Robert
Mugabe
Nga Eduard Zaloshnja*
Kur bebeja Sali i Berishajve lëshoi klithmën e
parë në këtë botë, atje në Vuçidol, dy gjyshërit e Fatmir Lamajt po luftonin
dhëmbë për dhëmbë me forcat komuniste në Labëri. Ndërkohë, babai i bebes Sali
mirëpriste ardhjen e komunistëve në pushtet dhe, eventualisht, e dërgoi të
djaloshin Sali me një valixhe druri në Tiranë, për të filluar ngjitjen
meteorike në karrierën mjekësore dhe në aktivitetin politik në radhët e Partisë
së Punës.
Fatmir Lamaj me familjarë të tij
(Greva e Urisë Tiranë - tetor 2009)
Kur Sali Berisha voziste me varkë në Drilon të
Pogradecit me të birin e Enver Hoxhës, dy gjyshërit e Fatmir Lamajt kishin vite
që u ishin kalbur eshtrat, pas pushkatimit dhe, ndërkohë, rreth 100 vjet burg
politik ishin akumuluar në fisin Lamaj.
Kur Sali Berisha dëshmonte në gjyqin kundër
heroit anti-komunist Hysen Shoshori, Fatmir Lamaj u arrestua, për t’i shtuar
edhe një dekadë tjetër shekullit të burgut politik të akumuluar nga fisi i tij.
Dhe kur Sali Berisha kujdesej për shëndetin e Hysni Kapos, Fatmir Lamaj
torturohej në birucat e burgut politik.
Në vitin 1991, rrugët e jetës së Saliut dhe
Fatmirit u takuan në Vlorë. Saliu, pasi ishte larguar nga PPSH, kishte dalë në
krye të Partisë Demokratike dhe, gjatë fushatës zgjedhore të atij viti, e takoi
Fatmirin e sapoliruar nga burgu. Që prej atij viti e deri në 2009-ën, Fatmiri
votoi rregullisht për Partinë Demokratike, sepse, nga shtrëngimi i dorës që
kishte bërë me ish-komunistin Berisha, kishte krijuar një bindje të brendshme
se ishte penduar sinqerisht për militimin në partinë që i kishte shkatërruar
jetën atij dhe gjithë fisit të tij.
Madje, në vitin 2004, një fotografi e madhe e
Fatmirit të përgjakur gjatë një protestë kundër qeverisë Nano, ishte përbri një
editoriali të Sali Berishës në gazetën Rilindja Demokratike, ku ky i fundit
argumentonte se përse duhej bërë “një dëmshpërblim i menjëhershëm dhe i plotë i
martirëve si Fatmir Lamaj”.
Thyerja e Fatmirit me Saliun ndodhi pas
zgjedhjeve të 2009-ës, kur sorrollatjet për të marrë këstet e dëmshpërblimit të
premtuar nga Saliu para zgjedhjeve, e bindën më së fundi se atij i interesonte
vetëm vota e të burgosurve politikë dhe jo dëmshpërblimi dinjitoz i tyre. Dhe
kur mori vesh se bashkëvuajtësit e tij ishin futur në grevë urie në Tiranë,
Fatmiri hipi në një furgon dhe shkoi e u ngujua edhe ai me ta.
Dhe ironia nuk mbaron me kaq. Në ditën kur
Fatmiri u deklaroi mjekëve se do të vetëflijohej, Saliu u deklaroi deputetëve
të tij, me rastin e datëlindjes së vet, se do të jetonte dhe qeveriste edhe 34
vjet të tjera…
Dhe kjo deklaratë e Saliut na çon 10 mijë
kilometra në jug të Shqipërisë, ku 88-vjeçari i rrjedhur nga trutë Mugabe po
garon për t’u rizgjedhur për të n-tën herë president i Zimbabves…
imazhe shqip
*Botuar në Dita me16 tetor 2012
*
* *
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/11/lirak-bejko-pishtar-i-demokracise.html
Zotit Fatmir i takonte te ishte Drejtor i Insitutit te perndjekurve politik.Jo injorantit Bedri Blloshmi.
ReplyDeleteBedriu eshte super mashtrues, servil, dallaverexhi, ka shume poshtersira, tani te burgosurve ju mbyll dera.
Shtyllasi, si metaforë e tranzicionit shqiptar
ReplyDeleteRegjimet ndryshuan por të persekutuarit mbetën të persekutuar, e të privilegjuarit të privilegjuar
Para disa ditësh më takuan disa miq të vjetër nga Shtyllasi i Fierit, ish të dënuar dhe të persekutuar, të cilët më shprehën një shqetësim që kishte lidhje me pronat e tyre.
Shtyllasi është një fshat internimi, i ngritur në vitet e “arta” të diktaturës, ku fillimisht shërbeu si kamp pune për kanalin vaditës Vjosë – Levan – Fier dhe pasi mbaroi kanali, – kjo “vepër e ndritur e Partisë”, – të burgosurit politik i çuan për të ndërtuar vepra të tjera, ndërsa në Shtyllas sollën familje të internuara nga të gjitha krahinat e vendit.
Shtyllasi mbetet gjithmonë një mozaik dhimbjesh e krahinash për të gjithë Shqipërinë që nga Veriu e deri në Jug. Të gjitha ato familje patën fatin e keq të internimit siç ishin: Ndreajt, Xherahët, Gjutajt, Mirakajt, Bazellët, Mihalët Pëllumbët, Kapa, Barutet, Kosturi, Zagorqani, etj. Ata iu nënshtruan një trajtimi çnjerëzor; që nga puna e detyruar, banimi në kushte skandaloze si dhe survejimi i rreptë nga ana e Sigurimit të Shtetit. Shumë banorë të këtij fshati nga familje të internuara përfunduan në burgje dhe arrati.
Në vitin 1991-in, me ardhjen e demokracisë, shumë banorë të tij u larguan prej andej dhe Shtyllasi dalëngadalë u kthye për ta në një kujtim të frikshëm të së kaluarës së tyre tragjike.
Nga ligji famëkeq Nr. 7501, familjet e tyre, të internuara ne këtë fshat, fituan tokë si gjithë të tjerët, atë tokë që për vite me radhë e kishin vaditur me gjakun, djersën dhe lotët e tyre… Ata kishin hapur toka të reja duke mbjellë plantacione të tëra me vreshta e ullinj.
Në një pjesë të tokave të tyre kalon by-pass-i Levan – Fier. Dhe, kuptohet, për tokën e zënë paguhet një çmim i caktuar nga Qeveria. Ky çmim nuk është unik, Levani i populluar nga “agallarët” e rinj, të ardhur nga zonat e Jugut, e ka çmimin për 1600 lek m2, Shtyllasi 299 lek m2 lekë, Pojani 868 lek m2 lekë; një diferencë kjo e madhe për të njëjtën tokë.
Ç’është ky diferencim kaq i madh?… E po, Levani, i kuadrove të Partisë dhe Pojani i lidhur ngushtë me Partinë, ndërsa Shtyllasi qendër internimi. Miqtë e mi më treguan të dokumentuara të gjitha përçapjet e tyre dëshpëruese që kanë bërë deri më sot për ta ndrequr këtë “gabim” që qeveria demokratike e “PD” paska bërë ndoshta “pa dashje“…, por deri më sot asnjë përgjigje shpresëdhënëse. E njëjta tokë, në të njëjtin vend, përkundrazi, ajo e Shtyllasit duhet të kishte vlerë më të lartë se ajo e Levanit dhe e Pojanit sepse është tokë pjellore, ndërsa çmimi i vlerësimit i ndryshëm, shumë i ndryshëm. E kjo është mëse e kuptueshme, sepse të persekutuarit duhet të mbeten gjithmonë të persekutuar, ndërsa të privilegjuarit e djeshëm duhet të jenë përjetësisht të privilegjuar. O e keqe, sa thellë janë rrënjët e tua!
Tragjikomedia e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar nuk ka mbaruar akoma. Ajo vazhdon të luhet ethshëm mbi kurrizin e një populli të tërë dhe veçanërisht shtresës së persekutuarve, të burgosurve dhe të shpronësuarve.
Pushtetarët e derisotëm, një pjesë e të cilëve janë hajdutë e kriminelë, dallkaukë e batakçinj që u pasuruan “habitshëm” duke kullotur azadë te livadhet e pafundme të pasurive të këtij vendi, duke i grabitur, rrëmbyer, dhuruar nga partitë apo blerë me çmime qesharake.
Në rastin e Shtyllasit është e pranishme dhe një aferë korruptive ku dy pjesë anësore të rrugës nga 25 mijë m2 do t’i marrë një pronar anonim italian për të ndërtuar dy parkingje gjigante, të vulosura nga qeveria e Berishës…
Dhe fshatarëve u është thënë se kjo është vendosur, ndaj ju duhet vetëm, të heshtni, të pranoni pa bëre zë grabitjen që iu bën pushteti.
A ka drejtësi në këtë vend? Jo!…
MIRE SHTYLLASI OR MIK, PO QIPIDHASI? ATY NA RRI MENDJA GJITHE DITEN ...
Delete