dhe këtë disidentin e Djathit. Së pari, në lidhje me kontributin e këtij njeriu anonim, edhe këtë vetë, edhe gruan që ka, edhe nja 648 vetë të tjerë i mori dallga e hynë në grevën e Urisë në mëngjezin e 18 Shkurtit, pikërisht kur Vjehrri i tij e kishte marrë komisionin e studetëve dhe i mbante duke iu bërë presion në zyrën e Skënder Gjinushit. Në listën e mëngjezit kanë qënë vetëm 108 vetë dhe aty s’ka qënë as ky e as Argita. Kaq sa për kontributin heroik e familjes Malltezi. Në atë greve i futën vajzat e djemtë shumë veta që donin kapital politik, dhe ka një listë interesante me emra edhe pedagogësh.

NË lidhje me kontributin e Vjehrrit të Malltezit, mbas një histerie 23 vjecare ku ka mbizotëruar rrena e mashtrimi, mendoj se ka ardhur koha që të fillojmë një debat serioz për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen. Dhe në atë debat ka dy anë ku Saliu sapo e paraqiti të vetëm.

Shkurt, në këtë shkrim përmes Dhëndërit, Saliu ka vënë piketat të paktën në disa gjëra. Mirëpo me kryesorja është kjo: 

- Kush e kërkoi pluralizmin? 

- Saliu thotë se ai e bëri. 

Po kujt ia tha Saliu??? 

Mua jo e jo, sepse unë kam qënë më i kulturuar dhe i ditur për atë punë se Saliu. 

E këtu vjen edhe dëshmia e Gjinushit që thotë se e kemi trajtuar si leckë dy ditë me rradhë. Po kujt do ti besonim ne që të na mësonte, një njeriu që e kemi degjeneruar qysh në momentin e parë? Seepse pluralizmin e kam kërkuar unë e jo Saliu. Saliu e pati rastin në takimin me intelektualët dhe nuk e hapi gojën. Unë e pata rastin dhe e kërkova si shqiptar e si patriot kombëtarist, me argumente e me qetësi.

Sa për të tjerat, nuk do të zgjatem se kjo ka rëndësi tani. Unë jam ai që e ka ideuar PD-në. Saliu është ai që i mblodhi fundërrinat në PD. Tani, në këtë pikë, mendoj se ka ardhur koha që të fillohet nga pika zero. Natyrisht nuk fillohet nga fundërrinat, por me idenë dhe me shpresën. Shpresa dhe ideja janë aty, si janë edhe fundërrinat e të gjithë sistemeve si kjo Familje kriminale dhe ky mashtrues që e vë një papagall të thotë çka i intereson atij sot për nesër.

imazhe shqip


*   *   *