February 8, 2014

Elegji për "ngjyrat" e kohës bardhezi


Nuk ka vdekur Vaçe Zela



Nga Edi Rama

Eshtë shuar diçka brenda gjithkujt që e njohu nga afër apo e dëgjoi nga larg.

Kjo është vdekja që e bën lajmin për ikjen e Vaçes nga kjo botë, posaçërisht të veçantë për secilin prej nesh;

Një dhimbje që përçohet në trajtën e një humbjeje të përbashkët edhe tek më të rinjtë që deri dje, s'kishin dëgjuar asgjë për të dhe prej 48 orësh lënë shënimin e tyre në rrjetet sociale.

Kur këndonte Vaçe Zela bota ishte bardhezi.

Edhe ekrani ishte bardhezi.

Dhe i vetmi rrjet që lidhte figurën e zërin e saj me këtë vend, ishte rrjeti i një propagande bardhezi.

 imazhe shqip
Këngëtarët visheshin njësoj, kreheshin njësoj, rrinin njësoj para mikrofonit, thuajse gatitu, dhe i'a linin radhën njëri-tjetrit, me hyrje-dalje ku hapat dukeshin thuajse njësoj, nën duartrokitje që ngjanin thuajse njësoj, edhe për koncerte edhe për kongrese.

Lajmi për ikjen e Vaçe Zelës më çoi pas në atë botë, në kuzhinën e vogël ku pak më larg tryezës së bukës, në këndin e ngushtë mes dritares dhe dollapit të bardhë që mbulonte faqen e murit, qëndronte televizori "Iliria", dhe ne, familja e ulur rreth tryezës gjithnjë njësoj, në të njëjtat vende, me sytë kthyer nga televizori, ndiqnim Festivalin e Këngës në Radiotelevizion, që çdo vit dukej i njëjti festival që përsëritej; me pushkën, kazmën dhe çelësin sol që vit pas viti, ndërronin vend e madhësi në sfond, siç ndërrojnë vend gjymtyrët për të mos ngrirë për fare; me orkestrën që dukej sikur s'kishte lëvizur vendi qysh nga viti i mëparshëm; me këngët që tingëllonin si pjesë e një kënge të vetme, të gjatë pa mbarim, pa ndalim, pa ndryshim.

Një herë, dy herë, tre herë, shtatë herë, herë të tjera akoma, në gjatësinë e një fëmijërie shumë më të gjatë se sa ç'është fëmijëria sot, e ndoqa edhe unë si thuajse të gjithë njësoj, të gjithë atë ritual të paimagjinueshëm për fëmijët e sotëm të facebook-ut. E ndoqa duke pritur çdo vit e më shumë para ekranit të atij festivali, vetëm për ato pak minuta mes orësh të tëra të ndara midis tre netëve, kur në skenë hynte Vaçe Zela. Me flokët e derdhur jashtë normës së ngurtë të kohës, portretin e pangjashëm me asgjë e me askënd, buzëqeshjen që mbulonte ekranin me një rrezatim misterioz, dhe shikimin xixëllues që paralajmëronte diçka tjetër, diçka ndryshe, diçka që pa e rrëzuar normën, pa e këputur këngën e vetme të realizmit socialist, e elektrizonte ajrin e kuzhinës sonë.

Ishte një zë që në një kohë tjetër, e në një vend tjetër, në të tjera skena, me të tjera tekste e të tjera melodi, do kishte elektrizuar qiellin e botës, por në atë kohë e mbi atë skenë, s'mund të bënte më shumë se sa të ndizte një yll magjepsës në qiellin tonë të kyçur brenda nesh.
Vaçe Zela iku nga mesi ynë kur ra perandoria e bardhezisë, dhe e la kyçur zërin e saj këtu, në rrethin e kujtesës sonë bardhezi, pa u kthyer kurrë me hapat e saj në skenën e re të jetës sonë, për të na kërkuar shpërblim, ndere a vëmendje, për minutat e paçmueshme që na bëri të jetojmë, dhe pas kaq shumë vitesh na dërgoi befas, thjesht lajmin e vdekjes, mu si kartolinë të një dashurie të pathënë dot kurrë deri në fund.

Nuk ka vdekur Vaçe Zela.

Ajo vetëm ka ikur për fare nga kjo botë, pasi kohë më parë iku nga ky vend.

Eshtë shuar thellë brenda nesh një yll magjepsës, të cilin askush që nuk e pa të ndizej në skenat e në kuzhinat e vjetra të Shqipërisë, nuk do të jetë asnjëherë dot në gjendje t'ia ndjejë magjinë përmes ekranit e altoparlantëve të botës së sotme.

Për të gjithë ata që e ndajnë me mua këtë përjetim, dua t'i them sot Vaçe Zelës faleminderit që ekzistove për secilin prej nesh, atëherë kur ekzistenca jonë ishte thuajse e ngrirë, mu si një këngëtar festivali, dhe kur zëri yt na tregonte fshehur pas tekstesh e melodish të zakonshme, mrekullinë e jashtëzakonshme të të jetuarit të kësaj bote.

Më ka qëlluar ta pyes veten si do ta këndonte Vaçja, sikur të ishte më me fat, këngën "I will always love you".

Asnjëherë s'do ta dimë.

Di vetëm që në këto orë lamtumire, të gjithë ata që e njohën nga afër apo e dëgjuan nga larg, i thonë Vaçe Zelës, 

"I will always love you".

U prehsh në paqe yll i shuar, ne do të të duam gjithmonë.



*   *   *











LETËR E HAPUR: Kujdes gjysh,



WC-ja është “djathtas”


Ka kohë që lehjet dëshpëruese të Kryetarit real të PD-së ecin në një rrugë të errët. Kjo rrugë, fundin e saj e ka në greminën e kaosit civil, i cili mbetet mundësia e vetme për mos ndëshkimin e tij ligjor. Kur Roberspieri u shpëtua përkohësisht nga arrestimi i kundërshtarëve të vet, disa jakobinas e këshilluan që t’i bënte thirrje popullit kundër rrezikut që i kanosej Republikës, por ai duke e ditur se çfarë kishte bërë gjatë qeverisjes se vet gjakatare u tha atyre: “Në emër të kujt ta nënshkruaj këtë thirrje?”. Avokati nga Arrasi e kuptoi se fundi i tij tragjik ishte i pashmangshëm, ndërsa Doktori nga Tropoja akoma ngushëllon veten me ëndrrën e riciklimit.

Sali Berisha mbetet i vetmi rast në histori kur amerikanët sfiduan vetvehten e tyre duke e ricikluar Berishën në pushtet pas asaj që ndodhi në 97, por ajo ishte një sfidë e detyruar. Ata që hodhën poshtë Les Valesen, braktisën Pinoçetin e Suharton u detyruan ta pranonin riardhjen e Berishës në pushtet. Çdo gjë ndryshon në proporcion me kohën. Kanë ardhur kohët që politika shqiptare të çlirohet nga ankthet mbytëse të së kaluarës së saj. PS-ja dalëngadalë po i nënshtrohet suksesshëm këtij procesi ndryshimi, ndërsa PD-ja është ende larg, shumë larg, përderisa brenda saj vazhdon të sundoje fantazma imperiale e Sali Berishës. Ai bën thirrje për të përmbysur Ramën, duke spekulluar me disnivelet e pashmangshme që sjell periudha tranzitive e ndërrimit të pushteteve, duke kapërcyer kështu dhe kufijtë moralë të një ndjesie reflektimi që duhet t’i sillte largimi poshtërues nga pushteti i një vote mbarëshqiptare.

 imazhe shqip
Shtylla vertebrale e PD-së ishin të persekutuarit politikë; ish-të burgosur politikë, që mbetën serish të burgosur në brengat e hallet e tyre të pazgjidhura; si dhe ish-pronarët, të cilët mbetën sërish ish-pronarë nga qeverisjet e derisotme që e kanë futur vendin në kolaps ekonomik e civil me pasoja shkatërruese për të ardhmen. Gjithë shqiptarët sot dergjen mbi shtresën vullkanike të një konflikti të pashmangshëm për çështjet e pronësisë, i cili një ditë mund e do të shpërthejë tragjikisht nëse nuk do ndërhyhet me përgjegjësi të lartë politike. Sot shqiptarët janë populli që flenë më pak gjumë në kontinentin Europian, se më shumë se gjysmës së tyre iu janë grabitur pronat, por edhe përfitues-grabitësit s’mund ta bëjnë të qetë gjumin e tyre.


Dhe pikërisht Berisha… Berisha bën thirrje për kryengritje…! Në emër të kujt? U bën thirrje të burgosurve politikë, atyre që i dogji dhe i poqi me urrejtjen e vet të trashëguar. Unë kam qenë pjesëmarrës i të gjitha grevave të urisë që kanë bërë të burgosurit politikë për çështjen e tyre të drejtë. Isha edhe kur Berisha bëri thirrje për të mbrojtur plepuristat në 1998-ën, por PS-ja e asaj kohe në pushtet, u tregua shumë dinjitoze në trajtimin e asaj greve duke u plotësuar kërkesat duke mos shpifur e fyer grevë-bërësit siç bëri Berisha në grevën e fundit Shtator-Tetor 2012. Ai angazhoi falangat perverse të spiunëve që aktualisht i ka akoma, përderisa nuk u janë hapur dosjet si langonjtë e vet besnikë.

Sali Berisha, unë jam nga Vlora dhe duhet ta dish se diferencat karakteriale të burgosurve politikë të Vlorës, gjatë gjithë kohëve që ekzistuan në burgjet politike në Shqipëri, me ata të nahisë tënde ndryshojnë shumë. Në qoftë se nuk e di, mund të pyesësh. Mos vallë larot e tu më ngatërronin kur unë isha në grevë me emrin me ndonjë pjesëtari të asaj greve që ishte i nahisë tënde?

Unë po të shkruaj sepse dua të të them diçka fare hapur këtu në gazetë: Ti Sali Berisha, je një tranvestit politik që e ndërrove orientimin tënd në kujdesjen e një kirurgu satanik si Ramiz Alia. Shndërrimi yt ndodhi në pavionin ogurzi të Komitetit Qendror për të ardhur në krye të së djathtës shqiptare; më saktë për ta shkatërruar atë. Misioni yt ka mbaruar dhe ti bashkë me të. Mjerë ata që akoma s’e kanë kuptuar.

Sot që ti po lëngon në errësirën e egocentrizmit tënd të shfrenuar, kapluar gjithandej nga ethet e obsesionit të vetëm që ke, pushtet me çdo kusht e çdo mjet, bën thirrje për protesta e kryengritje…!

Po të pyes prapë: Në emër të kujt? Në emër të atyre që u rrëmbeve pronën dhe jetën, në emër te atyre që baltose e gënjeve për vite me rradhë? Ti sot je kthyer në një kufomë politike në dekompozim e sipër, që me kutërbimin tënd po ndot jo vetëm ajrin e zyrave të PD-së, por edhe të gjithë shoqërinë shqiptare. Atrofizimi politik i PD-së, për aq kohë sa ajo do të jetë domen i yti, nuk do të ndalet kurrë. Mjerë PD-ja me ty, lum PD-ja pa ty!

Zoti Rama! Krokodili Berisha noton dhe gjuan në ujërat e turbullta të politikes shqiptare vetëm nga moshapja e dosjeve. Vetëm dosjet janë prangat e trashëguara nga komunizmi. Ai i përdor me shumë sukses për të mbajtur rreth vetes, për të ushtruar pushtet edhe kur nuk është ën pushtet. Po u hapën dosjet, Berisha do të mbetet komandant pa ushtar, se të parët do të largohen Jozefinka Avdalli dhe Edush Halimi, i cili kur unë isha në greve, do të deklaronte se kisha privatizuar gjysmën e Sarandës, kur unë aktualisht edhe sot jam pa shtëpi dhe jetoj me qira. Kur këputen zinxhirët, langot e harrojnë të zotin e tyre.

Zoti Rama! Këputi zinxhirët dhe prangat e dosjeve. Bëje këtë që Shqipëria të hyjë në normalitetin e saj aq të nevojshëm për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Bëje të lirë Shqipërinë dhe shqiptarët nga brengat e së kaluarës komuniste për të mbetur gjithmonë njeriu i ndryshimit të madh. Bëje që të bëhesh i tillë.

Kur të hapen dosjet, lukunia e langove që sot trimërohen e kapërdisen nëpër gazeta e televizione, do të tulaten njëherë e përgjithmonë, por edhe atyre do t’u bëhet mirë se do të shpëtojnë njëherë e mirë nga qehajaji i tyre i pashpirt dhe keqpërdoruesi Berisha. Ai do të mbetet përgjithmonë siç deklaroi Dostojevski për Bjelinskin kur u inaugurua monumenti i Pushkinit në Moskë, “fenomeni më i qelbur i jetës intelektuale ruse”, ndërsa Berisha do të mbetet dukuria më e shëmtuar politike e periudhës poskomuniste në Shqipëri.

Kur Napoloni u kthye nga Rusia i mundur dhe pa armatën e tij të madhe, Hygoi do të shkruante për të: “S’kish më Napoleon, kish mbetur Bonaparti si një romak i goditur nga shigjeta e një parti”. Kështu po ndodh dhe në Shqipërinë e sotme me Berishën:

                    Berisha ka vdekur

                    Gjallë është veç Saliu,

                    Si një lluc e mbetur

                    Që pret ta lajë shiu.

Tani lamtumirë podiume, lamtumirë mitingje ku çirrej pa reshtur komunisti i veshur me mantelin e demokracisë të vjedhur tinëz në altarin e ëndrrave tona, sipas skenarit katovician. Hape rrugën o gjysh, të kalojnë të tjerët. Dhe kujdes, se duke qenë i prostatëzuar mendërisht e fizikisht, mos harro se WC-ja është “djathtas dhe vetëm djathtas”, nga ajo e “djathtë” që e ideoi dhe projektoi, babai yt shpirtëror Ramiz Alia! Dhe një herë o gjysh kujdes: “WC-ja” është “djathtas”!


Fatmir Lamaj është një ndër ish-të burgosurit politikë më të njohur në vend. Ai është nga Vlora dhe pjesëmarrës në të gjitha grevat e urisë që kanë zhvilluar ish-të burgosurit politikë, përfshirë grevën e fundit që përfundoi tragjikisht. Kjo letër e hapur e dërguar prej z.Lamaj në DITA është opinioni i tij për atë që po ndodh në PD, por edhe një apel për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit.




*  *  *







Fatmir Lamaj vs. Sali Berisha dhe…

Robert Mugabe

Nga Eduard Zaloshnja*

Kur bebeja Sali i Berishajve lëshoi klithmën e parë në këtë botë, atje në Vuçidol, dy gjyshërit e Fatmir Lamajt po luftonin dhëmbë për dhëmbë me forcat komuniste në Labëri. Ndërkohë, babai i bebes Sali mirëpriste ardhjen e komunistëve në pushtet dhe, eventualisht, e dërgoi të djaloshin Sali me një valixhe druri në Tiranë, për të filluar ngjitjen meteorike në karrierën mjekësore dhe në aktivitetin politik në radhët e Partisë së Punës.

Fatmir Lamaj me familjarë të tij
(Greva e Urisë Tiranë  - tetor 2009)

Kur Sali Berisha voziste me varkë në Drilon të Pogradecit me të birin e Enver Hoxhës, dy gjyshërit e Fatmir Lamajt kishin vite që u ishin kalbur eshtrat, pas pushkatimit dhe, ndërkohë, rreth 100 vjet burg politik ishin akumuluar në fisin Lamaj.

Kur Sali Berisha dëshmonte në gjyqin kundër heroit anti-komunist Hysen Shoshori, Fatmir Lamaj u arrestua, për t’i shtuar edhe një dekadë tjetër shekullit të burgut politik të akumuluar nga fisi i tij. Dhe kur Sali Berisha kujdesej për shëndetin e Hysni Kapos, Fatmir Lamaj torturohej në birucat e burgut politik.

Në vitin 1991, rrugët e jetës së Saliut dhe Fatmirit u takuan në Vlorë. Saliu, pasi ishte larguar nga PPSH, kishte dalë në krye të Partisë Demokratike dhe, gjatë fushatës zgjedhore të atij viti, e takoi Fatmirin e sapoliruar nga burgu. Që prej atij viti e deri në 2009-ën, Fatmiri votoi rregullisht për Partinë Demokratike, sepse, nga shtrëngimi i dorës që kishte bërë me ish-komunistin Berisha, kishte krijuar një bindje të brendshme se ishte penduar sinqerisht për militimin në partinë që i kishte shkatërruar jetën atij dhe gjithë fisit të tij.

Madje, në vitin 2004, një fotografi e madhe e Fatmirit të përgjakur gjatë një protestë kundër qeverisë Nano, ishte përbri një editoriali të Sali Berishës në gazetën Rilindja Demokratike, ku ky i fundit argumentonte se përse duhej bërë “një dëmshpërblim i menjëhershëm dhe i plotë i martirëve si Fatmir Lamaj”.

Thyerja e Fatmirit me Saliun ndodhi pas zgjedhjeve të 2009-ës, kur sorrollatjet për të marrë këstet e dëmshpërblimit të premtuar nga Saliu para zgjedhjeve, e bindën më së fundi se atij i interesonte vetëm vota e të burgosurve politikë dhe jo dëmshpërblimi dinjitoz i tyre. Dhe kur mori vesh se bashkëvuajtësit e tij ishin futur në grevë urie në Tiranë, Fatmiri hipi në një furgon dhe shkoi e u ngujua edhe ai me ta.

Dhe ironia nuk mbaron me kaq. Në ditën kur Fatmiri u deklaroi mjekëve se do të vetëflijohej, Saliu u deklaroi deputetëve të tij, me rastin e datëlindjes së vet, se do të jetonte dhe qeveriste edhe 34 vjet të tjera…

Dhe kjo deklaratë e Saliut na çon 10 mijë kilometra në jug të Shqipërisë, ku 88-vjeçari i rrjedhur nga trutë Mugabe po garon për t’u rizgjedhur për të n-tën herë president i Zimbabves…
 imazhe shqip


*Botuar në Dita me16 tetor 2012


*   *   *



http://imazheshqip.blogspot.com/2012/11/lirak-bejko-pishtar-i-demokracise.html










January 31, 2014

Numri 2 i PD

<img src="Lul Basha dhe Grida Duma.jpeg" alt="Lulzim Basha dhe Grida Duma, Numri 2 i PD?!!" />

Ylyly
E Trylyly
Kishim nji Lule

Na u bon Dy!



Grigja kërkon ndjesë për kandidimin me kokë të vet, 
para Kunatit

Edhe pse Kunati e pati lajmëruar që të mos vinte kandidaturën për numrin 2 të partisë, Grigja nuk e dëgjoi. Pasi lajmi u bë publik, Doktori thirri Lulin, Luli thirri Kunatin dhe nxitimi i Grigjës u kritikua rëndë.

Pozitën më të vështirë në këtë rast e kishte Kunati, i cili do t’ia komunikonte Grigjës. Lexonte dhe rilexonte deklaratën e Grigjës:
“Pres të jem ndër figurat përfaqësuese të Partisë Demokratike. Nuk kam pritshmëri të numrit dy, tre apo katër, por shpresoj shumë që ajo që përfaqësoj si unitet brenda atij grupimi të pasqyrohet edhe në rolin që do marr aty. Pra, një lloj përfaqësimi mediatik timin, së paku të jetë ky lloj harmonizimi. Por nga ana tjetër nuk do doja që asgjë të lexohet si me tepri. Nëse për militantët e Partisë Demokratike posti numër 2 duhet të ishte një lexim nderi, nuk do më shqetësonte të vazhdoja të jepja kontributin”.

E lexonte dhe nuk kuptonte gjë.

Mori sërish Lulin në telefon.

-Kjo deklarata është e paqartë, tha. Si e keni kuptuar ju që ka kërkuar të jetë numri 2?

-Nuk është atje puna, por Doktori ka thënë që renditjet janë kompetenca e imja, jo e të tjerëve, aq më pak e atyre që nuk janë akoma në udhëheqje.

-Po se unë po lexoj këtë përgjigjen dhe nuk po kuptoj gjë, tha Kunati. Kjo përgjigjet njësoj si tek Antena.

-Nuk e di, zgjidhe këtë punë, tha Luli. Thirre dhe tërhiqi vërejtje.
Më në fund Kunati ishte në zyrë me Grigjën.

-Ka ngjallur shqetësim lart deklarata jote, i tha Kunati. Si do t’ia bëjmë?

-Unë e thashë në sensin që vokacioni im politik në favor të së djathtës ka një përputhshmëri me pritshmërinë adekuate të elektoratit, që është në funksion të një diskursi që formulon opsione permanente karriere në dispozicion të kësaj fryme, që ne të jemi komplementarë me dëshirat tona.

-Po ti, tha Kunati, pse nuk flet kaq ngatërruar dhe në publik që mos të kuptojnë gjë, por m’i sqaron vendet aty 2, 3, …

Ja. kështu fol, ka lezet, nuk kuptohet. Na ke futur në telashe. Doktori ka thënë, jam unë, ka disa vende bosh, është Luli, pastaj vijnë të tjerët. Lulit nuk i ka dhënë numër akoma.

-S’ka problem, i tha Grigja. Është në prirjen time të jem në dispozicion të një performance që artikulon dëshirat e mia dhe vihet në raport të drejtë me pritshmërinë e lidershipit, pavarësisht vendit ku jam.

-E kuptova, tha Kunati. Ti do që të jesh pas Lulit, nuk ka rëndësi çfarë vendi ka Luli. Do përpiqem t’ia them udhëheqjes këtë. Por dua siguri që të mos dalësh më këto ditë në media të  bësh deklarata për nurin 2. Kam gjithë reagimet e kryesisë këtu, për autokritikën tënde dhe të gjitha bashkohen në një pikë, që ti akoma nuk ke hyrë në PD dhe do të shkosh drejt e në krye.

-Po me sa e njoh unë historinë e kësaj partie, kështu funksionon, tha Grigja, nga lart- poshtë, jo nga poshtë- lart. D.m.th lëvizja e vlerave fillon me përthithje nga lart dhe pastaj hidhen poshtë. Ky është momenti im.

-Qartë, qartë, tha Kunati, por mos bëj më deklarata. E bukur je, ç’të duhet të flasësh se humbet pikë. Këtu ecin ata që nuk flasin dhe pa qenë të bukur, jo ti që je dhe e bukur.




*   *   *











January 30, 2014

Plani sekret:

 CIA 
do blinte floririn e 
Ahmet Zogut në Egjipt
imazhe shqip

Arkivat Amerikane

Në vitin 1953, Mbreti Zog vazhdonte të jetonte në Egjipt. Por prej disa muajsh, miku i tij, Mbreti Faruk kishte rënë nga pushteti dhe një tjetër linjë politike drejtonte Egjiptin. Ndryshimi i kursit politik solli dhe pasojat e para për Zogun. Fillimisht, autoritetet egjiptiane e vendosën nën hetim Zogun për evazion fiskal. Më pas ata i sekuestruan atij sasitë e floririt që Zogu i kishte marrë nga Shqipëria dhe I kishte ruajtur në Egjipt. Një sasi, që asokohe vlerësohej në 3 milionë dollarë.  Egjiptianët nisën menjëherë masat kundër Zogut, por sikundër tregojnë dhe dokumentet e de-klasifikuara, ky veprim i tyre vuri në lëvizje amerikanët. Dokumenti i CIA-s zbulon s e ka pasur një takim në rangje të larta mes zyrtarëve amerikanë dhe qeveritarëve egjiptianë për këtë çështje. Amerikanët ja kanë bërë të qartë  palës Egjiptiane se nuk dëshironin që ndaj Zogut të ushtrohej presion pasi ai përfaqësonte një aset që po u shërbente amerikanëve dhe CIA-s në operacionet sekrete të diversionit kundër vendeve komuniste. Atëherë Egjiptianët sugjeruan një skemë që vetë CIA të blinte këtë sasi floriri që ata ia kishin sekuestruar Zogut. Detajet mbi këtë propozim gjenden të sqaruara në dokumentin e përkthyer pjesërisht të CIA-s të zbardhur më poshtë:

  SEKRET                                                                 
20 Tetor 1953

                                 Informacion i Siguruar                 



Për ZOGUN.

Siç edhe na ka raportuar kontakti ynë më datën 17 Tetor, ka pasur disa takime formale dhe informate me autoritetet Egjiptiane dhe Zogu është shumë i shqetësuar për akuzat që mund të ngrihen kundër tij. …. Zogu ka dërguar ish-ministrin e tij në Kajro, për të informuar Ministrin e Jashtëm që Zogut i duhet një pjesë e parave të ngrira për të siguruar jetesën dhe për të kërkuar që të bëheshin të qarta akuzat ndaj tij. Personi (i fshirë emri) sugjeroi që këto lëvizje të Egjiptianëve ndaj Zogiut mund të jenë një “gjueti peshqish”  për të gjetur më parë faktet dhe më pas për të ndërtuar akuzën.  Ai shprehu besimin e tij se nëse Zogu do të tregonte vullnet për të bashkëpunuar atëherë një rrugëdalje mund të gjendej. Ai udhëzoi se çdo çështje e rëndësishme duhej diskutuar me vetë Zogun personalisht. Raportojmë se dosja e (emër i fshirë) i është kthyer atij që më datën 17 Tetor. Kontakti i Zogut pasi ka kontaktuar një oficer egjiptian policie i cili i ka thënë se pritet që brenda datës 22 Tetor policia t’i bëjë një kontroll fizik Zogut. Më datën 16 tetor Zv.Kryeministri i Egjiptit, Gamal Abd al Nasr, i tha një oficeri të ambasadës sonë se Egjipti ka bërë përpjekje që të mbledhë taksat por Zogu ka refuzuar. Oficeri i ambasadës i bëri të qartë Naserit se Zogu e ka ndihmuar shumë perëndimin në fushatën anti-komuniste dhe çdo fushatë apo përndjekje ndaj Zogut nuk do të pritej mirë në SHBA. Naseri i sugjeroi Shteteve të Bashkuara që të blinin florinjtë e Zogut me dollarë, e më pas t’ia shisnin këtë sasi Bankës së Egjiptit e cila do e blejë në paund-egjiptianë dhe me sasinë e fituar, amerikanët të përballonin shpenzimet e tyre qeveritare në Egjipt. Ambasadori nga ana e tij shprehu dëshirën që CIA të merrte në shqyrtim këtë propozim. Personi (emër i fshirë)  pasi u njoh me këtë propozim, vuri në dukje se as çështja e taksave dhe as çështja e floririt nuk ishin një problem aq i lehtë sa dukeshin. Ai tha se rekomandimet e tij do të vinin pas bisedimeve të fundit që do të zhvillonte me Zogun në Aleksandri(Egjipt). Këto rekomandime ne ende nuk i kemi marrë”. /Dita



imazhe shqip

 (dokumenti vijon më tej me detaje për çështjen e taksave të papaguara dhe të floririt të Zogut)


*   *   *










CIA: Incesti dhe arkat me flori në dhomat e Zogut

Në një letër dërguar Agjencise Qendrore të Inteligjencës në SHBA(CIA-s), avokati amerikan Edgar M.Church, shpjegon në detaje vizitën e tij në Egjipt në vitin 1949 dhe ofron një tablo për të gjithë personazhet që njohu atje. Në këtë letër avokati amerikan shprehet se ai personalisht nuk ka parë apo takuar asnjërën prej motrave të Ahmet Zogut, por shton se kunata e Zogut, i ka rrëfyer atij mbi marrëdhënien që kishte Zogu me të motrën e vetë. Më pas avokati amerikan raporton dhe informon se gjatë një shëtitje me Geraldinën në rezidencën e re që po ndërtonte Zogu, kjo e fundit i bëri të ditur se motrat e Zogut do të jetonin veçmas çiftit, por la të nënkuptohej se përjashtim bënte Senija, e cila do të qëndronte pranë dhomave të Zogut. Avokati amerikan përshkruan në detaje dhe arkat me florinj që mbante Zogu në shtëpi dhe historinë e një shërbëtoreje të shtëpisë që u dyshua se kishte vjedhur flori. Më pas Edgar M.Church, detajon dhe të dhënat mbi motrën e Geraldinës dhe bashkëshortin e saj amerikan të cilët thekson se nuk mund të konsiderohen “veçanërisht të besueshëm”. Por përtej këtij fakt, në dosjen e de-klasifikuar amerikane të CIA-s, avokati amerikan në disa letra të njëpasnjëshme që i ka dërguar kësaj agjencie të inteligjencës ka theksuar faktin se edhe ai vetë besonte dhe kishte krijuar bindjen se Zogu dhe motra e tij Senije(të cilën amerikani herë e shkruan Xenida dhe herë Xeneia,) kishin një marrëdhënie intime mes tyre dhe se Geraldina, gruaja e Zogut,  ishte në dijeni të plotë të këtij fakti.

 imazhe shqip
Avokati amerikan nga ana e tij u afrua pranë oborrit të Mbretit Shqiptar në Ekzil nga vetë gruaja e Zogut, pasi ai ishte i martuar me kushërirën e saj. 

Më poshtë dokumenti i plotë i datës 11 Maj 1949 i de-klasifikuar nga CIA dhe i përkthyer në shqip:


SEKRET 11  Maj 1949

-Memorandumi i dosjes: (me shkrim dore)  Info nga Edgar M. Church, bashkëshorti i kushërirës së Geraldinës dhe avokat i Zogut

1. Mbreti Zog jeton në adresën 16 Rue Ekbal, Ramleh, Alexandria

2. Me aq sa konstatova unë gjatë vizitës ku takova mbretin, të ftuarit e tij dhe familjarët e tij, janë këto të dhëna të mëposhtme:

a) Kemal Bey Messari: Messari është një kujdestar i cili me sa duket kujdeset për punët e grupimit të Zogut dhe protokollin. Ai ishte personi që u dërgua për të më takuar mua kur mbërrita në hotel, hoteli ishte shumë pranë rezidencës së Zogut dhe në këtë hotel ai akomodon të gjithë të ftuarit e tij.  Ai nuk mundi dot të hynte në bisedë me mua dhe më mbajti nën survejim për 2 orë përpara se të prezantonte veten. Unë e kuptoj këtë qëndrim të tij, si diçka të paramenduar që ka lidhje me protokollin e sigurisë. Ai hyn tek krahu i të fortëve, mban syze-teke, ai duket se thjesht rri kot aty dhe bën relativisht një jetë boshe.

b) George Gog: Gog është një ish-ushtarak i lëvizje së rezistencës në Shqipëri. Ai është i ri, diku tek 30 vjeç, ka flokë të zinj, sy bojëqielli dhe shtatlartë. Ai duket në një formë të përkryer fizike sa që nuk gjej fjalë ta përshkruaj.  Nga ajo që kam kuptuar unë, ai ka mbërritur në shtëpinë e Zogut, përpara 6 muajsh(Tetor 1948), pasi ka qenë shumë aktiv me rezistencën dhe organizimin e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri.

c) Sater Martini: Martini duket se ka qenë Kryeministri i Zogut dhe miku më i besuar i tij, në kohën kur Zogu ishte zyrtarisht Mbret i Shqipërisë. Ai me shumë gjasa ka qenë njeriu më besnik në krahë të Zogut që përpara se Zogu të bëhej Mbret. Ai është afërsisht 60 vjeç, me flokë gri dhe me kaçurela. Ka sy bojëqielli dhe është shtatlartë. Ai është  shërbëtori më i besuar i Zogut, sikundër është mëse e qartë se atij i janë lënë për administrim nga Zogu të gjitha punët e natyrës politike. Besnikëria e tij ndaj Zogut as që mund të vihet në diskutim dhe përshtypja që më la mua nga kontakti që pata me të është se ai do e jepte menjëherë jetën e tij për “Mbretin e tij”.

d) Konti Alexander(Skënder) De Villa: Villa ka nënën franceze ndërsa të atin shqiptar. Me sa kuptohet, babai i tij ka qenë ambasador në Paris për disa kohë, përpara vitit 1940. Villa është një nga anëtarët e hyrë së fundmi në të ashtuquajturin “Grupi Mbretëror”. Ai duket se merret me problemin e financave të Mbretit Zog dhe të transaksioneve Financiare. Ai shpesh në aksin Aleksandri-Paris. Gjatë kohës që po ndërmjetësonte së bashku me Zogun transferimin e fondeve  nga “Guaranty Trust Company” e Nju Jorkut, për në “National City Bank”, Villa e mori atë me vete për të përgatitur prokurën e nevojshme të përfaqësimit në emër të tij, e cila i krijonte mundësinë për të ekzekutuar transfertën e fondit. Gjatë kohës që isha në Aleksandri, gruaja e Zogut, Geraldina, më kërkoi që unë t’i bleja asaj një automjeti Cadillac limuzinë me kapacitet për shtatë pasagjerë. Ndërsa isha duke përgatitur blerjen e këtij automjeti, në mënyrë indirekte më thanë se Villa do të ishte në gjendje që të kryente të fondeve që do më duheshin mua për blerjen e këtij automjeti.

Në gjykimin tim, Villa përdoret nga Zogu, pak a shumë si një shoqërues i gruas së tij, si dhe për ta përdorur për transferua  apo transaksione fondesh në tregun e zi ndërkombëtar.

3. Nga të gjithë emrat që kam renditur, do theksoja që  Alexander De Villa është njeriu më pak i besueshëm. Ai duket se është jashtë loje për sa i takon angazhimeve dhe punëve të mia me Zogun në Shtetet e Bashkuara. Zogu e ka urdhëruar atë që të bëjë siç unë i them. Villa herë shfaqet i ngathët e herë këmbëshpejtë për punët që ai vetë ka në dorë, këtu do të shtoja se kam një respekt të konsiderueshëm për nivelin e intelektit të Gog dhe Martini.

4. Pesë motrat e Zogut duket se jetojnë në rezidencën e tij  së bashku me të. Më poshtë po rendis emrat e tyre sipas moshës, duke filluar nga më e moshuara.

a. Majide
b. Musezan
c. Xeneia (Sanija)
d. Naphia
e. Adele

Unë kurrë nuk jam takuar me ndonjërën prej tyre, e me sa duket në përputhje me ligjet Muhamediane ato jetojnë në një tjetër hapësirë të pallatit. Mbretëresha ma ka lënë të nënkuptuar në mënyrë indirekte, ndërsa motra e mbretëreshës, Virginia, ma ka shprehur në mënyrë fare të hapur, se motra e tij Xeneia, ka një ndikim të fortë tek Zogu. Është më se e kuptueshme dhe e dukshme se Zogu po jeton me motrën e tij në fjalë si burrë e grua dhe me shumë gjasa Villa përveç detyrave zyrtare është marrë edhe për të argëtuar gruan e Zogut. Sipas informacionit më të mirë që munda të siguroj dhe jam përpjekur shumë që ta siguroj këtë informacion, motrat e kanë mendjen që i vëllai t’i mbajë me lekë, me sa më shumë lekë që të jetë e mundur. Asnjëra prej tyre nuk ka ndonjë nivel intelekti të spikatur, me aq sa munda të kuptoj unë.

5. Zogu dhe gruaja kanë një djalë të moshës 11 vjeç. Ai njihet si Leka. Ai është biond, me sytë e zinj, shumë i afrueshëm dhe flet anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe shqip. Leka është shumë më i pjekur për moshën që ka. Zogu mundet të braktisë gruan dhe djalin duke menduar për rikthimin në Shqipëri, duke i lënë ata që të kujdesen për njëri tjetrin dhe Mbretëresha më tha se ajo dhe i biri duan që të shpërngulen për në Amerikë përpara se të jetë shumë vonë.

6. Ndërsa isha duke vizituar Zogun dhe gruan e tij, ajo më shëtiti tek rezidenca e re që ata janë duke e ndërtuar. Shtëpia është shumë e madhe dhe është shtrirë në një terren me hapësirë të konsiderueshme. Trualli ka kushtuar 20 mijë paund egjiptian ndërsa godina  ka kushtuar rreth 10 mijë paund egjiptian. Kjo rezidencë e re është në pozicion diagonal me rezidencën ku banon aktualisht Zogu. Të gjitha motrat, me përjashtim të Xeneia, do të jetojnë në një tjetër shtëpi e cila ndodhet të paktën 300 yard më tej.  Sipas planifikimit që kanë bërë, Xeneia do të akomodohet në dhoma pranë dhomave të Zogut ndërsa Mbretresha do ketë dhomat e saj disi më të shkëputura prej Mbretit.

7. I biri Leka ka një governante angleze që kujdeset për të dhe kjo governante me sa duket gëzon një besim të fortë në të gjithë familjen përfshirë dhe Mbretin dhe Mbretëreshën. Motra e Mbretëreshës më ka thënë muajin e fundit se kur ajo kishte ikur për disa kohë në SHBA, ndodhi që governantja ishte pushuar nga puna ose ishte duke u pushuar nga puna. Unë vetë nuk e kam parë e as nuk e kam takuar ndonjëherë këtë governante.

Kjo governante është punësuar nga Zogu, diku nga viti 1943 në Angli dhe është shpërngulur në Aleksandri së bashku me familjen, në kohën kur familja shkoi atje në vitin 1946. Duke marrë shkas nga pakënaqësia që kishte me infermieren Zogu i mban të ardhurat e tij në sasi floriri’ dhe me ç’kuptoj unë ai ka një shumë prej 800 mijë dhe i ka fshehur në arka që i mban në dhomat e tij të gjumit. Në këto arka ai mban dhe bizhuterisë e gruas së tij apo bizhuteritë e kurorës. Është një rregull i qartë për të gjithë se vetëm Mbreti dhe Mbretëresha mbajnë çelësat e këtyre arkave dhe se vetëm shërbëtorët apo njerëzit më të besuar mund të ndodhen në këto dhoma kur nuk ndodhet Mbreti dhe Mbretëresha. Me sa duket dikush tjetër ka pasur akses tek këto arka dhe që ka lidhje me vjedhjen që nënkuptova më lart. Pas hetimeve që kanë kryer ata kanë dalë në përfundimin se governantja ka qenë fajtore dhe kjo ka shërbyer për pushimin e saj nga puna.

8. Messari, Martini dhe Villa flasin që të tre një frëngjishte shumë të mirë, si shqiptarë që janë. Gog nuk di të flasë tjetër gjuhë përveç shqipes me sa kuptoj unë. Mbreti flet një frëngjishte mediokre, flet mirë gjermanisht, anglisht s’di fare, merret vesh turqisht dhe sigurisht që flet shkëlqyeshëm shqip. Motrat flasin një frëngjishte të çalë, me theks të fortë shqiptar. Mbretëresha flet anglishte perfekte,  frëngjishte perfekte, gjermanishte perfekte, hungarishte perfekte, shqipe perfekte dhe pakëz gjuhë arabe.

9. Diku nga viti 1947, duket se motrat e Mbretëreshës së Shqipërisë bënë një vizitë në Romë për një takim me Papën. Nuk mund ta marr dot vesh arsyen e kësaj vizite. Mendoj se Mbretëresha dhe Mbreti janë të prirur drejt një divorci mes tyre  dhe mund të ndodhë që Mbretëresha është e prirur për një edukim katolik të birit të saj ndërsa Mbreti synon një edukim Muhamedan. Jam i prirur të besoj se një divorc do të vinte vetëm si një vullnet i Mbretit se sa si një vullnet i Mbretëreshës. Mendoj se ajo e gjen veten më mirë në këto pozita si gruaja e Mbretit, se sa si një shtetase amerikane me të ardhura të kufizuara.

10. Mikesha më e ngushtë e Mbretëreshës jashtë familjes është Mbretëresha e Bullgarisë, Giovanna. Mbretëresha e Shqipërisë dhe ajo e Bullgarisë pijnë rregullisht çaj mes tyre të paktën 3 herë në javë, e me sa kam kuptuar nga bisedat me Mbretëreshën e Bullgarisë ajo është shume e kujdesshme ndaj Geraldinës. Duke qenë më e moshuar dhe me më shumë përvojë, Mbretëresha e Bullgarisë nuk rresht së këshilluari Geraldinën për problemet që ajo ka si gruaja e mbretit Zog. Kam një përshtypje se Giovanna është më e zgjuar nga ç’duket.

 11. Mbretëresha Geraldine, ka një motër, të cilën e kam përmendur dhe më parë( Zonja Virginia Aponnyi Blackburn) e cila është e martuar me amerikanin Joseph Blackburn. Blackburn ka lindur në Denver, Colorado, është i shkolluar në “YALE” i diplomuar në vitin 1943 dhe punon aktualisht në “TMA Airlines”, 101, Champs Elysses, Paris, France. Blackburn vjen cik si i papërgjegjshëm, është i këndshëm, tip optimist dhe shok i komunikueshëm. Virginia, gruaja e tij, ka ndikim tek Geraldina më shumë se çdokush tjetër. Me ç’kuptohet ajo ka punuar me G-2 në Hungari gjatë luftës. Ajo është shumë e dobët mendërisht dhe fizikisht edhe për shkak të eksperiencës së saj me nazistët gjatë luftës në Hungari. Virginia është shumë e kujdesshme ndaj së motrës dhe bën çdo gjë për t’iu gjendur pranë. Asnjë prej të dyve, as Zoti dhe as Zonja Blackburn, nuk mund të konsiderohen veçanërisht të besueshëm megjithëse ata ekspozohen si persona me integritet të madh.
 imazhe shqip


Letërkëmbimi mes zyrtarëve

Si e shikonte CIA avokatin amerikan 
që raportonte për Zogun

Dokumenti i deklasifikuar që zbardh korrespondencën mes dy zyrtarëve të CIA-s dhe interpretimin e tyre mbi statusin që avokati Edgar M.Church kishte në raport me Zogun dhe në raport me vetë CIA-n.

Më poshtë ofrohet letërkëmbimi sekret ndërmjet dy zyrtarëve të CIA-s, të cilin e kemi përkthyer pjesërisht. Përzgjodhëm vetëm pjesën ku sqarohet raporti i CIA-s me avokatin Edgar M.Church dhe roli i tij në planet e CIA-s për të inkuadruar dhe Zogun. Sipas këtij letër-këmbimi del e qartë se Church nuk është një punonjës mirëfilli i CIA-s por duke qenë se ka pasur marrëdhënie të afërta me familjen e Mbretit Zog, është vënë në dispozicion të kësaj agjencie për të informuar mbi të gjitha detajet dhe mbi gjithçka që kishte dijeni mbi Zogun. Nga ana e saj CIA kishte interes në përfshirjen e Zogut, dhe influencës së tij brenda Shqipërisë, për të realizuar operacionin OBOPUS/BGFIEND që synonte  rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.



SEKRET
MEMORANDUM PËR: (….)

SUBJEKTI: a) Propozimi për Operacionin Shqiptar
                   b) Edgar M.Church, c/o Sherman, Sterling&Wright, 20 Exchange Place,New York

City (residence: 16. E, 72nd St., New York City)             

1. Në vijim të bisedës sonë, mëngjesin e sotëm, po ju rendis të dhënat për subjektin tonë dhe karakteristikat e tij. Zoti Church është një avokat i cili punon në një firmë të njohur ligjore, i diplomuar në Universitetin e “YALE” dhe i angazhuar për të na ndihmuar në lidhje me ç’të mundet duke marrë shkas nga rrethanat e tij. Ai nuk ka kërkuar punësim nga CIA apo ndonjë agjenci tjetër shtetërore por ka shprehur gatishmërinë e tij me aq sa mundësi i paraqiten.  Atë e solli për të më takuar mua zoti Presçot Childs, pasi dëgjoi historinë e zotit Church ai i bëri të ditur se OPC dhe OSO do donin të lidheshin dhe të flisnin direkt me të. Momentalisht nuk besoj se ata të OSO-s kanë kontaktuar me të, por e kam referuar emrin e tij tek ( e fshirë  ) dhe tek (e fshirë) si dhe informacionin në fjalë, nëse OSO do të kishte interes.

2. Zoti Church, ka bërë të qartë se ka lidhje të mira me Mbretin Zog të Shqipërisë. Ai thotë se është përfaqësues ligjor i Mbretit dhe se kaloi një javë me Mbretin dhe Mbretëreshën gjatë një vizite në Aleksandri. Mbretëresha është një kushërira e gruas së avokatit Church, dhe sipas Church-it, vjehrra e tij ishte mblesa e martesës mes Zogut dhe Geraldinës. Zogu i besoi Church-it mbylljen e 120 mijë dollarëve në bankë në emër të gruas dhe të birit të vetë. Church pretendon se Zogu ka një besim të madh tek ai dhe se është i vëmendshëm ndaj këshillave dhe rekomandimeve të tij./Dita

(materiali vijon me të tjera të dhëna për planet e Zogut)



Faksimilet e raportit sekret të CIA-s





imazhe shqip


*   *   *









Zbardhen fyerjet mes Nokës dhe Ndreut:

“O k..”, “o legen”, 
“të thyej këmbët”, 
“të zhduk nga faqja e dheut”
imazhe shqip

Është shoqëruar me dhunë verbale dhe fizike mbledhja e Komisionit të Sigurisë, ku ishte ftuar për të raportuar Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

 video
Në fund të mbledhjes ka pasur një konflikt fizik mes ish- Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka dhe deputetit socialist, Pjerin Ndreu.
Konflikti ka degjeneruar në atë pikë sa është dashur ndërhyrja e Gardës.
Më herët, Flamur Noka iu drejtua me fyerje Saimir Tahirit duke e quajtur karagjoz.

Ndërsa ministri Tahiri iu drejtua opozitës me fjalët:
“Ka ikur koha kur policia bënte ekspertizën e vrasjeve që kryente vetë siç ndodhi më 21 janar”.

Pjerin Ndreu: Po jeni gabim ore, asnjëri nga ju nuk merr vesh.

Flamur Noka: Po ik o qërohu, se s’merrem me plehra unë, po flas me ministrin.

Pjerin Ndreu: Do rrish mirë, o ti, o ti qurravec.

Flamur Noka: Mëso se si funksionon policia dhe më pas hajde këtu, të të vijë turp.

Pjerin Ndreu: Mos më fol mua me atë gjuhë o qurravec.

Spartak Braho: Po vazhdoi kështu, unë jam i detyruar ta ndërpres.

Pjerin Ndreu: Mbaj gojën kur flet me mua o legen.

Flamur Noka: Më ke je tu folë ti?

Pjerin Ndreu: Hë, ça bën si garip? O kurvë, o legen!

Flamur Noka: Me kë je duke folë o zotëri?

Pjerin Ndreu: T’i thyej këmbët o qurravec.

Flamur Noka: Të zhduk nga faqja e dheut pastaj.

Pjerin Ndreu: O halabak.

Flamur Noka:  O ordiner.

http://www.gazetatema.net/web/2014/01/29/zbardhjen-fyerjet-mes-nokes-dhe-ndreuthalabak-e-qurravec/

imazhe shqip 


*   *   *








Sherr mes Flamur Nokës e Pjerin Ndreut


ndërhyn Garda për ndarje 
(VIDEO)

imazhe shqip
Debatet në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë janë pasuar nga fyerje dhe konflikt fizik mes ish- Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka dhe deputetit socialist, Pjerin Ndreu. Konflikti ka degjeneruar në atë pikë sa është dashur ndërhyrja e Gardës.

 Sherri Noka - Ndreu (video)

Fillimisht dy deputetët e kanë nisur sherrin gjatë zhvillimit të mbledhjes.

Noka: Po ik se s’merrem me ty unë, nuk merr vesh ti, po flas me atë. Po ik o qërohu se s’merrem me plehra unë, po flas me atë.

Ndreu: O ti qurravec, mos fol me mua me atë gjuhë

Braho: Po të vazhdojë kështu unë jam i detyruar ta ndërpres.

Noka: Me kë je tu fol ti, do të zhduk halabak

Ndreu: Ik ore injorant

Por deputetët Ndreu dhe Noka nuk e lanë me aq. Ata tentuan të konfliktoheshin dhe fizikisht, madje duke përdorur dhe fjalë kërcënuese ndaj njëri-tjetrit. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë Garda, deputetë dhe gazetarë.

Debate në Komisionin e Sigurisë, Noka akuzon Tahirin për terr informativ

Mbledhja e sotme e Komisionit të Sigurisë Kombëtare është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Brendshëm. Ky i fundit ka raportuar në komision lidhur me vrasjen e vëllezërve Çollaku nga pala greke.

“Policia kufitar u njoftua mbi ngjarjen në orën 00:30 minuta. Policia greke kishte tërhequr trupat pas ekspertimit. Kjo çështje mbi vrasjen e 2 vëllezërve është jashtë juridiksionit të Shqipërisë, por ne presim që çështja të zbardhet”. “Dy vëllezërit Çollaku qëlluan me armë ndaj policisë greke dhe ata iu kundërpërgjigjën. Ne nuk mund ta këqyrim vendin e ngjarjes, sepse është jashtë juridiksionit tonë. Ministria e Brendshme nuk bën ekspertizë mjeko-ligjore pasi kjo është kompetencë e organeve të tjera. Garantoj, që shteti shqiptar ka ushtruar të gjitha kompetencat për ngjarjen në kufi me Greqinë”.
Tahiri kërkoi që çështja të mos përdoret për qëllime politike, por deputeti demokrat, Flamur Noka, akuzoi ministrin për terr informativ.
“Ngjarja ka një terr informative. Duam të vërtetën e ngjarjes në kufirin me Greqinë ku u vranë dy vëllezërit Çollaku. Policia jonë dha të njëjtin version të ngjarjes në kufi, si policia greke”, tha ai, ndërsa ministri Tahiri e hodhi poshtë një pretendim të tillë.

Ndërsa, deputeti demokrat Astrit Patozi tha se Tahiri duhet të mendojë dorëheqjen nga posti i ministrit.

“Tahiri nuk ka kohë të vijë në komision, pasi është kthyer në një “Star mediash”. A e keni menduar dorëheqjen nga posti apo shkarkimin nga detyra e ministrit?” iu drejtua Patozi ministrit.
Më tej, deputetët diskutuan edhe rreth situatës së  rendit në vend dhe në veçanti shpërthimeve të tritolit të regjistruara ditët e fundit.

Ministri Tahiri tha se Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka dhënë  asnjë informacion në lidhje me këto çështje.

“Është përhapur një fole kriminaliteti, që ka qenë e mbyllur deri dje”, tha Tahiri, duke shtuar se ka një rritje të pajustifikuar të kriminalitetit në fushën e eksplozivit./Dita
 imazhe shqip



*   *   *