"

September 7, 2014

Mero Baze,




Si dasmor i mallkuar nga Doktori


Mbrëmë deri pas mesnate kam qenë me miq në dasmën e Ajolës dhe Erionit. Nuk kam shkruar për ndonjë dasëm në jetë, por sot kur u zgjova pash një vërshim histerie për të përbaltur një ceremoni martese, e cila më krijoi iden se kisha marr pjesë në një krim.




Po ua vizatoj pak dasmën për tu shuar kurjozitetin. Dasma u bë në një nga sheshet kryesore të Kalasë së Gjirokastrës, aty ku bëheshin festivalet folklorike. Nga pikpamja logjistike dasma ishte një guxim i madh, pasi deri në hyrje të Gjirokastrës na shoqëroi një furtunë e paparë shiu dhe askush nuk besonte që do të hapej koha pas pak orësh, për një dasëm në një mjedis të pambuluar.


Organizatorët në të vërtet e rrezikuan dasmën deri në një kufi cmendurie duke vënë bast me Zotin. Për fat e fituan bastin dhe dasmën.
U siguroj se nuk qe aq këndshëm të rrije jashtë, pasi ishte ftohtë dhe zonjat që kishin ardhur të veshura hollë i lanë burrat pa xhaketa. Unë dola i fitur se isha vetëm dhe ndenja me xhaketë.

Menuja ishte aq modeste sa unë nuk mbaj mend tamam cfarë na ofruan për të ngrënë. Ishte një menu kateringu e sjell nga Tirana. Vera ishte një prodhim vendës nga “Vreshti Sala”. Në fillim hezituam ta pinim si “tangërllëksa” por këmngulja e Bashkim Salës që e kishte bërë vet në një vresht në Vorë, na detyroi  ta kthenim gotën e parë për etik. Pastaj e thame gjithe shishen. Këtë foto po e postoj që ti heq merakun Doktorit që edhe vera ngjante me nofkën e tij “Sala”.

Nuk kishte asgjë luksoze pasi ske cfarë luksi të sajosh në një shesh kalaje ku një orë para dasmës ishte plot me ujë. Gotat e para të koktejit u detyruam ti pijmë në bodrumet e kalasë, ku dhe tualetet nuk kishin ujë. Torturë më të madhe se kaq për organizatorët e një dasme nuk mund të ketë.

Ceremonia e kurorëzimit më pëlqeu shumë. Nuk kisha qenë kurrë në një dasëm ku unazat i vendoste një pastor. Kisha parë ose prift ose hoxhë, që në të vërtet këtu tek ne duket sikur të bëjnë gjyq kur të martojnë.

Pastori i Ajolës dhe Erionit ishte një burrë i këndshëm dhe i lexuar. Ai citoi dy herë Kutelin gjatë predikimit të tij dhe e bëri shumë njerëzore betimin e të dyve.
Pjesa e festmit gjatë dasmës ishte në të vërtet ajo që mund ta ketë mërzitur Doktorin. Kishte vërtet shumë hare dhe dhjetra të rinj nuk u ulen kurrë në tavolinë. Ata vetëm vallëzonin.

Unë dhe Filipi u mërzitëm pak se një këngëtar kosovar i ftuar e zgjati shumë me muzikën Rep a Hip Hop. Filipit i hanin këmbët për një valle progonishte që ai e kërcen si grek dhe unë që ja ngatërroja ritmin nga pas si “antigrek”.
Të ftuarit ishin në të vërtet të përzgjedhur dhe kjo mund ta ketë mërzitur Doktorin.

Nuk e di shifrën por nga tavolinat besoj se ishin rreth 350 vetë. Ishin vërtet të veshur mirë dhe njerëz të njohur në shoqërinë tonë. Shumica ishin të rinj, miq të Ajolës dhe Erionit, politikanë gazetarë dhe biznesmenë. Shumica e tyre përvec pjesës politike besoj kanë qenë dhe në darkat e ceremonitë e Berishës. Disa biznesmenë natyrisht dhe në ankandet e Lirisë.

Dhe për ti mbylur këto reshta dua të them se ceremoni të tilla janë torturuese për organizatorët, por fitmiprurëse për qytetin dhe vendin ku bëhet. është një promovim i vlerave të turizmit, shumë me elitar nga ideja e Berishës që të bëj cdo kala kafene dhe qebatore.

Nuk di ckanë hequr ata që vendosën të bëjnë një dasëm në shesh të hapur, por di të them që e vetmja gjë luksoze ishte ideja për tu martuar në një kala të cilën Erioni ka dy vjet që e promovon si destinacion turistik duke cuar cdo korrik mijëra të rinj nga gjithë Shqipëria.

Unë u gëzova që Ajola dhe Erioni zgjodhën Gjirokastrën të martohen. Ja vlente të ishe i ftuar edhe pse ishe i rrezikuar nga ndonjë plevit nëse zinte shiu. Por Zoti ishte me ta. Aq shumë sa ka xhindosur dhe plakun që përgjon cifte nga kulla në Tiranë.



                                               *   *   *










No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!