"

January 18, 2014

Reklamat e TV-KLAN,




sa buxheti vjetor i 49 bashkive !


Nga Përparim Halili

Vetëm një qeveri e papërgjegjshme mund të bëjë atë që ka bërë ish-qeveria “Berisha” me të ardhurat nga ekonomia dhe shërbimet publike kombëtare. Berisha i ka përdorur fondet publike në mënyrë të paligjshme, në formë krimi të hapur e të plotë ekonomik. Një nga rastet më tipike është financimi klientelist i TV-KLAN-it në vlerën mbi 18 milionë dollarë në formë reklame. Janë afërsisht 20 miliardë lekë. Mendova të bëj një ballafaqim, që ma nxiti fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë seancës parlamentare për debatin mbi buxhetin 2014. Ndër të tjera, Saliu akuzoi qeverinë Rama, se “… po tallej me bashkitë e komunat, duke u dhënë buxhet thërrime”. Nëse buxheti 2014 për pushtetin lokal është ose jo thërrime, këtë mund ta thonë ata që drejtojnë njësitë vendore. Unë po bëj vetëm një ballafaqim, midis buxhetit që ish-qeverisja “Berisha” u dha bashkive e komunave për të zgjidhur problemet e komunitetit gjatë vitit 2013 dhe “buxhetit”, që i dha TV-KLAN-it për reklama (propagandë) pro pushtetit të tij.

<img src="Opinion, Blendi Fevziu.jpeg" alt="Opinion ng, Klan Tva Blendi Fevziu" />

imazhe shqip

Më konkretisht. Ish-qeverisja “Berisha”, i dha TV KLAN-it për reklama mbi 18 milion dollarë, ndërsa bashkisë Berat për vitin 2013, i dha si buxhet të pakushtëzuar vetëm 178 milionë lekë, ose afro 1.8 miliardë lekë, ose sa 9 % e reklamës së TV KLAN-it. Bashkisë Durrës, për vitin 2013 i dha si buxhet 410 milionë e 407 mijë lekë, të barabarta me mbi 4.1 miliardë lekë, ose sa 22% e reklamës që i dha TV KLAN-it. Bashkisë Korçë i dha vetëm 180 milionë e 171 mijë lekë buxhet vjetor, ose sa 10% e reklamës së TV-KLAN-it. Ndërkohë Bashkisë Kukës, i dha 101 milionë e 233 mijë lekë buxhet vjetor, ose sa 6% e reklamës që i dha si reklamë TV-KLAN-it.

Më skandaloz bëhet fakti me financimin e atij televizioni, kur shikon tabelën e buxhetit vjetor të dhënë për vitin 2013 prej ish-qeverisë “Berisha” dhe konstaton, se bashkisë Pogradec i ka dhënë vetëm 81 milionë e 363 mijë lekë, ndërsa bashkisë Gjirokastër i ka dhënë një buxhet vjetor prej vetëm 80 milionë e 937 mijë lekë, ose nga 5% e reklamës që i ka dhënë TV-KLAN-it. Pa harruar Vlorën, të cilës i ka dhënë vetëm 298 milionë e 526 mijë lekë, ose 8 herë më pak se fondi reklamës që i ka dhënë TV-KLAN-it.

Sipas aritmetikës së thjeshtë, rezulton se qeveria i ka dhënë këtij televizioni klientelist, një financim për reklama, të barabartë me fondin buxhet të vitit 2013, të 9 bashkive së bashku, konkretisht të bashkive Berat, Fier, Sarandë, Kukës, Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Lushnjë, Pogradec, ose, i ka dhënë një financim të barabartë me fondin buxhet vjetor 2013, të 85 komunave të mesme, ose e të 58 komunave të mëdha. Ose, reklama e dhënë për TV-KLAN-megafonë të Sali Berishës është e barabartë me buxhetin e përbashkët vjetor të 49 bashkive të kategorive të qyteteve Përmet, Tepelenë, Ballsh, Patos, Kuçovë, Pukë, Bulqizë, Maliq, Has, Malësi e Madhe, Shëngjin etj.

Edhe një krahasim tjetër. Vetëm pagesa e bërë për Çiljetën në koncertin për festën e organizuar nga PD në 22 mars 2013, është e barabartë me 4 buxhete të bashkisë Orikum, me 20% më e madhe se buxhetet vjetore të bashkive Gjirokastër e Sarandë.

Pak ditë më parë, ishim në bisedë me Redi Ramajn, kryetarin e komunës Qendër-Tepelenë. Mes të tjerash, ai na tha: “Komuna Qendër-Tepelenë e ka buxhetin vjetor 26 herë më të vogël se pagesa që i është dhënë për reklamë TV-KLAN-it. Shkolla 9-vjeçare në fshatin Dukaj ka mbetur si stallë lopësh për 9 milionë lekë fond dhe ish-qeveria “Berisha” nuk na i lëvroi fondin e miratuar që në vitin 2004!  Për 36 milionë lekë investim, banorët e fshatit Veliqot po në komunën tonë, janë prej vitesh pa ujë mbasi fondi i projektit u miratua, por nuk u lëvrua nga ish-qeveria. Për 30 milionë lekë ka mbetur gërmadhë dhe po degradon me zhdukje fizike, rruga Dragot-Tepelenë, mbasi ish-kryeministri Sali Berisha nuk e firmosi çeljen e fondit 6 vite me radhë. Për 37 milionë lekë, nxënësit e fshatit Luzat vazhdojnë të mësojnë në shkollë gërmadhë në stalla bagëtish e magazina plehu, të përshtatura primitivisht për shkolla, mbasi ish-qeveria nuk e lëvroi fondin buxhet të miratuar, për ndërtimin e shkollës 9 vjeçare”!


imazhe shqip


*   *   *





No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!