"

November 12, 2013

Marlon Dino



Balerini më i mirë në botë


Marlon Dino për vitet 2008, 2010 dhe 2013 
është shpallur nga revista “Dance Europe” si 
“Balerini më i mirë në botë”


Kur u regjistrua në Shkollën e Baletit në Tiranë në vitin 1991, Shqipëria sapo kishte hyrë në një proces ndryshimesh të mëdha, në një tranzicion demokratik që zgjoi tek popullata dhe sidomos tek të rinjtë shpresë dhe kurajo për një jetë më të mirë. Pas përfundimit të shkollës, Marlon Dino, interpretoi si protagonist tek “Arrëthyesi”, një prezantim që u duatrokit gjatë në qendrën kulturore të rinisë në Tiranë dhe që bindi profesorët dhe bashkëmoshatarët e tij se ai ishte në “vendin e duhur” me përzgjedhjen e profesionit të balerinit. Dy prindërit e tij Gita dhe Bashkimi, ishin inspiruesit dhe mbështetësit konkretë të projekteve për të ardhmen, në udhën plot sfida të baletit. Por determinuese ishte këmbëngulja e Marlonit, orët e gjata të përgatitjes fizike dhe profesionale, leximet e literaturës për mjeshtrinë e lëvizjeve dhe figurave, përthithja e përvojës së ikonave të skenës së baletit klasik dhe konteporan.

Ambicia dhe kurajo e njëzetvjeçarit Marlon Dino kishin ritëm tjetër nga ai i jetës kulturore artistike në vendlindje. Një bursë specializmi në Gjenevë të Zvicrës në vitin 1998 e ballafaqoi atë për herë të parë me nivelin e kolegëve të tij nëpër botë. Ky ishte fillimi plot mundime dhe sfida në marshutin artistik të Marlon Dinos, një udhë që e vlerësuan për aftësitë dhe kapacitetin, për këmbënguljen dhe përqëndrimin në pasurimin e repertorit. Në sezonin 2001-2002 ishte në Vjenë, për t’u ngulur më pas në Mynih. “Statusi aktual si solist i parë në Teatrin Shtetëror të Mynihut më bën krenar, pasi kontribuoj në një nga kompanitë më të dëgjuara në Europë”, thotë Marlon Dino për DW.
Marloni 3I përfshirë në këtë trupë ai ka ndërtuar një koleksion të pasur rolesh kryesorë në kryeveprat botërore si “Zonja me kamelie”, “Don Kishoti”. “Romeo dhe Zhuljeta”, “Liqeni i mjelmave”, “Bukuroshja e Fjetur” etj. “Roli që më ka ndryshuar jetën në skenë dhe që e konsideroj si një nga kulmet në karrierë është ai i Oneginit në pjesën ‘Onegin’ të J.Crankos”, tregon i emocionuar Marloni. Ka qenë një debutim që u përcoll me duartrokitje frenetike nga publiku bavarez dhe ku në krah kishte partneren e tij në shfaqje, Lucia Lacarra. Pas kësaj Marloni ka interpretuar dhe dhjetra role kryesore për të cilat ka marrë shumë vleresime nga kritika e specializuar. Nuk kanë munguar dhe etiketime të tilla si “një nga partnerët më të mirë në botë” (Zvetlana Zahkarova), ndërkohë që revista “Dance Europe” për vitet 2008, 2010 dhe 2013 e ka shpallur Marlon Dinon si “Balerini më i mirë në botë”.

Për interpretimin e Oneginit fitoi çmimin “Rosen Schtraus des Jahres” në Mynih. Baleti i merr pjesën më të madhe të energjive, por Marloni përpiqet që të krijojë variacion në jetën e përditshme. Është i prirur nga teknologjia e informacionit dhe ka afeksion për pajisjet e reja digjitale. Përpiqet që të hyjë sa më në thellësi të kulturës së Bavarisë dhe asaj gjermane në përgjithësi, ndaj dhe nuk lë rast pa lexuar, pa frekuentuar kalendarin e shumëllojshëm kulturor dhe artistik atje. Hyn në kontakte me kolegë të rinj dhe personazhe publike. 

E ka ndihmuar shumë dhe vizibilteti që i ka krijuar prej kohësh në publik puna si model për marka dhe kompani të njohura si Armani, Zegna, Baldasari, Prada, Gucci, etj. Si në interpretimin e një roli në skenë ku “flet” dhe përcjell botën e artistit me gjuhën e lëvizjeve, Marlon Dino, ashtu e koncepton dhe ritmin e jetës, duke udhëtuar pa pushim nga njëri vend në tjetrin.Udhëtime, kontrata për shfaqje në skena të ndryshme të botës, perfomanca, kontakte me menaxherë – e gjithë kjo agjendë globale – nuk mund ta shkëpusë nga vendlindja.

Marlon Dino dhe Greta Hushi ne Giselle:
Marloni 2Në fillim të vitit 2012 pati një debutim brilant në Tiranë në rolin e Albertit tek “Zhizel”, një bashkëpunim me maestron Agron Alia dhe partneren në shfaqje Greta Hushi. Marloni ka një mendim të pjekur për baletin shqiptar. “Kemi një teknikë dhe shkollë të fortë, por fatkeqësisht është e viteve ‘60. Për mendimin tim duhet patjetër që shkolla shqiptare të adoptojë teknikat e shkollës europiane se ka evoluar shumë sidomos në vitet e fundit”, thotë për DW, duke e gjykuar shpresëdhënës emërimin në krye të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë të balerinit të famshën shqiptar Ilir Kerni, si një mundësi për bashkëpunime dhe projekte në të ardhmen “Vazhdimisht e them, më pelqen shumë të kërcej për publikun shqiptar. E ke parasysh, në fund të zemrës ngelem shqiptar”.

Arben MUKA DW


*   *   *

2 comments:

  1. BRAVO MARLON BRANDO

    ReplyDelete
  2. Pashe videon, shume i talentuar djaloshi. Bravo, na ben te ndihemi krenare.
    P.S. Parafolesi, futi nje tas dhalle e ke nga Sala.

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!