"

December 22, 2013

Reklamuesit e mëdhenj shkatërrojnë lirinë e medias në Shqipëri

Besar Likmeta BIRN

Në 8 korrik 2010, bashkëshortja e ish-kryeministrit të Britanisë Tony Blair, Cherie Booth, u ul në Tiranë me një avion privat për të prerë një shirit për një stacion të ri televiziv, me ftesë të oligarkut shqiptar të naftës Rezart Taçi.

Taçi pati blerë Alsat TV gjashtë muaj më herët, por tashmë qe në telashe pas akuzave për korrupsion dhe padive në lidhje me akuzën se kishte rrahur një gazetar në një lokal.

Cherie Booth dhe mbështetja e saj ofronin një mundësi të mirë për multi-milionerin për të pastruar imazhin e vet.

<img src="kla, alsat, abc news.jpeg" alt="Klan, ABC news, Alsat, mediat e varura" />
imazhe shqip

Taçi e përshkroi vizitën e saj si të “paçmueshme” dhe madje e cilësoi Booth si “kumbarin” e televizionit.

Një gjykatëse e profilit të lartë dhe avokate e të drejtave të njeriut, Booth mori pjesë në ceremoni duke theksuar rëndësinë e medias së lirë dhe të pavarur në një shoqëri demokratike.

Gjithsesi tri vjet më vonë, Alsat TV, i cili është riemëruar Albania Screen, është i falimentuar dhe pasuria e oligarkut të naftës është pakësuar.

Disa nga gazetarët që Booth takoi atë ditë tashmë po luftojnë me Taçin në gjykatë, pasi u pushuan nga puna. Për shumë muaj ata nuk kanë marrë rrogat ndërsa kompania nuk ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore të tyre.

Rasti i Alsat nuk është i pazakontë në Shqipëri, ku dhjetëra media janë nën pronësinë e oligarkëve apo deputetëve që i përdorin ato në funksion të bizneseve dhe karrierave të tyre politike.

Gazetarët që punojnë për ta e gjejnë veten shpesh mes një shkëmbi dhe  një humnere, mes interesave politike dhe presioneve financiare – në një treg që është tepër i varfër dhe i mbingarkuar me media për të mbajtur kaq shumë gazeta e televizione.

Shumica e medias shqiptare është në varësi të reklamave të korporatave të mëdha si burimi kryesor i të ardhurave dhe emaile të brendshme tregojnë se ato me lehtësi mund ta shtrembërojnë politikën redaksionale.

Edhe reklamat e qeverisë janë gjithashtu një burim i rëndësishëm i të ardhurave.

Të dhëna të mbledhura nga Balkan Insight tregojnë se pjesa dërrmuese e reklamave qeveritare nuk ka shkuar te stacionet televizive me shikueshmëri më të lartë, por te ato që mbështesin politikat e tyre.

Shumë punë dhe pak rrogë:

Shqipëria u rendit në vend të 102 nga 173 vende te indeksi i Lirisë së Medias për vitin 2013 nga organizata Reporterë pa Kufij.

Kjo shënon një rënie të ndjeshme që nga viti 2003, kur Shqipëria qe në vend të 34rt dhe vendi me renditjen  më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Vendi me vetëm 2.8 milionë banorë ka 25 gazeta, më shumë se 100 televizione, 36 revista mujore dhe 69 publikime tremujore.

Sipas Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, 90 për qind e medias private ka shënuar vonesa në pagesat e rrogave, nga dy deri në gjashtë muaj.

Përveç vonesave në rroga, një tendencë tjetër shqetësuese është dështimi i shumë kompanive mediatike në pagesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për stafet e veta.

Dokumente të marra nga Balkan Insight nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se Alsad nuk pagoi kontributet e disa gazetarëve që nga fillimi i vitit 2013. Unioni vlerëson se 60 për qind e medias në vend nuk paguan rregullisht kontributet për punonjësit e vet.

Aktualisht, 67 çështje gjyqësore janë hapur nga gazetarët dhe punojësit e medias që pretendojnë “pushim të padrejtë nga puna,” para Gjykatës së Tiranës, ku përfshihen 12 media; shumica janë çështje të ish-punonjësve të Alsat.

“Kjo është situata më e keqe që ne kemi parë në një dekadë dhe gjërat duket se do të përkeqësohen edhe më shumë para se të fillojnë të përmirësohen,” thotë Aleksander Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve.

Axel Kronholm, një gazetar finlandez që kreu studime të thelluara mbi lirinë e medias në Shqipëri, thotë se gazetarët shqiptarë punojnë në një treg me shumë pak siguri pune, gjë që nxit kulturën e auto-cenzurës.

“Është një mjedis mediatik shumë i vështirë, ku gazetarët nuk kanë siguri në punë, kodi i punës nuk zbatohet… madje edhe njerëzit me kontrata pune nuk janë të sigurtë nëse këto kontrata do të respektohen në rast se hyjnë në sherr me menaxhimin,” shpjegoi Kronholm.

Ai vërejti se megjithëse pak gazetarë kanë rënë pre e sulmeve fizike përgjatë viteve të fundit, sërish ky është një rrezik që duhet të merret parasysh.

“Nëse je i pasigurtë për punën dhe për sigurinë personale, ka rrezik që auto-cenzura të shtohet,” tha ai.

Situata është edhe më e vështirë për gazetarët investigativë, shpjegon Artan Hoxha, një gazetar kronike dhe autor i emisionit “Xhungël” në Neës 24.

Hoxha thotë se disa pronarë mediash po përdorin raportimin investigativ si armë për të sulmuar rivalët politikë apo të biznesit, pa ndonjë shqetësim për interesin publik.

“Nëse pranon kushtet e tyre, të ofrojnë para, mjete e njerëz – me kushtin që ata të përcaktojnë se çfarë heton ti,” tha Hoxha.

Sipas tij, interesat e pronarëve të medias rrallë përputhen me ato të publikut.

“Në shumicën e rasteve, pronarët e medias largohen nga raportimi investigativ për shkak se nuk gjejnë dot gazetarë me eksperiencë që të pranojnë kushtet e tyre,” shtoi ai.


Akuza për korrupsion:

Tregu i polarizuar i medias në Shqipëri i ka ndarë televizionet përgjatë linjave politike dhe ato që janë më pranë qeverisë shpesh shpërblehen nga buxhetet reklamuese të qeverisë.

Të dhënat e mbledhura nga Balkan Insight nga dega e thesarit të Ministrisë së Financave, tregojnë se ata shpenzuan së paku 110 milionë lekë, (780 mijë euro) mes qershorit 2012 dhe fundit të vitit 2013.

Ministria e Mbrojtjes qe reklamuesi më i madh me 82.2 milionë lekë (584 mijë euro).

Pothuajse i gjithë buxheti publik i reklamave shkoi te stacionet televizive dhe agjencive nën pronësinë apo të lidhura me Aleksandër Frangaj. Frangaj është pronar i Media 6, kompania prind e TV Klan, një nga televizionet më të mëdha në Shqipëri dhe është i lidhur ngushtë me stacionin televiziv të lajmeve 24 orëshe ABC Neës.

Një ish-armik i Berishës, Frangaj krijoi marrëdhënie shumë të ngushta me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike.

Katër fushata të mëdha reklamash të kryera nga Ministria e Mbrojtjes me vlerë 584 mijë euro shkuan te dy agjenci reklamash të lidhura me Frangajn.

Të dhënat e thesarit tregojnë se më 6 dhe 14 qershor, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, Ministria e Mbrojtjes i dha dy kontrata kompanisë Zoom Events, me vlerë 40 milionë lekë, (284 mijë euro).

Regjistri i bizneseve tregon se drejtori i Zoom Events, e cila qe themeluar më 30 janar 2013, është Eptan lohja. Lohja është menaxheri i marketingut për TV Klan dhe gjithashtu është në bordin drejtues të televizioneve Klan dhe ABC.

E njëjta ministri i dha dy kontrata të tjera me vlerë 42.7 milionë lekë (300 mijë euro), kompanisë Promo Sh.p.k, një kompani reklamash nën pronësinë e Eduart Frangaj, vëllai i Aleksandër Frangaj.

Të dhënat e thesarit tregojnë gjithashtu se ministria i shpërndau reklamat përmes kontratave direkte dhe jo përmes tenderëve të hapur, gjë që është normë në blerjen e mallrave apo shërbimeve.

Më 9 dhjetor, në një konferencë dramatike për shtyp, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli njoftoi se ajo e ka kallëzuar paraardhësin e saj Arben Imami në prokurori.

Kodheli tha se një kontroll i brendshëm ka zbuluar parregullsi të mëdha në tenderët e kryer nën drejtimin e Imamit dhe se ajo po ngrinte akuza për abuzim me pushtetin, thyerjen e rregullave të tenderimit dhe korrupsion.

“Nxis prokurorin e përgjithshëm të hetojë këto procedura që kanë sjellë abuzime të mëdha me paratë e shtetit,” tha ajo.

Imami qe Ministër i Mbrojtjes nga viti 2009 deri më 2013 në qeverinë e qendrës së djathtë të Berishës. Ai akuzohet se ka kryer shumë tenderë të jashtëligjshëm për reklama televizive për Ministrinë e Brendshme dhe nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me deri në shtatë vjet burg.

Imami i cilësoi akuzat e ngritura ndaj tij si të motivuara politikisht.

Ky është një “akt hakmarrjeje personale,” tha ai.

Kryeministri socialist Edi Rama ka “kaluar një vijë të kuqe etike dhe politike por kërcënimet e tij nuk kërcënojnë askënd, aq më pak mua,” tha Imami në një konferencë për shtyp.

Ministri e institucione të tjera shtetërore kanë qenë gjithashtu bujare me Promo Sh.p.k dhe ndaj kompanive të tjera të lidhura me Frangajn.

Promo Sh.p.k mori dy kontrata të tjera, njëra nga Qendra Kombëtare e Barnave dhe një tjetër nga Ministria e Brendshme, respektivisht 3.9 milionë lekë (27.700 euro) dhe 9.97 milionë lekë (71 mijë euro).

Media 6 mori dy kontrata nga Ministria e Bujqësisë plus një kontratë nga Ministria e Drejtësisë përgjatë dy viteve të fundit me vlerë të përbashkët 3.6 milionë lekë (26 mijë euro).

Tri kontrata më të vogla iu dhanë ABC Neës nga dy bashki të drejtuara nga Partia Demokratike dhe nga Ministria e Bujqësisë me vlerë totale 2.7 milionë lekë (19,800 euro).

Një kompani tjetër reklamash nën pronësinë e Aleksandër Frangajt, Media 66, mori një kontratë prej 1.4 milionë lekësh (10 mijë euro) nga Ministria e Drejtësisë.

Të pesë kompanitë e lidhura me Frangajn morën në total 103 milionë lekë (730 mijë euro) në reklama nga institucionet shtetërore përgjatë dy viteve.

Sa për krahasim, Top Channel, televizioni më i madh privat i Shqipërisë, mori shifrën modeste prej 1.3 milionë lekësh (9940 euro) përgjatë të njëjtës periudhë.

Të dhënat e thesarit mbi reklamat nuk përfshijnë para të shpenzuara nga kompanitë nën pronësi shtetërore, gjë që do të thotë se paratë publike të kanalizuara drejt rrjetit të kompanive të lidhur me Frangajn janë edhe më shumë se sa shumat e përmendura.

Sipas një raporti monitorimi nga Enti Rregullator i Energjisë, shpërndarësi i energjisë elektrike CEZ Shpërndarje shpenzoi 6.4 milionë lekë (45 mijë euro) në reklama televizive në vetëm një muaj në maj 2013.

Pjesa e luanit i shkoi ABC News, pasuar nga News 24, Ora News dhe UTV.


Korporatat e mëdha:

Sipas raportit vjetor të Freedom House të publikuar më 3 tetor, media shqiptare zakonisht bazohet te mbështetja financiare nga pronarët dhe nga shumë pak reklamues të mëdhenj ndërsa kultura e auto-cenzurës është krijuar për t’iu përshtatur interesave të bamirësve dhe është e gjithëpërhapur.

Nuk ka të dhëna publike mbi përmasat e tregut të reklamave në Shqipëri. Gjjithsesi, një raport i brendshëm i marrë nga Balkan Insight, përgatitur nga një agjenci reklamash, e vendos vlerën e reklamave televizive për 11 muajt e parë të 2011 në 4.2 miliardë lekë (29.8 milionë euro).

Reklama si propagandë:

Ndërsa pjesa e reklamave shtetërore në tregun e reklamave në Shqipëri është vetëm një pjesë e vogël e një tregu të dominuar nga kompanitë e mëdha të telekomunikacionit, janë këto reklama të shtetit ato që kanë shkaktuar debatet më të zjarrta. Kjo ndodhi sepse shumë prej reklamave u transmetuan në prag të zgjedhjeve dhe përmbajtja e tyre shpesh asgjë më shumë se sa reklamë për qeverinë e kohës.

Dokumente të marra nga Balkan Insight nga Ministria e Integrimit, përmes një kërkese të bazuar te liria për informim, tregon se për shembull, më 2009, ministria i dha një kontratë agjencisë së reklamave MC sh.p.k, për të promovuar “Ditën e Rinisë”, me vlerë 16.1 milionë lekë.

Shpenzimet për reklama qenë pjesë e një fondi më të madh prej 88.7 milionë lekësh (630 mijë euros), të cilat, përveç reklamave, u përdorën për të paguar aktivitetet kulturore dhe matetjalet për manifestimin.

Gjithsesi, manifestimi doli se qe një fasadë për një miting të Partisë Demokratike, kompletuar me një fjalim nga kryeministri Sali Berisha dhe një turmë mbështetësish që valëvisnin flamurin e partisë.

Përgjatë të njëjtit vit, MC sh.p.k, e cila në mënyrë ironike është akronim për Ministria e Komunikimit, prodhoi katër reklama të gjashme të sponsorizuara nga shteti.

Të dhëna nga Idramedia, një kompani kërkimi mediatike në Tiranë, tregojnë se nga janari deri në qershor 2012 pesë reklamuesit e mëdhenj – të gjitha kompani telekomunikimi – shpenzuan 18.75 milionë euro në reklama. Reklamuesi me buxhetin më të madh qe operatori celular Vodafone, e cila shpenzoi 6.3 milionë euro, pasuar nga AMC, Eagle Mobile, Albtelekom dhe Plus Communications.

Më 2011, sektori i telekomunikacionit zinte 69 për qind të reklamave në tregun e televizioneve, pasuar nga kafeja, që zinte 14 për qind.

Duke patur parasysh përmasat e kompanive të telekomunikimit si burim të ardhurash për televizionet dhe gazetat, nuk ka pothuajse fare raportim kritik në media mbi operatorët celularë.

Kur Autoriteti i Konkurrencës gjobiti dy operatorët më të mëdhenj celularë, Vodafone dhe AMC, për sjellje jokonkurruese më 2007, shumë pak media e raportuan lajmin.

Pak gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Në shtator, kur Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim të ri kundër Vodafone, e cila akuzohet për abuzim me pozicionin dominues në treg, lajmi sërish gjeti shumë pak hapësirë në media.

Në vend të kësaj, Autoriteti i Konkurrencës e gjeti veten përballë kritikave të mediave tabloide kundër hetimit.

Gjergj Erebara, gazetar i të përditshmes Shqip, thotë se pak kompani të mëdha, të cilat shërbejnë si linja e mbijetesës për televizionet dhe gazetat, dominojnë tërësisht tregun e reklamave.

“Disa nga këto kompani po bëjnë reklama thjeshtë për t’i mbyllur gojën medias… duke përdorur buxhetin e tyre të reklamave si mekanizëm presioni mbi mediat,” tha Erebara.

Sipas tij, presioni korporativ nëpër redaksi është kaq i fortë sa gazetarët pothuajse kurrë nuk merren me lajme kritike mbi biznesin e madh.

Shumë emaile të brendshme të marra nga Balkan Insight mbështesin pretendimin se kompanitë e mëdha imponojnë politikat editoriale nëpër redaksi.

Një email i dërguar më 17 maj 2012 nga një kompani marrëdhëniesh me publikun që përfaqësonte CEZ Shpërndarje, kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, i kërkoi një gazetari të mos raportojë nga një seancë parlamentare.

CEZ Shpërndarje, e cila qe nën pronësinë e grupit gjigand çek CEZ në atë kohë, humbi licencën e operimit në janar 2013 dhe është nën administrim të përkohshëm nga Enti Rregullator i Energjisë.

“Si një kompani përgjegjëse për ruajtjen e imazhit të CEZ Shpërndarje, duke marrë parasysh se ne kemi një kontratë shërbimi me gazetën tuaj në këtë drejtim dhe pa censuruar pavarësinë tuaj, ne kërkojmë që ju të mbroni imazhin e kompanisë në këtë debat,” shkruhet në email.

NJë menaxher marketingu nga kompania e fluturimeve ajrore Belle Air qe më pak diplomatik në një email të dërguar në një gazetë më 14 gusht 2013.

Një kompani ajrore shqiptare e themeluar më 2005, Belle Air shpalli falimentin më 18 nëntor dhe tashmë është nën hetim për mashtrim.

Pas një raportimi kritik në gazetë, kompania dërgoi një material për marrëdhënie publike, duke këmbëngulur që ai të publikohet si një lajm – dhe mbi të drejtën e kompanisë së marrëdhënieve publike për të përcaktuar përmbajtjen.

“Komunikata duhet të publikohet në formën e artikullit dhe jo të reklamës, si herën e fundit,” shkruhet në email. “Para se të çohet në shtypshkronjë duhet të më dërgosh mua draftin.”

Në një deklaratë për Balkan Insight, Barbora Pulpanova, një zëdhënëse për CEZ Group, tha se “nuk ka ndodhur deri tani që dikush të jetë ankuar mbi ndonjë bashkëpunim me agjencinë që ne punësuam.”

Erebara thotë se media nuk ankohet mbi këtë ndikim të pakëndshëm sepse shpesh media është e korruptuar.

“Disa media e përdorin fuqinë e tyre për të shantazhuar kompanitë për reklama,” tha ai. “Është një marrëdhënie negative e ndërsjelltë.”

Ky artikull është prodhuar me ndihmën financiare të projektit South East European Media Observatory, mbështetur nga Bashkimi Europian. Përmbajtja e këtij artikulli është nën përgjegjësinë personale të Besar Likmetës dhe nuk mundet në asnjë mënyrë të interpretohet sikur reflekton këndvështrimin e Bashkimit Europian.

imazhe shqip



*   *   *




No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!