Nga Edi Rama
Eshtë shuar diçka brenda gjithkujt që e njohu
nga afër apo e dëgjoi nga larg.
Kjo është vdekja që e bën lajmin për ikjen e
Vaçes nga kjo botë, posaçërisht të veçantë për secilin prej nesh;
Një dhimbje që përçohet në trajtën e një
humbjeje të përbashkët edhe tek më të rinjtë që deri dje, s'kishin dëgjuar
asgjë për të dhe prej 48 orësh lënë shënimin e tyre në rrjetet sociale.
Kur këndonte Vaçe Zela bota ishte bardhezi.
Edhe ekrani ishte bardhezi.
Dhe i vetmi rrjet që lidhte figurën e zërin e
saj me këtë vend, ishte rrjeti i një propagande bardhezi.
imazhe shqip
Këngëtarët visheshin njësoj, kreheshin njësoj,
rrinin njësoj para mikrofonit, thuajse gatitu, dhe i'a linin radhën
njëri-tjetrit, me hyrje-dalje ku hapat dukeshin thuajse njësoj, nën
duartrokitje që ngjanin thuajse njësoj, edhe për koncerte edhe për kongrese.
Lajmi për ikjen e Vaçe Zelës më çoi pas në atë
botë, në kuzhinën e vogël ku pak më larg tryezës së bukës, në këndin e ngushtë
mes dritares dhe dollapit të bardhë që mbulonte faqen e murit, qëndronte
televizori "Iliria", dhe ne, familja e ulur rreth tryezës gjithnjë
njësoj, në të njëjtat vende, me sytë kthyer nga televizori, ndiqnim Festivalin
e Këngës në Radiotelevizion, që çdo vit dukej i njëjti festival që përsëritej;
me pushkën, kazmën dhe çelësin sol që vit pas viti, ndërronin vend e madhësi në
sfond, siç ndërrojnë vend gjymtyrët për të mos ngrirë për fare; me orkestrën që
dukej sikur s'kishte lëvizur vendi qysh nga viti i mëparshëm; me këngët që
tingëllonin si pjesë e një kënge të vetme, të gjatë pa mbarim, pa ndalim, pa
ndryshim.
Një herë, dy herë, tre herë, shtatë herë, herë
të tjera akoma, në gjatësinë e një fëmijërie shumë më të gjatë se sa ç'është
fëmijëria sot, e ndoqa edhe unë si thuajse të gjithë njësoj, të gjithë atë
ritual të paimagjinueshëm për fëmijët e sotëm të facebook-ut. E ndoqa duke
pritur çdo vit e më shumë para ekranit të atij festivali, vetëm për ato pak
minuta mes orësh të tëra të ndara midis tre netëve, kur në skenë hynte Vaçe
Zela. Me flokët e derdhur jashtë normës së ngurtë të kohës, portretin e
pangjashëm me asgjë e me askënd, buzëqeshjen që mbulonte ekranin me një
rrezatim misterioz, dhe shikimin xixëllues që paralajmëronte diçka tjetër,
diçka ndryshe, diçka që pa e rrëzuar normën, pa e këputur këngën e vetme të
realizmit socialist, e elektrizonte ajrin e kuzhinës sonë.
Ishte një zë që në një kohë tjetër, e në një
vend tjetër, në të tjera skena, me të tjera tekste e të tjera melodi, do kishte
elektrizuar qiellin e botës, por në atë kohë e mbi atë skenë, s'mund të bënte
më shumë se sa të ndizte një yll magjepsës në qiellin tonë të kyçur brenda
nesh.
Vaçe Zela iku nga mesi ynë kur ra perandoria e
bardhezisë, dhe e la kyçur zërin e saj këtu, në rrethin e kujtesës sonë
bardhezi, pa u kthyer kurrë me hapat e saj në skenën e re të jetës sonë, për të
na kërkuar shpërblim, ndere a vëmendje, për minutat e paçmueshme që na bëri të
jetojmë, dhe pas kaq shumë vitesh na dërgoi befas, thjesht lajmin e vdekjes, mu
si kartolinë të një dashurie të pathënë dot kurrë deri në fund.
Nuk ka vdekur Vaçe Zela.
Ajo vetëm ka ikur për fare nga kjo botë, pasi
kohë më parë iku nga ky vend.
Eshtë shuar thellë brenda nesh një yll
magjepsës, të cilin askush që nuk e pa të ndizej në skenat e në kuzhinat e
vjetra të Shqipërisë, nuk do të jetë asnjëherë dot në gjendje t'ia ndjejë
magjinë përmes ekranit e altoparlantëve të botës së sotme.
Për të gjithë ata që e ndajnë me mua këtë
përjetim, dua t'i them sot Vaçe Zelës faleminderit që ekzistove për secilin
prej nesh, atëherë kur ekzistenca jonë ishte thuajse e ngrirë, mu si një
këngëtar festivali, dhe kur zëri yt na tregonte fshehur pas tekstesh e melodish
të zakonshme, mrekullinë e jashtëzakonshme të të jetuarit të kësaj bote.
Më ka qëlluar ta pyes veten si do ta këndonte
Vaçja, sikur të ishte më me fat, këngën "I will always love you".
Asnjëherë s'do ta dimë.
Di vetëm që në këto orë lamtumire, të gjithë
ata që e njohën nga afër apo e dëgjuan nga larg, i thonë Vaçe Zelës,
"I
will always love you".
U prehsh në paqe yll i shuar, ne do të të duam
gjithmonë.
*
* *
E PAARRITSHME, RIP!
ReplyDeleteVace nuk vjen me, Ciljeta do vijne sa te hane qente ...
ReplyDeleteCiljetat i krijuat ju dhe te tjere si ju Ardit.
DeleteEdhe si ty Ardit, sa te hane qente
ReplyDelete