Vajza e re e Fiksit,
ish-zëdhënësja e Sahit Dollapit
që nuk beson tek lëvizjet feministe
Në intervistën e së dielës në “Dita” kemi folur me Fiori Dardhën, prezantuesen e re të “Fiks Fare”. E kemi njohur si një nga gazetarët ngacmuese vite më parë, na rikthehet në të njëjtin rol, por sigurisht më potente, aq sa sot nuk ka asnjë dyshim që ajo e bënë më së miri këtë atë punë që iu besua nga Filip Çakuli një ditë të diele. Pas një shkëputje të gjatë nga ekrani, Dardha vjen pas një eksperiencë profesionale jashtë medies dhe si… nënë e një djali të vogël.
Në këtë intervistë thuhen të gjitha dhe troç, sepse flet Fiori.
Dita e parë në “Fiks Fare” si ishte dhe çfarë reagimesh morët?
Ishte aq intensive për nga emocionet, saqë jam e bindur që nuk kam për ta harruar kurrë! Ishte shumë intensive, sepse gjithçka ndodhi brenda 24 orë. Denisa Haxhiaj, zv/drejtorja e “Fiks Fare”, më kërkoi të bëja një provë. Prova u bë të dielën dhe të hënën dola në transmetim, sepse, sipas intuitës, nuhatjes dhe arsyes së drejtorit të “Fiks Fare”, Filip Çakuli, unë isha ajo e duhura.
Si ndiheni si zëvendësuese e Saimirit?
Ma bëre këtë pyetjen sikur Saimiri të kishte marrë lejen e lindjes dhe unë po e zëvendësoj deri sa të kalojë lehoninë (qesh). Tek “Fiks Fare” nuk punohet me zëvendësim, por me partneritet.
Ju e njihnit z. Çakuli më parë?
Nuk kisha asnjë njohje me Filipin. E njihja vetëm nga ekrani. Hera e parë që e kam takuar ishte ditën kur bëra audicionin.
Me ardhjen tuaj në “Fiks Fare”, mund të themi se edhe ju përfaqëson një pjesë të femrave aty? Shumë drejtoresha femra kanë marrë poste drejtuese…
Jo, më vjen keq, nuk mund ta thoni (qesh). Nuk u përkas atyre që besojnë tek lëvizjet feministe. Në fund të fundit, të mos gënjejmë veten. Edhe mua, edhe drejtoreshat e reja të administratës na kanë zgjedhur 2 burra. Njëri quhet Filip, tjetri quhet Edi (qesh).
Jeni parë vazhdimisht si një demokrate e flaktë, jeni vërtetë e tillë?
Kush më ka parë si një demokrate? Dhe mbi të gjitha, kush më ka parë në flakë?(qesh) Hë mi, tregoji shokët, se do të kesh lehtësira! Unë jam e bindur se shumica e shqiptarëve janë demokratë si unë. Unë vdes për lirinë e fjalës. Më mirë të më lënë pa bukë, sesa pa Facebook. (qesh) Facebook-u është tesera e vetme që kam.
Domethënë jeni në vendin e duhur me Fiksin, në opozitë?
Domethënë, unë dhe “Fiks Fare” kemi të përbashkët shumë të madhe dashurinë për lirinë e fjalës. Nuk pyesim shumë se kush është në pushtet.
Çfarë mendon se nuk shkon në opozitën e sotme?
Më jep edhe dy faqe të tjera hapësirë në gazetë dhe unë do t’i mbush me “çfarë nuk shkon me opozitën e sotme”.
Po me pozitën?
Ah, për këtë më duhet vetëm një faqe, se dy muaj kanë që kanë nisur punë (qesh).
Nëse do t’i jepnit një këshillë sot Sali Berishës, cila do të ishte ajo?
Unë nuk u jap këshilla më të mëdhenjve!
Po Lulzim Bashës?
Zotin Basha e këshillojmë nga ekrani.
Keni diçka për të thënë për Kryeministrin Rama?
Zoti Rama vishet shumë bukur. Më bukur se të gjithë!
Këtë javë “Fiks Fare” ka qenë në qendër të vëmendjes mbi investigimin në Korçë, janë të shumtë ata që kanë pyetur, pse Fiksi kundër Edi Ramës, ju ç’mund të thoni për këtë?
Kjo pyetje do të bënte sens, nëse “Big Brother” ose “E Diell” do të transmetonin materiale investigative. Në rastin tonë po flasim për “Fiks Fare”, emisionin që është krijuar për të nxjerrë në dritë padrejtësitë dhe shkelësit e ligjit. Zakonisht, përgjegjës për shkeljen e ligjit janë ata që janë në pushtet dhe këtë herë qëlloi që në pushtet të jetë Edi Rama. Besoj isha shumë e qartë në shpjegimin tim të thjeshtë.
A ishte video me studentët e Korçës një formë marketingu për “Fiks Fare” pas largimit të një prej drejtuesve?
Ne shqiptarët jemi të paparë për të shpikur teori konspirative. Nëse ndokush më provon që ekziston ndonjë lidhje mes largimit të Niko Peleshit nga Bashkia e Korçës, largimit të Saimirit nga Fiksi, shpalljes nga Presidenti të datës 3 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Korçë dhe asaj që xhiroi Fiksi në Korçë, atëherë unë jam gati t’ju kërkoj ndjesë. Ju lutem, më njoftoni, kur ta gjeni lidhjen!
Fiori, ke qenë në dy rolet, edhe pjesë e administratës edhe tani pjesë e një emisioni investigativ. Si ju duket kur denonconi një punonjës të korruptuar kur gjithë sistemi është thuajse i korruptuar?
Unë nuk kam qenë kurrë pjesë e administratës. Vitet e fundit kam punuar si zëdhënëse e zotit Sahit Dollapi, kur ai drejtoi Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, Ujësjellësin e Tiranës dhe për 9 muajt e fundit, CEZ Shpërndarje. Këto janë kompani shtetërore me vetë administrim dhe nuk janë pjesë e administratës publike, buxheti i të cilës miratohet në qeveri. Për sa i përket denoncimit të rasteve korruptive, e besoj thellësisht që është veprimi më i drejtë që bëhet. Nuk ka rëndësi se kush e bën dhe pse e bën.
Si zëdhënëse e Sahit Dollapit të është dashur ndonjëherë t’i telefonosh Filip Çakulit për ndonjë kronikë që u ka thumbuar?
Jo, nuk ka ndodhur asnjëherë. Fiksi ka bërë disa kronika edhe për OSSH-në, edhe për Ujësjellësin e Tiranës, edhe për CEZ Shpërndarje, por janë treguar gjithmonë korrekte, duke marrë edhe palën që ankohej, edhe palën tjetër, ndaj të cilës ishte drejtuar ankesa. Ka qenë vërtet bashkëpunim shumë korrekt dhe profesional.
Intervista e plotë, mund të lexohet sot në DITA
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!