Diku dëgjova se disa grabitës profesionistë i rrëmbyen gjerdanin nga qafa bashkëshortes së një personi publik. Kjo lloj gjuetie e floririt është shndërruar në një dukuri tipike; ndodh kaq shpesh, saqë mund të thuhet se ajo “zgërdhihet” mes nesh. Grabitësit, që nuk kapen kurrë, konkurrojnë kamikazët e Irakut për mjeshtërinë në sulmet e tyre. Mund të jenë të pashkollë, të shëmtuar, por dinë të shfrytëzojnë mrekullisht ligjet e fizikës gjatë sulmeve të tyre me nxitimin e rënies së lirë. I ndjekin viktimat hap pas hapi, si agjentët e “Butter Melted”, u afrohen pa u ndier, i sulmojnë dhe ua rrëmbejnë mëshirshëm: kujdesen shumë që asnjë gërvishtje të mos shkaktohet në lëkurën e tyre. Inercia e befasisë është fuqia e ngushëllimit për grabitësit, sepse nuk lëndon viktimat, kurse ndodh që ata kanë vrasje ndërgjegjeje… për lëndimet që shkaktojnë.
* * *
Para disa kohësh kam qenë dëshmitar i një ngjarjeje të tillë në mes të Tiranës. Po ecja në mesditë bri bashkisë, në drejtim të xhamisë ku kish shumë njerëz dhe faleshin besimtarë, kur ndjeva hijen e dikujt që parakaloi me ngut në të djathtën time. Ishte një i ri, i shkurtër, i ngjeshur gati pa qafë; nxitonte me një ngut të shëmtuar në drejtim të dy zonjave që ecnin 30 hapa para. Dukej se zonjat, bionde të dyja, po ktheheshin nga pazari, sepse mbanin në duar qese me qepë dhe domate dhe po bisedonin të tyret me zë të lartë, si të gjithë ballkanasit. Befas ndodhi çudia. I riu pa qafë iu hodh njërës nga pas, rrufe si skifter, drejt e në qafë. Kaq shpejt dhe kaq me furi, sa në fillim, s’u kuptua çfarë ndodhi. Pastaj u zhduk më shpejt se domatet dhe qepët të binin në tokë, në qoshen e xhamisë, mes besimtarëve, ndjekur nga klithma e gruas. Pranë tyre, në trotuar, ndodhej një polic. Ngjarja kishte ndodhur mu para hundës së tij. Gruaja, krejt e zbehur, me dorën te qafa, iu drejtua gjithë ngashërim: “Zoti polic, të lutem më ndihmo, hajduti më rrëmbeu gjerdanin …nga qafa”. Por tani po ndodhte një hata më e madhe akoma. Në vend t’i qepej hajdutit pas, polici rrinte i ngrirë, si kali i pluhurosur i Skënderbeut në lulishten përballë. E shikonte gruan shkujdesur, me një vështrim patetik, që rrekej të bëhej misterioz dhe që nuk i shkonte as moshës së re dhe as uniformës që kish. “Zoti polic, ju lutem bëni diçka, ma vodhi. Ishte gjerdan floriri!” – ulërinte gruaja e gjorë duke qarë. “Ma pati sjellë çuni nga Italia… ma mori nga trupi hajduti, e shkreta unë. Hajduti!”
Polici rrinte i palëvizur, shpërfillës, a thua, në vend të floririt, gruas i kishin rrëmbyer ndonjë kokërr qepë nga qeset e rëna përdhe. Vetëm kur gruaja tjetër tha “Turp të keni o plehra!”, vetëm atëherë në fytyrën e policit lëvizi një muskul, ai që zakonisht krijon nënqeshjen cinike.
Lëvizi një muskul, por nuk i lëvizi asnjë qime në kokën e tij. Vështronte kotësisht tej kalit të Skënderbeut, me një krenari dhe dritëpamje prej ku dukej ballina e muzeut, mozaiku i të cilit shkëlqente si vetë lavdia. Të dyja gratë mallkuan shtetin e policinë dhe një çast më pas nxituan të pashpresa drejt ikjes së hajdutit profesionist, por edhe drejt një dite të dëshpëruar. Iu afrova policit dhe pasi pashë emrin në gjoks, e pyeta se a e pa skenën e vjedhjes që ndodhi mu përpara syve të tij, dhe polici më pa shpërfillur, si kishte parë pak më parë grabitësin, gratë dhe mozaikun e muzeut atje tej. Ishte një vizionar i asgjësë: “Debilet, mirë ja bojn! A vihet te çamt, (pazari çam), me një gisht gjerdan n’qaf?!”
* * *
Mision policie me një “vizion” të tillë harbutërie, mund të ketë ndeshur shumëkush në rutinën e tij. Natyrisht, nëse me harbutëri nënkuptojmë shumëçka, edhe mediokritetin edhe paaftësinë. Më keq akoma, edhe “kapjen”! Nëse flasim për mision dhe vizion, mjafton të kujtojmë dështimin otoman të policisë shqiptare në Lazarat, për të krijuar imazhin, për të përkufizuar objektin, për të përshkruar Policinë e Shtetit.
“Lazarati” nuk është thjesht një njollë. Është edhe një simbol. Rast mjaft i rrallë ky kur një institucion shtetëror përfaqësohet me diçka që është njëherësh edhe simbol, edhe ndotje: simbol i paaftësisë dhe i kapjes së shtetit.
Por të kthehemi edhe njëherë te ngjarja e rrëmbimit në mes të ditës, në mes të Tiranës. Gjatë grabitjes së gruas në trotuarin e bashkisë, më kishte tronditur fodullëku i policit dhe kisha dështuar në gjetjen e një shpjegimi: një rrogëtar, i veshur me uniformë dhe pushtet për të ruajtur rendin, bën sehir. Vështirë të ketë gjë më poshtëruese për një qytetar. Tronditja bëhet edhe më serioze kur shikon se si sjellja e një polici rreket të përfaqësojë. Rreket të përfaqësojë të keqen. Ngaqë ky nuk është rast i vetëm, me të drejtë mund të supozohet se Policia e Shtetit është një organizatë e paqartë për misionin që ka. Policia e burgjeve, mbushur me drejtues të paaftë e pa nivel. Policia rrugore, që ndikon në gjendjen shpirtërore të udhëtarëve më fort se filmat horror të mesnatës. Mjafton të pyesim emigrantët që vijnë të pushojnë në Shqipëri për të kuptuar se sa i lartë është koeficienti i babëzisë së policave rrugorë, që vjedhin ditën e natën drejtuesit e automjeteve. Jo rrallë Policia e Shtetit është treguar shurdhe, qorre, idiote apo në rastin më të mirë e paaftë, në përballje me krimin.
Njëlloj si nuk munda ta kuptoj policin me vështrimin krenar, sot nuk mund të kuptoj as krenarinë e kotë të drejtuesve të policisë rrugore, që tundin e shkundin trupat e tyre në çdo kilometër rrugë, për t’ju rrëmbyer bakshishe shoferëve. Njëlloj nuk mund të kuptoj aksionet e turpshme kundër hashashit në Lazarat. Të ndalojmë edhe një herë në Lazarat. Në Lazarat vetë qeveria bën ndalesën e frymës, si astmatikët. I duhet pompa për të vazhduar. Policia ka ndihmuar të jetë edhe më e dukshme asfiksia e pushtetit në ikje të Berishës. Si ia ka dalë? Duke përdorur demagogjinë e lirë, si mallrat kinezë. Çdo vit e njëjta histori. Policia bën postblloqe, në hyrje të Lazaratit, si për të justifikuar dështimin. Dështimin otoman! Them dështimi otoman, për çështje etike, sepse nuk dua të them hapur që në Lazaratin e rrethuar, e dini çka ngjarë? Shtetit shqiptar i kanë rënë brekët në fund të këmbëve. Atje vazhdon rrethimi i kotë, i dështuar, i dëshpëruar i kështjellës së hashashit në fshatin rebel. Ndalimi i punëtorëve, ndërprerja e ujit, rrethimi i gjatë, të gjitha këto të kujtojnë rrethimin e Krujës nga turqit në Mesjetë. Lazarati i hashashit ka triumfuar mbi shtetin shqiptar ashtu si Skënderbeu triumfoi në Krujë mbi osmanët. Njëlloj si sulltan Murati u tërhoq dështuar nga ambicia për të mposhtur qëndresën e arnautëve, mbas fushimeve të gjata, drejtori Burgaj, vit pas viti, rrethim pas rrethimi, është tërhequr njëlloj kokulur nga Lazarati. Ato që mbetën janë postblloqet si relike të dështimit. Maksimumi që ka mundur të bëjë është shtimi i këtyre postblloqeve, ndërsa përbri, hashashi në Lazarat lulëzon edhe rritet, edhe shitet çdo verë.
* * *
Nuk ka gjë më të vrazhdë se detajet që ndihmojnë prishjen e alibive. Këto janë disa detaje që ndihmojnë për të krijuar një opsion për policinë shqiptare! E vrazhdë si detajet, e paaftë, e pandjeshme. Dhe kryesorja aspak profesionale. Që ish-kryeministri Berisha lëngëzohej prej krenarisë që kish për forcat e rendit, sa kohë ish në pushtet, kjo gjë nuk e përmirëson aspak situatën. Përkundrazi.
Artan Mullaj
* * *
KUJDES PORTOFOLIN O GAZETAR!
ReplyDelete