"

September 7, 2014

Portugal vs Albania 0:1 (Foto & Video)






E pabesueshme, por e vërtetë. Shqipëria triumfon në Aveiro kundër Portugalisë së mbushur me yje, por që i mungoi “Topi i Artë”, Kristiano Ronaldo. Bekim Bala nuk i ka lënë gjë mangut yllit të Realit të Madridit me atë gol të mrekullueshëm që realizoi në minutën e 53-të, që lumturoi shqiptarët kudo ku janë, anembanë botës. 




Një skuadër që vuri zemrën në fushën e lojës, duke superuar sulme të pafundme të skuadrës së Bentos, e cila nuk arriti të mposhtë Etrit Berishën, një “qershi mbi tortë” në këtë sfidë hapëse të fushatës kualifikuese për “Euro 2016”.


Kuqezinjtë e De Biazit marrin tri pikët e para në Grupin I, duke qenë në të njëjtën “gjatësi vale” me Danimarkën, e cila përmbysi në fushën e vet Armeninë.



Kujtojmë se De Biazi kishte mungesa të rëndësishme nga pjesa e titullarëve të edicionit të shkuar kualifikues, si Meha, Migjen Basha, Edgar Çani dhe Armando Sadiku, por ka operuar me elementë të tjerë, të gatshëm për të kontribuar me fanellën e kombëtares. Veç të tjerëve, edhe të rikthyer pas disa kohësh (Kukeli), ndaj Portugalisë figuronte dhe një lojtar debutues: Taulant Xhaka. 

Koeficienti i vështirësisë ishte i madh për tanët, mjafton të kemi parasysh vetëm një fakt: Në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, Portugalia është në vendin e 11-të me 1152 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e 70-të, me 437 pikë. Në favorin tonë ishte vetëm mungesa e “Topit të Artë” në fuqi, Kristiano Ronaldo, i cili ka probleme lëndimi dhe nuk i është bashkuar luzitanëve për këtë eliminatore startuese në Grupin I.



Kualifikuese “EURO 2016″, Grupi I

Stadiumi “Municipal de Aveiro”, Portugali

PORTUGALI-SHQIPERI  0-1

Golat: Bala 53′

PORTUGALIA: Rui Patrício, João Pereira, Pepe, Ricardo Costa (Veloso 74′), Fábio Coentrão, André Gomes, William Carvalho (Ricardo Horta 56′), João Moutinho, Nani, Éder, Vieirinha (Ivan Cavaleiro 46′). Trajner: Paulo Bento

SHQIPERIA: E.Berisha, Agolli, Mavraj, Cana, Hysaj, Kukeli (Kace 66′), Roshi, Abrashi, T.Xhaka, Lenjani (A.Lila 75′), Balaj (Cikalleshi 81′). Trajner: De Biazi

Gjyqtarë: Ruddy Buquet, Frédéric Cano, Guillaume Debart (Francë)

Kartonë të verdhë: Nani 69′ / Roshi 3′, Abrashi 22′, Xhaka 34′, Mavraj 68′, Kace 69′


KOMENTI I NDESHJES

Pjesa e parë  Ndeshja nis me ngulmim të natyrshëm të Portugalisë, por mesfusha kuqezi është mjaft e ngjeshur. Tanët luajnë afër njëri-tjetrit dhe duan ta mbajnë sa më larg kundërshtarin. Një ndërhyrje e Roshit ndaj Koentraos detyron gjyqtarin kryesor francez të nxjerrë shumë shpejt kartonin e verdhë, që në minutën e tretë. 

Më pas vjen goditja e dënimit, ekzekutuar nga Nani, që gjen të papërgatitur mbrojtjen tonë. Ndërhyrja e portierit Berisha është shpëtimtare. Duket qartë presioni mbi kuqezinjtë, sepse gabojnë në pasimin e parë, duke ua dhuruar luzitanëve shumë shpejt. 

Kukeli është rikthyer pas një viti e gjysmë në kombëtare, nërsa Taulant Xhaka e ka për herë të parë me Shqipërinë, ndaj emocionet te këta dy lojtarë janë evidente.

Udhëzimet e De Biazit janë për mbulim një për një në mesfushë. Portugezët nuk janë shumë fleksibël në sulm, ndaj lehtësohet disi puna e tanëve për t’i markuar në qendër. Daljet nga krahët e vendësve sa vijnë e bëhen me shqetësuese për prapavijën e Shqipërisë, që mbetet e tërhequr thellë, shumë pranë portierit Berisha.

Në minutën e 13-të i dhurojmë një asist Luis Nanit, që ka krejt hapësirën e duhur të shënojë, por godet keq para portierit tonë kuqezi. Gabim i Kukelit, që ka vështirësi ta nxjerrë topin përpara.  Ai ka marrë rolin e Migjen Bashës, i dëmtuar, që mungon.

Goditja e parë nga këndi për tanët vjen në minutën e 20-të. Kjo është edhe dalja e parë e plotë në fazën ofensive të tanëve, që janë të detyruar të përveshin mëngët përballë furisë së sulmeve të njëpasnjëshme të luzitanëve. Fatmirësisht, portugezët gabojnë në finalizim. 

Edhe Abrashi merr karton të verdhë në minutën e 22-të, i dyti për tanët, cka dëshmon për duelet e forta në mesfushë. Ajo që bie në sy ka të bëjë me vendosje jot ë mirë të kuqezinjve në goditjet standard të kundërshtarit, i cili tenton me të gjitha mënyrat për ta zhbllokuar rezultatin. Megjithatë, Berisha është në gadishmëri. 

Bekim Bala, sulmuesi i vetëm i Shqipërisë, mbetet i izoluar në prapavijën portugeze, ku ka mbulimin nga afër të Pepes.

Në minutën e 30-të, Roshi fut një pasim diagonal rrafsh me tokën, por portieri luzitan ndërhyn shpejt, para se Bala të krijojë ndonjë rrezik. Shqipëria mendon më së shumti si të mos pësojë, ndaj shihet pak në zonën kundërshtare. Megjithatë, me kalimin e minutave arrin t’i kundërvihet më mirë skuadrës vendëse, që nuk rresht së sulmuari në të gjitha drejtimet.

Edhe Taulant Xhaka merr karton të verdhë në minutën e 34-t, kohë kur Kukeli ndodhej jashtë dhe po mjekohej, pasi pësoi një dëmtim në dyluftim me kundërshtarin dhe krijoi makth te De Biazi e kuqezinjtë e tjerë, sepse ka kaluar dy operacione të njëpasnjëshme. Sidoqoftë, mesfushorët tanë duhet të kenë shumë kujdes tashmë, sepse e kanë nga një të verdhë dhe rrezikojnë ta lënë kombëtaren tonë në inferioritet numerik.

Pjesa e parë mbyllet me disa raste të rrezikshme në portën e Berishës. E vetmja mundësi e tanëve për të dalë nga gjysmëfusha e vet është topi i gjatë, por pa asnjë adresim të saktë. Bala nuk ka cfarë të bëjë, sepse është krejt i vetëm në fazën ofensive. Gjithsesi, ajo më e rëndësishmja është se 45 minutat e para i mbyllim pa pësuar, madje me Roshin mund të kishim rrezikuar në limit. I vetmi rast për tanët në pjesën e parë.
Pjesa e dytë  Fraksioni i dytë nis pa zëvendësim te tanët, ndërsa Paulo Bento bën një ndryshim në sulm. Eshtë e pritshme ofensiva e luzitanëve, që kanë në mbështetje të tyre edhe shumë tifozë, ndërsa ata kuqezinj janë të paktë në numër, diku te 100 vetë. Vetëm tri minuta kalojnë dhe Roshi sjell drithërima në portën portugeze, me krosimin tokazi nga e djathta. Bala zhytet për ta devijuar topin në rrjetën kundërshtare, por nuk është në kohë.

Minuta e 53-të është drithëruese për shqiptarët. Odise Roshi merr bukur krahun e djathtë dhe kroson në zonën luzitane, ku Bekim Bala godet fluturimthi, gati me kurriz nga porta vendëse, duke shënuar. Shokohet Portugalia, që ka shpërdoruar pa fund, ndërsa ndëshkohet në të paktat mundësi të krijuara nga kuqezinjtë.

Reagimi luzitan është imponues, e sposton lojën në gjsyëmfushën tonë, por aty ndesh një barrikadë të pakalueshme me Canën, Mavrajn e të tjerë. Luis Nani merr përsipër të bëjë liderin, godet nga distanca, por topi s’u bindet plotësisht këmbëve të tij. Tensioni rritet në maksimum te vendësit, cka i jep disi frymëmarrje e qetësi skuadrës sonë, e cila mbahet stoikisht në fushën e blertë, edhe pse thellësisht në qasje defensive.

Reagimi luzitan është imponues, e sposton lojën në gjsyëmfushën tonë, por aty ndesh një barrikadë të pakalueshme me Canën, Mavrajn e të tjerë. Luis Nani merr përsipër të bëjë liderin, godet nga distanca, por topi s’u bindet plotësisht këmbëve të tij. Tensioni rritet në maksimum te vendësit, cka i jep disi frymëmarrje e qetësi skuadrës sonë, e cila mbahet stoikisht në fushën e blertë, edhe pse thellësisht në qasje defensive. Në minutën e 75-të hidhet në lojë edhe Andi Lila. Ka vështirësi Lenjani, ndaj trajneri De Biazi vendos t’i besojë pjekurisë së kavajasit të PAS janinës. Janë minuta ankthi për kuqezinjtë, sepse loja zhvillohet tërësisht në zonën e Berishës. Rastet janë të shumta për luzitanët, por qetësia dhe kthejlltësia në finalizim shkon në favorin e Shqipërisë. Jemi me fat në ato mundësi të Luis Nanit, që humb raste tepër të favorshme.

Dhjetë minuta e fundit aktivizohet edhe Cikalleshi. Kavajasi zëvendëson “kokë për kokë” heroin e kësaj ndeshjeje, Bekim Bala, që shënoi atë supergol dhe u dha kuqezinjve tanë një fitore të artë e historike në Aveiro. Pas barazimit 0-0 në Braga, Shqipëria i bën goditjen e radhës skuadrës së Kristiano Ronaldos, që mungoi kësaj here, duke e mundur në shtëpi dhe bërë një start të mrekullueshëm fushatës eliminatore “Euro 2016”. Tri pikët e para, që japin moral të lartë për vazhdimësinë e garës.



Video - Goli dhe Highlights

*  *  *  *  *


Vlerësimet e lojtarëve: 

Portugali 0-1 Shqipëri


Portugalia
Patricio 8, Pepe 7.5, Coentrao 8, Pereira 7.5, Costa 7.5, Nani 6.5, Gomes 7, Vieirinha 6.5, William 6.5, Moutinho 7.5, Eder 6.5 (Dështim i ndeshjes)
Zëvendësuesit: Cavaleiro 6.5, Horta 8

Shqipëria
Berisha 8, Mavraj 8.5, Cana 8, Xhaka 8, Hysaj 7.5, Roshi 8.5 (Lojtar i ndeshjes), Abrashi 7.5, Kukeli 8, Agolli 8, Lenjani 8, Balaj 8

Zëvendësuesit: Lila 7.5, Kaçe 7.5




Ballafaqimet me Portugalinë

Ndeshje zyrtare të luajtura në total me Portugalinë janë  katër, të cilat janë zhvilluar për Kampionatet Botërore 1998 (Francë) dhe 2010 (Afrika e Jugut) dhe një miqësore.

Shqipëri-Portugali 0-3: Luajtur më 09.10.1996 në Tiranë, shënues Figo, Helder dhe Rui Kosta.

Portugali-Shqipëri 2-0: Luajtur më 07.06.1997 në Porto, shënues Joao Pinto dhe Luis Figo.

Portugali-Shqipëri 0-0: Luajtur më 15.10.2008 në Braga.

Shqipëri-Portugali 1-2: Luajtur më 06.06.2009 në Tiranë, me shënues Bogdani / Hugo Almeida dhe Bruno Alvesh.

Portugali-Shqipëri 5-3: Ndeshje miqësore, e luajtur më 11.10.2003 në Lisbonë, me shënues Figo, Simao, Rui Kosta, Pauleta,  Miguel / Aliaj (2), Tare.

Portugali-Shqiperi 0-1: Luajtur më 07.09.2014 në Aveiro, me shënues Bala. Kualifikuese e “Euro 2016″.


Shqipëria, “e moshuara” e grupit

Edhe pse trajneri italian i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka bërë një revolucion të vërtetë në skuadrën tonë kombëtare në këto dy vite të fundit, duke afruar shumë lojtarë të rinj, përsëri skuadra jonë mbetet nga më të mëdhatë për sa i përket moshës mesatare. Kështu, në rast se do të marrim në konsideratë vetëm grupin tonë, atëherë kuqezinjtë mund të konsiderohen “plakushët”, teksa në kahun tjetër, serbët janë “vogëlushët”. 

Mosha mesatare e lojtarëve të Kombëtares shqiptare shkon te 26.6 vjeç, ku më i riu rezulton Elseid Hysaj me 20 vjeç. Ndërsa më “i vjetri”, është portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, 36 vjeç. 

Për momentin Shqipëria ka në organikë vetëm një lojtar nën moshën 21 vjeç. Sakaq, duhet thënë se në konsideratë janë marrë edhe lojtarët që nuk janë aktualisht të grumbulluar, për arsye nga më të ndryshmet si Migjen Basha, Armando Sadiku, Alban Meha etj. 

Pas kuqezinjve vijnë armenët, me një moshë mesatare 26.2 vjeç, ku më i riu është Miranjan (18 vjeç) dhe më i vjetri, Berezovski (40 vjeç). Por kjo skuadër ka tre lojtarë nën moshën 21-vjeçare. 

Thuajse në këtë linjë qëndron edhe Danimarka, mosha mesatare e së cilës është 26.1 vjeç. Te danezët, Hojbjerg (19 vjeç) është më i riu dhe Andersen (32 vjeç), më i vjetri. Edhe këta të fundit kanë 3 lojtarë nën moshën 21- vjeçare, duke i mëshuar gjithnjë e më shumë rinovimit të skuadrave të tyre. Më pas vjen Portugalia, me një moshë mesatare 25.6 vjeç, ku mesfushori me tipare sulmuese i Gallatasarajit, Bruma, është 19 vjeç dhe Rikardo Kosta është 33 vjeç. Kjo skuadër ka 6 lojtarë nën 21 vjeç, çka tregon për rëndësinë që u japin të rinjve në Portugali. Dhe në fund Serbia, e cila ka skuadrën më të re me një moshë mesatare 25.3 vjeç. Lojtari më i ri është Mitroviç (19 vjeç), ndërsa më i vjetri Stojkoviç (31 vjeç). Te serbët kemi 3 lojtarë nën 21 vjeç.

EURO 2016, 
ja pse kaq shumë për “herë të parë”

Ka shumë arsye për ta parë këtë edicion kualifikimesh me një sy tjetër. Pa dashur që në të tilla raste të nxjerrim në pah eufori me tepri, por vetëm fakte që lidhen domosdoshmërisht me rrugëtimin e kuqezinjve drejt “Francë 2016″, duhet thënë se këtë herë kemi shumë gjëra… për herë të parë.

1. Për herë të parë kemi në krye një trajner, i cili ka rinovuar kontratën duke vijuar punën me edicionin e dytë të kualifikimeve me Kombëtaren shqiptare.

2. Për herë të parë jemi në një grup me pesë skuadra, ku më shumë se gjysma e tyre kanë shansin që të kualifikohen për në Europian. Kalojnë direkt vendi i 1-të dhe i 2-të, ndërsa i 3-ti luan “play-off”.

3. Për herë të parë ekipi ynë përfaqësues do t’i luajë të gjitha ndeshjet kualifikuese në një stadium të ri, por jashtë kryeqytetit, në “Elbasan Arena”.

4. Për herë të parë objektivi “kualifikim” është vendosur që në daljen e parë për mediat nga presidenti i FSHF-së, kur ky i fundit nënshkroi rinovimin e kontratës së De Biazit.

5. Për herë të parë do të luajmë ndaj Serbisë pas shpërbërjes së kësaj të fundit si Jugosllavi, në një edicion kualifikimesh.

6. Për herë të parë, përfaqësuesja shqiptare është mbarë kombëtare, pasi gjen aty lojtarë që nga Presheva dhe deri në Çamëri.

7. Për herë të parë formacioni titullar i Kombëtares shqiptare dominohet nga futbollistë që vijnë nga Kosova ose me prejardhje nga kjo e fundit.

8. Për herë të parë në Portugali do të kemi një skuadër së cilës edhe pse i mungojnë lojtarë mesfushe tejet cilësorë si: Migjen Basha, Meha, Valdet Rama, përsëri nuk “i qan” ata, pasi ka alternativa.

9. Për herë të parë Shqipëria e drejtuar nga De Biazi ka “luksin” që të lërë në stol lojtarë si Hamdi salihi, Edmond Kapllani, apo edhe Andi Lila dhe një gjë e tillë të të mos bëjë shumë përshtypje.

10. Për herë të parë të pestat skuadrat e këtij grupi, vijnë nga dështime: Portugalia stonoi totalisht në Botëror, ndërsa Danimarka, Serbia, Armenia dhe Shqipëria as që iu afruan “Brazil 2014″-s.

Danimarka përmbys Armeninë, 
merr 3 pikët e para

Ndeshja e Grupit I kualifikues të “Euro 2016”, ku bëjnë pjesë edhe kuqezinjtë, është luajtur mes Danimarkës dhe Armenisë. Vendësit kanë arritur të përmbysin disdavantazhin e Mkhitaryan, fiksuar në minutën e 50-të, falë golave të Hojbjerg (65’) dhe Kahlenberg (80’).
Një duel i luftuar fort, për shkak se Armenia është paraqitur mjaft mirë dhe ka kaluar e para në epërsi me sulmuesin e Borusias së Dortmundit. Megjithatë, të besuarit e Morten Olsenit kanë gjetur forca dhe kanë reaguar furishëm në 30 minutat e fundit të lojës, kur kanë nxjerrë në dritë edhe dy golat, që i japin Danimarkës 3 pikët e para në këtë fushatë kualifikuesesh të “Euro 2016”. Kujtojmë se danezët, ndeshjen e radhës do ta luajnë ndaj kuqezinjve të De Biazit, në “Elbasan Arena”, muajin ardhshëm.


*   *   *




7 comments:

  1. BRAVOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOO!

    ReplyDelete
  2. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete
  3. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete
  4. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete
  5. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete
  6. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete
  7. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!