imazhe shqip
Ramiz Alia dhe Sali Berisha
Bisedoi: Luljeta Progni
-Zoti Dizdari, 23 vite më parë në 20 shkurt
‘91 u rrëzua busti i Enver Hoxhës si pasojë e grevës së urisë së studentëve, ku
ju ishit organizator. Partia Demokratike ka lajmëruar një protestë masive më 20
shkurt 2014 kundër qeverisë Rama. Sa e justifikojnë motivet e kësaj protestë
simbolikën e kësaj dite sipas jush?
Kemi pranuar një sistem politik që quhet
demokraci dhe të gjithë lojërat e mundshme dhe shfrytëzimi i simbolikave është
e drejtë e partive politike dhe njësive politike që veprojnë në vend. Mendoj se
kjo protestë pati një motiv ekonomik dhe më pas u vesh me kostumin e datës 20
shkurt, që është dita kundër idhujtarisë totalitariste. Në vizionin tim, 20
Shkurti është dita kur e vërteta u nda nga gënjeshtra, ku liria u nda me
diktaturën, ku e ardhmja u nda me të shkuarën. E vërteta është që lëvizja e 20
Shkurtit ishte totalisht lëvizje politike e njëkahshme dhe i gjithë spektri
politik i asaj kohe ka qenë kundër saj. Vlen të theksohet që ishin zgjedhjet
për t’u zhvilluar më 10 shkurt dhe PD ishte e angazhuar krejtësisht në fushatën
e saj elektorale për këto zgjedhje. Nuk mbaj mend asnjë personazh të rëndësishëm
politik të asaj kohe, që të ketë përkrahur grevën tonë deri në momentin kur e
bëmë fakt të kryer.
imazhe shqip
Ramiz Alia dhe Fatos Nano
- Njëri prej drejtuesve të PD në atë kohë,
Arben Demeti, i cili ishte sekretar organizativ, thotë për këtë moment se PD
ishte e kushtëzuar në vendimin që duhet të merrte për mbështetjen e grevës së
urisë. Kjo për shkak të marrëveshjeve të bëra me partitë politike në funksion
të ruajtjes së stabilitetit në vend. Demeti shprehet gjithashtu se PD e ka
mbështetur grevën e urisë së studentëve,
por jo publikisht…
Nëse zoti Demeti thotë që nuk e kemi
mbështetur grevën publikisht, sugjerimi im është që ai t’i referohet gazetës
Zëri i Popullit e datës 18 shkurt, faqja 3. Zoti Demeti është mbajtës i mirë i
dokumenteve historike.
- Për cilat arsye mendoni se PD nuk e
mbështeti grevën e urisë?
E thashë dhe më parë se PD ishte e zënë me
fushatën elektorale dhe me marrëveshjen që ishte bërë me PPSH në atë kohë.
Marrëveshje që ia diktonte koha dhe konteksti politik. Është tërësisht e
logjikshme që PD të ruante interesat e freskëta politike dhe të jemi realist,
nuk është se PD në atë kohë, e cila ishte një front antikomunist, kishte ide të
qarta dhe të ishte aq idealiste sa lëvizja studentore shqiptare. Nuk mund të
them se në planet e saj apo databazën e saj nuk ekzistonte potencialisht kjo
gjë, si mendim politik brenda kësaj partie.
Por si një forcë e re që po rritej vrullshëm, ishte brenda saj edhe
konformizmi, dhe idetë për t’u përplasur fort me PPSH, që ishte në pushtet dhe
kishte gjithë mekanizmat në dorë.
- A është ky argument i mjaftueshëm si
justifikim për PD dhe qëndrimin e saj në këtë moment të rëndësishëm të
historisë?
Plotësisht. Sepse realisht PD ishte forcë
politike dhe duhet t’i bindej rregullave të lojës. Është e vërtetë që ishte e
parakohshme për PD kjo lëvizje. Por këtu shkëlqen edhe një herë ideja që
lëvizja studentore shqiptare në dy kulminacionet e saj, ka qenë plotësisht e
pavarur, idealiste, e pastër nga çdo lloj ndikimi, manipulimi, ndërhyrje nga
çdo individ, subjekt apo mekanizëm tjetër.
- A ishte greva juaj një lëvizje paralele me
ato të PD, dhe a erdhi ky reagim i juaji si pasojë e mënjanimit që asokohe i
ishte bërë studentëve të dhjetorit?
Unë edhe sot e kësaj dite besoj se, revoltimi
i studentëve qëndronte në faktin që nuk e kuptonin dot që do dilnin inxhinierë,
ekonomistë, juristë etj, dhe në diplomat e tyre do të shkruhej që kanë qenë
studentë në universitetin “Enver Hoxha” të Tiranës. Sidoqoftë kjo lëvizje nuk
ishte një gjetje politike. Ishte një vokacion dhe frymëzim që buronte natyrshëm
prej idealizmit të studentëve. Nuk është rastësi që pas vetëm një shkëndijë të
një proteste ekonomike në Kamëz në ish- Institutin e Lartë Bujqësor, u bë shkak
si fillesë për t’u finalizuar me grevën e urisë. Fillimisht PD me disa prej liderëve
të saj e përkrahu këtë lloj proteste ekonomike krejt natyrshëm, për të fituar
bonusin politik në fushatën në të cilën ndodhej. Por për të fituar bonus në
raport me PPSH. Ishte një argument plus në atë fushatë. Por kur ne formuluam
deklaratat tona dhe filluam mitingjet në Qytetin Studenti, të cilat zgjatën për
rreth dy javë, PD u përpoq ta shtynte këtë proces. Nuk them ta pengonte, por ta
shtynte. Ishte krejtësisht e natyrshme, brenda logjikës politike të një partie
që do të jetë e matur në një fushatë elektorale. Por po t’i referohemi
zhvillimeve të kohës, PPSH bënte vazhdimisht thirrje dhe akuza në mediat e
kohës për tendenca ekstremiste dhe donte ruhej nga kjo gjë. Për t’u larguar nga
kjo lloj optike, në të cilën PPSH po përpiqej ta fuste PD, drejtuesit e saj
normalisht do të zgjidhnin një pozicion më të ekuilibruar dhe qartazi jo
idealist ndaj kësaj lëvizje të studentëve. Ky hon i thellë i krijuar asokohe
midis studentëve dhe PD-së, me këto mosmarrëveshje në lidhje më këto çështje,
sollën edhe ndryshimet e ditura dhe të shumëkomentuara në lidershpipin e PD në
atë kohë.
- Për cilat ndryshime e keni fjalën?
Me sa mbaj mend kryetari i komisionit nismëtar
zoti Azem Hajdri, Heroi i Demokracisë, në atë kohë u shkarkua nga ky post, pra
nga kryetar i komisionit nismëtar dhe u zëvendësua nga zoti Sali Berisha.
-Për shkak të qëndrimeve që ai pati për grevën
e urisë?
Dua të them se kjo lëvizje solli ndryshime në
lidershipin e PD, ndërsa komentet dhe vlerësimet i bën secili në vartësi të
optikës që ka për ngjarjet në fjalë.
- Kur ju hytë në grevën e urisë, a pati
kërkesa dhe përpjekje nga ana e drejtuesve të PD ndaj jush për të ndërprerë
grevës?
Dërgatat nga klasa politike ishin të shumta.
Tratativat dhe bisedimet dhe ngjarjet ishin mjaft intensive. E vërteta është që
edhe brenda PD kishte një amulli mendimesh, të cilat ishin pro apo kundër
grevës, dhe ky është një debat krejtësisht normal brenda logjikës së mendimit
politik që ka çdo personash në politikë. Është i natyrshëm qëndrimi pro grevës,
por edhe ai kundër saj. Në respekt të plotë për mendimin e lirë, nuk është në
natyrën time të merrem me komentin pse dikush ishte kundër pasi arsyet dhe
justifikimet mund të jenë nga më të ndryshmet. Thënë troç, në respekt të plotë
për të gjithë ata që ishin pro dhe kundra, Shqipëria ishte në një proces
ndryshimi dhe normalisht diversiteti i mendimeve ishte prezent. Mendimi ndryshe
duhet respektuar në çdo kohë. Ne, për këtë, pra për mendimin ndryshe, dhe
legalizimin e tij në mentalitetin politik shqiptar, kishim nisur luftën tonë.
Pra kishte mendime pro dhe kundër. Edhe babai im ishte kundër dhe ishte një
ndër njerëzit që erdhi në ambientet ku zhvillohej greva dhe më kërkoi që ta
braktisja grevën. Kuptova në fjalët dhe sytë e tij se frika shqiptare ndaj
diktaturës nuk ishte vrarë ende. Greva i dha fund kësaj frike.
- Shenasi Rama dhe Blendi Gonxhe, në atë kohë
kur zhvillohej greva e urisë, kishin dhënë dorëheqje nga komisioni nismëtar i
PD. Prania e tyre në grevën e urisë dhe aktivizimi i dukshëm i tyre në organizim
a përbën një argument që qartëson se studentët dhe PD kishin një ndarje mes
tyre?
Bendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia, Ndue Luxha,
Arben Lika, Arjan Manahasa, Mesila Doda dhe Ilir Dizdari janë personazhet mjaft
aktivë të asaj kohe, pra të grevës së urisë së studentëve, dhe organizatorë të
saj. Janë shtatë emrat që përbëjnë zyrtarisht komisionin e grevës së urisë së
studentëve. Shenasi Rama, i cili në atë kohë drejtonte një shoqatë që quhej
“Fan Noli”, Edvin Zhvarc, Myftar Gjana, Fred Gremi, Shpëtim Idrizi, Alban Bala,
Sokol Tafaruçi, Artan Asllani, Soko Dakli dhe shumë të tjerë i dhanë jetë
aksionit politik të grevës së urisë. E vërteta është që ne zgjodhëm një
komision pa kryetar dhe vendimet i merrnim me konsensus të përbashkët, në
konsultë të plotë me gjithë drejtuesit e fakulteteve. Kjo gjë bënte që të
kishim një vendimmarrje më të drejtë dhe që objektivi ynë ishte kundërshtimi i
pushtetit të PPSH-së. Pra, ata të mos kishin mundësi të godisnin individë të
caktuar. Pra, ne ishim organizuar mirë. Mbaj mënd që Shenasi Rama ishte shumë
aktiv dhe gjatë gjithë kohës së grevës së urisë qëndronte në tarracën e godinës
ku po zhvillohej greva bashkë me Myftar Gjanën dhe Shpëtim Idrizin, dhe kishin
formuar një grup studentësh ku ishte edhe Edmond Bushati, Arben Sulo, Ben Lika,
etj, të cilët kishin thyer edhe pllakat e sipërme të godinës për t’i përdorur
kundër policisë në një rast të mundshëm sulmi të tyre ndaj nesh. Shenasiu gjatë gjithë kësaj kohe, siç dhe ka
deklaruar vetë në media, kishte edhe konflikte konceptuale dhe personale me
disa prej drejtuesve të PD së asaj kohe. Blendi Gonxhe, për shkak të një
eksperience të mëparshme në Akademinë e Arteve, solli një risi në lëvizje, e
cila kishte humorin apo talljen me diktatorin me emrin e tij dhe njerëzve që e
kishin rrethuar. Me këtë element, Blendi Gonxhe u identifikua si personazh i
rëndësishëm në grevë. Mbaj mend se një ditë para hyrjes në grevën e urisë,
ishin mbledhur një grup djemsh, kujtoj Arben Likën e Myftar Gjanën, Shenasiun,
Edvin Zhvarc, dhanë çfarë kishin në xhep,
për të mundësuar udhëtimin e disa djemve drejt Shkodrës për të gjetur
një flamur pa yll, që ishte mjaft e vështirë të gjendej. Është i faktuar me
fotografi ai flamur që u gjend në Shkodër. Na duhej një flamur pa yllin
komunist dhe këtë e gjeti Shenasi Rama. U gjend ky flamur në sëndukun e një
gruaje të moshuar të nderuar në Shkodër,
e cila e kishte ruajtur me kujdes për gjysmë shekulli.
-Ju jeni pjesë e rëndësishme e organizimit të
studentëve në 8 dhjetor dhe në 20 shkurt. Në të vërtetë kur mendoni se u rrëzua
përfundimisht sistemi komunist, në 8 dhjetor apo në 20 shkurt?
Është njësoj si të pyesësh babanë që kë do të
donte me shumë, vajzën apo djalin. Është njësoj si të pyesësh nënën, sa ka
ndjerë dhimbje, gëzim, sublimim, kur pas lindjes ka pasur në dorë djalin apo
vajzën e saj. Lëvizja studentore shqiptare e veçantë dhe e pakrahasueshme me
asnjë lëvizje tjetër që ka ndodhur në çdo vend tjetër të lindjes, qëndron lart
në madhështinë e saj, dhe do të vazhdojë të shkëlqejë për një arsye farë të thjeshtë:
nuk ka pasur në këto 23 vjet asgjë më idealiste se ajo lëvizje, më të pastër
dhe më jetëdhënëse për Shqipërinë. Një njeri, i cili niset në luftë për vendin
e tij për të ndryshuar apo për të mbrojtur familjen dhe vendin e tij, nuk ka se
ç’jep tjetër përveçse pasurisë dhe jetës së tij. Po
ju them sot që ata djem dhe vajza që e donin dhe e duan fort Shqipërinë, dhanë
gjithçka patën për idealin e tyre. Nuk ka asnjë dyshim që atij që Zoti ka
dëshiruar t’i japë vuajtjet, dhuratën, meritën, ia jep dhe s’mund t’ia ndalojë
askush. Sipas perceptimit tim, ai kish
zgjedhur studentët e dhjetorit ‘90 dhe shkurtit ‘91, për të ndryshuar faqen e
historisë së Shqipërisë. Këtë gjë as nuk
mund ta monopolizojë, as nuk mund ta blejë dhe as nuk mund ta përdorë askush sepse
ia ka ndaluar i madhi.
- A është sot Shqipëria që ju ëndërruar në atë
dhjetor dhe për të cilën ju u sakrifikuat?
Kreshta politike në të cilën rrugëton
Shqipëria dhe politika e saj ka dy anë.
Anën e suksesit dhe atë të dështimit. Historia nuk fal. Nëse klasa politike
shqiptare ka vepruar drejt dhe në të mirë të interesave të shqiptarëve,
sigurisht që ka marrë mirënjohjen nga njerëzit dhe nga historia. Të gjitha
dështimet, pra veprimet në dëm të interesave të shqiptarëve, sigurisht kanë
marrë refuzimin dhe njollën e zezë në histori. Koha nuk fal. Në optikën time, e
bindjeve të mia politike, dhe të miqve të mi, me të cilët ndaj të njëjtat
mendime politike, besojmë ende se politika duhet të jetë shërbëtore e mirë e
interesave të kombit të vet. Në të kundërt dihet përfundimi./TemA
imazhe shqip
http://imazheshqip.blogspot.com/2014/02/leter-e-hapur-kujdes-gjysh.html
*
* *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!