Nga
Irena Beqiraj
Dëgjojmë
shpesh për reformën strukturore që duhet të ndërmarrë Qeveria për pensionet.
Ndoshta për një publik të gjerë dhe jo ekspert në fushën ekonomike, ka lindur
pyetja por çfarë nuk funksionon në sistemin aktual të pensioneve dhe çfarë
reformash priten të ndërmerren? Të gjithë e dimë që sistemi i sotëm i
sigurimeve Shoqërore mbështetet në financimin e pensioneve nga kontributet e
sigurimeve shoqërore që paguajnë jo vetëm punëmarresit, por edhe punëdhësit. Ky
sistem e ka origjinën e tij që në Shekullin e 19 –të dhe për herë të parë është
vënë në jetë nga politikani Otto Von Bismark. Ky sistem i quajtur “Pay as you
go” shkurt Paygo është shumë popullor në thelb, por nuk ka një lidhje direkte
midis asaj që individi kontribuon sot dhe asaj që do të përfitojë nesër si
pension.
Kohët
kanë ndryshuar…
Por
kohët kanë ndryshuar që nga periudha e Bismarkut, po ashtu dhe karakteristikat
demografike. Njerëzit jetojnë më gjatë si dhe është vërtetuar katercipërisht që
zhvillimi ekonomik shoqërohet me një rënie në normën e rritjes së popullsisë.
Ndërkohë Shqipëria ka edhe një fenonem tjetër, punën në të zezë (jo e deklaruar
në sigurimet shoqërore), dhe ajo gri (deklarime më të ulëta të rrogave për
efekt pagesash më të ulëta të sigurimeve) e cila zë rreth 35% të tregut të
punës. Raporti i kontributeve është rreth 4.7% e GDP ndërkohë që në vendet e
rajonit kjo shifër është rreth 8-10% e GDP. Shqipëria ka sot rreth 579,904
pensionistë që përfaqësojnë rreth 20% të shoqërisë, ndërkohë që ka rreth
450,000 pagues të kontributeve shoqërore. Aktualisht me kontributet e
sigurimeve shoqërore të mbledhura nuk paguhen dot pensionet. Aktualisht
pensionet krijonë një deficit prej 35 miliardë lekë. Kjo diferencë do të
vazhdojë të rritet, nëse nuk punojmë intensivisht për të rritur kontributet në
sigurimet shoqërore duke formalizuar tregun e punës dhe në të njëjtën kohë nuk
mendohet realisht si do të reformohet ky sistem. Nëse vazhdojmë dhe i kërkojmë
qeverisë të rrisë pensionet në kurriz të borxhit brezat që vijnë mund të jenë
edhe me të varfër në kohën e pensionit, se pensionistët sot.
3 shtylla sipas të huajve
Një
sistem i përshtatshëm pensionesh, sipas Bankës Botërore, duhet të mbështetet në
3 shtylla. Shtylla e parë është sistemi aktual PAYGO.
Shtylla
e dytë janë pensionet e detyruara private, ku individi paguan një përqindje
kontributi të detyrueshme mbi pagën në atë që quhen llogari indidividuale e
pensionit, e cila nuk menaxhohet nga shteti, por nga kompani private
adminstrimi. Në llogaritë individuale të pensionit vendoset një lidhje direkte
midis kontributeve të individit dhe pensionit, dhe fondet që grumbullohen në këto
llogari duhet absolutisht të investohen per të përfituar nga fuqia e madhe e
investimit.
Shtylla
e tretë, pensionet private vullnetare, ku individë vullnetarisht mund të
paguajnë kontribute në shoqëritë privatë të pensionit. Aktualisht në Shqipëri
përveç shtyllës së parë kemi dhe shtyllën e tretë, fondet vullnetare private të
pensionit.
Duke
qenë se aktualisht pensionet tejkalojnë kontributet e mbledhuara nga Sigurimet
Shoqërore, dilema që shtohet është gjetja e një mënyrë për të kuruar deficitin
që krijohet në buxhet nga “plakja demografike”. Në pikëvështrimin tim përpara
kemi dy alternativa; ose do të vazhdojmë më sistemin aktual, por do të duhet të
bëjmë ndryshime parametrike thelbësore të tij, apo ka ardhur koha të prezantojmë shtyllën e dytë, e cila e
thënë ndryshe nuk është gjë tjetër veçse “privatizim i pjesshëm” i sistemit të
pensioneve.
Ulje
pensionesh? E papranueshme
Ndryshimet
parametrike të sistemit aktual konsistojnë në: 1) uljen e pensioneve që
aktualisht fitohen, 2) rritjen e moshën e pensionit, 3) rritjen e kontributeve
në sigurimet shoqërore. Ulja e pensioneve është e papranueshme sepse pensionet
janë tanimë shumë të ulëta dhe pensionistët jetojë thuajse në kufirin e
varfërisë.
Kuptohet
që dy parametrat e tjerë janë vendime të vështira jo vetëm ekonomikisht por
edhe politikisht, pasi “cenojnë” interesat e atyre që aktualisht paguajnë
kontributet, të cilët janë edhe votues. Në të njëjtën kohë duke qënë se
ndryshimet ekonomike dhe demografike janë shumë dinamike do të duhet të bëjmë ndryshime
prametrike të herëpashershme (afat mesme) duke krijuar luhatshmëri në të tre
parametrat, gjë që rrit pasigurinë në të ardhmen.
Prezantimi
i shtyllës së dytë eshtë aspekti më i spikatur dhe më i diskutueshëm. Disa nga
vendet e rajonit kanë zgjedhur “të heqin dorë” nga 1/4 deri në 1/3 e normës së
kontributeve të detyrueshme të pensioneve duke i lenë ato të menaxhohen
privatisht, duke zëvendësuar kështu një sistem unitar publik me një kombinim të
sistemit publik me sistemin privat të menaxhimit të pensioneve. Në Shqipëri
propozohet nga Banka Botërore që 21.5 % e kontributit që punëmarrësit dhe
punëdhënësit paguajnë, të shkojnë në sistemin publik të pensioneve dhe 3% e
kontributeve të menaxhohet në llogari individuale pensioni. Vendet e rajonit e
kanë bëre këtë gjë shumë gradualisht, duke transferuar një pjesë të madhe të
kotributeve të sigurimeve në skemat private.
Pensionet
Efektet
pozitive që ka kjo skemë vijnë nga fakti që një pjesë e pagesës se pensionit
realizohet jo thjesht nga kontributi por nga investimi i kontributit. Ndërkohë
që me sistemin aktual nuk kemi asnjë investim të kontributeve. Ndërkohë me
kalimin e viteve kalohet një pjesë e barrës së përballimit të kostove të
pensionit nga shteti tek llogaritë private të pensionit. Në disa vende është
konsideruar si një nxitëse e formalizimit të tregut të punës pasi kontributet e
individit në llogaritë individuale lidhen direkt me pensionin e ardhshëm.
Në
skema private?
Në
disa vende këto skema kanë ofruar fleksibilitetin e tërheqjeve të parakohshme
apo kalimin e shumave të akumuluara tek pasardhësit në rast vdekjeje.
Prezantimi
i një sistemi mix në vendet e rajonit ka treguar se kalimi i një pjese të
kontributeve shoqërore në skema private shoqërohet me ato që quhen kosto të
kalimit apo të trasferimit. Këto skema do të duhet të akumulojnë për 25- 40
vjet që të fillojnë të japin benefitet e tyre. Ndërkohë që pensionet në këtë
faze duhet të mbulohen tërësht nga sistemi publik i pensioneve. Nga studimet e
bëra në vitin 2010 këto kosto do të shoqëronin ekonominë serbe për 40 vjet. Në
rastin e Sllovakisë për gati 30 vjet (studimi, Melichercik dhe Ungvarsky
(2004), për Hungarinë koston e kalimit do të zgjasnin për 50 vjet studimi Orban
dhe Palotai (2005) .
Një
element tjetër shumë i rëndësishëm në suksesin e skemës së detyruar private
është mundësia e investimit të këtyre fondeve. Ndërkohë që sistemi aktual
mbështetet vetëm në burimin të ardhurave që vijnë nga puna. Një sistem që
përfshijnë edhe shtyllën e dytë ka dy burime te ardhurash; punën dhe kthimin
nga investimi.
Duke
qenë se vendet e rajonit si edhe Shqipëria kanë tregje të pa zhvilluara
kapitali, mundësia e investimit të tyre mbeten bonot afatgjata të qeverisë, që
zënë gati 60% të portofolit, dhe depozitat bankare. Në pëgjithësi ka një
skepticizëm për investime në letra më vlerë të huaja për shkak të riskut të
kurseve të këmbimit.
Empirikisht
një normë e mirë reale e kthimit nga investimi i këtyre fondeve do të ishte
1,8% mbi rritjen e GDP, por fakti i mungesës së tregjeve të ogranizuara dhe
rrjedhimisht i mundësive të investimit bën që kthimi nga investimet i këtyre fondeve
të jetë dhe të vazhdojë të jetë i ulët në të gjithë vendet e rajonit. Kjo skemë
që të ketë sukses duhet të shoqërohet edhe me zvillimin e bursës dhe tregut të
kapitaleve.
Nevoja
e një ‘Administratori’?
Që
shtylla e dytë të këtë sukses është shumë e rëndësishme menaxhimi i fondeve në
mënyrë trasparente dhe të sigurt, nga sektori privat. Pra lind nevoja i
krijimit “të administratorit të fondeve te pensionit” i cilët duhet të
mbikëqyret nga organet shtetërore në mënyrë të ndershme dhe të sigurt. Ky
drejtim dhe supervizim, ka nevojë për njerëz të depolitizuar, të kualifikuar
por duhet thënë dhe te mirëpaguar. Qeniet njerëzore janë pothuajse unike në
aftësinë e tyre për të mësuar nga eksperienca e të tjerëve, por gjithë kohën
janë shquar për një mosdashje të dukshme për ta bërë ketë.
Reforma
e pensioneve është shumë sfiduese, nuk mund të realizohet apo të merren frytet
brenda një mandati apo dy. Do të duhen dekada për të parë efektet e saj. Kostot
gjithashtu janë të larta. Duhet të dimë që Sigurimet Shoqërore janë programi i
vetëm shtetëror nga i cili çdo qeveri do ta kishte të vështirë të heq dorë
qoftë dhe pjesërisht. Aq më e vështirë bëhet kjo vendimmarrje në kushtet të
vështira ekonomike. Si çdo reformë ekonomike ka përfitime dhe kosto, të cilat shpërndahen
në mënyrë të pabarabartë ndërmjet gjeneratave.
Reformat
e pensioneve nuk është alternativë politike afatshkurtër, por sistem ekonomik
afat gjatë i cili duhet ndërtuar dhe
dizenjuar me kujdes për të pasur sukses. Ndërkohë duhet shumë durim për të
vjelur rezultatet. Nëse ky sistem ndërtohet, pranohet apo kundërshtohet thjesht
për qëllime afatshkurtra politike nuk do te kemi kurrë reformë reale në
sistemin e pensioneve. Shoqëria shqiptare dhe qeveritë duhet të shmangin një
herë e mirë impulsin e të menduarit sot për sot dhe në emër të rrugës më të
lehtë të harxhojmë edhe burimet e së nesërmes. Demokracia duhet të funksionojë
për të gjitha gjeneratat, dhe jo të bëhet një fantazmë e paaftë për të paguar
nesër./Dita
imazhe shqip
* * *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!