February 28, 2014

Simbolika e (pa) shpjeguar e dy gishtave





Një prej simbolikave të mbetura nga 23 vjet më parë, pa pësuar asnjë lloj zbehjeje apo harrese, është ajo e dy gishtave përpjetë, një akt që përfaqsonte thirrjen për demokraci që pushtoi gjithë vendet e Lindjes komuniste, në kapërcyell të 90-ës, sigurisht dhe Shqipërinë. 

<img src="victory sign.jpeg" alt="victory sign, dy gishtat e sali berishes" />
imazhe shqip

Berisha nuk mund të kuptohet pa dy gishtat. Këto, portreti herë i ngërdheshur me buzët vesh më vesh e herë i murrëtyer, si dhe kadencat e regjistrit vokal, që finalizohen më pas ne një kantilenë gricëse për çdo vesh të ndjeshëm ndaj të bukurave zëra të kësaj bote, janë konfigurimet që na nuk na shqiten dot prej dy dekadash. Dy gishtat i ka marrë si stafetë dhe Lulzim Basha, që i tund sikur të ketë tufa lulesh ndër duar, shoqëruar gjithnjë nga një pamje lumturie orgazmike, krejt e pashpjegueshme, porsi arsyeja se përse duhen ngritur ato, gjersa ishin të kushtëzuar nga një konteskt i caktuar që sot nuk ekziston më. Por mundet ta ketë një shpjegim, nëse ngrehësit e tyre gjykohen për mbajtjen gjallë të një populizmi, pa të cilin nuk mund t`i sigurojnë vetes asnjë frymëmarrje në politikë. Ndaj, jo më kot u panë të ngrihen dy gishtat edhe në një protestë të të larguarve nga administrate, paraditen e së enjtes.  E.H.    


        http://imazheshqip.blogspot.com/2012/12/hysen-shoshori-i-shkruan-sali-berishes.html 






*   *   *










February 27, 2014

Përse i duhet lëkura e Julias?

<img src="julia timoshenko.jpeg" alt="julia timoshenko & sali berisha" />

Nga Bedri Islami

Ka një ngutje të jashtëzakonshme të Berishës, të medias të lidhur me të, si dhe të një grupimi pranë tij, për të bërë një përngjasim mes figurës së tij dhe zonjës Timoshenko, të sapo liruar nga burgu; ka një sajesë të habitshme e njëkohsisht të paturpshme për të bërë një lidhje mes tyre, qoftë edhe mbështetur në trillime sharlatane; e po ashtu, e menduar seriozisht, por e qepur keq, krijimi i një dëshmie se jo vetëm Berisha e mbështet zonjën e cituar, por edhe njerëzit e saj mbështetin Berishën, sidomos angazhimin e tij për daljen e saj nga burgu, sikur që prej selisë së Shtëpisë së ushtarakëve, Berisha t’i ketë dhënë urdhër parlamentit ukrahinas. E gjithë kjo, e bërë rrëmujshëm, në harkun e pak ditëve, si për të dashur të përmbysë gjithçka, nga e djeshmja dhe ajo që mund të vijë, në mos qoftë sarkastike, është e neveritshme.

Përse Berisha po nxiton të shkëputet nga presidenti i rrëzuar dhe në ikje, Janukoviçi dhe njëkohsisht po përshpejton të dëshmohet si një i afërt i Timoshenkos? Cila lojë fshihet pas deklarateve të tij të njënjëshme, ngritjes së grupit të tij parlamentar për një minutë heshtje në nderimin e të vrarëve në demonstratat e një populli të rebeluar në Ukrahinë; çfarë e bën atë të nxitojë furishëm nëpër një rrugë të trazuar përmes së cilës, në dy anët e polit, shihen ende gjurmët e të vrarëve? Dhe në fund të fundit, cilit i ngjan më shumë ky njeri, i cili, edhe pse i zhytur në mjegullën e mashtrimit të kaherëshëm, përsëri sjell në dritë sajesa të tjera, pa u lodhur nga e gjithë ajo që ka sajuar dhe që është i detyruar të bartë me vete? Cila është sozia e tij politike në Ukrahinë: njeriu që po fshihet apo zonja që ende po shëron një nga plagët e saj…?

Berisha ka dy periudha përmes të cilave ai mund të krahasohet me atë që ndodhi në Ukrahinë: ai ka vitin e prapshtë 1997 dhe vitin e vrasjeve 2011. Mes këtyre dy vitprovave, qëndron ai, i cili, edhe kur u provua si president, edhe kur u provua si kryeministër, doli se ishte kallp dhe nuk bëri asgjë nga ajo që ishte pritur…
  

Ngjasimet e vitit 1997 dhe janukoviçizmi i një njeriu buzë greminës…

Më shumë se sa me Timoshenkon, ngjasimi i Berishës i vitit 1997 (por edhe i tashëm) është me presidentin ukrahinas në ikje, Janukoviç. Në vitin e prapshtë, Berisha në ankthin e asaj që mbolli vetëdijshëm, sapo njerëzit dolën në rrugë, gjënë e parë që bëri, largoi familjen e tij, e dërgoi ku mundi, deri në Suedi, dhe kjo është krejt e njëjtë me zhdukjen e familjes së ukrahinasit. Edhe atëherë, në vitin 1997, ai dha urdhër të armatoseshin me listë militantët e tij, sidomos nga zonat veriore; njëjtë sikur urdhëroi i ikuri ukrahinas; edhe atëherë ai u përpoq të ndante në hasmëri Shqipërinë, në veriun pro tij, demokratikas por jo demokratë, dhe në jugun kundër tij, rebel, socialist, bandit, njëjtë sikur adashi i tij politik ukrahinas, ku vendi nga tendencat separatiste rrezikon të ndahet më dysh; edhe atëherë, të keqen që pllakosi vendin ai nuk e gjeti tek vetja dhe regjimi i tij autokratik, që opozitën e përgjakte në mesin e sheshit kryesor të Tiranës, por përtej vetes, tek agjenturat e huaja deri në Amerikë; njëjtë si ndodhi me sozinë e tij politike në Kiev; edhe atëherë në vitin 1997, ai dha urdhër të përdoreshin të gjitha mjetet luftarake, deri tek avionët dhe lëndët kimike, (desh u bë Sali kimiku), për të ruajtur pushtetin e tij presidencial, ku sapo ishte rizgjedhur përmes hijeve të tankeve nëpër rrugë; njëjti si ai, Janukoviçi, urdhëroi për të vrarë e bastisur kudo; edhe atëherë, Berisha, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe Shqipërinë e vendosi nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit, SHIK, dhe të një manjaku fondamentalist, lejoi masat e posaçme, dërgoi trupat e militantëve në jug, shtoi kontrollet, bastijset, arrestimet, njëlloj si ndodhi këto ditë në Kiev dhe në qytetet e tjera ukrahinase nga dëshira e një diktatori për të ushtruar pushtetin e tij bandit.

Dhe ajo që ndodhi më pas në Shqipëri, si rrjedhë e kësaj çmendurie presidenciale, që ishte njëkosisht edhe krim politik e njerëzor, numëron mijra të vrarë, prag lufte civile, anarki e zhvatje, dhe e gjithë kjo të kujton presidentin ukrahinas. Dhe për ta bërë gjithçka më të besueshme, shefat e opozitës ishin po ashtu, në të dy vendet, të burgosur, nën të njëjtën akuzë dhe thuajse me të njëjtin dënim.

Nëse ka një njeri, të cilin e ka ndjekur verbërisht Janukoviçi, ndoshta pa e njohur, ky është Berisha, çmenduritë presidenciale të njërit janë krejt të njëjta me të tjetrit, sa të duket sikur kanë rrjedhur nga i njëjti burim politik. Dhe, medet, për të shkuar më tej, që të dy, asaj kohe njëri e më pas tjetri, kishin frymëzim sllav:  Janukoviç nga shteti i madh shovinist rus, ky i yni nga shteti serb, me të cilin kishte bërë tregti edhe pse ndodhej nën embargo, kishte dërguar armë, ani se kush vritej…kishte pritur solemnisht doren e djathtë të një njeriu që shumë shpejt do të konsiderohej krimineli i Ballkanit. Rastësi… pak e besueshme të jetë kjo, përngjasimi është i jashtëzakonshëm, deri në detajet më të imta, por që kanë lënë pas vetes të vrarët që nuk ngrihen më.

Por ka një ndryshim të madh: 17 vite më parë, nga toleranca e cunguar mendërisht e një stafi socialistësh, që nguteshin të merrnin pushtetin e jo të bënin shtetin, Berishës nuk i hyri gjëmb në këmbë, jo si kolegut të tij ukrahinas, që nuk i zënë këmbët dhe. Vendimi më racional dhe më historik i asaj kohe do të ishte (në mungesë të një përballimi juridik gjyqësor të domosdoshëm), të paktën, për gjithë atë katrahurë që la pas vetes në pesë vite pushtet absolut, humbja e së drejtës për të qenë njeri i politikës. Vendi do të kishte marrë frymë lirisht, jo vetëm në vitin 1997, por edhe tani. “Falja” e tij si do të mburreshin më pas disa liderë socialistë, është ende precedenti më i rrezikshëm, që dëshmon se kushdo, që është ndërkohë lider shtetëror, mund të bëjë gjithçka në dëm të këtij vendi, ai mund të nxisë urrejtjen,të grabisë, të udhërojë  vrasjet masive, të armatosë militantët, të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, të vendosë shtetin nën diktatin e sigurimit të tij, të shkatërrojë financat, të vendosë kontrollin policor, të vendoset rendi nën kontrollin e bandave, dhe përsëri, si më parë, të jetë lider i një force politike. Kjo e bën shtetin lehtësisht të rrezikuar, dhe pikërisht se socialistët nuk iu drejtuan popullit përmes një referendumi për të ardhmen politike të Berishës, që do të kishte një votë plebishitare kundër vazhdimit të jetës së tij politike, ndodhën edhe ngjarjet pasuese, sepse, si dihet tashmë, ndëshkueshmëria dhe personalitetet shtetërore janë kundërshtim i njëra-tjetrës.

Kush mund ta mendonte në vitin 1997 se njeriu i gjëmës kombëtare do të jetë i fshehuri i Gërdecit, urdhëruesi i 21 janarit, masakruesi edhe një herë i ekonomisë së vendit…dhe të gjitha këto, në kohën e sotme, të sjellin në mend vetëm një njeri, çuditërisht i riformatuar si një vazhdim i Berishës, Janukoviçi, ukrahinasi në arrati, pasi parlamenti i atjeshëm, ndoshta duke zënë mend nga porositë e Perëndimit, nuk bëri “falje” berishiane.


Përngjasimi i vrasjeve

Ngjashmëria në mes dy ish presidentëve dhe oligarkëve vjen e bëhet edhe më e ngushtë nëse ditët e fundit në Ukrahinë i krahasojmë me ngjarjet e 21 janarit. Përmasat janë të ndryshme, por misteri është i hapur. Berisha vrau vetëm 4 vetë, sepse ajo ishte dita e parë e protestës, e cila më pas, duke pasur drojën e njeriut që të bën gjëmën, erdhi duke u asfiksuar. Në ditët e para të protestave Janukoviçi nuk vrau askënd. Berisha e filloi me vrasje dhe njëkohsisht me paralajmërimin se është grusht shteti- njëlloj si adashi i tij politik në Kiev – dhe paralajmëroi se mund të vriten 3 vetë, mund të vriten 30 por edhe treqind. Ky ishte deliri i pasmë i njeriut haluçionant, dhe nuk arriti të vrasë përtej katër burrave, sepse në shesh nuk kishte të tjerë. Për të dëshmuar se mizoria e tij ishte ftohtësisht e llogaritur, ai nuk vrau në kohën e pikut të përleshjeve, si u tha se ndodhi shpesh herë në Ukrahinë, por vrau qetësisht, dhe haptas, pa asnjë lloj droje, kërcënoi liderin e opozitës, se, jo vetëm do e vriste, por do i mbante edhe fjalimin më të bukur të varrimit në histori. Kërcënoi se do të vriste edhe të tjerë, të panumurt, dhe ndoshta në vetdijen e tij ka ngelur brenga se nuk mund të vriste edhe më tej. Kjo është e përbashkta e dytë mes tyre, por, si thonë gjermanët, çdo krahasim është i mangët, dhe nëse do të mbeteshim deri këtu, gjithçka do të ishte mangësi.

Berisha ka një ngjashmëri tëjashtëzakonshme me ish-presidentin ukrahinas J. në gjithçka që kanë ndërtuar në vitet e qeverisjes; që nga luksi i jetesës së tyre, ku vila e J. mund të duket pak përballë pasurisë berishiane, me vila, stërvila, toka, fonde të ditura e të paditura. Luksi i fëmijve berishianë është njëri ndër turpet e vendit ku jetojmë dhe pjesë e të cilit jemi, pasi është vënë vetëm mbi të qenurit e babait të tyre kryeministër, i cili, “duke zënë mend” nga braktisja e vitit 1997, tani u kujdes që fëmijët e tij, si Mirkoja i Milloshit, të ishin njerëzit e pasur të këtij vendi, por që, po ashtu si ky Mirkoja, edhe birboja të mos i gëzojë gjatë.

Ngjashmëria e tyre, mes Berishës dhe J. shkon deri në ndërtimin e strukturave juridike të vendit, ku gjithçka është e zhytur në llum, dhe ku të ndershmit ende nuk dihet se ku janë, vetëm nëse fshihen pas mustaqeve të dikujt tjetër. Pasuria e gjyqësorëve tashmë është kaluar në përrallë, dhe këtë Berisha nuk e ndërtoi për hir të pushtetit, por për mbajtjen e pushtetit dhe atë që mund të ndodhë pas tij. Të dy, J. dhe Berisha, ndërtuan një strukturë kontrolli të jashtëzakonshme mbi shtetin, e shndërruan për disa kohë partinë në shtet, dhe, të gjitha këto, kanë krijuar precedentët e rrezikshëm të kapjes së shtetit nga mafia politike, e dhëmbëzimit të saj përmbi të drejtën, e sashenkizimit të ligjeve dhe të së drejtës, e në fund të fundit në anomalinë e stërmadhe të drejtësisë.

Berisha synon të përngjajë në Timoshenkon pasi shumë vetë, në modelin e tij, synojnë të jenë ata që nuk janë më dhe që ndoshta kurrë nuk kanë qenë. Në të vërtetë Timoshenko nuk është ëngjëll, por duke e krahasuar me këtë që kemi ne, këtë farë berishenkoje, duket si e tillë.

Droja e madhe e tij është vetmia, ajo po i vjen. Ai kërkon të largohet nga hija që e ndjek pas e ish presidentit J. si tek Makbethi, pasi, tmerrshëm, vuri re braktisjen që i bënë atij njerëzit e partisë, që i kishte mëkuar, i kishte urdhëruar, që ishin pasuruar përmes tij. Berisha e ndjen ftohtësinë reth e rrotull vetes, edhe nga trupa ministrore ose partiake rreth tij, e ndjen heshtjen, përdallimin, dhe kjo e bën të ikë me turr nga statura e mjerë e J. dhe të kërkojë , edhe një herë të ketë një staturë tjetër, që të mos braktiset. Ai e di, se pas vetmisë së tij, turrshëm do të vijë edhe ndëshkimi i familjes së tij, jo se është familja e tij, por sepse u bënë pjesë e këtij mjerimi, korrupsioni dhe zhvatje.

Gjykimi, braktisja, vetmia, ndëshkimi familjar dhe politik, të gjitha sëbashku dhe secila veç e veç, janë ata që e bëjnë Berishën të kërkojë të ikë nga vëllai i tij siamez politik, ish presidenti J. dhe të dëshirojë me ngulm të jetë në afërsinë e figurës së Timoshenkos, më shpresën se, edhe në mos ardhtë përsëri në pushtet, të paktën të mos vijë dita kur qielli të jetë i ndarë në 16 copë.

E provuam këtë njeri si president, e provuam si kryeministër, asgjë nuk ia vlejti. Ishte kohë e humbur dhe një ëndërr e bjerrur./Dita


imazhe shqip


http://imazheshqip.blogspot.com/2012/12/mos-e-beso-po-deshe.html



*   *   *









February 23, 2014

Enver Hoxha dhe një histori mes



Edi Ramës dhe 
Berishës në janarin e vitit1991

<img src="sali berisha.jpeg" alt="Sali Berisha" />

Nga Prof.Pëllumb Xhufi
Revista JAVA

Të bësh një analizë pak a shumë të saktë e gjithpërfshirëse të Enver Hoxhës është një mision i vështirë e, me sa duket, i parakohshëm. Misioni bëhet edhe më i vështirë në këtë klimë intolerance prej lufte të ftohtë, të krijuar nga lukunia e spiunëve dhe e komunistëve të konvertuar që kanë qeverisur vendin këto 23 vjetët e fundit.  Aq më shumë, bëhet e vështirë të flasësh në mënyrë të paqme për Enver Hoxhën dhe për çdo ngjarje e personazh të periudhës së komunizmit shqiptar, kur ftohesh ta bësh një gjë të tillë në 20 shkurt, datë që lukunia në fjalë e ka zgjedhur si ditën e saj të Shën Bartolomeut. Kështu, çdokush që rreket të shkruajë ndonjë mendim për Enverin, siç po bëj unë tani, instinktivisht priret  t’i masë fjalët, për të qenë politikisht korrekt me lukuninë e spiunëve dhe të të konvertuarve, që në çdo 20 shkurt veteksitohen deri në kafshim. Ndërsa them këto, vetvetiu më fanepset histori e vitit 1991, që ka për protagonistë z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama. Ishte janar, kur në sallën “Dea” të Pallatit të Kulturës Partia Demokratike e porsakrijuar kishte organizuar një bashkëbisedim me intelektualë të kryeqytetit. Mes të tjerash, një i pranishëm në atë takim e pyeti z. Berisha se cili ishte qëndrimi i tij dhe i PD ndaj figurës së Enver Hoxhës. Z. Berisha u përgjegj ngatërrueshëm, duke thënë, hiç më shumë e hiç më pak, atë që po them edhe unë, pas 23 vjetësh, në hyrje të këtij shkrimi: “Enver Hoxha është një figurë komplekse, me të mirat e të këqijat e tij”. Me të mbaruar këto fjalë, nga gjysmëerrësira e rreshtit të fundit ia befi Edi Rama, i cili rrëmbeu thuajse me forcë mikrofonin dhe me një “ua tregoj unë se kush ishte Enver Hoxha”, filloi t’i tregojë sallës, e sidomos Doktorit që nuk ishte çliruar ende nga hija e Komandantit, se Enver Hoxha nuk ishte aspak një figurë komplekse…Të gjithë e dinë se çfarë mendon Edi Rama për Enver Hoxhën, ndaj nuk dua të zgjatem as me pasionin e tij antienverist, të sinqertë, të kuptueshëm por antihistorik, dhe as me antienverizmin e antikomunizmin e z. Berisha, që është i vonuar, i shtirë, antihistorik e gjithashtu amoral.

Për Enver Hoxhën është shkruar shumë kohët e fundit, por kryesisht duke e analizuar atë kryesisht në marrëdhëniet me demokracinë dhe me të drejtat e njeriut. Kjo është e kuptueshme, e pashmangshme dhe e domosdoshme Ai i përkiste, qysh në nisje, një bote dhe një ideologjie që e shkelte individin, liritë dhe të drejtat e tij, në emër të rendjes pas një projekti utopik që do t’u sillte të gjithëve, njëherësh e njëlloj, mirëqënien e lumturinë e kërkuar.  Kundërshtarët e tij politikë, nga bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, e deri te përfaqësuesit e “klasave të përmbysura”, u dënuan me një ashpërsi që nuk e pati shoqen as në Rusinë e Stalinit. Në mënyrë të veçantë, histeria represive e shpërthyer pas vitit 1970, kur pas “kërleshjes” me SHBA dhe BRSS regjimi bëhej gati t’i hidhte dorashkën edhe Kinës dhe për rrjedhim kishte nevojë më shumë se kurrë për një “paqe të brendshme”, nuk mund të shpjegohet veçse me një degradim politik dhe intelektual të regjimit dhe të vetë Enver Hoxhës.

Por, për  marrëdhëniet negative të Enver Hoxhës me demokracinë e me të drejtat e njëriut është folur mjaft pas vitit 1990. Edhe biografitë mbi të, të shkruara vitet e fundit, vërtiten në mënyrë të pashmangshme rreth këtij motivi. Ndërkohë, aspekti represiv i shtetit dhe  i vetë personalitetit të Hoxhës nuk përfaqëson të gjithë qënien e tij si politikan e burrë shteti.  Për një analizë më të thelluar e më historike, do të ishte e nevojshme të hetoheshin edhe marrëdhëniet e liderit komunist me gamën e madhe të veprimtarive partiake e shtetërore, që ai drejtoi me dorë të hekurt për më shumë se 40 vjet.   Pak ose aspak është shkruar lidhur me raportet e tij me pavarësinë e sovranitetin, me mbrojtjen e sigurinë, me  industrinë, bujqësinë, energjinë, arsimin, shëndetësinë, politikën e jashtme, kulturën, shkencën, sportet etj. etj. Nëse ne e pranojmë si një të dhënë të paracaktuar nga ngjarjet e Luftës II Botërore instalimin e sistemit komunist në Shqipëri, dhe në rast se analiza jonë nuk abstragon nga kjo premisë e rëndësishme, atëhere kuadri  i realizimeve dhe i dështimeve të regjimit të Enver Hoxhës në këto fusha nuk del aq i zi, sa ç’rezulton kuadri i rrënuar i raporteve të tij me të drejtat e individit dhe me demokracinë.

Ajo që unë dua të trajtoj posaçërisht këtu dhe që me siguri do irritonte shumë vetë, ka të bëjë me raportet e Enver Hoxhës me nacionalizmin dhe me Kosovën, si thelbi i çështjes kombëtare shqiptare. Shumica e autorëve dhe e teksteve të huaja, që janë marrë me historinë e Shqipërisë të pas Luftës, janë të një mendje kur thonë se Enver Hoxha ishte një komunist nacionalist. Sigurisht, në vendin e shqipeve nuk është pa rrezik ta thuash një gjë të tillë: rrezikon të mbytesh në detin e urrejtjes, të pështymëve e të jargëve të të ashtuquajturve “nacionalistë të opingës”. Ndaj, më së pari duhet sqaruar terminologjia.  Tashmë është bërë e modës të kategorizohen si “nacionalistë” figura si Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Halil Alia, Selim Kaloshi, Isa Toska, Taf Kaziu, Bektash Cakrani etj. etj. Mirëpo, thotë Bernd Fisher, në rastin më të mirë, nacionalizmi i këtyre figurave ishte thjesht një “nacionalizëm krahinor”. Gjatë Luftës I dhe Luftës II Botërore, kush më shumë e kush më pak, çdonjëri prej tyre ra në ujdi me pushtuesit. Termat e ujdisë qenë të thjeshta: ju mos na hyni në sinoret e fshatit tonë, ne do t’iu ndihmojmë të shtypni çdo rezistencë jashtë sinoreve tona. Sigurisht, kundrejt pagesës. Kështu, këta trima, ndërsa betoheshin e përbetoheshin për “Shqipërinë Etnike”, e kaluan kufirin e krahinës së tyre vetëm për të vrarë e për të prerë shqiptarë të tjerë, pikërisht ata që luftonin për lirinë e vendit të tyre. Kështu bënë në Vlorë, në Berat, në Shkodër e Tiranë në dimrin e vitit 1943-1944. Nuk u mjaftuan me kaq. “Legalistë” si Musa Juka e Muharrem Bajraktari qysh në 1942, dhe “ballistë”, si Mithat Frashëri në 1944, i propozuan marrëveshje të fshehta përfaqësuesve të së djathtës nacionaliste serbe e greke, Drazha Mihajlloviçit dhe Napoleon Zervës. Këto parashikonin, hiçmosgjë, bashkimin e Shqipërisë në një federatë me Serbinë, gjegjësisht me Greqinë . Në 1948, kur E. Hoxha i preu marrëdhëniet me Jugosllavinë, përfaqësuesit e “nacionalizmit” në mërgim (mes tyre edhe Ernest Koliqi), i shkruanin letra Titos, ku e grishnin atë të sulmonte Shqipërinë, të rrëzonte regjimin e Enver Hoxhës dhe t’ua besonte atyre drejtimin e atij vendi, me premtimin se Shqipëria “e tyre” do të ishte një mike besnike e Jugosllavisë. Ishte skema e përpunuar  nga “arqi-nacionalisti” Esat Pashë Toptani (1914)dhe e zbatuar nga Ahmet Zogu (1924).

Sigurisht, në raport me ta, nacionalizmi i Enver Hoxhës ishte krejt tjetër. Hoxha e shpalli të paprekshme atë Shqipëri që trashëgoi, Shqipërinë e Londrës.  Në marrëdhëniet me jugosllavët e Titos, vuri qysh në kohën e luftës çështjen e Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë. Në 1943, Titua e pranoi se Kosova ishte shqiptare dhe pas luftës duhej t’i bashkohej Shqipërisë. Në janar 1944, me inisiativë të komunistëve shqiptarë këndej dhe andej kufirit (Fadil Hoxha shkruan se inisiator ishte Enver Hoxha dhe ai vetë), u mblodh Konferenca e Bujanit, ku u ritheksua vullneti i popullit të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë.  Në vitin 1946, Ambasadori i Jugosllavisë në Shqipëri, Gjegja, i cili shoqëroi Enver Hoxhën gjatë vizitës së këtij të fundit në Beograd, deklaronte se gjatë bisedimeve me Titon, lideri shqiptar kishte kërkuar “në një mënyrë të papërshtatshme” bashkimin e premtuar të Kosovës me Shqipërinë. Po me atë rast, Hoxha këmbënguli që problemi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë të përfshihej edhe në Traktatin e Miqësisë e Bashkëpunimit, që dy vendet bëheshin gati të nënshkruanin. Pas prishjes me Jugosllavinë, në 1949, Hoxha i shkruante një letër të gjatë Stalinit, ku pasi paraqeste një histori të detajuar të shqiptarëve nën regjimin e Karagjeorgjeviçëve e të Titos, konkludonte se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do ta forconte këtë të fundit, “aleate besnike e BRSS”dhe do ta dobësonte Jugosllavinë e Tito-Rankoviçit. Nuk ka dyshim se afrimi i Krushovit me Titon në 1955, ishte një nga shkaqet kryesore të krizës në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare.  Hoxha nuk mund të harronte që pas vitit 1948 Jugosllavia ishte bërë bazë kryesore ku organizoheshin veprimtaritë e zbulimeve jugosllave, amerikane e greke kundër regjimit të Tiranës. Mbi të gjitha, mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë mbetej problemi i mprehtë i Kosovës. Qëndrimet e Enver Hoxhës pas vitit 1960 për çështjen e Kosovës zhvishen gjithnjë e më shumë nga mbulesa ideologjike dhe dominohen nga retorika nacionaliste, herë-herë edhe me nota raciste. Hoxha lëshohet me të njëjtim tërbim kundër “qelbësirave frikamane maqedonase që terrorizonin shqiptarët” (1969), por edhe kundër shërbëtorve shqiptarë të regjimit të Beogradit, duke filluar nga “qeni serb” Sinan Hasani (1982). Në vitin 1966 shkruante artikullin “Kush përgjigjet për krimet e genocidit të kryera në kurriz të popullsisë shqiptare të Kosovës, Malit Zi e Maqedonisë”, ku nënvizonte si momente kryesore vrasjet e të rinjve kosovarë në Mal të Zi (Tivar), ato të kryera në Kosovë kundër gjoja kundërshtarëve të Luftës, terrori gjatë aksionit për grumbullimin e armëve. Denoncon gjithashtu politikat shkombëtarizuese në dëm të shqiptarëve nëpërmjet rrudhjes së vazhdueshme të të drejtave kombëtare të tyre, duke filluar nga ajo e shkollimit në gjuhën shqipe. E trembte ajo që do të vinte pas vdekjes së Titos, kur edhe në të gjallë të tij zhvillohej një luftë e egër mes klaneve të ndryshme brenda Lidhjes së komunistëve jugosllavë. “Në kuadrin e kaosit e të shqyerjeve mes klikave të Jugosllavisë, Kosova dhe banorët e saj shqiptarë gjenden kurdoherë të ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha”, shkruante në 19 shtator 1966. Hoxha tregon se e njihte mirë gjendjen në Kosovë, kur bën përgjegjës kryesor të politikave antishqiptare klanin serb të përfaqësuar nga i njohuri i vjetër i tij, Dushan Mugosha dhe nga “xhelati” Rankoviç (ndërkohë, vetë Fadil Hoxha i vlerësonte këta të dy si dashamirës të shqiptarëve!). Eliminimi i Rankoviçit në 1966 si dhe denoncimi që Hoxha dhe Tito i bënë pushtimit të Çekosllovakisë në 1968, krijuan kushtet për një normalizim të marrëdhënieve me Jugosllavinë. Hoxha pati meritë të padyshimtë që këtë afrim ta kanalizonte thuajse tërësisht në drejtim të Kosovës, sidoqë jugosllavët insistonin që marrëdhëniet të zhvilloheshin paralelisht me të gjitha republikat jugosllave. Njohja e  autonomisë së Kosovës dhe sanksionimi i saj me Kushtetutën e vitit 1974, themelimi i Universitetit , i Akademisë së Shkencave dhe institucioneve të tjera mësimore e shkencore të Kosovës,  shkëmbimi i pedagogëve, studjuesve, artistëve, sportistëve midis Tiranës e Prishtinës, organizimi i veprimtarive shkencore me tonalitet të lartë kombëtar, siç qenë ato për  500-vjetorin e Skënderbeut (1968), Konsulta e Prishtinës për unifikimin e gjuhës (1968), Konferenca për 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit (1978) etj., krijuan një klimë të ngrohtë mes dy anëve të kufirit, e mbi të gjitha nxorrën në sipërfaqe një shtresë të re intelektualësh e studentësh kosovarë, që do të bëheshin protagonistët e ngjarjeve që do të vinin. E pra, askush nuk mund ta mohojë që Enver Hoxha i ka ideuar dhe i ka ndjekur deri në detaj këto zhvillime. Madje edhe duke korrigjuar vetveten. Deri në vitin 1981 ai ishte shprehur kundër parrullës “Kosova-Republikë” dhe mbronte projektin e bashkimit të thjeshtë të saj me Shqipërinë. Për këtë arsye, në 1973, kishte refuzuar të nënshkruante edhe Aktin Final të Helsinkit, që sanksiononte pandryshmërinë e kufijve në Evropë. Por, pas ngjarjeve të mars-prillit 1981 në Prishtinë, ai doli pa hezitim në mbrojtje të demonstratave të studentëve dhe të parrullave të tyre, mes të cilave më kryesorja ishte “Kosova-Republikë”.  Me rastin e zhvillimeve në Kosovë, Hoxha korrigjoi edhe qëndrimin e vet ndaj demokracive perëndimore. Për herë të parë pas 40 vjetësh, marrëdhëniet preferenciale të regjimit me Francën njohin një periudhë krize. Arsyen e shpjegon vetë Hoxha: Franca, e shqetësuar nga proceset dizintegruese në Jugosllavinë e pas-Titos, kishte marrë nën mbrojtje politikën represive kundër shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni. Ndërkohë Hoxhës nuk i kishte shpëtuar mbështetja që po i jepnin lëvizjes së shqiptarëve shtypi dhe mjedise politike të Gjermanisë Perëndimore. Pikërisht në maj të vitit 1981, në një shkrim të botuar tek “Zërit të Popullit”, ai artikuloi tezën e “së drejtës së kombit gjerman për të jetuar i bashkuar”, që pas ndonjë muaji e nënvizoi me më shumë forcë në Kongresin e Partisë së Punës. Hoxha shprehte bindjen, se në kushtet e mungesës së një marrëdhënieje çfarëdo me SHBA, do të ishte pikërisht Gjermania ajo që do sensibilizonte e do të tërhiqte aleatin amerikan në mbështetje të luftës së shqiptarëve në Jugosllavi. Sinjali nuk shpëtoi pa u kapur në Bonn. Ishte fillimi i një marrëdhënieje shumë të rëndësishme, që u konkretizua me vizitën e papritur të Franc Jozef Shtrausit në Shqipëri, në 1984, por që për fat të keq, pasardhësit e Hoxhës e lanë të shuhet me frikërat dhe pavendosmëritë e tyre.

Sigurisht, e gjithë kjo trajektore e shpejtë e qëndrimeve të Enver Hoxhës ndaj çështjes së Kosovës, si thelb i çështjes kombëtare shqiptare në shek. XX, shënohet edhe nga dyshimet e pasiguritë e veta. Mjafton të kujtojmë, se përvoja negative e marrëdhënieve me Jugosllavinë, gjatë dhe pas Luftës, bëri që regjimi i Hoxhës të dyshonte si “agjentë titistë”, dhe shpesh herë të keqtrajtonte, shumë nga patriotët kosovarë që kalonin kufirin për t’u shpëtuar përndjekjeve të organeve jugosllave. Çështë më e keqja, angazhimi i madh politik në mbrojtje të luftës së rinisë e të popullit të Kosovës, nuk u shoqërua të paktën me një relaksim të luftës së klasave dhe me një çfarëdo liberalizimi të ekonomisë të super-kolektivizuar e të pashpresë shqiptare. Përkundrazi. Por, me sa duket nuk mund të pritej më shumë prej Enver Hoxhës. Ishte nacionalist, por ishte edhe komunist. Dhe nacionalizmi i tij mbulohej herë pas here nga dallgët e një dogmatizmi ideologjik, që në vitet e pleqërisë u bë gjithnjë e më mbytës.
 imazhe shqip




*   *   *






February 19, 2014

PD, e pafuqishme përballë bustit të Berishës





Nga Mero Baze
  
Ka një kakofoni brenda opozitës për të përcaktuar identitetin e protestës së 20 shkurtit. Prirja më fine është ajo që përpiqet ta paraqesë si një trend politik për të orientuar politikën tek vlerat themelore të lirisë, raporti me ligjin dhe përgjegjshmërinë para publikut. Lulzim Basha duket se është i ekzaltuar nga formulimet poetike të Zogajt, Zhejit dhe disa njerëzve të tjerë afër tij, që duan ta mbajnë larg banalitetit të Berishës, por kjo i ka ngatërruar më keq gjërat. Përpjekja e zbehtë e PD-së për të rrëzur apo larguar hijen e bustit të Berishës, këtij të vdekuri që endet gjallë me dy këmbë në korridoret e asaj partie, po merr një përgjigje të egër prej tij.


imazhe shqip 
Përpjekja e zbehtë e PD-së për të rrëzur apo larguar hijen e bustit të Berishës, 
këtij të vdekuri që endet gjallë me dy këmbë në korridoret e asaj partie, po merr një përgjigje të egër prej tij.


Sa më shumë përpiqet Basha të gjejë ndonjë frazë të bukur për të ambalazhuar protestën, aq më shpejt dhe brutalisht Berisha e zhvesh atë në mënyrë vulgare, duke e kthyer nga një protestë politike, në një lëvizje sindikalistë shumëhallëshe, që përfshin ç’i vjen në tru Sali Berishës. Nëse i hidhni një sy postimit të tij për protestën, do të shikoni se aty nuk ka asgjë që ka lidhje me Partinë Demokratike apo 20 Shkurtin, që është një simbol opozitarizmi kundër diktaturave, por ka një amalgamë vulgare kërkesash dhe hallesh të rëndomta, nga ato që mund t’i bëjë dhe sindikata e pensionistëve apo e paraplegjikëve. Nëse analizon tekstin e ish- kryeministrit, fjalorin e tij, standardin intelektual dhe idetë që vërtiten mes atyre rreshtave, i gjen gjithë shpjegimet përse Shqipëria është katandisur në këtë pikë halli. Ja se çfarë opsioni ka Sali Berisha për protestën e 20 shkurtit. Së pari, i ka vënë si moto “Edi Rama, hiq duart nga xhepat tona”. Si për ta bërë dhe më qesharak faktin që është një ish- kryeministër, ai shton se do protestojnë për rrogat, pensionet, taksat, shpërblimet e fundvitit, legalizimet, tritolin, çmimet e ushqimeve, faturën afrofe, për furgonat, rendin, qetësinë, sigurinë, maskat, gjobat, trafiqet… etj.  Me këto kërkesa mund të dalë në protestë një sindikatë apo një lëvizje sociale, por jo një parti politike, që mes të tjerash shkon dhe përzgjedh si ditë proteste 20 Shkurtin, që lidhet thellësisht me një memorie historike kundër diktaturës. Më 20 Shkurt vlen të protestohet për lirinë, për kufizimet e saj, për autoritarizmin në pushtet, nëse ato ekzistojnë. Kjo qeveri deri më sot e vetmja gjë pozitive që ka, është se ka dëshmuar respekt ndaj zërit të qytetarëve dhe jo autoritarizëm të tipit Sali Berisha, që vret katër qytetarë vetëm pse protestojnë. Kështu që menyja e Berishës për protestën e 20 shkurtit është fyese jo vetëm për 20 Shkurtin, por dhe për vetë PD, e cila në këtë rast po lufton më shumë për të mbrojtur nderin e Berishës, se sa për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Menyja e Bashës dhe ekipit të tij është tashmë një letër e grisur, që nuk i hyn në punë askujt. Berisha po imponon axhendën e vet më 20 shkurt, e cila është qëllimisht banale dhe vulgare, jo aq shumë kundër qeverisë, sa t’i imponojë partisë së vet shkollën e tij, gjuhën e tij plot injorancë dhe vulgaritet, mungesën e thellë të kulturës në komunikimin publik, pra mbi të gjitha t’i imponojë partisë që ta kthejë këtë protestë në një përpjekje për të ruajtur hijen e tij mbi partinë, bustin e tij politik, që e çoi atë parti në greminë dhe e ka kthyer në një sindikatë bashibozukësh, që ngatërrojnë detyrimet e tyre ndaj shoqërisë, me hallet sociale të njerëzve, të shkaktuara prej tyre.

Problemi më i madh që ka sot PD-ja, është se nuk rrëzon pikërisht dot këtë bust të vdekuri, që është fizikisht gjallë, i cili simbolikisht po i bën PD atë që shqiptarët i bënë Enverit më 20 Shkurt. Nëse ata e hoqën zvarrë nga sheshi nëpër bulevard, Berisha, edhe pse i vdekur, po heq zvarrë PD-në, nga i njëjti shesh, në të njëjtën rrugë, duke e çuar në plehrat e historisë./TemA


http://www.gazetatema.net/web/2014/02/19/pd-e-pafuqishme-perballe-bustit-te-berishes/


imazhe shqip




*   *   *








Flet një nga protagonistët e Lëvizjes së Dhjetorit, Ilir Dizdari




<img src="Ramiz Alia dhe Sali Berisha 1990.jpeg" alt="Ramiz Alia dhe Sali Berisha viti 1990" />
imazhe shqip
Ramiz Alia dhe Sali Berisha


                                                     Bisedoi: Luljeta Progni

-Zoti Dizdari, 23 vite më parë në 20 shkurt ‘91 u rrëzua busti i Enver Hoxhës si pasojë e grevës së urisë së studentëve, ku ju ishit organizator. Partia Demokratike ka lajmëruar një protestë masive më 20 shkurt 2014 kundër qeverisë Rama. Sa e justifikojnë motivet e kësaj protestë simbolikën e kësaj dite sipas jush?

Kemi pranuar një sistem politik që quhet demokraci dhe të gjithë lojërat e mundshme dhe shfrytëzimi i simbolikave është e drejtë e partive politike dhe njësive politike që veprojnë në vend. Mendoj se kjo protestë pati një motiv ekonomik dhe më pas u vesh me kostumin e datës 20 shkurt, që është dita kundër idhujtarisë totalitariste. Në vizionin tim, 20 Shkurti është dita kur e vërteta u nda nga gënjeshtra, ku liria u nda me diktaturën, ku e ardhmja u nda me të shkuarën. E vërteta është që lëvizja e 20 Shkurtit ishte totalisht lëvizje politike e njëkahshme dhe i gjithë spektri politik i asaj kohe ka qenë kundër saj. Vlen të theksohet që ishin zgjedhjet për t’u zhvilluar më 10 shkurt dhe PD ishte e angazhuar krejtësisht në fushatën e saj elektorale për këto zgjedhje. Nuk mbaj mend asnjë personazh të rëndësishëm politik të asaj kohe, që të ketë përkrahur grevën tonë deri në momentin kur e bëmë fakt të kryer.

<img src="Ramiz Alia dhe Fatos Nano.jpeg" alt="ramiz alia dhe fatos nano viti 1990" />
imazhe shqip
 Ramiz Alia dhe Fatos Nano

- Njëri prej drejtuesve të PD në atë kohë, Arben Demeti, i cili ishte sekretar organizativ, thotë për këtë moment se PD ishte e kushtëzuar në vendimin që duhet të merrte për mbështetjen e grevës së urisë. Kjo për shkak të marrëveshjeve të bëra me partitë politike në funksion të ruajtjes së stabilitetit në vend. Demeti shprehet gjithashtu se PD e ka mbështetur grevën e  urisë së studentëve, por jo publikisht…

Nëse zoti Demeti thotë që nuk e kemi mbështetur grevën publikisht, sugjerimi im është që ai t’i referohet gazetës Zëri i Popullit e datës 18 shkurt, faqja 3. Zoti Demeti është mbajtës i mirë i dokumenteve historike.



- Për cilat arsye mendoni se PD nuk e mbështeti grevën e urisë?

E thashë dhe më parë se PD ishte e zënë me fushatën elektorale dhe me marrëveshjen që ishte bërë me PPSH në atë kohë. Marrëveshje që ia diktonte koha dhe konteksti politik. Është tërësisht e logjikshme që PD të ruante interesat e freskëta politike dhe të jemi realist, nuk është se PD në atë kohë, e cila ishte një front antikomunist, kishte ide të qarta dhe të ishte aq idealiste sa lëvizja studentore shqiptare. Nuk mund të them se në planet e saj apo databazën e saj nuk ekzistonte potencialisht kjo gjë, si mendim politik brenda kësaj partie.  Por si një forcë e re që po rritej vrullshëm, ishte brenda saj edhe konformizmi, dhe idetë për t’u përplasur fort me PPSH, që ishte në pushtet dhe kishte gjithë mekanizmat në dorë.


- A është ky argument i mjaftueshëm si justifikim për PD dhe qëndrimin e saj në këtë moment të rëndësishëm të historisë?

Plotësisht. Sepse realisht PD ishte forcë politike dhe duhet t’i bindej rregullave të lojës. Është e vërtetë që ishte e parakohshme për PD kjo lëvizje. Por këtu shkëlqen edhe një herë ideja që lëvizja studentore shqiptare në dy kulminacionet e saj, ka qenë plotësisht e pavarur, idealiste, e pastër nga çdo lloj ndikimi, manipulimi, ndërhyrje nga çdo individ, subjekt apo mekanizëm tjetër.
  

- A ishte greva juaj një lëvizje paralele me ato të PD, dhe a erdhi ky reagim i juaji si pasojë e mënjanimit që asokohe i ishte bërë studentëve të dhjetorit?

Unë edhe sot e kësaj dite besoj se, revoltimi i studentëve qëndronte në faktin që nuk e kuptonin dot që do dilnin inxhinierë, ekonomistë, juristë etj, dhe në diplomat e tyre do të shkruhej që kanë qenë studentë në universitetin “Enver Hoxha” të Tiranës. Sidoqoftë kjo lëvizje nuk ishte një gjetje politike. Ishte një vokacion dhe frymëzim që buronte natyrshëm prej idealizmit të studentëve. Nuk është rastësi që pas vetëm një shkëndijë të një proteste ekonomike në Kamëz në ish- Institutin e Lartë Bujqësor, u bë shkak si fillesë për t’u finalizuar me grevën e urisë. Fillimisht PD me disa prej liderëve të saj e përkrahu këtë lloj proteste ekonomike krejt natyrshëm, për të fituar bonusin politik në fushatën në të cilën ndodhej. Por për të fituar bonus në raport me PPSH. Ishte një argument plus në atë fushatë. Por kur ne formuluam deklaratat tona dhe filluam mitingjet në Qytetin Studenti, të cilat zgjatën për rreth dy javë, PD u përpoq ta shtynte këtë proces. Nuk them ta pengonte, por ta shtynte. Ishte krejtësisht e natyrshme, brenda logjikës politike të një partie që do të jetë e matur në një fushatë elektorale. Por po t’i referohemi zhvillimeve të kohës, PPSH bënte vazhdimisht thirrje dhe akuza në mediat e kohës për tendenca ekstremiste dhe donte ruhej nga kjo gjë. Për t’u larguar nga kjo lloj optike, në të cilën PPSH po përpiqej ta fuste PD, drejtuesit e saj normalisht do të zgjidhnin një pozicion më të ekuilibruar dhe qartazi jo idealist ndaj kësaj lëvizje të studentëve. Ky hon i thellë i krijuar asokohe midis studentëve dhe PD-së, me këto mosmarrëveshje në lidhje më këto çështje, sollën edhe ndryshimet e ditura dhe të shumëkomentuara në lidershpipin e PD në atë kohë.



- Për cilat ndryshime e keni fjalën?

Me sa mbaj mend kryetari i komisionit nismëtar zoti Azem Hajdri, Heroi i Demokracisë, në atë kohë u shkarkua nga ky post, pra nga kryetar i komisionit nismëtar dhe u zëvendësua nga zoti Sali Berisha.


-Për shkak të qëndrimeve që ai pati për grevën e urisë?

Dua të them se kjo lëvizje solli ndryshime në lidershipin e PD, ndërsa komentet dhe vlerësimet i bën secili në vartësi të optikës që ka për ngjarjet në fjalë.


- Kur ju hytë në grevën e urisë, a pati kërkesa dhe përpjekje nga ana e drejtuesve të PD ndaj jush për të ndërprerë grevës?

Dërgatat nga klasa politike ishin të shumta. Tratativat dhe bisedimet dhe ngjarjet ishin mjaft intensive. E vërteta është që edhe brenda PD kishte një amulli mendimesh, të cilat ishin pro apo kundër grevës, dhe ky është një debat krejtësisht normal brenda logjikës së mendimit politik që ka çdo personash në politikë. Është i natyrshëm qëndrimi pro grevës, por edhe ai kundër saj. Në respekt të plotë për mendimin e lirë, nuk është në natyrën time të merrem me komentin pse dikush ishte kundër pasi arsyet dhe justifikimet mund të jenë nga më të ndryshmet. Thënë troç, në respekt të plotë për të gjithë ata që ishin pro dhe kundra, Shqipëria ishte në një proces ndryshimi dhe normalisht diversiteti i mendimeve ishte prezent. Mendimi ndryshe duhet respektuar në çdo kohë. Ne, për këtë, pra për mendimin ndryshe, dhe legalizimin e tij në mentalitetin politik shqiptar, kishim nisur luftën tonë. Pra kishte mendime pro dhe kundër. Edhe babai im ishte kundër dhe ishte një ndër njerëzit që erdhi në ambientet ku zhvillohej greva dhe më kërkoi që ta braktisja grevën. Kuptova në fjalët dhe sytë e tij se frika shqiptare ndaj diktaturës nuk ishte vrarë ende. Greva i dha fund kësaj frike.


- Shenasi Rama dhe Blendi Gonxhe, në atë kohë kur zhvillohej greva e urisë, kishin dhënë dorëheqje nga komisioni nismëtar i PD. Prania e tyre në grevën e urisë dhe aktivizimi i dukshëm i tyre në organizim a përbën një argument që qartëson se studentët dhe PD kishin një ndarje mes tyre?

Bendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia, Ndue Luxha, Arben Lika, Arjan Manahasa, Mesila Doda dhe Ilir Dizdari janë personazhet mjaft aktivë të asaj kohe, pra të grevës së urisë së studentëve, dhe organizatorë të saj. Janë shtatë emrat që përbëjnë zyrtarisht komisionin e grevës së urisë së studentëve. Shenasi Rama, i cili në atë kohë drejtonte një shoqatë që quhej “Fan Noli”, Edvin Zhvarc, Myftar Gjana, Fred Gremi, Shpëtim Idrizi, Alban Bala, Sokol Tafaruçi, Artan Asllani, Soko Dakli dhe shumë të tjerë i dhanë jetë aksionit politik të grevës së urisë. E vërteta është që ne zgjodhëm një komision pa kryetar dhe vendimet i merrnim me konsensus të përbashkët, në konsultë të plotë me gjithë drejtuesit e fakulteteve. Kjo gjë bënte që të kishim një vendimmarrje më të drejtë dhe që objektivi ynë ishte kundërshtimi i pushtetit të PPSH-së. Pra, ata të mos kishin mundësi të godisnin individë të caktuar. Pra, ne ishim organizuar mirë. Mbaj mënd që Shenasi Rama ishte shumë aktiv dhe gjatë gjithë kohës së grevës së urisë qëndronte në tarracën e godinës ku po zhvillohej greva bashkë me Myftar Gjanën dhe Shpëtim Idrizin, dhe kishin formuar një grup studentësh ku ishte edhe Edmond Bushati, Arben Sulo, Ben Lika, etj, të cilët kishin thyer edhe pllakat e sipërme të godinës për t’i përdorur kundër policisë në një rast të mundshëm sulmi të tyre ndaj nesh.  Shenasiu gjatë gjithë kësaj kohe, siç dhe ka deklaruar vetë në media, kishte edhe konflikte konceptuale dhe personale me disa prej drejtuesve të PD së asaj kohe. Blendi Gonxhe, për shkak të një eksperience të mëparshme në Akademinë e Arteve, solli një risi në lëvizje, e cila kishte humorin apo talljen me diktatorin me emrin e tij dhe njerëzve që e kishin rrethuar. Me këtë element, Blendi Gonxhe u identifikua si personazh i rëndësishëm në grevë. Mbaj mend se një ditë para hyrjes në grevën e urisë, ishin mbledhur një grup djemsh, kujtoj Arben Likën e Myftar Gjanën, Shenasiun, Edvin Zhvarc, dhanë çfarë kishin në xhep,  për të mundësuar udhëtimin e disa djemve drejt Shkodrës për të gjetur një flamur pa yll, që ishte mjaft e vështirë të gjendej. Është i faktuar me fotografi ai flamur që u gjend në Shkodër. Na duhej një flamur pa yllin komunist dhe këtë e gjeti Shenasi Rama. U gjend ky flamur në sëndukun e një gruaje të moshuar të nderuar në Shkodër,  e cila e kishte ruajtur me kujdes për gjysmë shekulli.


-Ju jeni pjesë e rëndësishme e organizimit të studentëve në 8 dhjetor dhe në 20 shkurt. Në të vërtetë kur mendoni se u rrëzua përfundimisht sistemi komunist, në 8 dhjetor apo në 20 shkurt?

Është njësoj si të pyesësh babanë që kë do të donte me shumë, vajzën apo djalin. Është njësoj si të pyesësh nënën, sa ka ndjerë dhimbje, gëzim, sublimim, kur pas lindjes ka pasur në dorë djalin apo vajzën e saj. Lëvizja studentore shqiptare e veçantë dhe e pakrahasueshme me asnjë lëvizje tjetër që ka ndodhur në çdo vend tjetër të lindjes, qëndron lart në madhështinë e saj, dhe do të vazhdojë të shkëlqejë për një arsye farë të thjeshtë: nuk ka pasur në këto 23 vjet asgjë më idealiste se ajo lëvizje, më të pastër dhe më jetëdhënëse për Shqipërinë. Një njeri, i cili niset në luftë për vendin e tij për të ndryshuar apo për të mbrojtur familjen dhe vendin e tij, nuk ka se ç’jep tjetër përveçse pasurisë dhe jetës së tij. Po ju them sot që ata djem dhe vajza që e donin dhe e duan fort Shqipërinë, dhanë gjithçka patën për idealin e tyre. Nuk ka asnjë dyshim që atij që Zoti ka dëshiruar t’i japë vuajtjet, dhuratën, meritën, ia jep dhe s’mund t’ia ndalojë askush. Sipas perceptimit tim, ai kish zgjedhur studentët e dhjetorit ‘90 dhe shkurtit ‘91, për të ndryshuar faqen e historisë së Shqipërisë.  Këtë gjë as nuk mund ta monopolizojë, as nuk mund ta blejë dhe as nuk mund ta përdorë askush sepse ia ka ndaluar i madhi.


- A është sot Shqipëria që ju ëndërruar në atë dhjetor dhe për të cilën ju u sakrifikuat?

Kreshta politike në të cilën rrugëton Shqipëria dhe politika e  saj ka dy anë. Anën e suksesit dhe atë të dështimit. Historia nuk fal. Nëse klasa politike shqiptare ka vepruar drejt dhe në të mirë të interesave të shqiptarëve, sigurisht që ka marrë mirënjohjen nga njerëzit dhe nga historia. Të gjitha dështimet, pra veprimet në dëm të interesave të shqiptarëve, sigurisht kanë marrë refuzimin dhe njollën e zezë në histori. Koha nuk fal. Në optikën time, e bindjeve të mia politike, dhe të miqve të mi, me të cilët ndaj të njëjtat mendime politike, besojmë ende se politika duhet të jetë shërbëtore e mirë e interesave të kombit të vet. Në të kundërt dihet përfundimi./TemA
imazhe shqip

http://imazheshqip.blogspot.com/2014/02/leter-e-hapur-kujdes-gjysh.html



*   *   *








Funde grash në uniformën e policëve specialë (!)

Nga Elton Koka

Uniformat e Policisë së Shtetit kanë qenë në vijimësi një “llomkë” e lakmuar për abuzime. Dokumentet që po boton sot DITA gjenden në një dosje që disponon edhe Komisioni i Rendit dhe Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë. Ato implikojnë ish-ministrin Bujar Nishani, sot president i vendit dhe ish-drejtorin Hysni Burgaj. Ka një volum dokumentash, por njëri prej tyre ku flitet për pajisjen me uniformë të efektivëve është vërtet pikant: Burgaj ka firmosur për të pajisur Policinë e Shtetit, sektorin e meshkujve, me…funde grash! Ndoshta ka menduar që do “luftojnë” në Skoci? Apo ka shtuar një zë që në fund të llogarisë, rezulton miliona shtesë? Dokumentet zyrtare të këtij materiali, që po i publikojmë për herë të parë datojnë prej vitit 2010 e në vijim.
 imazhe shqip

Dokumenti

Nuk është skeleti i një skeçi humoristik, por një dokument dhe plan zyrtar për të veshur forcat elitë të Policisë së Shtetit, ato që përballen me valën më të rrezikshme të krimit. Në dokumentin e sipercituar shihet qartë urdhri i firmosur, udhëzimet e nënshkruara dhe tabela për uniformat. Bëhet fjalë për veshje të destinuara për forcat speciale të FNSH-ve, ku në tabelën e zërave për meshkuj, mes xhaketave, këpucëve, rripave, këmishave dhe kapeleve, sheh edhe… funde grash.

Në dokument flitet për “Rregulloren e re të uniformës së Policisë së Shtetit”, e 9 shkurtit 2010, në Urdhrin nr. 118, me numër protokolli 673, ku në pikën 2.2/b shkruhet; Uniforma Bazë Operacionale Meshkuj-Dimërore, e në përbërje kjo uniformë, në pikën “d”, përmban zërin e veshjeve “Funde”.

Ka marrë edhe miratimin e ish-ministrit Nishani, sipas neneve nr. 10 dhe 20, të ligjit 9749. Dhe po ky ministër e ka miratuar më 19 dhjetor 2009 rregulloren në fjalë. Në fund, edhe firma e ish-drejtorit.



Gafë apo abuzim?

Pra, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, (Hysni Burgaj), punonjësit e policisë meshkuj, mund të shkojnë në operacione të veshur dhe me funde grash. Pakujdesi apo paaftësi, mendim i djallëzuar apo plan abuziv, ky mbetet një rast unikal në botë. Pika (d)-Funde, si zë është një hapësirë për të abuzuar sepse llogaritet dhe ka kosto më të madhe në fund, se sa në rastin kur ai zë nuk do jetë në tabelë. Për më tepër që në të kaluarën kemi precedentë me kopsat në veshjet e policive, ku loja me një prej kopsave në këmisha apo xhaketa, ka kushtuar një dëm ekonomik nga 6-10 milionë lekë të reja.





Lojërat me policët

Policia e Shtetit është përfshirë disa herë në skandalet e uniformave nga viti 2005 dhe në vazhdim, me një pirg parregullsish ligjore, mbivendosje urdhrash, ku të parët anulojnë të dytët dhe anasjelltas. Për pasojë, përveç abuzimit marramendës financiar, sot kemi edhe një polici që nuk gjen derman me rrobat. Jo vetëm kaq, por herë pas here u është mohuar edhe shpërblimi vjetor, orët shtesë, ushqimet apo zëra të tjerë shërbimi për detyrën e vështirë. Rreth 9 mijë efektivëve u duhet të presin sa të mbarojnë lojërat me ligjet dhe me lekët eprorët e tyre. Deri atëherë, të shohin mirë paketimet e uniformave, se mos pas këtij publikimi, u dërgojnë nëpër komisariate e reparte, edhe fundet.

-   -   -

Karagjozllëku me Blu-në e makinave të policisë në 2009

Në vitin 2009, Policia e Shtetit bëri tender dhe siguroi blerjen e 297 automjeteve tip “Chevrolet” për shërbimet e saj. Pati dyshime dhe akuza për mënyrën e prokurimit dhe procedurat, por në fund mjetet mbërritën dhe u ekspozuan me ceremoni në sheshin para stadiumit “Qemal Stafa”. Por përveç faktit se shumë prej tyre nisën të dëmtoheshin shpejt, u vu re se ngjyra nuk ishte ajo që ishte caktuar dhe paguar. Zëra ekspertësh që fshihnin identitetin nga frika do të deklaronin disa herë në media se kjo ishte shkelja e radhës pas atyre me uniformat. Makinat duhet të ishin me ngjyrë “blu të errët”, kështu e përmbante edhe ligji i kaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) dhe me firmë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe botuar në Fletoren Zyrtare nga Kuvendi nëpërmjet Jozefina Topallit.

Në vendimin e datës 1 maj 2008, Këshilli i Ministrave ka kaluar vendimin nr. 538, “Për caktimin e pajisjeve, ngjyrave dhe shenjave të veçanta për mjetet e Policisë së Shtetit”. Vendimi hyri në fuqi më 26 maj dhe u botua.

Dhe në pikën nr. 2, gërma (a), shkruhet; Mjetet e uniformuara në shërbim të Policisë së Shtetit kanë ngjyrë blu të errët. Por më shumë se një vit më pas, në Tiranë zbarkuan 297 vetura policie me ngjyrë blu të hapur. Megjithëse shkelja u publikua, ato makina janë ende në shërbim me ngjyrë tjetër. Dhe ligji është po ai.

1,3 milionë USD të përfituara nga marifetet me kopsat, kapelet, mëngët…

“Djalli fshihet në detaje”. Kostumi me kapelë kushton më pak nga ai pa kapele. Këmishat, rripat dhe bluzat e pambukut mes femrave dhe meshkujve po ashtu, kurse kulmi shkon me këpucët e dy gjinive, ku ato të femrave vlejnë 2 mijë lekë më shtrenjtë !. Tabela e plotë e abuzimeve.

Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit ka pasur brenda një ekuacion me shumë të panjohura, por ka vlerë shprehja e njohur se “djalli fshihet në detaje”. Miliona lekë abuzime të dyshuara, për të mos thënë miliarda nëse verifikon të gjitha zërat e artikujve për 8 mijë efektivë, në një hapësirë kohore 4 vjeçare dhe për më keq akoma, në një tender të vetëm. Në shifrën totale të 2,2 miliardë lekëve të tenderuar, gjen në të paktën 60 artikuj. Aty ka manovrime pa fund me detajet teknike.

Nga shifra e përgjithshme e tenderuar, 134,8 milionë lekë të reja është shifra abuzive e përfituar sipas një llogarie që e gjeni të detajuar në shënimin “Ja si funksiononte skema e abuzimit” në pjesën e poshtme të kësaj faqeje. Nëse në kostumin ceremonial është vendosur kapela për punonjësit e policisë për meshkuj, do të vësh re se ajo mungon në uniformën bazë për meshkuj. Çmimi? I njëjtë! Por një kapelë kushton të paktën 17 mijë lekë, që po ta shumëzosh me numrin e uniformave të prodhuara të nxjerr një dëm ekonomik, me vlerën e 16,7 milionë lekëve të reja. E njëjta gjë edhe për kapelet në uniformat bazë të femrave në polici, ku dëmi rezulton 9,9 milionë lekë. Por ka edhe marifete të tjera, si në rastin e këmishave për meshkuj me krah të gjata dhe të këmishave për femra me krah të shkurtra, ku këto të dytat në çmime kushtojnë nga 200-400 lekë më shumë, edhe pse janë me krahë të shkurtra. Rreth 1,4 milionë lekë llogaritet dëmi i kësaj manovre. Dhe për të vazhduar më tej me bluzat e pambukut me krah të gjata dhe të shkurtra për meshkuj, ku ato me krah të shkurtra kushtojnë më shumë se 100 lekë më tepër nga ato me krahë të gjata dhe me një dëm ekonomik 2,6 milionë lekë. Po kështu edhe bluzat e pambukut për femrat police, ku çmimi i bluzave me krah të shkurtra është 120 lekë më shumë, ose 2,1 milionë lekë dëm ekonomik. E njëjta situatë për bluzat e pambukut me jakë të rrumbullakët, ku ato me krah të shkurtra kushtojnë rreth 100 lekë më shumë nga ato me krah të gjata. Por nuk mbaron vetëm me kaq, pasi vjen radha e këpucëve dimërore për meshkujt policë dhe gratë police. Të parëve u vlen këpuca 5500 lekë, kurse të dytave 7500 lekë, pra 2 mijë lekë më shumë, edhe pse cilësia, madhi dhe forma janë pothuajse të njëjta. Dhe shuma e përgjithshme nga mbledhja e abuzimit ekonomik rezulton me 134,8 milionë lekë të reja, që mund të quhet me plotë gojën vjedhje e pastër si “djalli i fshehur në detaje”. Dhe e gjithë kjo katrahurë financiare është bërë me uniformën e re të Policisë së Shtetit, në tenderin e datës 23 maj 2011, të pranuar nga Komisioni i Vlerësimit të  Ofertave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe që përmban kontratë nr. 23/4, datë 20 qershor 2011. Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 2,17 miliardë lekë (rreth 22 milionë dollarë) .


KONTRATE – FORMULARI I CMIMIT




Ja se si funksiononte skema e abuzimit:

1.Uniforma Ceremoniale Meshkuj

Një xhaketë kushton 15060 lekë, një palë pantallona kushtojnë 4200 lekë, një kapele kushton 1740 lekë, të cilat formojnë kostum ceremonial Meshkuj. Ky kushton 21 000 lekë

(përfaqëson sasinë e blerjes të 7926 Kostume Ceremoniale Meshkuj)

1.Uniforma Bazë Meshkuj

Një xhaketë kushton 15060 lekë, një palë pantallona kushtojnë 4200 lekë, të cilat formojnë kostum policie Meshkuj (xhaketë, pantallona, pa kapele). Edhe ky kushton 21 000 lekë, pra aq sa kushton kostumi ceremonial me kapele. Përfaqëson sasinë e blerjes të 960 kostume policie Meshkuj.

Një kapele policie Meshkuj (që duhej zbritur) kushton 1740 lekë x 960 kostume = 1670400 lekë është vlera e vjedhjes nga kostum policie Meshkuj.

1.Uniforma Ceremoniale Femra

Një xhaketë kushton 10128 lekë, një palë pantallona kushtojnë 4080 lekë, një fund kushton 3120 lekë, një kapele kushton 1872 lekë, të cilat formojnë kostum ceremonial Femra (xhaketë, pantallona, fund, kapele), i cili kushton 19200 lekë, që përfaqësojnë sasinë e blerjes të 750 kostume ceremonial Femra.

2.Uniforma Bazë Femra

Një xhaketë kushton 10128 lekë, një palë pantallona kushtojnë 4080 lekë, të cilat formojnë kostum policie Femra (xhaketë, pantallona, pa fund, pa kapele), i cili kushton 18600 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 200 kostume policie Femra, pra 600 lekë më pak se kostumi ceremonial Femra.

Meqenëse kostum policie Femra është pa fund e pa kapele (që duheshin zbritur) në fakt ky kostu duhet të kushtojë 14200 lekë. Një fund kushton 3120 lekë, një kapele kushton 1872 lekë = 4992 lekë x 200 kostume = 998400 lekë është vlera e vjedhjes nga kostum policie Femra.

3. Një këmishë Mëngë/gjata bojëqielli grash kushton 2280 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 3800 copë këmishë M/gjata. Ndërsa një këmishë M/shkurtra bojëqielli grash kushton 2640 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 3800 copë këmishë M/shkurtra, pra 360 lekë më shumë se këmisha M/gjata x 3800 copë këmisha = 1368000 lekë është vlera e vjedhjes nga këmishë M/shkurtra bojëqielli grash.

4. Një bluzë pambuku M/gjata Meshkuj kushton 2016 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 28000 copë bluza M/gjata. Ndërsa një bluzë pambuku M/shkurtëra kushton 2112 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 27760 copë bluza M/shkurtra, pra 96 lekë më shumë se bluza pambuku M/gjata x 27760 copë bluza = 2664840 lekë është vlera e vjedhjes nga bluza pambuku M/shkurtra Meshkuj.

5. Një bluzë pambuku M/gjata femra kushton 1980 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 1600 bluza. Ndërsa një bluzë M/ shkurtra Femra kushton 2100 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 1800 copë bluza, pra 120 lekë më shumë se bluza pambuku M/gjata x 1.800 copë bluza = 216000 lekë është vlera e vjedhjes nga bluza pambuku M/shkurtra Femra.

6. Një bluzë pambuku M/gjata, jakë të rrumbullakët, kushton 696 lekë,që përfaqëson sasinë e blerjes të 29600 copë bluza. Ndërsa një bluzë M/shkurtra, jakë të rrumbullakët kushton 780 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 29600 copë bluza, pra 84 lekë më shumë se bluza M/gjata x 29600 copë bluza = 2486.400 lekë është vlera e vjedhjes nga bluza pambuku M/shkurtra jakë të rrumbullakët.

7. Një palë këpucë dimërore për burra kushton 5520 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 27520 palë këpucë. Ndërsa një këpucë dimërore për gra kushton 7560 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 2000 palë këpucë, pra 2040 lekë më shumë se këpucët dimërore për burrat x 2000 palë këpucë = 4080.000 lekë është vlera e vjedhjes nga këpucë dimërore për gra.

1670400 lekë

998400 lekë

1368000 lekë

2664840 lekë

216000 lekë

2486000 lekë

4080000 lekë

Shuma – 13 484 040 lekë është vlera e vjedhjes  nga skema e përdorur  brenda çmimeve nga Uniforma e re e Policisë në tenderin e 23.05.2011, pranuar nga Komisioni i Vlerësimit të  Ofertave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe që përmban  kontratë nr. 23/4, datë 20.06.2011. Vlera e kësaj kontrate është 2.176.579.968 lekë me TVSH.

imazhe shqip


http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/rojet-bregdetare.html




*   *   *   








Mos e nënvleftësoni në pikën e vetme ku shkëlqen: Dhunën!

Nga Habjon Hasani

Informacionet për trazira të pritshme në protestën e 20 Shkurtit, qarkullojnë në Tiranë prej disa ditësh. Shumica besojnë se Berisha e ka ulur kokën pas 23 Qershorit dhe se as do të guxojë dot të sjellë destabilitet apo situate tensioni në Shqipëri.  Dhe s’do laps e kalem që maxhoranca aktuale është e blinduar në legjitimitetin e saj dhe çdo përpjekje për revansh duke iu përmbajtur shinave të legjitimitetit nga ana e Berishës  është një aritmetikë humbëse për të. Por pikërisht kjo dobësi e tij në mbështetjen popullore dhe në instrumenta legalë, është motivi më i qartë i imponimit, në rrugë të tjera.

<img src="Ahmet Zogu dhe Sali Berisha.jpeg" alt="Ahmet Zogu dhe Sali Berisha" />
imazhe shqip


Sigurisht që Berisha nuk merr dot pushtet me dhunë, por s’mund të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur nuk e shikojmë se ai e ka shpallur faqebotës aksionin e tij destabilizues.  Ai krijoi në muajt tranzit të qeverisjes parakushtet për skenarë rrënues ekonomikë, dhe pas marërveshjes me FMN-në inkurajoi valën e tritolit. Pas arrestimeve të fundit ka nisur të hedhë në lojë “protestat e fuqishme” dhe pas kësaj do fillojë të flasë për “bojkotin e zgjedhjeve lokale”. Këtë skenar e kanë “tradhëtuar” në kanale diplomatike kohët e fundit, njerëz shumë afër tij.

E vërteta është që veprimet e fundit të Berishës janë tipike për njeriun që ndjen se po i shket gjithçka nga duart. PD-ja është thuajse e rrënuar, kryetari i ri i zgjedhur sipas skemës që u zgjodh vetë Berisha në 1990-n për “të drejtuar demokratët” është një dështim. Dhe për më tepër jashtë vendit janë shtuar zërat që e shikojnë Berishën si një pengesë në planet për të ardhmen e Shqipërisë; një inisiativë penale kundër tij bëhet përherë e më tepër një alternativë e pranueshme.

Berisha e tradhtoi edhe vetë gjendjen e  tij të brendshme kur disa ditë më parë iu ankua deputetëve të PD-së që po e linin vetëm. Ai ka ndërruar edhe vendet se si këta ulen në Parlament, në përpjekje për të rritur frontin e konfliktit politik. Ky konflikt e ndihmon atë që të krijojë të vetmen kartë që e mban akoma në lojë: destabilizimin. A do ta këmbejë dot këtë kartë sic ka bërë edhe herë të tjera me lirinë e tij fizike, këtë do ta shohim. Por ndërkohë shikoni me vëmendje kanakarët politikë dhe bateritë e tij mediatike çfarë po përpiqen të mbjellin dhe kujt loje i  fryjnë muajt e fundit. Fjalimet anarshike dhe luftë-nxitëse në Kuvend janë vetëm një fillim.

Berisha e ka zgjedhur qartë strategjinë e tij: Tensionim në maksimum dhe faktorizimin e tij me mjetin e vetëm që i ka ngelur në kushtet e impotencës politike dhe rrënimit të kredibilitetit publik: trazira. Nëse për çdo qytetar normal në këtë vend trazirat dhe destabilizimi janë një ëndërr e çmendur, për Berishën janë plan-pune, janë gjëja që di të bëjë më mirë. Ndaj dhe të gjithë ata që i quajnë spekulime të dhënat për trazira në mitingjet e tij, duhet të mbajnë parasysh se janë duke i dhënë një luks të tepërt Berishës duke e nënvleftësuar në pikën e tij më të fortë: dhunën!

 imazhe shqip



http://imazheshqip.blogspot.com/2013/02/me-duar-te-pastra.html



*   *   *