Nga
Sokrat Habilaj
1.
Konteksti historik dhe politik
Periudha
tetëvjeçare e qeverisjes demokrate, veç të tjerave, shënon dhe kulmin e
dështimit spektakolar të politikave që kanë lidhje me sigurimet shoqërore në
tërësi dhe në veçanti me skemën e pensioneve. Pa përjashtuar edhe qeverisjen e
mëparshme socialiste, në fund të këtij mandati, PD, ka dhe “meritën” e
rikthimit të skemës së Sigurimeve Shoqërore në një nivel më të ulët se kuota
zero, ku nisi rreth njëzet vite më parë, sepse një punë e bërë keq është më keq
se sa një punë e pakryer fare.
imazhe shqip
Kjo forcë politike ka autorësinë e rimodelimit
të sigurimeve shoqërore në kushtet e ekonomisë së tregut, por edhe të rrënimit
thuajse total të tyre, njëzetë e ca vite më pas. Shenjat negative të dështimit
të kësaj skeme nuk u shfaqën në një ditë, përkundrazi ato janë manifestuar në
mënyrë permanente. Por këto sinjale u nënvleftësuan. Dështimi u maskua me masa
tërësisht të paefektshme dhe, më keq akoma, skema e pensioneve nga një skemë
thellësisht sociale, financiare, ekonomike, u bastardua, duke u kthyer në një
fasadë propagandistike dhe politike. Madje u shkua deri atje sa u krijua
iluzioni se brenda kësaj skeme nuk përfshiheshin 561 mijë njerëz të moshuar, me
kontribute për vendin dhe nevojtarë, por
thjesht 561 mijë votues, të cilët në momente të caktuar, mund të gënjehen me
rritje qesharake pensioni, apo me fabula tallëse në fund të vitit, si ato me
“një gjel” apo “gjysmë gjeli”, etj. Prandaj dalja e skemës së pensioneve prej
kolapsit, nuk mund të bëhet pa njohur deri në detaje shkaqet që sollën dështimin
e plotë të skemës së pensioneve. Sëmundja nuk mund të shërohet, pa u njohur jo
vetëm simptomat, por edhe shkaqet e saj.
2.
Raporti rrënues
përfitues-kontribuues
Raporti
skandaloz përfitues-kontribuues, thuajse 1 me l, i pashembullt edhe me asnjë vend
të rajonit, e ka bërë skemën e pensioneve një gropë të papërballueshme për
buxhetin e shtetit. Ky raport ka ardhur duke u ngushtuar, përkundër tendencës
normale të rritjes së pensioneve dhe shtimit të numrit të pensionistëve. Një
fakt i tillë zbulon jo vetëm brishtësinë deri në falimentim të skemës së
pensioneve, por edhe falsitetin e gjoja rritjes së numrit të të punësuarve nga
viti në vit. Më tej akoma, nëse shikojmë raportin mes pagave minimale,
mesatare, apo të larta, të cilat paguajnë realisht kontribute për sigurimet
shoqërore në listë-pagesat e paraqitura, ky raport është në favor të pagave
minimale. Pra, ne sigurojmë më pakë të
ardhura për të përballuar pensionet, pasi një pagë më e ulët, do të thotë dhe kontribut
më i ulët. Në këto kushte raporti 1 me l, përfitues-kontribues, shkon edhe më
keq akoma në uljen reale të numrit të kontribuesve, dhe në uljen e masës së
kontributit. Ndërsa “rritjen e numrit të të punësuarve”, mund ta manipulojë çdo
podium, apo institucion statistikor, për efekte politike, varësia mes numrit të
kontribuuesve dhe përfituesve nuk mund të fshihet, sepse nuk mund të fshihet
sasia e pareve që harxhohen për pensionet nga buxheti, apo kontributet e
grumbulluara. Edhe ndryshimi i vartësisë së grumbullimit të kontributeve nga sigurimet
shoqërore te tatim-taksat, nuk solli asnjë rezultat të dukshëm. Natyrisht që
grumbullimi i kontributeve është një detyrim ligjor, për të cilën as që mund të
diskutohet. Rritja e të ardhurave nga kontributet, edhe pse duket “jashtë” reformës së skemës së pensioneve,
nëse dësjton, mund të dështojë reformën dhe vetë skemën.
3.
Nevoja për një
minimum jetik pensioni
Skema
e pensioneve është e ndërtuar në dy shtylla kryesore: pensionet e qytetit dhe
të fshatit. Për kushtet e vendit tonë, pensionet e fshatit zënë një vend
qendror. Rruga që u ndoq për barazimin e pensioneve të fshatit me ato të
qytetit, rezultoi tërësisht e gabuar, dhe çoroditëse. Mjafton të citojmë se më
shumë se 500 mijë “të vetëpunësuar” në bujqësi, u futën në një skemë pagese të
kontributesh “të detyrueshme” që vetëm fjalën kishin si të tillë dhe që të
detyrueshme nuk u bënë kurrë. Si rrjedhojë, jo vetëm u thellua barra fiskale e
pensioneve në kurriz të buxhetit të shtetit, por u deformua krejtësisht skema.
Kështu, ndërsa u vendos një kufi tavan për pensionet, askush nuk e di sa është
përfitimi real minimal i një pensionisti, i cili ka treguesit e tij specifik të
vjetërisë në punë, apo të pagës. Kjo gjë, pra mos ekzistenca e një kufiri
minimal të pensioneve, vlen për të gjitha kategoritë e pensioneve, jo vetëm për
të fshatit. Në këto kushte, ndërsa mund të flasim për tregues që kanë të bëjnë
me minimumin jetik, apo të varfërisë të një të papuni, skema aktuale e
pensioneve, pa hezitim mund të themi se e kamuflon një tregues të tillë
padrejtësisht. Kjo krijon një moment thellësisht irreal, që fsheh një realitet
të zymtë. Në këto kushte, ideja e hedhur nga qeveria për vendosjen e një kufiri
mbi minimumin jetik të përfitimit të atyre që kanë mbushur moshën e pensionit,
madje edhe nëse nuk plotësojnë kushtet për pension, duhet përshëndetur.
Pensionet sociale, apo ndihma ekonomike për ata që kanë mbushur moshën e
pensionit, si një praktikë e provuar në vende shumë më të zhvilluara se ne, si
në Angli apo Suedi, do ta vendosin skemën e pensioneve në një terren më të
favorshëm, por do t’u vijë edhe më mirë në ndihmë të gjithë atyre që nuk mund
të përfitojnë pension apo përfitojnë thërrime pensioni dhe ndihen të braktisur.
4.
Thellimi i parazitizmit të skemës
Skema
aktuale e pensioneve, ka ecur në drejtim të kundërt me nxitjen e pagimit të
kontributeve. Nuk është fjala vetëm për parimin bazë “pay as you go”, por
parazitizmi i skemës së pensioneve është thelluar edhe për shkaqe të tjera.
Kështu, pavarësisht nga raporti mes pagës minimale dhe maksimale mbi të cilin
llogaritet kontributi, raporti i pensionit minimal me pensionin maksimal është
1 me 2. Ky është një tregues i vjetër sa
edhe skema aktuale e pensioneve, dhe pengon interesin për të paguar sa më shumë
kontribute tek personat me paga mbi mesataren, sepse për të përfituar një
pension maksimal, do të mjaftonte një pagë shumë më e ultë se paga maksimale.
Ne sot ndodhemi në një situatë të tillë kur një person, i cili e ka pagën
100,000 lekë në muaj dhe në raport me këtë pagë, paguan një sasi të caktuar
kontributi, dhe një person tjetër me një pagë 40,000 lekë në muaj që paguan
shumë më pak contribute. Por kur ata
dalin në pension, masën e pensionit do ta kenë të barabartë. Në këto kushte, ai
me pagën 1.000.000 lekë, pse duhet të lerë një sasi më të madhe të pagës së
tij, kur ligjërisht kjo sasi nuk shkon për të dhe kontribuesi nuk përfiton
asgjë? Një kufizim i tillë është alogjik dhe e vendos skemën e pensionit në
kundërshtim me kontributin e dhënë nga përfituesi, duke zbehur tek ai interesin
për të kontribuar sa më shumë. Dhe për ta bërë edhe më të dukshëm këtë zbehje
të interesit të pagimit të kontributeve, theksojmë se edhe mënyra teknike e
llogaritjes së pensionit bëhet e tillë, ku nga tre shifrat që dalin, zgjidhet
ajo më e disfavorshmja për përfituesin. Heqja e tavanit të pensionit do të
zgjidhte ngërçin që ekziston mes masës së kontributit dhe asaj të pensionit të
secilit.
5.
Çështja e moshës së
daljes në pension
E
vetmja reformë në skemën e pensioneve,
që të paktën u quajt e tillë, është ajo e vitit 2002, që kishte të bënte
me rritjen graduale të moshës së daljes në pension. Kjo reformë përveç shtyrjes
në kohë të daljes në pension të personave të ndryshëm nuk dha asnjë efekt
pozitiv. Reforma vetëm së shtyu edhe për pak vite falimentimin e skemës së sigurimeve shoqërore. Prandaj,
edhe ideja e hedhur sërish se mund të rritet mosha e pensionit në një apo dy
vite, vetëm do të shtyjë në kohë falimentimin e skemës.
6.
Reforma e pensioneve duhet të jetë bipartizane
Tani
nuk është koha për të gjetur fajtorët e dështimit të skemës së pensioneve. Për
të qenë më të drejtë, mund të themi se në dështimin e kësaj skeme kanë pjesën e
vet të dy kahet e politikës. Nisur edhe nga ky fakt, por më tepër nga
domosdoshmëria shpëtimit të skemës, është koha që edhe opozita të jetë në një
linjë me qeverinë. Reformimi që ka nisur të bëhet tani, nuk i shërben vetëm
kësaj mazhorance. Ajo është një nevojë dhe një sfidë urgjente që na shërben të
gjithëve. Prandaj kërkon konsensusin e të gjithëve: qeverisë dhe opozitës,
punëdhënësve dhe punëmarrësve, kontribuesve dhe përfituesve, të moshuarve dhë
të rinjve./Dita
imazhe shqip
* * *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!