Maks Velo
Kjo intervistë do të mrrolë shumë fytyra ose do të
anashkalohet me togfjalëshin “prapë ky i çmenduri!”. Sido që të jetë, Maks Velo
është një nga të paktët, në mos i vetmi që i shpëton mbërthimit të hekurt të të
qenit politikisht korrekt.
Pra flet troç ose ‘speaks his mind’ për të përdorur një term
të anglishtes (shumë fytyra po rrudhen tashmë nga ky jopurizëm në gjuhë ose
shitmendje me anglisht). Për t’iu përgjigjur pyetjes së tij ‘sa janë veriorët
gegë?’ duhet një epos më vete. Por për të antiprovokuar pa u munduar të jem
politikisht korrekt, mund të them se veriorët (apo gegët në daç) nuk i
gjymtojnë apo masakrojnë kurrë të vrarët e tyre. Ata e duan të bukur kufomën e
kundërshtarit të vrarë! Në Korçën e zotit Velo, për shembull, vrasje ndodhin
ndoshta jo rrallë, por makabritetet e plotësojnë këtë vakuum. Apo jo?!
Ju duket se keni padurim ndaj bedenave, miteve, Kanunit,
ndërkohë që flisni për vlerat e pazëvendësueshme të trashëgimisë. A mos e keni
fjalën për një trashëgimi vetëm të krishterë e posaçërisht ortodokse, pra
kishat e ritit bizantin, ikonat e afresket? A mos jeni për një Shqipëri
paraosmane? A nuk është kjo e pamundur?
Kështu si e bëni Ju pyetjen, sigurisht është e pamundur. Kur
një njëri numëron pasurinë e fillon nga ato më me vlerë, në fillim diamantet,
pastaj florinjte, pastaj eurot dhe në fund leket. Pasuria e një kombi merr në
konsiderate në radhë të parë ato me të çmuarat. Kodikët e shekullit 6 dhe 9-të,
Epitafi i Gllavenicës, ikonat ( mbi 5000 – je) dhe afresket (ndër to edhe ato
të Rubikut ). Nëse këto janë Ortodokse për mua ka pak rëndësi, këto janë
sikurse janë katër B–të e mëdhenj Budi, Buzuku, Bardhi dhe Bogdani.
Këto vepra që përmenda janë prodhim i Bizantit Ballkanik,
atelietë ishin lëvizëse nëpër manastire. Piktorët ikonografë lëviznin në gjithë
siujdhesën. Sot janë një baze për të bashkuar gjithë Ballkanin Perëndimor drejt
Europës. Por mos harrojmë MARUBIN e madh dhe shumë të çuditshëm për nga
moderniteti. Kanuni është një nga Opuset më madhore të Drejtësisë Mesjetare,
është një nga kodet bazë të drejtësisë botërore. Është klasifikimi dhe
kodifikimi i jetës se kaluar. Por duhet të mbetej një Opus shkencor. Kur
aplikohet sot në Veri, tregojmë se nuk kapërcejmë dot Mesjetën. Ne po bisedojmë
për Trashëgiminë, dhe nuk zgjidhen dot kohët, epokat, territoret, por vlerat.
Onufri është në kohën osmane, por ka një iluminim perëndimor.
Mitet janë ëndrrat e popujve, pa to nuk deshifrohet dot
historia.
BEDENAT? Kemi Kalanë e Shkodrës, të Lezhës, të Krujës, atë
të Beratit dhe atë të Gjirokastrës.
Janë të dëmtuara dhe kur shkon sikur do të ikësh sa më parë,
nuk po arrijmë dot t’i bëjmë të lakmuara.
E jeni antigeg ju, zoti Velo?
Jam antiverior, jo antigeg. Kur isha i vogël, në Korçë afër
shtëpisë ish një dyqan kinkalerish, i Geges, quhej. Pronari ish një plak i
urtë, i dashur, zemërgjerë, kështu do mbesin në përfytyrimin tim Gegët. Si
shegët me një lëng të kuq brenda dhe të bukura për të pikturuar natyra të qeta.
Shega ndofta edhe përfaqëson gegërinë. Vazhdoj të vizatoj prej 50 vitesh gratë
me xhubleta, është ajo që më lidh direkt me kohët homerike. Tani vijmë në
Veriu. Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i presidentit Bush i hoqi orën nga
dora, nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit?
Laçi? Janë rrezuar ose dëmtuar 36 shtylla të tensionit të
lartë, si është e mundur? Vrasjet, edhe ditën e zgjedhjeve të 23 Qershorit të
kaluar? Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha, Shëngjini,
Rrësheni, Bajram Curri etj., etj. Shkodra kish 10 vrasje në 6-mujorin e parë,
asnjë në Korçë. Kriminelë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Sa nga Veriu janë në
burgjet shqiptare dhe të huaja? Veriu është bërë tmerri i Europës.
Dukagjini kish mbjellë 115.000 rrënjë kanabis, gjuajti edhe
policinë dhe dëmtoi helikopterin. Kukësi nuk paguan energjinë elektrike, e paguajmë
ne për ta. Në Lurë kanë prerë gjithë pyllin. Tropoja ka mbi 150 vrasje, kanë
vjedhur edhe një bankë në Angli. Vumë një verior, Berishën dhe na shkatërroi me
themel.
Dy janë treguesit kryesorë. Krimi dhe dëshira për punë. Ky
bën edhe bilancin. Pastaj më drejto pyetjen mua. Tani po ju drejtoj unë një
pyetje: sa janë veriorët, gegë?
Po antimysliman?
Po, jam antimysliman. Jam prej 500 vitesh. Kam qenë luftëtar
krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si
fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur
me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato
ishin hordhi të padëgjuara. Europa kish dëgjuar për hordhitë e cingis Hanit, po
ishin më të dëgjuar. Këta donin të gjunjëzonin kontinentin e vjetër, kulturën
më të përparuar. Dëmi i tyre është kolosal. Dhe veçanërisht i yni. Osmanët për
500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj jemi sot kështu që nuk po
e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani
në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët
kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua
fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por nuk do të ngrihen
kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia
që na bashkon me Europën, me krishterimin. Prandaj ata duan ta presin këtë
lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë,
filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo
trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, Shqipja nuk do të ish një nga 5
gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për
formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për Shqipen. Ata
pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit.
Lavdërim Muhaxhiri, ish-mysliman kosovar, edhe 120
xhihadistët e tjerë nga Kosova. Edhe ata në Maqedoni dhe në Shqipëri. Islami më
tremb se në mënyrë të papritur ka kthime mbrapsht në zona të errëta tmerri dhe
mizorish të padëgjuara. Asnjëherë nuk i dihet se ç’sjell.
Islami nuk të jep asnjë garanci. Unë dua dhe vlerësoj fetë
paqësore. Kur Islami të bëhet i tillë, nuk do jem më anti-mysliman.
Ju e trajtoni kryeministrin Rama, apo mikun tuaj Edi Rama,
si shpëtimtar, por të mos harrojmë se shpëtimin e qytetit nga kioskëzimi e
pasoi me betonizimin. 1900 leje ndërtimi në 10 vjet janë dhënë nga Rama kryetar
Bashkie, sipas opozitës. Por edhe pa fjalën e saj, ‘Komuna e Parisit’ për
shembull, është pasqyrë e këtij dorëlëshimi në kaos…
Nuk duhet të jenë 1900. Me sa di unë janë afro 360, flas për
objektet kryesore. Megjithatë ka një pjesë të vërtetë në ato që shkruhen. Por
Ju nuk merrni parasysh dy gjëra: të tëra rregullat e shkruara e të pashkruara
për administrimin e territorit dhe për Tiranen në veçanti ishin formuluar gjate
viteve 1993 – 2000. Ish shumë vështirë të ndaloje mendimin që u ngulit se kam
një tokë, dua leje ndërtimi. E quanin zhvillim të pronës. Sepse kjo ish mënyra
e re e dembellëkut anadollak. Jetoj me tokën. Është sanksionuar edhe në
Kushtetutë. Dhe Rama bëri lëshime, që nuk duhej t’i kish bërë. Tirana dhe
Shqipëria është shumë e vështirë për t’u qeverisur. Se e para ish mafia dhe jo
parlamenti që caktoi ligjet e veta. Kur them mafia nënkuptoj të gjithë ne. Një
popull që nuk do punën, do me patjetër shkeljen e çdo ligji. Po Rama ka kohë që
edhe ato që ka bërë gabim t’i korrigjojë. Këtë presim të gjithë.
Çfarë ju trishton më shumë në Shqipëri sa i takon profilit
të saj arkitektonik? Çfarë është një gjë që nuk mund të zhbëhet më?
Janë dy. Kaosi urban dhe mungesa e çdo sensi estetik. Kjo e
dyta është më e rëndësishme: SENSI ESTETIK. Po nuk pate një intuitë estetike je
i marrë fund. Kjo vjen me një edukim mijëvjeçar. Ne, fatkeqësisht nuk e patëm.
Osmanët nuk e kishin. Të gjithë popujt orientalë nuk e kanë. Ky është dëmi më i
madh që pësuam në 500 vjet nga pushtimi osman. Asgjësimi i nervit estetik. Pa
të nuk bën dot asgjë: as qeveri, as shtet, as qytet, as katund, as rrugë, as
pyje, as lumenj, as ujqër, as arinj. Në Europë edhe arinjtë kanë sens estetik.
Sensi estetik është ekuilibër, është vetërregullim, është frenim, është vajtje
intuitive drejt se bukures, është respekt, është adhurim. Neve kjo na mungon.
Jemi kaotikë, egërshanë, pushtues pa mëshirë, vetëshkatërrues. Nuk mund të
bëjmë dot asnjë fshat, asnjë qytet, palë pastaj një shtet për të qenë.
A e keni parë projektin e ri të qendrës së Korçës dhe a jeni
dakord me të, apo rreshtoheni me disa arkitektë nga Diaspora me origjinë nga
Korça, të cilët botuan një letër të hapur te MAPO kundër këtij plani?
Nënshkruesit e protestës kishin parasysh vetëm një objekt që
po ngrihet në sheshin para Teatrit dhe jo gjithë projektin. Unë kam botuar disa
artikuj për këtë temë. Ndërtimi i atij objekti është i paligjshëm sepse Juria
Ndërkombëtare, pranoi projektin, por duke specifikuar që ky objekt të mos
ndërtohet. Bashkia ka bërë shkelje. 20 metra larg tij është Hotel Grand–i, në
katin e 8 të të cilit gati në të njëjtën lartësi mund të bëhet një kafe
panoramike. Ashensorët janë dhe jam ngjitur disa herë. Është e njëjta pikë
panoramike me atë që po ndërtohet. Përse duhej ky dublim? Në kohën kur bërtasin
se nuk kemi fonde dhe duhen kursime, ato qindra miliona mund të ishin shpenzuar
për të mbaruar Muzeun e Artit Mesjetar.
Çfarë duhet bërë me trashëgiminë e socrealizmit në pikturë e
skulpturë?
Duhet ruajtur me shumë kujdes. Ka shumë vepra nga një
prodhimtari e bollshme. Ajo kohë nuk përsëritet më. Duhen mirëmbajtur sidomos
ato që janë jashtë në natyrë: mozaikët dhe skulpturat. Po ashtu edhe piktura
dhe grafika që janë nëpër muzeume dhe koleksione private. Këto ditë çova në
shtyp një Album GRAFIKA E REALIZMIT SOCIALIST në SHQIPËRI. Besoj se del deri në
fund të muajit. Është një botim enciklopedik, me 149 autorë dhe 970 vepra,
vizatime, gravura dhe pllakatet. Është një punë 22-vjeçare, gravurën e parë e
futa në dosje në vitin 1992. Aty shihet puna kolosale që kanë bërë artistët,
aftësitë profesionale, pavarësisht shtrëngimeve dhe disiplinës partiake. E
përmenda këtë për t’Ju thënë se personalisht jam munduar që kjo trashëgimi të
ruhet dhe mirëmbahet. Vetëm atëherë mund të studiohet dhe interpretohet.
A ekziston shoqëria civilë në Shqipëri? Në kuptimin e një
trupi që i dhemb çfarë ndodh me vendin, jo një lukuni OJQ-sh që shqyhen mes
vedi për fonde, që me sa duket përfundojnë në një humnerë të paditur?
Jo, nuk ekziston. Ekzistojnë disa gazetarë që herë mbas here
ngrenë probleme që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, por kjo jep pak rezultat
sepse pushteti nuk i përfill. OJQ–ve u dhemb vetëm vetja e tyre, atë “dhembkën”
për vendin e kanë maskim. Ne si popull kemi të zhvilluar në maksimum lojën
teatrale, maskimin, hipokrizinë. Kështu janë të gjithë. Pse OJQ-të do ishin
ndryshe? Gjoja si të preokupuar ranë në copat e majme të programeve europiane.
Punojnë kur formulojnë ato programet e kërkimit të fondeve dhe sa vijnë paret
në bankë, mendojnë për herën tjetër. të lodhur zhduken në ca ishuj të vetmuar.
Problemet që nuk zgjidhen kur ata i dinë mirë: jevgjit, fëmijët e rrugëve,
homoseksualët, dhe kondicionet e burgjeve.
Meqë europianët përloten shpejt, ata i kanë të gatshme
skenat mëshirëplota. Por po të besh një listë të ojeqevistëve e të shohësh
apartamentet, vilat, bizhutë dhe pasuritë bankare, kupton se ata dhe ato janë
gati të hanë edhe një tavë me mish njeriu pa iu bërë syri terr, por ama OJQ-të
nuk i lëshojnë.
Një prej librave tuaj me, le të themi ‘shqetësime
arkitektonike’, titullohet “Betonizimi i demokracisë”. Si do ta krahasonit këtë
me betonizimin e lirisë në komunizëm, domethënë me mijëra bunkerë e
vendstrehime të përhapura në gjithë trupin e vendit nga diktatura e Hoxhës?
Duket sikur njëra dhe tjetra nuk kanë lidhje, domethënë “
betonizimi i lirisë në komunizëm” dhe “betonizimi territorit në demokraci” nuk
kanë lidhje. Është e kundërta. Janë të lidhura si sëmundjet në trupin e një
njeriu. Betonizimi i lirisë është skleroza që solli betonizimin e demokracisë.
Se nuk mund të kesh demokraci kur liria që sjell ajo shkatërron gjënë më të
rëndësishme për një shtet, TERRITORIN. Bunkerët e Hoxhës janë asgjë në krahasim
me dëmin e vilave të fshatarëve që nuk duan të quhen fshatarë); dhe pallatet e
qytetarëve që duan të rrinë gjithë ditën në kafe. Mbaj mend njëherë Berishën që
po fliste i entuziastmuar se kish parë gjithë ato ndërtime fshatarësh gjatë një
rrugëtimi. Nuk kuptonte Berisha se aty ish vdekja e shtetit, se ndërtimi mund
të transformohet në shkatërrim. Sepse ata fshatarë duhet të jetojnë nëpër
fshatra të grumbulluara (dhe jo veç e veç) dhe të ndërtojnë banesa me tipologji
fshatare një ose dykatëshe sikurse bëjnë fshataret e Francës, Spanjës,
Holandës, Anglisë…kështu foli edhe në Sarandë, kur Saranda është shembulli më i
tmerrshëm i dhunimit të një dhurate të natyrës.
A mund të kishte një jetë të dytë për bunkerët, dmth a mund
të rifunksionalizoheshin si diçka tjetër, apo ‘privatizimi’ i tyre qe i drejtë?
Po, mund të kish. Si dekor, si memorie. Francezët i ruajnë
gjithë bunkerët e Luftës së Parë Botërore në Normandi. Konservimi i memories
është një nga prioritetet e popujve të qytetëruar europianë. Duhet të ish bërë
një rikonjicion dhe përveç atyre që pengonin qarkullimin, bunkerët e tjerë
duhet të ishin ruajtur. Më vinte keq kur shihja që i shkërmoqnin për skrap, për
t’iu marrë hekurin. Vendstrehimet janë ruajtur më mirë. Më kryesoret janë ky i
Bllokut, i Gjirokastrës, i Gramshit. Ato po mund të rivitalizohen.
A mund të jeni dakord me atë se ç’u ndërtua në periudhën e
Zogut, koha e dëshmoi si më të sigurtën, më estetiken dhe më oksidentalen? Si
përplaset kjo me narrativën që komunizmi desh të nguliste rreth Zogut (nuk di
pse mendoj se edhe ju do ta keni përvetësuar një të tillë edhe pse jeni
antikomunist) si oriental, satrap, prapanik e të tjera si këto?
Po, por kjo vinte se ishin ndërtimet e para pas një
letargjie anadollake. U ndërtuan kryesisht me projekte austriake dhe italiane,
ose nga arkitektë shqiptarë që kishin studiuar aty. Kish hapësirë, pastaj mos
harroni se Shqipëria nuk ish as 1.000.000 banorë. Me e çuditshmja ish se Zogu
donte të bënte mbretëri mbi një katrahurë orientalotribale
mesjetarooksidentale-feudale. Mbretëritë kërkojnë popuj homogjenë. Ne nuk ishim
dhe nuk jemi të tillë. Prandaj dhe mbretëria nuk pati jetë të gjatë. Po Mbretit
Zog nuk ia mohoj ato që i ka bërë mirë.
Çfarë na ka mbetur me vlerë arkitektonike nga koha e Hoxhës?
Na ka mbetur Kinostudioja, që tani e restauruar bukur, shkëlqen
sikur është Pallati i Dimrit. Pastaj kemi Hyrjen e Kombinatit, edhe pallatet e
Lanës që duhen restauruar, Fakulteti Filologjik që po pastrohet, Muzeun
Historik dhe Pallatin e Kongreseve, si dhe “Mihal Durin”, po duhet ruajtur edhe
stacioni i Radios me antenën në Kashar. Pastaj kemi sheshin “komunist” në
Librazhd që u dëmtua nga hoteli i lartë që u ndërtua aty, kemi Ersekën e
padëmtuar, qendrën e Përmetit, klubin e Maliqit dhe të Orikumit, Hotel Turizmi
në Gjirokastër. Përmenda vetëm disa.
A mund të veçoni një numër ngrehinash në Tiranën e
tranzicionit, që janë estetikisht të bukura dhe kanë njëfarë etike në raport me
qytetin dhe njerëzit?
Po përmend Qendrën ABA, Rogner-in, Sheraton-in; Kulla e re e
Belgëve, (që Rama thotë është një nga 10 grataçelat më të bukura në botë), Ura
mbi Lanë e Belgëve, Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin EPOKA, Aeroporti
NËNË TEREZA, TEG-u etj.
Nëse do t’i rifunksionalizonit uzinat, fabrikat, kombinatet
e kohës së socializmit shqiptar, çfarë do të bënit me to: jo vetëm në kuptimin
e biznesit, por sidomos të hapësirës publike apo urbane? Çfarë do të bënit me
qytezat e lindura pas ardhjes në pushtet të komunistëve, domethënë me
avanpostet ‘industriale’ të socializmit?
Fabrikat, uzinat, kombinatet kanë disa karakteristika dhe
veçori që të japin mundësi t’i përdoresh për shumë funksione. Sepse ato kanë
hapësira të mëdha, kanë lartësi dhe kanë dritë.
Kjo pyetje ka qenë shtruar për urbanistët dhe arkitektët
edhe në vende të tjera europiane, si në Francë, Angli, Gjermani. Ata ndoqën
politikën e konservimit të disave për të ruajtur tipologjinë dhe adaptimit të
shumicës me funksione industriale ose publike. Po marr një shembull: Uzina e
Instrumenteve të Precizionit në Korçë ishte një vepër e përkryer si nga ana e
arkitekturës, po ashtu edhe e konstruksionit. Kish hapësira pafund, lartësi të
shteteve, e realizuar me materialet më të mira dhe me kualitet të lartë. Atje
mund të ish bërë pazari, po ashtu mund të ish futur stacioni i autobusëve dhe
taksive. Mund të ishin adoptuar edhe salla ekspozitash. U prish e tëra për
qëllime abuzive. Shembull i mirë në Tiranë është Profarma. Duhen shpëtuar ato
që kanë mbetur, pastaj duhen studiuar dhe adoptuar.
A jeni fatalist, a mendoni se kemi humbur gjithçka sa i
takon pikëpamjes urbane apo arkitektonike?
Po, jam fatalist. I vetëm realitet i vërtetë në Shqipëri
është fataliteti. Këtë ma ka mësuar jeta e dhimbshme që kam kaluar. Kjo gjë që
ka ndodhur me ne nuk ka ndodhur në asnjë vend, në asnjë kohë, me asnjë popull.
Të shkatërrosh territorin në këtë shkallë me anën e ndërtimit. Janë shumë që
duhen prishur nga Shkodra në Konispol. Janë mbi 400.000. Janë tërë qytetet
kryesore: Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, Kruja, Librazhdi, Prrenjasi,
Shëngjini. Janë qindra mijëra gjatë arterieve kryesore rrugore. A mund të jem
optimist?
Çfarë duhet bërë me Piramidën?
Piramidën e prishi një regjisor teatri, atëherë ish
këshilltari i një ministri kulture. Nuk ka më të rrezikshëm se artistët kur
ngatërrojnë disiplinat. Atij i dukej se teatri ish gjëja më e rëndësishme në
Shqipëri. Janë harxhuar fonde për ta prishur kur ajo ish mirë e bukur. Kish
nevoje vetëm për një riparim sepse futej ujë dhe pikonte në salla poshtë. Por
nga funksioni ish perfekt, ish polifunksionale. Tani duhet caktuar një grup
pune për ta sjellë në gjendjen e parë. Kjo mund të bëhet. Ne për fantazira shkatërruese
jemi shumë të aftë.
Çfarë duhet bërë me magazinat apo ndërtesat karabina në
përdorim fragmentar që shtrihen në dy krahët e rrugës që të çon në Kinostudio
dhe Porcelan?
Sigurisht, kështu apriori nuk mund të sugjeroj gjë. Duhen
studiuar me kujdes, por ajo zonë ka një traditë artizanati dhe stacionesh
televizive, mund të përmblidhen edhe redaksi gazetash, shtëpi botuese,
shtypshkronja.
Çfarë mund të bëhet me Krujën që qyteti të rivitalizohet, të
rishpiket sepse duket se po vdes edhe si qendër urbane edhe si pikë turistike?
Nuk është e vështirë të japësh mendime për Krujën apo për
qytete apo fshatra të tjera turistike, janë me dhjetëra. Do përmendja edhe
Ersekën, Leskovikun, Tepelenën, Delvinën, Vithkuqin etj., etj. Vështirësia
qëndron në zbatimin e tyre. Janë disa faktorë që japin dënimin ME HARRESË. Ky
është ndryshimi i modës së të jetuarit. Që të mbash një qytet si Kruja në
këmbë, do popull me ndjenja dhe etika të një shteti të pasur. Nuk i kemi as
njërën dhe as tjetrën. Nuk jemi aq patriotë sa hiqemi.
A mund të jepni një ide për funksionalizimin e pikave që
janë gjithandej në vendin tonë, dhe ku janë zhvilluar episode të mëdha e
tragjike gjatë Antikitetit? Për shembull, janë disa beteja mes Çezarit e
Pompeut që nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Llogara. A mund të riinskenohet
diçka në favor të historisë, trashëgimisë dhe turizmit?
Po është e njëjta pyetje si për Krujën. Të gjithë kur nisen
për udhë, mendojnë ku do të pushojnë dhe ku do të hanë. Asnjëri nuk interesohet
se çfarë ka ndodhur në këtë hapësirë gjatë historisë. Pastaj ka edhe të tjerë
që duan të ndërrojnë historinë. Ne bëjmë një luftë të padukshme, të fshehtë, se
nuk jemi popull homogjen. Të njëjtin fakt dy komunitete e interpretojnë
ndryshe. Kjo i vështirëson të gjitha, edhe udhëtimin. Pastaj duhet të shpëtosh
edhe kokën, se ata 3 studentët çekë që donin këtë gjë, të njihnin malet, i
vranë në Veri.
Na thoni një këshillë urbanistike që i keni dhënë
kryeministrit Rama dhe ai ju ka premtuar se do ta realizojë?
Unë këshillat i kam dhënë me shkrime. Janë mbi 80 artikuj në
20 vjet. Rama i lexonte të gjitha dhe më ka kontaktuar shpesh. Urdhrat e Ramës
për ndërtimet pa leje kanë edhe një kontributin tim të vogël aty. Rama është
një njëri që di të vlerësojë dhe respektojë çdo njeri që punon, sidomos ata që
janë idealistë dhe profesionin e duan vërtet./MAPO
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!