Nga Elton Koka
Uniformat e Policisë së Shtetit kanë qenë në
vijimësi një “llomkë” e lakmuar për abuzime. Dokumentet që po boton sot DITA
gjenden në një dosje që disponon edhe Komisioni i Rendit dhe Sigurisë në
Kuvendin e Shqipërisë. Ato implikojnë ish-ministrin Bujar Nishani, sot
president i vendit dhe ish-drejtorin Hysni Burgaj. Ka një volum dokumentash,
por njëri prej tyre ku flitet për pajisjen me uniformë të efektivëve është
vërtet pikant: Burgaj ka firmosur për të pajisur Policinë e Shtetit, sektorin e
meshkujve, me…funde grash! Ndoshta ka menduar që do “luftojnë” në Skoci? Apo ka shtuar një zë që në fund të llogarisë, rezulton
miliona shtesë? Dokumentet zyrtare të këtij materiali, që po i publikojmë për
herë të parë datojnë prej vitit 2010 e në vijim.
imazhe shqip
Dokumenti
Nuk është skeleti i një skeçi humoristik, por
një dokument dhe plan zyrtar për të veshur forcat elitë të Policisë së Shtetit,
ato që përballen me valën më të rrezikshme të krimit. Në dokumentin e
sipercituar shihet qartë urdhri i firmosur, udhëzimet e nënshkruara dhe tabela
për uniformat. Bëhet fjalë për veshje të destinuara për forcat speciale të
FNSH-ve, ku në tabelën e zërave për meshkuj, mes xhaketave, këpucëve, rripave,
këmishave dhe kapeleve, sheh edhe… funde grash.
Në dokument flitet për “Rregulloren e re të
uniformës së Policisë së Shtetit”, e 9 shkurtit 2010, në Urdhrin nr. 118, me
numër protokolli 673, ku në pikën 2.2/b shkruhet; Uniforma Bazë Operacionale
Meshkuj-Dimërore, e në përbërje kjo uniformë, në pikën “d”, përmban zërin e
veshjeve “Funde”.
Ka marrë edhe miratimin e ish-ministrit
Nishani, sipas neneve nr. 10 dhe 20, të ligjit 9749. Dhe po ky ministër e ka
miratuar më 19 dhjetor 2009 rregulloren në fjalë. Në fund, edhe firma e
ish-drejtorit.
Gafë apo abuzim?
Pra, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të
Policisë, (Hysni Burgaj), punonjësit e policisë meshkuj, mund të shkojnë në
operacione të veshur dhe me funde grash. Pakujdesi apo paaftësi, mendim i
djallëzuar apo plan abuziv, ky mbetet një rast unikal në botë. Pika (d)-Funde,
si zë është një hapësirë për të abuzuar sepse llogaritet dhe ka kosto më të
madhe në fund, se sa në rastin kur ai zë nuk do jetë në tabelë. Për më tepër që
në të kaluarën kemi precedentë me kopsat në veshjet e policive, ku loja me një
prej kopsave në këmisha apo xhaketa, ka kushtuar një dëm ekonomik nga 6-10
milionë lekë të reja.
Lojërat me policët
Policia e Shtetit është përfshirë disa herë në
skandalet e uniformave nga viti 2005 dhe në vazhdim, me një pirg parregullsish
ligjore, mbivendosje urdhrash, ku të parët anulojnë të dytët dhe anasjelltas.
Për pasojë, përveç abuzimit marramendës financiar, sot kemi edhe një polici që
nuk gjen derman me rrobat. Jo vetëm kaq, por herë pas here u është mohuar edhe
shpërblimi vjetor, orët shtesë, ushqimet apo zëra të tjerë shërbimi për detyrën
e vështirë. Rreth 9 mijë efektivëve u duhet të presin sa të mbarojnë lojërat me
ligjet dhe me lekët eprorët e tyre. Deri atëherë, të shohin mirë paketimet e
uniformave, se mos pas këtij publikimi, u dërgojnë nëpër komisariate e reparte,
edhe fundet.
- - -
Karagjozllëku me Blu-në e makinave të policisë
në 2009
Në vitin 2009, Policia e Shtetit bëri tender
dhe siguroi blerjen e 297 automjeteve tip “Chevrolet” për shërbimet e saj. Pati
dyshime dhe akuza për mënyrën e prokurimit dhe procedurat, por në fund mjetet
mbërritën dhe u ekspozuan me ceremoni në sheshin para stadiumit “Qemal Stafa”.
Por përveç faktit se shumë prej tyre nisën të dëmtoheshin shpejt, u vu re se
ngjyra nuk ishte ajo që ishte caktuar dhe paguar. Zëra ekspertësh që fshihnin
identitetin nga frika do të deklaronin disa herë në media se kjo ishte shkelja
e radhës pas atyre me uniformat. Makinat duhet të ishin me ngjyrë “blu të
errët”, kështu e përmbante edhe ligji i kaluar me Vendim të Këshillit të
Ministrave (VKM) dhe me firmë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe botuar në
Fletoren Zyrtare nga Kuvendi nëpërmjet Jozefina Topallit.
Në vendimin e datës 1 maj 2008, Këshilli i
Ministrave ka kaluar vendimin nr. 538, “Për caktimin e pajisjeve, ngjyrave dhe
shenjave të veçanta për mjetet e Policisë së Shtetit”. Vendimi hyri në fuqi më
26 maj dhe u botua.
Dhe në pikën nr. 2, gërma (a), shkruhet;
Mjetet e uniformuara në shërbim të Policisë së Shtetit kanë ngjyrë blu të
errët. Por më shumë se një vit më pas, në Tiranë zbarkuan 297 vetura policie me
ngjyrë blu të hapur. Megjithëse shkelja u publikua, ato makina janë ende në
shërbim me ngjyrë tjetër. Dhe ligji është po ai.
1,3 milionë USD të përfituara nga marifetet me
kopsat, kapelet, mëngët…
“Djalli fshihet në detaje”. Kostumi me kapelë
kushton më pak nga ai pa kapele. Këmishat, rripat dhe bluzat e pambukut mes
femrave dhe meshkujve po ashtu, kurse kulmi shkon me këpucët e dy gjinive, ku
ato të femrave vlejnë 2 mijë lekë më shtrenjtë !. Tabela e plotë e abuzimeve.
Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit ka
pasur brenda një ekuacion me shumë të panjohura, por ka vlerë shprehja e njohur
se “djalli fshihet në detaje”. Miliona lekë abuzime të dyshuara, për të mos
thënë miliarda nëse verifikon të gjitha zërat e artikujve për 8 mijë efektivë,
në një hapësirë kohore 4 vjeçare dhe për më keq akoma, në një tender të vetëm.
Në shifrën totale të 2,2 miliardë lekëve të tenderuar, gjen në të paktën 60
artikuj. Aty ka manovrime pa fund me detajet teknike.
Nga shifra e përgjithshme e tenderuar, 134,8
milionë lekë të reja është shifra abuzive e përfituar sipas një llogarie që e
gjeni të detajuar në shënimin “Ja si funksiononte skema e abuzimit” në pjesën e
poshtme të kësaj faqeje. Nëse në kostumin ceremonial është vendosur kapela për
punonjësit e policisë për meshkuj, do të vësh re se ajo mungon në uniformën
bazë për meshkuj. Çmimi? I njëjtë! Por një kapelë kushton të paktën 17 mijë
lekë, që po ta shumëzosh me numrin e uniformave të prodhuara të nxjerr një dëm
ekonomik, me vlerën e 16,7 milionë lekëve të reja. E njëjta gjë edhe për
kapelet në uniformat bazë të femrave në polici, ku dëmi rezulton 9,9 milionë
lekë. Por ka edhe marifete të tjera, si në rastin e këmishave për meshkuj me
krah të gjata dhe të këmishave për femra me krah të shkurtra, ku këto të dytat
në çmime kushtojnë nga 200-400 lekë më shumë, edhe pse janë me krahë të
shkurtra. Rreth 1,4 milionë lekë llogaritet dëmi i kësaj manovre. Dhe për të
vazhduar më tej me bluzat e pambukut me krah të gjata dhe të shkurtra për
meshkuj, ku ato me krah të shkurtra kushtojnë më shumë se 100 lekë më tepër nga
ato me krahë të gjata dhe me një dëm ekonomik 2,6 milionë lekë. Po kështu edhe bluzat e pambukut për femrat police, ku
çmimi i bluzave me krah të shkurtra është 120 lekë më shumë, ose 2,1 milionë
lekë dëm ekonomik. E njëjta situatë për bluzat e pambukut me jakë të
rrumbullakët, ku ato me krah të shkurtra kushtojnë rreth 100 lekë më shumë nga
ato me krah të gjata. Por nuk mbaron vetëm me kaq, pasi vjen radha e këpucëve dimërore
për meshkujt policë dhe gratë police. Të parëve u vlen këpuca 5500 lekë, kurse
të dytave 7500 lekë, pra 2 mijë lekë më shumë, edhe pse cilësia, madhi dhe
forma janë pothuajse të njëjta. Dhe shuma e përgjithshme nga mbledhja e
abuzimit ekonomik rezulton me 134,8 milionë lekë të reja, që mund të quhet me
plotë gojën vjedhje e pastër si “djalli i fshehur në detaje”. Dhe e gjithë kjo
katrahurë financiare është bërë me uniformën e re të Policisë së Shtetit, në
tenderin e datës 23 maj 2011, të pranuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Drejtorisë së Përgjithshme të
Policisë së Shtetit dhe që përmban kontratë nr. 23/4, datë 20 qershor 2011.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 2,17 miliardë lekë (rreth 22
milionë dollarë) .
KONTRATE
– FORMULARI I CMIMIT
Ja
se si funksiononte skema e abuzimit:
1.Uniforma
Ceremoniale Meshkuj
Një
xhaketë kushton 15060 lekë, një palë pantallona kushtojnë 4200 lekë, një kapele
kushton 1740 lekë, të cilat formojnë kostum ceremonial Meshkuj. Ky kushton 21
000 lekë
(përfaqëson
sasinë e blerjes të 7926 Kostume Ceremoniale Meshkuj)
1.Uniforma
Bazë Meshkuj
Një
xhaketë kushton 15060 lekë, një palë pantallona kushtojnë 4200 lekë, të cilat
formojnë kostum policie Meshkuj (xhaketë, pantallona, pa kapele). Edhe ky kushton
21 000 lekë, pra aq sa kushton kostumi ceremonial me kapele. Përfaqëson sasinë
e blerjes të 960 kostume policie Meshkuj.
Një
kapele policie Meshkuj (që duhej zbritur) kushton 1740 lekë x 960 kostume =
1670400 lekë është vlera e vjedhjes nga kostum policie Meshkuj.
1.Uniforma
Ceremoniale Femra
Një
xhaketë kushton 10128 lekë, një palë pantallona kushtojnë 4080 lekë, një fund
kushton 3120 lekë, një kapele kushton 1872 lekë, të cilat formojnë kostum
ceremonial Femra (xhaketë, pantallona, fund, kapele), i cili kushton 19200
lekë, që përfaqësojnë sasinë e blerjes të 750 kostume ceremonial Femra.
2.Uniforma
Bazë Femra
Një
xhaketë kushton 10128 lekë, një palë pantallona kushtojnë 4080 lekë, të cilat
formojnë kostum policie Femra (xhaketë, pantallona, pa fund, pa kapele), i cili
kushton 18600 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 200 kostume policie
Femra, pra 600 lekë më pak se kostumi ceremonial Femra.
Meqenëse
kostum policie Femra është pa fund e pa kapele (që duheshin zbritur) në fakt ky
kostu duhet të kushtojë 14200 lekë. Një fund kushton 3120 lekë, një kapele
kushton 1872 lekë = 4992 lekë x 200 kostume = 998400 lekë është vlera e
vjedhjes nga kostum policie Femra.
3.
Një këmishë Mëngë/gjata bojëqielli grash kushton 2280 lekë, që përfaqëson
sasinë e blerjes të 3800 copë këmishë M/gjata. Ndërsa një këmishë M/shkurtra
bojëqielli grash kushton 2640 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 3800 copë
këmishë M/shkurtra, pra 360 lekë më shumë se këmisha M/gjata x 3800 copë
këmisha = 1368000 lekë është vlera e vjedhjes nga këmishë M/shkurtra bojëqielli
grash.
4.
Një bluzë pambuku M/gjata Meshkuj kushton 2016 lekë, që përfaqëson sasinë e
blerjes të 28000 copë bluza M/gjata. Ndërsa një bluzë pambuku M/shkurtëra
kushton 2112 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 27760 copë bluza
M/shkurtra, pra 96 lekë më shumë se bluza pambuku M/gjata x 27760 copë bluza =
2664840 lekë është vlera e vjedhjes nga bluza pambuku M/shkurtra Meshkuj.
5.
Një bluzë pambuku M/gjata femra kushton 1980 lekë, që përfaqëson sasinë e
blerjes të 1600 bluza. Ndërsa një bluzë M/ shkurtra Femra kushton 2100 lekë, që
përfaqëson sasinë e blerjes të 1800 copë bluza, pra 120 lekë më shumë se bluza
pambuku M/gjata x 1.800 copë bluza = 216000 lekë është vlera e vjedhjes nga
bluza pambuku M/shkurtra Femra.
6.
Një bluzë pambuku M/gjata, jakë të rrumbullakët, kushton 696 lekë,që përfaqëson
sasinë e blerjes të 29600 copë bluza. Ndërsa një bluzë M/shkurtra, jakë të
rrumbullakët kushton 780 lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 29600 copë
bluza, pra 84 lekë më shumë se bluza M/gjata x 29600 copë bluza = 2486.400 lekë
është vlera e vjedhjes nga bluza pambuku M/shkurtra jakë të rrumbullakët.
7.
Një palë këpucë dimërore për burra kushton 5520 lekë, që përfaqëson sasinë e
blerjes të 27520 palë këpucë. Ndërsa një këpucë dimërore për gra kushton 7560
lekë, që përfaqëson sasinë e blerjes të 2000 palë këpucë, pra 2040 lekë më
shumë se këpucët dimërore për burrat x 2000 palë këpucë = 4080.000 lekë është
vlera e vjedhjes nga këpucë dimërore për gra.
1670400
lekë
998400
lekë
1368000
lekë
2664840
lekë
216000
lekë
2486000
lekë
4080000
lekë
Shuma
– 13 484 040 lekë është vlera e vjedhjes
nga skema e përdorur brenda
çmimeve nga Uniforma e re e Policisë në tenderin e 23.05.2011, pranuar nga
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të
Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe që përmban kontratë nr. 23/4, datë 20.06.2011. Vlera e
kësaj kontrate është 2.176.579.968 lekë me TVSH.
imazhe shqip
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/rojet-bregdetare.html
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!