October 13, 2013

Basha, si original



dhe jo fotokopje e Berishës



Nga Arben Manaj

  “Kur rezultati final pritet të jetë kompromisi, shpesh është gjë e matur të fillosh nga një qëndrim ekstrem”, shkruante britaniku, Xhon Mejnard Kejns (John Maynard Keynes), një nga ekonomistët më të mëdhenj dhe me influencë të shekullit të 20.
Kështu dua ta besoj se po ndodh edhe në Shqipëri për takimin e parë Rama-Basha, për të arritur kompromisin për Aktin Normativ.

Të dyja palët janë në ekstremin e pozicioneve dhe kjo është normale. Ajo që është anormale është të mos shfrytëzosh mundësitë që të ofrohen, për t’u vetëdëshmuar se e ke lexuar mirë leksionin e 23 qershorit. Dhe kjo vlen edhe për Kryeministrin edhe për kryeopozitarin.

Pa dashur të hyj në detajet apo hapësirat që ekzistojnë për kompromis për këtë ligj të nëpunësit civil, tejet i rëndësishëm, nëse do të krijosh një administratë publike që nuk ka frikë se kush vjen në pushtet, por që ka frikë nga ajo që i kërkohet çdo nëpunësi të shtetit të bëjë si profesionist në vendin e punës ku është, çështja në këtë rast, është nëse do të ulen palët, dy politikanë të rinj në moshë, për të bërë politikë, siç bëhet rëndom jashtë Shqipërisë.

Nuk do të ishte e saktë dhe e ndershme të mos vlerësoje Kryeministrin Rama për dorën e shtrirë për kompromis dhe negocim me Bashën, ashtu siç do ishte e pafalshme dhe kundërproduktive, nëse Basha do këmbëngulte në kërkesa dhe kushte ekstreme, si parakushte për negociata.

Rama do duhet vlerësuar për faktin se edhe pse ka votat për të miratuar çdo ligj dhe reformë, për të cilën është votuar, sërish kërkon, të paktën të duket dhe ofron një frymë tjetër politike; atë të bashkëpunimit me opozitën irrelvante në shifra në Parlamentin e ri.

Shto këtu edhe elementin LSI ose Ilir Meta më saktë, që po shndërrohet në një katalizator të normalitetit politik mes palëve kryesore, dhe kjo duhet përgëzuar, përbën një të dhënë, e cila do trajtuar si vlerë e shtuar për luftën politike të opozitës dhe një kanal komunikimi apo dhe rrip transmisioni në përafrimin e objektivave dhe qëllimeve politike që opozita ka ose mendon se i cenohen nga mazhoranca e cilësuar.

Nëse opozita kërkon tërheqjen e Aktit Normativ dhe qeveria kërkon anulimin e kërkesës dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ky është non-start.

Nga z.Basha, kërkohet të ushtrojë një sens më të madh realizmi politik në rrethanat postzgjedhore.

Pasi po të nisesh nga praktika e partisë së tij dhe ish-kryeministrit të tij, Berisha, sidomos në mandatin e dytë të qeverisjes, asnjëherë nuk u arrit kompromisi me opozitën e atëhershme, sot në pushtet.

Kështu u veprua edhe për çështjen e Presidentit, kur Berisha tallej, dhe në fund, bënte çfarë donte vetë dhe caktonte në çdo post kë donte ai, në fund të fundit.

Intrasigjenca e partisë së Berishës ishte spektakolare, dhe të mos harrohet se opozitën e la të bënte grevë urie në bulevard për javë të tëra për ta diskretituar dhe nuk lëvizte nga istikami, pasi tundte kartën e ligjshmërisë së vendit dhe shfrytëzonte kartonët në Parlament, si shprehje e respektit ndaj sovranit, kartonë që nuk ofronin komoditetin që i ofron sot Ramës konfiguracioni i Parlamentit shqiptar.

Sakaq, Rama, besoj se nuk dëshiron të bëjë të njëjtën lojë siç bënte Berisha me Ramën dikur. Megjithatë, koha do ta tregojë.

Momenti politik, dhe prag-statusi, që duket më i garantuar se kurrë, do të duhet të shërbejë si një shtysë për normalitet demokratik në vend dhe hedhjen e shinave për bashkëpunime të mëtejshme politike për reformat e mëdha për të cilat ka nevojë vendi dhe për të cilat opozita me të drejtë është shprehur publikisht se është e gatshme të kontribuojë.

Një element tjetër është edhe mungesa e vëmendjes dhe durimit ndërkombëtar, për të ndërmjetësuar në ushtrime të thjeshta matematikore të demokracisë shqiptare.

Shanset për kompromis sot në politikën shqiptare janë më të mëdha se kurrë, ndërkohë që nevoja për t’i ikur neodiktaturës së shumicës parlamentare është një imperativ, që duhet inkurajuar dhe ruajtur me fanatizëm.

Përvoja shqiptare e bashkëpunimit dhe kompromiseve politike mes shumicës dhe pakicës është e brishtë dhe e pakonsoliduar, shprehje e infantilitetit demokratik.

Oferta për t’u ulur dhe gjetur “të mesmen e artë”, për këtë ligj dhe shumë reforma në vend, jo vetëm nuk duhet shpërdoruar, por duhet mbërthyer si një mundësi për ta “bërë rrugë poshtë mustaqeve” të politikës shqiptare.

Disa javë më parë dy vende armike, Amerika dhe Irani dhe presidentët e tyre Obama dhe Rouhani folën me njëri-tjetrin dhe po punojnë për kompromis, e jo më Rama dhe Basha.

Nëse Obama do të paragjykonte Rouhanin, si fotokopje, nisur nga Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, nuk do ishim sot në këtë pozicion.


Është koha që Rama dhe Basha të tregojnë së janë origjinalë në politikë dhe jo fotokopje të Berishës, në pozicionet e reja respektive.

October 11, 2013

Tifozi i Kombëtares

"Me sy të enjtur, me një vizë të dukshme poshtë tyre në krahun e djathtë, në gjendje të rënduar shëndetësore, ku dukej se mezi qëndronte edhe ulur, Nishani e çoi deri në fund porosinë e liderit të tij shpirtëror; Nuk e lejoi Sokol Çomon të bëhej pjesë e KLD-së edhe pse parlamenti e votoi me shumicë votash. Argument juridik nuk kishte(megjithëse ka dy këshilltarë legalë, Ilia Jolldashi dhe Shaqir Hasanaj), por vetëm mendime personale të gjyqtarëve të partisë që iku nga pushteti. Ky skandal nuk kaloi pa u vënë re dhe ka bërë bujë. Ish pushteti, që nuk la gjë pa i vjedhur arkës, po kërkon të vendosë edhe terrorin për të treguar se është ende i fuqishëm."



Si kundërpërgjigje e menjëhershme nga presidenca (konkretisht nga këshilltari kulturor - 81 vjeçari “4ever Young”, zoti Amik Kasoruho) na vjen në redaksi një foto-fakt:

Presidenti Bujar Nishani është në gjendje të shkëlqyer psiqike dhe shëndetësore. Ai ka veshur uniformën e Kombëtares dhe është drejtuar shkallëve të stadiumit  “Qemal Stafa”, me hap dhe këngë rreshtore “Oh Sa mir me ken shqiptar, o hej, o hej”.

Siç na konfirmon edhe këshilltari i tij politik, shkëlqesia e tij Princ Leka II Zogu, zoti president do të ndjekë nga afër për 90 minuta rresht, ndeshjen e futbollit Shqipëri – Zvicër.


Forca çunat e Kombëtares, Jari osht me JU!



*  *  *





October 9, 2013

Ansambli Çiftelia


Ansambli “Çiftelia”


Shënime nga Ditari i Doktorit: 

Hakmarrje ndaj ansamblit “Çiftelia”

Kjo që ka ndodhur sot është një ditë e zezë për policinë shqiptare. Që nga koha e Ismail Qemalit deri më sot, nuk ka ndodhur që brenda një dite të ndryshojnë 80 drejtorë në Policinë e Shtetit dhe të shkatërrohen struktura që janë ngritur me mund dhe djersë këto tetë vite.

Por ajo që më shqetësoi më shumë, ishte një qëndrim i qëllimshëm krahinor me tendencë të qartë tribale ndaj drejtuesve kryesorë të policisë.

Motra dhe vëllezër! Ata nuk u shkarkuan se ishin policë të paaftë. Ata u shkarkuan se dolën në fotografi me një çifteli. Ky është një turp i madh që duhet denoncuar deri në fund.

I shqetësuar thellë për këto reprezalje, thirra në zyrë Zenin të ishte pranë meje në këtë ditë të vështirë për të.

-Sa ka shkuar numri, i thashë.

-80 vetë, tha.

-Sa ishin tanët nga këta?

-Më shumë se gjysma, tha.

-Kush janë këta që po emërohen, e pyeta.

-Kanë marrë në punë atë që të arrestoi ty, më tha. Me sa duket duan të të arrestojnë prapë.

-Niko Brahimin?

-Po, tha i dëshpëruar.

-Ky është skandal, i thashë. D.m.th këta nuk kanë bërë reformë, por ndryshime simbolike. Duan të na tregojnë se kush i bie çiftelisë, nuk punon më në polici, dhe kush më ka arrestuar mua, ribëhet prapë drejtor. Nuk do t’i lejoj kurrë ta gëzojnë këtë pushtet. U thuaj njerëzve tanë të qëndrojnë. Nuk e kanë të gjatë.

-U thashë, më tha i mërzitur. Na leni në hallin tonë, më thanë, se na morët më qafë. Janë të mërzitur…

-Ashtu, mirë. Dakord… Thuaju… Mirë, shiko, ashtu ë…? Mirë, thuaju ne do fitojmë përsëri…

-U thashë, por as që duan ta dëgjojnë. Kanë hallet e tyre, është e kuptueshme.

Atëherë vendosa të marr në telefon Stefan Fylen. I thashë që statusi i Shqipërisë rrezikohet në muajin dhjetor, pasi qeveria e krimit dhe drogës ka emëruar drejtor policie një njeri, i cili e ka zakon të më arrestojë mua më 28 Nëntor. Kjo është e sigurt që do të ndodhë se ky person është punësuar vetëm për këtë punë. Nëse kjo ndodh, dihet që statusi i Shqipërisë nuk do të jepet dhe ky është një atentat i madh ndaj vendit tonë.

Më dëgjoi me qetësi dhe tha se kushtet për marrjen e statusit janë 12 ligjet që janë miratuar, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor. Çdo hap në këtë drejtim, e afron Shqipërinë me BE.

Ky njeri duket që është nën ndikimin e Edi Ramës. Bile më provokator se ai. Ia mbylla telefonin pa pritur përgjigje më të qartë se aq.

Të dashur motra dhe vëllezër. Këta duan të hakmerren pse policia i ka përgjuar, pse i ka përndjekur, pse nuk i ka lënë të bëjnë greva dhe protesta, pse u ka përgjuar telefonat, pse u ka arrestuar të afërm… Por unë nuk do t’i lejoj kurrë të triumfojnë. Kjo do na bashkojë më shumë me njëri- tjetrin. Përpara!








October 4, 2013

Nacionalisti



DOKUMENTI i vitit 1992:

 Pjetër Arbnori i kërkonte Berishës që të ekstradonte 

Janullatosin nga Shqipëria

Një dokument i 26 dhjetorit 1992, përgatitur nga Kuvendi Popullor dhe që mban firmën e ish- kryetarit Pjetër Arbnori, i dërgohej Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha, duke i kërkuar ekstradimin e Anastas Janullatosit.

Dokumenti është publikuar nga gazeta Dita.

Në fillim të dokumentit theksohet se ishte ish- Presidenti Ramiz Alia që e ftoi Anastas Janullatosin që të vinte në Shqipëri.

Në një bisedë me At Artur Liolin, Ramiz Alia i thotë se ka për qëllim që të ftojë Janullatosin në Shqipëri, pasi ka katër muaj që pret për vizë.

Liolin i thotë që i duhen vendosur disa kushte Janullatosit.

Por pas ardhjes së Janullatos në Shqipëri, Ramiz Alia nuk e zbatoi marrëveshjen me At Artur Liolinin, madje as nuk e ftoi më Liolinin për takim.

Janullatos ngriti menjëherë një Këshill të Përgjithshëm të Kishës Ortodokse Autoqefale, thuhet në raportin e Arbnorit.

“Si sekretar u zgjodh Aleko Dhima, një person që për shumë vjet militoi në radhët e PPSH,” shkruhet në raport.

Raporti thekson faktin që Janullatos nuk ka reaguar ndaj operacioneve fshesa që po bëheshin në atë kohë ndaj emigrantëve në Shqipëri.

“Nuk kaloi shumë kohë dhe çdo gjë nisi që të qartësohej. Në fillim skenari filloi me ndërrimin e fesë dhe të emrave të refugjatëve shqiptarë me atë të forcës dhe presionit, pastaj me lëvizjen antishqiptare në Greqi. Si gjithmonë udhëheqësi dhe flamurtari i Vorio-Epirit ishte Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, i cili së bashku me qarqet shoviniste nisi një fushatë të egër spastrimi, e cila u quajt “Operacioni Fshesa”,” thuhet në raport.

Janullatos akuzohet edhe se nuk ka bërë gjë për kishat në Shqipëri.

“Deri tani akoma nuk ka përfunduar restaurimi i Kishës Katedrale në Tiranë dhe është ngritur një kishë e vogël me parafabrikate në Fier, kurse në Korçë ka 7 muaj që një kishë ka mbetur tek guri i parë i themelit”.

Në raport theksohet se Janullatos ka kërkuar që të bëhet kryepeshkop, në kundërshtim me Kanunet e Shenjta dhe Statutin e KOASH.

Në raport kritikohet edhe qeveria shqiptare.

“Është e udhës që të kritikohet edhe veprimtaria e mefshtë e qeverisë së sotme shqiptare. Shumë gjëra ndodhin nën hundën e saj”.

Konkluzionet e raportit janë si më poshtë.

“Së pari, Janullatos nuk mund të jetë kurrsesi kryepeshkopi i Shqipërisë dhe udhëheqës shpirtëror i një populli besimtar, të cilin ai e ndau në dysh.

Së dyti, ai s’mund të jetë i tillë sepse nuk është kanonikisht i rregullt.

Së treti, ai nuk mund të jetë i tillë sepse puna e tij ka qenë në dëm të interesave fetare dhe kombëtare.

Së katërti, është marrë nëpër këmbë gjaku dhe puna e martirëve të rënë për këtë kauzë si dhe respekti dhe dinjiteti i popullit shqiptar.

Dhe së pesti, kurrë s’është e mundur që një i huaj të dojë më shumë se vendin e tij prej nga vjen, një vend tjetër”.

Raporti i dërgohet Berishës, që gjithmonë citohet si “Presidenti ynë i nderuar”.

Por Berisha nuk ndryshoi mendje nga ky raport.

Ndoshta edhe për faktin që e përmend vetë raporti.

“Emri juaj Presidenti ynë i nderuar përmendet në të gjithë qarkoret dhe deklaratat e Kishës për dhënien e lejes për fronëzimin”, thuhet në raport, kurse naivi Arbnori mendonte se emri i Berishës po keqpërdorej./ep


October 2, 2013

Përpara,



Përpara,

O burra se na shpëtoi 

Shurra!



P.S. Burime të sigurta brenda PD na njoftojnë se Deputeti “Rradha 3 Karrikja 7” ka filluar të urinojë shpesh dhe në mënyrë të pavullnetshme, nganjëherë edhe në mes të mbledhjeve të grupit parlamentar. 

Shkencëtarët demokratë me ndihmën e Podesta Group, janë hedhur në kërkim të një lloji special pampersash të tipit Anti-Berisha.

WC Sali


WC Sali Victory


September 30, 2013

Agimi i Artë


KY ISHTE AGIMI 

PREJ 

FLORIRI?!


*   *   *


Tërmet në Greqi, 

arrestohet lideri i Agimit të Artë

Policia greke ka arrestuar liderin dhe zëdhënësin e partisë së ekstremit të djathtë, Agimi i Artë.
                                                            
Akuza është ajo e krijimit të një organizate kriminale.

Policia thotë se ka urdhra arresti edhe për të tjerë anëtarë dhe deputetë të kësaj partie.

Sipas Reuters, policia po heton lidhjet e kësaj partie me vrasjen e një këngëtari anti- fashist nga një mbështetës i Agimit të Artë.

Vrasja e Pavlos Fissas më 17 shtator provokoi protesta të dhunshme në Athinë.

Dy të arrestuarit janë Nikolaos Mihaloliakos dhe zëdhënësi Ilias Kasidiaris, bëri të ditur policia.

Agimi i Artë është partia e tretë më popullore në Greqi, sipas sondazheve më të fundit. Ajo ka mohuar lidhjet me vrasjen e këngëtarit dhe ka paralajmëruar se do të tërheqë 18 deputetët nga Kuvendi nëse vazhdon ky sulm ndaj tyre./ep






September 29, 2013

Berisha me Bashën,

janë dy kriminelë...


Lul Berisha


Nga Arben Duka

Të më thotë Saliu,
se unë nuk e di:
"Si ndihet njeriu,
kur vret një njeri?!."

Më thuaj njëçikë,
plumbat si i qite,
se në këtë pikë,
ti je plot kredite?!

Ti je plot kredite,
kampion i vërtetë,
se brënda një dite,
more katër jetë.

Janarin e ngjeve,
ti me vello zie,
për vete e ktheve,
në ditë krenarie.

Shikoje me sy,
popullin e vrarë,
dhe garda nga ty,
urdhër kishte marrë.

Pas perdes shikoje,
tamam si një bishë,
si të tuat roje,
qëllonin në mish!

Qëllonin në mish,
njerëz të pa mbrojtur,
dhe ti-o Berishë,
s'ishe një i lojtur.

Po një kriminel,
me gjakftohtësi,
ne kështu na del,
more ditëzi!

Ti ishe-o flamë,
kapak' i tenxheres,
ne të gjithë të pamë,
fshehur pas penxheres.

I pe mirë dhe ike,
kur ranë katër vetë,
dhe pastaj na shpike,
stilot pistoletë!

The e ç'nuku the,
për ne atë ditë,
dhe shpërblim i dhe,
çetës me banditë!

Ne mirë na kujtohen,
lehjet si zagari,
ndaj nuk na harrohen,
ato ditë Janari.

S'e harron për jetë,
këtu Shqipëria,
popullin e vet,
vrau qeveria!

Ashtu si pa dashur,
nga pakujdesia,
zullumin ka trashur,
palo drejtësia!

Po të gjithë e panë.
këtu o mallkim,
të katër u vranë,
me Paramendim!

Me Paramendim,
dhe gjakftohtësi,
ndaj dhe Çdo Vendim,
është një poshtërsi.

Nuk ka tjetër emër,
ti je dollibashi,
por të ka dhënë zëmër,
atë ditë Lulashi.

Lulashi që njohim,
ministrin bufon,
që sot po e shohim,
si na bilbilon!

Si po ndez stuhinë,
si po sjell rrebesh,
ky që me Salinë,
njerëz vranë në shesh!

Ky që bilbilon,
tok me babën Salë,
dhe dot nuk duron,
nga Rama një fjalë!!!

Ti ore kokosh,
që solle mandatën,
nuk ke gojë të mbrosh,
sot administratën.

Do administrata,
avokat vërtetë,
po jo ty me Salën,
që vratë katër vetë.

Jo ti o Lulash,
me babën Sali,
këtë unë e quaj,
një moral të zi.

Nga punët ca njerëz,
dhe mund të largohen,
po këto me vrasjet,
kurrë s’krahasohen!

Kam thënë dhe më parë,
diku për Lulushin,
që don t’i fërkojnë,
edhe bibilushin!

Ndaj dhe po më duket,
karabush vërtetë,
se askush për krimet,
s’ka imunitet.

Edhe po të jesh,
Njësh’ i opozitës,
S’ka-se vrau njerëz,
m’u në mes të ditës.

Me mostrat si ju,
groshi na ka pjellë,
nga “qëndresa” blu,
na vjen për të vjellë.

E shihni si rreket,
kopja e Saliut,
që tani mos preket,
e drejtë e njeriut!

Si kali balash,
ditë për ditë na del,
po ti o Lulash,
je një kriminel!

Kështu je Luladhe,
për hir të vërtetës,
se është me e madhe,
e drejta e jetës.

Je jashtë loje krejtë,
kot që bën si gorre,
sepse kjo e drejtë,
është themelore.

E dimë se ç’ka ngjarë,
kur revolta plasi,
kush njerëz ka vrarë,
s’ka të drejtë të flasi.

Ç’vendos sot gjykata,
nuk ka vlerë aspak,
se ju o mandata,
kini derdhur gjak.

E drejta do kthejë,
pa u tharë loti,
dhe haka do vejë,
shumë shpejt tek i zoti.

Krimi edhe ju,
në qeli do ngryset,
dhe sikur këtu,
bota të përmbyset!

Prej krimit dhe mundit,
lodhet njerëzia,
po në fund të fundit,
fiton drejtësia.

Sot akoma jini,
në një histeri,
po vendin e kini,
vetëm në qeli.

Kur çdo krim vërtetë,
të kaloi në zigj,
SHTETI DO JETË SHTET,

LIGJI DO JETË LIGJ! 


*   *   *