"

November 10, 2013

Sa të frymëzon kjo opozitë…?


2B

Ka një shqetësim real për sjelljen e opozitës së re, pas 23 qershorit dhe në veçanti pas 13 shtatorit. 
E para është imazhi që ajo lë në perceptimin qytetar. Tek publiku dhe në veçanti mbështetësit. 
E dyta është mënyra se si kërkon të fitojë kreditë nëpërmjet strategjisë duke mbrojtur paligjshmëritë. Për të parën mjafton të shohësh rezultatin e zgjedhjeve në Korçë. Mëse 11 mijë vota diferencë. Por mbi të gjitha bojkoti historik që i bënë të djathtët Partisë Demokratike. 

Krisja e madhe e të djathtës, ku gjysma e saj bëri aleancë me të majtën. Dështimi me Korçën, ku të paktën gara të ishte e ngushtë, tregoi se opozita e dyshes Basha-Berisha nuk ka asgjë në vijë. Madje nuk pati asnjë reagim për këtë humbje. 

I vetmi reagim ishte në mbrëmje nga Eduart Halimi, se mazhoranca kishte blerë votat me 2 mijë lekë, duke shfrytëzuar një emision të Fiks-Fare. Por askush nuk e pyet Fiksin se për çfarë blerje vote bëhet fjalë ?!. Aty shihen vetëm studentë që ndjekin shkollën në Tiranë. Se pranojnë se janë paguar nga 2 mijë lekë për të shkuar në Korçë. Por nuk ka asnjë qytetar që të shpreh këtë pohim të mitmarrjes për votë. Pra, sipas drejtuesve të emisionit Fiks Fare, që gazetari i tyre të bëjë një kronikë, duhet ta paguajë gjithçka nga xhepi. Dhe e kundërta, nëse ia jep kompania apo redaksia dietat e rrugës dhe shpenzimet, quhet mitmarrje !!!. Fiksi la disa pikëpyetje të errëta, duke errësuar më shumë fenomenin e shit-blerjes së votës. 

Nëse më 23 qershor pati vërtetë shit-blerje votash, ata nuk guxuan të transmetonin asgjë. Qytetarë të moshave të ndryshme që josheshin tek kutitë e votimit. Kurse për zgjedhjet e Korçës shkuan te zyrat e PS-së, ku regjistroheshin emrat, telefonat dhe kartat e identitetit. Por pse mungoi pyetja nëse studentët ishin anëtarë të PS-së dhe përse i kishin marrë këto para? Pse nuk u pyetën si e paguan rrugën dhe nëse morën lekë të tjera shtesë përveç biletës ?!. Dhe një Eduart Halimi i orientuar nga kupola e PD doli me vrap në konferencë dhe kërkoi…anulimin e zgjedhjeve në Korçë !!!. Por e vërteta është se edhe sikur zgjedhjet të përsëriten, Sotiraqi blu do e ketë shumë të vështirë të përmbysë raportin. 

Në lajmin e Fiks-Fare të pretenduar investigim, ka mangësi të mëdha interpretimi real…Ato që kuptohen nga një qytetar i zakonshëm. Opozita përpiqet të fitojë kreditë nga kjo situatë, kur diku më tej mbron edhe një paligjshmëri si pallati i vjehrrit të Bashës në Vlorë. Mbron paligjshmëritë e ndërtimeve pa leje dhe aksionin e shembjes, sulmon operacionin e lojërave të fatit dhe për më keq akoma këto i kërkojnë njerëzit që ishin ministra dhe janë nën akuzë për miliarda lekë abuzime… 

Është e vështirë t’ia gjesh kësaj opozite se nga ka kokën, nuk ka këmbët. Si një kafshë e plagosur rëndë, sillet e përcillet, pa një orientim. Për më tepër që zhgënjen edhe mbështetësit e saj dhe mesazhi më i fortë ishte braktisja e zgjedhjeve në Korçë. 

Në vend që Lulzim Basha të kërkonte falje ndaj elektoratit të djathtë për imazhin që dha me rezultatin e Korçës, i bënë bisht përgjegjësisë për humbjen duke u kapur pas “blerjes së votës” që i servir Fiks-Fare. Por në të kundërt ngremë edhe pyetjen; Përse Basha dhe deputetët e PD në Korçë nuk organizuan studentët e tyre mbështetës për t’i çuar në Korçë dhe t’u paguanin rrugëtimin dhe kafen ?!. Kjo nuk është blerje vote, por lehtësim i kushteve sociale për mbështetësit që janë me kartë të partisë. 

Nuk e dimë se ku ka ndër mend të dalë dyshja Berisha-Basha me këtë strategji, por e dimë shumë mirë se “malli” që po i shesin qytetarëve nuk është aspak me cilësi dhe i shëndetshëm, por të intoksikon….






No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!